LIGJI NR.03/L-121 PËR GJYKATËN KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI IV / Nr. 46 / 15 JANAR 2009

LIGJI Nr. 03/L-121



PËR GJYKATËN KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS


Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

Me qëllim të rregullimit të mëtejshëm të organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të
Republikës së Kosovës,

Miraton

LIGJ PËR GJYKATËN KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS



KREU I

ORGANIZIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE


1. Dispozitat e përgjithshme

Neni 1
Fushëveprimi

Ky ligj rregullon më tej organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës,
procedurat për paraqitjen dhe shqyrtimin e kërkesave pranë Gjykatës Kushtetuese, kushtet dhe
procedurat për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kualifikimet tjera
përkatëse për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, parimet dhe rregullat themelore
procedurale dhe çështje tjera organizative.


Neni 2
Organizimi i punës së Gjykatës Kushtetuese

1. Gjykata Kushtetuese gëzon pavarësi organizative, administrative e financiare për realizimin e detyrave
të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (“Kushtetuten”) dhe me ligj.

2. Gjykata Kushtetuese përcakton organizimin e vet të brendshëm, rregulloren e punës, proceset e
vendimmarrjes dhe çështje të tjera organizative në pajtim me ligjin.


Neni 3
Selia dhe simbolet

1. Selia e Gjykatës Kushtetuese është në Prishtinë.

2. Gjykata Kushtetuese zhvillon seancat në selinë e saj, por përjashtimisht, me vendimin e saj mund të
zhvilloj seanca edhe në vendet tjera të Republikës së Kosovës.
3. Gjykata Kushtetuese ka simbolin dhe vulën e vet të cilat përcaktohen me rregullore të punës.


2. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese
2

Neni 4
Kushtet shtesë për emërimin e gjyqtareve


1. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë:

1.1. shtetas të Republikës së Kosovës;

1.2. jurist të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional me jo më pak se dhjetë (10) vjet
përvojë pune profesionale veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar,
mes tjerash, përmes punës profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civil ose
mësimdhënës universitar dhe punë tjera të rëndësishme të natyrës juridike;

1.3. individ me reputacion të shkëlqyeshëm moral, të cilët kanë aftësi të plotë veprimi dhe të cilët nuk
janë dënuar për vepër penale.


Neni 5
Papajtueshmëria e funksionit

1. Gjatë mandatit të tij gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të drejtë të jetë:

1.1. anëtar i një partie, lëvizje ose çfarëdo organizate tjetër politike;

1.2. anëtar i bordit drejtues të një ndërmarrje publike, shoqërie tregtare ose organizate jo qeveritare;

1.3. anëtar i një sindikate;

2. Përveç ndalesave të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk ka
të drejtë të ushtrojë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehet me pagesë,
përveç ushtrimit të funksionit të ligjëruesit të shkencave juridike në një universitet të akredituar. Për
qëllime të këtij ligji, nuk konsiderohet detyrë publike apo profesionale nëse gjyqtari pa pagesë merret me
veprimtari shkencore, apo pa pagesë angazhohet si anëtar në institute ose shoqata të juristëve, në
organizata humanitare, kulturore, sportive dhe organizata tjera, përderisa këto aktivitete nuk kanë lidhje
me punën e ndonjë partie politike.

3. Gjyqtari i propozuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mund të emërohet nga Presidenti i
Republikës së Kosovës nëse nuk paraqet dëshmi se ka dhënë dorëheqje nga funksionet e përcaktuara
në paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni.

4. Secili gjyqtar ka për detyrë të njoftojë Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese me shkrim për çdo aktivitet që
kryen jashtë funksionit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese për të cilën kompensohet me mëditje ose
çfarëdo forme tjetër të kompensimit. Në rast se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese shpreh kundërshtimin e
vet, gjyqtari ka të drejtë të kërkojë që vendimi i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të rishqyrtohet nga të
gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i tillë mund të hidhet poshtë nga shumica e gjyqtarëve të
Gjykatës Kushtetuese.


Neni 6
Procedura për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese

1. Me këtë ligj themelohet Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën
Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë “Komisioni”). Ky Komision i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të
kandidatëve të kualifikuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, në pajtim me procedurën e përcaktuar
në këtë nen.

2. Komisioni përbëhet nga këta anëtarë:

3
2.1. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës apo një anëtar i Kuvendit përfaqësues i
deleguar i tij/saj;

2.2. Udhëheqësit e secilit grup parlamentar të Kuvendit të Republikës së Kosovës apo anëtarët
e Kuvendit përfaqësues të deleguar të tyre;

2.3. Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës;

2.4. Avokati i Popullit ;

2.5. Përfaqësuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete;

2.6. Përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese.

3. Komisionin e thërret dhe kryeson Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës apo përfaqësuesi i
deleguar i tij/saj. Komisioni ka dy zëvendës kryesues të cilët zgjidhen në mesin e anëtarëve të tij, ku njëri
nga ta do të jetë nga radhët e deputetëve të komunitetit tjetër nga komuniteti i kryesuesit.

4. Komisioni vendos me shumicën e thjeshtë të votave. Në rast të votimit të barabartë, vota e Kryetarit të
Kuvendit të Republikës së Kosovës apo përfaqësuesit të tij/saj të deleguar është vendimtare.

5. Në rast se ndonjëri nga anëtaret e Komisionit ka konflikt të interesit në lidhje me rastin, atëherë ai/ajo
nuk merr pjesë në punën e Komisionit për atë rast.

6. Procedurën për përcaktimin e listës së ngushtë të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese e fillon
Komisioni. Komisioni publikon thirrjen/ftesën në media të shkruara dhe elektronike duke përfshirë edhe
ato të cilat kryesisht lexohen nga komunitetet që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës, të
Kuvendit, institucioneve gjyqësore, fakulteteve juridike, Odës së Avokatëve, shoqatave të gjyqtarëve dhe
të prokurorëve, partive politike, personave të tjerë relevant juridik dhe individëve që të propozojnë
kandidat për zgjedhjen e një apo më shumë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë
ftesa/thirrja). Një person mund të propozojë veten për kandidat.

7. Në thirrje/ftesë ceken kushtet për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të përcaktuara me
Kushtetutë dhe me këtë ligj, afati për paraqitjen e propozimit për kandidatin Komisionit, i cili nuk duhet të
jetë më i shkurtër se 15 apo më i gjatë se 20 ditë, dhe dokumentet përcjellëse të cilat dorëzohen me
propozim.

8. Pas skadimit të afatit të përcaktuar në paragrafin e mëparshëm, Komisioni, brenda afatit prej
pesëmbëdhjetë (15) ditësh, shqyrton nëse kandidatët e propozuar i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur
gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të përcaktuara me Kushtetutë dhe me këtë ligj, dhe hedhë poshtë
kandidaturat që nuk plotësojnë këto kushte. Në zbatimin e kësaj përgjegjësie, Komisioni aplikon përvojat
e krijuara për përzgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve tjerë të gjyqësorit në Republikën e Kosovës.

9. Komisioni zhvillon intervistë me secilin kandidat i cili plotëson kushtet për tu zgjedhur gjyqtar i Gjykatës
Kushtetuese dhe në bazë të të dhënave të paraqitura dhe rezultateve të intervistës, përgatitë listën e
ngushtë të kandidateve të kualifikuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

10. Lista e ngushtë përmban më shumë kandidatë sesa numri i gjyqtarëve të cilët do të zgjedhën, por jo
më tepër se pesë (5) kandidatë për një post të lirë.

11. Komisioni, bashkangjitur me listën e ngushtë, i dërgon Kuvendit të Republikës së Kosovës listën e të
gjithë kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

12. Propozimi i Komisioni përmban arsyetim përse Komisioni ju ka dhënë përparësi disa kandidatëve në
krahasim me kandidatët tjerë.


Neni 7
Emërimi dhe fillimi i mandatit

4

1. Procedura për emërimin e gjyqtarit të ri, sipas këtij ligji, fillon të paktën tre (3) muaj para përfundimit të
mandatit të rregullt të gjyqtarit paraprak.

2. Mandati i gjyqtarit të ri fillon në ditën kur përfundon mandati i gjyqtarit paraprak. Gjyqtari i ri emërohet
nga Presidenti dhe e jep betimin para Presidentit para fillimit të mandatit të tij. Në rast se mandati i
gjyqtarit përfundon sipas nenit 8 të këtij ligji mandati i gjyqtarit zëvendësues fillon në ditën kur emërohen
nga Presidenti dhe japin betimin para Presidentit.


3. Përjashtimisht prej paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni, mandati i gjyqtarëve të parë të Gjykatës
Kushtetuese fillon në ditën kur emërohen nga Presidenti dhe japin betimin para Presidentit.

4. Teksti i betimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është si vijon:

“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së
Kosovës do t'i qëndroj besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe do të ushtroj funksionin e
gjyqtarit me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke e respektuar rregullat e etikës profesionale.”


Neni 8
Përfundimi i mandatit

1. Mandati i Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përfundon me:

1.1. skadimin e kohës së rregullt për të cilën është zgjedhur;

1.2. ndërprerjen e mandatit para kohe sipas nenit 9 te këtij ligji.

2. Gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas pikës 1.1. të
paragrafit 1 të këtij neni, Kryetari i Gjykatës njofton Kuvendin e Republikës së Kosovës me qëllim që të
filloj procedurën për propozimin e gjyqtarit të ri.


Neni 9
Përfundimi i mandatit para kohës

1. Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese i pushon mandati para skadimit të kohës së rregullt për të cilën është
zgjedhur në rast të:

1.1. dorëheqjes;

1.2. vdekjes;

1.3. humbjes së përhershme të aftësisë së veprimit të konstatuar nga gjykata kompetente;

1.4. sëmundjes apo problemeve të tjera shëndetësore, të cilat e bëjnë të pamundur ushtrimin e
funksionit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese;

1.5. shkarkimit sipas nenit 118 të Kushtetutës.

2. Përfundimi i mandatit sipas pikës 1.4. të paragrafit 1 të këtij neni duhet të bazohet në vendimin e marrë
nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese pas shqyrtimit të të gjitha analizave dhe konstatimeve relevante
mjekësore. Miratimi i vendimi sipas nenit në fjalë kërkon 2/3 e shumicës së gjyqtarëve të Gjykatës
Kushtetuese, me përjashtim të gjyqtarit mandati i të cilit është nën shqyrtim.


Neni 10
Detyrat e gjyqtarëve

5
1. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë për detyrë të ushtrojnë me ndërgjegje dhe në mënyrë të
paanshme funksionin e gjyqtarit dhe të vendosin sipas bindjes së lirë në pajtim me Kushtetutën.

2. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë për detyrë të ruajnë reputacionin dhe dinjitetin e Gjykatës
Kushtetuese.

3. Secili gjyqtar ka për detyrë të marrë pjesë në punën dhe procesin e vendimmarrjes së Gjykatës, si dhe
të kryej punët tjera të caktuara me ligj dhe me rregulloren e punës.

Neni 11
Kryetari dhe Zëvendës Kryetari

1. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese:

1.1. koordinon aktivitetet e Gjykatës Kushtetuese dhe punën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese;

1.2. thërret dhe drejton seancat verbale të Gjykatës Kushtetuese;

1.3. përfaqëson Gjykatën Kushtetuese;

1.4. nënshkruan aktet e Gjykatës Kushtetuese;

1.5. kryen detyra të tjera të përcaktuara me këtë ligj ose me rregulloren e punës së Gjykatës
Kushtetuese.

2. Zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese ushtron detyrat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kur ky i
fundit mungon ose për çfarëdo arsye tjetër nuk është në gjendje të ushtrojë detyrat e tij. Kryetari i
Gjykatës Kushtetuese mund t’ia delegojë Zëvendëskryetarit disa detyra të caktuara për të mbështetur
Kryetarin në ushtrimin e detyrave të tij.


3. Administrimi i Gjykatës Kushtetuese

Neni 12
Sekretaria

1. Gjykata Kushtetuese ka Sekretarinë e vet e cila kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës
Kushtetuese.

2. Sekretaria kryen punët administrative dhe ka për detyrë të mbështesë punën e Gjykatës Kushtetuese.
Sekretaria:

2.1. pranon dhe dërgon të gjitha shkresat dhe komunikimet tjera zyrtare;

2.2. mban regjistrin e Gjykatës;

2.3. siguron incizimet e përcaktuara me ligj;

2.4. përgatitë transkriptet dhe procesverbalet;

2.5. kryen punët e informimit publik dhe përgjigjet në kërkesa për informata lidhur me punën e
Gjykatës Kushtetuese;

2.6. mban vulën e Gjykatës Kushtetuese; dhe

2.7. kryen punët tjera të përcaktuara me ligj dhe me rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese.

3. Organizimi dhe mënyra e punës së Sekretarisë rregullohen me rregulloren e punës së Gjykatës
Kushtetuese.

6
4. Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për organizimin dhe drejtimin e Sekretarisë. Sekretari
përzgjidhet dhe emërohet nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese me shumicë të votave. Hollësitë lidhur
me përzgjedhjen, emërimin, kushtet e punës dhe pagën e Sekretarit të Përgjithshëm përcaktohen në
rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese. Sekretari i Përgjithshëm i raporton Kryetarit të Gjykatës
Kushtetuese dhe për punën e tij i’u përgjigjet të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

5. Sekretari i Përgjithshëm emëron dhe shkarkon të punësuarit e Sekretarisë në pajtim me ligjin në fuqi
për shërbimin civil. Ndaj të punësuarve të Sekretarisë zbatohen dispozitat ligjore për shërbyesit civil.


Neni 13
Këshilltarët Juridik

Këshilltarët juridik mbështesin punën profesionale të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kushtet për
emërimin, shkarkimin, dhe statusin e këshilltarëve juridik caktohen me rregulloren e punës së Gjykatës
Kushtetuese. Pagat e këshilltarëve juridik caktohen në pajtim me legjislacionin në fuqi.


Neni 14
Buxheti

1. Gjykata Kushtetuese financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës.

2. Pavarësisht nga dispozitat e ligjeve tjera, Gjykata Kushtetuese përgatit propozimin e buxhetit të saj
vjetor dhe i’a dërgon propozimin e tillë për miratim Kuvendit të Republikës së Kosovës. As Qeveria apo
ndonjë organizatë tjetër buxhetore nuk ka të drejtë të ndryshojë ose në çfarëdo mënyre tjetër të
modifikojë ose të ndikojë në propozimin e buxhetit të përgatitur nga Gjykata Kushtetuese. Buxheti i
propozuar nga Gjykata Kushtetuese përfshihet në tërësi në propozimin për Buxhetin e Konsoliduar të
Republikës së Kosovës që i paraqitet Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratim.

3. Gjykata Kushtetuese menaxhon në mënyrë të pavarur buxhetin e saj dhe i nënshtrohet auditimit të
brendshëm dhe si dhe auditimit të jashtëm nga Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës.



Neni 15
Pagat e Gjyqtareve

Paga e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 1.3 herë sa ajo e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të
Republikës së Kosovës.


KREU II

PROCEDURA

1. Dispozitat e përgjithshme procedurale

Neni 16
Rregulli i përgjithshëm

1. Dispozitat e kësaj pjese zbatohen ndaj të gjitha procedurave gjyqësore para Gjykatës Kushtetuese,
përveç nëse përcaktohet ndryshe me këtë ligj.

2. Në rast të mungesës së dispozitave procedurale, Gjykata zbaton në mënyrë të arsyeshme dhe
analoge dispozitat përkatëse të ligjeve tjera procedurale duke marrë parasysh natyrën e çështjes, si dhe
veçoritë e procedurës para Gjykatës Kushtetuese.


Neni 17
7
Parimi i Publicitetit

1. Seancat, përfshirë edhe shpallja e aktgjykimeve janë të hapura për publikun.

2. Gjykata Kushtetuese mund të vendosë të përjashtojë publikun kur vlerëson që është e nevojshme për
ruajtjen e:

2.1. sekretit shtetëror, rendit ose moralit publik;

2.2. informacionit të fshehtë i cili do të rrezikohej nga shqyrtimi publik;

2.3. jetës private ose sekretit afarist të palës në procedurë.

3. Procedura për përjashtimi e publikut nga paragrafi 2 mund të iniciohet me kërkesën e palës.

4. Gjatë procesit të këshillimit dhe votimit në kuadër të marrjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese,
marrin pjesë vetëm gjyqtarët.

Neni 18
Përjashtimi i gjyqtarit

1. Gjyqtari përjashtohet nga pjesëmarrja në procedurë sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës kur
gjyqtari,

1.1. është i përfshirë në çështjen e cila është objekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese;

1.2. është në lidhje martesore ose jashtëmartesorë ose në lidhje familjare më një palë në
procedurë, në pajtim me ligjin në fuqi; ose

1.3. sipas detyrës zyrtare është marrë më herët me çështjen para se ajo t’i jetë referuar Gjykatës
Kushtetuese.

2. Gjykatësi nuk është i përfshirë në çështje në kuptimin e paragrafit 1, pika 1.1. vetëm pse i takon një
grupi shoqëror ose gjinor, një profesioni ose një partie politike interesat e së cilës mund të preken nga
rezultati i procesit para Gjykatës Kushtetuese.

3. Paragrafi 1, pika 1.3. nuk përfshin pjesëmarrjen në procedurë legjislative si dhe shprehjen e mendimit
profesional ose akademik për një çështje juridike, e cila mund të jetë me rëndësi për procesin para
Gjykatës Kushtetuese.

4. Vendimi për përjashtimin e gjyqtarit duhet të jetë i arsyetuar.

5. Gjyqtari i cili ka njohuri se plotëson të paktën njërin prej kushteve për përjashtim nga procedura, ka për
detyrë ta njoftojë me shkrim Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë përjashtimin e tij/saj nga
procedura. Në këtë rast, paragrafët 3 dhe 4 zbatohen përshtatshmërish.


Neni 19
Marrja e vendimeve

1. Gjykata Kushtetuese vendos si trup gjykues i përbërë prej të gjithë gjyqtarëve të pranishëm të
Gjykatës Kushtetuese.

2. Gjykata Kushtetuese ka kuorum nëse janë të pranishëm shtatë (7) gjyqtarë.

3. Gjykata Kushtetuese merr vendime me shumicën e votave të gjyqtarëve që janë të pranishëm dhe që
votojnë.

4. Secili gjyqtar është i obliguar për të votuar për ose kundër vendimit.

8




Neni 20
Vendimet

1. Gjykata Kushtetuese vendosë mbi çështjen pas mbarimit të seancës së shqyrtimit verbal. Palët kanë të
drejtë të heqin dorë nga shqyrtimi verbal.

2. Pavarësisht nga paragrafi 1 i këtij neni, sipas vlerësimit të saj, gjykata mund të vendosë mbi çështjen
që është objekt shqyrtimi kushtetues mbi bazën e shkresave të lëndës.

3. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë në formë të shkruar, të arsyetuara dhe nënshkruara,
nga kryetari i gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtari raportues. Përfundimet e arritura nga shumica e
gjyqtareve përcaktojnë vendimin e gjykatës. Vendimet shpallen publikisht.

4. Vendimi i dërgohet secilës palë sipas detyrës zyrtare dhe shpallet në Gazetën Zyrtare.

5. Vendimi hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, përveç nëse Gjykata Kushtetuese në
vendim ka caktuar ndryshe.


Neni 21
Përfaqësimi

Palët gjatë procesit para Gjykatës Kushtetuese përfaqësohen vet ose nga një përfaqësues i autorizuar
nga pala.


Neni 22
Procedimi i kërkesës

1. Fillimi i procedurës para Gjykatës Kushtetuese bëhet përmes paraqitjes së kërkesës në gjykatë.
Kërkesat dorëzohen me shkrim në Sekretarinë e Gjykatës Kushtetuese. Sekretaria regjistron menjëherë
të gjitha kërkesat në regjistrin e Gjykatës Kushtetuese sipas radhës në të cilën janë parashtruar. Kërkesat
duhet të jenë të arsyetuara dhe atyre duhet të ju bashkëngjiten provat e nevojshme.

2. Sekretaria ia dërgon nga një kopje të kërkesës palës kundërshtare dhe palës (palëve) apo
pjesëmarrësve të tjerë në procedurë. Pala kundërshtare ka dyzet e pesë (45) ditë nga pranimi i kërkesës
për të dorëzuar në Sekretari përgjigjen e saj në kërkesë së bashku me arsyetimin dhe provat e
nevojshme.

3. Sekretari ia dërgon kërkesën dhe përgjigjen në kërkesë gjyqtarit raportues i cili përgatit raportin
paraprak lidhur me faktet, lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës. Gjyqtari raportues caktohet nga
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese sipas procedurës së përcaktuar në rregulloren e punës së Gjykatës
Kushtetuese.

4. Nëse kërkesa ose përgjigja në kërkesë nuk është e qartë ose e kompletuar, gjyqtari raportues njofton
palët apo pjesëmarrësit përkatës për këtë dhe ia cakton një afat prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15)
ditëve për të qartësuar ose plotësuar kërkesën, përkatësisht përgjigjen në kërkesë. Gjyqtari raportues ka
të drejtë të kërkojë prova shtesë, nëse kjo është e nevojshme për të vlerësuar lejueshmërinë dhe
themelësinë e kërkesës.

5. Brenda tridhjetë (30) ditëve nga pranimi i kërkesës dhe përgjigjes në kërkesë gjyqtari raportues ia
dërgon kolegjit shqyrtues raportin paraprak. Në rast se përgjigja në kërkesë nuk dorëzohet brenda afatit
të paraparë ose sipas natyrës së procedurës së veçantë nuk kërkohet një përgjigje në kërkesë, gjyqtari
raportues përgatit raportin paraprak vetëm në bazë të kërkesës.

9
6. Kolegji shqyrtues vlerëson lejueshmërinë e kërkesës. Kolegji shqyrtues përbëhet nga tre gjyqtarë të
caktuar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese sipas procedurës së përcaktuar në rregulloren e punës.

7. Nëse kolegji shqyrtues unanimisht vjen në përfundim se kërkesa nuk i plotëson kushtet formale për
procedim të mëtutjeshëm dhe për këtë shkak nuk është e lejueshme, kolegji ia dërgon të gjithë gjyqtarëve
propozim-vendimin me të cilin hidhet poshtë kërkesa për shkak të mungesës së lejueshmërisë. Kolegji
shqyrtues merr të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të siguroj se kopja e propozim-vendimit u
është dërguar gjyqtarëve që mund të mos jenë në territorin e Republikës së Kosovës.

8. Nëse brenda afatit prej dhjetë (10) ditëve prej pranimit të propozim-vendimit gjyqtarët që nuk kanë
qenë anëtarë të kolegjit shqyrtues nuk kundërshtojnë këtë propozim-vendim, atëherë Kryetari i Gjykatës
Kushtetuese e nënshkruan dhe e shpall vendimin me të cilin hidhet poshtë kërkesa për shkak të
mungesës së lejueshmërisë.

9. Në rast se kolegji shqyrtues vjen në përfundim se kërkesa është e lejueshme apo nëse të paktën njëri
prej gjyqtarëve që nuk ka qenë anëtar i kolegjit shqyrtues kundërshton propozim-vendimin me të cilin
hidhet poshtë kërkesa, lënda i dërgohet trupit gjykues. Trupi gjykues gjatë shqyrtimit verbal shqyrton në
tërësi lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës dhe merr vendim sipas dispozitave të këtij ligji.

Neni 23
Tërheqja e palës

Gjykata Kushtetuese do të vendosë për çështjet që i’u janë referuar në mënyrë ligjore nga ana e palëve
të autorizuara pavarësisht tërheqjes së palës nga procedura.

Neni 24
Shqyrtimi verbal

Shqyrtimi verbal kryesohet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Procedura e shqyrtimit verbal
përcaktohet në rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese.


Neni 25
Provat

Procedura e administrimit dhe shqyrtimit të provave përcaktohet në rregulloren e punës së Gjykatës
Kushtetuese.


Neni 26
Bashkëpunimi me organet tjera publike

Të gjitha gjykatat dhe organet publike të Republikës së Kosovës kanë për detyrë të mbështesin punën e
Gjykatës Kushtetuese dhe të bashkëpunojnë me Gjykatën Kushtetuese sipas kërkesës së saj.


Neni 27
Masat e përkohshme

1. Gjykata Kushtetuese sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës mund të vendos përkohësisht
masa te përkohshme ndaj një çështjeje që është objekt i procedurës, nëse këto masa janë të nevojshme
për të evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme
është në interes publik.

2. Kohëzgjatja e masave të përkohshme duhet të jetë e arsyeshme dhe proporcionale.


Neni 28
Shpenzimet e procedurës

10
1. Palët i bartin shpenzimet e tyre të procedurës, përveç nëse Gjykata Kushtetuese vendos ndryshe.

2. Pala e cila ka ngritur kërkesë sipas nenit 113, pika 7 të Kushtetutës lirohet nga detyrimi për mbulimin e
shpenzimeve të procedurës nëse Gjykata Kushtetuese vendos se kërkesa në fjalë është e lejueshme dhe
e bazuar.


KREU III

PROCEDURAT E VEÇANTA

1. Procedura në rastet e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 2 (1) dhe (2) të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës

Neni 29
Saktësimi i kërkesës

1. Kërkesa e ngritura në pajtim me nenin 113 paragrafi 2 të Kushtetutës do të parashtrohen nga një e
katërta (1/4) e deputetëve të Kuvendit të Republikës se Kosovës, nga Presidenti i Republikës se Kosovës
, Qeveria ose nga ana e Avokatit të Popullit.

2. Kërkesa e ngritur kundër aktit të kontestuar sipas nenit 113 paragrafi 2 të Kushtetutës duhet të
specifikoje, inter alia, nëse i tërë akti i kontestuar apo pjesë të veçanta të këtij akti konsiderohen të jenë
në kundërshtim me Kushtetutën.

3. Kërkesa do të specifikoj kundërshtimet e ngritura kundër kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar.


Neni 30
Afatet

Kërkesa e ngritur ne pajtim me nenin 29 te këtij ligji duhet të parashtrohet brenda afatit prej gjashtë (6)
muajve pas hyrjes në fuqi të aktit te kontestuar.

2. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 3 (1) të Kushtetutës

Neni 31
Saktësimi i kërkesës

Kërkesa e ngritur sipas nenit 113, paragrafi 3 (1) të Kushtetutës parashtrohet nga cilado palë e autorizuar
në konflikt ose nga cilado palë e autorizuar dhe qe cenohet drejtpërdrejtë nga i njëjti konflikt. Kërkesa
përmban çfarëdo informate te dobishme ne lidhje me konfliktin e supozuar ne pajtueshmëri me rregullat e
procedurës së Gjykatës Kushtetuese.

Neni 32
Afatet

Kërkesa e ngritur në bazë te nenit 31 te këtij ligji parashtrohet brenda afatit prej gjashtë (6) muajve nga
çasti i lindjes së konfliktit.


3. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 3 (2) të Kushtetutës


Neni 33
Saktësimi i Kërkesës

Kërkesa e ngritur në bazë te nenit 113, paragrafi 3, pika 2 te Kushtetutës parashtrohet nga Kuvendi i
Republikës se Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës ose nga Qeveria. Kërkesa përmban çfarëdo
11
informate te nevojshme në lidhje papajtueshmërinë e supozuar me Kushtetutën dhe referendumin e
propozuar ashtu siç përcaktohet me rregullat e procedurës se Gjykatës Kushtetuese.


Neni 34
Afati

1. Gjykata Kushtetuese vendos për kushtetushmërinë e referendumit të propozuar brenda tridhjetë (30)
ditësh pas pranimit të kërkesës.

2. Referendumi, i cili është objekt it kërkesës se ngritur në bazë te nenit 33 të këtij ligji mbahet vetëm pasi
që Gjykata Kushtetuese vendos se referendumi i propozuar është në pajtim me kushtetutën.


4. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 3 (3) të Kushtetutës


Neni 35
Afati

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i marrë ne pajtim me Nenin 113, paragrafi 3 , pika 3 te Kushtetutës,
mund te merret në afat prej njëzetekatër (24) orësh nga hyrja ne fuqi e vendimit te lartpërmendur.

5. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 3 (4) të Kushtetutës


Neni 36
Efekti suspensiv

Ngritja e kërkesës sipas nenit 113, paragrafi 3, pika 4 të Kushtetutës ka efekt pezullues. Kuvendi i
Republikës se Kosovës vepron në bazë të ndryshimit te kontestuar vetëm pasi është marrë vendimi i
Gjykatës Kushtetuese.

Neni 37
Afati

Gjykata Kushtetuese vendos mbi kërkesën e ngritur nga palët e autorizuara sipas nenit 113, paragrafi 3
(4) të Kushtetutës brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të kërkesës.

6. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 3 (5) të Kushtetutës

Neni 38
Saktësimi i kërkesës

1. Në kërkesën e ngritur në pajtim me nenin 113, paragrafi 3 (5) të Kushtetutës, ndër të tjera, paraqiten
informatat e mëposhtme:

1.1. përshkrimin e fakteve për shkeljen e pretenduar(supozuar);

1.2. dispozitat konkrete të Kushtetutës për të cilat pretendohet se janë shkelur; dhe

1.3. paraqitjen e provave mbi të cila mbështetet pretendimi për shkeljen kushtetuese.


Neni 39
Afatet

Kërkesa duhet të parashtrohet brenda afatit prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e shterjes së mjeteve tjera
juridike.

12






7. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 4 të Kushtetutës


Neni 40
Saktësimi i kërkesës

Në kërkesën e ngritur në pajtim me nenin 113, paragrafi 4 të Kushtetutës, komuna paraqet, ndër të tjera,
informatat përkatëse në lidhje me ligjin apo aktin e kontestuar të Qeverisë, cila dispozitë e Kushtetutës
supozohet se është shkelur dhe cilat përgjegjësi apo të hyra komunale janë prekur nga një ligj apo akt i
tillë.


Neni 41
Afatet

Kërkesa duhet të dorëzohet brenda një (1) viti pas hyrjes në fuqi të dispozitës ligjore apo aktit të qeverisë
që kontestohet nga ana e komunës.

8. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 5 të Kushtetutës

Neni 42
Saktësimi i kërkesës

1. Në kërkesën e ngritur në pajtim me nenin 113, paragrafi 6 të Kushtetutës, ndër të tjera, paraqiten
informatat e mëposhtme:

1.1. emrat dhe nënshkrimet e të gjithë deputetëve të Kuvendit që kontestojnë kushtetushmërinë e
ligjit apo vendimit të nxjerrë nga ana e Kuvendit te Republikës së Kosovës;

1.2. dispozitat e Kushtetutës apo të ndonjë akti apo ligji që ka të bëjë me këtë kërkesë; dhe

1.3. paraqitjen e provave mbi të cila mbështetet kontesti.


Neni 43
Afati

1. Një ligj apo vendim i miratuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës i dërgohet Presidentit të
Republikës së Kosovës për shpallje pas mbarimit të afatit të përcaktuar në pajtim me nenin 113, paragrafi
5 i Kushtetutës.

2. Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit te Republikës se Kosovës kontestohet sipas
nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, ligji apo vendim i tillë mund ti dërgohet Presidentit të Republikës së
Kosovës për shpallje në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese
për rastin e kontestuar.

3. Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i
Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese duhet të nxjerrë vendim mbi kontestin jo më vonë se gjashtëdhjetë (60)
ditë pas dorëzimit të kërkesës.



9. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 6 të Kushtetutës

13

Neni 44
Saktësimi i kërkesës

1. Në kërkesën e ngritur në pajtim me nenin 113, paragrafi 6 të Kushtetutës, ndër të tjera, paraqiten
informatat e mëposhtme:

1.1. përshkrimin e fakteve për shkeljen e pretenduar(supozuar);

1.2. dispozitat konkrete të Kushtetutës për të cilat pretendohet se i ka shkelur Presidenti; dhe

1.3 paraqitjen e provave mbi të cila mbështetet pretendimi për shkeljen e rëndë të Kushtetutës nga
Presidenti i Republikës.


Neni 45
Afatet

Kërkesa duhet të parashtrohet brenda afatit prej tridhjetë (30) ditëve që nga dita kur shkelja e pretenduar
kushtetuese nga ana e Presidentit është bërë publike.

10. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 7 të Kushtetutës

Neni 46
Lejueshmëria

Gjykata Kushtetuese pranon dhe procedon kërkesën e ngritur sipas nenit 113, paragrafi 7 të Kushtetutës,
nëse konstaton se janë plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara ligjore.

Neni 47
Kërkesa individuale

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të
drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të
përcaktuara me ligj.

Neni 48
Saktësimi i kërkesës

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri
pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta
kontestoj.


Neni 49
Afatet

Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i
është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti
është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga
dita kur ligji ka hyrë në fuqi.


Neni 50
Kthimi në gjendjen e mëparshme

Nëse parashtruesi pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të
përcaktuar, Gjykata Kushtetuese ka për detyrë që në bazë të kërkesës së parashtruesit ta kthejë atë në
gjendjen e mëparshme. Parashtruesi ka për detyrë të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e
14
mëparshme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve që nga mënjanimi i pengesës dhe të arsyetojë kërkesën
në fjalë. Kthimi në gjendjen e mëparshme nuk lejohet nëse ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur
ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë ligj.

11. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 8 të Kushtetutës

Neni 51
Saktësimi i kërkesës

1. Kërkesa e ngritura në pajtim me nenin 113, paragrafi 8 të Kushtetutës do të parashtrohet nga gjykata
vetëm nëse ligji i kontestuar duhet zbatohet drejtpërsëdrejti në çështjen që është pjesë e lëndës në
shqyrtim dhe vetëm nëse ligjshmëria e ligjit të kontestuar është parakusht për marrjen e vendimit nga ana
e gjykatës.

2. Kërkesa do të specifikoj cilat dispozita të ligjit konsiderohen në kundërshtim me Kushtetutën.


Nenin 52
Procedura para gjykatës

Pas ngritjes së kërkesës në pajtim me nenin 113, paragrafi 8 të Kushtetutës, procedura para gjykatës
referuese do të suspendohet deri në nxjerrjen e një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese.


Neni 53
Vendimi

Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për pajtueshmërinë e dispozitës ligjore me Kushtetutën dhe nuk
vendos për çështje të tjera faktike ose juridike që kanë të bëjnë me kontestin para gjykatës referuese.


12. Procedura në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 9 të Kushtetutës së Kosovës


Neni 54
Afati

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas mundësisë, duhet të merret brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve pas
pranimit të kërkesës.

KREU IV

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 55
Përbërja e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese

1. Për periudhën e përcaktuar në nenin 152 të Kushtetutës, përbërja e Gjykatës kushtetuese do të jetë
sikurse është përcaktuar në atë nen.

2. Asgjë në këtë ligj, përfshirë dispozitat të cilat rregullojnë kriteret për përshtatshmëri, kualifikime
profesionale dhe kompensim për gjyqtarët, nuk aplikohen për të penguar apo ndryshe kufizuar
kompetencat dhe përgjegjësitë e autoriteteve kompetente për emërimin e gjyqtarëve ndërkombëtar, të
përcaktuar në Kushtetutën dhe Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Republikës së
Kosovës, të datës 26 mars 2007. Këto përgjegjësi dhe kompetenca ushtrohen në pajtim me instrumentet
e aplikueshme pavarësisht ndonjë dispozite të këtij ligji.


Neni 56
Rastet Paraprake
15

Afatet e përcaktuara në këtë ligj për fillimin e një procedure për çështjet për të cilat është kompetente
Gjykata Kushtetuese dhe të cilat janë ngritur para hyrjes në fuqi të këtij ligji fillojnë të llogariten në ditën e
hyrjes në fuqi të këtij ligji.


Neni 57
Sekretaria e Përkohshme e Gjykatës Kushtetuese

Themelohet sekretaria e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese. Sekretaria e përkohshme e Gjykatës
Kushtetuese do të vepron deri në kohën kur Sekretaria e Gjykatës Kushtetuese e përcaktuar ne nenin 12
të këtij ligji te jetë funksionale. Sekretaria e përkohshme kryen detyrat ne pajtim me mjetet e aplikueshme
deri ne kohën kur Sekretari i Përgjithshëm, i emëruar në pajtim me nenin 12 te këtij ligji vendos qe
Sekretariati te jetë funksional.


Neni 58
Hyrja ne Fuqi

Ky ligj hyn ne fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ligji Nr. 03/ L-121
16 Dhjetor 2008

Shpallur me dekretin Nr. DL-070-2008, datë 30.12.2008 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu