LIGJI NR. 02/L-78
LIGJI PËR SHËNDETËSI PUBLIKE
Kuvendi i Kosovës,
Në bazë të Kreut 5.1(ë) dhe 9.1.26(a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në
Kosovë, (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9, datë 15 maj 2001);
Miraton:
LIGJIN PËR SHËNDETËSI PUBLIKE
Kapitulli I
Përkufizimet
Neni 1
Definimi i termave të përdorura në Ligj
a) Shëndetësia publike: disiplinë e pavarur që merret me identifikimin dhe zgjidhjen e të gjitha
problemeve të bashkësisë nga të gjitha pikëpamjet shëndetësore, parandalimin e sëmundjeve,
hulumtimin e etiologjisë së sëmundjeve, promovimin e shëndetit, rehabilitimin dhe riadaptimin e të
hendikepuarve, edukimin shëndetësor dhe çështjet sociale.
b) Dezinfektimi: shkatërrimi i agjensëve infektiv jashtë organizmit që bëhet me ndihmën e mjeteve fizike,
kimike dhe veprimeve të ndryshme.
c) Dezinsektimi: është shkatërrim i vektoreve-artropodeve me metodat fizike, kimike dhe biologjike.
d) Deratizimi: asgjësimi i brejtësve me metoda të caktuara mekanike, biologjike dhe kimike.
e) Epidemia: paraqitja e dy apo më shumë rasteve të një sëmundjeje ngjitëse, të lidhura ngushtë mes
veti në kohë dhe territor të caktuar apo rritjen enorme të numrit të rasteve të një sëmundjeje ngjitëse.
f) Vaksinoprofilaksa: bartja e shkaktarëve të sëmundjeve ngjitëse apo të produkteve të tyre të mbytur
ose të dobësuar në organizmin e njeriut apo të kafshës me qëllim të formimit të imunitetit aktiv specifik.
g) Zona endemike: territori ku është e pranishme sëmundja ngjitëse për një kohë të gjatë në rrethana të
caktuara e cila në kushte të favorshme mund të përhapet në masë në formë epidemie.
h) Preventiva shëndetësore: intervenimi strategjik i bazuar në shkencë në rrjedhën natyrore të shkaqeve
që shpijnë drejtë dëmtimit të shëndetit e me qëllim të reduktimit efektiv të shkaktarëve të mundshëm si
dhe pasojave eventuale nëse vjen deri tek dëmtimi i shëndetit.
i) Edukimi shëndetësor: kompleks i masave për të mësuar, për te ngritur mundësitë e njohurive
shëndetësore si dhe shkathtësive jetësore të individëve dhe bashkësisë që kanë për qëllim ndërrimin e
sjelljeve për të ruajtur shëndetin.
j) Parandalimi i sëmundjes: kompleks i masave me qëllim të parandalimit të zhvillimit, përhapjes së
sëmundjes, parandalimit të përparimit të sëmundjes dhe pasojave të saja.
k) Imunizimi: parandalimi i sëmundjeve ngjitëse me preparate imunologjike - vaksina dhe serume:
mase efikase profilaktike dhe kundër epidemike, qëllimi i të cilës është që të zhvilloj mbrojtjen aktive dhe
pasive kundër sëmundjeve.
l) Komunikimi shëndetësor: aktivitet për të realizuar informimin e popullatës lidhur me brengat
shëndetësore si dhe mbajtjen e qëndrueshme të çështjeve shëndetësore në agjendat e vendimmarrësve
dhe publikut.
2
m) Avokimi për shëndet: çdo aktivitet i ndërmarrë nga individi apo përfaqësuesit e grupeve të interesit me
qëllim të ngritjes së çështjes shëndetësore me interes të bashkësisë para vendimmarrësve e për të
realizuar përparimin, parandalimin dhe trajtimin adekuat shëndetësor.
n) Sjelljet shëndetësore: aktivitet me qëllim të përparimit, parandalimit dhe mbrojtjes shëndetësore pa
dallim se a është fjala për gjendjen shëndetësore të vlerësuar apo ekzistuese.
o) Shëndeti mjedisor: kontrolli i të gjithë faktorëve në mjedisin fizik të njeriut të cilët ushtrojnë ose mund
të ushtrojnë një efekt negativ në zhvillimin e tij fizik dhe psikik, shëndetin apo kushtet jetësore.
p) Ndotja: ndryshimet jonormale të padëshirueshme në karakteristikat fizike, kimike, biologjike të ujit,
ajrit, tokës dhe ushqimit që ndikojnë apo mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut dhe
organizmave tjerë të gjallë.
q) Ndotësi: elementi, material, substanca (fizike, kimike, biologjike me origjinë natyrale ose sintetike) që
nuk është përbërës i strukturës normale (huaj) ose “mbi vlerat maksimale të lejuara”(VML).
r) Sanitacioni: tërësia e masave higjienike sanitare që ka të bëjë me ruajtjen dhe përparimin e shëndetit
mjedisor.
s) Edukimi sanitar: proces nëpërmjet të cilit individi dhe bashkësia mësohen të mbrojnë, ruajnë,
përmirësojnë dhe rifitojnë shëndetin e tyre.
t) Banka e mostrave mikrobiologjike: mbledhja, ruajtja dhe konservimi i mostrave me rëndësi të veçantë
në kushte të parapara.
u) Programi i zgjeruar i imunizimit: përmban mbikëqyrjen e sëmundjeve vaksinë preventabile, vaksinimin,
prokurimin e vaksinave dhe materialit tjetër, zinxhirin e ftohtë dhe menaxhimin e stoqeve, imunizimin e
sigurt, injektimin e sigurt, mbikëqyrjen e efekteve te padëshiruara pasvaksinale, eliminimin e
indikacioneve epidemiologjike dhe trafikut ndërkombëtar.
v) Grupet senzitive: familjet një prindërore, fëmijët jetim, të varfrit ekstrem, viktimat e trafikimit, të sëmurit
kronok, të moshuar, të burgosurit, të pa strehët, përdoruesit e drogës me injektim, të sëmurët mental e
veçmas PTSD (post-traumatic stress disorders - personat me çrregullime post-traumatike).
w) Gjendja e jashtëzakonshme: janë situata të rrezikimit të shëndetësisë publike pas shpërthimit të
epidemive masive, tërmeteve, zjarreve, thatësirave, vërshimeve, erërave të forta, migrimeve masive të
popullsisë, luftërave e situata tjera të ngjashme.
Kapitulli II
Dispozitat e Përgjithshme
Neni 2
Veprimtaria e shëndetësisë publike është veprimtari me interes të veçantë për shoqërinë si në nivelin
kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Neni 3
3.1 Institucionet që ushtrojnë veprimtari të shëndetësisë publike, në aspektin ligjor, i nënshtrohen
mbikëqyrjes të siguruar nga themeluesi.
3.2 Në aspektin profesional veprimtaria e shëndetësisë publike i nënshtrohet mbikëqyrjes profesionale të
brendshme dhe të jashtme.
3
Neni 4
4.1. Ministria e Shëndetësisë përpilon dhe monitoron zbatimin e politikave te shëndetësisë publike
përmes Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
4.2 Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës(IKSHP) është institucion publik i cili ushtron
veprimtari referente në lëmin e shëndetësisë publike si në vijim:
a ) Planifikimit dhe programimit shëndetësor;
b) Përpunimit, analizës dhe publikimit të të dhënave në lëmin e ekonomikes shëndetësore;
c) Kontrollit të kualitetit të punës;
d) Kontrollit të gatishmërisë dhe të përgjegjësisë epidemiologjike;
e) Menaxhimit dhe vlerësimit të situatës epidemiologjike të sëmundjeve ngjitëse;
f) Menaxhimit të Programit të zgjeruar të imunizimit;
g) Menaxhimit të infeksioneve intra hospitalore;
h) Analizimit dhe vlerësimit të gjendjes higjienike sanitare në objektet publike dhe private;
i) Analizimit dhe vlerësimit të kualitetit të ujit për pije;
j) Analizimit dhe vlerësimit të sanitacionit;
k) Analizimit dhe vlerësimit të kualitetit të ushqimit dhe ushqyeshmërisë;
l) Analizimit dhe vlerësimit të aerondotjes;
m) Analizimit dhe vlerësimit të higjienës në objektet parashkollore dhe shkollore;
n) Analizimit dhe menaxhimit të veprimtarive lidhur me mikrobiologjinë e mjedisit;
o) Vlerësimit dhe kontrollit të laboratorëve që ushtrojnë veprimtari në lëmin e shëndetit publik;
p) Qendër referente në lëmin e shëndetit publik për TBC, HIV/AIDS dhe IST;
q) Qendër referente në lëmin e shëndetit publik për zoonoza;
r) Qendër referente në lëmin e shëndetit publik për promovimin dhe edukimin shëndetësorë;
s) Analizimit, vlerësimit dhe menaxhimit të mbrojtjes shëndetësore të kategorive të veçanta të
popullatës me rëndësi sociale mjekësore si dhe sëmundjet malinje, kardiovaskulare, diabeti e të
ngjashme;
t) Grumbullimit, përpunimit dhe analizimit të të dhënave nga Sistemi i Informimit shëndetësor(SISH)
dhe propozimit të masave për avancimin dhe menaxhimin e SISH-it;
u) Grumbullimit, përpunimit dhe analizimit të të dhënave nga Sistemi i Informimit gjeografik (SIGJ) dhe
propozimit të masave për avancimin dhe menaxhimin e SIGJ-it;
4.3 IKSHPK për realizimin e suksesshëm të veprimtarisë së vet bashkëpunon ngushtë me institucionet
qeveritare dhe joqeveritare.
4.4 IKSHPK koordinon dhe mbikëqyrë veprimtaritë dhe aktivitetet e shëndetit publik në njësitë
organizative të saja.
Neni 5
5.1 IKSHPK si Institucion më i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i
5.2 Kosovës organizon, zhvillon, mbikëqyrë dhe zbaton politikat e shëndetësisë publike në Kosovë.
5.3 Veprimtaria, organizimi dhe menaxhimi i IKSHPK-së rregullohet me statut.
Kapitulli III
Shëndeti Mjedisor dhe Banimi
Neni 6
6.1 IKSHPK hulumton ndikimin e faktorëve mjedisor në shëndetin e popullsisë dhe i propozon masat
mbrojtëse për parandalimin e efekteve të dëmshme për shëndet.
4
6.2 IKSHPK propozon dhe ndërmerr veprime profesionale dhe u rekomandon institucioneve kompetente
eliminimin e mangësive të zbuluara dhe çfarëdo efekti të dëmshëm për shëndet.
6.3 Brenda sferës së aktiviteteve të lidhura me shëndetin e mjedisit dhe atij të banimit, IKSHPK do të:
a) njoftoj popullatën lidhur me shkaqet e ndotjes së mjedisit i cili mund të kërcënon shëndetin.
b) elaboron sistemin e raportimit të dëmtimit të shëndetit dhe sëmundjeve përkitazi me efektet e
mjedisit.
Neni 7
7.1 IKSHPK rekomandon dhe zbaton masat mbrojtëse nga fusha e veprimtarisë së ekologjisë humane:
a) mbikëqyrja dhe kontrolli i ujit të pijshëm,
b) mbikëqyrja dhe kontrolli i ujit të ambalazhuar,
c) mbikëqyrja dhe kontrolli i ujërave rekreative, burimet natyrale–minerale (banjat) dhe pishinat.
7.2 Kjo çështje rregullohet me akt nënligjor.
Neni 8
IKSHPK hulumton shkaqet dhe pasojat e aerondotjes që dëmtojnë shëndetin publik si dhe i propozon
masat mbrojtëse.
Neni 9
IKSHPK hulumton shkallën e kontaminimit të tokës, nga aspekti i kërcënimit të shëndetit publik në
mënyre direkte apo të tërthortë.
Kapitulli IV
Ushqimi dhe Shëndeti
Neni 10
Është detyrë e IKSHPK që lidhur me artikujt ushqimor që shërbejnë për qëllime të konsumit publik, të
hulumtoi helmimet dhe infeksionet e shkaktuara nga artikujt e kontaminuar ushqimor.
Neni 11
IKSHPK hulumton, kontrollon dhe jep rekomandime profesionale lidhur me higjienën sanitare.
Kapitulli V
Gjendja shëndetësore dhe ushqyeshmëria
Neni 12
12.1 IKSHPK mbikëqyrë, analizon dhe bënë vlerësimin e gjendjes shëndetësore dhe shkallës së
ushqyeshmërisë së popullatës dhe njëkohësisht propozon masat adekuate për përparimin e
ushqyeshmërisë.
5
12.2 Procesi dhe periudha e raportimit të gjendjes shëndetësore të popullatës dhe shkalla e
ushqyeshmërisë rregullohet me akt nënligjor.
Neni 13
IKSHPK propozon planin e përgjithshëm në mënyrën e organizimit të vizitave sistematike për fëmijët në
entet parashkollore, shkollore dhe grupet me rëndësi të veçantë që duhet t’i nënshtrohen vizitave
sistematike nga institucionet kompetente.
Neni 14
IKSHPK përpilon standardet e rritjes, zhvillimit dhe ushqyeshmërisë së popullatës.
Kapitulli VI
Shëndeti dhe Rrezatimi
Neni 15
15.1 Efektet e dëmshme të rrezatimit jonizues dhe jo-jonizues janë objekt i mbikëqyrjes, hulumtimit dhe
vlerësimit të ndikimit në shëndetin publik.
15.2 Rregullat dhe masat e kujdesit kundër efektit të dëmshëm të rrezatimit, përcaktimi i kushteve të
përdorimit, menaxhimit, ruajtjes së substancave radioaktive që përdoren për diagnostifikim dhe terapi
rregullohen me akt nënligjor.
15.3 Ekspozimi ndaj rrezatimit jonizues për qëllime diagnostike dhe terapeutike bëhet sipas
indikacioneve shëndetësore dhe në pajtim me pacientin.
Kapitulli VII
Kujdesi shëndetësor i të punësuarve
Neni 16
16.1 Standardizimi, hulumtimi dhe përcjellja e ndikimit të kushteve dhe kujdesit shëndetësor të
punëtorëve rregullohet me akt nënligjor.
16.2 Zbatimi i aktiviteteve nga paragrafi 1 i këtij neni është nën kompetenca të institucionit shëndetësor
të autorizuar nga Ministria e Shëndetësisë.
16.3 Punëtorët të cilëve mund t’u rrezikohet shëndeti u nënshtrohen kontrollimeve sistematike
mjekësore (makro dhe mikroklima) nga IKSHPK.
Kapitulli VIII
Mbrojtja shëndetësore në kushte të jashtëzakonshme
Neni 17
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në rastet kur konstatohet rrezikshmëria e shëndetit publik
rregullohet me akt nënligjor.
Kapitulli IX
Veprimtaria diagnostike mikrobiologjike
6
Neni 18
18.1 Veprimtaria e mikrobiologjisë së Mjedisit kryhet vetëm në laboratorët e institucioneve publike.
18.2 Mikrobiologjia klinike kryhet në institucionet publike, mikse dhe private.
18.3 Në institucionet private dhe mikse nuk lejohet të kryhen shërbimet mikrobiologjike referente si
zoonozat, TBC, shkaktarët e sëmundjeve bioterroriste, kontrolli i cilësisë së ujit dhe ushqimit.
Neni 19
19.1 Laboratorët referente të IKSHPK koordinojnë dhe mbikëqyrin laboratorët mikrobiologjike publike
dhe private.
19.2 Veprimtaria diagnostike mikrobiologjike në IKSHPK përfshinë organizimin dhe bashkëpunimin me
laboratorët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për kontrollimin e kualitetit të testeve konfirmuese.
19.3 Kjo çështje rregullohet me akt nënligjor.
Neni 20
20.1 Laboratorët referente në IKSHPK analizojnë dhe vlerësojnë përshtatshmërinë mikrobiologjike të
mostrave.
20.2 Laboratorët referente analizojnë dhe vlerësojnë përshtatshmërinë e mostrave për kontrollin e
sterilizimit.
20.3 IKSHPK organizon laboratorët referente për:
a) infeksione enterike,
b) tuberkuloz,
c) serologji bakteriale,
d) mikologji,
e) parazitologji,
f) infeksione nozokomiale,
g) sëmundje seksualisht transmisive – STI dhe HIV/ AIDS,
h) zoonoza dhe sëmundje bioterroriste,
i) diagnostike molekulare.
20.4 Ne IKSHPK gjendet banka e mostrave mikrobiologjike veprimtaria e të cilës rregullohet me akt
nënligjor.
Kapitulli X
Imunizimi
Neni 21
21.1 Imunizimi me preparate imunologjike është i obligueshëm bazuar në vaksinoprofilaksën dhe
imunoprofilaksën sipas programit të zgjeruar të imunizimit për tërë territorin e Kosovës.
21.2 IKSHPK përgatitë programin e zgjeruar të imunizimit dhe në bazë të indikacioneve epidemiologjike
dhe Standardeve Ndërkombëtare.
7
21.3 IKSHPK bënë hulumtimin e kualitetit dhe imunitetit kolektiv të popullatës.
21.4 Ministria e Shëndetësisë, me propozimin e IKSHPK, përcakton listën e sëmundjeve ngjitëse të cilat
i nënshtrohen imunizimit të obligueshëm, sipas indikacioneve epidemiologjike dhe rregullores së trafikut
ndërkombëtar.
21.5 Imunizimi i obligueshëm mbi vaksinoprofilaksën seroprofilaksën dhe kimioprofilaksën rregullohet
me akt nënligjor.
21.6 IKSHPK harton dhe propozon programin e imunizimit të obliguar për vitin kalendarik dhe programin
për imunizim të jashtëzakonshëm të cilat i miraton Ministria e Shëndetësisë.
21.7 Qendrat e Mjekësisë Familjare bëjnë zbatimin e programit të imunizimit nën mbikëqyrjen dhe
vlerësimin e IKSHPK.
21.8 Komuna harton planin e imunizimit duke u bazuar në Planin e Zgjeruar të Imunizimit.
Neni 22
22.1 Ministria e Shëndetësisë është e obliguar që të bëjë sigurimin dhe furnizimin me preparate
imunologjike në bazë të programit nga neni 21.2, të këtij ligji.
22.2 Kompetent për ruajtjen e preparateve imunologjike dhe shpërndarjen e tyre në tërë territorin e
Kosovës është IKSHPK.
Neni 23
23.1 Mënyra e udhëtimit individual apo në grupe në vendet endemo epidemike jashtë vendit bëhet nën
mbikëqyrjen e IKSHPK-së.
23.2 Personat që kthehen nga vendet endemo epidemike i nënshtrohen kontrollit dhe mbikëqyrjes së
obliguar sanitare që nga dita e kthimit për pesë ditë me radhë në IKSHPK.
23.3 Imunizimin, përgatitjen dhe lëshimi i certifikatave ndërkombëtare për persona që udhëtojnë në
vendet endemo epidemike jashtë vendit është kompetent ekskluzive e IKSHPK-së.
Kapitulli XI
Masat parandaluese dhe kundër epidemike
Neni 24
Masat parandaluese për sëmundjet kronike jo ngjitëse dhe programi për implementimin e
tyre përcaktohet me akt nënligjor.
Neni 25
Dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi (DDD) paraqesin masa parandaluese dhe kundër epidemike që
rregullohen me akt nënligjor.
Kapitulli XII
Parandalimi i përhapjes së HIV/AIDS
Neni 26
8
26.1 Institucion referent për diagnostikimin laboratorik dhe parandalimin e HIV/AIDS është IKSHPK.
26.2 Veprimtaria, struktura dhe funksionet e shërbimeve shëndetësore që kanë të bëjnë me HIV/AIDS
rregullohen me akt nënligjor.
Kapitulli XIII
Promovimi i Shëndetit
Neni 27
27.1 Institucionet shëndetësore, profesionistët shëndetësor si dhe personeli i trajnuar kanë obligim që
të bëjnë:
a) Identifikimin dhe vlerësimin e hershëm të nevojave të bashkësisë dhe individëve lidhur me
shëndetin, gjendjeve para sëmundjeve, sëmundjeve dhe ndërlikimeve shëndetësore;
b) Identifikimin e hershëm të faktorëve që çojnë kah zhvillimi i proceseve jonormale shëndetësore,
gjegjësisht ato të cilat çrregullojnë mirëqenien e plotë fizike, mentale dhe sociale.
27.2 Profesionistët shëndetësor, personeli i trajnuar për edukim shëndetësor, institucionet
shëndetësore, jo shëndetësore, arsimore dhe shkollat promovuese të shëndetit kanë obligim të
organizojnë dhe zbatojnë aktivitetet e promovimit dhe edukimit shëndetësor me qëllim të përparimit të
shëndetit, përmirësimit të kualitetit të jetës dhe zvogëlimit apo eliminimit të faktorëve që ndikojnë
negativisht në shëndetin.
27.3 Me qëllim të zbatimit të masave të përparimit dhe të parandalimit individët dhe institucionet janë
të obliguara të:
a. Njoftojnë popullatën lidhur me mundësitë për t’iu shmangur faktorëve të rrezikut dhe eliminimit
të tyre duke përdorur mjetet dhe metodat që mbrojnë shëndetin;
b. Njoftojnë për mundësitë dhe përparësitë e ngritjes së rezistencës së organizmit ndaj faktorëve
patogjen dhe faktorëve të tjerë të dëmshëm për shëndet;
c. Njoftojnë në mënyrë të veçantë grupet me sensitive për rolin e zhvillimit të aktiviteteve të
promovimit dhe edukimit shëndetësor, me qëllim të zvogëlimit të faktorëve të rrezikut.
Neni 28
28.1 Me qëllim të zbatimit të promovimit dhe edukimit shëndetësor individët dhe popullata do të
informohet së paku për:
a) Ligjet e veprimit në trupin e njeriut dhe ndërveprimet e ambientit natyror, social dhe psikologjik;
b) Ushqimin, ajrin, ujin dhe tokën e shëndoshë, mënyrën e jetës dhe krijimin e ambientit të
shëndoshë;
c) Higjienën personale trupore, mendore si dhe higjienën kolektive;
d) Rolin e ushtrimeve fizike, të sportit dhe muzikës në promovimin e shëndetit;
e) Metodat për parandalimin dhe zgjidhjen e situatave të stresit dhe për mbizotërimin e konfliktit;
f) Informatat për parandalimin e infeksioneve seksualisht transmisive;
g) Vartësitë nga substancat psikoaktive, efektet e tyre të dëmshme dhe për mënyrat e shmangies
nga to;
h) Teoria dhe praktika e ndihmës së parë;
i) Kushtet dhe mundësitë e shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore dhe avokimit për shëndet;
j) Etika themelore përkitazi me shëndetin.
k) Mundësinë dhe përgjegjësinë e qytetarit në lidhje me promovimin e shëndetit të tij/saj.
28.2 Edukimi shëndetësor do të zgjerohet gjithashtu në njoftimin me informatat dhe metodat për
parandalimin e sëmundjes dhe gjendjes para sëmundjes dhe njohjen e hershme të saj, duke përparuar
mundësinë dhe përgjegjësinë e qytetarit në lidhje me promovimin e shëndetit të tij/saj.
9
28.3 Është detyrë e çdo punëtori të kujdesit shëndetësor që të marrë pjesë në mënyrë aktive në
edukimin shëndetësor, në trajnimin e punëtorëve shëndetësor, me theks të veçantë në përgatitjen e tyre
për dhënien e këshillave lidhur me mënyrën e jetës;
28.4 Pikëpamjet për edukimin shëndetësor duhet të merren parasysh nga masmediat në elaborimin e
politikave të tyre programore.
Neni 29
29.1 IKSHPK është qendër referente e politikes programore edukative shëndetësore, përpilimit,
mbikëqyrjes dhe vlerësimit të programeve dhe materialeve të informimit, edukimit dhe komunikimit
shëndetësor.
29.2 IKSHPK është qendër referente e zbatimit të edukimit të vazhdueshëm në lëmin e promovimit
dhe edukimit shëndetësor.
29.3 Aktivitetet profesionale promovuese edukativo shëndetësore zhvillohen nga IKSHPK-së përmes
degëve të saj, përkatësisht sektorit të promovimit dhe edukimit shëndetësorë duke inkorporuar
komisionet e promovimit dhe edukimit shëndetësorë.
Neni 30
30.1 Personat, organizatat që hulumtojnë faktorët dhe aktivitetet që rrezikojnë shëndetin e popullatës,
dhe personat ose organizatat që kryejnë këto aktivitete kanë obligim të raportojnë. Mënyra e raportimit
rregullohet me akt nën ligjor.
30.2 Informata e definuar në nenin 28.1. të këtij ligji bëhet publike për opinionin e plotësuar me informata
të domosdoshme për parandalimin e dëmtimit të shëndetit.
Neni 31
31.1 Me qëllim të përcjelljes të zbatimit të aktiviteteve dhe obligimeve të dala nga neni 27.2 IKSHPK
organizon Komisionin e promovimit dhe edukimit shëndetësor.
31.2 Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Komisionit do të rregullohet me akt nën ligjor.
Neni 32
Çështjet tjera lidhur me promovimin dhe edukimin shëndetësor do të rregullohen me akt nënligjor.
Kapitulli XIV
Kujdesi shëndetësor për nënën dhe fëmijën
Neni 33
Promovimi i kujdesit shëndetësor për nënën dhe fëmijën rregullohet me akt të veçantë nënligjor.
Kapitulli XV
Kujdesi Shëndetësor për të Rinjtë
Neni 34
10
34.1 Qëllimi i kujdesit shëndetësor i ofruar për të rinjtë është të promovojë zhvillimin harmonik trupor dhe
mendor të tyre përmes:
a) Edukatës shëndetësore;
b) Kontrollimit sistematik që i përgjigjet moshës së tyre;
c) Vaksinimit të obligueshëm që i përgjigjen moshës, analiza e rezultateve dhe efektivitetit të
vaksinimeve, si dhe fushatat e vaksinimeve;
d) Dhënia e udhëzimeve për përcaktimin profesional;
34.2 Në sferën e detyrave të veçanta të kujdesit shëndetësor të ofruar për të rinjtë hyjnë si vijon:
a) Kontrolli i shtuar dhe kujdesi psikologjik i personave që jetojnë me çrregullime të lindura, i atyre
që vuajnë nga sëmundjet kronike me paaftësive trupore, shqisore apo mendore, bazuar në
bashkëpunimin me mjekun e tyre familjar, në kujdesin psikologjik, dhe duke promovuar
integrimin e tyre në komunitetin e shëndoshë;
b) Këshillon lidhur me edukatën fizike (trupore) në shkolla, edukatën ndihmëse fizike, dhe sportet
studentore;
c) Konsultimi me prindër dhe mësimdhënës në rast të zbulimit të rrethanave kërcënuese për
zhvillimin harmonik trupor dhe mendor, të përdorimit të substancave psikoaktive (droga, alkooli,
duhani), dhe nëse është e domosdoshme, inicimi i masave për tejkalimin e kësaj gjendje dhe
infeksionet seksualisht transmisive.
34.3 Brenda kornizave të kujdesit shëndetësor për të rinjtë do të përcillen si në vijim:
a) zbatimi i standardeve të shëndetit publik në ndërtesa që shërbejnë për të ofruar trajnim teorik
dhe praktik, si dhe në lëmit e edukimit dhe të rekreacionit në natyrë,
b) aplikimi i ushqimi i ofruar në infermieri dhe në institucionet e edukimit dhe të mësimit,
c) aplikimi i rregullave epidemiologjike,
d) dhënia e ndihmës së parë,
e) zbatimi i informimit të rregullt dhe të duhur për dëmet në lidhje me konsumimin e alkoolit,
duhanit, substancave narkotike dhe substancave të tjera psikoaktive.
f) përcjellja e statusit dhe stabiliteti i studentëve dhe i nxënësve,
g) në rast të sëmundjeve ngjitëse, do të ndërmerren masat e caktuara kundër epidemike;
34.4 Ofrimi i kujdesit shëndetësor në shkolla definohet me akt nënligjor.
34.5 Me qëllim të realizimit të detyrave të tyre, ofruesit e shërbimeve shëndetësore do te
bashkëpunojnë me institucionet e edukimit publik, me institucionet dhe personat që ofrojnë asistencë
sociale dhe familjare si dhe mbrojtje të fëmijëve.
Kapitulli XVI
Kujdesi Shëndetësor në Lidhje me Sportin
Neni 35
Veprimtaria, struktura dhe mënyra e funksionimit të kujdesit shëndetësor në lidhje me sportin për shkak të
specifikave rregullohet me akt nënligjor.
Kapitulli XVII
Pjesa financiare
Neni 36
36.1 Shëndetësia Publike dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si institucion kryesor i
implementimit të Shëndetësisë Publike financohet nga:
11
a) Buxheti i Konsoliduar i Kosovës,
b) Buxheti i Komunave,
c) Të hyrat vetanake të krijuara përmes shërbimeve të kryera dhe
d) Donacionet.
36.2 Qeveria e Kosovës përcakton Kodin e veçantë buxhetor për IKSHPK.
36.3 Mënyra e krijimit të të hyrave vetanake dhe mënyra e shpenzimit të tyre përcaktohet me akt
nënligjor.
Kapitulli i XVIII
Dispozitat disiplinore dhe ndëshkimore
Neni 37
Në rastet e mos zbatimit dhe shkeljeve te dispozitave të Ligjit të Shëndetësisë Publike do të merren masa
në pajtim me nenin 118 dhe 119 të Ligjit për Shëndetësi.
Kapitulli XIX
Dispozitat kalimtare
Neni 38
Më qëllim të zbatimit të këtij ligji Ministria e Shëndetësisë nxjerr akte nënligjore brenda 12 muajve nga
hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 39
Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i
Sekretarit të Përgjithshëm.
UNMIK/REG/2008/6
08.02.2008.