LIGJI NR. 02/L-75 LIGJI PËR ARBITRAZHIN

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 37 / 10 SHTATOR 2008

LIGJI NR. 02/L-75

LIGJI PËR ARBITRAZHIN


Kuvendi i Kosovës,

Në mbështetje të Kreut 5.1 (ç) dhe 9.1.26 (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme
në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9 datë 15 maj 2001), dhe

Me qëllim të rregullimit të lëndës së arbitrazhit dhe të ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit të nxjerra
brenda dhe jashtë Kosovës në pajtim me standardet bashkëkohore Evropiane dhe ndërkombëtare,

Miraton:

LIGJIN PËR ARBITRAZHIN

Kreu I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Fushëveprimi

Me këtë ligj përcaktohen rregullat që zbatohen për marrëveshjet e arbitrazhit, procedurat e arbitrazhit si
dhe njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit të nxjerra brenda dhe jashtë Kosovës.

Neni 2
Përkufizimet

“Marrëveshja e Arbitrazhit” nënkupton marrëveshjen e arritur ndërmjet dy ose më shumë personave, që
disa ose të gjitha kontestet juridike, të cilat kanë lindur ose që mund të lindin ndërmjet tyre, do t’i
nënshtrohen arbitrazhit.

“Vendim” përfshin të gjitha urdhrat e nxjerra nga tribunali i arbitrazhit, qofshin ato të përkohshme, të
pjesshme, procedurale, meritore ose përfundimtare, lidhur me të gjitha çështjet, përfshirë këtu edhe
shpenzimet.

“Konsumator” do të thotë çdo person fizik i cili lidhë kontratë për qëllime që nuk kanë të bëjnë me tregti,
afarizmin ose profesionin e tij.



“Person” përfshin të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Në kuadër të personave juridikё bëjnë pjesë
personat juridikё të së drejtës private si dhe personat juridikё të së drejtës publike.

“Gjykatë” në këtë ligj i referohet gjykatës së caktuar në marrëveshjen e arbitrazhit ose, në mungesë të
një përcaktimi të tillë, Gjykatës Ekonomike.

“Tribunal” nënkupton tribunalin e arbitrazhit.


Neni 3
Kompetencat e gjykatës

Asnjë gjykatë në Kosovë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në procedurën e arbitrazhit, përveç nëse është
përcaktuar ndryshe me këtë ligj.


Neni 4
2
Njoftimi dhe llogaritja e afateve kohore

4.1. Të gjitha njoftimet, kumtesat ose parashtresat konsiderohen se janë pranuar nëse ato i janë dorëzuar
personalisht personit të adresuar, ose nëse i dërgohen personit të adresuar përmes postës së regjistruar
në vendbanimin e tij, në vendin ku ai e ushtron afarizmin ose në adresën e tij postare. Nëse asnjëra nga
lokacionet e lartpërmendura nuk mund të gjinden, njoftimi konsiderohet së është pranuar nëse ai i
dërgohet personit të adresuar në vendbanimin ose vendin e ushtrimit të afarizmit të fundit të njohur.
Njoftimi konsiderohet se është pranuar në ditën kur është bërë dorëzimi i tij. Dispozitat e këtij paragrafi
nuk zbatohen lidhur me njoftimet dhe parashtresat e dorëzuara gjatë procedurave gjyqësore.

4.2. Të gjitha afatet kohore të parapara në këtë ligj fillojnë të ecin një ditë pas pranimit të njoftimit. Nëse
dita e fundit e këtij afati kohor është festë zyrtare ose nuk është ditë pune në vendbanimin ose vendin e
afarizmit të personit të adresuar, atëherë afati kohor përfundon në ditën e parë vijuese të punës. Festat
zyrtare ose ditët që nuk janë ditë pune duhet të përfshihen në llogaritjen e afatit kohor.


Kreu II
MARRËVESHJA E ARBITRAZHIT

Neni 5
Arbitrabiliteti

5.1. Një mosmarrëveshje mund të zgjidhet përmes arbitrazhit vetëm nëse ekziston një marrëveshje e
palëve, me anë të së cilës ato pranojnë që mosmarrëveshja të zgjidhet përmes arbitrazhit.

5.2. Të gjitha mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me kërkesa civile-juridike dhe ekonomike-juridike mund
t’i nënshtrohen arbitrazhit, përveç nëse është e ndaluar me ligj.

Neni 6
Marrëveshja e arbitrazhit

6.1. Marrëveshja e arbitrazhit lidhet në formë të shkruar.

6.2. Kushti i mësipërm konsiderohet se është përmbushur edhe nëse lidhja e marrëveshjes së arbitrazhit
dokumentohet në formë të këmbimit të letrave, telefaksit, telegramit ose mënyrave të tjera të
telekomunikimit ose komunikimit elektronik, në formë të konosmanit, nëse konosmani përmban
shprehimisht një klauzolë të arbitrazhit, ose në rast të paraqitjes së padisë dhe të përgjigjes në padi, në
kuadër të së cilës njëra palë pretendon se ekziston një marrëveshje arbitrazhi dhe pala tjetër nuk e
konteston këtë.

6.3. Nëse një konsumator është palë në marrëveshjen e arbitrazhit, marrëveshja e arbitrazhit
konsiderohet të jetë lidhur në formën e shkruar vetëm nëse të gjitha palët në marrëveshjen e arbitrazhit e
nënshkruajnë personalisht dokumentin që përmban klauzolën e arbitrazhit. Nënshkrimi i cekur në këtë
paragraf mund të zëvendësohet me nënshkrimin elektronik në përputhje me legjislacionin përkatës për
nënshkrimet elektronike.

6.4. Mospërmbushja e kushteve të përcaktuara nё paragrafin 2 dhe 3 të këtij neni nuk merret parasysh nga
tribunali i arbitrazhit, nëse palët e kanë inicuar procedurën e arbitrazhit.

Neni 7
Paditë para Gjykatave

Gjykata, para së cilës është ngritur një padi lidhur me një çështje, e cila i nënshtrohet arbitrazhit, e hedh
poshtë padinë, nëse i padituri në përgjigjen e tij ndaj padisë thirret në marrëveshjen e arbitrazhit, përveç
nëse gjykata konstaton se marrëveshja e arbitrazhit është e pavlefshme ose që çështja kontestuese nuk
mbulohet nga marrëveshja e arbitrazhit.

Neni 8
Masat e përkohshme të gjykatës

3
Pa marrë parasysh marrëveshjen e arbitrazhit ose fillimin e procedurës së arbitrazhit, gjykata kompetente
mund të merr masa të përkohshme, nëse kjo kërkohet nga njëra palë e cila paraqet prova të besueshme
se asaj mund t’i shkaktohet dëm ose humbje e menjëhershme ose e pariparueshme nëse nuk merret
masa e përkohshme.


Kreu III
PËRBËRJA E TRIBUNALIT TË ARBITRAZHIT

Neni 9
Numri dhe emërimi i arbitërve

9.1. Tribunali i arbitrazhit përbëhet nga një arbitër i vetëm ose nga një trup arbitrash, me kusht që numri i
arbitrave të këtij trupi të jetë një numër tek.

9.2. Palët mund të merren vesh për procedurën e emërimit të arbitrit ose të arbitrave.

9.3. Nëse palët nuk merren vesh për numrin e arbitrave ose për procedurën e emërimit të tyre brenda 15
ditëve pasi që i padituri të ketë pranuar njoftimin për arbitrazh, tribunali i arbitrazhit do të përbëhet nga një
trup prej 3 arbitërve të cilët emërohen sipas paragrafit 4 të këtij neni.
9.4. Në rastin e përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni, secila palë emëron një arbitër. Dy arbitrat e
emëruar, e emërojnë arbitrin e tretë i cili do të jetë drejtues i tribunalit të arbitrazhit. Nëse njëra pala nuk e
emëron arbitrin brenda tridhjetë (30) ditëve nga pranimi i kërkesës për ta bërë këtë, ose nëse dy arbitrat
nuk merren vesh për emërimin e arbitrit të tretë brenda tridhjetë ditëve nga emërimi i tyre, atëherë me
kërkesën e njërës palë arbitri përkatës emërohet nga Gjykata.

9.5. Përveç nëse palët pajtohen ndryshe, pala, e cila e ka bërë emërimin e arbitrit, është e lidhur për këtë
emërim prej momentit, kur pala tjetër ta ketë pranuar njoftimin për emërimin e arbitrit.

9.6. Kur Gjykata e emëron arbitrin, ajo i merr parasysh kualifikimet të cilat arbitri duhet t’i plotësojë sipas
marrëveshjes së arbitrazhit dhe duhet të sigurojë që arbitri të jetë i pavarur, i paanshëm dhe të mos ketë
ndonjë konflikt interesi.

Neni 10
Përjashtimi i arbitrit

10.1. Personi, të cilit njëra palë ose Gjykata i drejtohet për emërim si arbitër, ka për detyrë t’i bëjë publike
të gjitha rrethanat të cilat mund të shkaktojnë dyshime lidhur me pa-anësinë ose pavarësinë e tij. Arbitri,
pas emërimit, duhet t’i bëjë publike rrethanat e tilla para palëve nëse palët nuk janë njoftuar paraprakisht
për këto rrethana.

10.2. Secila palë mund të kërkojë përjashtimin e cilitdo arbitër, nëse ajo ka dyshime të arsyeshme lidhur
me pa-anësinë ose pavarësinë e arbitrit, ose nëse arbitri nuk i posedon kualifikimet për të cilat palët janë
pajtuar. Pala mund të kërkojë përjashtimin e arbitrit të cilin e ka emëruar ajo, vetëm nëse arsyet për
përjashtimin e tij kanë lindur pas emërimit të arbitrit. Pala gjegjëse ka për detyrë të kërkojë përjashtimin e
arbitrit menjëherë pasi të njoftohet për rrethanat të cilat e arsyetojnë përjashtimin.


Neni 11
Procedura për përjashtimin e arbitërve

11.1. Palët mund të merren vesh për procedurën e përjashtimit të një arbitri. Paragrafët 2, 3 dhe 4 të këtij
neni zbatohen, nëse palët nuk janë pajtuar për një procedurë të tillë.

11.2. Brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga emërimi i arbitrit ose pasi të jetë njoftuar për rrethanat e
përcaktuara me nenin 10, paragrafi 2, pala e cila kërkon përjashtimin e një arbitri ka për detyrë, t’i dërgojë
palës tjetër dhe anëtarëve tjerë të tribunalit një njoftim për përjashtimin. Njoftimi duhet të bëhet me shkrim
dhe në të duhet të theksohen arsyet për përjashtim.

11.3. Nëse arbitri nuk jep dorëheqje ose pala tjetër nuk pajtohet me përjashtimin, tribunali i arbitrazhit
vendos mbi kërkesën për përjashtimin e arbitrit.
4

11.4. Nëse kërkesa për përjashtimin e arbitrit nuk është e suksesshme sipas procedurës për të cilën janë
pajtuar palët ose sipas procedurës së paraparë në paragrafin 2 dhe 3 të këtij neni, atëherë pala
përkatëse mund të paraqesë kërkesën për përjashtimin e arbitrit para Gjykatës brenda 15 ditëve prej
ditës së pranimit të njoftimit për refuzimin e kërkesës për përjashtim. Kundër vendimit të Gjykatës nuk
lejohet ankesa. Përderisa Gjykata nuk ka vendosur për kërkesën, tribunali i arbitrazhit, duke përfshirë
edhe arbitrin përjashtimi i të cilit kërkohet, mund të vazhdojë me procedurën e arbitrazhit dhe të nxjerr
vendim.
Neni 12
Moskryerja e detyrës

12.1. Nëse arbitri për arsye juridike ose faktike nuk mund t’i ushtrojë detyrat e tij ose për shkaqe tjera nuk
i ndërmerr veprimet pa vonesë të arsyeshme, mandati i tij përfundon nëse jep dorëheqje ose kur palët
pajtohen për përfundimin e mandatit të tij. Nëse arbitri nuk jep dorëheqje ose nëse palët nuk pajtohen
lidhur me përfundimin e mandatit, me kërkesën e njërës palë ose të ndonjë anëtari të tribunalit, Gjykata
vendos për përfundimin e mandatit të arbitrit. Kundër vendimit të Gjykatës nuk është e lejuar ankesa.

12.2. Nëse sipas paragrafit 1 të këtij neni ose nenit 11, paragrafi 2, arbitri jep dorëheqje ose palët
pajtohen për përfundimin e mandatit të arbitrit, kjo nuk nënkupton se ekziston njëra prej arsyeve të
parapara në këtë nen ose në nenin 11, paragrafi 2.

Neni 13
Zëvendësimi i arbitrit

Në rast se mandati i një arbitri përfundon sipas nenit 11 ose 12 ose për shkak të dorëheqjes së tij,
atëherë emërohet një zëvendës arbitër sipas dispozitave për emërimin e arbitrave, përveç nësë palët
dakordohen për një procedurë tjetër.


Kreu IV
KOMPETENCA E TRIBUNALIT TË ARBITRAZHIT

Neni 14
Kompetenca

14.1. Tribunali i arbitrazhit vendos mbi vlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit dhe se a është
kompetent për zgjidhjen e kontestit i cili i është parashtruar. Në këtë kontekst, klauzola e arbitrazhit, e cila
është pjesë e një kontrate, trajtohet si marrëveshje e veçantë dhe e pavarur prej kontratës.

14.2. Kundërshtimin, se tribunali i arbitrazhit nuk është kompetent, pala duhet ta dorëzojë më së voni deri
në momentin e dorëzimit të përgjigjes në padi. Pala nuk mund të privohet nga e drejta e paraqitjes së
kundërshtimit në fjalë, për shkak se e ka emëruar ose ka marrë pjesë në emërimin e një arbitri.

14.3. Kundërshtimi, se tribunali i arbitrazhit e ka tejkaluar kompetencën e vet, duhet të paraqitet nga pala
menjëherë pasi të vihet në dijeni për këtë.

14.4. Në rastet e parapara me paragrafin 2 dhe 3 të këtij neni, tribunali i arbitrazhit mund të pranojë një
kundërshtim të paraqitur me vonesë, nëse konstaton se pala ka arsyetim të pranueshëm për këtë
vonesë.

14.5. Secila palë mund të kërkojë nga gjykata që të shqyrtojë vendimin e tribunalit të arbitrazhit lidhur me
kompetencën e tij mbi kontestin përkatës. Kjo kërkesë duhet të dorëzohet në gjykatë brenda tridhjetë
ditëve prej ditës së pranimit të njoftimit me shkrim mbi vendimin. Paraqitja e kërkesës nuk e ndalon
tribunalin e arbitrazhit që të vazhdojë me procedurën e arbitrazhit dhe të nxjerr vendim.

Neni 15
Masat e përkohshme

15.1. Përveç nëse palët pajtohen ndryshe, tribunali i arbitrazhit, me kërkesën e njërës pale, mund të
urdhërojë marrjen e masës së përkohshme, nëse pala paraqet prova të besueshme se asaj mund t’i
shkaktohet dëm ose humbje e menjëhershme ose e pariparueshme në rast se nuk merret një masë e
5
këtillë. Tribunali i arbitrazhit mund të kërkojë nga secila palë që të deponojë mjete siguruese lidhur me
masat e tilla të përkohshme.

15.2. Me kërkesën e palës, gjykata mund të urdhërojë ekzekutimin e masës së përkohshme të urdhëruar
nga tribunali i arbitrazhit sipas paragrafit 1 të këtij neni, përveç kur sipas nenit 8, për çështjen e njëjtë,
pala e ka kërkuar masën e përkohshme.

15.3. Nëse konstatohet se masa e përkohshme e urdhëruar nga tribunali i arbitrazhit sipas paragrafit 1 të
këtij neni ka qenë e paarsyeshme, pala në dobi të së cilës është urdhëruar masa e përkohshme ka për
detyrë ta kompensojë dëmin të cilin e ka pësuar pala tjetër si pasojë e ekzekutimit të masës së
përkohshme. Tribunali i arbitrazhit është kompetent për të vendosur lidhur me arsyeshmërinë e masës së
përkohshme dhe për çështjet që kanë të bëjnë me kompensimin e dëmit të lartpërmendur.


Kreu V
PROCEDURAT E ARBITRAZHIT

Neni 16
Rregullat e përgjithshme

16.1. Palët trajtohen në mënyrë të barabartë dhe secila palë duhet të ketë mundësinë e plotë që të
paraqesë rastin e saj në secilën fazë të procedurës së arbitrazhit.

16.2. Palët janë të lira në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, të cilët do t’i përfaqësojnë ato në procedurën
e arbitrazhit. Asnjë përfaqësues i autorizuar nga pala, nuk mund të përjashtohet nga procedura e
arbitrazhit.

16.3. Pa cenuar dispozitat e detyrueshme të këtij ligji, palët mund të pajtohen mbi procedurën e
arbitrazhit.

16.4. Nëse palët nuk janë pajtuar për procedurën e arbitrazhit dhe në mungesë të dispozitave përkatëse
në këtë ligj, tribunali i arbitrazhit i përcakton vet rregullat e arbitrazhit duke i zbatuar përshtatshmërisht
rregullat e procedurës kontestimore ose duke i zbatuar rregullat e arbitrazhit të një institucioni të
arbitrazhit të përhershëm.

Neni 17
Vendi i arbitrazhit

17.1. Nëse palët nuk janë pajtuar mbi vendin ku duhet të mbahet arbitrazhi, tribunali i arbitrazhit e cakton
vendin e mbajtjes së arbitrazhit duke marrë parasysh rrethanat e rastit dhe përshtatshmërinë e vendit për
palët dhe tribunalin.

17.2. Pa cenuar paragrafin 1 të këtij neni, dhe nëse palët nuk janë marrë vesh ndryshe, tribunali i
arbitrazhit mund të takohet në cilindo vend që e konsideron të përshtatshëm për mbajtjen e dëgjimit të
palëve, tё dëshmitarëve, ose të ekspertëve, mbajtjen e konsultimeve ndërmjet anëtarëve të tribunalit të
arbitrazhit dhe për shiqimin e sendeve ose dokumenteve.

Neni 18
Fillimi i procedurës së arbitrazhit

Nëse palët nuk janë pajtuar ndryshe, procedura e arbitrazhit lidhur me një kontest të caktuar fillon në
ditën kur kërkesa që kontesti t’i nënshtrohet arbitrazhit pranohet nga pala e paditur.


Neni 19
Gjuha

19.1. Nëse palët nuk janë pajtuar ndryshe, tribunali i arbitrazhit, menjëherë pas themelimit të tij, e
përcakton gjuhën ose gjuhët të cilat do të përdoren gjatë procedurës së arbitrazhit. Marrëveshja ndërmjet
palëve, respektivisht, vendimi i tribunalit vlejnë për të gjitha deklaratat dhe parashtresat me shkrim që
dorëzohen nga palët, seancat e dëgjimit, si dhe vendimet ose kumtesat tjera të tribunalit të arbitrazhit.
6

19.2. Tribunali i arbitrazhit mund të urdhërojë që të gjitha dokumenteve të dorëzuara gjatë procedurës së
arbitrazhit t’u bashkëngjitet një përkthim në gjuhën ose gjuhët për të cilat janë pajtuar palët ose të cilat i
ka caktuar tribunali i arbitrazhit. Tribunali i arbitrazhit i pranon vetëm përkthimet e bëra nga një përkthyes i
certifikuar ose i aprovuar nga gjykata.

Neni 20
Padia, përgjigjja në padi dhe kundër-padia

20.1. Brenda afatit të dakorduar nga palët ose, në mungesë të një dakordimi të tillë, brenda afatit të
caktuar nga tribunali i arbitrazhit, paditësi ka për detyrë të paraqesë padinë e tij dhe provat në të cilat
mbështetet padia, dhe i padituri ka për detyrë të paraqesë përgjigjen në padi dhe provat në të cilat
mbështetet ajo. Së bashku me padinë, përkatësisht, në përgjigjen në padi, palët mund t’i paraqesin të
gjitha dokumentet tjera të cilat i konsiderojnë të nevojshme dhe përcaktojnë se cilat prova tjera do t’i
paraqesin.

20.2. Nëse palët nuk janë pajtuar ndryshe, secila palë gjatë procedurës së arbitrazhit mund ta ndryshojë
ose ta plotësojë padinë e vet, respektivisht përgjigjen e vet në padi, përveç nëse tribunali i arbitrazhit
konsideron se ndryshimet ose plotësimet janë të palejueshme për shkak se janë paraqitur me vonesë.

20.3. Së bashku me përgjigjen në padi, ose në një fazë të mëvonshme të procedurës, kur tribunali i
arbitrazhit, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, vendos se vonesa është e arsyeshme, i padituri mund
të paraqesë kundër-padinë e cila mbështetet në të njëjtën kontratë ose në një kërkesë të bazuar në të
njëjtën kontratë me qëllim të kompensimit të ndërsjellët të kërkesave. Paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni
zbatohen përshtatshmërisht për kundër-paditë.

Neni 21
Dëgjimi i palëve dhe procedura me shkrim

21.1. Në mungesë të marrëveshjes ndërmjet palëve, tribunali i arbitrazhit vendosë se a do të mbahet
seanca e dëgjimit ose procedura do të zhvillohet në bazë të dokumenteve dhe materialeve të tjera të
shkruara, ose nëse do të kombinohen të dy këto procedura. Nëse palët nuk e kanë përjashtuar mbajtjen
e seancave të dëgjimit, tribunali i arbitrazhit mbanë seancat e dëgjimit në një fazë të përshtatshme të
procedurës, nëse një gjë e tillë kërkohet nga pala. Seancat e dëgjimit nuk janë publike, përveç nëse palët
janë dakorduar ndryshe.

21.2. Palët duhet të informohen paraprakisht dhe në kohë të duhur në lidhje me çdo seancë të dëgjimit
dhe çdo mbledhje të tribunalit të arbitrazhit e cila ka për qëllim nxjerrjen e provave.

21.3. Të gjitha deklaratat, dokumentet ose informatat e tjera të cilat njëra palë ia dorëzon tribunalit të
arbitrazhit u dërgohen edhe të gjitha palëve tjera. Kjo vlen edhe për raportet e ekspertëve ose provave
tjera në formë të shkruar në të cilat tribunali i arbitrazhit mund ta mbështesë vendimin e tij.

21.4. Tribunali i arbitrazhit bënë përgatitjen e përkthimeve të deklaratave gojore gjatë seancave të
dëgjimit si dhe mbajtjen e procesverbalit gjatë seancës, nëse një gjë ë tillë konsiderohet e nevojshme nga
tribunali i arbitrazhit duke marrë parasysh rrethanat e rastit, ose nëse palët janë pajtuar për këtë dhe e
kanë njoftuar tribunalin e arbitrazhit së paku 15 ditë para mbajtjes së seancës së dëgjimit. Palët i bartin
shpenzimet e përkthimit.


Neni 22
Mbyllja e seancës së dëgjimit

22.1. Pas paraqitjes së provave sipas nenit 20, paragrafi 1, tribunali i arbitrazhit mund të kërkojë nga
palët se a kanë për të paraqitur prova shtesë ose dëshmitarë plotësues. Nëse nuk ka paraqitje të tilla,
seanca e dëgjimit mbyllet.

22.2. Me iniciativë të vetën, ose në bazë të kërkesës së njërës palë, tribunali i arbitrazhit mundet, në raste
të jashtëzakonshme dhe kur këtë e konsideron të domosdoshme, ta caktojë rihapjen e seancës së
dëgjimit në çdo kohë para marrjes së vendimit meritor.

7

Neni 23
Provat

23.1. Secila palë e ka barrën e të provuarit për faktet të cilat e mbështesin padinë, përkatësisht,
përgjigjen në padi.

23.2. Tribunali i arbitrazhit përcakton pranueshmërinë, relevancën, vërtetësinë dhe peshën e provave të
paraqitura.

23.3 Tribunali i arbitrazhit vendos mbi pranimin ose hedhjen poshtë të kërkesave për nxjerrjen e provave.
Tribunali i arbitrazhit mund të nxjerrë prova, nëse këtë e konsideron të nevojshme, dhe bënë vlerësimin
tyre në mënyrë të lirë dhe të paanshme.

23.4. Në çdo kohë gjatë procedurës, tribunali i arbitrazhit mund të kërkojë nga palët që të paraqesin
dokumente ose prova tjera brenda afatit të caktuar nga ai.

Neni 24
Dëshmitarët

24.1. Nëse duhet të dëgjohet një dëshmitar, së paku 15 ditë para mbajtjes së seancës së dëgjimit, secila
palë duhet t’ia dorëzojë tribunalit të arbitrazhit dhe palës tjetër emrin edhe adresën e dëshmitarit të cilin e
fton të deklarohet, çështjen për të cilën do të dëshmojë dhe gjuhën në të cilën do ta paraqes dëshminë.

24.2. Deklaratat e dëshmitarëve mund të paraqiten edhe në formë të deklaratave të shkruara, të
nënshkruara nga dëshmitari, me kusht që dëshmitari të jetë në dispozicion për palët, nëse njëra palë e
kërkon ekzaminimin e dëshmitarit.
Neni 25
Ekspertët

25.1. Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, tribunali i arbitrazhit mund të emërojë një ose më shumë
ekspertë të cilët do t’i raportojnë atij me shkrim për çështje tё caktuara nga tribunali i arbitrazhit.

25.2. Tribunali i arbitrazhit mund ta urdhërojë një palë që ekspertit t’i jep çdo informatë të nevojshme, të
përgatisë ose t’i ofrojë qasje në dokumente ose sende për shiqim. Pas pranimit të raportit të ekspertit,
tribunali i arbitrazhit ua dërgon palëve nga një kopje të raportit me ç’rast palëve u jepet mundësia që me
shkrim ta shprehin mendimin e tyre lidhur me raportin.

25.3. Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, me kërkesë të palës ose nëse tribunali i arbitrazhit këtë e
konsideron të nevojshme, eksperti, pasi të ketë dorëzuar raportin me shkrim, dëgjohet në seancë, gjatë
së cilës palët kanë mundësi ta marrin ekspertin në pyetje. Gjatë kësaj seance të dëgjimit, palët mund të
paraqesin ekspertët e tyre për të dhënë mendimin e tyre në lidhje me çështjet e ngritura.


Neni 26
Mosveprimi i palës

26.1. Nëse paditësi nuk e paraqet padinë e tij në pajtim me nenin 20, paragrafi 1 dhe nuk ka arsyetim të
mjaftueshëm për këtë, tribunali i arbitrazhit e mbyllë procedurën e arbitrazhit.

26.2. Nëse i padituri nuk e paraqet përgjigjen e tij në padi sipas nenit 20, paragrafi 1, tribunali i arbitrazhit
vazhdon me procedurën. Mungesa e paraqitjes së përgjigjes në padi nga i padituri nuk do të konsiderohet
si pranim i pretendimeve të paditësit.

26.3. Nëse njëra palë, edhe pse ka qenë e njoftuar me rregull sipas këtij ligji, nuk merr pjesë në seancën
e dëgjimit ose nuk i dorëzon provat brenda afatit të caktuar, tribunali i arbitrazhit mund ta vazhdojë
procedurën e arbitrazhit dhe ta nxjerrë vendimin në bazë të provave me të cilat disponon.

Neni 27
Heqja dorë nga kundërshtimi

8
Pala e cila është në dijeni për një shkelje të ndonjë dispozite të këtij ligji ose të marrëveshjes me palën
tjetër por e cila prapseprapë vazhdon procedurën e arbitrazhit pa kundërshtuar menjëherë shkeljen në
fjalë, konsiderohet se ka hequr dorë nga e drejta për të parashtruar kundërshtimin.


Neni 28
Ndihma e gjykatës

28.1. Tribunali i arbitrazhit, ose pala që ka marrë miratimin paraprak nga tribunali i arbitrazhit, mund të
kërkojë ndihmë nga gjykata, me qëllim të nxjerrjes së provave ose për kryerjen e punëve tjera juridike të
cilat tribunali i arbitrazhit nuk është kompetent për t’i kryer.

28.2. Nëse gjykata konstaton se kërkesa e tillë është e pranueshme, ajo e zbaton kërkesën në pajtim me
rregullat e saja procedurale.


Kreu VI
VENDIMET

Neni 29
E drejta kompetente

29.1. Në rastet me element ndërkombëtar, tribunali i arbitrazhit zbaton të drejtën të cilën palët e kanë
caktuar si të drejtën kompetente për aspektet materiale të kontestit. Në mungesë të një caktimi të tillë nga
palët, tribunali i arbitrazhit zbaton të drejtën e përcaktuar nga rregullat e së drejtës ndërkombëtare
private. Në të gjitha rastet tjera, tribunali i arbitrazhit e zbaton legjislacionin e Kosovës.

29.2. Tribunali vendos ex aequo et bono ose si amiable compositeur vetëm nëse palët shprehimisht e
kanë autorizuar për këtë.

29.3. Në të gjitha rastet, tribunali i arbitrazhit vendos në pajtim me dispozitat e kontratës duke marrë
parasysh uzancat tregtare që vlejnë për rastin konkret.


Neni 30
Marrja e vendimeve

30.1. Në procedurën e arbitrazhit me më shumë se një arbitër, çdo vendim i tribunalit të arbitrazhit merret
me shumicë votash të të gjithë anëtarëve të tribunalit të arbitrazhit, përveç nëse palët pajtohen ndryshe.

30.2. Për çështjet procedurale drejtuesi i tribunalit të arbitrazhit vendos vet, nëse për këtë është i
autorizuar nga palët ose nga të gjithë anëtarët e tribunalit të arbitrazhit.



Neni 31
Forma dhe përmbajtja e vendimit

31.1. Vendimi i tribunalit të arbitrazhit nxirret në formë të shkruar dhe është përfundimtar dhe i
detyrueshëm për palët. Vendimi për palët e ka efektin e njëjtë juridik sikurse një aktgjykim i plotfuqishëm
dhe detyrues i gjykatës.

31.2. Në vendim ceken arsyet mbi të cilat mbështetet vendimi, përveç nëse palët janë pajtuar që arsyet të
mos ceken.

31.3. Vendimi nënshkruhet nga arbitri ose arbitrat, dhe mbanë datën dhe vendin kur është nxjerrë. Në
procedurën e arbitrazhit me më shumë se një arbitër, nënshkrimet e shumicës së anëtarëve të tribunalit
janë të mjaftueshme, me kusht që në vendim të shpjegohen arsyet për mungesën e nënshkrimeve të
tjera.

9
31.4. Nga një kopje e vendimit të nënshkruar nga arbitrat u dorëzohet të dyja palëve, pasi që të jenë
paguar të gjitha taksat.

31.5. Vendimi bëhet publik vetëm me pëlqimin e të gjitha palëve.

Neni 32
Pajtimi

32.1. Nëse para nxjerrjes së vendimit palët pajtohen për zgjidhjen e kontestit, tribunali e ndërprenë
procedurën e arbitrazhit.

32.2. Nëse kërkohet nga palët, tribunali i arbitrazhit mund të dokumentojë pajtimin e palëve në formë të
një vendimi të arbitrazhit sipas kushteve për të cilat janë pajtuar palët, përveç nëse përmbajtja e pajtimit
cenon ose është në kundërshtim me rendin publik (ordre public). Vendimi i tillë e ka efektin e njëjtë sikur
një vendim meritor.


Neni 33
Përfundimi i procedurës së arbitrazhit

33.1. Procedura e arbitrazhit përfundon me nxjerrjen e vendimit përfundimtar ose të një urdhri të tribunalit
të arbitrazhit sipas paragrafit 2 të këtij neni.

33.2. Tribunali i arbitrazhit nxjerr urdhër për ndërprerjen e procedurës së arbitrazhit nëse:

1. paditësi:

a) nuk e dorëzon padinë e tij sipas nenit 20, paragrafi 1;
b) e tërheq padinë, përveç nëse i padituri e kundërshton këtë dhe tribunali i arbitrazhit konstaton
se i padituri ka interes legjitim që të nxirret vendimi përfundimtar mbi kontestin;

2. palët pajtohen për përfundimin e procedurës; ose

3. palët nuk vazhdojnë procedurën e arbitrazhit edhe pse vazhdimi i procedurës është kërkuar nga
tribunali i arbitrazhit ose nëse vazhdimi i procedurës së arbitrazhit është bërë i pamundshëm ose i
panevojshëm për arsye të tjera.

33.3. Mandati i tribunalit të arbitrazhit përfundon me ndërprerjen e procedurës, përveç nëse me ligj
parashihet ndryshe.


Neni 34
Shpenzimet e procedurës

34.1. Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, tribunali i arbitrazhit cakton shpenzimet në vendimin e tij
përfundimtar. Shpenzimet në fjalë përfshijnë:

a. taksën e tribunalit të arbitrazhit;
b. shpenzimet e arbitrave;
c. shpenzimet për ekspertë dhe ndihmën tjetër të cilën e ka kërkuar tribunali i arbitrazhit dhe për të
cilën janë pajtuar palët;
d. shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet e tjera të dëshmitarëve, deri në masën e miratuar nga
tribunali i arbitrazhit;
e. shpenzimet për përfaqësimin dhe ndihmën për palën e suksesshme, nëse kompensimi i këtyre
shpenzimeve është kërkuar gjatë procedurës së arbitrazhit, dhe vetëm deri në atë masë që tribunali
i arbitrazhit e cakton të arsyeshëm; dhe
f. të gjitha taksat dhe shpenzimet e gjykatës kur kjo bënë emërimin e arbitërve.

34.2. Taksat e tribunalit të arbitrazhit duhet të jenë të arsyeshme, duke marrë parasysh vlerën e kontestit,
kompleksitetin e lëndës, kohën e shpenzuar nga arbitrat dhe rrethanat e tjera të rastit. Në rast se shfaqen
10
mosmarrëveshje në lidhje me shumën e taksave që duhet paguar tribunalit të arbitrazhit, gjykata është
kompetente që të vendosë mbi këtë çështje.

34.3. Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, shpenzimet e arbitrazhit i ngarkohen palës humbëse.
Tribunali i arbitrazhit mund të ndajë shpenzimet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni ndërmjet palëve,
nëse konstaton se një ndarje e tillë është e arsyeshme duke marrë parasysh rrethanat e rastit.


Neni 35
Korrigjimi, interpretimi dhe plotësimi i vendimit

35.1. Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, brenda tridhjetë ditëve nga marrja e vendimit, secila palë,
duke e njoftuar edhe palën tjetër, mund të kërkojë nga tribunali i arbitrazhit:

a. ta interpretojë vendimin;

b. ta korrigjojë ndonjë gabim në llogaritje, gabim shtypi ose çfarëdo gabimi tjetër të kësaj natyre; ose

c. ta nxjerrë një vendim plotësues në lidhje me paditë e ngritura para tribunalit të arbitrazhit, por të
cilat nuk janë përfshirë në vendimin përfundimtar.

35.2. Brenda tridhjetë ditëve nga dërgimi i vendimit, tribunali i arbitrazhit mund të bëjë korrigjime të tilla
me iniciativë të vetën. Tribunali i arbitrazhit i bën korrigjimet ose jep interpretimin brenda tridhjetë ditëve
nga pranimi i kërkesës për ta bërë këtë.

35.3. Nëse tribunali i arbitrazhit konsideron se kërkesa për nxjerrjen e vendimit plotësues është e
arsyeshme dhe konsideron se vendimi plotësues mund të nxirret pa mbajtjen e seancës së dëgjimit ose
nxjerrjes së provave, tribunali i arbitrazhit e plotëson vendimin brenda gjashtëdhjetë ditëve nga pranimi i
kërkesës. Neni 30 vlen përshtatshmërisht edhe për vendimet plotësuese.


Kreu VII
PROCEDURA GJYQËSORE

Neni 36
Mjetet juridike

36.1. Në rastet e parapara në paragrafin 2 dhe 3 të këtij neni, secila palë mund të kërkojë nga gjykata që
të anulojë një vendim të tribunalit të arbitrazhit.

36.2. Gjykata anulon vendimin e tribunalit nëse:

a). Paditësi dëshmon se:

(i) njëra palë në marrëveshjen e arbitrazhit nuk ka patur zotësinë për të vepruar;

(ii) marrëveshja e arbitrazhit nuk është e vlefshme sipas së drejtës së caktuar nga palët ose nga
tribunali i arbitrazhit ose, në mungesë të një caktimi të tillë, sipas ligjit të zbatueshëm në
Kosovë;




(iii) paditësi nuk është njoftuar me rregull në lidhje me emërimin e një arbitri ose mbi procedurën e
arbitrazhit, ose për arsye tjera nuk ka qenë në gjendje të paraqesë rastin e tij;

(iv) vendimi nuk ka të bëjë me çështjen e shqyrtuar nga tribunali i arbitrazhit ose ka të bëjë me një
çështje për të cilën nuk është kompetent tribunali i arbitrazhit, ose vendimi përfshinë çështje
për të cilat nuk është kompetent tribunali i arbitrazhit. Në këto raste, nëse vendimi mbi çështjet
për të cilat është kompetent tribunali i arbitrazhit mund të ndahet nga çështjet tjera, atëherë kjo
pjesë e vendimit mund të ekzekutohet;
11

(v) përbërja e tribunalit të arbitrazhit ose procedura e arbitrazhit nuk ka qenë në pajtim me
dispozitat e këtij ligji ose me marrëveshjen e arbitrazhit, me kusht që mangësia e tillë të ketë
patur ndikim në vendimin e tribunalit; ose

b). Gjykata konstaton se:

(i) arbitrazhi në fjalë është i ndaluar me ligj; ose
(ii) ekzekutimi i vendimit do të cenonte ose do ishte në kundërshtim me rendin publik (ordre
public).

36.3. Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, padia për anulimin e vendimit të tribunalit të arbitrazhit i
dorëzohet gjykatës jo më vonë se nëntëdhjetë ditë pas pranimit të vendimit të tribunalit të arbitrazhit nga
pala përkatëse.

36.4. Kur kërkohet anulimi i vendimit të tribunalit të arbitrazhit, Gjykata mundet, nëse kjo është e
arsyeshme, ta anulojë vendimin dhe t’ia kthejë lëndën tribunalit të arbitrazhit që ta iniciojë sërish
procedurën e arbitrazhit ose që t’i merr ato veprime, të cilat sipas vlerësimit të tribunalit të arbitrazhit do të
mënjanojnë arsyet për anulimin e vendimit.




Neni 37
Dispozitat e përgjithshme të procedurës

37.1. Gjykata vendos me aktvendim. Para nxjerrjes së aktvendimit Gjykata ka për detyrë ta dëgjojë palën
kundërshtare.

37.2. Në rastin e ngritjes së padisë, sipas nenit 36, për anulimin e vendimit të tribunalit të arbitrazhit,
Gjykata ka për detyrë t’i dëgjojë të gjitha palët.

37.3. Kundër aktvendimit të Gjykatës në rastet e parapara në nenin 36, paragrafi 2, lejohet ankesa. Për të
gjitha aktvendimet tjera të nxjerra nga Gjykata në pajtim me këtë ligj nuk lejohet ankesa.


Kreu VIII
NJOHJA DHE EKZEKUTIMI I VENDIMEVE
TË TRIBUNALIT TË ARBITRAZHIT

Neni 38
Vendimet e arbitrazhit të nxjerra brenda Kosovës

38.1. Vendimi i arbitrazhit i cili është nxjerrë nga një tribunal i arbitrazhit brenda Kosovës ekzekutohet
pasi që të shpallet i ekzekutueshëm nga Gjykata.

38.2. Kërkesa që vendimi i arbitrazhit të shpallet i ekzekutueshëm hidhet poshtë nëse Gjykata konstaton
se ekzistojnë një ose më shumë arsye për anulimin e vendimit sipas nenit 36, paragrafi 2. Kërkesës për
ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit sipas këtij neni i bashkëngjitet vendimi i tribunalit të arbitrazhit ose
një kopje e vërtetuar e tij.


Neni 39
Vendimet e arbitrazhit të nxjerra jashtë Kosovës

39.1. Gjykatat e Kosovës i njohin vendimet e arbitrazhit të nxjerra jashtë Kosovës si të plotfuqishme dhe i
ekzekutojnë ato nëse vendimet në fjalë janë njohur dhe janë shpallur të ekzekutueshëm sipas
paragrafëve 2 deri 5 të këtij neni.

39.2. Kërkesa për njohjen dhe ekzekutimin e një vendimi të arbitrazhit të nxjerrur jashtë Kosovës i
paraqitet Gjykatës Ekonomike.
12

39.3. Kërkesës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit pala e interesuar ia bashkëngjet:

a). origjinalin e vendimit ose një kopje të vërtetuar të vendimit;
b). origjinalin e marrëveshjes së arbitrazhit ose një kopje të vërtetuar të saj; dhe
c). një përkthim të certifikuar të marrëveshjes së arbitrazhit dhe të vendimit të arbitrazhit në njërën prej
gjuhëve zyrtare të Kosovës, nëse marrëveshja ose vendimi nuk është përpiluar në njërën prej
gjuhëve zyrtare të Kosovës.

39.4. Kërkesa për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit refuzohet në bazë të kërkesës së
palës tjetër, nëse ajo dëshmon se:

a). njëra palë në marrëveshjen e arbitrazhit, sipas së drejtës kompetente për atë marrëveshje, nuk ka
pasur zotësi për të vepruar; ose nëse marrëveshja e arbitrazhit nuk ka qenë e vlefshme sipas së
drejtës së caktuar nga palët ose, në mungesë të një caktimi të tillë, sipas së drejtës në territorin ku
është marrë vendimi;

b). pala, ndaj së cilës kërkohet ekzekutimi i vendimit, nuk është njoftuar me rregull në lidhje me
caktimin e një arbitri ose për procedurën e arbitrazhit, ose për arsye tjera nuk ka qenë në gjendje të
paraqesë rastin e saj;

c). vendimi nuk ka të bëjë me çështjen e shqyrtuar nga tribunali i arbitrazhit ose ka të bëjë me një
çështje e për të cilën nuk është kompetent tribunali i arbitrazhit, ose vendimi përfshin çështje për të
cilat nuk është kompetent tribunali i arbitrazhit. Në këto raste, nëse vendimi mbi çështjet për të cilat
është kompetent tribunali i arbitrazhit mund të ndahet nga çështjet tjera, atëherë kjo pjesë e
vendimit mund të njihet dhe të ekzekutohet;

d). përbërja e tribunalit të arbitrazhit ose procedura e arbitrazhit nuk ka qenë në pajtim me dispozitat e
ligjit të zbatueshëm në atë rast; dhe

e). vendimi ende nuk është bërë i plotfuqishëm për palët, ose është shfuqizuar ose pezulluar nga një
organ kompetent në territorin ku është nxjerrë vendimi, respektivisht sipas drejtës në bazë të së
cilës është nxjerrë vendimi.

39.5. Kërkesa për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të tribunalit të arbitrazhit refuzohet, nёse Gjykata
konstaton se:

a). sipas ligjit në fuqi në Kosovë, kontesti përkatës nuk mund të zgjidhet përmes arbitrazhit, ose

b). njohja ose ekzekutimi i vendimit do të cenonte ose do të ishte në kundërshtim me rendin publik
(ordre public) të Kosovës.

Kreu IX
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Neni 40
Ligji në fuqi

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen të gjitha dispozitat e ligjit në fuqi të cilat nuk janë në pajtim me
këtë ligj.

Neni 41
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi një muaj pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe pas shpalljes nga Përfaqësuesi
Special i Sekretarit të Përgjithshëm.

UNMIK/REG/ 2008/30
05.06.2008