1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI IV / Nr. 47 / 25 JANAR 2009
LIGJI Nr. 03/L-094
PËR PRESIDENTIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
Me qëllim te vendosjes se rregullave ligjore për Presidentin e Kosovës
Miraton
LIGJ PËR PRESIDENTIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Statusi dhe simbolet e Presidentit
1. Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së
Kosovës.
2. Presidenti i Republikës së Kosovës ka simbolet e veta të cilat përdoren krahas
Simboleve të Republikës së Kosovës.
Neni 2
Rezidenca e Presidentit të Republikës
Rezidenca e presidentit të Republikës së Kosovës është në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në
Prishtinë. Presidenti i Republikës pasi ta marrë detyrën vendoset, bashkë me familjen, në rezidencë
shtetërore të Republikës së Kosovës.
Neni 3
Kualifikimi për Zgjedhjen e Presidentit
President i Republikës së Kosovës mund të zgjidhen vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë
mbushur moshën tridhjetepesë (35) vjeçare dhe që kanë pasur banim të përhershëm në Kosovë për së
paku dhjetë (10) vite.
Neni 4
Zgjedhja e Presidentit
1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë, sipas
procedurës së paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë
para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës, që plotëson kriteret e parapara në nenin 3 të këtij
ligji, mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse ai/ajo siguron
nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të
nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.
2
Neni 5
Mandati dhe Betimi
1. Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para
Kuvendit të Kosovës. Teksti i betimit:
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të
Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe
mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të
Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia.”
2. Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Ky mandat nuk ndërlidhet dhe nuk është i
përputhshëm me mandatin e institucioneve të tjera.
3. Pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat.
Neni 6
Kompetencat e Presidentit
Presidenti i Republikës së Kosovës ushtron kompetencat që i janë akorduar me Kushtetutën e
Republikës së Kosovës dhe me ligjet në fuqi.
Neni 7
Papajtueshmëria
1. Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik.
2. Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.
Neni 8
Imuniteti
1. Presidenti i Republikës së Kosovës gëzon imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose
shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit të Republikës
së Kosovës.
2. Presidenti i Republikës së Kosovës, gjatë dhënies së dëshmisë, nuk është i detyruar të zbuloj
asnjë informatë për të cilën ka ardhur në dijeni gjatë ushtrimit të mandatit të tij/saj.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës, gjatë dhënies së dëshmisë, nuk është i detyruar të zbulojë
asnjë informatë që mund ta inkriminojë atë në çfarëdo mënyre, penale apo civile, që ka ndodhur gjatë
veprimeve dhe vendimeve brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit të Republikës së Kosovës.
4. Imuniteti i Presidentit sipas këtij neni vazhdon edhe pasi Presidenti të ketë përfunduar mandatin e
tij/saj.
Neni 9
Mungesa e Përkohshme e Presidentit
1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të
përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ai/ajo mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të
Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhëri i Presidentit
për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e bartjes së
përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e
përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, me ç’rast Kryetarit të Kuvendit i pushon posti
i ushtruesit të detyrës së Presidentit. Presidenti mund të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive edhe para
skadimit të afatit të cilin e ka dhënë për bartjen e përgjegjësive tek Kryetari i Kuvendit, kur ai/ajo
konsideron se arsyet që kanë shkaktuar mungesën e përkohshme kanë pushuar së ekzistuari.
3
2. Në rast se kalimi i përgjegjësive nuk ka ndodhur në mënyrë vullnetare sipas paragrafit 1
të këtij Neni, mirëpo për shkak të sëmundjes së rëndë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit
me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve vendos nëse Presidenti i
Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i
Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa
ai/ajo të bëhet i aftë që të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit.
3. Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për
një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.
Neni 10
Shkarkimi i Presidentit
1. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse:
1.1. ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë,
1.2. gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ai/ajo ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës;
1.3. ai/ajo nuk është e/i aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes
së rëndë.
2. Presidenti i Republikës së Kosovës shkarkohet sipas procedurës së paraparë në
Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Neni 11
Paga e Presidentit të Republikës
1. Paga e Presidentit të Republikës së Kosovës është paga më e lartë në kuadër të institucioneve
shtetërore të Republikës së Kosovës.
2. Paga e Presidentit të Republikës gjithmonë duhet të jetë së paku njëzet e pesë përqind (25%) më e
lartë se të ardhurat e përgjithshme të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe udhëheqësve të
tjerë institucional.
Neni 12
Statusi Diplomatik i Presidentit të Republikës
Presidenti i Republikës së Kosovës pajiset me pasaportë diplomatike të Republikës së Kosovës. Të
drejtë të pajisen me pasaportë diplomatike kanë edhe bashkëshorti/ja e Presidentit dhe fëmijët e tyre.
Neni 13
Zonja e Parë
1. Zonja e Parë e Republikës së Kosovës është bashkëshortja e Presidentit të Republikës.
2. Funksionet ceremoniale dhe protokollare të Zonjës së Parë përcaktohen me Ligjin mbi Protokollin
Shtetëror.
Neni 14
Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës
1. Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është institucion i veçantë në kuadër të Shërbimit Civil
të Kosovës.
2. Stafi Civil i Zyrës së Presidentit do të zgjidhet në përputhje me ligjet e aplikueshme për Shërbimin
Civil.
3. Përgjegjësia e administrimit të stafit civil është e Sekretarit në Zyrën e Presidentit, sipas dispozitave
të këtij ligji dhe ligjeve tjera të aplikueshme në Kosovë.
4
4. Presidenti i Republikës së Kosovës emëron stafin e tij/saj mbështetës dhe anëtarët e Kabinetit të
Presidentit.
5. Presidenti i Republikës së Kosovës e emëron dhe e shkarkon Sekretarin e Zyrës së Presidentit të
Republikës sipas procedurës së paraparë në nenin 16 të këtij ligji.
6. Presidenti i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Sekretarin e Zyrës i emëron dhe i
shkarkon Drejtorët e Departamenteve Profesionale në Zyrën e Presidentit të Republikës.
7. Organizimi i brendshëm i Zyrës së Presidentit përcaktohet me akte të brendshme të Zyrës, të
propozuara nga Sekretari i Zyrës dhe të aprovuara nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
Neni 15
Sekretari i Zyrës së Presidentit të Kosovës
1. Sekretari është zyrtari kryesor administrativ dhe udhëheqës i stafit civil në Zyrën e Presidentit të
Republikës së Kosovës.
2. Sekretari duhet të ketë kualifikim të duhur, kompetencë, përvojë dhe ndershmëri të lartë
profesionale për të menaxhuar me resurset e Zyrës së Presidentit të Kosovës.
Neni 16
Procedura e emërimit të Sekretarit të Zyrës së Presidentit
1. Për zgjedhjen e Sekretarit të Zyrës së Presidentit shpallet konkurs sipas Ligjit mbi Shërbimin Civil
të Kosovës.
2. Presidenti i Republikës cakton një komision përzgjedhës i cili i propozon Presidentit kandidatët e
mundshëm për pozitën e Sekretarit.
3. Presidenti emëron Sekretarin nga lista e propozuar nga Komisioni përzgjedhës.
Neni 17
Përgjegjësitë e Sekretarit
1. Sekretari drejtpërdrejt i përgjigjet Presidentit të Republikës së Kosovës dhe detyrat e tij/saj i kryen
në bashkëpunim të ngushtë me Presidentin.
2. Sekretari është përgjegjës për këto çështje:
2.1. për administrimin dhe menaxhimin e gjithmbarshëm të Zyrës dhe për sigurimin e zbatimit
të funksioneve të besuara të Zyrës;
2.2. për sigurimin e informatave të sakta dhe për këshilla të paanshme e profesionale për
Presidentin;
2.3. për gjetjen e stafit dhe organizimin e Zyrës dhe nxjerrjen e akteve nënligjore për çfarëdo
çështje lidhur me funksionin e saj;
2.4. për menaxhimin efektiv dhe efikas të resurseve që i sigurohen Zyrës;
2.5. për zbatimin e politikës jo diskriminuese ndaj personelit të Zyrës, duke përfshirë
përfaqësimin e barabartë gjinor në të gjitha fushat dhe nivelet, dhe sigurimin që struktura e
personelit të pasqyrojë karakterin shumë etnik të Kosovës dhe
2.6. për sigurimin që punësimi i personelit të Zyrës të bazohet në kualifikime profesionale,
kompetenca dhe merita dhe kjo të bëhet përmes konkurrimit të drejtë dhe të hapur.
2.7. për nxjerrjen e akteve të brendshme nënligjore në mbështetje të kryerjes së funksioneve
të Presidentit të Republikës të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.
KREU II
5
TË DREJTAT E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS PAS PËRFUNDIMIT TË MANDATIT
Neni 18
1. Presidenti i Republikës së Kosovës fiton të drejtat e përcaktuara me këtë ligj pas përfundimit të
mandatit për të cilin është zgjedhur.
2. Të drejtat e përcaktuara me këtë ligj nuk i njihen Presidentit të Republikës së Kosovës, mandati i të
cilit ka përfunduar për shkaqet e parapara në nën-paragrafët 1.1. dhe 1.2. paragrafi 1. i nenit 10 të këtij
ligji.
3. Pas përfundimit të mandatit për të cilin është zgjedhur, thirrja “President” vazhdon të vlejë për
Presidentin e Republikës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni.
Neni 19
1. Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit në pajtim me paragrafin 1. të nenit
18 të këtij ligji ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është shtatëdhjetë përqind (70%) e pagës të cilën e
merr Presidenti i Republikës së Kosovës.
2. Presidenti i Republikës së Kosovës dhe familja e tij/saj pas përfundimit të mandatit në pajtim me
paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime
mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit në pajtim me paragrafin 1. të nenit
18 të këtij ligji ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit
në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit,
shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore.
Neni 20
1. Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1. të
nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë për periudhën pesë vjeçare pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në
hapësirë zyreje, në pajisje për zyre, dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë
se tre (3) persona. Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë
periudha pesë vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit.
2. Personeli profesional nga paragrafi 1 i këtij neni, të drejtat e marrëdhënies së punës i realizojnë në
Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, kurse emërohen nga Presidenti të cilit i ka përfunduar
mandati.
Neni 21
Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18
të këtij ligji ka të drejtë në përcjellje zyrtare për tri vjet pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në pajtim me
aktet e veçanta që i sjell Ministri i Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Zyrën e Presidentit te
Republikës së Kosovës.
Neni 22
1. Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1. të
nenit 18 të këtij ligji, merr pjesë në solemnitetet dhe manifestimet shtetërore sipas radhës protokollare që
bëhet në pajtim me rregullat mbi shërbimin e protokollit shtetëror të Kosovës.
2. Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me
paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji, dhe bashkëshorti/ja i/e saj/tij, vazhdojnë ta përdorin pasaportën
diplomatike të Republikës së Kosovës gjatë tërë jetës. Fëmijët e tij e kanë këtë të drejtë deri në moshën
tetëmbëdhjetë (18) vjeçare.
6
Neni 23
Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i përfundon mandati mund t’i pushojnë me kërkesën e tij/saj të
drejtat e caktuara me këtë ligj.
Neni 24
Me rastin e vdekjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandate, ai/ajo varroset
me shpenzimet shtetërore dhe me nderime shtetërore, përderisa nuk ka shprehur dëshirë tjetër.
Neni 25
1. Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati, në pajtim me paragrafin 1. të
nenit 18 të këtij ligji, ka të drejtë në shpenzimet materiale për aktivitetet e tij/saj, në rastet kur këto
aktivitete ushtrohen në cilësinë e ish Presidentit.
2. Mjetet nga paragrafi 1 i këtij neni sigurohen nga Buxheti i përcaktuar për Zyrën e Presidentit të
Republikës së Kosovës.
TË DREJTAT E FAMILJES SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS PAS PËRFUNDIMIT
TË MANDATIT TË PRESIDENTIT
Neni 26
1. Me familje të Presidentit të Republikës së Kosovës, me këtë ligj, nënkuptohet
bashkëshortja/bashkëshorti i/e Presidentit dhe fëmijët e tyre.
2. Familja e Presidentit të Republikës së Kosovës fiton të drejta të përcaktuara me këtë ligj në rast të
vdekjes së Presidentit.
3. Në rast të vdekjes së Presidentit të Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit, të drejtat
nga neni 19 i këtij ligji i takojnë bashkëshortes/it gjatë tërë jetës dhe fëmijëve të tij/saj deri në përfundimin
e shkollimit të rregullt, përkatësisht deri në moshën njëzet e gjashtë (26) vjeçare.
4. Familja e Presidentit të Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me
paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji, ka të drejtë në përcjellje zyrtare për tri vjet pas përfundimit të
mandatit të tij/saj, në pajtim me aktet e veçanta që i sjell Ministri i Punëve të Brendshme në bashkëpunim
me Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës.
TË DREJTAT E FAMILJES SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË RAST TË
VDEKJES SË PRESIDENTIT GJATË USHTRIMIT TË MANDATIT
Neni 27
1. Në rast të vdekjes së Presidentit të Republikës së Kosovës gjatë ushtrimit të mandatit, familja e
Presidentit gëzon të drejtat ashtu siç janë përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji.
2. Nëse Presidenti në momentin e vdekjes ka pasur fëmijë të mitur, të drejtën e paragrafit 1 të këtij
neni fëmijët e tij/saj të mitur e përdorin deri në përfundim të shkollimit të tyre të rregullt, përkatësisht deri
në moshën njëzet e gjashtë (26) vjeçare.
3. Në rast të vdekjes së Presidentit të Republikës së Kosovës gjatë ushtrimit të mandatit të tij/saj,
fëmijët e tij/saj kanë të drejtë në bursë nga Qeveria e Kosovës për shkollim në vend deri në moshën
njëzet e gjashtë (26) vjeçare.
7
4. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës e humb jetën në rrethana jo të natyrshme, gjatë
ushtrimit të mandatit, familja e Presidentit ka të drejtë në pagesën e kompensimit me të holla në bazë të
dëmit jo material lartësia e së cilit përcaktohet nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
5. Në rast të vdekjes së Presidentit të Republikës së Kosovës gjatë ushtrimit të mandatit, familja e
Presidentit mund të përdorë edhe disa të drejta të tjera për të cilat merr vendim Qeveria e Republikës së
Kosovës.
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 28
Të drejtat e përcaktuara me këtë ligj ju takojnë edhe familjes së Presidentit të Republikës së Kosovës të
cilit i ka përfunduar mandati si President para ditës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 29
Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji pushojnë së vepruari të gjitha vendimet, udhëzimet, dhe urdhëresat e
nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe/apo UNMIK-u që kanë të bëjnë me funksionet dhe të drejtat e
Presidentit të Republikës së Kosovës gjatë dhe pas përfundimit të mandatit.
Neni 30
Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 03/ L-094
19 dhjetor 2008
Shpallur me dekretin Nr. DL-082-2008, datë 07.01.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu.