LIGJI NR. 03/L-128 PËR AUDITIMIN E BRENDSHËM

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI IV / Nr. 59 / 29 TETOR 2009

Ligji Nr. 03/L-128


PËR AUDITIMIN E BRENDSHËM


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 pika (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJIN PËR AUDITIMIN E BRENDSHËM

Neni 1
Qëllimi

1. Qëllimi i këtij ligji është vendosja e një efikasiteti më të madh operacional, një disiplinë më të madhe
buxhetore dhe fiskale si dhe respektimi i rregullave nga subjektet e sektorit publik, duke kërkuar që
veprimtaritë, të dhënat si dhe sistemet e menaxhimit dhe kontrollit të të gjitha subjekteve të sektorit publik
t’i nënshtrohen auditimit të brendshëm sistematik dhe gjithëpërfshirës.

2. Qëllimi i këtij ligji është po ashtu të sigurojë që auditimet e brendshme të kryhen me qëllim të ngritjes
së efikasitetit të punës të subjekteve të sektorit publik në mënyrë që të ngritët niveli i shërbimeve që u
ofrohen shfrytëzuesve, përfituesve si dhe qytetarëve të Kosovës.

3. Në këtë drejtim, ligji themelon një sistem institucional për të siguruar funksionin adekuat të auditimeve
të brendshme.

Neni 2
Fushëveprimi

Ky ligj zbatohet në të gjitha subjektet e sektorit publik të Kosovës, veprimtaria e të cilave mbështetet në
pronën publike e që gjatë funksionimit të tyre përdorin fonde nga Buxheti i Republikës së Kosovës, nga
organizmat ndërkombëtare apo fonde të përfituara në formë bashkëfinancimi.

Neni 3
Përkufizimet

Më qëllim të interpretimit dhe të zbatimit të këtij ligji, secila nga shprehjet e mëposhtme, do të kenë
kuptimin e përshkruar në vijim, përveç nëse konteksti kërkon ndryshe:

“Auditimi i brendshëm” është aktivitet i pavarur këshillëdhënës, dhe i ofrimit të sigurisë objektive, i
përcaktuar (projektuar) që të shtojë vlerat dhe të përmirësojë funksionimin e organizatës. Ai ndihmon
organizatën në përmbushjen e objektivave të saja duke ofruar qasje sistematike, të disiplinuar për të
vlerësuar dhe përmirësuar efektshmërinë e proceseve të menaxhimit të rrezikut, kontrollit dhe qeverisjes.

“Auditori i Brendshëm” nënkupton personin që posedon licencë aktuale dhe të vlefshme, duke
përfshirë licencat e përkohshme që nxirren sipas këtij ligji.

“Auditimi i bazuar në sistem” nënkupton një vlerësim rigoroz të sistemit të kontrollit të brendshëm për
të vlerësuar nivelin e funksionimit efektiv të kontrolleve.

“Auditimi i pajtueshmërisë” nënkupton vlerësimin nëse një organizatë ka kryer aktivitetetin e saj në
pajtueshmëri me gjithë legjislacionin e aplikueshëm, rregulloret, politikat dhe procedurat administrative.

2
“Auditimi financiar” nënkupton auditimin që ofron një mendim lidhur me atë se, a paraqesin pasqyrat
financiare, të krijuara nga një organizatë, pamjen e vërtetë dhe të drejtë të aspektit financiar të
operacioneve për periudhën raportuese, për asetet dhe detyrimet e organizatës, në fund të periudhës, si
dhe a janë ato në pajtueshmëri me standardet raportuese të kontabilitetit dhe standardet financiare të
adoptuara.

“Auditimi i TI-së” nënkupton një ekzaminim të mjaftueshmërisë dhe përshtatshmërisë së kontrolleve të
cilat mbrojnë sistemet e aplikimit të TI për të siguruar besueshmërinë, integritetin dhe disponueshmërinë
e sistemeve të TI dhe mirëmbajtjen e informacioneve në këto sisteme.

“Auditimi i përformancës” nënkupton një auditim i ekonomicitetit, efikasitetit dhe efektivitetit me të cilin
subjekti i sektorit publik që auditohet i shfrytëzon burimet e veta në ushtrimin e përgjegjësive të veta.

“Ekonomiciteti” nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve në sigurimin e burimeve të nevojshme për arritjen
e objektivave në nivelin e nevojshëm të cilësisë.

“Efikasiteti” nënkupton marrëdhënien ndërmjet rezultateve, si mallrat dhe shërbimet publike, të
siguruara nga subjektet e sektorit publik, si dhe burimet e shfrytëzuara në prodhimin dhe dërgimin e tyre.

“Efektiviteti” nënkupton masën në të cilën objektivat e një subjekti, procesi apo aktiviteti realizohen si
një marrëdhënie ndërmjet arritjeve të planifikuara dhe arritjeve aktuale.

“Kodi i Etikës” nënkupton një deklaratë e shkruar mbi Parimet dhe Rregullat e Mirësjelljes që një auditor
i brendshëm pajtohet t`i zbatojë. Objektiva e tij është që formalisht të avancojë kulturën etike, në
profesionin e auditimit të brendshëm.

“Ministër” nënkupton Ministrin e Ekonomisë dhe Financave.

“Menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik” nënkupton pozitën e cila ka përgjegjësinë në
Subjektin e Sektorit Publik, Ministrat, Zyrtarët Kryesorë Administrativ dhe Drejtorët Ekzekutiv të
agjencioneve të pavarura.

“Njësia Qendrore për Harmonizimin e Auditimit të Brendshëm ose NJQHAB” do të thotë, Njësinë
Qendrore për Harmonizimin e Auditimit të Brendshëm në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe
Financave, të themeluar sipas nenit 7 të këtij ligji.

Njësia e Auditimit të Brendshëm ose “NJAB” do të thotë, Njësinë e Auditimit të Brendshëm të një
organizate buxhetore të themeluar sipas nenit 10 të këtij ligji.

“Subjekt i sektorit publik ose SSP” është term i përgjithshëm që nënkupton dhe përfshin të gjitha
organizatat buxhetore, agjencitë e pavarura publike dhe autoritetet publike.

“Statuti i Auditimit të Brendshëm” është një dokument i shkruar dhe i nënshkruar ndërmjet
Menaxhmentit të Lartë të subjektit të sektorit publik dhe personit në krye të auditimit të brendshëm, në atë
Subjekt të Sektorit Publik, dokument që shtron të drejtat dhe përgjegjësitë e të dy palëve, kur vjen deri te
kryerja e auditimit të brendshëm, funksionalisht të pavarur.

Neni 4
Parimet

1. Të gjitha Njësitë e Auditimit të Brendshëm dhe Auditorët e Brendshëm duhet të bëjnë auditime te
brendshme sipas parimeve në vijim:

1.1. Ligjshmëria. Secila Njësi e Auditimit të Brendshëm dhe secili Auditor i Brendshëm duhet të
ushtrojë auditimet në pajtim të plotë me ligjin, rregullat, standardet dhe praktikat e zbatueshme,
duke përfshirë, por pa u kufizuar, në ato të parapara në nenin 10.7 të këtij ligji;

1.2. Integriteti. Secila Njësi e Auditimit të Brendshëm dhe secili Auditor i Brendshëm duhet të
ushtrojë auditimet në mënyrë profesionale dhe sipas të gjitha kushteve të zbatueshme ligjore.
3
Auditorët e Brendshëm duhet që të evitojnë konfliktin e interesave dhe nuk duhet të lejojnë që
çështjet personale të çfarëdo lloji të ndikojnë në auditimin e brendshëm që ai/ajo ushtron;

1.3. Objektiviteti. Secila Njësi e Auditimit të Brendshëm dhe secili Auditor i Brendshëm duhet të
veprojnë me nivelin më të lartë të profesionalizmit gjatë mbledhjes, vlerësimit dhe transmetimit të
të dhënave mbi aktivitetin ose procesin që është nën auditim. Ata duhet të bëjnë vlerësime të
balancuara të të gjitha rrethanave përkatëse dhe nuk duhet të lejojnë që aktivitetet, qëndrimet
ose përfundimet e tyre të ndikohen në çfarëdo mënyre nga interesat e tyre personale ose
interesat e ndonjë personi tjetër;

1.4. Besueshmëria. Secila Njësi e Auditimit të Brendshëm dhe secili Auditor i Brendshëm duhet
të respektojnë vlerat dhe pronësinë e informatave që i pranojnë dhe nuk duhet t’i zbulojnë
informatat para cilitdo person, përveç nëse kërkohet në mënyrë specifike sipas këtij ligji;

1.5. Kompetenca. Secila Njësi e Auditimit të Brendshëm dhe secili Auditor i Brendshëm duhet të
posedojnë dhe përdorin diturinë, aftësinë dhe përvojën e nevojshme për zbatimin profesional të
auditimit të brendshëm;

1.6. Pavarësia. Secila Njësi e Auditimit të Brendshëm dhe secili Auditor i Brendshëm janë
plotësisht të pavarur nga aktivitetet që auditohen dhe personat përgjegjës ose të përfshirë,
drejtpërdrejt ose tërthorazi, në aktivitetet e tilla;

Neni 5
Ushtrimi dhe Qëllimi i Auditimit të Brendshëm

1. Secili subjekt i sektorit publik, duhet të sigurojë që veprimtaritë, të dhënat si dhe sistemet e saj të
menaxhimit dhe kontrollit t’i nënshtrohen sistematikisht auditivit të brendshëm, gjithëpërfshirës, në
përputhshmëri me dispozitat e këtij ligji.

2. Auditimi i Brendshëm ndihmon subjektin e sektorit publik në arritjen e qëllimeve të tij përmes:

2.1. kryerjes së detyrave të auditimit në pajtueshmëri me planet strategjike të bazuara në
planifikimin vjetor;

2.2. vlerësimit të përshtatshmërisë dhe efektivitetit të sistemeve të menaxhimit financiar dhe
sistemeve të kontrollit në relacion me:

2.2.1. kryerjen e detyrave dhe arritjen e qëllimeve;

2.2.2. identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve;

2.2.3. pajtueshmërinë me ligjet, rregulloret, rregullat e brendshme dhe kontratat;

2.2.4. besueshmërinë dhe gjithë përfshirjen e informacioneve financiare dhe
informacioneve të tjera;

2.2.5. efikasitetin, efektivitetin dhe ekonomicitetin e operacioneve;

2.2.6. ruajtjen e aseteve dhe informacioneve;

2.3. dhënia e rekomandimeve për përmirësimin e veprimeve.

3. Auditimi i Brendshëm duhet të zbatohet përmes ofrimit të sigurisë dhe shërbimeve këshillëdhënëse:

3.1. detyra e auditimit për siguri të arsyeshme duhet të ofrojë një ekzaminim objektiv të
evidencës për të dhënë një vlerësim të pavarur mbi menaxhimin e rrezikut, proceset e kontrollit,
sistemet ose të ndonjë objektivi tjetër të veçantë të auditivit:

4
3.1.1. objektivi dhe fushëveprimi i secilës detyrë të auditimit për siguri, duhet të
përcaktohet nga Auditorët e Brendshëm. Detyra e auditimit për siguri duhet të kalojë
nëpër fazat në vijim; planifikimi, puna në teren, raportimi dhe përcjellja;

3.1.2. detyra e auditimit për siguri duhet të zbatohet përmes: auditimeve të bazuara në
sisteme, auditimeve të pajtueshmërisë, auditimeve të përformancës, auditimeve
financiare dhe auditimeve te TI-së, ose me kombinim të atyre të cilat adresojnë objektivat
e planifikuara;

3.2. detyrat e caktuara të auditimit për shërbime këshillëdhënëse përbëhen nga dhënia e
këshillave, mendimeve, trajnimeve ose shërbimeve të tjera, të dizajnuara për përmirësimin e
proceseve të menaxhimit të rrezikut dhe kontrollit, pa ndonjë përgjegjësi menaxheriale të
supozuar nga Auditori i Brendshëm:

3.2.1. detyra e caktuar e auditimit për shërbime këshillëdhënëse duhet të iniciohet nga
menaxhmenti i subjektit të sektorit publik;

3.2.2. duhet të arrihet pajtueshmëria me menaxhmentin e lartë të subjektit të sektorit
publik mbi objektivën dhe fushëveprimin e secilës detyrë të caktuar të auditimit për
shërbime këshillëdhënëse;

3.2.3. përgjegjësia menaxheriale për zbatimin e përmirësimeve në menaxhimin e rrezikut
dhe proceset e kontrollit do të mbetet te menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik,
e jo të funksioni i Auditimit të Brendshëm apo të Auditori i Brendshëm i përfshirë në të.

4. Auditimet duhet të bëhen në pajtim me këtë ligj, rregullat, politikat, doracakët, udhëzimet, statuti i
auditimit të brendshëm, kodin e etikës si dhe standardet profesionale të përgatitura nga NJQHAB dhe të
shpallura nga Ministri sipas nenit 7.4. të këtij ligji.

Neni 6
Komitetet e Auditimit

1. Komiteti i auditimit është organ i pavarur këshillëdhënës për menaxhmentin e lartë të subjektit te
sektorit publik dhe mbështetës për auditorët e brendshëm, duke:

1.1. siguruar një mbikëqyrje të planeve dhe rezultateve të auditimit;

1.2. siguruar pavarësinë e Auditorit të Brendshëm;

1.3. vlerësuar përshtatshmërinë e burimeve të auditimit;

1.4. siguruar që rekomandimet e auditimit janë pranuar dhe zbatuar;

1.5. këshilluar mbi çështjet lidhur me rreziqet, sistemet e kontrollit të brendshëm dhe auditimit.

2. Komitetet e Auditimit të Brendshëm krijohen nga menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik si në:
Kuvendin e Kosovës, Presidencë, Kryeministri, Ministri dhe Komuna. Komitetet e Auditimit të Brendshëm
në këto subjekte, kryejnë shërbime për të gjitha njësitë dhe nën njësitë e renditura në kuadër të SSP
përkatëse, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me ndonjë akt ligjor. Mënyra e funksionimit të
komiteteve të auditmit, rregullohet me Udhëzimet e nxjerra nga Ministri i Ministrisë për Ekonomi dhe
Financa në pajtueshmëri me praktikat dhe standardet ndërkombëtare të auditimit.

3. Komiteti i auditimit duhet që për një periudhë prej së paku shtatë (7) vjetësh të mirëmbajë shënime për
të gjitha procedimet e tij bashkë me të gjitha raportet e ofruara nga auditimi i brendshëm sikur edhe
shënime gjithëpërfshirëse të shkruara në lidhje me të gjitha çështjet dhe dëshmitë që kanë të bëjnë me
ato raporte dhe të gjitha veprimet e ndërmarra nga Komiteti i Auditimit si përgjigje në ato raporte.

4. Qasje të plotë dhe të papenguar në këto dokumente mund të kenë, Auditori Gjeneral dhe çdo autoritet
tjetër publik që ka funksion hetues apo kontrollues.

5
Neni 7
Njësia Qendrore për Harmonizimin e Auditimit të Brendshëm

1. Ministri i Ministrisë për Ekonomi dhe Financa do të jetë përgjegjës për koordinimin dhe harmonizimin e
auditimit të brendshëm në subjektin e sektorit publik. Që të arrihet kjo, në kuadër të Ministrisë së
Ekonomisë dhe Financave duhet të themelohet NJQHAB që ka statusin e departamentit të veçantë, e që
drejt për së drejti është e nënrenditur të Ministri dhe do t`i ndihmojë atij/asaj për përmbushjen e detyrave,
sipas këtij ligji.

2. NJQHAB administrohet nga Drejtori që është shërbyes civil, i emëruar sipas legjislacionit përkatës, për
emërimin e shërbyesve civil.

3. Personeli i NJQHAB, janë shërbyes civil dhe punësohen në bazë të legjislacionit për shërbyesit civil
dhe të cilët i plotësojnë kërkesat e nenit 16 të këtij ligji. Personeli i Njësisë Qendrore për Harmonizimin e
Auditmit të Brendshëm, i raporton drejtorit, në lidhje me ushtrimin e aktiviteteve profesionale dhe
administrative.

4. NJQHA duhet të përgatisë dhe t’i dorëzojë Ministrit për miratim, rregullat, politikat, doracakët,
udhëzimet, modelet, statutin e auditimit te brendshëm, kodin e etikës dhe standardet profesionale për
ushtrimin e auditimeve të brendshme nga Auditorët e Brendshëm dhe Njësitë e Auditimit të Brendshëm.
Të gjitha këto rregulla duhet të jenë në pajtim të plotë dhe të pasqyrojnë standardet dhe praktikat më të
mira ndërkombëtare të auditimit të brendshëm.

5. NJQHAB bën vlerësime te jashtme, siç janë, rishikimi i sigurisë së cilësisë, kryerjes se auditimit te
brendshëm në subjektin e sektorit publik, në bazë të metodologjive të miratuara nga Ministri. Gjatë
kryerjes së rishikimeve, Auditorët e NJQHAB duhet të kenë qasje të lirë në të gjitha dokumentacionet dhe
çështjet lidhur me auditimin e brendshëm në SSP.

6. NJQHAB ofron këshilla profesionale për Njësitë e Auditimit të Brendshëm dhe Auditorët e Brendshëm
në të gjitha aspektet e auditimit, planet e punës, praktikat e mira evropiane të auditimit të brendshëm, si
dhe cilësinë dhe funksionimin adekuat të sistemit të auditimit të brendshëm.

7. NJQHAB duhet të aranzhojnë dhe të institucionalizojnë, një sistem rigoroz të trajnimit profesional si
dhe testimit rigoroz, objektiv dhe anonim para dhe pas përfundimit të trajnimit për të gjithë personat që
dëshirojnë të bëhen Auditorë të Brendshëm. NJQHAB duhet të sigurojë që trajnimi dhe testimi i tillë të
bëhet nga ekspertë profesional dhe të kualifikuar për auditim të brendshëm që posedojnë kualifikim
profesional të pranuar ndërkombëtarisht, për auditim te brendshëm.

8. NJQH e Auditimit të Brendshëm do t`i lëshojë licencë një personi për të punuar si auditor i brendshëm,
nëse kandidati ka kryer me sukses trajnimin dhe testimin e referuar dhe ka demonstruar përkushtim ndaj
etikës profesionale, disiplinës, integritetit dhe kompetencës së kërkuar nga një Auditor i Brendshëm.

9. NJQHAB duhet të vendosë një sistem për arsimim, detyrimisht të vazhdueshëm profesional, të
personave që janë licencuar si auditorë të brendshëm sipas nenit 7.8 të këtij ligji.

10. NJQH e Auditimit të Brendshëm është e autorizuar të revokojë licencën e Auditorit të Brendshëm
nëse ai/ajo:

10.1. i shkel kushtet apo dispozitat e këtij ligji;

10.2. nuk tregon kompetencë të mjaftueshme ose nuk u përmbahet parimeve të parapara në
nenin 4 të këtij ligji; ose

10.3. Nuk e përmbush kushtin e paraparë të nenit 7.9 të këtij ligji, për arsimim të vazhdueshëm ,
për auditorë të brendshëm. Në raste të tilla, nëse personi i tillë është anëtar i Njësisë së Auditimit
të Brendshëm, organizatat përkatëse buxhetore, duhet të largojnë personin të cilit i është
revokuar licenca nga NJQHAB. Personi në fjalë ka të drejtën e ankimit ndaj vendimit të tillë, sipas
ligjit për procedurën administrative.

6
11. NJQH e Auditimit të Brendshëm ka autoritetin të marrë nga të gjitha subjektet e sektorit publik planet
e tyre strategjike, vjetore, raportet tre mujore dhe vjetore për aktivitetet e auditimit të brendshëm.

12. NJQH e Auditimit të Brendshëm duhet të mirëmbajë regjistrat e auditorëve të brendshëm të licencuar
për të punuar në SSP të Kosovës, Statutet e auditimit të brendshëm, dhe organizimet e bëra nga SSP
për përmbushjen e përgjegjësive të tyre për auditimin e brendshëm sipas këtij ligji.

13. Nëse SSP, për ndonjë arsye, nuk ka krijuar funksionin efektiv të auditimit të brendshëm, MEF-i cakton
auditorin e brendshëm për të kryer auditimin në atë SSP.

Neni 8
Detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit të NJQHAB

1. Përveç përgjegjësive të përcaktuara në këtë ligj, drejtori i NJQH është përgjegjës për të gjitha format e
raportimit, e posaçërisht duhet të:

1.1. T`i raportojë rregullisht së paku çdo tre muaj, Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, në lidhje
me të gjitha aktivitetet e NJQHAB dhe;

1.2. Të përgatisë dhe dorëzojë Ministrit raportin vjetor formal me shkrim për funksionimin e
sistemit të auditimit të brendshëm. Ministri e shqyrton raportin në fjalë dhe pastaj e dorëzon
raportin, së bashku me komentet e Ministrit, në Qeveri, Kuvend dhe tek Auditori i Përgjithshëm.

Neni 9
Mbrojtja e Auditorëve të Brendshëm

1 Menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik dhe Komiteti i auditimit, nëse ai ekziston, duhet të
ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme:

1.1.Për të siguruar pavarësinë e Njësisë së Auditimit të Brendshëm apo Auditorit të Brendshëm;
dhe

1.2. Qe menjëherë te ndërmerren masa në rast te shkaktimit te pengesave nga cilido person në
punën e Njësisë së Auditimit të Brendshëm ose Auditorit të Brendshëm për kryerjen e një
auditimi të brendshëm sipas këtij ligji. Masat në fjalë përfshijnë suspendimin, largimin ose masa
të tjera disiplinore ndaj personit apo personave në fjalë.

2. Shkarkimi i Drejtorit të Njësisë së auditimit të brendshëm bëhet në bazë të legjislacionit për shërbyesit
civil.

3. Punësimi, vazhdimi i kontratës apo përparimi në karrierë i Drejtorit të Njësisë së Auditimit të
Brendshëm apo një Auditori të Brendshëm nuk duhet të cenohet për shkak të përmbushjes së detyrave
ligjore sipas këtij Ligji dhe të gjitha rregullave, udhëzimeve, politikave, doracakëve, Kodit të Etikës dhe
standardeve profesionale përkatëse, të zhvilluara apo adoptuara nga NJQH e Auditimit të Brendshëm
dhe të miratuara nga Ministri. Çdo masë disiplinore duhet të ndërlidhet vetëm me çështjet e kompetencës
ose sjelljes e cila ka të bëjë me të gjithë shërbyesit civilë dhe do t`i përmbahet procesit të përcaktuar nga
ligjet përkatëse.

Neni 10
Themelimi dhe funksionimi i Njësive për Auditim të Brendshëm

1. Menaxhmenti i lartë i SSP është përgjegjës për zbatimin dhe funksionimin efektiv të auditimit të
brendshëm në pajtim me kërkesat e këtij ligji.

2. Përgjegjësia e vendosur në nenin 10.1 të këtij ligji për zbatimin e funksionit të auditimit të brendshëm,
shtrihet në:

2.1. subjektin e sektorit publik;

2.2. pjesët përbërëse dhe nën-njësitë e tjera të tij;
7

2.3. ndonjë SSP i cili menaxhon fondet e BE-së apo fondet e dhuruara nga donatorët e tjerë ose
institucionet financiare ndërkombëtare.

3. Menaxhmenti i lartë i SSP, apo ndonjë organizatë ose agjenci e nënrenditur duhet të krijojë funksionin
e auditimit të brendshëm në njërën nga mënyrat në vijim:

3.1. themelimi i një Njësie të pavarur të Auditimit të Brendshëm të përbërë nga Drejtori i Njësisë
së Auditimit të Brendshëm dhe Auditorët e Brendshëm me mbështetje të duhur administrative.
Njësia e Auditimit të Brendshëm duhet të jetë drejtpërdrejtë e nënrenditur tek Menaxhmenti i lartë
i SSP.

3.2. themelimi i një Njësie të Përbashkët të Auditimit të Brendshëm me propozim të disa SSP,
me pëlqim paraprak të Ministrit të Financave;

3.3. marrëveshje pune me një njësi të veçantë të auditimit të brendshëm të themeluar nga
Qeveria, për të ofruar shërbime të auditimit të brendshëm për subjektin e sektorit publik, sipas
nevojës;

4. Nëse madhësia ose veprimtaritë e organizatës buxhetore janë të asaj natyre që detyrat e Njësisë së
Auditimit të Brendshëm mund të ushtrohen nga një Auditor i vetëm, bazuar në nenin 11 të këtij ligji,
atëherë personi në fjalë shërben si Drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm, në pajtim me nenin 14.

5. Të gjithë Auditorët e Brendshëm, brenda Njësisë së Auditimit të Brendshëm, duhet të kenë statusin e
shërbyesit civil.

6. Të gjithë personat duhet që të bashkëpunojnë plotësisht dhe në mënyrë të rregullt me Njësinë e
Auditimit të Brendshëm si dhe të lejojnë qasje në të gjitha sistemet dhe dokumentet sipas kërkesës, pa të
drejtë refuzimi.

7. Secila Njësi për Auditim të Brendshëm dhe secili Auditor i Brendshëm duhet t’i ushtrojë aktivitetet e
veta në pajtim me:

7.1. këtë ligj dhe ligjet e tjera të zbatueshme në Kosovë;

7.2. rregullat, politikat, doracakët, udhëzimet, statuti i auditimit të brendshëm, kodin e etikës dhe
standardet profesionale të nxjerra nga Ministri sipas nenit 7.4 të këtij ligji.

Neni 11
Kriteret për themelimin e Njësive të Auditimit të Brendshëm

1. Për cilëndo prej alternativave të zgjedhura që janë të përshkruara në nenin 10.3, auditorët e
brendshëm janë të obliguar të kryejnë auditimet e brendshme në përputhshmëri me rregullat, politikat,
doracakët, udhëzimet, statutin e auditimit të brendshëm, kodin e etikës dhe standardet profesionale të
përgatitura ose adoptuara nga NJQH e Auditimit të Brendshëm dhe të miratuara nga Ministri, në
përputhshmëri me këtë ligji.

2. Sa i përket alternativave të përshkruara në Nenin 10.3, Ministri duhet të miratojë rregullat e përgatitura
nga NJHQ e Auditimit të Brendshëm, të cilat do të sigurojnë kritere për të udhëzuar themelimin e
funksionit të auditimit të brendshëm.

Neni 12
Të drejtat e Auditorëve të Brendshëm dhe i Njësive për Auditim të Brendshëm

1. Auditori i Brendshëm ose Njësia për Auditim të Brendshëm që bëjnë një auditim të ligjshëm sipas këtij
ligji, janë të autorizuar dhe kanë përgjegjësinë që:

1.1. të bëjë auditime të brendshme në pajtim me rregullat, politikat, doracakët, udhëzimet, statuti i
auditimit të brendshëm, kodi i etikës dhe standardet profesionale të miratuara nga Ministri sipas
nenit 7.4 të këtij ligji;
8

1.2. të marrë, shqyrtojë dhe shfrytëzojë pa kufizim të gjitha të dhënat teknike, ekonomike,
financiare si dhe informatat e dokumentet në posedim ose kontroll të subjektit të sektorit publik
nën auditim;

1.3. të kopjojë të dhënat, informatat apo dokumentet e tilla për qëllime të auditimit të brendshëm
si dhe të sigurojë që kopjet në fjalë të jenë ose origjinale ose të certifikuara. Dokumentet
origjinale duhet ti kthehen subjektit të sektorit publik nga i cili janë marrë për shfrytëzim;

1.4. të kërkojë nga cilido zyrtar, punonjës, këshilltar ose kontraktues i subjektit të sektorit publik
nën auditim që të ofrojë dëshmi fizike, shënime dhe dëshmi gojore ose informata të tjera mbi
çështjet që kanë të bëjnë me auditimin ose mbi aktivitetet që janë nën auditim;

1.5. të ketë qasje pa pengesë në pasurinë e subjektit të sektorit publik nën auditim, dhe të
verifikojë dhe vlerësojë vlerat materiale dhe monetare të subjektit të sektorit publik në pajtim me
rregullat dhe legjislacionin;

1.6. të raportojë tek menaxhmenti i lartë i SSP mbi te gjitha çështjet materiale të lidhura me
kryerjen e auditimit të brendshëm dhe me rezultatet e tij.

1.7. të marrë informata të certifikuara nga Thesari, Banka Qëndrore e Kosovës dhe cilado
organizatë publike apo private në lidhje me xhirollogaritë dhe/ose transaksionet aktuale ose të
mbyllura që përfshijnë subjektet nën auditim mbi të cilin Njësia për Auditim të Brendshëm ka
kompetenca sipas nenit 10.1; dhe

1.8. t`i propozojë menaxhmentit të lartë të subjektit të sektorit publik kontraktimin e personelit të
ekspertëve atëherë kur kërkohen njohuri dhe aftësi të veçanta në lidhje me aktivitetet e
planifikuara të auditimit të brendshëm;

1.9. të ketë qasje në Komitetin e auditimit dhe të marrë pjesë në seancat e tij;

1.10. të përcaktojë objektivat, fushëveprimin, shpeshtësinë, metodat dhe burimet e nevojshme
për kryerjen e Auditimit të Brendshëm;

1.11. drejtori i Auditimit të Brendshëm dhe të gjithë Auditorët e Brendshëm janë të obliguar të
mbajnë në fshehtësi të gjitha informacionet që atyre u janë bërë të njohura gjatë kryerjes së
auditimit të brendshëm, përveç nëse ligji kërkon ndryshe.

2. Për shkak të nivelit të lartë të kompetencës profesionale, përgjegjësive dhe këshillë dhënies për
ushtrimin e aktiviteteve të auditimit të brendshëm, Auditori i Brendshëm duhet te ketë rrogën e përafërt
me Drejtorin e NJAB .
Neni 13
Ndalesat

1. Personat që kryejnë aktivitete të auditimit të brendshëm do të duhet të kenë licencë valide për auditim
të brendshëm ose licencë të përkohshme, të lëshuar ne pajtim me këtë ligj dhe kriteret e krijuara dhe
lëshuara nga Ministri.

2. Asnjë person nuk mund të marrë licencë për auditim të brendshëm nëse ai/ajo:

2.1. në tri (3) vitet e fundit ka qenë në ndonjë pozitë të lartë ose funksion në një parti politike;

2.2. në pesë (5) vitet e fundit nga ndonjë gjykatë kompetente është vërtetuar se ka krye vepër
penale që përfshin mashtrimin, keqinterpretimin, korrupsion, pastrim parash, përvetësim,
keqpërdorim ose keq përvetësim të fondeve, mito ose ryshfet, sipas ligjeve të zbatueshme në
Kosovë, në ndonjë vend apo juridiksion tjetër, ose sipas konventave apo traktateve
ndërkombëtare;

2.3. është vërtetuar se ka qenë i përfshirë në sjellje jo-profesionale nga ndonjë institucion ose
organizatë përgjegjëse për zbatimin e standardeve të sjelljes profesionale; ose
9

2.4. ka bërë paraqitje të shtrembëruara nën betim ose në ndonjë dokument të vulosur, të
notarizuar ose zyrtar.

3. Asnjë person nuk mund të kryejë aktivitete të auditimit të brendshëm ose të ofrojë shërbime të
auditimit të brendshëm për një subjekt të sektorit publik nëse ai/ajo aktualisht mban pozitë ose kryen
punë për një subjekt të sektorit publik, përveç subjektit që rregullisht dhe ligjërisht ofron shërbime
profesionale dhe të pavarura të auditimit.

Neni 14
Drejtorët e Njësive për Auditim të Brendshëm

1. Secila Njësi për Auditim të Brendshëm në kuadër të një organizate buxhetore duhet të ketë drejtorin e
saj. Secili drejtor duhet të jetë njëkohësisht Auditor i Brendshëm. Ai/ajo përzgjidhet nga organizata
buxhetore sipas legjislacionit për shërbyesit civil. Në komisionin e rekrutimit duhet të marrë pjesë një
përfaqësuese i NJQHAB.

2. Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm është përgjegjës për:

2.1. menaxhimin dhe mbikëqyrjen e personelit dhe veprimtarisë së Njësisë për Auditim të
Brendshëm;

2.2. përzgjedhjen, në baza konkurruese pas konsultimit me NJQH për Auditim të Brendshëm.
Përzgjedhja bëhet në bazë te listës së Auditorëve të Brendshëm e siguruar nga NJQH për
Auditim të Brendshëm, bëhet në pajtim me ligjet e tjera të zbatueshme në Kosovë, legjislacionin
për shërbimin civil.

2.3. të shfrytëzuar burimet e Njësisë për Auditim te Brendshëm në mënyrë produktive, kosto-
efektive dhe efikase;

2.4. siguruar zbatimin adekuat dhe respektimin e ligjeve, rregullave, politikave, udhëzimeve dhe
doracakëve të përcaktuar në nenin 10.7 të këtij ligji;

2.5. siguruar përgatitjen dhe dorëzimin me kohë të planit strategjik te auditimit në bazë te
vlerësimit te rrezikut për rishikim dhe miratim tek menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik
dhe Komiteti i auditivit;

2.6. organizimin, kryerjen, mbikëqyrjen dhe ushtrimin e të gjitha aktiviteteve të auditimit të
brendshëm të ndërmarra nga Njësia e Auditimit të Brendshëm, si dhe dorëzimin e rezultateve të
auditimit te menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik dhe Komitetit të auditimit të
organizatës buxhetore ose ndërmarrjes publike;

2.7. përgatitjen dhe dorëzimin e raporteve tremujore dhe vjetore për të gjitha aktivitetet e
auditimit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm tek menaxhmenti i lartë i SSP, NJQH dhe Komitetit
të Auditimit të organizatës buxhetore;

2.8. Dorëzimin e planit vjetor dhe strategjik te Audimit te brendshëm tek NJQH jo me vonë se deri
me 31 tetor të secilit vit kalendarik pas miratimit nga menaxhmenti i lartë i SSP dhe Komiteti i
Auditimit;

2.9. Mirëmbajtjen e të gjitha dosjeve te raporteve të auditimit, shënimeve gjithëpërfshirëse të
shkruara në lidhje me të gjitha çështjet, dëshmitë që kanë të bëjnë me ato raporte dhe të gjitha
rekomandimet e dhëna menaxhmentit të lartë të SSP dhe Komitetit të auditimit të cilat duhet të
ruhen së paku 7 (shtatë) vjet;

2.10. Qasje të plotë dhe të papenguar në këto dokumente duhen të kenë Auditori gjeneral dhe
çdo autoritet tjetër publik që ka funksion hetues apo kontrollues;

2.11. Përgatitjen dhe zbatimin e programit të sigurisë së cilësisë që mbulon vlerësimin e
brendshëm dhe të jashtëm të funksionit të auditimit të brendshëm;
10

2.12. Raportimin e menjëhershëm tek menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik dhe
Komiteti i auditimit, për çdo indikator të aktivitetit të mashtrimit apo korrupsionit dhe dhënien e
propozimeve për përmirësimin e sistemeve si dhe njoftimin e autoriteteve kompetente, nëse
menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik nuk ndërmerr veprime të duhura;

2.13. Kërkimin e burimeve të mjaftueshme nga menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik
për t`i mundësuar funksionit të auditimit të brendshëm kryerjen e detyrave të përcaktuara sipas
këtij ligji;

2.14. Përgatitjen e një plani për të Siguruar zhvillimin e vazhdueshëm profesional të gjithë
anëtarëve të Njësisë së Auditimit të Brendshëm, përfshirë edhe Drejtorin e Njësisë së Auditimit
të Brendshëm;

2.15. T`i dorëzuar menaxhmentit të lartë të subjektit të sektorit publik dhe Komitetit të auditimit,
statutin mbi funksionin e auditimit të brendshëm, i bazuar në modelin e siguruar nga NJQHAB.

3. Paga e Drejtorit të Njësisë për Auditim të Brendshëm rregullohet në mënyrë të veçantë sipas
legjislacionit për shërbyesit civil.

Neni 15
Përgjegjësitë e menaxhmentit të lartë të SSP për Auditimin e Brendshëm

1. Secili menaxhment i lartë i SSP duhet:

1.1. të sigurojë që Auditimi i Brendshëm ka burime të mjaftueshme njerëzore, financiare dhe të
tjera për ushtrimin efikas të detyrave dhe përgjegjësive të tij.

1.2. të sigurojë ndërmarrjen e masave të shpejta dhe efektive për zbatimin e rekomandimeve të
bëra nga Njësia e Auditimit të Brendshëm, Auditori i Brendshëm, Komiteti i auditimit dhe
NJQHAB;

1.3. të eliminojë parregullsitë e zbuluara gjatë auditimit si dhe zbatimin e masave për të
parandaluar parregullsitë e tilla në të ardhmen;

1.4. të sigurojë që organizata buxhetore i përmbush të gjitha kushtet e parapara në këtë ligj; dhe

1.5. të sigurojë që të gjithë shërbyesit civil dhe personat e punësuar apo të angazhuar nga
organizata buxhetore ose ndonjë njësi tjetër e cekur në nenin 10.1 të këtij ligji t’i:

1.5.1. mundësojë NJAB qasje të lirë në të gjitha dokumentet, shënimet, zyrat dhe
pasuritë që janë të nevojshme për ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre.

1.5.2. ndërmarrin masa aktive për të asistuar dhe për të lehtësuar punën e Njësive të
Auditimit të Brendshëm ose Auditorit të Brendshëm në ushtrimin e detyrave dhe
përgjegjësive të tyre.

Neni 16
Rekrutimi, kualifikimi dhe trajnimi i auditorëve të brendshëm

1. Personat që dëshirojnë të rekrutohen si auditorë të brendshëm, duhet :

1.1. të posedojnë diplomë universiteti në ekonomi, administratë publike, financa publike,
kontabilitet apo juridik;

1.2. ti përmbushin kushtet e tjera të arsyeshme të vendosura nga NQHAB, për të siguruar
kompetencën, ndershmërinë, integritetin dhe objektivitetin e kandidatit.

1.3. të kenë përfunduar me sukses trajnimin, testimin dhe licencimin sipas nenit 7.7 dhe 7.8 të
këtij ligji; dhe
11

1.4. të mos jenë të pa-pranueshëm për shkak të arsyeve të cekura në nenin 13.2.

2. Personat që përmbushin nenin 16.1,16.2,16.4 mund të rekrutohen si praktikantë auditimi me licencë të
përkohshme të lëshuar në pajtim me këtë ligj dhe kriteret e krijuara dhe të lëshuara nga Ministri.

Neni 17
Konflikti i Interesave

1. Çdo auditor i brendshëm do të njoftojë me shkrim Drejtorin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm për
ndonjë konflikt aktual apo potencial të interesit i cili mund të dalë nga një detyrë e auditimit. Pas njoftimit
të konfliktit të tillë Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm do të ri-caktojë auditorin e brendshëm në
detyra të tjera ku ai/ajo nuk ka konflikt interesi.

2. Dështimi për të bërë këtë do të rezultojë në procedura disiplinore ndaj Auditorit të Brendshëm dhe
Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm.

3. Konflikti i interesave ekziston nëse auditimi përfshin apo ka të bëjë me:

3.1. subjektin e sektorit publik në të cilin Auditori i Brendshëm ka qenë i punësuar ose i
angazhuar në çfarëdo kapaciteti tjetër përveç si Auditor i Brendshëm sipas këtij ligji, në tri vitet e
fundit;

3.2. subjekti i sektorit publik në tri vitet e fundit ka pasur në menaxhment apo ndër zyrtarët e lartë
politik, një person me të cilin Auditori i Brendshëm:

3.2.1. ka pasur marrëdhënie afariste apo marrëdhënie të tjera qenësore në tri vitet e
fundit;ose

3.2.2. ka marrëdhënie familjare deri në brezin e tretë siç përcaktohet në legjislacionin për
Shërbimin Civil.

4. Gjatë përgatitjes së rregullave dhe standardeve profesionale të cekura në nenin 7.4, NJQH e Auditimit
të Brendshëm mundet, nëse është në pajtim me standardet dhe praktikat me të mira ndërkombëtare, të
specifikojë në rregullat dhe standardet e tilla edhe situatat e tjera që përbëjnë konflikt interesash.

5. Auditorët e Brendshëm me konflikt interesi nuk mund të marrin pjesë, të diskutojnë ose të përpiqen të
ndikojnë në çfarëdo mënyre në ushtrimin e auditimit.

6. Nëse një person pranon informata se një auditim i brendshëm është kryer ose është duke u kryer nga
një auditor i brendshëm me konflikt interesi, duhet të informohet NJQH e Auditimit të Brendshëm. Nëse
NJQH e Auditimit të Brendshëm konstaton se auditimi i brendshëm është kryer ose është duke u kryer
me konflikt interesi, licenca e auditorit te brendshëm do të suspendohet.

Neni 18
Marrëdhënia e NJQH e Auditimit të Brendshëm me institucionet e tjera

1. NJQHAB duhet të krijojë një program për bashkëpunim me institucionet dhe personat e sferës se
Auditimit te Brendshëm dhe të jashtëm, të vendit dhe nga jashtë dhe të shkëmbejë informacione rreth
zhvillimit të Auditimit te Brendshëm.

2. NJQHAB duhet të bashkëpunojë me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës:

2.1. për të zhvilluar marrëdhënie reciproke dhe bashkëpunim ndërmjet tyre;

2.2. të koordinojë aktivitetet e auditimit në një mënyrë të tillë për t`iu shmangur dyfishimit;

2.3. për shkëmbimin adekuat të informatave.

Neni 19
12
Dispozitat kalimtare

Personave që mbajnë pozitë në NJQH apo në njësi të Auditimit të brendshëm në kohën kur ky ligj hyn në
fuqi, do t’iu lëshohet licencë e përkohshme në pajtim me këtë ligj dhe kriteret e krijuara dhe të lëshuara
nga Ministri i MEF-it.

Neni 20
Dispozitat Shfuqizuese

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji Nr. 02/L-074 për Auditimin e Brendshëm, dhe çdo dispozitë
e ligjeve në fuqi që nuk është në përputhshmëri me këtë ligj.

Neni 21
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


Ligji Nr. 03/ L-128
17 shtator 2009

Shpallur me dekretin Nr. DL-026-2009, datë 13.10.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu.