LIGJI NR. 02/L-118 PËR EMRIN PERSONAL

LIGJI NR. 02/L-118

PËR EMRIN PERSONAL

Kuvendi i Kosovës,

Në bazë të Kreut 5.1 dhe 9.1.26 (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë
(Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9 e datës 15 maj 2001),
Me qëllim të vendosjes së rregullave ligjore për Emrin Personal.

Miraton:

LIGJIN PËR EMRIN PERSONAL

Kreu I
Dispozitat e përgjithshme

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj e rregullon kuptimin, përbërjen, procedurën dhe mënyrën e caktimit dhe të përdorimit të emrit
personal, si dhe kushtet për, ndryshimin dhe korrigjimin e tij për qytetarët e Kosovës (në vazhdim të tekstit:
qytetarët).


Neni 2
Përkufizimet

Emri Personal- nënkupton emrin dhe mbiemrin e qytetarit të Kosovës.

Qytetarët- nënkuptojmë banorët e përhershëm të Kosovës.

Komunikimi juridik – nënkupton, tërësinë e normave juridike të cilat rregullojnë korrespondencën ndërmjet
organit të administratës dhe organeve shtetërore me qytetarë duke përfshirë çdo veprim tjetër që ka pasojë
juridike.

Regjistri i gjendjes civile – nënkupton librat ku mbahen shënimet për gjendjen personale të qytetarëve lidhur
me faktet e të gjitha lindjeve, martesave, vdekjeve dhe të dhënave të tjera që burojnë prej tyre.

Neni 3
Emri personal

3.1. Emri personal i garanton qytetarit identitetin, ruajtjen e personalitetit dhe dinjitetit të tij.

3.2. Emri personal është e drejtë e qytetarit dhe përdoret për identifikimin dhe dallimin e tij.

3.3. Qytetari është i obliguar ta përdor emrin personal në komunikimin juridik.

3.4. E drejta për caktimin e emrit personal mund të kufizohet, nëse kjo është e domosdoshme për ruajtjen e
moralit, të drejtave dhe të lirive të njerëzve të tjerë apo të vetë personit.


Neni 4
Përbërja e emrit personal

4.1. Emri personal përbehet nga emri dhe mbiemri.

4.2. Emri ose mbiemri, secili në vete mund të përbëhen nga më shumë fjalë, të cilat e ndërtojnë tërësinë e
emrit personal.

2
4.3. Personi nga paragrafi 2 i këtij neni është i obliguar që ta përdorë emrin personal të plotë në
komunikimin juridik.


Neni 5
Fitimi i emrit personal

Emri personal fitohet me regjistrim në regjistrin përkatës të gjendjes civile sipas vendit të lindjes.


Neni 6
Përdorimi i gjuhës për emrin personal

6.1. Emri personal i qytetarit shkruhet në regjistrin përkatës të gjendjes civile në gjuhën e tij, përveç rasteve
kur ai përcaktohet për ndonjë gjuhë tjetër zyrtare të Kosovës.

6.2. Për rastet nga paragrafi 1 i këtij neni shkrimi i përdorur në gjuhën zyrtare, nuk duhet të modifikojë
formën e emrit personal në gjuhën origjinale.


Neni 7
Caktimi i emrit personal të fëmijës

7.1. Emrin personal të fëmijës e caktojnë prindërit apo personat e autorizuar sipas Ligjit mbi familjen.

7.2. Emrin personal të fëmijës e caktojnë prindërit me marrëveshje.

7.3 Nëse njëri prej prindërve nuk është i njohur, nuk është në jetë apo nuk mund t’i kryej të drejtat
prindërore, emrin personal të fëmijës e cakton prindi tjetër.

7.4 Caktimi i mbiemrit të fëmijës rregullohet sipas Ligjit mbi familjen.

7.5. Nëse prindërit e fëmijës nuk janë më në jetë, apo nuk mund t’i kryejnë obligimet prindërore, emrin
personal të fëmijës e cakton personi, të cilit i është besuar kujdesi mbi fëmijën me pëlqim të qendrës
kompetente për punë sociale.

7.6. Në rastin e fëmijës së gjetur, atij i caktohet emri dhe mbiemri nga organi kompetent i kujdestarisë.


Neni 8
Caktimi i emrit personal të fëmijës, nëse nuk ka marrëveshje të prindërve

8.1. Nëse prindërit nuk e caktojnë emrin personal të fëmijës në afatin e paraparë, në nenin 9 paragrafi 2 i këtij
ligji, për shkak se nuk kanë arritur marrëveshje, atyre për arritjen e marrëveshjes për caktimin e emrit
personal u ndihmon organi i kujdestarisë.

8.2. Nëse prindërit nuk merren vesh për emrin personal të fëmijës, atëherë emrin personal të fëmijës e
cakton organi i kujdestarisë.


Neni 9
Regjistrimi i emrit personal

9.1. Emri personal regjistrohet në regjistrin përkatës të gjendjes civile, pranë organi kompetent në vendin e
lindjes.

3
9.2. Regjistrimi pranë organit kompetent behët më së voni 30 ditë pas lindjes së fëmijës.

9.3. Prindërit ose personat e autorizuar me këtë ligj, janë të obliguar që brenda 15 ditësh nga lindja të
paraqesin kërkesën për regjistrimin e emrit të fëmijës.

9.4. Emri personal në regjistrin civil përkatës dhe në dokumentet të tjera publike shëkruhet me shkronja dhe
shenja, të përcaktuara me ligjin në fuqi në Kosovë.


Kreu II
KORRIGJIMI DHE NDËRRIMI I EMRIT PERSONAL

Neni 10

Qytetari ka të drejtë në korrigjimin dhe ndërrimin e emrit personal.


Neni 11
Mënyra e korrigjimit te emrit personal

11.1. Nëse në regjistrat e gjendjes civile janë bërë gabime gjatë regjistrimit në emrin personal, qytetari ka të
drejtë në korrigjimin e emrit personal në vendin e lindjes ku mbahet regjistri i gjendjes civile.

11.2. Qytetari i moshës se mitur mund ta korrigjojë emrin personal në bazë të kërkesës së bërë nga
përfaqësuesi ligjor apo përfaqësuesi i autorizuar.

11.3. Korrigjimi nuk mund të ndryshojë kuptimin dhe përmbajtjen e emrit personal.


Neni l2
Mënyra e ndërrimit të emrit personal

Qytetari i moshës madhore mund ta ndërrojë emrin personal në bazë të kërkesës së tij.


Neni 13

Ndërrimi i emrit personal gjatë adoptimit bëhet në pajtim me dispozitat e Ligjit mbi Familjen.


Neni 14

Ndërrimi i mbiemrit gjatë lidhjes së martesës bëhet në pajtim me dispozitat e Ligjit mbi Familjen.


Neni 15
Mbiemri gjatë lidhjes së martesës me të huajin

Nëse qytetari i Kosovës, i cili ka marrë vendbanim të përhershëm në shtetin e huaj, lidhë kurorë para
organeve të shtetit të huaj me shtetasin e atij shteti, mbiemrin e zgjedhur pas lidhjes së kurorës, atë
mbiemër në Kosovë e përdorë në formë dhe mënyrë, siç përdoret në shtetin e bashkëshortit, në harmoni
me rregullat në fuqi të atij shteti dhe nenit 4.3 të këtij ligji.


Neni 16
Ndërrimi i mbiemrit pas zgjidhjes së martesës

4
16.1. Pas shkurorëzimit, bashkëshortët e ndarë mund ta mbajnë mbiemrin që e kanë zgjedhur gjatë lidhjes
së martesës.

16.2. Bashkëshorti-ja, i cili më rastin lidhjes se martesës e ka ndryshuar mbiemrin, pas zgjidhjes së
martesës mund të marrë mbiemrin e mëparshëm.




Neni 17
Procedura për ndërrimin e emrit personal në bazë të kërkesës

17.1. Kërkesës për ndërrimin e emrit personal, paraqitësi i kërkesës duhet t’i bashkangjes vërtetimin se nuk
është nen hetime.

17.2. Për kërkesën për ndërrimin e emrit personal vendos organi kompetent sipas vendbanimit, të i cili është
bërë kërkesa.

17.3. Aktvendimi për ndërrimin e emrit personal i përcillet zyrës së gjendjes civile, ku është bërë regjistrimi i
lindjes, respektivisht regjistrimi i lidhjes së martesës së palëve përkatëse.

17.4. Personi që ndryshon emrin është i obliguar të ndërmerr veprime të domosdoshme që emri i ndryshuar të
paraqitet në dokumentet personale duke përfshirë edhe letërnjoftimin dhe dokumentin e udhëtimit. Regjstri civil ia
përcjell emrin e ndryshuar autoriteteve përkatëse.

Neni 18
Pengesat për ndërrimin e emrit personal

18.1. Qytetarit kundër të cilit zhvillohet procedura për vepër penale për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare i
cili është dënuar për vepër të këtillë penale, derisa nuk i është ekzekutuar dënimi ose gjithnjë derisa të
vazhdojnë pasojat juridike të dënimit, si dhe as personit për të cilin konstatohet se kërkesën e ka paraqitur
për t’iu shmangur detyrimeve të përcaktuara me ligj, nuk do t’i lejohet ndërrimi i emrit personal.

18.2. Nëse emri personal i është ndërruar qytetarit, kundër të cilit zhvillohet procedura penale për vepër
penale, zyra e gjendjes civile që në afatin prej tre ditësh pas aprovimit të ndërrimit duhet ta njoftojë gjykatën në
të cilën zhvillohet procedura penale.

18.3. Zyra e regjistrimit civil mund te kërkoj nga Gjykata dhe Prokuroria verifikimin e vërtetësisë te të
dhënave të parashtruara nga aplikuesi lidhur me dokumentet nga neni 17 i këtij ligji.

18.4. Nëse emri personal është ndërruar me kërkesë të palës në procedurë administrative të organit të
gjendjes civile, për pesë vitet e ardhshme, palës nuk do t’i lejohet sipas së njëjtës procedurë ndërrimi i
serishëm i emrit personal nga organi i gjendjes civile.


Neni 19
Ndërrimi i emrit personal të miturit në bazë të kërkesës

19.1. Qytetarit të moshës se mitur mund t’i ndërrohet emri personal me kërkesën e përfaqësuesit ligjor. Nëse
ndërrimin e emrit personal e kërkon kujdestari-ja për këtë duhet të jap pëlqimin edhe qendra kompetente
për punë sociale ku edhe gjatë kësaj procedure duhet të respektohet më së shumti interesi i fëmijës.

19.2. Ndërrimi i emrit personal të personit të mitur të moshës mbi 10 vjet, mund të bëhet vetëm me pëlqimin
e tij, përveç rasteve kur fëmija ka të meta psikike.

5
19.3. Nëse prindërit jetojnë të ndarë, ndërrimin e emrit personal të fëmijës mund ta kërkojë njëri nga prindërit,
të i cili fëmija jeton, respektivisht atij të cilit i është besuar përkujdesja dhe edukimi, nëse për këtë pajtohet
prindi tjetër.

19.4. Nëse prindi tjetër nuk pajtohet me ndërrimin e emrit personal të fëmijës, atyre për arritjen e
marrëveshjes për ndërrimin e emrit u ndihmon qendra për punë sociale.

19.5. Pëlqimi i prindit tjetër nuk është i nevojshëm, nëse vendqëndrimi i tij nuk dihet, apo nëse i është marrë
zotësia për veprim apo e drejta prindërore.


Neni 20
Vlefshmëria dhe regjistrimi i ndërrimit të emrit personal

20.1. Ndërrimi i emrit personal që është si pasojë e ndryshimeve të raporteve juridike familjare, vlen nga
dita e dhënies së deklaratës, respektivisht nxjerrjes së vendimit meritor nga organi kompetent.

20.2. Ndërrimi i emrit personal duhet të regjistrohet në regjistrin përkatës të gjendjes civile brenda 5
ditëve, që nga momenti i njoftimit për aprovim të ndryshimit.

20.3. Personi që ndryshon emrin është i obliguar të ndërmerr veprime të domosdoshme që emri i ndryshuar të
paraqitet në dokumentet personale duke përfshirë edhe letërnjoftimin dhe dokumentin e udhëtimit. Regjstri civil ia
përcjell emrin e ndryshuar autoriteteve përkatëse.

Neni 21
Mbikëqyrja

Mbikëqyrjen mbi zbatimin e dispozitave të këtij ligji e bën Ministria e Punëve të Brendshme.


Neni 22
Sanksionet Adminstrative


Qytetari që përdorë emrin personal në kundërshtim me rregullat e nenit 3 paragrafit 2 të këtij ligji, dënohet
me gjobë për kundërvajtje prej 200 Euro.


Neni 23

Secili nga prindërit, që nuk e lajmëron emrin personal të fëmijës në afatin e paraparë në paragrafin 2 të
nenit 9 të këtij ligji, dënohet me gjobë prej 100 Euro.


Neni 24

Te gjitha mjetet materiale të cilat përfitohen nga sanksionet adminstrative, derdhen në Buxhetin e
Konsoliduar të Kosovës.


Kreu III
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE DHE KALIMTARE

Neni 25

Ky ligj i shfuqizon të gjitha dispozitat e ligjit të aplikueshëm me të cilat është në papajtueshmëri.

6


Neni 26
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit
të Përgjithshëm.



UNMIK/2008/11
22.02.2008