GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 40 / 15 TETOR 2008
LIGJI Nr. 02/L-102
PËR MBROJTJEN NGA ZHURMA
Kuvendi i Kosovës,
Në bazë të Kreut 5.1(f), dhe 9.1.26(a) të Kornizës Kushtetuese të Vetëqeverisjes së Përkohshme në
Kosovë (Rreg.e UNMIK-ut 2001/9, datë 15 maj 2001) si dhe duke parë nevojën e harmonizimit të
standardeve mjedisore të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian;
Miraton:
LIGJIN PËR MBROJTJEN NGA ZHURMA
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Qëllimi dhe fushëveprimi
Neni 1
Qëllimi
1.1. Qëllimi i këtij ligji është shmangia, parandalimi ose zvogëlimi në baza prioritare i efekteve të
dëmshme, duke përfshirë edhe bezdisjen si rezultat i ekspozimit të zhurmës në mjedis.
1.2. Ky ligj do të ofrojë bazë për krijimin e masave për zvogëlimin e zhurmës së emituar nga burimet e
mëdha, veçanërisht ato rrugore, hekurudhore, ajrore, pajisjet e jashtme dhe industriale, makineria mobile
dhe burimet tjera të ndotjes dhe bezdisjes së mjedisit nga zhurma.
Neni 2
Fushëveprimi
2.1. Zhurma e dëmshme për shëndetin e njeriut nga ky ligj, është çdo zhurmë e cila tejkalon vlerat
kufitare të lejuara, të cilat do të përcaktohen me akt të veçantë normativ, shikuar nga aspekti kohor dhe
nga vendit ku buron zhurma, në mesin ku njerëzit punojnë dhe jetojnë.
2.2. Ky ligj do të zbatohet për zhurmën mjedisore ndaj të cilës njerëzit ekspozohen në zonat e ndërtuara,
“zonat e veçanta të planit hapësinor”, në parqet publike ose zonat tjera të qeta të aglomerateve, zonat e
qeta në vendet e hapura, afër shkollave, spitaleve, zonave dhe ndërtesave të tjera të ndjeshme ndaj
zhurmës.
2.3. Dispozitat e këtij ligji nuk kanë të bëjnë me masat mbrojtëse nga zhurma të cilat e detyrojnë
Kosovën, sipas kontratave ndërkombëtare, konventave dhe normave tjera në transportin ajror,
hekurudhor, dhe atë rrugor.
2.4. Aktin nënligjor nga paragrafi 1 i këtij neni, e nxjerr ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit
Hapësinor me pëlqimin paraprak të ministrit të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe ministrit të
Ministrisë për Shëndetësi.
Neni 3
Përkufizimet
Për qëllimet e këtij ligji, shprehjet në vijim do të kenë këto kuptime:
“Zhurma mjedisore”- zërat e jashtëm të padëshirueshëm ose të dëmshëm, të krijuar nga aktivitetet
njerëzore, duke përfshirë edhe zhurmën e emetuar nga mjetet e transportit, trafikut rrugor, trafikut ajror
dhe nga vendet e aktiviteteve industriale, që janë subjekt lejes së Parandalimit të Integruar të Ndotjes dhe
Kontrolli (PINK-IPPC).
2
“Efektet e dëmshme” - ndikimet negative për shëndetin e njeriut.
“Bezdisje” - shkalla e bezdisjes së komunitetit nga zhurma, e përcaktuar në bazë të shqyrtimeve në
terren.
“Indikator i zhurmës” - shkalla fizike që përshkruan zhurmën mjedisore e cila ka të bëjë me ndikimet e
dëmshme.
”Vlerësim” - çdo metodë që përdoret për llogaritje, parashikim, vlerësim apo matje të vlerës së indikatorit
të zhurmës ose ndikimeve negative.
“Ldmn” (indikatori i zhurmës ditë-mbrëmje-natë) – indikatori i zhurmës së përgjithshme bezdisëse (dita
ka 12 orë, mbrëmja 3 orë dhe nata 9 orë).
“Lditë” (indikatori i zhurmës-ditë) – indikatori i zhurmës bezdisëse gjatë ditës (mesatarja afatgjate e
nivelit të zërit sipas standardeve ISO 1996-2:1987, përcaktuar gjatë gjithë periudhave ditore të vitit).
“Lmbrëmje” (indikatori i zhurmës-mbrëmje) - indikatori i zhurmës bezdisëse gjatë kohës së mbrëmjes
(mesatarja afatgjate e nivelit të zërit sipas standardeve ISO 1996-2:1987, përcaktuar gjatë gjithë
periudhave të mbrëmjes në vit).
“Lnatë” (indikatori i zhurmës-gjatë natës) – indikatori i zhurmës që prish gjumin (mesatarja afatgjate e
nivelit të zërit sipas standardeve ISO 1996-2:1987, përcaktuar gjatë gjithë periudhave të natës në vit).
“Relacioni dozë-ndikim” - relacion në mes të vlerës së indikatorit të zhurmës dhe ndikimit negativ.
“Aglomerate (vendbanime)” – pjesë e territorit të përkufizuar nga shteti që ka një popullatë prej më
tepër se 100.000 banorë dhe dendësi të popullsisë në atë mënyrë që shteti e përkufizon atë si zonë e
urbanizuar.
“Zonë e qetë në aglomerat” – zonë e përkufizuar nga autoriteti kompetent, e cila prej çfarëdo burimi të
ndotjes, nuk i ekspozohet vlerës së Ldmn-së ose ndonjë indikatori tjetër më të madh të zhurmës, se sa
vlerat e qarta të përcaktuara nga Qeveria.
“Qeveria” - qeverinë siç është specifikuar në Rregulloren e UNIMK 2001/19, mbi Kornizën Kushtetuese
të Vetëqeverisjes së Përkohshme të Kosovës.
“Zonë e qetë në vendet e hapura”- zonë e përkufizuar nga autoriteti kompetent që nuk shqetësohet
nga zhurma e trafikut, industria ose aktivitetet rekreative.
“Rrugë kryesore” – rrugë rajonale, kombëtare ose ndërkombëtare e përcaktuar nga autoriteti kompetent
në të cilën kalojnë më tepër se tre milion automjete në vit.
“Hekurudhë kryesore” – hekurudhë e përcaktuar nga Qeveria, në të cilën kalojnë më tepër se 30.000
trena në vit.
“Aeroport i madh” - aeroport civil i përcaktuar nga autoriteti kompetent, që ka më tepër se 50.000 lëvizje
në vit (lëvizje është ngritja dhe zbritja), me përjashtim të aeroplanëve për qëllime trajnimi.
“Ministria” - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor .
“Vënia e zhurmës në harta” - paraqitja e të dhënave ekzistuese ose të paraparë të zhurmës, indikatorit
të zhurmës, tejkalimin e çdo vlere kufitare relevante në fuqi, numrin e njerëzve që ndikohet në zonat e
caktuara ose numrin e shtëpive të ekspozuara ndaj vlerave të caktuara të indikatorit të zhurmës në zonat
e caktuara.
“Harta strategjike për zhurmë” - hartë e dizajnuar për vlerësimin global të ekspozimit ndaj zhurmës në
zonën e caktuar si rezultat i burimeve të ndryshme të zhurmës ose për parashikimin e përgjithshëm për
një zonë të tillë.
3
“Vlerë kufitare”- vlera e Ldmn ose Lnatë dhe kur është e duhur Lditë dhe Lmbrëmje, siç e përcakton
Ministria, tejkalimi i së cilës bën që autoritetet kompetente të ndërmarrin ose zbatojnë masa për zbutje.
Vlera kufitare mund të jetë e ndryshme për llojet e ndryshme të zhurmës (zhurma nga rrugët, hekurudha,
trafiku ajror, industrial etj.), rrethe të ndryshme dhe ndjeshmëri të ndryshme të popullatës ndaj zhurmës:
ato po ashtu mund të jenë të ndryshme për situatat ekzistuese dhe për zgjidhje të reja (kur ka ndryshime
të situatës lidhur me burimin e zhurmës ose shfrytëzimin e rrethinës).
“Plan i veprimit” – plan i hartuar për menaxhimin e çështjeve dhe ndikimeve nga zhurma, përfshirë edhe
zvogëlimin e zhurmës nëse është e nevojshme.
“Planifikimi i akustikës” - kontrolli i zhurmës në të ardhmen përmes planifikimit të masave, siç janë
planifikimi i shfrytëzimit të tokës, sistemet e inxhinjeruara për trafik, planifikimi i trafikut, ulja e nivelit të
zhurmës përmes izolimit të zërit si dhe kontrollit të burimeve të zhurmës.
“Publiku”- një apo më tepër persona fizik apo juridik që kanë të drejtë te përgjithshme të informohen
mbi çështjet mjedisore sipas Ligjit të Kosovës mbi Lirinë e Informimit.
“Objekte speciale të mbrojtura” - shkollat, spitalet, ndërtesat tjera të ndjeshme ndaj zhurmës si dhe
zonat të cilat i cakton komuna.
“Plan hapësinor për zona speciale” - zonat përreth objekteve speciale për mbrojtje ku kërkohen nivele
më të ulëta të zhurmës.
“Qytet” – vendbanim i njerëzve i shpallur nga Kuvendi Komunal, duke marrë parasysh nivelet e
aktiviteteve të ndërtimit dhe karakteristikat tjera të natyrës urbane.
“Zonë urbane” - toka me kufij të caktuar brenda së cilës është planifikuar zhvillimi urban.
“Kufiri i ndërtimit” - vijë kufitare e cila përcakton se ku lejohet ndërtimi i ndërtesave të ndjeshme ndaj
zhurmës.
“Objektet dhe zonat ekzistuese” – objektet dhe zonat që ekzistojnë fizikisht, në momentin e hyrjes në
fuqi të këtij Ligji.
“Zhvillimet e reja” – objektet dhe zonat që nuk janë të kompletuara, apo nuk ekzistojnë në momentin e
hyrjes në fuqi të këtij ligji.
“ Burime të zhurmës” – çdo vibracion i detektueshëm nga veshi i njeriut, i shkaktuar nga ndonjë mjet
apo aktivitet i njeriut.
“Emitimi” - sasia e zhurmës së krijuar nga një burim në distancë të caktuar;
“Imisioni” - niveli i zhurmës së matur apo të kalkuluar në objekte të veçanta, në planin hapësinor dhe në
zona të veçanta;
“Organi kompetent”– organ i cili me akt normativ të ministrisë është i autorizuar që të kryej një apo disa
punë të caktuara.
KREU II
Masat mbrojtëse
Neni 4
4.1. Me masat e mbrojtjes nga zhurma, patjetër duhet të pengohet paraqitja e zhurmës, respektivisht të
zvogëlohet zhurma ekzistuese në nivel optimal.
4.2. Masat e mbrojtjes nga zhurma përmbajnë:
a) Përzgjedhjen dhe përdorimin e makinave, pajisjeve, mjeteve të punës dhe të transportit të cilat
nuk shkaktojnë zhurmë mbi nivelin e lejuar;
b) Vendosjen e objekteve me burim zhurme dhe zonat ose objektet të cilat duhet mbrojtur nga
zhurma;
4
c) Izolimin për mbrojtje nga zhurma të ndërtesave të cilat mund të jenë si burim i zhurmës, në
hapësirat e punës ose banimit;
d) Përdorimin e masave për mbrojtje nga zhurma, në bazë të llogaritjeve dhe matjeve të zhurmës në
vendin e emisionit, rrugët e zgjerimit të zhurmës etj;
e) Matjet me qëllim të përcjelljeve dhe mbikëqyrjes së përhershme të zhurmës;
f) Kufizimet e herë pas hershme të emitimit të zhurmës.
Neni 5
Mbrojtja nga zhurma dhe sigurimi i zbatueshmërisë së sajë është detyrë e institucioneve qendrore,
njësive lokale, personave fizik e juridik dhe qytetarëve.
Neni 6
6.1. Mbrojtja nga zhurma aplikohet ditën, mbrëmjen dhe natën.
6.2. Në kuptim të këtij ligji, dita zgjat 12 orë dhe fillon nga ora 07:00 deri në 19:00, mbrëmja zgjat 3 orë
dhe fillon nga ora 19:00 deri në ora 22:00, kurse nata zgjat 9 orë dhe fillon nga ora 22:00 deri në ora
07:00 në mëngjes.
Neni 7
7.1. Makinat, mjetet transportuese, pajisjet dhe aparatet të cilat prodhohen në Kosovë ose importohen në
Kosovë, para përdorimit të tyre, duhet të jenë në harmoni me rregullat dhe kërkesat teknike të cilat i
dedikohen nivelit të lejuar të zhurmës të cilën ato e prodhojnë nën kushte të caktuara të përdorimit.
Detyrimisht duhet të kenë shënime në dokumentin përcjellës, për nivelin e zhurmës i cili duhet të jetë në
përputhje me normat e Kosovës ose normat e Bashkimit Evropian (BE).
7.2. Burimi i zhurmës nga makinat, mjetet transportuese, pajisjet dhe aparatet nga paragrafi 1 i këtij neni,
të cilat janë në përdorim dhe për të cilët nuk ka shënime për nivelin e zhurmës se emituar, pas hyrjes në
fuqi të këtij Ligji, duhet përshtatur me dispozitat e këtij ligji, në afat prej 5 vitesh nga dita e hyrjes në fuqi të
këtij ligji.
Neni 8
8.1. Dokumentet dhe aktet për zbatimin e rregullimit hapësinor të të gjitha niveleve, duhet patjetër të
përmbajnë masa adekuate për mbrojtjen nga zhurma.
8.2. Përmbajtjen e bazës profesionale nga aspekti i mbrojtjes nga zhurma e cila përdoret për hartimin e
dokumenteve për rregullim hapësinor nga paragrafi 1 i këtij neni me akt të veçantë normativ e përcakton
Ministria në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
KREU III
Dokumentet për mbrojtjen nga zhurma
Neni 9
9.1.Qeveria dhe komunat duhet të hartojnë:
a) Hartën strategjike të zhurmës;
b) Planin e veprimit.
9.2. Hartat strategjike të zhurmës nga paragrafi 1 i këtij neni janë pjesë përbërëse e sistemit informativ të
mbrojtjes së mjedisit të Kosovës dhe paraqesin bazë profesionale për hartimin e planeve hapësinore.
9.3. Ministria duhet që në Planin e Veprimit për Mbrojtjen e Mjedisit, të përfshijë hartën strategjike të
zhurmës dhe planin e veprimit duke paraqitur situatën për vitin e ardhshëm kalendarik dhe masat e
ndërmarra në mjedis, për të gjitha aglomeratet dhe për të gjitha rrugët kryesore, brenda territorit.
9.4. Harta strategjike e zhurmës dhe plani i veprimit aprovohen nga organet kompetente.
5
9.5. Hartat strategjike të zhurmës duhet të përmbushin kushtet minimale, të cilat do të paraqiten në një
udhëzues, të përgatitur nga Ministria.
9.6. Hartat strategjike e zhurmës do të korrigjohen sipas nevojës, së paku çdo pesë vjet pas përgatitjes
së tyre.
KREU IV
Detyrat dhe pergjegjësit e organeve, personave juridik dhe fizik
Neni 10
Në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) duhet të përfshihet edhe vlerësimi i nivelit të
zhurmes dhe masat për mbrojtjen nga zhurma.
Neni 11
Ndërtesa duhet të jetë e projektuar dhe e ndërtuar në mënyrë që zhurma të cilën e dëgjojnë njerëzit që
banojnë në afërsi ose në ndertesë, të jetë e atij itenziteti që nuk do ta rrezikonte shëndetin e njerëzve dhe
të sigurojë qetësi dhe kushte të përshtatshme për pushim dhe punë sipas Ligjit për Ndërtimin.
Neni 12
12.1. Për ndërtim të objektit, për procedurën e lëshimit të lejes së ndërtimit dhe procedurën e kontrollit
teknik ose për rikonstruimin e objektit, në procedurën e lejes së përdorimit, komisioni kompetent për
pranim teknik jep mendimin mbi masat të cilat aplikohen për mbrojtjen nga zhurma në kuadër të
kompetencave që i ka.
12.2. Shpenzimet e procedures për percaktimin e masave të zbatuara për mbrojtjen nga zhurma i bart
investitori i objektit.
Neni 13
13.1. Organi kompetent për përcaktimin e kushteve minimale teknike dhe kushteve tjera, për kryerjen e
veprimtarive, nuk mund të lëshojë vendim për plotësimin e kushteve të lartëpërmendura, nëse organi
kompetent për inspektim mjedisor, me vendim, nuk vërteton se janë zbatuar masat e mbrojtjes nga
zhurma.
13.2. Shpenzimet mbi masat e hartuara për mbrojtjen nga zhurma dhe shpenzimet e kësaj veprimtarie, i
bartë parashtruesi i kërkesës.
Neni 14
14.1. Burimet e zhurmës të cilat janë në përdorim të përkohshëm ose të cilat vendosën në vende të
hapura mbi nivel të tokës, në mure ose mbi pullaze të ndërtesave, në objekte të levizëshme ose të
palëvizshme ose të cilat përdoren në ajër, duhet t’i përmbajnë shënimet mbi fuqinë dhe itenzitetin e zërit.
14.2. Burimet e zhurmës nga paragrafi 1 i ketij neni, mund të përdoren nëse organi kompetent –
inspektorati për mjedis, me vendim përcakton se zhurma nga burimi, nuk tejkalon nivelin e lejuar në
mjedis.
14.3. Në rast se burimi i zhurmës emiton:
a) nivel më të lartë të zhurmës se sa ai i lejuar, atëhere pronari i burimit të zhurmës i bartë shpenzimet e
matjeve;
b) nivel më të ulët të zhurmës se sa ai i lejuar, atëherë organi kompetetnt i bartë shpenzimet e matjeve.
Neni 15
15.1. Me rastin e plotësimit të nevojave për mbajtjen e tubimeve publike, organizimit të manifestimeve
argëtuese, sportive dhe aktiviteteve tjera në vende publike të hapura ose të mbyllura, për banorët
vendorë ose mysafirë, në rastet kur ekzistojnë mundësit e tejkalimit të nivelit të zhurmës së lejuar, njësitë
6
lokale të qeverisjes, me vendim të organeve kompetente, mund të caktojnë një rrugë, një pjesë të rrugës
ose pjesë të qytetit, shesh ose lokacion tjetër të përshtatshëm, për qëllime të tilla.
15.2. Me të njejtin vendim përcaktohen edhe rrugët e shkuarjes e ardhjes të pjesëmarrësve nga këto
manifestime.
Neni 16
16.1. Ndalohet kryerja e punëve, veprimtarive dhe aktiviteteve tjera, në mënyrë që me zhurmë pengohet
qetësia dhe pushimi i njerëzve, në vende të hapura ose të mbyllura nga ora 22:00 – 07:00.
16.2. Në vendbanime lejohet degjimi i zërimit të zileve ose pajisjeve elektroakustike nga ora 07:00 –
22:00.
16.3. Përjashtim nga paragrafi 2 i këtij neni bën zërimi i zilës ose pajisjeve elektroakustike, në kohën e
riteve fetare si dhe në ditët e festave.
Neni 17
Dispozitat e ketij ligji, nuk vlejnë për zhurmën e cila shkaktohet gjatë eliminimit të pasojave të fatkeqësive
natyrore ose në raste dhe rrethana të jashtëzakonshme të cilat mund të shkaktojnë dëme të
konsiderueshme materiale, rrezikojnë shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe rrënojnë mjedisin e njeriut në
përmasa të mëdha.
KREU V
Personat e autorizuar për kryerjen e veprimtarive profesionale për mbrojtjen nga zhurma
Neni 18
18.1. Punët profesionale të mbrojtjes nga zhurma mund t’i kryejnë personat juridik të regjistruar për
kryerjen e këtyre veprimtarive dhe të cilët kanë autorizim nga Ministria.
18.2. Ministri në bashkëpunim me ministrin e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale me akt plotësues
normativ përcakton kushtet për kryerjen e veprimtarive si dhe mbikqyrjen profesionale mbi personat
juridik në fushën e mbrojtjes nga zhurma.
18.3. Me Vendim administrativ, Ministri i autorizon personat juridik nga paragrafi 1 i këtij neni, kundër të
cilit nuk është e lejuar ankesa, por mund të inicohet kontesti administrative në bazë të vërtetimit të
lëshuar paraprakisht nga Instituti gjegjës për normime dhe matje.
18.4. Shpenzimet mbi përcaktimin e kushteve nga paragrafi 2 i këtij neni i bartë parashtruesi i kërkesës.
Neni 19
19.1. Personat të cilët kryejnë punë profesionale për personat juridik nga lëmia e mbrojtjes nga zhurma,
duhet ta kenë të dhenë provimin profesional.
19.2. Provimi profesional nga paragrafi 1 i këtij neni organizohet dhe mbahet në Ministrinë e Mjedisit dhe
Planifikimit Hapësinor, por punët lidhur me dhënien e këtij provimi mund t’i bartë të një person tjetër i
autorizuar juridik.
19.3. Programin, kushtet dhe mënyrën e dhënies së provimit profesional e nxjerr ministri i Ministrisë me
mendim paraprak të ministrit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, me akt nenligjor.
Neni 20
20.1. Personat nga neni 18 dhe 19 të këtij ligji, detyrohen që për mënyrën e procedurës së matjeve
llogaritëse si dhe vlerësimin dhe përmbajtjen e rezultateve të matjeve t’i respektojnë normat e Kosovës,
dhe direktivat e BE.
7
20.2. Nëse me mbikëqyrjen profesionale vërtetohet se personi i autorizuar nga neni 19 paragrafi 1 i këtij
ligji, nuk i kryen punët profesionale, në përputhje me paragrafin 1 të ketij neni, Ministri e anulon
autorizimin përkatës.
Neni 21
Autorizimi i Ministrit për personat që kryejnë punë profesionale nga lëmia e mbrojtjes nga zhurma nga
neni 18 paragrafi 1 i këtij ligji, duhet të shpallet në gazetën zyrtare të IPVQ-vë.
KREU VI
Mbikëqyrja
Neni 22
22.1. Mbikëqyrjen, për aplikimin e këtij ligji dhe të akteve plotësuese normative që dalin nga ky ligj, e
kryejnë inspektorët e mjedisit dhe planifikimit hapësinor dhe inspektorët komunal të mjedisit.
22.2. Mbikëqyrja për dispozitat e këtij ligji të cilat i dedikohen zhurmës në hapësira ku punohet, ku gjatë
procesit të punës shkaktohet zhurmë si dhe në dispozitat e këtij ligji të cilat i dedikohen qarkullimit të
makinave, mjeteve transportuese, pajisjeve dhe aparateve, fuqisë së zërimit që emitohet nga to, në
kushte të përcaktuara, kryhet nga inspektoret e inspektoratit të mjedisit.
Neni 23
23.1. Organet kompetente mbikëqyrëse që kryejnë këto veprime nga neni 22 paragrafi 1 i këtij ligji, janë
të autorizuara që në vendin e ngjarjes t’i ndërrmarrin të gjitha masat nga neni 24 paragrafi 1 pika (d) dhe
(e) e këtij ligji, në raste kur emisioni i zhurmës tejkalon nivelin më të lartë të lejuar nga neni 2 i këtij ligji, në
bazë të rezultateve matëse.
23.2. Organet nga paragrafi 1 i këtij neni, mund të bëjnë kufizime ose përkohësisht të ndalojnë kryerjen e
veprimtarisë së caktuar personit juridik ose fizik me urdhëresë, në kohëzgjatje më së shumti prej 8 ditësh.
23.3. Urdhëresa nga paragrafi 2 i këtij neni, mund të ekzekutohet menjëherë, me vulosjen e aparatit,
pajisjes ose makinerisë ose në një menyrë tjetër të përshtatshme, kur me matje konstatohet tejkalimi i
nivelit të zhurmës, në harmoni me paragrafin 1 të këtij neni.
Neni 24
24.1. Organi kompetent i mbikëqyrjes nga neni 23 paragrafi 1 i këtij ligji është i autorizuar:
a) Të urdhëroj personat juridik ose fizik të cilët e përdorin burimin e zhurmës në mjedise ku
njerëzit banojnë ose jetojnë, që të bëjnë matjen e nivelit të zhurmës;
b) Të urdhëroj ndërrmarrjen e masave nga rregullativa e caktuar mbi mbrojtjen nga zhurma;
c) Të ndaloj përdorimin e ndërteses së ndërtuar ose të projektuar, nëse nuk janë ndërmarrë
masa për mbrojtjen nga zhurma, deri sa këto masa nuk aplikohen;
d) Të ndaloj përdorimin e burimit të zhurmës deri sa nuk ndërmirren masa për mbrojtje nga
zhurma;
e) Të ndaloj kryerjen e veprimtarisë dhe aktiviteteve të tjera të cilat për arsye të zhurmës pengojnë
pushimin dhe qetësinë e natës, nese kjo nuk është e mundur të pengohet me masa nga pika
(d) e ketij neni;
f) Të ndaloj përdorimin e makinave, mjeteve transportuese, pajisjeve dhe aparateve të cilat nuk
kanë evidence për forcën e zhurmës që emitohet në kushte të caktuara të përdorimit;
g) Të ndaloj kryerjen e veprimtarisë ose aktiviteteve të tjera, nëse e njejta fillon punën pa një
vendim të organit kompetent në të cilin përcaktohen masat mbi mbrojtjen nga zhurma.
24.2. Organet, nga neni 23 paragrafi 2 i këtij ligji, autorizohen që t’i ndërmarrin të gjitha masat sipas
rregullave të posaçme.
KREU VII
Dispozitat për ndëshkimet administrative
Neni 25
8
25.1. Shqiptohet gjobë në vlerë prej 500 – 10.000 €, nëse:
a) Shkakton që niveli i zhurmës së cilës i eksponohen njerëzit në mjediset ku jetojnë, t’i tejkaloj
kufijtë e lejuar në nenin 2 të këtij ligji;
b) Nuk lejon kryerjen e matjeve të zhurmës nga ana e personit të autorizuar zyrtar sipas nenit 4 të
këtij ligji;
c) Përdoren makinat, mjetet transportuese, pajisjet dhe aparatet në qarkullim, respektivisht në
përdorim, pa shenime mbi forcën e zërit sipas nenit 7 të këtij ligji;
d) Fillon kryerjen e veprimitarisë ose aktiviteteve të tjera, pa vendim të organit kompetent, me të
cilin përcaktohet se janë kryer të gjitha masat për mbrojtje nga zhurma;
e) Shfrytëzon burimet e zhurmës në vende të hapura, pa vendim të organit kompetent sipas nenit
13 të këtij ligji;
f) Kryen punime, veprime dhe aktivitete tjera, me të cilat pengon qetësinë dhe pushimin e
njerëzve në hapësirë të mbyllur ose të hapur në vendet ku ata jetojnë;
g) Matjet i kryen personi i cili nuk e ka të dhenë provimin profesional;
h) Matja e zhurmës, llogaritja dhe vlerësimi nuk kryhen sipas nenit 20 të këtij ligji;
i) Të dhënat nga matjet e zhurmës nuk janë në përputhje me nenin 20 të këtij ligji;
j) Nuk ndërmerr masa nga rregullorja ose nga urdhërat për mbrojtje nga zhurma sipas nenit 23 të
këtij ligji.
25.2. Shqiptohet një tarifë prej 100 – 1000 euro për kundërvajtje nga paragrafi 1 .
KREU VIII
Dispozitat kalimtare
Neni 26
26.1. Aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji, Ministri i nxjerr në afat prej 12 muaj nga dita e hyrjes në fuqi
të këtij ligji.
26.2. Qeveria dhe komunat detyrohen që hartat e zhurmës nga neni 9 i këtij ligji t’i aprovojnë dhe
fuqizojnë në afat prej 3 vjetësh, ndërsa planet e veprimit në afat prej 5 vjetësh, nga dita e hyrjes në fuqi të
këtij ligji.
Neni 27
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen ligjet tjera që kanë rregulluar këtë fushë.
Neni 28
Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i
Sekretarit tё Pёrgjithshёm.
UNMIK/REG/2008/15
17.03.2008