LIGJI NR.03/L-069 PËR AKREDITIM

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI IV / Nr. 45 / 12 JANAR 2009

LIGJI Nr. 03/L-069


PËR AKREDITIM


Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

Me qëllim të rregullimit, të themelimit dhe të funksionimit të organit, që i kryen punët e shërbimit të
akreditimit në Kosovë, të përcaktimit të fushave të akreditimit dhe të rolit të akreditimit në procedurat e
vlerësimit të konformitetit, në pajtim me standardet dhe me rregullat teknike ndërkombëtare,

Miraton

LIGJ PËR AKREDITIM

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Me këtë ligj themelohet Drejtoria e Akreditimit, si dhe përcaktohen rregullat e funksionimit të sistemit të
akreditimit të organit kompetent për vlerësim të konformitetit.

Neni 2
Përkufizimet

Në këtë ligj termat e mëposhtme nënkuptojnë si vijon:

“Akreditim” nënkupton procedurën e njohjes zyrtare, të kompetencës së një organi për vlerësimin e
konformitetit në përputhje me standardet dhe me rregullat teknike për të kryer detyra, si: testim, kalibrim,
certifikim ose inspektim.

“Ankesë” nënkupton shprehjen e pakënaqësisë me shkrim (e ndryshme nga apelimi) e ngritur nga një
person ose organizatë ndaj Drejtorisë së Akreditimit, ose ndaj organit për vlerësim të konformitetit.

“Apelim” nënkupton kërkesën e organit për vlerësim të konformitetit drejtuar Drejtorisë së Akreditimit
për rishikimin e vendimit të akreditimit të tij.

“Certifikatë akreditimi” nënkupton një dokument ose një tërësi dokumentesh zyrtare që e deklaron
akreditimin për një fushë të caktuar.

“ Certifikim” nënkupton veprimtarinë e një pale të tretë që e provon konformitetin me kërkesat e
përcaktuara për produktet, për proceset, për sistemet ose për personat.

“Emblema e akreditimit” nënkupton emblemën e miratuar nga Drejtoria e Akreditimit që përdoret nga
organi për vlerësim të konformitetit për të treguar se është i akredituar.

“Inspektim” nënkupton aktivitetin për vlerësimin e projektit të një produkti, të një procesi ose
përcaktimin e konformitetit të tij me kërkesat specifike ose në bazë të gjykimit profesional me kërkesat e
përgjithshme.

“Kalibrim” nënkupton veprimin që e vendos lidhjen që ekziston në kushte të përcaktuara dhe që merret
duke iu referuar një ose më shumë standardeve të matjes ndërmjet treguesve të një sistemi matës dhe
2
rezultatit të matjes, që përftohet duke e përdorur sistemin e matjes.

“Krahasimet ndërlaboratorike” nënkupton organizimin, kryerjen dhe vlerësimin e testimeve ose të
kalibrimeve të një mostre kalibrimi ose testimi të njëjtë ose të ngjashëm, nga dy ose më shumë
laboratorë, në kushte të caktuara.

“Kompetencë” nënkupton atributin personal dhe aftësinë e provuar për t’i zbatuar njohuritë dhe
mjeshtëritë.

“MTI” nënkupton Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë

“Mbikëqyrje” nënkupton tërësinë e veprimeve (me përjashtim të rivlerësimit) për ta kontrolluar
plotësimin e vazhdueshëm të kërkesave të akreditimit nga organi i vlerësimit të konformitetit.

“Organ i vlerësimit të konformitetit” nënkupton organin që kryen shërbime të vlerësimit të
konformitetit.

“Drejtoria Akredituese” nënkupton organin e ngarkuar me ligj që e udhëheq sistemim e akreditimit dhe
e vlerëson procedurën e akreditimit.

“Palë e tretë” nënkupton një individ ose organ të pavarur që ofron shërbime të caktuara për organin e
vlerësimit të konformitetit sipas marrëveshjes.

“Pezullim i akreditimit” nënkupton procesin e deklarimit të pavlefshmërisë së përkohshme të
akreditimit për një pjesë ose për gjithë fushën e tij.

“Reduktim i akreditimit” nënkupton procesin e tërheqjes së akreditimit për një pjesë të fushës së tij.

“Testim” nënkupton përcaktimin e një ose më shumë karakteristikave të një objekti të vlerësimit të
konformitetit sipas një procedure.

“Teste të zotësisë” nënkupton përcaktimin e aftësisë kalibruese ose testuese të një laboratori, ose të
aftësisë testuese të një organi inspektues me anë të krahasimeve ndërlaboratorike.

“Tërheqje e akreditimit” nënkupton procesin e ndalimit të vlefshmërisë së akreditimit për gjithë fushën
e tij.

“Vlerësim konformiteti” nënkupton veprimtarinë që provon se janë plotësuar kërkesat e përcaktuara
për një produkt, për një proces, për një sistem, për një person ose për një organ.

“Zgjerim i akreditimit” nënkupton procesin e shtimit të numrit të shërbimeve të akredituara ose të
fushës së akreditimit.


Neni 3
Parimet e akreditimit

1. Akreditimi është vullnetar dhe bazohet në parimet si vijon:

1.1. paanshmëria;

1.2. transparenca;

1.3. kompetenca profesionale;

1.4. ruajtja e konfidencialitetit;

1.5. përputhshmëria me rregullat dhe me procedurat e akreditimit në Evropë dhe në nivel
ndërkombëtar.

3

KREU II

ORGANIZIMI


Neni 4
Drejtoria e Akreditimit

1. Në kuadër të MTI-së themelohet Drejtoria e Akreditimit, i vetmi subjekt kombëtar i pavarur akreditues
në Kosovë, për akreditimin e organit të vlerësim të konformitetit.

2. Drejtoria e Akreditimit e ka emblemën e vet që mbrohet me ligj.

3. Në kuadër të Drejtorisë së Akreditimit formohet Këshilli i Akreditimit që i përfaqëson interesat e palëve
në fushën e akreditimit.

4. Ministri i MTI-së nxjerr akte nënligjore për organizimin dhe për funksionimin e Drejtorisë së
Akreditimit.


Neni 5
Statusi

1. Drejtorinë e Akreditimit e udhëheq drejtori, që është nëpunës civil.

2. Drejtoria ka kompetencë dhe përgjegjësi për nxjerrjen e vendimit për akreditim.


Neni 6
Fushëveprimtaria e akreditimit

1. Fushëveprimtaritë e akreditimit janë :

1.1. akreditimi i laboratorëve testues dhe kalibrues;

1.2. akreditimi i organit certifikues të sistemeve të menaxhimit;

1.3. akreditimi i organit certifikues të personelit;

1.4. akreditimi i organit certifikues të produkteve;

1.5. akreditimi i organit certifikues të mbrojtjes së ambientit;

1.6. akreditimi i organit inspektues.


Neni 7
Detyrat e Drejtorisë së Akreditimit

1. Drejtoria e Akreditimit, veç tjerash, i ka edhe këto detyra:

1.1. ofron ekspertizë për institucionet shtetërore në çështjet që lidhen me akreditimin dhe
vlerësime të tjera të kompetencës teknike, për kryerjen e procedurave të vlerësimit të
konformitetit me standardet dhe rregullat teknike;

1.2. mban evidencë dhe jep informata për statusin e akreditimit të organeve të akredituar;
Bashkëpunon me Agjencinë për Standardizim të Kosovës, me Departamentin e Metrologjisë, me
ministritë përkatëse dhe me shoqatat e interesuara për çështjet e akreditimit;

4
1.3. kryen trajnime për fushën e akreditimit;

1.4. kryen veprimtari në fushën e krahasimeve ndër laboratorike dhe të testeve të zotësisë;

1.5. merr të dhëna nga organet akredituese të vendeve të tjera për organin e akredituar prej
tyre, të cilët kryejnë veprimtari në Kosovë;

1.6. vendos gjoba subjekteve të pa akredituara, apo të cilave u ka mbaruar akreditimi, në rastet
kur ato përdorin emblemën e akreditimit;

1.7. shqyrton ankesat dhe apelimet për akreditimin, të dërguara në Drejtorinë e Akreditimit;

1.8. bashkëpunon me organet ndërkombëtar të akreditimit për arritjen e marrëveshjeve të
njohjes së ndërsjellë, dypalëshe rajonale ose ndërkombëtare.

1.9. e përfaqëson Republikën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të akreditimit.


KREU III

BAZAT, PROCEDURAT DHE TARIFAT E AKREDITIMIT

Neni 8
Baza ligjore

Veprimtaria e akreditimit në Kosovë bazohet në këtë ligj dhe në standardet e BE-së ose në standardet
ndërkombëtare të akreditimit.

Neni 9
Procedurat e akreditimit

1. Procedurat e akreditimit bazohen në këtë ligj, në standardet dhe në dokumentet e organizatave
ndërkombëtare të akreditimit.

2. Akreditimi bëhet në bazë të kërkesës së personit juridik ose të personit fizik.

3. Të drejtat dhe obligimet ndërmjet personit juridik ose personit fizik dhe Drejtorisë së Akreditimit
rregullohen me këtë ligj dhe me aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

4. Kur Drejtoria e Akreditimit vlerëson se personi juridik ose personi fizik i plotëson kërkesat sipas
standardeve dhe dokumenteve të tjera, e lëshon certifikatën e akreditimit që nënshkruhet nga drejtori i
Drejtorisë së Akreditimit.

5. Akreditimi që është dhënë e ka afatin katër vjet. Vazhdimi i akreditimit, pas kalimit të afatit, është
proces i njëjtë me procedurat e akreditimit të parë. Organi i akredituar obligohet t’i plotësojë në
vazhdimësi kërkesat e procedurave të akreditimit.

6. Subjekti i akredituar duhet ta sigurojë në vazhdimësi plotësimin e kritereve të akreditimit. Ai duhet ta
njoftojë brenda një muaji Drejtorinë e Akreditimit për çdo ndryshim të rëndësishëm, që mund ta cenojë
plotësimin e kritereve të akreditimit.

7. Drejtoria e Akreditimit i mbikëqyr organet e akreditimit nëpërmjet kontrolleve periodike të vlerësimit e
të zbatimit të kritereve të akreditimit.

8. Me kërkesën e palës zgjerimi i akreditimit bëhet sipas procedurave dhe rregullave të akreditimit.


Neni 10
Masat administrative dhe procedurat ankimore

5

1. Drejtoria e Akreditimit, kur konstaton shkelje të kritereve, ka të drejtë ta reduktojë, ta pezullojë ose ta
tërheqë akreditimin.

2. Drejtoria e Akreditimit bën vërejtje me shkrim në rastet kur konstatohen lëshime të lehta ose
shmangie nga kriteret e përcaktuara të akreditimit.

3. Në rastet kur konstatohen shkelje, që e cenojnë vlefshmërinë e akreditimit, Drejtoria e Akreditimit e
pezullon akreditimin dhe cakton detyra shtesë.

4. Kur Drejtoria konstaton shkelje të rënda tek organi i akredituar, atëherë tërhiqet akreditimi.

5. Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh kundër vendimit të
Drejtorisë. Ankesa i drejtohet komisionit që obligohet që në afat prej tridhjetë (30) ditësh, nga data e
pranimit të ankesës, të vendosë dhe ta njoftojë palën.

6. Shqyrtimi i ankesës dhe i apelimeve bëhen sipas procedurave të parapara nga Drejtoria e Akreditimit
të bazuara në standardet e BE-së ose në standardet ndërkombëtare të akreditimit.

7. Komisioni i shqyrtimit të ankesave ose të apelimeve formohet me vendim të ministrit.

8. Nëse komisioni nuk përgjigjet në afatin e caktuar ose kthen përgjigje me të cilën pala është e
pakënaqur, pala mund të ngrejë kontest administrativ në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës
brenda tridhjetë (30) ditësh.


Neni 11
Tarifat e akreditimit dhe miratimi i tyre

1. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë nxjerrë akt nënligjor me të cilin përcaktohen tarifat për kryerjen e
akreditimit.

2. Të ardhurat e krijuara nga kryerja e akreditimit derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës.


Neni 12
Shpenzimet e akreditimit

Të gjitha shpenzimet e akreditimit të organeve të vlerësimit të konformitetit mbulohen nga aplikuesi për
akreditim.

KREU IV

DISPOZITAT NDЁSHKUESE


Neni 13
Dispozitat ndëshkimore

1. Organi i akredituar ose i pa akredituar që e keqpërdor emblemën e akreditimit, bën kundërvajtje për të
cilën gjobitet si vijon:

1.1. laboratori testues ose kalibrues në shumë prej pesëmijë (5000) €;

1.2. organi certifikues në shumë prej dhjetëmijë (10000) €

1.3. organi inspektues në shumë prej pesëmbëdhjetëmijë (15000) €.

2. Mjetet financiare të arkëtuara nga gjobitjet për kundërvajtje derdhen në Buxhetin e Republikës së
Kosovës.
6



KREU V

DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE


Neni 14
Dispozitë kalimtare

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji Nr. 02/L-43 për Akreditim.


Neni 15

1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrimet e njësisë së akreditimit i
kalojnë Drejtorisë së Akreditimit. Të gjithë punonjësit e njësisë së akreditimit bëhen punonjës të
Drejtorisë së Akreditimit.

2. Certifikatat e lëshuara nga njësia e akreditimit njihen nga Drejtoria e Akreditimit dhe e kanë të njëjtën
vlefshmëri.

3. Procedurat e akreditimit, të filluara në përputhje me Ligjin nr. 02/L-43, datë 21. 11. 2005, për
akreditimin e laboratorëve testues, kalibrues dhe të organeve certifikuese, inspektues në Kosovë,
kryhen në përputhje me këtë ligj.

4. Për zbatimin e këtij ligji, Ministra e Tregtisë dhe e Industrisë nxjerr akte nënligjore në afat prej gjashtë
(6) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi.


Neni 16
Hyrja në fuqi

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ligji Nr. 03/ L-069
20 Nëntor 2008

Shpallur me Dekretin Nr. DL-067-2008, datë 13.12.2008 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu