GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 34 / 01 GUSHT 2008
LIGJI NR. 02/L-47
PËR RADIOTELEVIZIONIN E KOSOVËS
Kuvendi i Kosovës,
Në mbështetje të Kreut 5.4. (a), (b), (c), 9.1.26 (a) dhe 11.1 (dh) të Kornizës Kushtetuese për
Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9, datë 15 maj 2001).
Më qëllim të vënies së bazës ligjore për informim të saktë dhe të shpejtë të banorëve të Kosovës
pavarësisht nga origjina e tyre etnike, gjuhësore ose fetare;
Miraton:
LIGJIN PËR RADIOTELEVIZIONIN E KOSOVËS
Kapitulli I
STATUSI I RADIOTELEVIZIONIT TË KOSOVËS
Statusi
Neni 1
1.1. Radiotelevizioni i Kosovës (në tekstin e mëtejmë: RTK) është institucion publik me rëndësi të
posaçme kulturore dhe publike, i cili ofron shërbim publik në fushën e veprimtarisë së radios dhe
televizionit, të përcaktuara me këtë ligj, si dhe veprimtari tjera, në pajtim me Ligjin dhe Statutin.
1.2. Themelues i institucionit publik të RTK-së është Kuvendi i Kosovës. Do të jetë detyrë e
themeluesit që të mbrojë autonominë institucionale dhe pavarësinë editoriale të RTK-së dhe të
sigurojë financim adekuat për realizimin e misionit të shërbimit publik të RTK-së.
1.3. Themeluesi do të garantoj dhe siguroj objektet e përshtatshme për transmetuesin publik, me
qëllim të sigurimit të funksionimit të plotë në nivel profesional.
Përkufizimet
Neni 2
Termet e mëposhtëm në këtë ligj do të kenë kuptimet si në vijim:
“Reklamim” do thotë çfarëdo shpallje publike e transmetuar me pagesë apo shpërblim të
ngjashëm, për qëllime të vetë-promovimit; që është i destinuar për promovimin e shitjes, blerjes
apo qiradhënies së një prodhimi apo shërbimi; për ta shtyrë përpara ndonjë ide apo çështje: ose
për të shkaktuar disa efekte tjera të dëshiruara nga reklamuesi apo nga vet transmetuesi.
“Transmetim” do të thotë emetim burimor i shërbimeve të programeve të radios apo televizionit
përmes transmetuesve tokësorë, kabllovikë, ose përmes rrjetit satelitor apo ndonjë natyre tjetër,
në formë të koduar apo dekoduar, për pranim nga publiku i gjerë. Këtu nuk përfshihen shërbimet
e komunikimit që veprojnë sipas kërkesave individuale.
“Transmetues” do të thotë personi fizik apo juridik i cili ka përgjegjësi redaktuese për përpilimin e
shërbimeve të programit televiziv për pranim nga publiku i gjerë, dhe i transmeton ato vet apo i
transmetohen përmes një pale të tretë, të kompletuara dhe të pandryshuara.
“Agjenti për mbledhje” do të thotë Korporata Energjetike e Kosovës dhe Kompania e Postë dhe
Telekomunikacionit të Kosovës dhe çfarëdo entitet tjera juridike të cilat janë të ngarkuara për
mbledhjen e Pagesës së Transmetuesit Publik në përputhje me këtë Ligj.
“Komunitet” do të thotë çdo banor apo grup njerëzish të Kosovës që i përkasin grupit të njëjtë
etnik, fetar apo gjuhësor.
2
“KPM” do të thotë Komisioni i Pavarur për Media në Kosovë.
“Pagesa për Transmetues Publik” do të thotë tarifa e cila duhet të paguhet nga të gjithë
personat fizik apo juridik për marrje të transmetimeve të RTK-së në pajtueshmëri me këtë Ligj.
“Banor i Kosovës” do të thotë personi i regjistruar në Regjistrin Civil Qendror si banor i
përhershëm i Kosovës në pajtim me Rregulloren nr. 2000/13 të UNMIK-ut të datës 17 mars 2000,
mbi Zyrën Qendrore të Regjistrimit Civil.
“Sponsorizim” do të thotë kontribut i ndonjë personi fizik apo juridik që nuk është i angazhuar në
veprimtaritë transmetuese apo në produkcionin e veprave audio-vizuale, në financimin direkt apo
indirekt të ndonjë programi, por që synon promovimin e emrit, shenjës, imazhit apo aktiviteteve të
atij personi.
“Veprat Audiovizuele Evropiane” do të thotë veprat krijuese, produkcionet apo bashkë-
produkcionet të cilat kontrollohen nga personat fizik apo juridik të Evropës.
“Kanal” do të thotë një tërësi e vetme e frekuencave tokësore që bartë një skemë të definuar të
programeve.
“Program” do të thotë përmbajtja që transmetohet nga një kanal.
Emri i institucionit
Neni 3
3.1. Emri i institucionit publik është Radiotelevizioni i Kosovës, ndërsa emërtimi i shkurtër është
RTK.
3.2. Selia e RTK-së është në Prishtinë.
3.3. RTK është person juridik.
Kapitulli II
VEPRIMTARIA E RTK-së DHE PARIMET PROGRAMORE
Objektivat
Neni 4
Objektiva e RTK-së është që të sigurojë transmetim të programeve me standarde të larta
profesionale në interes të publikut. Për të bërë këtë, RTK do të informojë me saktësi publikun, të
mbështesë proceset demokratike, vëzhgimin publik të autoriteteve dhe të sigurojë një proporcion
adekuat të lajmeve të paanshme, programeve kulturore, artistike, sportive, edukative, zbavitëse
dhe programeve për fëmijë. RTK duhet të siguroj informata të ndryshme faktike në interes të
publikut në Kosovë.
Struktura dhe Programi i RTK-së
Neni 5
5.1. Sipas këtij ligji, shërbimet publike të RTK-së duhet të përfshijnë:
a) Një kanal televiziv publik dhe dy kanale të radios publike, përveç në rastin kur Komisioni i
Pavarur i Mediave (KPM) në koordinim me themeluesin jep autorizimin për kanale
shtesë;
b) RTK-ja do të ofrojë programe të cilat i transmeton përmes mjeteve satelitore për
kosovarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës.
c) Përveç programeve në gjuhën shqipe, këto kanale duhet të ofrojnë programe edhe në
gjuhën e komuniteteve të tjera.
3
d) RTK-ja mund të transmetojë edhe programe në gjuhët e tjera nga ato që fliten nga
komunitetet e Kosovës.
5.2. Me programet e lartpërmendura RTK garanton:
a) Përmbajtje cilësore dhe të shumëllojshme informative, kulturore, arsimore dhe argëtuese;
b) Krijimin dhe rikrijimin e veprave artistike;
c) Realizimin e të drejtave të të gjithë banorëve të Kosovës në fushën e informimit publik dhe të
ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës, kulturës dhe karakteristikave tjera të tyre;
5.3. RTK-ja do të veproj në pajtueshmëri me ligjet e aplikueshme, me rregullat dhe rregulloret e
KPM-së si dhe dispozitat e licencës së KPM-së. RTK-ja do të ketë të drejtën në licencë për
kanalet e autorizuara të radiove dhe televizionit të saj. RTK garanton arkivimin e programeve të
veta në pajtim me ligjin.
Standardet Programore
Neni 6
RTK në krijimin dhe përgatitjen e programit të saj posaçërisht:
1. Do të respektojë veçoritë dhe dinjitetin e njeriut, parimin e paanshmërisë dhe vërtetësinë e
informacionit, pluralizmin e mendimeve, pluralizmin fetarë dhe politik;
2. Do të garantojë tërësinë dhe paanshmërinë e informimit dhe të formimit të lirë të mendimit
dhe të ndihmojë një diskutim të hapur dhe të lirë të interesit publik;
3. Do të sigurojë që lajmet të mos jenë të njëanshme, të jenë të pavarura dhe të sakta, që
komentet të jenë qartë të ndara nga lajmet dhe të identifikohen si të tilla dhe që materialet
informative të jenë të kontrolluara me një kujdes të arsyeshëm bazuar në rrethana, si në
përmbajtjen e tyre, origjinën dhe faktet, para përhapjes së tyre për të siguruar se janë sa
më të sakta dhe sa më të paanshme që është e mundur;
4. Do të promovojë kulturën shqiptare dhe të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë, si
dhe do të nxisë krijimtari kulturore dhe krijimtari tjera artistike;
5. Të promovojë dialogun konstruktiv në mes të gjitha komuniteteve në Kosovë;
6. Iu shërben dhe iu jep mundësinë e shprehjes të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë duke iu
dedikuar jo më pak se 10% të buxhetit për programin e saj dhe jo më pak se 15% të skemës
programore përfshirë kohën kryesore të mbulimit të lajmeve për komunitetet jo shumicë në
gjuhën e tyre përkatëse në baza proporcionale;
7. Promovon arsimimin dhe zhvillimin e kulturës gjuhësore;
8. Do t’i mbrojë fëmijët dhe rininë nga përmbajtjet programore, të cilat mund të ndikojnë
dëmshëm në zhvillimin e tyre fizik, mental ose moral;
9. Do të jetë në interes të grupeve të caktuara të shikuesve dhe të dëgjuesve dhe t’u mundësoj
atyre qasje në programet e sajë;
10. Do ti përmbahet në tërësi ligjeve mbi pronën intelektuale;
11. Mbulon në mënyrë adekuate seancat kryesore të organeve vendimmarrëse;
12. Paraqet publikisht plan programin e saj dhe të bëjë thirrje për komente nga publiku;
13. Me dispozitat e Statutit të saj përcakton procedurën për pranimin dhe përgjigjen ndaj
ankesave të publikut.
4
E drejta për reagim
Neni 7
RTK-ja duhet të ofrojë të drejtën për reagim në pajtueshmëri me ligjin e aplikueshëm dhe me
rregulloret e KPM-së.
Mbulimi i Popullatës
Neni 8
8.1. Programi i RTK-së duhet ta mbulojë territorin ku së paku jetojnë 90 për qind të banorëve të
Kosovës, përfshirë këtu 90 për qind të territorit ku jetojnë minoritetet.
8.2. RTK-ja mund të shpërndaj përmbajtje nëpërmjet rrjetit tokësorë, satelitor, kabllovik, internetit
apo nëpërmjet ndonjë mënyre tjetër teknike.
Përdorimi i produksionit të pavarur
Neni 9
9.1. RTK për çdo vit do të shpallë tender për blerjen e veprave audiovizuele të producentëve të
pavarur, dhe t’i transmetoj në programin e vet në pajtim me ligjin dhe statutin e RTK-së.
9.2. RTK-ja duhet të sigurojë së paku 20 % të programit të prodhuar të RTK-së nga producentët e
pavarur, në transmetimet televizive, duke mos i përfshirë këtu programet e lajmeve.
9.3. Procedurat, kushtet dhe kriteret e për porositjen e veprave audiovizuele nga producentët e
pavarur dhe për transmetimin e tyre në pajtim me këtë ligj duhet përcaktohen me Statutin e RTK-
së.
Ngjarjet e veçanta
Neni 10
10.1. Në interes të të gjithë popullsisë kosovare, RTK-ja duhet të siguroj në mënyrën më
adekuate të mundshme mbulimin e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore, zbavitëse dhe
sportive të vendit dhe jashtë tij. RTK-ja do të ketë qasje në ngjarje të tilla me qëllim që të informoj
një publik sa më të gjerë që është e mundur.
10.2. Vetëm transmetuesit që janë në gjendje të ofrojnë mbulim për tërë territorin e Kosovës
duhet të lejohen që të kërkojnë të drejta ekskluzive për ngjarjet sportive në vijim:
a) Lojërat Olimpike,
b) Kampionatet botërore apo evropiane në futboll, basketboll, hendboll dhe sporte tjera të
cilat konsiderohen të rëndësishme ose që janë tradicionale në Kosovë,
c) Garat ndërkombëtare të cilat zënë vend në Kosovë apo në ato me pjesëmarrje të ndonjë
ekipi kosovar.
10.3. Në programet e saja të rregullta të lajmeve RTK-ja do ta ketë të drejtën të citoj pa pagesë
nga transmetimet e subjekteve tjera transmetuese për ngjarjet që u përmenden në këtë nen.
Kohëzgjatja e citimit nuk duhet të kaloj 90 sekonda dhe burimi i citimit duhet të ceket.
10.4. Të gjitha subjektet transmetuese do të kenë të drejtën të citojnë nga transmetimet e RTK-së
në pajtueshmëri më kushtet e përcaktuara në këtë nen.
5
Njoftimet urgjente
Neni 11
RTK-ja do të transmetoj pa vonesë dhe pa pagesë, informatat të cilat kërkojnë urgjencë e që
kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin publik, të lëshuara nga autoritetet më të larta të nivelit
qendrorë, në pajtueshmëri me ligjet në fuqi dhe me aktet tjera.
Programet me përmbajtje religjioze
Neni 12
RTK-ja mund të transmetojë programe me përmbajtje religjioze me kusht që këto programe të:
1. Mos e portretizojnë një religjion superior ndaj tjetrit, dhe të mos denigroj ndonjë religjion,
2. Mos promovojë anëtarësimin në një organizatë religjioze,
3. Mos të përmbajë mesazhe të promovimit politik.
Mbulimi i fushatës zgjedhore
Neni 13
RTK-ja do të mbulojë fushatën zgjedhore në pajtim me dispozitat në fuqi për zgjedhjet.
Reklamimi
Neni 14
14.1. Sasia e reklamave dhe porosive tjera me pagesë në skemën programore të RTK-së
caktohet deri në 20%” në çdo fillim të vitit nga Këshilli i KPM-së në pajtim me praktikat dhe
standardet e pranuara evropiane.
14.2. Përmbajtja, vendosja e reklamave dhe programeve të sponzoruara si dhe ndalimi i
reklamimit të produkteve dhe shërbimeve që janë në dëm të shëndetit janë të rregulluara me ligj.
Rregullimi i përmbajtjes programore
Neni 15
15.1. RTK nuk do të transmetojë asnjë material, i cili me përmbajtjen e tij apo me tonin e tij, nxit
krim apo urrejtje nacionale, religjioze, racore apo gjinore, intolerancë apo diskriminim kundër
individëve apo grupeve.
15.2. RTK nuk do të shkel standardet e pranuara gjerësisht të mirësjelljes në përmbajtjen e
programit apo skemës programore, duke u përkujdesur veçanërisht për mbrojtjen e zhvillimit fizik,
mental dhe moral të fëmijëve në veçanti programet nuk duhet të jenë të pandershme ose që
përmbajnë pornografi.
15.3. RTK nuk do të transmetojë asnjë material për të cilin ata e dinë që është i pavërtetë apo
mashtrues apo për të cilin me një hetim rutinor dhe të arsyeshëm do të mund të përcaktonin se
është i pavërtetë apo mashtrues.
Përmbajtja Audiovizuele Evropiane
Neni 16
RTK-ja do të përpiqet të arrijë pajtueshmëri të plotë me standardet Evropiane për përmbajtje
audiovizuele sa më shpejtë dhe praktike që është e mundshme.
6
Efikasiteti teknik
Neni 17
17.1. Bordi i RTK-së duhet të sigurojë transmetimin e programeve të RTK-së në territorin e
Kosovës, në mënyrën më efektive dhe më ekonomike të mundshme.
17.2. Bordi i RTK-së do të kontribuoj në modernizimin teknologjik duke përfshirë sistemin
transmetues të RTK-së.
Veprimtaritë e tjera
Neni 18
Krahas veprimtarisë nga nenet e mësipërme të këtij ligji aktivitetet e RTK-së gjithashtu mund të
përfshijë:
1. Tele-tekstin dhe aktivitetet tjera që kanë të bëjnë me fusha tjera të teknologjisë së
transmetimit duke përfshirë edhe shfrytëzimin internetit dhe teknologjie tjetër të re,
2. Publikimi dhe distribuimi i materialeve audio, video dhe atyre të shtypura që kanë të bëjnë
me programin e tij apo me transmetimin në përgjithësi,
3. Organizimi i ngjarjeve muzikore, kulturore dhe ngjarjeve tjera,
4. Këmbimi dhe participimi në programet e përbashkëta dhe programet tjera apo projektet
teknike me Agjensionet tjera transmetuese dhe prodhuesit e programeve,
5. Blerja e programeve,
6. Ruajtja dhe përdorimi i arkivave apo video dhe audio incizimet,
7. Studimi i tregut medial dhe kryerja ose porositja e hulumtimit të audiencës dhe sondazhet e
opinionit,
8. Aktivitete tjera siç janë përcaktuar në Statut, duke u siguruar që aktivitet e tilla nuk janë
kontradiktore me aktivitetin qendror të RTK-së siç është përcaktuar me këtë ligj dhe me
dispozitat tjera në fuqi.
Kapitulli III
FINANCIMI I RTK-së
Burimet e financimit
Neni 19
19.1. Kuvendi i Kosovës do të sigurojë një kornizë financiare të përshtatshme, të sigurt dhe
transparente që mund të përfshijë mbështetje nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, e cila i
garanton mjete të nevojshme RTK-së për ta përmbushur misionin e saj. RTK-ja financohet
kryesisht nga parapagimi. Fondet e RTK-së, duke përfshirë parapagimin për transmetuesin publik
dhe burimet tjera të financimit të parapara me këtë nen si para publike do të depozitohen në
tërësinë e tyre në një xhirollogari të caktuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.
19.2. Burimet e tjera të financimit mund të përfshijnë edhe :
a) kontratat me palë të treta për shërbime transmetuese, duke shfrytëzuar kapacitetet teknike
në dispozicion,
b) shërbime të tjera programesh,
c) botimet e prodhimeve muzikore, video, audio, librave, gazetave, revistave që lidhen me
programet,
d) veprimtaritë koncertale dhe shfaqjet publike,
7
e) reklamat dhe publikimet e mesazheve të tjera të paguara,
f) sponzorimet dhe donacionet në pajtim me ligjin,
g) shitja e programeve të RTK-së,
19.3. Buxheti i Konsoliduar i Kosovës mund të mbështes :
a) programet për minoritetet;
b) programet për kosovarët që jetojnë dhe punojnë në shtetet tjera;
c) shpenzimet për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe punën e rrjetit për transmetimin e programit të
RTK-së;
d) projektet e veçanta kulturore, shkencore dhe me përmbajtje të përgjithshme arsimore, të
cilin e ka propozuar ministria kompetente.
Parapagimi
Neni 20
20.1. Kuvendi i Kosovës merr vendim mbi caktimin e parapagimit për transmetuesin publik.
Lartësia e parapagimit për transmetimin publik do të jetë 3.5 € (tre euro e pesëdhjetë cent) në
muaj dhe do të zbatohet për së paku një vit nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
20.2. Pas kësaj periudhe, lartësia e parapagimit mund të ndryshohet nga Kuvendi i Kosovës, në
bazë të propozimit nga Bordi i RTK-së, pasi që të jetë konsultuar me KPM-në.
20.3. Në ato vendbanime ose pjesët e vendbanimeve tё Kosovёs në të cilat mungon sinjali
cilësor televiziv i rrjetit tokësor, të lirohen nga pagesa e parapagimit televiziv deri në sigurimin e
kushteve teknike për pranimin e programit të RTK-së.
20.4. Të gjitha subjektet fizike dhe juridike në territorin e Kosovës janë të obliguar të paguajnë
parapagimin për transmetuesin publik. Si një subjekt i tillë do të konsiderohen njësitë të cilat kanë
një faturë për rrymë apo ndonjë faturë tjetër publike.
20.5. Bordi i RTK-së është i autorizuar që të vendosë se cilën organizatë do ta konsiderojë si më
të përshtatshme, duke përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës apo ndonjë Agjension tjetër,
për të ofruar shërbime të nevojshme lidhur me arkëtimin e këtij parapagimi. Agjentët e tillë për
arkëtim do të jenë të autorizuar për të arkëtuar pagesën nga entitetet fizike dhe juridike.
Parapagimi do të faturohet përmes mjeteve të përcaktuara na Bordi i RTK-së dhe agjenti i
arkëtimit. Metodat llogaritëse dhe procedurat për të zbatuar ligjin do të zhvillohen së bashku nga
Bordi i RTK-së dhe agjenti arkëtues. Bordi i RTK-së dhe agjenti për arkëtim janë të autorizuar të
përcaktojnë mekanizma të përbashkëta për arkëtimin e parapagimit e cila do të sigurojë arkëtim
efektiv të parapagimit për RTK-në.
20.6. Si RTK-ja ashtu edhe agjenti i arkëtimit duhet të mbajnë shënime adekuate për faturat
individuale dhe shumat e arkëtuara dhe të bartura si parapagim mujore. Të dhënat e RTK-së
duhet t’i vihen në dispozicion publikut si pjesë e kërkesave të raportimit të rregullt publik të RTK-
së. RTK-ja, ka të drejtë t’i shqyrtoj të dhënat e llogarimbajtjes dhe afariste të agjentit për arkëtim,
sipas nevojës për të, për të përcaktuar saktësinë e këtyre të dhënave për arkëtim dhe derdhjen e
mjeteve.
20.7. Kontratat komerciale ndërmjet RTK-së dhe agjentit të arkëtimit nuk guxojnë në asnjë
mënyrë të cenojnë pavarësinë redaktuese të RTK-së.
20.8. RTK-ja duhet t’i paguajë agjentit të arkëtimit shpenzimet administrative për arkëtimin e
parapagimit dhe për derdhjen e mjeteve RTK-së në përputhje me një marrëveshje në mes të
RTK-së dhe agjentit për arkëtim.
20.9. Familjet që janë përfshirë në listën e Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale si
kategori të veçanta përfshirë edhe ato që janë nën asistencë sociale do të lirohen nga parapagimi
i kësaj shume. Statusi për lirimin e cilësdo familje mbetet në fuqi për një periudhë dymbëdhjetë
mujore (12) pas regjistrimit, ose deri në momentin kur asaj familjeje i pushon statusi i kategorisë
8
së liruar, përkatësisht cilado që do të ndodhë më përpara. Çdo familje që ka regjistruar statusin e
saj të përjashtimit nga parapagimi duhet ta informojë menjëherë Ministrinë e Punës dhe të
Mirëqenies Sociale nëse ajo familje nuk i plotëson më kriteret e kategorisë së lirimit nga
parapagimi.
20.10. RTK-ja është e autorizuar t’i sjell rastet e mospërputhjes me kërkesën për parapagim para
një gjykate me juridiksion kompetente, bazuar në dispozitat e ligjit të aplikueshëm, për qëllime të
zbatimit të arkëtimit të parapagimit.
20.11. Pesë (5) për qind e fondeve të arkëtuara nga parapagimi për transmetuesin publik ndahen
për fondin e krijuar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit për përkrahjen e mediave të pakicave,
atyre shumetnike dhe të disfavorizuara.
Kapitulli IV
ORGANET DREJTUESE DHE MENAXHUESE TË RTK-së
Struktura
Neni 21
RTK-ja do të:
a) Drejtohet nga Bordi i RTK-së dhe
b) Menaxhohet nga Drejtori i Përgjithshëm.
Kapitulli V
BORDI I RTK -së
Përbërja e Bordit
Neni 22
22.1. Bordi i RTK-së do të përbëhet prej personaliteteve publike me kualifikime profesionale të
fushave të ndryshme si: kultura, arti, kinematografia, gazetaria, drejtësia, biznesi dhe
menaxhmenti financiar, marrëdhënie me publikun, marrëdhënie ndërkombëtare, universiteti,
media dhe teknikës. Ata duhet të kenë demonstruar paanshmëri politike.
22.2. Anëtarët e Bordit do të emërohen dhe do të veprojnë në kapacitetin e tyre personal dhe nuk
do të përfaqësojnë asnjë interes jashtë RTK-së përveç interesit të publikut. Ata nuk lejohet të
kërkojnë apo pranojnë asnjë instruksion në lidhje me aktivitetet e Bordit nga asnjë interes jashtë
RTK-së.
Zgjedhja e anëtarëve të Bordit
Neni 23
23.1. Organi drejtues i RTK-së do të jetë Bordi i RTK-së, i përbërë prej 9 anëtarëve të cilët janë të
emëruar nga Kuvendi i Kosovës.
23.2. Kandidatët për Bordin të RTK-së do të propozohen sipas procedurave të mëposhtme:
a) KPM do të bëjë një ftesë publike për propozime, për plotësimin e pozitave në Bordin e
RTK-së.
b) Në konsultim me Bordin aktual të RTK-së, KPM do të përcaktojë dhe publikisht do ti shpall
kriteret për zgjedhjen e kandidatëve për secilën pozitë.
c) Këshilli i KPM-së do të thërrasë një komision ad-hoc të përbërë prej tre anëtarëve të saj, tre
anëtarëve aktual të Bordit të RTK-së dhe një anëtar nga Akademia e Shkencave dhe
Arteve të Kosovës i cili njëkohësisht duhet të jetë edhe kryesues i këtij komisioni, për të
9
përcaktuar me shumicë të thjeshtë votash nga dy kandidatë më të kualifikuar për secilën
pozitë. Qëllim i këtij procesi do të jetë që të zgjedhë një grup të kandidatëve me aftësi
profesionale të ndryshme dhe integritet personal që kërkohen për të drejtuar një
transmetues publik.
d) Ky komision do t’ia paraqes kandidatët e saj Kuvendit. Një komision special ad-hoc i
Kuvendit i përbërë nga një përfaqësues i secilit subjekt politik i përfaqësuar në Kuvend do
të zgjedh me shumicë të thjeshtë njërin prej dy kandidatëve për secilën pozitë, emërimet e
të cilëve për anëtarë të Bordit do të konfirmohen me akt pro forma të të gjithë Kuvendit.
23.3. Së paku dy anëtarë të Bordit të RTK-së do të jenë nga komunitetet jo-shqiptare, dhe të
paktën dy anëtarë do të jenë femra. Të paktën dy anëtarë të Bordit do të kenë kualifikime
profesionale në fushën e financimit dhe të menaxhimit biznesor.
23.4. Mandati i anëtarëve të Bordit do të jetë tri vjet. Mandati i anëtarëve të Bordit të përbërjes së
parë do të jetë si në vijim: Një e treta e anëtarëve të Bordit të RTK-së do të emërohen me mandat
dy vjeçar, një e treta me mandat tri vjeçar dhe një e treta me mandat 4 vjeçare, dhe përcaktimi i
kohëzgjatjes së mandatit nga secili grup do të bëhet me lotari publike. Anëtarët e Bordit mund të
ri-emërohen vetëm edhe për një mandat tjetër tre vjeçar.
23.5. Mandati i kryetarit dhe nënkryetarit të Bordit të RTK-së është dy vite, me mundësi të
rizgjedhjes vetëm edhe për një mandat, me shumicë të thjeshtë votash nga anëtarët e Bordit të
RTK-së.
Pamundësia për të qenë anëtarë i Bordit
Neni 24
24.1. Anëtarë të Bordit të RTK-së nuk mund të jenë deputet, ministra, zyrtarë të lartë të pushtetit
qendrorë apo lokal, apo anëtarë të forumeve drejtuese të subjekteve politike apo personat të cilët
kanë qenë në këto pozita gjatë dy viteve të fundit.
24.2. Anëtarë të Bordit të RTK-së nuk mund të jenë punonjës të RTK-së dhe nuk duhet të kenë
qenë të punësuar në RTK-së 3 vitet e fundit.
24.3. Pronarët e plotë apo të pjesërishëm të mediave transmetuese ose bizneseve reklamuese si
dhe anëtarët e familjes së ngushtë të tyre apo edhe të punësuarit në këto media, nuk mund të
jenë anëtarë të Bordit të RTK-së.
24.4. Anëtarë i Bordit të RTK-së nuk mund të jetë anëtari i familjes së ngushtë të punëtorëve
drejtues të RTK-së, siç janë drejtori i përgjithshëm i RTK-së dhe punëtorët tjerë të RTK-së, të cilët
Statuti i RTK-së i përkufizon udhëheqës.
24.5. Anëtari i Bordit ose anëtari i ngushtë i familjes së tij nuk guxon të ushtroj veprimtari afariste
me institucionin publik të RTK-së.
Shkarkimi i anëtarit të Bordit
Neni 25
25.1. Shkarkimi i anëtarit nga Bordi i RTK-së bëhet kur konsiderohet se ka ndonjë bazë për
largim që parashihet me nenin 25.3, 25.4 dhe 25.5 e që mund të zbatohet për anëtarin.
25.2. Shkarkimi i një anëtari nga Bordi do të bëhet sipas procedurës në vijim:
a) Propozimi për shkarkim vie nga Bordi i RTK-së me kërkesën e 2/3 të numrit të anëtarëve të
Bordit.
b) Kuvendi i Kosovës me shumicë të thjeshtë do të vendosë për shkarkimin ose jo të anëtarit
të Bordit.
10
25.3. Anëtarët e Bordit duhet ti përmbahen ligjit të aplikueshëm në Kosovë dhe e kanë të ndaluar
që të kërkojnë dhe pranojnë udhëzime gjatë përmbushjes së detyrave të tyre prej cilitdo autoritet
tjetër.
25.4. Anëtarëve të Bordit u ndalohet keqpërdorimi i pozitës së tyre për përfitim personal apo të
familjes së tij të ngushtë, të ndonjë pale tjetër apo entiteti.
25.5. Shkarkimi i anëtarëve të Bordit mund të bëhet sipas këtyre kushteve:
a) nëse anëtari nuk i përmbush kushtet sipas nenit 24 të këtij ligji;
b) nëse anëtari nuk i përmbush kushtet sipas nenit 25.3 dhe 25.4,
c) nëse në mënyrë të dëshmuar dhe në vazhdimësi dështon ti përmbushë detyrat e anëtarit të
Bordit.
Kapitulli VI
KOMPETENCAT E BORDIT TË RTK-së
Kompetencat
Neni 26
Bordi i RTK-së:
1. E aprovon statutin e RTK-së;
2. E aprovon rregulloren e punës;
3. Në mbledhjen e parë Bordi i RTK-s, me shumicë të thjeshtë votash, zgjedhë kryetarin dhe
nënkryetarin e tij nga radha e anëtarëve të Bordit;
4. Drejtori i përgjithshëm merr pjesë në mbledhjet e Bordit të RTK-ës si anëtarë pa të drejtë
vote;
5. Emëron dhe shkarkon drejtorët dhe redaktorët përgjegjës të Radios dhe Televizionit me
shumicë të thjeshtë votash, sipas propozimit të drejtorit të përgjithshëm;
6. Miraton strukturën organizative dhe konceptin programor të RTK-së;
7. E shqyrton dhe e miraton buxhetin vjetorë dhe skemën për pagat e menaxhmentit dhe të
personelit tjetër dhe siguron që shpenzimet e RTK-së nuk i tejkalojnë burimet e tyre
financiare. Buxheti vjetorë do të jetë një dokument publik.
8. Shqyrton dhe publikon më së largu deri më 30 mars të çdo viti raportin financiar vjetorë të të
hyrave dhe të shpenzimeve për vitin paraprak të përgatitur nga menaxhmenti i RTK-së i cili
do ti nënshtrohet një auditimi të jashtëm të pavarur,
9. Miraton planprogramin vjetorë, sipas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm, në
përputhshmëri me ligjin dhe standardet ndërkombëtare dhe mandatin e RTK-së siç është
përcaktuar me këtë Ligj.
10. Miraton kodin gjithëpërfshirës të mirësjelljes për RTK-në dhe siguron zbatimin efektiv të saj.
11. Mbikëqyrë paanshmërinë, objektivitetin dhe saktësinë e informacionit në programin e RTK-
së;
12. Miraton kriteret kryesore profesionale për punësimin e personelit, politikave dhe
procedurave të vlerësimit të përmbushjes së detyrave,
11
13. Siguron që janë ndërmarrë masat korrigjuese pas konstatimit nga ana e tij ose KPM-së se
ka pasur shkelje të standardeve, rregulloreve dhe ligjeve të aplikueshme.
14. Në pajtim me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, paraqet raport për veprimtarinë
vjetore të RTK-ës në përputhje me kushtet e licencës, një raport financiar të detajuar dhe
informacione tjera të cilat nga Komisioni i Pavarur i Mediave konsiderohen të nevojshme.
Raportet vjetore për vitin paraprak paraqiten jo më vonë se data 30 mars e vitit kalendarik.
15. Vendosë për çështjet tjera, të përcaktuara me ligj dhe statut.
Kapitulli VII
PROCEDURAT E BORDIT TË RTK-së
Procedurat
Neni 27
27.1. Anëtari më i vjetër i Bordit të ri të RTK-së e konvokon mbledhjen e parë të Bordit të RTK-së
sa më parë që është e mundur, e më së voni 15 ditë nga dita e emërimit të anëtarëve të Bordit.
27.2. Bordi i RTK-së konsiderohet se është konstituar nëse në mbledhjen e parë janë të
pranishëm së paku dy të tretat e anëtarëve të Bordit.
27.3. Kryetari i thërret një herë në muaj mbledhjet e rregullta të Bordit të RTK-së. Mbledhjet e
Bordit të RTK-së mund të konvokohen edhe me kërkesën e së paku pesë anëtarëve të Bordit.
Sipas nevojës kryetari mund të thërret edhe mbledhje të tjera.
27.4. Kuorumi i mbledhjeve të Bordit të RTK-së është pesë anëtarë, duke mos përfshirë drejtorin
e përgjithshëm.
27.5. Mbledhjet e Bordit i udhëheqë kryetari apo nënkryetari në pajtim me statutin dhe rregulloren
e RTK-së.
27.6. Votimi në Bordin e RTK-së është i hapur.
Kapitulli VIII
DREJTORI I PËRGJITHSHËM
Kushtet për emërim dhe shkarkim
Neni 28
28.1. Drejtorin e përgjithshëm të RTK-së e emëron Bordi i RTK-së në bazë të një procedure të
hapur të konkursit publik.
28.2. Drejtori i Përgjithshëm duhet të jetë person me përvojë të gjerë të menaxhimit të mediave
apo fushave tjera relevante. Drejtorin e përgjithshëm e ndihmon zëvendësdrejtori i përgjithshëm
me përvojë relevante menaxhuese. Drejtori dhe zëvendës drejtori duhet të jenë banorë të
Kosovës.
28.3. Drejtori i përgjithshëm i RTK-së emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të
Bordit. Mandati i tij do të jetë 3 vjet me mundësi të rizgjedhjes në bazë të konkursit.
28.4. Asnjë person nuk mund të emërohet anëtar i menaxhmentit të lartë, përfshirë drejtorin e
përgjithshëm, zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, drejtorët e radiove dhe televizionit dhe
kryeredaktorët nëse ai:
a) është i (e) punësuar në shërbimin civil të Kosovës;
12
b) ka qenë deputet, ministër, zyrtarë i lartë i pushtetit qendror apo lokal, apo anëtarë i
forumeve drejtuese të subjekteve politike gjatë tri viteve të fundit;
c) ka interes financiar të drejtpërdrejtë ose indirekt në biznesin e mediave dhe reklamave ose
d) është dënuar pas procesit të rregullt, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare, për
ndonjë vepër penale që ka të bëjë me dhunën ose ndonjë veprim të pandershëm.
28.5. Anëtarët e menaxhmentit të RTK-së të zgjedhur nga Bordi mund të shkarkohen kur:
a) një menaxher e humb të drejtën sipas kushteve të nenit 28.4,
b) dështon në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektive ose vepron në kundërshtim me këtë
ligj ose ligjet e marrëdhënies së punës.
Kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm
Neni 29
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së ka këto autorizime dhe detyra:
1. Menaxhon veprimtarinë e RTK-së në pajtim me këtë ligj dhe me statutin e RTK-së si dhe me
Kodin Etik të RTK-së;
2. Zgjedh dhe shkarkon personelin e RTK-së, në përputhje me ligjet që rregullojnë
marrëdhëniet e punës, Ligjin e RTK-së dhe Statutin e RTK-së;
3. Merr vendim lidhur me çështjet e organizimit, financave dhe pagave, në bazë të kritereve të
përcaktuara nga Bordi i RTK-ës;
4. E përfaqëson RTK-në brenda dhe jashtë vendit;
5. Bashkërendon punën e njësive administrative të sistemit të RTK-ës dhe zgjidh, brenda
kompetencave të tij, mosmarrëveshjet midis tyre;
6. Përgatit dhe i paraqet një plan program vjetor i cili është në përputhshmëri me ligjin dhe
standardet ndërkombëtare dhe mandatin e RTK-së siç është përcaktuar me këtë Ligj;
7. Ndërmerr masat korrigjuese pas konstatimit nga ana e tij ose KPM-së se ka pasur shkelje të
standardeve, rregulloreve dhe ligjeve të aplikueshme.
Zgjedhja e menaxhmentit të lartë
Neni 30
30.1. Drejtorin e programit të radios dhe drejtorin e programit të televizionit dhe udhëheqësit e
njësisë organizative i zgjedh Bordi i RTK-së në bazë të konkursit publik, sipas mendimit paraprak
të drejtorit të përgjithshëm.
30.2. Drejtori i programit nga paragrafi i mësipërm nuk mund të jetë njëkohësisht udhëheqës i
njësisë organizative.
30.3. Drejtori i programit e udhëheqë pjesën profesionale të programit të institucionit dhe e
harmonizon punën e kryeredaktorit.
30.4. Kryeredaktorin e emëron Bordi i RTK-së në bazë të konkursit publik dhe sipas
rekomandimit të drejtorit të programit të radios përkatësisht të drejtorit të programit të televizionit
e shkarkon Bordi i RTK-së, në pajtim me procedurat e përcaktuara me Statut.
13
30.5. Redaktorin e zgjedh dhe e shkarkon drejtori i programit të radios përkatësisht drejtori i
programit të televizionit në bazë të rekomandimit të redaktorit përgjegjës kompetentë, në pajtim
me procedurat e përcaktuara me Statut.
30.6. Drejtori i programit të radios, drejtori i programit të televizionit, udhëheqësit e njësive
administrative si dhe kryeredaktorët zgjedhën për tri vite.
Grupi Këshillues i Publikut
Neni 31
31.1. Bordi i RTK-së e emëron Grupin Këshillues të Publikut.
31.2. Në Grupin Këshillues të Publikut emërohen nga një përfaqësues të pjesëtarëve të
komunitetit shqiptar, serb, boshnjak, turk dhe rom me mandat prej dy vitesh me mundësi të
riemërimit.
31.3. Grupi Këshillues i Publikut shqyrton:
a. vërejtjet dhe sugjerimet e shikuesve dhe dëgjuesve,
b. i propozon Bordit të RTK-së që të shqyrtohen çështjet e caktuara lidhur me
programet e RTK-së si dhe
c. kryen punë të tjera të caktuara me Statut.
31.4. Procedurat e emërimit dhe ndryshimit të anëtarëve të Grupit Këshillues të Publikut do të
rregullohen me Statut.
Monitorimi i punës së RTK-së
Neni 32
Monitorimi i punës së RTK-së bëhet nga KPM-ja në pajtim me dispozitat e Ligjit për Komisionin e
Pavarur të Mediave.
Transparenca e RTK-së
Neni 33
Veprimtaria e RTK-së është publike dhe i nënshtrohet dispozitave të Ligjit mbi Qasjen në
Dokumentet Zyrtare. RTK i raporton Kuvendit në bazë periodike dhe vjetore për llogarinë
financiare në përputhje me procedurat e përcaktuara në Ligjin mbi Menaxhimin e Financave
Publike.
Kapitulli IX
STATUTI I RTK-së
Çështjet që rregullohen me Statut
Neni 34
Me statutin e RTK-së në veçanti përcaktohen: organizimi i institucionit publik, organet dhe
autorizimet dhe përgjegjësitë e tyre, kushtet dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e
menaxhmentit dhe personelit të RTK-së, procedurat e menaxhimit financiarë si dhe çështjet tjera të
rëndësishme për ushtrimin e veprimtarisë dhe afarizmit të institucionit.
Kapitulli X
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Vazhdimësia e RTK-së
Neni 35
14
Që nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji RTK si entitet juridik, i themeluar në bazë të Rregullores
së UNMIK-ut 2001/13, vazhdon të veproj si institucion publik me autorizime të përcaktuara me
ligj.
Afati kohor i tranzicionit
Neni 36
36.1. Bordi i RTK-së duhet të konstituohet në pajtim me këtë ligj më së voni brenda 90 ditëve prej
ditës së hyrjes në fuqi të tij.
36.2. Me fillimin e zbatimit të këtij ligji, Bordi aktual i RTK-së vazhdon të kryejë detyrat e
përcaktuara nga ky ligj deri në konstituimin e Bordit të ri të RTK-së.
36.3. Bordi i RTK-së duhet brenda 60 ditëve pas emërimit të anëtarëve të menaxhmentit të lartë
të RTK-së, të përcaktoj standardet për programet e RTK-së dhe përmbajtjet e tyre programore.
36.4. Programet e RTK-së duhet të arrijnë përputhshmëri të plotë me dispozitat e këtij ligji sa më
shpejt që është e mundur por jo më vonë se gjashtë muaj nga dita e konstituimit të Bordit të ri.
36.5. Pas konsituimit të Bordit, Bordi duhet të kryej procedurat për zgjedhjen e Drejtorit të
Përgjithshëm dhe të pozitave të tjera siç janë të përcaktuara me nenin 28, 30 dhe 31 të këtij Ligji
më së largu brenda 3 muajve. Menaxherët dhe redaktorët aktual mund të mbesin si ushtrues
detyre deri në përfundimin e këtij procesi.
36.6. Statuti i RTK-së duhet të aprovohet në pajtim me dispozitat e këtij ligji brenda 60 ditësh pas
konstituimit të Bordit të RTK-së.
Ligji i aplikueshëm
Neni 37
Pas hyrjes së tij në fuqi, ky Ligj e zëvendëson Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2001/13 të datës 13
qershor 2001 për themelimin e Radiotelevizionit të Kosovës dhe shfuqizon çdo dispozitë të ligjit
në fuqi që nuk është në përputhje me të.
Hyrja në fuqi e Ligjit
Neni 38
Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi
Special i Sekretarit të Përgjithshëm.
UNMIK/REG/2006/14
11.04.2006