1 
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI IV / Nr. 46 / 15 JANAR 2009 
 
LIGJI  Nr. 03/L-122 
 
 
PËR SHËRBIMIN E JASHTËM TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 
 
 
Kuvendi i Republikës së Kosovës, 
 
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; 
 
Miraton 
 
 
LIGJ PËR SHËRBIMIN E JASHTËM TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 
 
 
                                                                          KREU I 
 
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME 
 
 
Neni 1 
Qëllimi 
 
Qëllim i këtij ligji është rregullimi i veprimtarisë së shërbimit të jashtëm, i organizimit, 
bashkërendimit dhe funksionimit të organeve që e përbëjnë shërbimin e jashtëm, dhe rregullimi i 
statusit të personelit të misionit diplomatik. 
 
 
Neni 2 
Përkufizimet 
 
Për qëllim të këtij ligji, shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim: 
 
“Anëtarët e personelit të misionit”- janë anëtarët e personelit diplomatik, të personelit administrativ dhe 
teknik, dhe të personelit shërbyes; 
 
Anëtarët e shërbimit të jashtëm”- janë anëtarët e përhershëm të Ministrisë si dhe anëtarët e Ministrisë 
të caktuar në misione diplomatike dhe konsullore në shtete të tjera dhe në organizata ndërkombëtare;  
 
“Gradat Diplomatike dhe Konsullore”- janë titujt e dhënë ose të fituar të përfaqësuesve diplomatikë 
dhe konsujve, të renditur sipas përparësisë ose epërsisë hierarkike; 
 
“Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës”- është komisioni i ngarkuar me dhënien, përveç gradës 
ambasador, të gradave diplomatike dhe konsullore për nëpunësit e shërbimit të jashtëm, si dhe 
propozimin e masave disiplinore ndaj nëpunësve të shërbimit të jashtëm dhe shqyrtimin e ankesave 
për masat disiplinore të marra ndaj tyre; 
 
 “Ministria”- është Ministria e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës; 
 
“Ministri”- është Ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës; 
 
“Misioni diplomatik”- është ambasada ose çdo zyrë tjerë e cila përfaqëson Republikën e Kosovës në 
një shtet tjetër ose në një organizatë ndërkombëtare në kuptimin e Konventës së Vjenës për 
Marrëdhëniet Diplomatike (1961) ose të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore (1963), ose e 
cila përfaqëson Republikën e Kosovës si pjesë të një misioni të dy ose më shteteve, dhe të cilës zyrë i 
janë dhënë të gjitha privilegjet dhe imunitetet që, sipas ligjit, i gëzojnë misionet diplomatike sipas 
Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike; 
 2 
 
“Personeli administrativ dhe teknik”- janë anëtarët e personelit të misionit të punësuar në shërbimin 
administrativ dhe teknik të misionit; 
 
“Personeli diplomatik”- janë anëtarët e personelit të misionit të rangut diplomatik; 
 
“Personeli shërbyes”- janë anëtarët e personelit të misionit në shërbimin shtëpiak të misionit; 
 
“Përfaqësuesi diplomatik”- është shefi i misionit ose një anëtar i personelit diplomatik të misionit; 
 
“Shefi i misionit”- është ambasadori ose ndonjë person tjetër i autorizuar nga institucionet për ta 
ushtruar detyrën e tillë; 
 
 “Shtetas i Republikës së Kosovës”- është personi fizik i cili mban shtetësinë e Republikës së 
Kosovës ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Shtetësinë e Kosovës. 
 
 
Neni 3 
Baza juridike e veprimtarisë së organeve të shërbimit të jashtëm 
 
Presidenti i Republikës së Kosovës udhëheq politikën e jashtme të vendit në bazë të 
kompetencave që i jepen me Kushtetutë. Ministri i Punëve të Jashtme dhe strukturat e tjera në 
varësi të Ministrisë, e ushtrojnë veprimtarinë dhe funksionet e shërbimit të jashtëm në përputhje 
me Kushtetutën, me këtë ligj, me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin 
Diplomatik, me aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, mbështetur në programin e Qeverisë dhe 
orientimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. 
 
 
KREU II 
 
INSTITUCIONET E SHËRBIMIT TË JASHTËM 
 
NЁNKREU I 
 
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME 
 
Neni 4 
Ministri 
 
Ministri i Punëve të Jashtme drejton dhe përfaqëson shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës. 
 
Neni 5 
Drejtoria e Përgjithshme 
 
Drejtoria e Përgjithshme bashkërendon komunikimin e përhershëm të Ministrisë me misionet e shërbimit 
të jashtëm, është përgjegjëse për hartimin dhe realizimin e synimeve në veprimtarinë e shërbimit me 
jashtë, si dhe udhëheqë Zyrat përkatëse brenda Ministrisë.  
 
Neni 6 
Struktura e Ministrisë  
 
Strukturat përkatëse të Ministrisë themelohen me akte nënligjore të Ministrisë, që kanë për qëllim 
realizimin e veprimtarisë së shërbimit me jashtë.  
 
Neni 7 
Akademia Diplomatike 
 
1. Me pëlqimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri themelon Akademinë Diplomatike pranë 
Ministrisë së Punëve të Jashtme, me qëllim të përgatitjes dhe formimit profesional të anëtarëve të 
personelit në shërbimin e jashtëm. 
 3 
 
2. Funksionimi i Akademisë Diplomatike rregullohet me akt nënligjor të Ministrisë së Punëve të Jashtme. 
  
 
NЁNKREU II 
 
MISIONET DIPLOMATIKE 
 
Neni 8 
Llojet e misioneve  
 
1. Misionet e Republikës së Kosovës jashtë vendit janë: 
 
1.1 misionet diplomatike;  
   
1.2  misionet konsullore; 
 
2. Në misionet diplomatike bëjnë pjesë ambasadat dhe misionet e përhershme në organizatat 
ndërkombëtare.  
 
3. Në misionet konsullore bëjnë pjesë konsullatat e përgjithshme, konsullatat, nënkonsullatat dhe zyrat 
konsullore. 
  
 
Neni 9 
Hapja, riorganizimi dhe mbyllja e misioneve diplomatike 
  
1. Misionet diplomatike hapen, riorganizohen dhe mbyllen me vendim të Presidentit, pas konsultimit me 
Kryeministrin.  
 
2. Misionet diplomatike veprojnë nën mbikqyrjen dhe në pajtim me udhëzimet e Ministrisë së Punëve te 
Jashtme. 
 
3. Mënyra e funksionimit, struktura dhe numri i personelit të misioneve diplomatike përcaktohen nga 
Ministri i Punëve të Jashtme. 
  
Neni 10 
Funksionet e misionit diplomatik 
  
1.  Misioni diplomatik i Republikës së Kosovës ushtron funksionet në përputhje me Konventën e Vjenës 
për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, me Ligjin për Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Shërbimin 
Diplomatik, me këtë ligj dhe me akte të tjera nënligjore në zbatim të tij.  
 
2. Misioni diplomatik ushtron këto funksione kryesore: 
 
2.1. përfaqëson Republikën e Kosovës në shtetin pranues ose në organizatat ndërkombëtare; 
 
2.2. mbron në shtetin pranues interesat e Republikës së Kosovës dhe të shtetasve ose 
personave juridikë të saj, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me legjislacionin në fuqi të 
shtetit pranues; 
 
2.3. nxitë dhe fuqizon zhvillimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore, arsimore, 
shkencore, teknologjike, të informacionit, diplomatike-konsullore dhe në çdo fushë tjetër ndërmjet 
Republikës së Kosovës dhe shtetit pranues ose organizatës ndërkombëtare, në një frymë 
miqësore e bashkëpunimi; 
 
2.4. informon Ministrinë e Punëve të Jashtme për zhvillimet ekonomike, politike dhe sociale të 
shtetit pranues dhe për veprimtarinë e organizatave ndërkombëtare pranë të cilave është 
akredituar, në rastet kur preket interesi i Republikës së Kosovës; 
 
 4 
2.5. bashkëpunon me delegacionet e Republikës së Kosovës në bisedimet që zhvillohen në 
shtetin pranues dhe merr pjesë në bisedime me qeverinë e shtetit pranues në përgatitjen për 
nënshkrim të marrëveshjeve dy dhe shumëpalëshe si dhe në veprimtarinë e konferencave 
ndërkombëtare; 
 
2.6.  promovon paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare; 
 
2.7.  promovon, mbron dhe fuqizon sigurinë dhe statusin ndërkombëtar të Republikës së 
Kosovës; 
 
2.8.  kontribuon në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të njohura në nivel 
universal; 
 
2.9. mbron të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të shtetasve të Republikës së Kosovës 
brenda fushës së kompetencës së vet; 
 
2.10.  mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, dhe interesat tjera të Republikës së 
Kosovës; 
 
2.11.  promovon veprimtarinë e organizatave publike, qendrave ose instituteve të 
Republikës së Kosovës jashtë. 
 
3. Misioni diplomatik kryen edhe funksione ose veprimtari të tjera për të cilat autorizohet nga Ministri i 
Punëve të Jashtme në pajtim me këtë ligj, me Ligjin për Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Shërbimin 
Diplomatik dhe akte të tjera nënligjore. 
  
4. Misioni diplomatik kryen edhe funksione konsullore në shtetin pranues. Nëse ka misione konsullore të 
Republikës së Kosovës në të njëjtin shtet, misioni diplomatik kryen funksione konsullore në atë pjesë të 
territorit që nuk përfshihet në juridiksionin e misionit konsullor. Funksionet konsullore ushtrohen nga një 
diplomat i misionit diplomatik, i ngarkuar për veprimtarinë konsullore, me miratimin e Ministrit të Punëve të 
Jashtme, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, Ligjin për 
Shërbimin Konsullor dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. 
 
 
Neni 11 
Misioni i posaçëm 
  
1.  Misioni i posaçëm është një mision i përkohshëm, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet 
tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, 
të cilat janë në interes të Republikës së Kosovës. 
 
2. Themelimi, përbërja dhe funksionet e misionit të posaçëm përcaktohen me vendim të Presidentit, pas 
konsultimit me Kryeministrin.  
 
 
Neni 12 
Personeli i misioneve diplomatike 
  
1.  Personeli i misioneve diplomatike përbëhet nga personeli diplomatik, personeli administrativ dhe 
teknik, dhe personeli shërbyes.  
 
2.  Në personelin e misioneve diplomatike mund të përfshihen edhe nëpunës të caktuar në bazë të një 
marrëveshjeje të nivelit të shërbimit, mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve tjera, për të 
kryer detyra në fushën ekonomike, kulturore, shkencore dhe të mbrojtjes dhe në çdo fushë tjetër për një 
kohë të caktuar. Gjatë kohës së shërbimit në misionin diplomatik, këta nëpunës gëzojnë të njëjtin status 
me anëtarët e personelit të misionit dhe pas përfundimit të këtij shërbimi rikthehen në pozicionin e 
mëparshëm, duke rifituar statusin që kanë pasur ose në një pozicion të barasvlershëm me të. 
 
 
Neni 13 
 5 
Emërimi dhe lirimi nga detyra i shefit të misionit 
 
Emërimi dhe lirimi i shefit të misionit rregullohet me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe 
Shërbimin Diplomatik dhe aktet nënligjore të Ministrisë së Punëve te Jashtme.   
 
Neni 14 
Funksionet e shefit të misionit diplomatik 
  
1. Shefi i misionit diplomatik, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 
1961, ushtron këto funksione kryesore: 
 
1.1.  përfaqëson dhe vepron në emër të Republikës së Kosovës në shtetin pranues ose 
organizatat ndërkombëtare; 
 
1.2.   inicion dhe nënshkruan instrumente diplomatike; 
 
1.3.   jep deklarata dhe mban qëndrime në emër të Republikës së Kosovës. 
 
2. Shefi i misionit ka autoritet mbi të gjitha shërbimet civile dhe ushtarake që ushtrojnë veprimtarinë në 
misionin diplomatik. Ai drejton, udhëzon, kontrollon dhe vlerëson të gjithë veprimtarinë zyrtare të 
personelit të misionit diplomatik, si dhe kryen funksione të tjera, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të 
akteve të tjera nënligjore. 
 
3. Shefi i misionit përgjigjet përpara Ministrit të Punëve të Jashtme për zbatimin e politikës së jashtme të 
Republikës së Kosovës në shtetin pranues dhe vepron në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e dhëna 
nga ky ligj, si dhe me udhëzimet e dhëna nga strukturat përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme. 
 
4. Shefat e misioneve për çështje të interesit të veçantë mund të dërgojnë një raport ose rekomandim 
edhe te Presidenti, Kryeministri, dhe Ministrat e tjerë në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të 
tyre. 
 
5. Shefi i misionit bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e misioneve konsullore të Republikës së 
Kosovës në shtetin pranues.  
 
 
Neni 15 
Akreditimi në disa vende 
  
1. Një shef misioni në një shtet mund të akreditohet edhe në një ose disa shtete të tjera, pavarësisht nëse 
ka mision diplomatik ose mision konsullor në këto shtete. 
 
2. Shefi i misionit diplomatik dhe anëtarët e tjerë të personelit diplomatik, të akredituar në disa shtete në 
të njëjtën kohë, kryejnë në shtetet e tjera të njëjtat funksione që kryejnë në shtetin ku janë rezidentë. 
 
3. Në shtetet ku nuk ka mision diplomatik, mund të emërohen si ambasadorë jorezidentë diplomatët me 
gradën ambasador. Ata kryejnë funksionet e njëjta të përfaqësimit si ambasadorët rezidentë. 
 
 
Neni  16 
I ngarkuari me punë 
 
1.  I ngarkuari me punë emërohet me dekret të Presidentit, pas propozimit të Qeverisë. Procedurat për 
akreditimin e të ngarkuarit me punë zbatohen nga Ministria e Punëve të Jashtme.  
 
2.  I ngarkuari me punë i përkohshëm emërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme. 
 
3.  Në mungesë të shefit të misionit ose në rast pamundësie të shefit të misionit për të ushtruar funksionet 
e tij/saj, një i ngarkuar me punë i përkohshëm vepron përkohësisht si shef i misionit.  
 
   
 6 
 
KREU III 
 
NËPUNËSIT E SHËRBIMIT TË JASHTËM 
 
 
NЁNKREU I 
STATUSI I PERSONELIT TË SHËRBIMIT TË JASHTËM 
 
Neni 17 
Ushtrimi i funksioneve diplomatike 
  
1. Funksionet diplomatike në shërbimin e jashtëm ushtrohen nga anëtarët e personelit diplomatik në 
pajtim me dispozitat e këtij ligji. 
 
2. Gjatë ushtrimit të funksioneve diplomatike, personeli diplomatik ndihmohet nga personeli administrativ 
dhe teknik, dhe personeli shërbyes. 
 
 
Neni 18 
Përfaqësuesit diplomatikë 
  
Përfaqësuesi diplomatik ushtron funksione dhe kryen detyra në shërbimin diplomatik të Republikës së 
Kosovës, në pajtim me Kushtetutën, Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, 
këtë ligj dhe me aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. 
 
 
Neni 19 
Kriteret për pranimin në shërbimin e jashtëm 
  
1. Kriteret e përgjithshme për përzgjedhjen e ambasadorëve dhe konsujve si dhe shefave të tjerë të 
misioneve rregullohen me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe me 
aktet nënligjore në zbatim të tij.  
 
2.  Anëtarët e personelit të shërbimit të jashtëm i plotësojnë kërkesat si në vijim: 
 
2.1.  kanë shtetësi të Kosovës;  
 
2.2.  kanë zotësi të plotë për të vepruar; 
 
2.3.  nuk janë dënuar për kryerje të veprës penale;  
 
2.4.  nuk janë subjekt i masës disiplinore të largimit nga puna; 
 
2.5.  janë në gjendje të mirë shëndetësore për të kryer detyrën; 
 
2.6.  kanë përgatitje të duhur profesionale;  
 
2.7.  zotërojnë gjuhë të huaj të pranueshme dhe të përshtatshme për punën në shërbimin e 
jashtëm; 
 
2.8.  kanë kaluar provimin pranues të organizuar në bazë të proceduarve të përcaktuara me akt 
nënligjor të Ministrisë së Punëve të Jashtme. 
 
3. Posedimi i shtetësisë së Kosovës nuk është i domosdoshëm për personelin administrativ dhe teknik, 
dhe personelin shërbyes.  
 
 
Neni 20 
Pranimi në shërbimin e jashtëm 
 7 
  
Pranimi në shërbimin e jashtëm bëhet nëpërmjet konkursit të hapur, në pajtim me Ligjin për Ministrinë e 
Punëve te Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe legjislacionin në fuqi. 
 
 
Neni 21 
Transferimi, lëvizja paralele, ngritja në detyrë 
  
1. Transferimi, lëvizja paralele dhe ngritja në detyrë e nëpunësit të shërbimit të jashtëm bëhet me vendim 
të Ministrit të Punëve të Jashtme, në bazë të propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm. Në çdo rast, 
propozimi shoqërohet dhe mbështetet në vlerësimin e punës të paraqitur nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë 
i nëpunësit. 
 
2. Procedurat e kryerjes së transferimit, lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë përcaktohen në 
Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm. 
  
 
Neni 22 
Kohëzgjatja në misionet diplomatike 
 
Përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhe katër (4) 
vjeçare, ose ndryshe siç kërkohet për të përmbushur nevojat e Ministrisë dhe në diskrecion të Ministrit të 
Punëve të Jashtme. 
  
 
Neni 23 
Tërheqja e parakohshme nga misioni diplomatik 
  
1. Presidenti i Republikës së Kosovës urdhëron tërheqjen e një ambasadori apo shefi të misionit nga 
misioni diplomatik përpara mbarimit të afatit të caktuar, për arsyet e mëposhtme: 
 
1.1.   për nevoja pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme;  
 
1.2.   në bazë të kërkesës së vetë përfaqësuesit diplomatik; 
 
1.3.   për arsye të vlerësimit negativ të punës së përfaqësuesit diplomatik; 
 
1.4.   për shkelje të dispozitave të këtij ligji ose të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi;  
 
1.5.  kur një gjë e tillë kërkohet nga shteti pranues. 
 
2. Tërheqja e të gjithë përfaqësuesuesve të tjerë diplomatikë, duke mos e përfshirë shefin e misionit, për 
të njëjtat arsye të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, bëhet me urdhërin e Ministrit të Punëve të 
Jashtme. 
 
 
Neni 24 
Pezullimi nga Shërbimi i Jashtëm 
  
1. Nëpunësit e Shërbimit të Jashtëm mund të pezullohen nga ushtrimi i funksioneve të tij/saj: 
 
1.1.  kur ndaj tij/saj fillon procedura për vepër penale, deri në marrjen e një vendimi gjyqësor të 
formës së prerë; 
 
1.2.  për periudha specializimi, më shumë se gjashtë (6) muaj, të ndërmarra me nismën e vetë 
nëpunësit, por me miratimin e Drejtorit të Përgjithshëm. 
 
2. Gjatë periudhës së pezullimit, nëpunësi i shërbimit të jashtëm nuk paguhet, përveç në rastin e një 
vendimi të veçantë në pajtim me rregullat e Shërbimit Civil. 
 
 8 
3. Në rastin e parashikuar në nënparagrafin 1.1 të këtij neni, kur çështja penale pushohet ose kur me 
vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i pafajshëm, nëpunësi rikthehet në shërbimin e jashtëm 
dhe, njëkohësisht, rifiton statusin, pagën dhe çdo të drejtë tjetër, që nga çasti i pezullimit. 
 
4. Për rastin e parashikuar në nënparagrafin 1.1 të këtij neni, periudha e pezullimit merret në konsideratë 
për efekt të llogaritjes së afatit kohor, të nevojshëm për fitimin e gradave diplomatike. 
 
 
 Neni 25 
Humbja e statusit në shërbimin e jashtëm 
  
1. Përfaqësuesi diplomatik humb statusin në këtë shërbim kur: 
 
1.1.  largohet në mënyrë vullnetare nga shërbimi i jashtëm;  
 
1.2.  me humbjen e zotësisë për të vepruar; 
 
1.3.  dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerje të veprës penale; 
 
1.4.  kryen shkelje të rënda, të parashikuara në rregullat e Shërbimit Civil, si dhe në Rregulloren 
për Shërbimin e Jashtëm, për të cilat ndaj tij merret masa e largimit nga puna. 
  
 
NЁNKREU II 
 
GRADAT 
 
 
Neni 26 
Gradat diplomatike dhe konsullore 
  
1.  Përfaqësuesit diplomatikë dhe konsujt, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre në Ministrinë e Punëve të 
Jashtme dhe në misionet diplomatike, marrin grada diplomatike ose konsullore. 
 
2. Gradat diplomatike në shërbimin e jashtëm janë: 
 
2.1.  ambasador; 
 
2.2.  ministër  
 
2.3.  ministër këshilltar;  
 
2.4.  këshilltar; 
 
2.5.  sekretar i parë; 
 
2.6.  sekretar i dytë;  
 
2.7.  sekretar i tretë;  
 
2.8.  atashe. 
 
3. Gradat konsullore në shërbimin e jashtëm janë: 
 
3.1.  konsull i përgjithshëm;  
 
3.2.  konsull; 
 
3.3.  zëvendëskonsull;  
 
 9 
3.4.  agjent konsullor. 
  
 
Neni 27 
Barasvlera e gradave 
  
Përfaqësuesit diplomatikë mund të kalojnë nga një gradë diplomatike në një gradë konsullore, dhe 
konsujt mund të kalojnë nga një gradë konsullore në një gradë diplomatike në përputhje me funksionet 
dhe detyrat e ngarkuara. Në çdo rast, kalimi bëhet duke respektuar barasvlerën e gradave si në vijim: 
 
Konsulli përgjithshëm; Ministër këshilltar ose këshilltar; 
Konsull; Sekretar i parë ose i dytë; 
Zëvendëskonsull;  Sekretar i dytë ose i tretë; 
Agjent konsullor. Sekretar i tretë ose atashe. 
  
 
Neni 28 
Dhënia e gradave 
  
1.  Avancimi i nëpunësve të shërbimit të jashtëm bëhet duke u mbështetur në sistemin e gradimit. 
Elementet kryesorë në dhënien e një grade për anëtarin e shërbimit të jashtëm janë koha e shërbimit, 
kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës. 
 
2.  Përveç gradës ambasador, gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën e të 
dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra, sipas 
kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm. 
 
3.  Grada diplomatike ambasador miratohet nga Presidenti, me propozimin e Qeverisë. 
 
Neni 29 
Periudha për kalimin nga një gradë në tjetrën 
  
1. Periudha minimale për kalimin nga një gradë në një tjetër përcaktohet me Rregulloren e Shërbimit të 
Jashtëm. 
 
2.  Kriteret për fitimin e gradës ministër këshilltar dhe ministër  përcaktohen në Rregulloren për Shërbimin 
e Jashtëm. 
 
 
Neni 30 
Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës 
  
1. Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës ka për detyrë: 
 
1.1. dhënien e gradave diplomatike dhe konsullore për nëpunësit e shërbimit të jashtëm në 
përputhje me këtë ligj dhe Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm; 
 
1.2. shqyrtimin e ankesave të nëpunësve të shërbimit të jashtëm ndaj të cilëve është marrë 
masë disiplinore nga eprori i tyre i drejtpërdrejt; 
 
1.3. shqyrtimin e rasteve të shkeljeve të rënda të kryera nga nëpunësit e shërbimit të jashtëm 
dhe propozimin te Ministri i Punëve të Jashtme i masave disiplinore për nëpunësit që kanë 
kryer këto shkelje. 
 
2. Përbërja e Komisionit të Gradave dhe Disiplinës përcaktohet me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm. 
 
3. Mënyra e funksionimit të Komisionit të Gradave dhe të Disiplinës përcaktohen në Rregulloren për 
Shërbimin e Jashtëm. 
 
4. Llojet e shkeljeve dhe masat disiplinore përcaktohen në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm. 
 10 
 
 
 
KREU IV 
 
TË DREJTAT DHE DETYRAT E NËPUNËSIT TË SHËRBIMIT TË JASHTËM 
 
 
Neni 31 
Të drejtat e nëpunësit të shërbimit të jashtëm 
  
1. Nëpunësi i shërbimit të jashtëm ka të drejtë: 
 
1.1.  të gëzojë statusin e diplomatit, në shtetin apo shtetet ku ai/ajo është akredituar; 
 
1.2.  të fitojë gradë në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, në bazë të kritereve të 
përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm; 
 
1.3.  të mbajë funksione në Ministrinë e Punëve të Jashtme ose në misionet diplomatike, në 
përputhje me nivelin profesional dhe gradën që gëzon; 
 
1.4. të gëzojë imunitetet dhe lehtësitë që i jep statusi i diplomatit, në përputhje me të drejtën 
ndërkombëtare gjatë periudhës kur ndodhet me shërbim jashtë shtetit; 
 
1.5. të përfitojë nga kualifikimet dhe trajnimet e ofruara nga Ministria e Punëve të Jashtme; 
 
1.6.  të ketë trajtim financiar të posaçëm, në përputhje me statusin e tij dhe legjislacionin ne fuqi; 
 
1.7. të gëzojë të gjitha të drejtat e tjera të njohura në legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe 
të shtetit pranues. 
 
 
Neni 32 
Detyrat e nëpunësit të shërbimit të jashtëm 
  
1. Nëpunësi i shërbimit të jashtëm ka për detyrë: 
 
1.1. të ushtrojë me ndershmëri dhe korrektësi funksionet dhe detyrat e ngarkuara, në përputhje 
me urdhrat, udhëzimet dhe rregulloret e Ministrisë së Punëve të Jashtme, aktet ndërkombëtare 
dhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës; 
 
1.2.  të mbajë përgjegjësi të plotë për ligjshmërinë e veprimeve gjatë kryerjes së detyrës; 
 
1.3.  të mbrojë interesat e shtetit të Kosovës dhe të shtetasve dhe personave juridikë të 
Republikës së Kosovës në shtetin ose shtetet ku është akredituar dhe ushtron funksionet e tij; 
 
1.4.  të zbatojë rregullat për informacionin e klasifikuar edhe pas largimit nga Ministria e 
Punëve të Jashtme dhe të sigurojë ruajtjen e të dhënave dhe të informatave që i janë besuar; 
 
1.5.  të pezullojë aktivitettin e tij në një parti, organizate ose shoqate politike gjatë periudhës në 
shërbimin e jashtëm; 
 
1.6.  të mbajë, në të gjitha rrethanat, një qëndrim moral të denjë dhe profesional; 
 
1.7.  të mos bëjë deklarata që bien në kundërshtim me qëndrimin e Republikës së Kosovës në 
marrëdhënie me shtetet e tjera ose organizatat ndërkombëtare; 
 
1.8.  të respektojë ligjet dhe rregulloret e shtetit ose të shteteve ku është akredituar, dhe të 
mos përfshihet në veprimtari të cilat mund të vlerësohen si ndërhyrje në punët e brendshme të 
shtetit ose të shteteve ku zhvillon veprimtarinë; 
 11 
 
1.9 të ushtrojë veprimtarinë e vet në përputhje me imunitetet dhe privilegjet që gëzon si anëtar 
i misionit diplomatik; 
 
1.10 të mos ushtrojë në shtetin ose shtetet ku është akredituar veprimtari tregtare ose çdo 
veprimtari tjetër fitimprurëse për llogari të tij ose të familjes së tij.  
 
2. Shkelja e një detyrimi paraqet arsye për masë disiplinore.  
 
 
 
KREU V  
 
TRAJTIMI FINANCIAR I PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË JASHTËM 
 
 
Neni 33 
Pagat e punonjësve të shërbimit të jashtëm 
 
Pagat e punonjësve të shërbimit të jashtëm caktohen në bazë të funksionit, gradave dhe përvojës në 
punë në pajtim me ligjet përkatëse në fuqi. 
  
 
Neni 34 
Trajtimi i familjeve të personelit të misioneve diplomatike 
 
1. Bashkëshortit/es, i/e cili/a e shoqëron nëpunësin në misionin diplomatik, i njihet koha e qëndrimit jashtë 
shtetit për efekt të përvojës në punë dhe të pagesës së kontributeve të përcaktuara në legjislacionin në 
fuqi të Republikës së Kosovës.  
 
2. Bashkëshorti/ja, që në kohën e emërimit të përfaqësuesit diplomatik jashtë shtetit ka punuar në një 
institucion publik, ka të drejtë të kthehet në këtë vend pune pas kthimit të bashkëshortit/es në atdhe. 
Institucioni publik ku bashkëshorti/ja ka qenë i/e punësuar, ka detyrimin ta rimarrë në të njëjtin pozitë 
pune ose në një pozitë të barasvlershme. 
 
3. Ministria e Punëve të Jashtme garanton arsimimin fillor dhe të mesëm të fëmijëve të të anëtarëve të 
personelit të misionit diplomatik dhe ku është e nevojshme, siguron financimin e këtij arsimimi. Mënyra, 
kriteret dhe kushtet e financimit përcaktohen me Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm. 
4. Fëmijët, deri në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, të anëtarëve të personelit të misionit përfitojnë 
sigurimet shëndetësore sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. 
   
 
 
KREU VI 
  
NËPUNËSIT ADMINISTRATIVË DHE PERSONELI NDIHMËS 
 
 
Neni 35 
Statusi i personelit administrativ, teknik dhe shërbyes 
  
1.  Nëpunës administrativë në shërbimin e jashtëm quhen nëpunësit të cilët kryejnë detyra në sektorët e 
buxhetit dhe të financës, në fushën e përpunimit të të dhënave dhe në çështje administrative. Për këta 
nëpunës zbatohen rregullat e Shërbimit Civil dhe aktet tjera nënligjore në zbatim të tij. 
 
2.  Personel teknik në shërbimin e jashtëm quhet ajo kategori punonjësish të cilët kryejnë detyra në 
sektorët ndihmës dhe të mirëmbajtjes.  
 
3.  Personel shërbyes në shërbimin e jashtëm quhet ajo kategori punonjësish të cilët kryejnë detyra në 
shërbimin shtëpiak të misionit. 
 12 
 
 
Neni 36 
Rekrutimi i stafit vendor 
  
Misionet diplomatike mund të punësojnë shtetas të shtetit pranues, sipas procedurave të parashikuara në 
Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm, për kryerjen e punëve administrative, teknike dhe shërbyese.  
 
 
KREU VII 
 
DISPOZITA KALIMTARE 
 
Neni 37 
 
1.  Të gjithë të emëruarit si të ngarkuar me punë në kohën e hapjes së misioneve të para diplomatike të 
Republikës së Kosovës, kanë gradën ministër këshilltar. 
 
2.  Të gjithë të emëruarit tjerë në kohën e hapjes së misioneve të para diplomatike të Republikës së 
Kosovës, kanë atë gradë e cila u jepet në rastin e emërimit. 
3. Periudha që nga emërimi i tyre numërohet për qëllim të fitimit të gradave diplomatike në shërbimin e 
jashtëm. 
 
 
KREU VIII 
  
DISPOZITA TË FUNDIT 
 
Neni 38 
Nxjerrja e akteve nënligjore 
  
1.  Ministria e Punëve të Jashtme ngarkohet të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. 
  
2.  Ministria e Punëve të Jashtme, brenda tre (3) muajve nga miratimi i këtij ligji, përgatit Rregulloren për 
Shërbimin e Jashtëm. Rregullorja miratohet me vendim të Qeverisë.  
 
 
Neni 39 
Hyrja në fuqi 
  
Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.  
 
 
 
Ligji  Nr. 03/ L-122            
16 Dhjetor 2008                                                     
                                                              
Shpallur me dekretin Nr. DL-071-2008, datë 30.12.2008 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   
Dr. Fatmir Sejdiu