LIGJI Nr.03/L-019 PËR AFTËSIMIN, RIAFTËSIMIN PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI IV / Nr. 47 / 25 JANAR 2009

LIGJI Nr. 03/L-019


PËR AFTËSIMIN, RIAFTËSIMIN PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN E PERSONAVE ME AFTËSI TË
KUFIZUARA


Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

Duke pohuar se unversialiteti, pandashmëria, ndërvarësia dhe ndërlidhja e të gjitha të drejtave dhe lirive
themelore të njeriut dhe nevojës së personave me aftësi të kufizuar për t'i garantuar ato pa diskriminim;

Me qëllim të avancimit të pozitës socio-materiale dhe integrimit në jetën e përditshme të Personave me
aftësi të kufizuara;

Me qëllim të zbatimit të drejtë të parimeve themelore dhe të drejtave universale nga marrëdhënia e
punës,

Miraton


LIGJ PËR AFTËSIMIN, RIAFTËSIMIN PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN E PERSONAVE ME
AFTËSI TË KUFIZUARA

KREU I

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Fushëveprimi

Me këtë ligj rregullohen dhe përcaktohen të drejtat, kushtet, mënyrat e aftësim, riaftësim profesional dhe
punësimi i personave me aftësi të kufizuara, për integrimin e tyre në tregun e hapur të punës sipas
kushteve te përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në legjislacionin e aplikueshëm.

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është përkrahja ligjore dhe institucionale për aftësimin, riaftësimin, nxitjen dhe
përgatitjen profesionale për punësim të përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuar duke u
mbështetur në principet dhe tretmanin e mundësive të barabarta përfshirë edhe mundësitë gjinore.

Neni 3
Përkufizimet

Shprehjet dhe shkurtesat e përdorura, të cilat ndërlidhen me objektin e shqyrtimit dhe rregullimit në këtë
ligj kanë këtë kuptim dhe domethënie:

“Aftësia e kufizuar” është kufizimi i qasjes dhe aktiviteteve të zakonshme në jetën e përditshme të një
personi, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore ose mendore, që e pengojnë atë për pjesëmarrje në
aktivitet e zakonshme ditore.

“Personat me aftësi të kufizuar” janë ata persona që kanë dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo
shqisore afta-gjata të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre
të plotë dhe efektive në shoqëri në baza të barabartë me të tjerët.
2

“Kategoritë e personave me aftësi të kufizuara, si pasojë e dëmtimit” janë: Invalidi i luftës, invalidi
civil i luftës, invalidi i punës, personi i lindur me të meta fizike, shqisore apo mendore dhe personi i cili si
shkas i fatkeqësisë apo sëmundjes ka të meta fizike, mendore apo shqisore.

“Aftësimi, riaftësimi” është ndërmarrja e masave dhe aktiviteteve në mënyrë të organizuar nga
institucionet përgjegjëse, dhe institucionet e tjera për riedukimin e personi me aftësi të kufizuara, me
qëllim të mundësimit për gjetjen e një punë të përshtatshme dhe aftësimit për aktivitete te përditshëm të
personit me aftësi të kufizuara.

“Aftësimi profesional” është proces themelor për ndërtimin, përmirësimin e kapaciteteve për të siguruar
dhe mbajtur punën kualitative, për t’u avancuar nga një vend pune në një vend tjetër, dhe për ballafaqim
me ndryshimet në teknologji dhe kushtet e tregut të punës. Aftësimi profesional, realizohet nëpërmjet
kurseve të ndryshme që organizohen nga Qendrat e aftësimit profesional kryesisht për të papunët te
përcaktuar me këtë ligj.

“Komisioni për ekspertizë” është ekipi i përbërë prej ekspertëve mjekësor dhe lëmive të tjera i
themeluar nga autoriteti përkatës, më qëllim të konstatimit dhe vlerësimit të shkallës se aftësisë së
kufizuar të një personi.

“Përshtatshmëria e mjedisit” nënkupton masat e ndërmarra me qëllim të sigurimit të një mjedisi të lirë,
pa barriera të natyrave të ndryshme.

“Mjetet ndihmëse” janë ato mjete të cilat i përdorin personat me aftësi të kufizuara, me qëllim të
tejkalimit të pengesave të cilat e kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet e zakonshme.

“Punë e përshtatshme” nënkuptohet puna të cilën e kryen personi me aftësi të kufizuar në përputhje me
mundësitë e tij fizike, shqisore dhe mendore si dhe me kualifikimin përkatës të fituar gjatë shkollimit
special apo aftësimit, riaftësimit profesional.

“Shkolla speciale” është shkollë e veçantë e cila punon dhe vepron në kuadër të sistemit arsimor e
projektuar për persona me aftësi të kufizuara.

“Trajneri“ është person profesionist i çertifikuar i punës, i përgatitur dhe i ngarkuar për ofrimin e ndihmës
në aftësimi dhe riaftësim profesional për personin me aftësi të kufizuar, në pajtim me kërkesat e vendeve
të punës në tregun e hapur të punës.

“Edukimi special” nënkupton, procesin arsimor të aprovuar nga organet kompetente arsimore për
plotësimin e nevojave të personave me aftësi të kufizuara.

“Aftësimi dhe riaftësimi profesional“ nënkupton të gjitha aktivitetet që synojnë të sigurojnë njohuri,
aftësim dhe përvojë të re për aftësim të nevojshëm, për punë efikase brenda profesionit që e ka kryer
edhe më parë, para aftësisë së kufizuar, ose riaftësimit për një profesion të ri që mund ta bëj me sukses.

“Qendra për aftësim, riaftësim profesional dhe punësim” është Institucion me cilësi të personit juridik
e cila merret me koordinimin, menaxhimin dhe administrimin e aftësimit, riaftësimit profesional dhe
nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara.

“Asistenti“ është personi i domosdoshëm pa të cilin personi me aftësi të kufizuar nuk mund të aftësohet
apo të riaftësohet për punë ose të krijojë marrëdhënie pune.

“Punëtoria mbrojtëse” është ndërmarrje që themelohet me qëllim të ofrimit të punës dhe të punësimit të
përshtatshëm, në vendin dhe hapësirën me pajisje përkatëse për personat me aftësi të kufizuara.

“Qendra punuese” është vend punishte e specializuar që punëson persona me aftësi të kufizuara, të
cilët nuk mund të punësohen apo ta mbajnë punën, sipas kushteve të përgjithshme, dhe të veçanta në
punëtorinë mbrojtëse.

“QAP-të” janë Qendrat e aftësimit profesional.
3

“QRPK” janë Qendrat për aftësimin, riaftësimin dhe punësim në Kosovë.

“MPMS” është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“QRP” janë Qendrat rajonale të punësimit.

“ZKP” janë Zyrat Komunale të Punësimit.


KREU ii

STATUSI I PersonaVE me Aftësi të KUFIZUARa për Punë

Neni 4

1. Varësisht nga statusi dhe realizimi i të drejtave, person me aftësi të kufizuara për punë është:

1.1. personi me aftësi të kufizuar, shfrytëzues i mjeteve financiare, i cili realizon të drejta dhe
përfitime sipas dispozitave ligjore për ndihmë sociale dhe pensioneve të personave me aftësi të
kufizuar;
1.2. personi me aftësi të kufizuara pa përgatitje profesionale për punë, i cili realizon të drejta
dhe përfitime sipas dispozitave për sigurim pensional dhe invalidor;
1.3. personi me aftësi të kufizuara, i cili realizon të drejta dhe përfitime sipas dispozitave
ligjore mbi mbrojtjen e invalidëve të luftës dhe atyre civil;
1.4. nxënësi prej moshës pesëmbëdhjetë (15) deri tetëmbëdhjetë (18) vjeç, me aftësi te
kufizuar mendore, fizike, psikike ose te kombinuara sipas dispozitave ligjore te aplikueshme për
shkollimin e mesëm, duke i siguruar atij që ka nevojë edhe gjuhën e shenjave për personin e
shurdhët dhe Alfabetin e Brajit për të verbër;
1.5. i riu prej moshës pesëmbëdhjetë (15) deri tetëmbëdhjetë (18) vjeç, me pengesa në
zhvillim, i cili realizon të drejta dhe përfitime sipas dispozitave ligjore të ndihmës sociale dhe
dispozitave tjera; dhe
1.6. personi me aftësi të kufizuara më i vjetër se tetëmbëdhjetë (18) vjeç, i cili të drejtën në
aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësim, nuk ka mund ta realizoi sipas dispozitave ligjore
nga pika 1 deri në pikën 3 të këtij neni.

Neni 5
Diskriminimi

1. Diskriminimi përfshin çdo dallim, përjashtim ose dhënie të përparësisë në bazë të racës, ngjyrës,
gjinisë, fesë, moshës, gjendjes familjare, mendimit politik, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjuhës ose
anëtarësisë sindikale, i cili konsiston ne mosdhënien e mundësive të barabarta ose trajtimit jo te
barabartë në punësim apo në profesion.

2. Çdo dallim, përjashtim ose dhënie të përparësisë, përkitazi me ndonjë vend të caktuar pune në
bazë të aftësive të caktuara që kërkohen për atë vend pune, nuk konsiderohet si diskriminim.

3. Ndalohet çdo lloj diskriminimi në bazë të aftësisë së kufizuar dhe personave me aftësi të kufizuar
ju garantohet mbrojtje ligjore e barabartë dhe efektive ndaj çdo lloj diskriminimi në të gjitha situatat.


KREU iii

Procedurat për VLERËSIMIN E AFTËSISË për Punë për Personat me aftësi të kufizuara

Neni 6

4
1. Zvogëlimin e aftësive për punë për personat me aftësi të kufizuara sipas paragrafëve 1., 2., 3.,
dhe 6 të nenit 4 të këtij ligji në shkallën e parë, e përcakton komisioni profesional në zyrën rajonale
kompetente të DAPK-së.

2. Zvogëlimin e aftësive për punë për personat me aftësi të kufizuara sipas paragrafëve 1., 2., 3.,
dhe 6 të nenit 4 të këtij ligji e përcakton komisioni profesional i ekspertizës, i cili punon dhe vepron në
kuadër të Departamentit kompetent të MPMS.

3. Iniciativa për fillimin e procedurës për njohjen e të drejtës nga paragrafi 1 i këtij neni, paraqitet me
kërkesën e personit me aftësi të kufizuar. Në pamundësi të iniciativës për fillimin e procedurës nga ana e
personit me aftësi të kufizuar, iniciativën për procedurë e bën familja e tij e ngushtë, përfaqësuesi ligjor,
mbrojtësi i tij ose personi i tretë.

4. Kërkesa për procedurë për vlerësimin e zvogëlimit të aftësisë se kufizuar për punë mund të
ngritët në bazë të kërkesës së vetë personit me aftësi të kufizuar, anëtarit të familjes së ngushtë,
përfaqësuesit të tij ligjor ose kujdestarit të tij.

5. Kërkesës i bashkëngjiten edhe dokumentet e nevojshme mbi përcaktimin e aftësisë së zvogëluar
për punë.

6. Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me vendimin e komisionit profesional të shkallës së parë, ka
të drejt ankesë pranë organit të shkallës së dytë ne MPMS.

Neni 7

1. Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, me akt
nënligjor të veçantë e përcakton shkallën e aftësisë për punë te personave me aftësi të kufizuara.

2. Procedurat e aplikimit për caktimin e aftësisë së kufizuar dhe njohjen e të drejtave në aftësim,
riaftësim dhe punësim, rregullohen me akt nënligjor të nxjerr nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies
Sociale.

3. Në procedurën e vendosjes për përcaktimin e aftësisë së zvogëluar të punës për personat me
aftësi të kufizuara si dhe njohjen e të drejtës për punë sipas këtij ligji, aplikohen dispozitat e ligjit mbi
procedurën e përgjithshme administrative.


KREU IV

AFTËSIMI, RIAFTËSIMI PROFESIONAL DHE AFTËSIMI I PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA

Neni 8

1. Personi me aftësi të kufizuara ka të drejtë në aftësim, riaftësim profesional sipas kushteve të
përgjithshme të përcaktuar me këtë ligj. Në rastet e caktuara, kur është e nevojshme për shkak të
shkallës, llojit dhe rëndësisë, aftësimi, riaftësimi mund të behët në shkollat e veçanta dhe institucione
tjera sipas plan-programeve për aftësimin, riaftësimin profesional.

2. Aftësimi, riaftësimi profesional i personave me aftësi të kufizuar përfshin këto masa dhe aktivitete:

2.1. përcaktimin e aftësisë mendore për punë;
2.2. informimin, këshillimin profesional dhe vlerësimin e mundësisë profesionale;
2.3. analizimin e tregut për punë, mundësitë për punësim dhe inkuadrimin në punë;
2.4. vlerësimin i mundësisë për aftësimin, riaftësimin dhe hartimin e programeve për aftësim,
riaftësim;
2.5. aftësimin profesional, kualifikimin plotësues, rikualifikimin me programet e përsosjes dhe
mirëmbajtjes së shkathtësive të punës dhe atyre sociale në periudhën derisa të punësohet;
2.6. informimin dhe këshillimin me procese teknologjike gjatë aftësimit profesional për
punësim;
5
2.7. programet vetanake dhe të përbashkëta për avancimin e punës sociale dhe integrimi në
shoqëri;
2.8. mësimin profesional, planifikimin dhe aplikimin e teknologjisë së zgjedhur;
2.9. propozimet këshillëdhënëse mbi aplikimin e teknikave dhe teknologjive të ndryshme në
mësim dhe në punë, krahas vlerësimit të mundësive për zbatimin e tyre;
2.10. ndihmën Teknike, përkrahjen përcjelljen dhe vlerësimin e rezultateve;si dhe
2.11. njoftimin, dhe përkrahjen për burimet financiare.

3. Kohëzgjatja e aftësimit, riaftësimit profesional varet nga aftësitë e mbetura për punë,
ndërlikueshmëria e organizimit dhe e zbatimit të masave dhe aktiviteteve.

4. Aftësimin, riaftësimin profesional të personave me aftësi të kufizuara e organizon dhe e
menaxhon Qendra për aftësimin, riaftësimin profesional e Kosovës.

5. Aktivitetet e aftësimit, riaftësimit profesional realizohen në institucionet arsimore, zyrat e
punësimit, Qendrat e aftësimit profesional, dhe personat tjerë juridik, të cilët i plotësojnë kushtet për arsim
dhe aftësim profesional, të përcaktuara me këtë ligj dhe ligjet e tjera të aplikueshme.

Neni 9
Angazhimet personale për aftësimin, riaftësimin profesional

1. Personi me aftësi të kufizuara, në mënyre të mëvetësishme mund të kontribuoj në aftësimin,
riaftësimin e tij profesional dhe në punësim ne këto raste:

1.1. me përkujdesje për shkollimin dhe aftësimin profesional të tij/saj varësisht nga mundësitë
e ofruara, aftësitë dhe shkathtësitë e tij/saj;
1.2. me aplikim në konkursin publik për punësim për vendet e lira dhe te përshtatshme te
punës, për të cilat i plotëson kushtet e parapara;
1.3. me pranimin e punës së ofruar dhe gatishmërinë për kryerjen e punës së tillë;
1.4. me respektimin e disiplinës teknologjike gjatë aftësimit dhe punës profesionale;
1.5. me bashkëpunimin në çështjet e aftësimit dhe punës profesionale me mjekun,
defektologun, psikologun, me punëtorin social, juristin, teknologun dhe drejtpërdrejt me punëtorin
e varur;
1.6. me miratimin e ofertës së arsyeshme të ofruar nga punëdhënësi për ndërrimin e punës,
respektivisht caktimit në punët e tjera adekuate për shkak të ndërprerjes së nevojave ose
pamundësisë së kryerjes së punëve të deri atëhershme; dhe
1.7. me aftësimin profesional gjatë punës, sipas nevojës edhe me kualifikim plotësues ose me
rikualifikim me qëllim të mbajtjes së vendit të punës;

Neni 10
Politikat qeveritare për aftësimin profesional

1. Politikat qeveritare përkitazi me aftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të
kufizuara do të përfshijnë:

1.1. aftësimin, riaftësimin profesional dhe format tjera të mbështetjes për punësimin e
personave me aftësi të kufizuara;
1.2. parimet, mënyra e veprimit dhe metodat e përgaditjes profesionale të zbatuara
përgjithësisht në kualifikimet e personave të tjerë, zbatohen në rastet e personit me aftësi të
kufizuar, deri në atë mase sa lejojnë aftësitë e tij;
1.3. masat e mundshme dhe të nevojshme për të krijuar dhe zhvilluar shërbimet e
specializuara të aftësimit profesional për personat me aftësi të kufizuara, që kërkojnë ndihmë për
gjetjen e punës dhe avancim në vendin e punës;
1.4. plan programet mësimore sipas sistemit modular që mundësojnë aftësim individual për
personat me aftësi të kufizuara;
1.5. aftësimin e përbashkët të personave me aftësi të kufizuara me të tjerët, në hapësirë të
njëjtë dhe trajner të njëjtë me qëllim të integrimit të tyre në shoqëri;
1.6. angazhimin e institucioneve që ofrojnë aftësim profesional, për të krijuar mjedis fizik të
përshtatshëm për qasje pa vështirësi për personat me aftësi të kufizuara;
6
1.7. aftësimin e personelit administrativ dhe teknik të institucioneve për aftësim, riaftësim dhe
punësim, të cilët drejtpërsëdrejti punojnë me personat me aftësi të kufizuara.


KREU V

KUSHTET E PUNËSIMIT

Neni 11
Kushtet e përgjithshme dhe veçanta të punësimit

1. Personi me aftësi të kufizuara ka të drejtë në punësim, integrim në tregun e punës në kushtet
përgjithshme dhe te veçanta të përcaktuara me këtë ligj.

2. Me kushte të veçanta personat me aftësi të kufizuara punësohen në Qendrën për aftësimin,
riaftësimin profesional, punëtorinë mbrojtëse dhe në qendër punuese, të cilët në bazë të aftësive të punës
dhe sipas kushteve të përgjithshme nuk mund të punësohen në tregun e hapur të punës ose ta mbajnë
punën e vet.

3. Punësimi në kushte të veçanta konsiderohet edhe vetëpunësimi, si dhe punësimi në ekonominë
familjare i personave me aftësi të kufizuara.

4. Me kushtet e përgjithshme të punësimit, nënkuptohet punësimi i personave me aftësi të kufizuara
në tregun e hapur të punës.

Neni 12
Punësimi në tregun e hapur të punës

1. Organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik si dhe organizatat
joqeveritare obligohen që, me kushtet e përshtatshme të punës ti punësojnë personat me aftësi të
kufizuara.

2. Çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë
(50) punëtor.

3. Punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni, obligohet qe për
nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguaj në buxhetin e Kosovës kontribute
mujore në lartësi prej një përqind (1%) të shumës së pagës minimale.

4. Varësisht nga shkalla dhe kategoria e aftësisë së kufizuar, Ministria e Punës dhe Mirëqenies
Sociale me akt të veçantë nënligjor, do të rregulloj dhe përcaktoj vendet e punës dhe punët e
përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar.

Neni 13
Themelimi i marrëdhënies së punës

1. Personi me aftësi të kufizuara themelon marrëdhënie të punës me nënshkrimin e kontratës së
punës, në përputhje me Ligjin e punës, kontratën kolektive dhe aktin e brendshëm të punëdhënësit.

2. Personi me aftësi të kufizuara i ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet sipas Ligjit të punës, kontratës
kolektive, këtij ligji dhe kontratës së punës.

3. Personi me aftësi të kufizuara mund të punojë natën, jashtë orarit të punës ose me orar të
ndryshuar, në harmoni me vlerësimin e komisionit profesional, i cili ia ka përcaktuar aftësinë e zvogëluar
te punës.

4. Bartësi i sigurimit të punësimit të personave me aftësi të kufizuara, merren vesh me punëtorin
rreth kushteve të punës dhe marrëdhënien e punës, kohën e punës, kohëzgjatjen e punës, mbikëqyrjen
7
profesionale, mbulimin e shpenzimeve të përshtatjes dhe lartësinë e atyre shpenzimeve si dhe
marrëdhëniet tjera nga puna.

5. Bartësi i sigurimit të punësimit nga paragrafët 1, 2 dhe 3 të nenit 18 të këtij ligji ose personi tjetër
fizik ose juridik, mund të merret vesh me personin me aftësi të kufizuara, lidhur me përshtatjen e
kushteve dhe marrëdhënieve të punës, kohën punës, kohëzgjatjen, mbikëqyrjen profesionale, mbulimin e
shpenzimeve të përshtatjes së punës dhe lartësinë e atyre shpenzimeve, si dhe marrëdhëniet tjera nga
puna.

Neni 14
Qendra për aftësim, riaftësim profesional dhe punësim në Kosovë

1. Qendra për aftësim, riaftësim profesional dhe punësim në Kosovës është në kompetencë të
Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

2. Qendra për aftësim, riaftësim profesional dhe punësim e Kosovës është institucion i themeluar
me qëllim të aftësimit, riaftësimit profesional dhe nxitjes se punësimit të personave më aftësi të kufizuara.

3. Mjetet financiare për punën e Qendrës sigurohen nga themeluesi, nga aktivitetet shërbyese të
Qendrës dhe donacionet vendore apo të jashtme.

4. Krijimi i punëtorive mbrojtëse dhe qendrave punuese rregullohet me akt të veçantë nënligjor të
nxjerrë nga MPMS.

Neni 15

1. Qendra për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara
angazhohet:

1.1. për aftësimin, riaftësimin profesional, sipas kërkesës së tregut të punës për të gjithë
personat me aftësi të kufizuara;
1.2. për nxitjen e punësimit të përshtatshëm të personave me aftësi të kufizuara, në përputhje
me aftësitë e mbetura për punë;
1.3. për zhvillimin e programeve, praktikave dhe strategjive për aftësimin, riaftësimin
profesional dhe nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara;
1.4. për zbatimin e drejtë dhe efikas të plan-programeve edukative të aftësimit, riaftësimit
profesional, të përcaktuara nga MASHT-i;
1.5. për krijimin e projekteve mbështetëse përkitazi me aftësimin, riaftësimin profesional dhe
punësimin e personave me aftësi të kufizuara;
1.6. për hulumtimin e mundësive të subvencionimit nga donacionet e ndryshme, me qëllim të
përkrahjes së vetëpunësimit të personave me aftësi të kufizuara;
1.7. për zhvillimin e teknologjisë përkatëse, lidhur me aftësimin, edukimin dhe trajnimin e
personave me aftësi të kufizuara;
1.8. për krijimin e punëtorisë mbrojtëse, qendrës punuese dhe ndërmarrjeve tjera, të cilat
mundësojnë aftësimin, riaftësimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara; si dhe
1.9. koordinimin, menaxhimin dhe administrimin e shumë çështjeve tjera të cilat ndërlidhen
me aftësimin, riaftësimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara;

Neni 16
Evidentimi për punësimin e personave me aftësi të kufizuara

1. Evidentimin për punësimin e personave me aftësi të kufizuara sipas legjislacionit te aplikueshëm
dhe dispozitave të këtij ligji e bëjnë dhe e udhëheqin zyrat e punësimit, sipas vendbanimit të këtyre
personave.

2. Mënyrën dhe rregullat për mbajtjen e evidencës e përcakton Ministria e Punës dhe Mirëqenies
Sociale me akt nënligjor.

8
3. Punëdhënësi është i obliguar që t’u dërgojë zyrave të punësimit të dhënat vijuese për personat
me aftësi të kufizuara që janë të punësuar tek ai/ajo:

3.1. emrin, mbiemrin dhe adresën e vendbanimit;
3.2. datën e themelimit të marrëdhënies së punës;
3.3. datën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

4. Afati i dorëzimit të këtyre shënimeve nga punëdhënësi sipas paragrafit 3 të këtij neni, për të
punësuarit që gjenden në marrëdhënie pune, është gjashtëdhjetë (60) ditë nga dita e hyrjes në fuqi të
këtij ligji ndërsa, për të punësuarit e ri si dhe për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për personat me
aftësi të kufizuara, afati është tridhjetë (30) ditë nga dita e fillimit të punës, gjegjësisht dita e ndërprerjes
së marrëdhënies së punës.

Neni 17
Obligimet e punëdhënësit të ri ( të sapo themeluar)

1. Punëdhënësit e rinj, që nga momenti i marrjes së lejes për ushtrimin e veprimtarisë, në afat prej
njëzetekatër (24) muajsh janë të liruar nga obligimet lidhur me punësimin e personave me aftësi të
kufizuara.

2. Punëdhënësi nga paragrafi 1 i këtij neni, i cili kërkon shtyrje të afatit pas njëzetekatër (24) muajve
lidhur me detyrimin për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, është i obliguar që kërkesën ta
arsyetojë në mënyrë të hollësishme.

3. Kopja e vendimit të cilën e nxjerr organi përgjegjës i MPMS-së, për shtyrjen e obligimit për
pranimin nga paragrafi 2 i këtij neni i dërgohet zyrës së punësimit.

4. Punëdhënësit të cilët janë themeluar dhe regjistruar sipas ligjit, por nuk janë të detyruar për
punësimin e personave me aftësi të kufizuara sipas paragrafit 2 të nenit 12 të këtij ligji, mund ta
punësojnë këtë kategori në punët e përshtatshme sipas këtij ligji, dhe të realizojnë stimulimet dhe
beneficionet e parapara me këtë ligj.




KREU VI

BENEFICIONET E PUNËDHËNËSVE PËR PUNËSIMIN E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA

Neni 18
Beneficionet financiare me rastin e punësimit

1. Punëdhënësi i cili punëson persona me aftësi të kufizuara si dhe personi me aftësi të kufizuara
që ushtron veprimtari të pavarur, të drejtën për lehtësime doganore dhe tatimore e realizojnë sipas
ligjeve tatimore dhe doganore në fuqi.

2. Për personin me aftësi te kufizuar njëqind përqind (100%) shfrytëzues i pensionit të aftësisë së
kufizuar , pensioni të shndërrohet në asistence personale për ndihmësin në punë (asistentin e tij).

Neni 19
Stimulimi material në të holla

1. Punëdhënësi, i cili e punëson personin me aftësi të kufizuara që është i papunësuar, sipas
dispozitave ligjore, përveç punëdhënësit nga neni 11 i këtij ligji, ka të drejtë në stimulim material në të
holla.

2. Stimulimi material në të holla, përcaktohet në lartësinë e kontributit të obliguar në paga, i
përcaktuar me dispozitat e obligueshme të sigurimit pensional, në bazë të kontributit të obligueshëm të
paguar për paga (rroga), i përcaktuar me dispozitat mbi sigurimin shëndetësor si dhe kontributit të
obligueshëm të paguar për paga, i përcaktuar sipas ligjit, i cili rregullon ndërmjetësimin me rastin e
punësimit dhe të drejtave gjatë kohës së papunësisë.
9

3. Kërkesën për pagesën e stimulimit material në të holla, punëdhënësi ia paraqet buxhetit të
Kosovës. Kërkesës i bashkëngjitet pro fatura e stimulimit material në të holla, me të dhënat e personave
me aftësi te kufizuara, dhe mbi kontributet e paguara në paga për ata persona. Po kështu, kërkesës i
bashkëngjiten edhe dëshmitë se kontributet janë paguar për të gjithë punëtorët dhe kopjet e llogarisë së
pagave për personat me aftësi të kufizuara ndërsa, herën e parë edhe dëshminë për punësimin dhe
aftësinë e mbetur për punë.

4. Punëdhënësi mundet që kërkesën për pagesë të stimulimit material në të holla ta paraqes me
përfundimin e muajit. Stimulimi në të holla paguhet në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e paraqitjes
së kërkesës me të dhënat e nevojshme.

5. Autorizohen organet kompetente që ta publikojë mënyrën e realizimit të të drejtave për stimulim
material, si dhe përmes organeve drejtuese kompetente të punëdhënësit, ta mbikëqyrë rregullsinë e
llogaritjes së stimulimit në të holla dhe besueshmërinë e dëshmive.

Neni 20

Qendra për aftësim, riaftësim profesional dhe punësim e Kosovës, për shërbimet që u ofron personave
me aftësi të kufizuara, i paguan shërbimet publike në lartësi të njëjtë sikurse amvisëritë.

Neni 21

1. Për lehtësimet tatimore, doganore dhe lehtësime tjera, Qendra për aftësimin, riaftësimin
profesional, punëtoria mbrojtëse, qendra punuese dhe punëdhënësit e tjerë mbajnë kontabilitet të
veçantë.

2. Mjetet e siguruara nga përfitimet shfrytëzohen vetëm për:

2.1. zgjerimin e kapacitetit të Qendrës për aftësimin dhe punësimin e personave me aftësi të
kufizuara;
2.2. hapjen e vendeve të reja të punës;
2.3. pajisjen me teknologji të re të Qendrës; dhe
2.4. përmirësimin e standardit të personave me aftësi të kufizuara.

Neni 22
Donacionet për destinime të veçanta

1. Qendra për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësim e Kosovës, punëtoria mbrojtëse dhe
qendra punuese, mund të pranojnë donacione në mjete financiare dhe në pajisje.

2. Nëse donacioni është Grant i përcaktuar atëherë ne kuadër te marrëveshje donator i përcakton
kriteret, e nëse është grand i përgjithësohen kriteret i përcakton Qeveria.

3. Donacionet në mjete financiare nuk shfrytëzohen për pagat e punëtorëve, të cilat sipas
dispozitave tatimore konsiderohen të ardhura.

4. Donacionet në mjete financiare ose pajisje, qendra për aftësimin, riaftësimin profesional,
punëtoria mbrojtëse dhe qendra punuese, i udhëheqin dhe shfrytëzojnë si mjete me destinim të veçantë.

5. Mjetet e destinimeve të veçanta udhëhiqen në llogari të posaçme.

6. Shfrytëzuesit e destinimeve të veçanta nga paragrafi 1 i këtij neni, janë të obliguar që për çdo vit,
t’ia dorëzojnë raportin financiar organit mbikëqyrës për aftësim, riaftësim profesional dhe punësim si dhe
donatorit.

7. Mjetet materiale nga paragrafi 1 i këtij neni, të cilat nuk janë shpenzuar për destinimet si në
paragrafin 2 të këtij neni, barten në buxhetin e Kosovës dhe përdoren për aftësim, riaftësim profesional
dhe punësim të personave me aftësi të kufizuara.
10


KREU VII

MJETET FINANCIARE PËR PUNËSIMIN E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA

Neni 23

1. Mjetet financiare për punësimin e personave me aftësi të kufizuara i sigurojnë:

1.1. Organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik, ku ka
punuar më parë personi me aftësi të kufizuara dhe ku atij i është përcaktuar aftësia e kufizuar për
punë gjatë kohës së punës dhe Shoqatat e punëdhënësve dhe punëmarrësve, OJQ-të e
ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, përmes dhënies së donacioneve të ndryshme, Sigurimi i
këtyre mjeteve dhe raportet ndërmjet këtyre subjekteve për subvencionimin e punësimit të
personave me aftësi të kufizuar rregullohen me marrëveshje të veçantë.

Neni 24

1. Financimi për aftësimin, riaftësimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara bëhet nga
buxheti i Kosovës.

2. Buxhetin për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar,
e menaxhon dhe mbikëqyrë Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale e Kosovës.

3. Mjetet e nevojshme për aftësimin, riaftësimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara
sigurohen nga buxheti i Kosovës si mjete të themeluesit , mjetet e kontributeve të veçanta, mjetet e
pashpenzuara nga destinime të veçanta, të ardhurat e tjera në bazë të ligjit dhe dispozitave tjera, si dhe
donacionet e personave juridik vendor dhe të jashtëm.

4. Mjetet e grumbulluara do të dedikohen për:

4.1. programet zhvillimore dhe avancimin e aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e
personave me aftësi të kufizuara;
4.2. financimin e institucioneve për aftësimin, riaftësimin profesional;
4.3. pagesën e stimulimit material në para;
4.4. bashkëfinancimin e programeve për mbajtjen e punësimit të personave me aftësi të
kufizuara;
4.5. për vendet e reja të punës për personat me aftësi të kufizuara.


KREU VIII

DISPOZITAT NDËSHKIMORE

Neni 25

1. Me gjobë në të holla prej pesëqind (500) deri dymijë (2000) euro do të dënohet punëdhënësi dhe
personi përgjegjës i tij:

1.1. i cili bën diskriminim në punësim sipas nenit 5 të këtij ligji;
1.2. i cili nuk paguan kontributin e posaçëm, ndërsa ka qenë i obliguar që ta paguaj sipas nenit 12 të
këtij ligji;
1.3. i cili ndaj personit me aftësi të kufizuara sillet në kundërshtim me dispozitat e nenit 13 të këtij ligji;
1.4. i cili nuk i dorëzon të dhënat mbi personat me aftësi të kufizuara sipas nenit 16 të këtij ligji;
1.5. i cili mjetet për destinim të veçantë i shfrytëzon për qëllime tjera dhe nuk i udhëheqë në llogari të
posaçme sipas nenit 22 të këtij ligji;
1.6. i cili nuk e dorëzon raportin financiar vjetor për mjetet me destinim të veçantë sipas paragrafit 6 të
nenit 22 të këtij ligji; si dhe
11
1.7. i cili në nën kodin buxhetor nuk i paguan mjetet e pashpenzuara të destinimeve të veçanta
sipas paragrafit 7 të nenit 22 të këtij ligji.

Neni 26
Mbikëqyrja

Mbikëqyrjen e ligjshmërisë së zbatimit të këtij ligji dhe akteve nënligjore, e bën Ministria për Punë dhe
Mirëqenie Sociale.


KREU IX

Neni 27
Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare

1. Punëdhënësit kanë për detyrë që aktet e brendshme me të cilat rregullohen marrëdhëniet e
punës, t’i harmonizojnë me dispozitat e këtij ligji më së largu brenda gjashtë (6) muajsh pas hyrjes së tij
në fuqi.

2. Deri në nxjerrjen e akteve të brendshme nga paragrafi 1 i këtij neni, drejtpërsëdrejti aplikohen
dispozitat e këtij ligji.

Neni 28

Deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, personat me aftësi të kufizuara realizojnë të drejtat dhe detyrat
nga marrëdhënia e punës në bazë të dispozitave që kanë qenë në fuqi.

Neni 29

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në koordinim me ministritë tjera përkatëse, duhet të nxjerrë
aktet nënligjore për implementimin e këtij ligji brenda afatit prej një (1) viti pas hyrjes në fuqi të tij.

Neni 30

Më hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen të gjitha dispozitat e ligjeve në fuqi që janë në kundërshtim me
të.

Neni 31

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


Ligji Nr. 03/ L-019
18 dhjetor 2008

Shpallur me dekretin Nr. DL-084-2008, datë 07.01.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
Dr. Fatmir Sejdiu