1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 30 / 15 QERSHOR 2008
LIGJI NR. 03/L-063
LIGJI PËR AGJENCINË E KOSOVËS PËR INTELIGJENCË
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në bazë të neneve 65(1) dhe 129 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
Duke njohur se nevoja për informacion me kohë dhe të saktë për inteligjencë, kundërinteligjencë,
kërcënime nga brenda dhe jashtë, terrorizmin ndërkombëtar apo vendor, prodhimin dhe trafikimin e
narkotikëve, krimin e organizuar, krimin ekonomik, sabotazhin dhe të gjitha çështjet tjera të inteligjencës të
lidhura me sigurinë e Kosovës është esenciale për popullin e Kosovës;
Duke njohur se të gjitha mjetet e arsyeshme dhe ligjshme duhet të përdoren për të siguruar që Kosova do
të pranojë informatat më cilësore të inteligjencës që janë në dispozicion;
Për këtë qëllim, do të themelohet Agjencia e Kosovës për Inteligjencë për të mbledhur, analizuar dhe
shpërndarë këto informata në mënyrë të shpejtë dhe përgjegjshme. Parimet e parashtruara në këtë ligj
janë hartuar për të arritur një baraspeshë të duhur ndërmjet marrjes së informacionit esencial dhe
mbrojtjes së interesave individuale,
Miraton këtë
LIGJIN PËR AGJENCINË E KOSOVËS PËR INTELIGJENCË
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITSHME
Neni 1
Themelimi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë
1.1 Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (në vijim AKI) themelohet si agjenci për siguri dhe inteligjencë në
Kosovë.
1.2 AKI qeveriset në bazë të këtij ligji në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet tjera në fuqi në
Kosovë.
1.3 AKI është person juridik.
1.4 AKI ka mandat të veproj në tërë territorin e Kosovës.
1.5 Ndalohet çdo përdorim i teknikave të fshehta në Kosovë pa autorizim të posaçëm në bazë të ligjit.
1.6 Mjetet financiare për veprimtarinë e AKI-së sigurohen nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës në pajtim
me ligjin në fuqi për të.
1.7 Në varësi të nevojave specifike operative të AKI-së, AKI, po ashtu, mund të krijoj prani në terren
brenda Kosovës për kryerjen e detyrave brenda mandatit të AKI-së.
Neni 2
Fusha e veprimit
2
2.1 AKI mbledhë informacion në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës. Në çdo rast kërcënim
ndaj sigurisë së Kosovës konsiderohet kërcënimi ndaj integritetit territorial, integritetit të institucioneve,
rendit kushtetues, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe kërcënimet ndaj sigurisë globale në dëm të
Kosovës, duke përfshirë:
(i) terrorizmin;
(ii) nxitjen, ndihmën dhe shtytjen ose përkrahjen e terrorizmit;
(iii) spiunazhin kundër Kosovës apo në dëm të sigurisë së Kosovës;
(iv) sabotazhin drejtuar kundër infrastrukturës vitale të Kosovës;
(v) krimin e organizuar kundër Kosovës apo në dëm të sigurisë së Kosovës në cilëndo mënyrë, duke
përfshirë larjen e parave;
(vi) nxitjen e pakënaqësisë në strukturat e sigurisë;
(vii) trafikimin e substancave ilegale, armëve apo qenieve njerëzore;
(viii) prodhimin ilegal apo transportin e armëve të shkatërrimit në masë, ose të komponentëve të tyre, si
dhe materialeve dhe pajisjeve të nevojshme për prodhimin e tyre;
(ix) trafikimin ilegal të prodhimeve dhe teknologjive nën Kontrollin Ndërkombëtar;
(x) aktivitetet që bien ndesh me të drejtën humanitare ndërkombëtare;
(xi) aktet e dhunës së organizuar apo të frikësimit kundër grupeve etnike apo fetare në Kosovë, dhe
(xii) çështjet që kanë të bëjnë me kërcënime serioze ndaj shëndetit apo sigurisë publike.
2.2 Për të avancuar aktivitetet e AKI-së të paraqitura në Nenin 2.1 më lartë, dhe në pajtim me nenet 28
dhe 30 të këtij ligji, AKI ka mundësitë e veta për mbledhjen e informacionit, që përfshijnë:
(i) përgjimin mobil dhe statik;
(ii) personelin e fshehtë për mbledhjen e informacioneve;
(iii) përgjimin teknik, siç janë pajisjet për dëgjim, përgjim dhe përcjellje;
(iv) agjentët e fshehtë;
(v) mbledhjen e të dhënave konfidenciale, si nga bankat, portet dhe telefonin.
2.3 Prioritetet strategjike të AKI-së parashtrohen në Platformën Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe
Sigurisë (në vijim PVPIS), e cila përmban udhëzimet e përgjithshme për punën e AKI-së. Drejtori i AKI-së
propozon një version të Platformës Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë Këshillit të Sigurisë të
Kosovës (në vijim KSK) për shqyrtim nga ana e tyre. Pas konsultimit me Presidentin e Republikës së
Kosovës, PVPIS i dorëzohet për miratim Qeverisë. Pas miratimit, PVPIS i dorëzohet Organit Mbikëqyrës
Parlamentar për informim, dhe Drejtorit të AKI-së, për veprim.
2.4 AKI-ja nuk vepron kundër të drejtave dhe interesave të asnjë komuniteti e as diskriminon ndonjë
person mbi çfarëdo baze siç është gjinia, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimi politik apo ndonjë tjetër,
prejardhja kombëtare apo shoqërore, lidhja me një pakicë kombëtare, prona, lindja apo ndonjë status
tjetër.
2.5 AKI-ja respekton parimet e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventës Ndërkombëtare
për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive
Themelore, dhe parimet tjera relevante të pasqyruara në instrumentet ligjore të njohura ndërkombëtarishtë
dhe kryen aktivitetet e veta në pajtueshmëri me to.
3
Neni 3
Funksionet e ndaluara të AKI-së
3.1 AKI nuk ka funksione ekzekutive. Në këtë mënyrë, AKI nuk ka:
(i) të drejtën të përdorë forcë direkte apo indirekte;
(ii) çfarëdo autoriteti për arrest;
(iii) mundësinë të iniciojë procedura penale, dhe
(iv) autorizimin të detyrojë persona apo kompani të bashkëpunojnë për aktivitetet e saj, ndonëse persona
apo kompani mund të bashkëpunojnë me AKI-në mbi baza vullnetare.
3.2 AKI nuk do të mbledhë informata duke përdorë mekanizma dhe metoda të fshehta në lidhje me palët
e treta që gëzojnë imunitetet dhe privilegjet diplomatike, që janë në përputhje me Ligjin për Statusin,
Imunitetet dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike, Konsullore dhe Personelin e tyre në Republikën e
Kosovën dhe Praninë Ndërkombëtare Ushtarake dhe Personelin e saj, si dhe Konventën e Vjenës për
Marrëdhëniet Diplomatike, me përjashtim të rasteve kur synohet parandalimi i kërcënimeve ndaj këtyre
organizatave dhe organeve. Drejtori i AKI-së është i obliguar të informojë krerët e këtyre organizatave dhe
organeve për të gjitha kërcënimet e tilla.
3.3 Të gjitha veprimet apo mosveprimet e AKI-se dhe të punonjësve të saj janë në pajtim më ligjin në fuqi,
duke përfshirë instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të përshkruara mes
tjerash në nenin 2.5 më lartë.
3.4 Qeveria e Kosovës mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara ndaj personave juridik apo fizik si
rezultat i veprimeve të punonjësve të AKI-së të ndërmarrura gjatë kryerjes së detyrave apo në lidhje me
kryerjen e detyrave të AKI-së sipas këtij ligj.
3.5 Qeveria e Kosovës ka të drejtë nëpërmjet rrugës gjyqësore të rikthejë çfarëdo shume të paguar në
emër të kompensimit palës së tretë, nëse punonjësi i AKI-së shpallet përgjegjës për dëmet të përmendura
në nenin 3.4 më lartë, dhe nëse dëmet rezultojnë nga pakujdesia e madhe apo veprimi i qëllimshëm apo i
paautorizuar i punonjësit.
Neni 4
Verifikimi dhe aktivitetet tjera të sigurimit
4.1 AKI-ja do të mbrojë sigurinë e aktiviteteve, informacionit, punonjësve dhe pronës së vet nëpërmjet
mjeteve përkatëse, duke përfshirë verifikimin e kandidatëve, të punonjësve dhe të të kontraktuarve sipas
nevojës.
4.2 Të gjitha veprimet në lidhje me procedurat e verifikimit të përshkruara më lartë, dhe në Nenin 14 më
poshtë, do të kryhen me konfidencialitet dhe për të vetmin qëllim, mbrojtjen e sigurisë së Kosovës dhe të
popullit të saj.
4.3 Asnjë aplikant, punonjës apo i kontraktuar nuk do të diskriminohet mbi bazë të përkatësisë së vet në
një komunitet apo në ndonjë mënyrë tjetër , e cila shkel nenin 2.4 të këtij ligji.
KREU II
ORGANIZIMI E ADMINSTRIMI I AKI-së
4
Neni 5
Drejtori i AKI-së
5.1 Drejtori i AKI-së, në pajtueshmëri me këtë Ligj, Rregulloren mbi Organizimin e Brendshëm dhe ligjet
tjera në fuqi, është përgjegjës për të gjitha aspektet e menaxhimit të AKI-së. Drejtori i AKI-së do t'i
përgjigjet drejtpërdrejt Kryeministrit.
5.2 Në kryerjen e përgjegjësive të veta, drejtori i AKI-së ndihmohet nga një zëvendësdrejtor, udhëheqësit
e njësive organizative, këshilltarët, dhe personeli me kualifikim të duhur sipas nevojës, në pajtueshmëri
me rregullat dhe procedurat e parashtruara me këtë Ligj dhe Rregulloren e Organizimit të Brendshëm.
5.3 Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI
brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.
5.4 Drejtori i AKI-se shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar.
5.5 Drejtori i AKI-së emërohet për një mandat pesë (5) vjeçar, i cili mund të vazhdohet edhe njëherë.
5.6 Drejtori i AKI-së duhet të ketë arsimim universitar dhe duhet të emërohet mbi baza të profesionalizmit
dhe përvojës së dëshmuar.
5.7 Drejtori i AKI-së:
(i) shërben si këshilltar i Presidentit dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës për çështje të
inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës;
(ii) njofton Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës për aktivitetet e AKI-së;
(iii) ofron informata për Presidentin dhe Kryeministrit e Republikës së Kosovës sa i përket sigurisë;
(iv) është përgjegjës për mbledhjen, analizën, prodhimin dhe shpërndarjen e informatave dhe siguron se
kjo bëhet me kohë dhe në mënyrë objektive dhe të pandikuar nga arsyet politike;
(v) mbron burimet e inteligjencës dhe metodat e veprimit si dhe informacionin tjetër të klasifikuar nga
shpalosja e pa autorizuar;
(vi) ka pushtet ekskluziv të emërojë Punonjësit në AKI, që do të bëhet sipas parimeve të parashtruara në
Kapitullin IV të këtij Ligji, dhe në Rregulloren e Organizimit të Brendshëm;
(vii) vendosë dhe koordinon marrëdhëniet me agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë të qeverive të huaja
për çështje që kanë të bëjnë me inteligjencën;
(viii) siguron se AKI-ja nuk ndërmerr asnjë veprim që mund të krijojë dyshim të arsyeshëm se AKI-ja është
e angazhuar në avancimin, mbrojtjen apo dëmtimin e interesave të cilido komunitet apo cilësdo parti apo
organizatë politike;
(ix) siguron se AKI-ja nuk ndërmerr asnjë veprim me qëllim të ndikimit në procese politike, opinion publik,
politika dhe media në Kosovë;
(x) propozon buxhetin vjetor të bazuar në udhëzimet nga Platforma e Politikës së Inteligjencës dhe
Sigurisë dhe dorëzon propozimin bashkë me mendimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë për
përfshirje në buxhetin vjetor të Kosovës;
(xi) përgatitë raporte dhe propozojë plane dhe programe të AKI-së, duke përfshirë mes tjerash, Programin
Vjetor të Aktivitetit dhe Raportin Vjetor të Aktivitetit;
(xii) përgatitë propozimin e Platformës Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë;
(xiii) inicion dhe nënshkruan Memorandume të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit me institucione dhe
organe tjera;
5
(xiv) raporton para Komisionit parlamentar mbikëqyrës sipas kërkesës; dhe,
(xv) përgjigjet ndaj ankesave të individëve që besojnë se të drejtat e tyre janë shkelur nga ana e AKI-së.
Neni 6
Zëvendësdrejtori i AKI-së
6.1 Zëvendësdrejtori i AKI-së ndihmon drejtorin e AKI-së dhe drejton aktivitetet operacionale të njësive
organizative të AKI-së nën mbikëqyrjen e drejtorit të AKI-së.
6.2 Zëvendësdrejtori i AKI-së duhet të ketë arsimim universitar dhe emërohet mbi baza të profesionalizmit
dhe përvojës së dëshmuar dhe pa marr parasysh përkatësinë politike, për një mandat pesëvjeçar (5), cili
mund të përtërihet dhe do të rrjedhë pavarësisht nga mandati i drejtorit të AKI-së.
6.3 Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë zëvendës Drejtorin e AKI-
së brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.
6.4 Zëvendësdrejtori i AKI-së shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar.
6.6 Zëvendësdrejtori i AKI-së përkohësisht kryen dhe ushtron përgjegjësitë e drejtorit të AKI-së gjatë
mungesës apo paaftësisë të drejtorit. Në rast të paaftësisë të përhershme, zëvendësdrejtori i AKI-së kryen
dhe ushtron përgjegjësitë e drejtorit të AKI-së deri në kohën kur zëvendësimi i Drejtorit të KIA-s emërohet
në mënyrë formale.
Neni 7
Rregullorja dhe Organizimi i Brendshëm
7.1 Organizimi i brendshëm i AKI-së përcaktohet me Rregulloren e Organizimit të Brendshëm.
7.2 Rregullorja e Organizimit të Brendshëm do t'i dorëzohet për miratim Kryeministrit.
7.3 Në pajtim me këtë Ligj dhe legjislacionin tjetër në fuqi, Drejtori i AKI-së është përgjegjës për
shpalljen, mes tjerash, rregullat, rregulloret dhe udhëzimeve me sa vijon:
(i) kodi i etikës;
(ii) plani për sigurinë e të dhënave;
(iii) rregullorja e klasifikimit dhe deklasifikimit të të dhënave;
(iv) rregullorja e procedurës për lejen e sigurisë;
(v) rregullorja për sigurimin e të dhënave sekrete dhe ruajtjen e të dhënave;
(vi) rregulloret mbi shpërndarjen e të dhënave;
(vii) rregullorja mbi rekrutimin, menaxhimin dhe pagimin e informatorëve;
(viii) rregullorja mbi zbatimin, përdorimin dhe angazhimin e mjeteve operacionale speciale dhe teknike;
(ix) rregullorja mbi mbajtjen dhe përdorimin e armëve;
(x) rregullorja e punës;
(xi) rregullorja për pagat;
(xii) rregullorja e sigurisë së brendshme;
6
(xiii) rregullorja e procedurës disiplinore;
(xiv) rregullorja mbi thirrjet bazike dhe të përgjithshme të punonjësve të AKI;
(xv) rregullorja mbi bashkëpunimin me organe dhe institucione;
(xvi) rregullorja mbi nënshkrimin e memorandumeve të mirëkuptimit me organe dhe institucione ne
Kosovë;
(xvii) rregullorja mbi bashkëpunimin me organe ndërkombëtarë dhe shkëmbimin e inteligjencës;
(xviii) rregullorja e kartelat identifikuese;
(xix) rregulloren mbi mekanizmin e ankesave, që do të zhvillohet në konsultim me institucionin e
Ombudspersonit në Kosovë dhe do të vendoset në domenin publik.
7.4 Përmbledhjet e rregullave, rregulloret, dhe udhëzimet të parashtruara në Nenin 7.3 të këtij Ligji do të
jenë të klasifikuara në atë mënyrë që të jenë në interes të sigurisë së Kosovës.
7.5 Drejtori i AKI siguron që të punësuarit në AKI të jenë të njohur me Përmbledhjet e Rregullave,
rregulloret dhe udhëzimet e nxjerra në bazë të nenit 7.3 dhe dispozitave tjera të këtij ligji.
Neni 8
Bashkëpunimi brenda qeveritar
8.1 Bashkëpunimi ndërmjet AKI-së dhe Policisë së Kosovës, Ministrisë për Punë të Brendshme, si dhe
me institucionet tjera të sigurisë publike do të jetë i rëndësisë primare. AKI-ja bashkëpunon me
institucionet tjera qeveritare në Kosovë me qëllim të mbrojtjes së zyrtarëve, objekteve dhe informacionit të
AKI-së.
8.2 Pas emërimit të drejtorit të AKI-së, nënshkruhet një memorandum për bashkëpunim, ndihmë dhe
koordinim të ndërsjellë të aktiviteteve ndërmjet AKI-së dhe Policisë së Kosovës, Ministrisë për Punë të
Brendshme dhe institucioneve tjera relevante qeveritare. Qeveria definon parimet e përgjithshme të
koordinimit dhe asistencës ndërmjet dhe brenda AKI-së dhe organeve dhe institucioneve në Kosovë.
8.3 AKI-ja dhe organet dhe institucionet tjera në Kosovë janë të obliguara të bashkëpunojnë dhe
ndihmojnë njëra-tjetrën në kryerjen e detyrave të tyre dhe të koordinojnë aktivitetet brenda kompetencave
të veta, në harmoni me ligjet dhe rregulloret në fuqi në lidhje me mbrojtjen e burimeve, metodave dhe
informacionit tjetër të klasifikuar.
8.4 Drejtori i AKI-së, me miratim të kryeministrit, bënë marrëveshje me institucionet në Kosovë për ofrimin
e mbështetjes për inteligjencën e fshehtë.
KREU III
INSPEKTORI I PËRGJITSHËM
Neni 9
Emërimi dhe mandati i inspektorit të përgjithshëm
9.1 Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emëron Inspektorin e Përgjithshëm
të AKI-së brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.
9.2 Inspektori i përgjithshëm shërben për një mandat (4) katërvjeçar, që mund të përtërihet edhe për një
mandat katërvjeçar.
7
9.3 Inspektori përgjithshëm shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar.
9.4 Emërimi i inspektorit të përgjithshëm bëhet mbi baza të integritetit, përputhjes ndaj standardeve të
sigurisë së AKI-së, dhe përvojës në lëmi të sigurisë apo administrimit qeveritar në Kosovë.
9.5 Inspektori i përgjithshëm i raporton drejtpërdrejt kryeministrit.
9.6 Inspektori i përgjithshëm i raporton organit mbikëqyrës parlamentar të paktën çdo gjashtë (6) muaj
dhe me kërkesë specifike me shkrim të Komisionit Mbikëqyrës Parlamentar.
Neni 10
Përgjegjësia e inspektorit të përgjithshëm
10.1 Inspektori i përgjithshëm inspekton aktivitetet e AKI-së.
10.2 Është përgjegjësi e inspektorit të përgjithshëm të ndihmojë drejtorin të jetë informuar në mënyrë të
plotë dhe të vazhdueshme për problemet potenciale në aktivitetet e AKI-së, me qëllim të promovimit të
ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit, dhe evitimit të çfarëdo shkeljeje ligjore.
10.3 Inspektori i përgjithshëm i rekomandon Drejtorit të AKI-së veprime korrektuese dhe monitoron
progresin e secilit veprim korrektuese të urdhëruar nga drejtori i AKI-së.
10.4 Përgjegjësia e inspektorit të përgjithshëm përfshin auditimet financiare të aktiviteteve të AKI-së.
Përveç drejtorit të AKI-së, rezultatet e këtyre auditimeve do t'i vihen në dispozicion edhe kryeministrit.
10.5 Pas njoftimit të drejtorit të AKI-së, inspektori i përgjithshëm ka të drejtë të marrë në pyetje Punonjësit
e AKI-së dhe të ketë qasje në objektet dhe të dhënat e AKI-së sipas nevojës, me qëllim të hetimit,
inspektimit apo auditimit të brendshëm.
10.6 Drejtori i AKI-së mund t'i ndalojë inspektorit të përgjithshëm të iniciojë, kryejë apo përfundojë cilindo
inspektim apo auditim nëse drejtori përcakton se është e nevojshme të mbrohen interesat vitale të sigurisë
së Kosovës. Nëse drejtori ushtron këtë të drejtë, ai apo ajo do t'ia raportojë këtë veprim kryeministrit dhe
Presidentit të Republikës së Kosovës brenda shtatë (7) ditëve kalendarike.
10.7 Inspektori i përgjithshëm është përgjegjës për ofrimin e funksionit të kontrollit të brendshëm në AKI
duke shqyrtuar aktivitetet e AKI-së, iniciuar inspektime, auditime dhe hetime, hetuar ankesat në lidhje me
aktivitetet e AKI-së apo të bëra nga personat në Kosovë.
10.8 Inspektori i përgjithshëm është përgjegjës për të mbështetur hetimet e Ombudspersonit të Kosovës.
Neni 11
Ndihma inspektorit të përgjithshëm
Nëse e miraton drejtori i AKI-së, inspektori i përgjithshëm bënë zgjedhjen e individëve për ta ndihmuar atë
në kryerjen e funksioneve të veta, duke përfshirë individë të kualifikuar për të kryer auditime financiare.
KREU IV
PUNONJËSIT E AGJENCISË SË INTELEGJENCËS SË KOSOVËS
Neni 12
Zbatueshmëria e legjislacionit të punësimit për punonjësit e AKI-së
8
12.1 Punonjësit e AKI-së nuk janë shërbyes civilë. Megjithatë, legjislacioni që rregullon çështjet e
shërbimit civil zbatohet ndaj AKI-së, përveç rasteve kur rregullohet ndryshe me këtë ligj.
12.2 Shpalljet e vendeve të lira të punës në AKI i nënshtrohen konkurrencës së hapur dhe publikohen në
shumë gazeta ditore që shpërndahen në Kosovë, me përshkrim të kërkesave të përgjithshme për pozitat
në pajtim me ligjin në fuqi.
12.3 Procesi i brendshëm i zgjedhjes të punonjësve të AKI-së do të jetë i klasifikuar.
Neni 13
Kushtet specifike për punonjësit e AKI-së
13.1 Përveç kërkesave të përgjithshme për punësim që zbatohen ndaj punonjësve të tjerë të qeverisë,
drejtori i AKI-së mund të vë kushte speciale për punonjës të AKI-së në lidhje me ekspertizën, shëndetin,
detyrat e punës, dhe kërkesat e sigurisë që janë në përputhje me interesat e sigurisë së Kosovës.
13.2 Rregullorja e Organizimit të Brendshëm, e hartuar nga drejtori i AKI-së, përcakton kërkesat për
secilën pozitë në AKI, si dhe do të parashtrojë kërkesat specifike për punësim në AKI.
13.3 Në përputhje me rregullat e brendshme dhe kur është e nevojshme, AKI mund të kontraktojë palë të
treta për shërbime ndihmëse.
Neni 14
Leja e sigurisë
14.1 Personat e zgjedhur për punësim në AKI duhet të plotësojnë standardet strikte të sigurisë, të cilat
përcaktohen në pajtim me ligjin në fuqi dhe në harmoni me procedurat e përcaktuara në rregulloret e
shpallura nga drejtori i AKI-së dhe të miratuara nga Qeveria. Kandidati duhet të vlerësohet stabil, i
besueshëm dhe me karakter, vlerësim dhe diskrecion të shkëlqyeshëm. Çfarëdo dyshimi në lidhje me
cilindo nga faktorët e sipërpërmendur zgjidhet në favor të sigurisë së Kosovës dhe leja e sigurisë do të
refuzohet.
14.2 Kandidatët nuk punësohen nga AKI-ja nëse nuk i nënshtrohet procedurës së lejes së sigurisë ose
dështojnë të plotësojnë kërkesat e parashtruara në nenin 15.
14.3 Kandidatët të cilët qëllimisht paraqesin informata të rreme eliminihohen automatikisht.
14.4 Nëse personi nuk punësohet në AKI pasi që ai apo ajo dështon të plotësojë kërkesat e
sipërpërmendura ose nëse ka pengesa për këtë punësim, AKI-ja i shpjegon arsyet për të cilat personi nuk
është punësuar, përveç nëse shpalosja e informacionit të tillë rezulton në komprometimin e informacionit
të klasifikuar.
Neni 15
Kualifikimet për punësim në AKI
AKI nuk mund të rekrutojë kandidatët nëse nuk i plotësojnë kushtet në vijim:
(i) të jenë shtetas të Kosovës;
(ii) të jenë mbi 18 vjeç;
(iii) të kenë kualifikime të duhura arsimore dhe profesionale ashtu siç përcaktohet me Rregulloren për
Organizimin e Brendshëm;
(iv) të kryejnë ekzaminimin mjekësor të kërkuar për pozitë;
(v) të jenë të liruar nga shërbimi ushtarak, nëse është e zbatueshme; dhe
9
(vi) të jenë të aftë të plotësojnë kërkesat e sigurisë që do të përcaktohen me anë të procedurës për lejen
e sigurimit.
Neni 16
Të drejtat e punonjësve të AKI-së
16.1 Punonjësit e AKI-së kanë të drejtë për:
(i) për punësim të përhershëm deri në plotësimin e kushteve për pensionim, me përjashtim të individëve
të cilët janë të punësuar në bazë të kontratës për shërbim për një periudhë fikse, si dhe atyre që
shkarkohen me arsye, në bazë të legjislacionit në fuqi;
(ii) të merr pushim në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe mundësinë për të vazhduar punën e njëjtë apo
të ngjashme kur të mbarojë pushimi;
(iii) për shpërblim për detyrat dhe kryerjen e detyrave siç përcaktohet me këtë ligj;
(iv) të merr rrogë dhe pagesa në pajtim me legjislacionin në fuqi;
(v) për avancim të karrierës dhe zhvillim profesional nëpërmjet trajnimit dhe mjeteve tjera;
(vi) për mbrojtje të integritetit fizik dhe moral gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare.
16.2 Kur një Punonjës i AKI-së beson se shpalosja në gjyq e informacionit, të cilin e ka mësuar për
shkak të punësimit të tij në AKI mund të dëmtojë sigurinë e Kosovës, ai do t'ia referojë çështjen gjyqtarit
kryesor. Gjyqtari kryesor konsultohet me inspektorin e përgjithshëm dhe ai mban autoritetin final mbi
përdorimin e informacionit në gjyq dhe vendosjes nëse procedura in camera është e nevojshme për
procesin.
16.3 Nëse iniciohen procedura gjyqësore kundër një Punonjësi të AKI-së për shkak të veprimeve të
kryera gjatë kryerjes së detyrave të AKI-së, AKI-ja siguron avokat apo ndihmë tjetër juridike për
Punonjësin, përveç nëse Punonjësi ka vepruar jashtë autorizimeve të veta apo ka keqpërdorur autorizimet
e veta.
16.4 Sipas të njëjtave kushte nga neni 16.3 më lartë, AKI-ja, po ashtu, siguron ndihmë juridike për një
Punonjës pas përfundimit të punësimit të tij/saj, përveç nëse Punonjësi ka të drejtë tjetër për ndihmë
juridike ekuivalente.
Neni 17
Sjelljet e ndaluara të Punonjësit
17.1 Punonjësit e AKI-së nuk mund të jenë anëtarë të partive politike apo marrin udhëzime prej partive,
organizatave apo lëvizjeve politike, apo individëve jashtë AKI-së, e as nuk mund të kryejnë çfarëdo
aktiviteti apo detyra tjera publike apo profesionale me pagesë, të cilat nuk janë në përputhje me punën e
AKI-së. Punonjësit e AKI-së kërkojnë miratimin paraprak të drejtorit të AKI-së para së t'i bashkohen
cilësdo organizate apo grupi; dështimi për të raportuar këtë mund të ofrojë bazë për suspendim apo
përjashtim të Punonjësit të AKI-së.
17.2 Punonjësit e AKI-së nuk mund të kenë punësim tjetër gjatë kohës sa janë të punësuar të AKI-së.
17.3 Punonjësit e AKI-së nuk kanë të drejtën për veprime që kanë për qëllim ndërprerjen e aktivitetit apo
ndonjë formë tjetër të ndalesës kolektive të punës.
17.4 Punonjësit e AKI-së, pa pajtimin paraprak të drejtorit të AKI-së, nuk mund të japin deklarata publike
apo përndryshe komentojnë punën e AKI-së, apo ofrojnë informacion personave të paautorizuar mbi të
dhënat, dokumentet, kontaktet, qëllimet, dijen apo personelin e AKI-së.
10
17.5 Punonjësit e AKI-së nuk do të ndjekin apo pranojnë asnjë fitim, beneficion, avancim monetar, apo
shërbim për vete apo të tjerët përveç atyre të ofruara me këtë Ligj.
17.6 Shkelja e cilësdo dispozitë të këtij neni apo këtij Ligji konsiderohet bazë për suspendim dhe/apo
ndërprerje të punësimit sipas këtij Ligji.
Neni 18
Detyrimet ligjore personale të punonjësit
18.1 Secili punonjës i AKI-së do t’i kryej detyrat që i jepen në pajtim me këtë ligj dhe ligjet tjera relevante
dhe është personalisht përgjegjës për zbatimin e ligjshëm të detyrave të AKI-së, ashtu siç është
përcaktuar me këtë Ligj, dhe që janë në kuadër të detyrave të dhëna punonjësit të caktuar.
18.2 Nëse një punonjës beson se ai apo ajo ka pranuar një urdhër ilegal, ai apo ajo duhet të informojë
urdhërdhënësin në lidhje me shqetësimin e tij apo të saj.
18.3 Në rastet kur urdhërdhënësi përsërit urdhrin, Punonjësi do të kërkojë një konfirmim me shkrim të
urdhrit të tillë. Nëse Punonjësi vazhdon të ketë rezervime, ai apo ajo do t'ia përcjellë urdhrin eprorit të parë
të urdhërdhënësit dhe do t'ia raportojë çështjen inspektorit të përgjithshëm.
18.4 Punonjësi duhet të refuzojë të kryejë një urdhër për të cilin ai apo ajo beson me arsye se shkel ligjin e
zbatueshëm të Kosovës.
18.5 Nëse një Punonjës beson se AKI-ja apo një Punonjës i AKI-së mund të ketë shkelur apo po shkel
ndonjë ligj, rregullore apo politikë relevante, ai apo ajo duhet t'ia raportojë këtë inspektorit të përgjithshëm.
18.6 Punonjësi nuk mund t’u nënshtrohet procedurave disiplinore për kryerjen e veprimeve sipas neneve
18.2, 18.3, 18.4 ose 18.5 të këtij Ligji përveç nëse Inspektori i përgjithshëm vendosë ndryshe.
Neni 19
Pagat dhe kompensimi për punonjësit e AKI-së
19.1 Krijimi i një pakoje kompensimi për Punonjësit e AKI-së njeh kushtet e veçanta nën të cilat ata
kryejnë detyrat e veta. Rroga bazë e punonjësve të AKI-së ndryshon bazuar në faktorë që përfshijnë, por
nuk kufizohen në, gradën dhe kohëzgjatjen e shërbimit.
19.2 Përveç rrogës bazë, Punonjësit e AKI-së mund të pranojnë ligjërisht lloje të ndryshme të shtesave të
rrogës, mëditjeve dhe beneficioneve. Këto pagesa shtesë mund të bazohen në faktorë që përfshijnë, por
nuk kufizohen në, detyrën me rrezik, punën pas orarit, ndryshimin për punën me ndërrime, punën gjatë
festave dhe ditëve tjera që zakonisht do të ishin ditë pushimi, detyrat speciale dhe shkathtësitë speciale.
19.3 Pagesat shtesë mund të përfshijnë, por nuk janë të kufizuara në, shtesën për rrezik, shtesën për
ndërrim, pagesën për ditë festash, pagesën për punën pas orarit dhe pagesën për detyra speciale.
Beneficionet mund të përfshijnë, por nuk janë të kufizuara në, shpenzimet mjekësore dhe shëndetësore,
shpenzimet për trajnim profesional dhe teknik, shpenzimet e jetesës për transfer të përkohshëm apo
detyrë speciale, pushim të paguar, beneficione të vdekjes dhe beneficione të pensionit.
19.4 Rrogat bazë dhe cilado pagesa të autorizuara shtesë përcaktohen dhe paguhen në pajtim me
procedurat e definuara me ligjin përkatës në fuqi dhe aktet nënligjore të Qeverisë. Nëse e miraton
Kryeministri, Drejtori i AKI-së mund të përfshijë në propozimin për buxhetin vjetor për Punonjësit e AKI-së,
shumat që do të përdoren për pagesën e cilësdo pagesë shtesë të autorizuar me ligj.
19.5 Mbahet evidencë e të gjitha rritjeve të rrogave sipas këtij Neni dhe ajo shqyrtohet periodikisht nga
inspektori i përgjithshëm i AKI-së.
11
Neni 20
Dispozitat disiplinore dhe ndërprerja e punësimit
20.1 Punonjësit mund të shpallen përgjegjës për shkelje të detyrës zyrtare ashtu si parashtrohet me këtë
Ligj.
20.2 Procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore brenda AKI-së udhëhiqen nga procedurat e
brendshme.
20.3 Punësimi i punonjësve të AKI-së ndërpritet në këto raste:
(i) dorëheqja vullnetare nga AKI-ja;
(ii) përfundim i kontratës;
(iii) arritja e moshës së pensionimit;
(iv) paaftësia e përhershme për kryerjen e detyrave zyrtare për shkak të kushteve shëndetësore, me
kusht që Punonjësi nuk ka të drejtë të transferohet në një pozitë tjetër të përshtatshme brenda AKI-së;
(v) humbja e shtetësisë së Kosovës;
(vi) marrja vullnetare e shtetësisë së një vendi tjetër pas fitimit të punësimit në AKI;
(vii) shkurtimet e vendeve të punës;
(viii) dënimi për vepër penale që bart ndëshkim me burg; dhe
(ix) përjashtimi nga shërbimi si rezultat i procedurës disiplinore.
Neni 21
Kartelat e identifikimit
Punonjësve të AKI-së ju lëshohen kartelat e identifikimit. Lloji, forma dhe përmbajtja e kartelës së
identifikimit të Punonjësit të AKI-së përcaktohet me rregullore të lëshuar nga drejtori i AKI-së pas
konsultimit me kryeministrin.
Neni 22
E drejta për armëmbajtje
22.1 Punonjësit e AKI-së zakonisht nuk mbajnë armë.
22.2 Punonjësit e AKI-së autorizohen të mbajnë armë vetëm nëse drejtori i AKI-së beson me arsye se
është e nevojshme për mbrojtjen personale të personelit të AKI-së.
22.3 Autorizimet e armëve do të:
(i) regjistrohen në formë të shkruar;
(ii) lëshohen për një periudhë të kufizuar kohore; dhe
(iii) nënshtrohen shqyrtimit të inspektorit të përgjithshëm.
12
22.4 Drejtori i AKI-së harton udhëzime të qarta për mbajtjen dhe përdorimin e armëve që përfshijnë
trajnimin dhe testimin e nevojshëm për t'u kualifikuar për autorizim për armëmbajtje. Të gjithë Punonjësit e
autorizuar për armëmbajtje duhet së pari të jenë të kualifikuar për mbajtjen e asaj arme.
KREU V
MBLEDHJA, NDARJA DHE MBROJTJA E INFORMACIONIT
Neni 23
Mbledhja e informacionit
23.1 AKI është e autorizuar të mbledhë, mbajë dhe shpërndajë për qëllime të ligjshme qeveritare
informacion sipas nenit 2 të këtij Ligji. Këto aktivitete rregullohen me procedura strikte në pajtueshmëri me
parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe nevojës, dhe vetëm për avancim të sigurisë kombëtare. I
gjithë informacioni i mbledhur në këtë mënyrë klasifikohet në një mënyrë që përcaktohet si e përshtatshme
nga drejtori i AKI-së dhe në pajtueshmëri me legjislacionin përkatës në fuqi për mbrojtjen dhe klasifikimin e
informacionit.
23.2 Procedura e përmendur më lartë lejon mbledhjen e informacionit i cili përfshinë, por nuk kufizohet në
informacionin e mbledhur gjatë aktivitetit të ligjshëm të inteligjencës; informacionin që del nga hetimi i
ligjshëm i personelit ose sigurimit fizik; ose informacioni që ka të bëjë me personat për të cilët ka arsye të
besohet se janë burime apo kontakte potenciale me qëllimin e vetëm të përcaktimit të përshtatshmërisë
ose besueshmërisë të tyre.
Neni 24
Burimet e informacionit
Në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të veta, AKI-ja mund:
(i) të mbledhë informacion duke fshehur arsyet për mbledhjen e tij për shkak të natyrës sekrete të tij;
(ii) të krijojë kontakte të fshehta me individë privatë;
(iii) të krijojë dhe përdorë sisteme informacioni për avancimin e mbledhjes së inteligjencës;
(iv) të përdorë forma të mashtrimit operativ që nuk shkaktojnë lëndime fizike apo dëmtojnë shëndetin;
(v) të përgatisë dhe përdorë dokumente mbulesë për mbrojtjen e punonjësve të AKI-së dhe
personave fizikë që bashkëpunojnë me ta, si dhe fshehjen e qëllimit të sigurisë së tyre;
(vi) të krijojë dhe mbajë organizata të përkohshme për qëllime të mbledhjes së fshehtë të të dhënave;
dhe
(vii) të caktojë punonjës të AKI-së të punojnë në fshehtësi në institucione apo organe të Kosovës “në
pajtim me nenin 8.4 të këtij ligji”.
Neni 25
Shpërndarja e informacionit
25.1 Drejtori i AKI-së ose i emëruari i tij/saj, sipas nevojës aprovojnë shpërndarjen rezultateve të analizave
të tij tek institucionet tjera qeveritare në periudha të caktuara dhe në pajtueshmëri me mbrojtjen e
informacionit të klasifikuar.
25.2 Nëse gjatë kryerjes së funksioneve të veta, AKI-ja bindet se ekziston bazë për dyshim se një person
apo subjekt i caktuar ka kryer apo po kryen një vepër penale, apo po përgatitë apo organizon një vepër
13
penale që i nënshtrohet ndjekjes publike, ajo është e obliguar të njoftojë drejtorin e përgjithshëm të
Policisë së Kosovës dhe prokurorin publik kompetent.
25.3 Nëse një rast që del nga Neni 25.2 më lartë, përfshinë dyshimin për një vepër penale kundër sigurisë
së Qeverisë së Kosovës dhe rendit të saj kushtetues, drejtori i AKI-së mund t'i paraqesë një kërkesë
prokurorit publik kompetent që policia të suspendojë përkohësisht ekzekutimin e akteve dhe masave në
procedimet parapenale kur kjo është në interes të sigurisë kombëtare dhe kur jetët dhe shëndeti i
personave të tretë me këtë nuk vihen në rrezik.
Neni 26
Përkrahja nga institucionet tjera qeveritare
Institucionet qeveritare bashkëpunojnë dhe ndihmojnë AKI, përveç nëse ligji përjashton këtë mundësi, nën
mbikëqyrjen e kryeministrit.
Neni 27
Përkrahja institucioneve tjera qeveritare
AKI mund të ofrojë përkrahje në fushë të inteligjencës, duke përfshirë edhe ndihmë të ekspertëve,
institucioneve tjera qeveritare sipas nevojës për sigurinë e Kosovës.
Neni 28
Urdhri gjyqësor për përgjim apo hyrje në objekte
28.1 Përgjimi në vende jopublike, apo ku palët mund të presin me arsye të kenë privatësi, përgjimi i
telekomunikacioneve, dhe të gjitha format tjera të përgjimit elektronik, si dhe hyrja në pronë pa pajtimin e
pronarit apo banuesit të përkohshëm, mund të bëhet vetëm në rastet kur ka pasur autorizim paraprak nga
një gjyqtar i Gjykatës Supreme që do të jepet vetëm pas shqyrtimit të kërkesës më shkrim të bërë nën
betim dhe të aprovuar nga drejtori i AKI-së apo zëvendësdrejtori i AKI-së.
28.2 Gjyqtari i Gjykatës Supreme është i detyruar të ruaj fshehtësinë në lidhje me informacionin e fituar
sipas dispozitave të këtij Ligji.
28.3 Drejtori i AKI-së paraqet kërkesë me shkrim gjyqtarit të Gjykatës Supreme kur ai apo ajo beson me
arsye se nevojitet përgjimi apo hyrja për të mundësuar AKI-në të hetojë çështje brenda brezit të veprimeve
të veta.
28.4 Zbatimi dhe urdhri për përgjim të fshehtë ofrojnë:
(i) emrin dhe adresën apo përshkrimin preciz fizik të cakut apo caqeve;
(ii) llojin e komunikimit që duhet përgjuar, llojin e informacionit, shënimet, dokumentet apo gjërat që
propozohen të merren; dhe mjetet që duhen ushtruar për atë qëllim;
(iii) një përshkrim të përgjithshëm të vendit apo vendeve kur përgjimi apo kërkimi propozohet të kryhet,
nëse mund të jepet një përshkrim i përgjithshëm i atij vendi;
(iv) arsyetimin për pohimin se teknika që kërkohet të përdoret nevojitet që t'i mundësojë AKI-së të
mbledhë inteligjencë lidhur me një kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës;
(v) informacionin që arsyeton se përgjimi apo kërkimi kërkohet mbi baza të arsyeshme për t'i mundësuar
AKI-së të hetojë një kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës;
(vi) një deklaratë se informacioni i kërkuar nuk mund të merret në mënyrë të arsyeshme nëpërmjet një
teknike më pak ndërhyrëse brenda kohës së nevojshme;
14
(vii) periudhën, jo më të gjatë se gjashtëdhjetë (60) ditë, për të cilën kërkohet që urdhri të jetë në fuqi; dhe
(viii) informacionin për cilëndo kërkesë të mëparshme të bërë në lidhje me personin apo vendin që i
nënshtrohen përgjimit apo kërkimit, datën në të cilën një kërkesë e tillë është bërë, emrin e gjyqtarit të cilit
i është paraqitur kërkesa; dhe vendimin e gjyqtarit në atë rast.
28.5 Teknikat e përgjimit do të përdoren në pajtueshmëri me standardet të parapara për të minimizuar
marrjen, mbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit jo relevant për qëllimin e deklaruar të urdhrit për
përgjim.
28.6 Gjyqtari merr një vendim brenda dyzetetetë (48) orësh prej paraqitjes së kërkesës.
28.7 Urdhri për përgjim i gjyqtarit përcakton periudhën kohore gjatë së cilës aprovohet teknika, e cila nuk
do të zgjasë me tepër se gjashtëdhjetë (60) ditë. Zgjatjet e një urdhri mund të jepen pas një kërkese për
zgjatje të bërë në mënyrën e njëjtë si ajo e përshkruar në Nenin 28.2, duke paraqitur arsyetimin për
zgjatjen e propozuar.
28.8 Përdorimi i një teknike përgjimi ndërpritet menjëherë nëse objektivat e parashtruara në urdhrin e
gjyqtarit janë arritur apo nëse nuk mund të priten rezultate të mëtejme nga përdorimi i vazhduar i saj.
Neni 29
Urdhri për përgjim emergjent
Në një situatë emergjente, kur koha nuk lejon përgatitjen e një kërkese me shkrim nga ana e drejtorit të
AKI-së apo zëvendësdrejtorit të AKI-së apo dhënien e një urdhri me shkrim nga ana e një gjyqtari të
Gjykatës Supreme, kërkesa mund të bëhet dhe urdhri për përgjim të fshehtë mund të jepet gojarisht, për
t'u konfirmuar më shkrim brenda dyzetetetë (48) orësh.
Neni 30
Qasja në të dhënat personale të mbajtura nga një palë e tretë
30.1 Sipas këtij neni, AKI-ja mund marr të dhëna personale të mbajtura nga pala e tretë.
30.2 Pas kërkesës së një pjesëtari të AKI-së, drejtori mund të autorizojë kërkesat që një palë e tretë të
ofrojë informacion të atillë siç përshkruhet në shkresën ligjore, nëse ai konsideron se ka nevojë të
arsyeshme për të avancuar përgjegjësitë e AKI-së të parapara në nenin 2.1.
30.3 Pala e tretë mund të pajtohet me kërkesat e shkresës ligjore por nuk është nën asnjë obligim të bëjë
këtë. Kur pala e tretë nuk pajtohet apo nuk ka gatishmëri të pajtohet me tërë shkresën ligjore, ata mund të
pajtohen me një përgjigje të pjesshme.
30.4 Një palë e tretë mund të kërkojë kompensim përkatës për plotësimin e kërkesave të shkresës ligjore.
Zbatimi i kërkesave të shkresës ligjore nuk mund të vonohet për të fituar kompensimin përkatës.
30.5 Kërkesa e përmendur në nenin 30.2 duhet të përfshijë:
(i) emrin dhe adresën ose përshkrimin preciz fizik të cakut apo caqeve;
(ii) informacionin që kërkohet;
(iii) kohën kur kërkohet informacioni;
(iv) formatin në të cilin kërkohet informacioni;
(v) emrin dhe adresën e palës së tretë e cila ka informacionin që kërkohet;
15
(vi) informacion që arsyeton se informacioni kërkohet mbi baza të arsyeshme për t'i mundësuar AKI-së të
hetojë një kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës;
(vii) një deklaratë se informacioni i kërkuar nuk mund të sigurohet më mënyrë të arsyeshme nëpërmjet një
teknike më pak ndërhyrëse brenda kohës së nevojshme; dhe
(viii) informacion mbi cilëndo kërkesë të mëparshme të bërë në lidhje më cakun e shkresës ligjore, datën
në të cilën një kërkesë e tillë është bërë, dhe vendimin në atë rast.
30.6 Shkresa ligjore në këtë nen 30.2 duhet të jetë në format të përcaktuar dhe përmbajë informacionin
vijues:
(i) faktin se është një shkresë ligjore sipas Nenit 30 të këtij ligji;
(ii) faktin se pala e tretë ka të drejtë për kompensim përkatës;
(iii) si mund të kërkojë pala e tretë pagesën e kompensimit përkatës;
(iv) faktin se pajtueshmëria me shkresën ligjore është vullnetare.
30.7 Autoritetet nuk i kërkojnë palës së tretë të mbledhë informacion të cilin ata përndryshe do të
mblidhnin gjatë aktiviteteve të tyre normale dhe ligjore.
30.8 Pala e tretë nuk do të shpalosë ekzistencën e autorizimit me shkrim, ose cilindo informacion që
mund të zbulojë ekzistencën e autorizimit me shkrim asnjë personi të paautorizuar, përveç personave nga
të cilët kërkohet përmbushja e kërkesave të autorizimit me shkrim.
Neni 31
Trajtimi i të dhënave të mbledhura dhe ruajtura
31.1 Të dhënat personale të mbledhura nga AKI-ja duhet të ruhen për qëllime të specifikuara dhe legjitime
dhe nuk përdoren në cilëndo mënyrë që nuk është në pajtim me ato qëllime, dhe duhet te mbahen nga
AKI-ja vetëm gjatë kohës sa është e nevojshme për kryerjen e detyrave të saj. Në momentin kur është e
panevojshme që të dhënat personale të mbahen nga AKI-ja, ato duhet të asgjësohen nga AKI-ja sipas
mënyrës së përcaktuar me rregulla të brendshme.
31.2 Merren masat përkatëse të sigurisë për mbrojtjen e këtij informacioni të ruajtur në skeda të
automatizuara të të dhënave nga shkatërrimit aksidental apo i joautorizuar, nga humbja aksidentale, si dhe
nga qasja, ndryshimi dhe shpërndarja aksidentale.
KREU VI
FSHEHTËSIA
Neni 32
Raportimi i përjashtimit
Në avancim të autorizimeve dhe përgjegjësisë së drejtorit të AKI-së për mbrojtjen e burimeve dhe
metodave të inteligjencës dhe informacionin tjetër të klasifikuar, AKI do të jetë e përjashtuar nga dispozitat
e cilado ligjeve që kërkojnë shpalosjen e organizimit, funksioneve, emrave, titujve zyrtarë.
Neni 33
Obligimi i Punonjësve për Ruajtjen e Fshehtësisë
16
Punonjësit e AKI-së duhet të mbrojnë informacionin e klasifikuar dhe, si kusht punësimi, nënshkruajnë një
marrëveshje ruajtjen e fshehtësisë. Obligimi për të mbrojtur këto fshehtësi nuk pushon kur Punonjësi nuk
është më i punësuar në AKI.
Neni 34
Ndjekja penale për zbulimin e paautorizuar të informatave të klasifikuara
Zbulimi i informatave të klasifikuara të AKI-së cilitdo individ të pa autorizuar për ta pranuar ato, paraqet
shkelje të Kodit Penal të Kosovës, dhe kryesi do t’i nënshtrohet dënimit siç parashihet në dispozitën
përkatëse të kodit.
KREU VII
MBIKËQYRJA PARLAMENTARE
Neni 35
Mbikëqyrja parlamentare
Mbikëqyrja e KIA-s kryhet nga komisioni mbikëqyrës parlamentar, mandati i të cilit përshkruhet me këtë
ligj. Përbërja e tij përcaktohet me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.
Neni 36
Veprimi dhe përgjegjësitë e organit mbikëqyrës parlamentar
36.1 Komisioni mbikëqyrës parlamentar mban mbledhjet e veta të paktën dy herë në vit.
36.2 Kryetari i komisionit mbikëqyrës parlamentar nuk duhet të jetë anëtar i partisë politike apo koalicionit
qeverisës që është në pushtet.
36.3 Kryetari i komisionit mbikëqyrës parlamentar thirr mbledhjet me iniciativën e vet.
36.4 Kryetari i komisionit mbikëqyrës parlamentar është i obliguar të thirr mbledhjet e organit mbikëqyrës
parlamentar pas marrjes së kërkesës me shkrim të një të tretës të anëtarëve të organit mbikëqyrës
parlamentar sipas rregullores së punës në fuqi të Kuvendit të Kosovës.
36.5 Ndërveprimi ndërmjet AKI-së dhe komisionit mbikëqyrës parlamentar do të jetë i mbyllur për publik
përveç nëse specifikohet ndryshe nga kryesuesi i komisioni mbikëqyrës parlamentar, sipas diskrecionit të
tij apo saj, apo pas rekomandimit dhe votimit të shumicës së thjeshtë të anëtarëve të komisionit
mbikëqyrës parlamentar.
36.6 Komisioni mbikëqyrës parlamentar është përgjegjës të:
(i) mbikëqyrë ligjshmërinë e punës së AKI-së;
(ii) shqyrtojë raportet e kryeministrit në lidhje me çështjet brenda kompetencave, të cilat përfshijnë
veprime të ndërmarra për të korrigjuar çfarëdo problemesh në AKI të bëra të ditura nëpërmjet inspektimit,
auditimit apo hetimit;
(iii) shqyrtojë raportet e drejtorit të AKI-së në lidhje me operacionet dhe shpenzimet e AKI-së;
(iv) shqyrtojë raportet e inspektorit të përgjithshëm;
(v) ofrojë një mendim për propozimin e detajizuar të buxhetit për AKI-në; dhe
(vi) kryejë hetime në lidhje me punën e AKI-së.
17
Neni 37
Hetimet parlamentare
37.1 Nëse komisioni mbikëqyrës parlamentar ka bazë të besojë se AKI-ja po kryen detyrat e veta në
mënyrë të paligjshme, të papërshtatshme apo joprofesionale, ai mund të kryejë një hetim gjatë të cilit
komisioni mbikëqyrës parlamentar mund të marrë në pyetje Punonjësit e AKI-së dhe të ketë qasje në
dokumentet relevante të AKI-së.
37.2 Hetimet parlamentare janë të mbyllura për opinionin përveç nëse caktohet ndryshe nga kryesuesi i
organit mbikëqyrës parlamentar, në bazë të diskrecionit të tij apo saj, ose pas rekomandimit dhe votimit të
shumicës së thjeshtë të anëtarëve të komisioni mbikëqyrës parlamentar.
37.3 Nëse komisioni mbikëqyrës parlamentar konstaton se operacioni i AKI-së është i paligjshëm, ai mund
të ftojë kryeministrin të ndërmarrë masat e nevojshme dhe të iniciojë shqyrtimin e përgjegjësisë.
37.4 Kryeministri është i obliguar të informojë komisionin mbikëqyrës parlamentar për rezultatet e çdo
shqyrtimi të kryer sipas dispozitave të këtij Neni.
37.5 Gjatë kryerjes së funksionit të vet, komisioni mbikëqyrës parlamentar mund të kërkojë informacion
nga kryeministri, drejtori i AKI-së, ose cilido Punonjës i AKI-së. Në avancim të këtij funksioni, komisioni
mbikëqyrës parlamentar mund të urdhërojë drejtorin e AKI-së të paraqitet para tij në mënyrë që drejtori i
AKI-së të japë raport gojor në lidhje me aktivitetet e AKI-së.
37.6 Gjatë mbikëqyrjes parlamentare të ushtruar nga komisioni mbikëqyrës parlamentar, do të vihet në
dispozicion informacion i klasifikuar përveç nëse shpalosja e tij do të kërcënonte interesat vitale të sigurisë
kombëtare të lidhura me mbrojtjen e burimeve dhe metodave në një rast specifik.
37.7 Nëse Kryeministri apo drejtori i AKI-së vendosin të mos i ofrojnë informacion komisionit mbikëqyrës
parlamentar në bazë të Nenit 36.5 më lartë, ai do të informojë menjëherë me shkrim komisionin
mbikëqyrës parlamentar me shpjegimin për mosofrimin e atij informacioni.
Neni 38
Obligimi i ruajtjes së fshehtësisë nga komisioni mbikëqyrës parlamentar
38.1 Anëtarët e komisionit mbikëqyrës parlamentar janë të detyruar të ruajnë fshehtësinë në me lidhje me
informacionin që ka të bëjë me sekretet zyrtare në të cilat kanë pasur qasje në cilësinë e tyre, dhe e cila
do të mbetet në fuqi pas përfundimit të anëtarësisë së tyre në komisionin mbikëqyrës parlamentar. Cilado
shkelje e obligimit për ruajtjen e fshehtësisë është e dënueshme siç përcaktohet në nenin 34 të këtij ligji.
38.2 Komisioni mbikëqyrës parlamentar krijojnë procedura me shkrim për të mbrojtur zbulimin e jo
autorizuar të të gjithë informacionit të klasifikuar që i ofrohet organit mbikëqyrës parlamentar.
KAPITULLI VIII
MEKANIZMAT E ANKESËS
Neni 39
39.1 Individët, institucionet dhe palët e treta kanë të drejtën e ankesës ndaj AKI-së.
39.2 Ankesat mund t’i drejtohen Institucionit të Ombudspersonit të Kosovës (IOK).
39.3 Cilado ankesë paraqitur IOK-së nuk cenon të drejtën e një individi, institucioni apo pale të tretë të
kërkojë shqyrtim nga një gjykatë.
KREU VIII
FINANCIMI
Neni 40
18
Përgatitja dhe ofrimi i buxhetit
40.1 Drejtori i AKI-së harton dhe paraqet kryeministrit, për aprovim dhe dorëzim tek komisioni mbikëqyrës
parlamentar, projekt buxhetin vjetor për AKI-në, detajet e të cilit konsiderohen informacion i klasifikuar.
40.2 Kuvendi i Kosovës i vë në dispozicion AKI-së buxhetin vjetor të mjaftueshëm për të kryer detyrat dhe
përgjegjësitë për të mbrojtur sigurinë e Kosovës.
Neni 41
Përgjegjësia e shpenzimeve
41.1 Drejtori i AKI-se është përgjegjës për shpenzimin e ligjshëm të fondeve të dhëna AKI-së.
41.2 Shumat të cilat i vihen në dispozicion AKI-së shpenzohen nga drejtori i AKI-së apo ata të cilëve
drejtori i AKI-së ia ka deleguar këtë përgjegjësi në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës, për cilindo qëllim të
nevojshëm për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e AKI-së.
Neni 42
Shpenzimet emergjente
42.1 Në rrethana të jashtëzakonshme relevante për punën e AKI-së, drejtori i AKI-së mund të
shpenzojë fonde pavarësisht dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me shpenzimet e fondeve qeveritare,
përveç nëse përndryshe ndalohet në mënyrë të veçantë me ligj.
42.2 Nëse drejtori i AKI-së ushtron autorizimin të bëjë shpenzime emergjente ashtu siç është paraparë
më lart, ai apo ajo i raporton menjëherë gojarisht kryeministrit për shpenzimin dhe e arsyeton me shkrim
brenda dyzetetetë (48) orësh pas shpenzimit.
KREU IX
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 43
Ndarja kalimtare e resurseve
43.1 Përkundër dispozitave të nenit 1.6 dhe Kapitullit VII të këtij Ligji, Qeveria krijon dispozitë speciale për
të ofruar objekte dhe resurse financiare përkatëse AKI-së pas formimit të saj deri në kohën kur financimi i
AKI-së mund të kryhet sipas procedurave normale.
43.2 Qeveria vë në dispozicion fonde të tilla të nevojshme për emërimin dhe veprimin fillestar të drejtorit
të AKI-së dhe zëvendësdrejtorit të AKI-së deri sa fondet e tilla të ndahen në mënyrë specifike nga ana e
Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës.
Neni 44
Veprimi kalimtar
44.1 Me miratim paraprak të kryeministrit, drejtori i AKI-së mund të zbatojë ligje dhe rregullore të
zbatueshme ndaj institucionet qeveritare të Kosovës në atë masë që zbatimi i ligjit nuk është në
mospërputhje me dispozitat e këtij Ligji. Një zbatim i tillë nuk do të bëhet për një periudhë me të gjatë se
gjashtë (6) muaj pas themelimit të AKI-së.
44.2 Në pritje të miratimit dhe zbatimit të legjislacionit relevant për mbrojtjen e informative të klasifikuara,
drejtori i AKI-së lëshon rregullore që përkohësisht krijon një sistem për klasifikimin e informacionit, masat
19
për mbrojtjen e këtij informacioni, dhe përgjegjësitë e punonjësve për mbrojtjen e këtij informacioni të
sigurisë.
44.3 Krijimi i vendeve të lira të punës që dalin nga ky ligj bëhet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji,
sipas nenit 45.
44.4 Në pritje të miratimit të procedurës për lejen e sigurisë, Punonjësit e AKI-së mund të marrin leje të
përkohshme sigurie, valide deri në gjashtë (6) muaj, nën kushtin që këta punonjëse të dorëzojnë
pyetësorin për lejen e sigurisë, përmbajtja e të cilit nuk zbulon bazat e qarta të refuzimit të lejes së
sigurisë. Leja e përkohshme e sigurisë mund të ripërtërihet vetëm njëherë, për një periudhë që nuk mund
jetë më shumë se gjashtë muaj.
44.5 neni 44.4 i këtij Ligji zbatohet vetëm ndaj individëve të cilët i bashkohen AKI-së para zbatimit të
procedurës për lejen e sigurisë.
Neni 45
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 03/L-063
21 Maj 2008