LIGJI NR.03/L-098 PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI IV / Nr. 56 / 27 KORRIK 2009

Ligji Nr. 03/L-098


PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Më qëllim të krijimit të kornizës ligjore për zhvillimin e bujqësisë dhe të zhvillimit rural,

Miraton


LIGJ PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i politikave për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.


Neni 2
Fusha e zbatimit

1. Ky ligj përcakton objektivat, masat dhe programin e politikave të bujqësisë dhe të zhvillimit rural në
bazë të Planit për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor.
2. Më këtë ligj përcaktohen dispozitat për ofrimin e shërbimeve publike bujqësore, kërkimit dhe trajnimit
profesional, bazën e të dhënave dhe informacionin në fushën e politikës bujqësore dhe të zhvillimit rural.


Neni 3
Përkufizimet

Shprehjet apo termat e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

“Bujqësia” nënkupton veprimtarinë ekonomike i cili ka si objektiv prodhimin e ushqimit për njerëz,
kafshë, bimë industriale, bio karburante, si dhe produkte të tjera me origjinë bimore dhe shtazore.

“Fermë” nënkupton njësinë ekonomike bazë në bujqësi dhe veprimtarinë ekonomike që lidhën me të.
Është një pjesë toke që kryesisht i kushtohet prodhimit dhe menaxhimit të ushqimit ose prodhimit
blegtoral. Ferma mund të jetë në pronësi të një individi, një familje, një komuniteti ose mund të jetë në
pronësi të një kooperative apo të një ndërmarrje.

“Produkt bujqësor” nënkupton produktet bimore apo shtazore, të cilat prodhohen në fermë dhe ato që
rrjedhin nga faza e parë e përpunimit të këtyre produkteve.

“Produkt agro-ushqimor” nënkupton produktet bujqësore dhe produktet të tjera ushqimore të
përpunuara.

2
“Politikë bujqësore” nënkupton politikën shtetërore për objektivat dhe masat që veprojnë drejtpërdrejti
në tregjet agro-ushqimore dhe në të ardhura nga ferma.

“Politikë e zhvillimit rural” nënkupton politikën shtetërore për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave
rurale, në ndërlidhjen e tyre ekonomike dhe sociale si dhe në mbrojtjen e mjedisit.

“Strategjia e bujqësisë dhe zhvillimit rural” nënkupton objektivat afatmesme të politikës bujqësore dhe
të zhvillimit rural, programin, masat dhe mënyrat se si Qeveria planifikon mbështetjen financiare në një
periudhë kohore të caktuar për bujqësinë në zonat rurale.

“Plan veprimi” nënkupton dokumentin e nxjerrë në bazë të programit i cili përshkruan se si Qeveria do të
zbatojë strategjitë në zona rurale dhe në periudha të ndryshme kohore.

“Plani Kombëtar për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ” nënkupton Planin e nxjerr në bazë të këtij ligji i cili
përcakton politikat bujqësore dhe zhvillimin rural të Kosovës.

“Masë e politikës bujqësore dhe zhvillimit rural” nënkupton tërësinë e veprimeve dhe të mjeteve me të
cilat arrihen objektivat e përcaktuara me këtë ligj.

“Bujqësia e qëndrueshme” nënkupton bujqësinë që nga ana ekonomike dhe sociale është e
qëndrueshme dhe si e tillë për një periudhë të gjatë kohore nuk e degradon mjedisin. Koncepti i bujqësisë
së qëndrueshme është i bazuar në parimin e shumë funksionalitetit, duke nënkuptuar që bujqësia krahas
produkteve fitimprurëse – ekonomike prodhon edhe të mira publike që lidhen me mjedisin, sigurimin e
ushqimit, sigurinë ushqimore dhe ndërlidhjen rajonale dhe sociale.

“Grupe të margjinalizuara” – nënkuptojnë grupet e ndryshme të popullsisë në zonat e thella rurale të
cilët janë të lëna anash dhe nuk janë të përfshira në proceset e përgjithshme të zhvillimit të shoqërisë.

“Shërbimi publik në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural” nënkupton politikat qeveritare në
ofrimin e shërbimit nëpërmjet programeve të saja, më qëllim të avancimit të mëtejmë të sektorit të
bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Njësia e pagesave për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural” nënkupton njësinë organizative
të Ministrisë për mbështetjen e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, e themeluar me këtë ligj.

“Kooperativë” nënkupton personin juridik apo fizik të bashkuar në baza vullnetare për të arritur qëllimet
e përbashkëta ekonomike përmes veprimtarive të caktuara bujqësore.

“Ministri” nënkupton Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Ministria” nënkupton Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Qeveria” nënkupton Qeverinë e Republikës së Kosovës.


Neni 4
Objektivat e politikës bujqësore dhe të zhvillimit rural

1. Me masat për zbatimin e politikës bujqësore dhe të zhvillimit të zonave rurale, synohet të arrihen
objektivat e përgjithshme:

1.1. konkurrenca në prodhimtarinë bujqësore dhe atë rurale, e cila rritë aftësinë e saj
konkurruese si për tregun brenda, ashtu edhe për atë jashtë vendit, e cila mundësohet nëpërmjet
rritjes së produktivitetit dhe të efikasitetit të veprmtarive ekonomike në zonat rurale;

1.2. rritja e të ardhurave për popullsinë rurale, duke ngritur mirëqenien e saj nëpërmjet
përmirësimit të kushteve të punës dhe të jetesës, si dhe duke krijuar mundësi të barabarta për të
gjitha grupet e margjinalizuara;
3

1.3 stabiliteti ekonomik, duke garantuar që prodhimi bujqësor të jetë i qëndrueshëm;

1.4. cilësia e prodhimeve të ushqimit duke garantuar që zinxhiri ushqimor është i një cilësie të
qëndrueshme dhe i plotëson standardet e përcaktuara;

1.5. mbrojtja e qëndrueshme e mjedisit;

1.6. ndërlidhja e cila synon zvogëlimin e dallimeve ndërmjet niveleve të zhvillimit të rajoneve të
ndryshme, duke zhvilluar aktivitete alternative dhe plotësuese që gjenerojnë punësim më qëllim
të nxitjes për të jetuar në zonat rurale, duke fuqizuar biznesin e vogël dhe atë, të mesëm;

1.7. sigurimi i ushqimit që nuk shkakton efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut nëse
përgatitet dhe konsumohet sipas standardeve dhe kushteve të prodhimit.



KREU II
PROGRAMI, ZBATIMI DHE FINANCIMI I POLITIKËS BUJQËSORE DHE TË ZHVILLIMIT RURAL


Neni 5
Plani Kombëtar i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

1. Plani Kombëtar i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përmban Strategjinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural
i cili bazohet në analizën aktuale, objektivat afatmesme të politikës bujqësore dhe zhvillimit rural, masat,
programet dhe veprimtaritë, në realizimin e këtyre objektivave, në vlerësimet efektive të më pasme si dhe
në fondet publike të nevojshme të përdorura për zbatimin e politikave të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

2. Plani kombëtar i Bujqësisë dhe zhvillimit rural hartohet nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me
institucionet e tjera përkatëse, dhe me propozim të Qeverisë miratohet në Kuvendin e Kosovës.

3. Plani miratohet për një periudhë prej shtatë (7) vitesh.


Neni 6
Plani i veprimit për zbatimin e politikës së bujqësisë dhe zhvillimit rural

1. Qeveria në përputhje me Planin Kombëtar të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, miraton planin e veprimit
një apo shumë vjeçar për zbatimin e politikës së bujqësisë dhe zhvillimit rural.

2. Plani i veprimit përfshinë pjesën ose tërë paketën e masave të politikës së bujqësisë dhe të zhvillimit
rural :

2.1. kushtet, kriteret dhe procedurat e prezantimit dhe të zbatimit të masave të politikës së
bujqësisë dhe të zhvillimit rural;

2.2. mjetet dhe mënyrat e zbatimit si dhe kontrollit të zbatimit të politikës bujqësore dhe të
zhvillimit rural;
2.3. procedurat e mbikëqyrjes dhe të vlerësimit të politikës bujqësore dhe të zhvillimit rural.


Neni 7
Financimi

1. Financimi për politikat bujqësore dhe të zhvillimit rural bëhet nga:

1.1. buxheti i Republikës së Kosovës;
4

1.2. donacionet; dhe

1.3. burimet tjera në përputhje me ligjet në fuqi.


Neni 8
Përfituesit nga masat mbështetëse

Përfituesit nga fondi i programit nëpërmjet masave, të cilat ndërmerren në kuadrin e politikës së bujqësisë
dhe të zhvillimit rural janë fermerët, grupet e fermerëve, personat fizik apo juridik të cilët zhvillojnë
aktivitete në sferën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Neni 9
Aplikimet

1. Aplikimet për të përfituar fonde nga masat mbështetëse për politikat bujqësore dhe të zhvillimit rural
mund të paraqiten nga një fermer, grup fermerësh, personat fizik apo juridik siç parashikohet me këtë ligj.

2. Përfituesit duhet t’i përdorin fondet në përputhje me qëllimin për të cilin ato janë dhënë.

Neni 10
Pagesa e mjeteve

Pagesa e mjeteve për zbatimin e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural bëhet nga njësia e pagesave
për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Neni 11
Dokumentet që duhen mbajtur

1. Përfituesit të cilët kanë marrë fonde nga masat mbështetëse duhet të mbajnë për një periudhë katër
(4) vjeçare në vijim, duke filluar nga data e lëvrimit të fondit, dokumentacionin i cili është përdorur për
përfitimin e fondeve.

2. Dokumentacioni që duhet mbajtur nga përfituesit përcaktohet me akt nënligjor nga Ministria.


Neni 12
Njësia e pagesave për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural

1. Njësia e pagesave për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural themelohet në kuadër të
Ministrisë dhe ka kompetencat si në vijim:

1.1. zbatimin e masave të politikës bujqësore dhe të zhvillimit rural;

1.2. hartimin e raporteve dhe të analizave në përputhje me zhvillimin e bujqësisë;

1.3. ngritjen dhe funksionimin e sistemeve të integruara të administrimit dhe të kontrollit;

1.4. ngritjen dhe zbatimin e sistemeve të informimit të tregut;

1.5. krijimin dhe mirëmbajtjen e bazës se të dhënave të nevojshme;

1.6. zbatimin e masave të kontrollit dhe auditimit të brendshëm;

1.7. inspektimin e fermerëve dhe subjekteve qe kanë përfituar nga fondet e programit për
bujqësinë dhe zhvillimin rural.

5
2. Njësia e pagesave për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural zbaton programe të mbështetjes
ndërkombëtare për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

3. Organizimi, funksionimi dhe puna e njësisë, përcaktohet me akt nënligjor nga Ministria.


KREU III
MASAT E POLITIKËS BUJQËSORE


Neni 13
Parimet mbi të cilat bazohen masat e politikës bujqësore

Masat e politikës bujqësore, duhet të harmonizohen dhe të zbatohen në përputhje me parimet e barazisë
dhe të efikasitetit.

Neni 14
Format e mbështetjes së brendshme

Mbështetja e brendshme për produkte bujqësore dhe agro-ushqimore zbatohet përmes masave për
stabilizimin e tregut.


KREU IV
MASAT E POLITIKËS SË ZHVILLIMIT RURAL


Neni 15
Qëllimi i masave
1. Masat e politikës së zhvillimit rural mbështesin:

1.1. përmirësimin e konkurencës së bujqësisë dhe të industrisë agro-ushqimore në zonat rurale;

1.2. menaxhimin e tokës dhe mbrojtjen e mjedisit;

1.3. përmirësimin e cilësisë së jetës dhe kurajimin e shumëllojshmërisë së veprimtarive
ekonomike në këto zona;

1.4. përmirësimin e qeverisjes dhe mobilizimin e potencialeve lokale zhvillimore të zonave rurale,
si dhe krijimin e iniciativave lokale.

2. Masat propozohen me Planin Kombëtar të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe rregullohen nëpërmjet
Planit të Veprimit.

3. Mënyra e zbatimit të këtyre masave dhe kriteret e mbështetjes përcaktohen me akt nënligjor nga
Ministria.

Neni 16
Mbështetja për përmirësimin e konkurrencës në bujqësi dhe në industrinë agro-ushqimore

1. Mbështetja për përmirësimin e konkurrencës në bujqësi dhe në industrinë agro-ushqimore bazohet në
masa investuese dhe mbështetëse përmjet projekteve të cilat përmirësojnë gjendjen lidhur me:

1.1. zhvillimin e trajnimeve profesionale për ngritjen e kapaciteteve njerëzore që të përmbushen
nevojat rurale;

1.2. ristrukturimin e potencialit fizik në sektorin agro-rural;

6
1.3. menaxhimin e resurseve ujore për bujqësinë;

1.4. përmirësimin e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore.


Neni 17
Mbështetja për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe inkurajimin e shumëllojshmërisë të
veprimtarive ekonomike në zonat rurale

1. Mbështetja për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe inkurajimin e shumëllojshmërisë së veprimtaritë
ekonomike në zonat rurale ndihmon në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e kushteve socialo-ekonomike në
zonat më të largëta rurale që ndeshen me fenomenin e migrimit social të popullatës.

2. Kjo mbështetje bazohet në masa të ndryshme investuese dhe të përkrahjes nëpërmjet projekteve të
cilat fuqizojnë investimet në ekonominë e gjerë rurale dhe përmirësojnë gjendjen lidhur me:

2.1. shumëllojshmërinë e fermave dhe veprimtaritë alternative në zonat rurale;

2.2. ripërtrirja dhe zhvillimi i fshatrave, ruajtja dhe përmirësimi i trashëgimisë rurale.


Neni 18
Mbështetja për krijimin e iniciativave lokale

1. Përkrahja stimulon krijimin e iniciativave që përfshijnë fermerët, punonjësit e pyjeve dhe akterë të tjerë
rural të cilët mund të ruajnë dhe të rrisin mëtej trashëgiminë lokale natyrore dhe kulturore, të ngritin
ndërgjegjësimin për ruajtje të mjedisit dhe të promovojnë produktet tipike, turizmin dhe burimet e ripërtrira
të energjisë.

2. Veprimet kryesore të mbështetjes në këto zona përfshijnë:

2.1. krijimin e kapaciteteve lokale të partneritetit, grupeve lokale të veprimit, dhe promovimin e
aftësive të investimeve, të cilat mund të ndihmojnë në mobilizimin e potencialit lokal;

2.2. promovimin e partneritetit publik-privat;

2.3. promovimin e bashkëpunimit, inkurajimit të aftësisë së ndërmarrjeve dhe promovimin e
përfshirjes së shërbimeve lokale që ofrohen;

2.4. përkrahjen në zbatimin e strategjive zhvillimore të komunitetit lokal.



KREU V
STRUKTURA INSTITUCIONALE PËR POLITIKËN E BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL


Neni 19
Komiteti ndërministror për bujqësi dhe zhvillim rural

1. Me këtë ligj, themelohet Komiteti ndërministror për bujqësi dhe zhvillim rural si organ këshillëdhënës i
Qeverisë.

2. Detyrat dhe përgjegjësitë e Komitetit ndërministror përcaktohen më akte nënligjore nga Qeveria.

3. Komiteti ndërministror për bujqësinë dhe zhvillim, rural përveç detyrave të tjera, jep mendime dhe
propozime për vendimet më të rëndësishme të Qeverisë në fushën e bujqësisë dhe të zhvillim rural,
lidhur me:
7

3.1. propozimet për Planin Kombëtar të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;

3.2. mbikëqyrjen dhe zbatimin e Planin Kombëtar të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;

3.3. propozimet për aktet nënligjore në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural;

3.4. marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural;

3.5. vendimet e tjera në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.

KREU VI
BAZA E TË DHËNAVE DHE SISTEMI I INFORMIMIT

Neni 20
Baza e të dhënave

1. Ministria krijon bazën e të dhënave e cila përmban:
1.1 regjistrin e fermave;

1.2. regjistrin e prodhuesve dhe përpunuesve të produkteve bujqësore dhe ushqimore;

1.3. regjistrin e shfrytëzimit të tokës bujqësore;

1.4. regjistrin e blegtorisë;

1.5. regjistrin e tregtarëve të produkteve dhe pasurive bujqësore;

1.6. regjistrin e zonave më pak të zhvilluara.

2. Përveç të dhënave të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, nëse vlerësohet e nevojshme, Ministria
mund të mbajë edhe të dhëna të tjera në sistemin e vet të informacionit.

3. Bazat e të dhënave, mbahen edhe në formë elektronike.

4. Kushtet dhe mënyra e mirëmbajtjes së bazës së të dhënave përcaktohen me akte nënligjore nga
Ministria.

Neni 21
Shfrytëzimi i informatave nga bazat tjera të të dhënave

1. Me themelimin dhe mirëmbajtjen e bazës së të dhënave, Ministria mund të përdor edhe baza të
dhënash të tjera, të cilat mbahen nga: institucionet, agjensitë publike dhe autoritete të tjera të autorizuara.

2. Ministria merr të dhënat nga institucionet e tjera si: hartat, fotot dhe orto-fotot digjitale sipas
procedurave të përcaktuara me ligj.

Neni 22
Financimi i bazës së të dhënave

Baza e të dhënave që krijohet dhe menaxhohet nga Ministria siç është përcaktuar në këtë ligj, financohet
nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Neni 23
Vënia në dispozicion e të dhënave

1. Të dhënat e krijuara nga baza e të dhënave në përputhje me këtë ligj janë publike, përveç të dhënave
të tjera, të cilat konsiderohen si të dhëna personale dhe përbëjnë sekret të biznesit.
8

2. Të dhënat, të cilat konsiderohen si të dhëna personale duhet të vihen në dispozicion të palëve të treta
në përputhje me Ligjin e mbrojtjes së të dhënave personale.


Neni 24
Sistemi i informacionit për çmimin e tregut

1. Sistemi i informacionit për çmimin e tregut përbëhet nga grumbullimi, zbatimi dhe publikimi i të dhënave
për çmimin e produkteve bujqësore dhe ushqimore.

2. Ministria përcakton tregun përfaqësues të produkteve bujqësore dhe ushqimore, personave fizik apo
juridik që do të japin të dhëna, duke përcaktuar tipin, vëllimin dhe kohën e grumbullimit të të dhënave.

3. Sistemi i informacionit për çmimet e tregut krijohet dhe përcaktohet me akt nënligjor nga Ministria.

Neni 25
Kontabiliteti në fermë

1. Për përfituesit nga masat e politikës së bujqësisë dhe të zhvillimit rural, është i detyrueshëm mbajtja e
kontabilitetit. Fermat jo përfituese mund të mbajnë kontabilitet në baza vullnetare.

2. Kriteret për përcaktimin e fermave që do të jenë pjesë e sistemit të mbajtjes së kontabilitetit
përcaktohen me akt nënligjor nga Ministria.

3. Ministria është përgjegjëse për zbatimin teknik dhe organizativ të kontabilitetit në fermë.

4. Mbikëqyrja dhe zbatimi i kontabilitetit në fermë, bëhet nga komisioni i formuar me vendim të Ministrisë.

5. Të dhënat e përfituara nga mbajtja e kontabilitetit në ferma mund të përdoren në përputhje me Ligjin
për mbrojtjen e të dhënave personale.


KREU VII
FORMAT E ORGANIZIMIT TË PRODHUESVE, PËRPUNUESVE DHE TREGTUESVE TË
PRODUKTEVE BUJQËSORE DHE AGRO- USHQIMORE

Neni 26
Prodhuesit, përpunuesit dhe tregtuesit të produkteve bujqësore dhe agro- ushqimore

1. Prodhuesit, përpunuesit dhe tregtuesit e produkteve ushqimore dhe agro-ushqimore mund të
organizohen në forma të ndryshme për të përfituar mbështetje në bujqësi.

2. Format e organizimit të prodhuesve, përpunuesve dhe tregtuesve të produkteve bujqësore dhe agro-
ushqimore përcaktohen me akt nënligjor nga Ministria.


Neni 27
Kriteret për mbështetjen e organizatave dhe shoqatave

Kriteret që duhet të përmbushin organizatat dhe shoqatat e prodhuesve dhe përpunuese të produkteve
bujqësore dhe agro-ushqimore, për të përfituar mbështetje përcaktohen me akt nënligjor nga Ministria.



KREU VIII
SHËRBIMET PUBLIKE NË BUJQËSI DHE ZHVILLIM RURAL

9

Neni 28
Qëllimi i shërbimeve publike

1. Qëllimi i shërbimeve publike në bujqësi dhe zhvillim rural është mbështetja e zbatimit të Planit të
Zhvillimit Kombëtar për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për të ofruar shërbime afatgjata e të përhershme në
fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural, nëse iniciativa private nuk mund të përmbushë nevojat publike.

2. Shërbimet publike në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural janë:

2.1. shërbimet këshillimore në bujqësi dhe zhvillimin rural;

2.2. hulumtimet bujqësore dhe analizat laboratorike;

2.3. shërbimet e ruajtjes së racës dhe varieteve në bujqësi e blegtori;

2.4. analizat e politikave bujqësore;

2.5. shërbimet e infrastrukturës së tregut dhe marketingut.

Neni 29
Detyrimet e një shërbimi publik

1. Shërbimet publike në bujqësi dhe zhvillim rural përfshijnë:

1.1. realizimin e vazhdueshëm dhe pa ndërprerje të aktivitetit të shërbimit të përcaktuar;

1.2. realizimi i këtij shërbimi për çdo fermer, grup fermerësh, person fizik apo juridik të angazhuar
në aktivitetin bujqësor në përputhje me këtë ligj;

1.3. ofrimi i shërbimit në përputhje me programin e miratuar;

2. Çmimet e shërbimeve të ofruara nga shërbimi publik në fushën e bujqësisë përcaktohen në përputhje
me legjislacionin në fuqi.

Neni 30
Programi i shërbimit publik

1. Programi i shërbimit publik në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural hartohet dhe miratohet nga
Ministria në përputhje me Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe duhet të specifikojë:

1.1. llojin dhe vëllimin e shërbimit publik, i cili ofrohet nga ky shërbim;

1.2. mënyrën, procedurën dhe dinamikën e realizimit të shërbimit publik.


Neni 31
Mbikëqyrja e shërbimit publik

1. Mbikëqyrja teknike dhe profesionale për ofrimin e shërbimit publik bëhet nga Ministria, e cila mund të
autorizojë subjektin tjetër për realizimin e mbikëqyrjes teknike.

2. Mbikëqyrja teknike dhe profesionale, në rastin e autorizimit publik, bëhet nga personat të cilët janë të
autorizuar për ushtrimin e kontrollit në fushën specifike të shërbimit publik.

3. Kriteret që zbatohen dhe që kërkohen për kualifikimin profesional të mbikëqyrjes përcaktohen me akt
nënligjor nga Ministria.

10


KREU IX
MBËSHTETJA PËR HULUMTIMIN, ARSIMIMIN DHE TRAJNIMIN

Neni 32
Hulumtimet në bujqësi

Në përputhje me Planin për Zhvillim Kombëtar, Ministria në bashkëpunim me ministritë përkatëse si dhe
në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë dhe strukturat shkencore të tyre, bashkë financon
hulumtimin e projekteve zhvillimore në bujqësi dhe zhvillim rural dhe infrastrukturë përkatëse.


Neni 33
Arsimimi dhe trajnimi për nevojat e bujqësisë dhe të zhvillimit rural

1. Ministria propozon dhe ndërmerr iniciativa të ndryshme të arsimimit dhe trajnimit për nevojat e
bujqësisë, agro-industrisë dhe zonave rurale në bashkëpunim me universitetet dhe institucionet tjera
arsimore të specializuara në lëmin e bujqësisë.

2. Ministria mund të bashkë financojë iniciativa për sigurimin e pajisjeve të zbatimit praktik të arsimimit
dhe të trajnimit për nevojat e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.

3. Përfitues të trajnimeve janë fermerë, punonjës dhe specialistë të bujqësisë dhe të agro-industrisë.


Neni 34
Studimet analitike dhe zhvillimore

1. Ministria kryen studime analitike dhe zhvillimore në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë dhe
strukturat shkencore të tyre, kryesisht në:

1.1. realizimin e analizave ekonomike dhe të tjera të ndikimit në fushën e bujqësisë, zhvillimit
rural dhe agro-industrisë;

1.2. realizimin e analizave dhe të aktiviteteve planifikuese në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural
dhe agro-industrisë;

1.3. përmbushjen e përgjegjësive të rëndësishme për trajnimin dhe mbikëqyrjen e çështjeve
zhvillimore në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe agro-industrisë.


KREU X
INSPEKTIMI


Neni 35
Mbikëqyrja

1. Zbatimin dhe inspektimin e këtij ligji e bën Ministria.

2. Sipas dispozitave të këtij ligji inspektimin do ta bëjnë inspektori bujqësor, inspektori i veterinës dhe
sigurisë së ushqimit në kuadër të përgjegjësive të përcaktuara me ligj.


Neni 36
Rastet e kundërvajtjeve administrative dhe sanksionet administrative

11
1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative:

1.1. mos mbajtja e dokumentacionit te përdorur për përfitimin e fondeve për një periudhë katër (4)
vjeçare.

1.2. për kundërvajtjen administrative të përcaktuar sipas nën-paragrafit 1 të këtij neni, inspektori
vendos gjobë në masën njëqind (100) deri treqind (300) euro.


KREU XI
ANKESA

Neni 37
Procedura e ankesës

1. Kundër vendimit të inspektorit mund të paraqitet ankesë me shkrim të udhëheqësit të inspekcionit
përkatës në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, i cili brenda 30 ditësh duhet të jap përgjigjen me shkrim
parashtruesit të ankesës.

2. Kundër vendimit të Udhëheqësit të inspekcionit përkatës, pala mund të paraqesë ankesë në Gjykatën
kompetente në afat prej tridhjetë (30) ditë.


KREU XII
DISPOZITAT NDËSHKIMORE

Neni 38
Kundërvajtjet


1. Për kundërvajtje me gjobë prej njëmijë (1000) deri pesëmijë (5000) euro dënohet personi që:

1.1. nuk i përdor fondet për qëllimet e destinuara si përfitues në pajtim me nenin 8 të këtij ligji.

1.2. nuk ruan dhe nuk i paraqet personit të autorizuar dokumentacionin në periudhën katër (4)
vjeçare sipas nenit 11 të këtij ligji.

1.3. pengon personin e autorizuar në kryerjen e inspektimit, sipas nenit 35 të këtij ligji.


Neni 39

Të gjitha pagesat që rrjedhin nga zbatimi i dispozitave ndëshkuese të këtij ligji si dhe të hyrat tjera nga
taksat, derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës.


KREU XIII
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE


Neni 40

1. Aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji duhet të nxirren në afat prej dymbëdhjetë (12) muajsh nga dita
e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2. Planet dhe programet e dala në bazë të këtij ligji duhet të miratohen brenda dymbëdhjetë (12) muajsh.


12
Neni 41

1. Me krijimin e kushteve dhe mundësive ligjore, me ketë ligj do të themelohet Agjencia e Pagesave si
organizatë publike buxhetore me status të personit juridik në mbështetje të fermerëve për bujqësinë dhe
zhvillimin rural.

2. Agjencia e Pagesave do të krijohet që të jetë në pajtim me politikat bujqësore në BE për shpërndarjen
dhe mbajtjen e llogarive për përdorimin e fondeve strukturale të BE-së.


Neni 42
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.



Ligji Nr. 03/ L-098
11 qershor 2009


Shpallur me dekretin Nr. DL-015-2009, datë 01.07.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu.