LIGJI NR. 03/L-047 PËR MBROJTJEN DHE PROMOVIMIN E TË DREJTAVE TË KOMUNITETEVE DHE PJESËTARËVE TË TYRE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 28 / 04 QERSHOR 2008

LIGJI NR. 03/L-047


PËR MBROJTJEN DHE PROMOVIMIN E TË DREJTAVE TË KOMUNITETEVE DHE PJESËTARËVE
TË TYRE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS



Në mbështetje të Kapitullit IV neni 65 pika 1 të si dhe nenit 81 pika 1 paragrafi 2, të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës, me qëllim të promovimit të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në
Republikën e Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Miraton:


LIGJIN PËR MBROJTJEN DHE PROMOVIMIN E TË DREJTAVE TË KOMUNITETEVE DHE
PJESËTARËVE TË TYRE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS


Neni 1
Dispozitat e përgjithshme

1.1 Republika e Kosovës garanton barazi të plotë dhe efektive për të gjithë popullin e Kosovës. Kosova e
konsideron shumëllojshmërinë e saj kombëtare, etnike, gjuhësore dhe fetare si një burim force dhe
pasurie për zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike që bazohet në sundimin e ligjit. Në
zhvillimin e Republikës së Kosovës, inkurajohet dhe çmohet kontributi aktiv i të gjithë personave që iu
përkasin komuniteteve.

1.2 Republika e Kosovës ndërmerr masat e veçanta për të siguruar barazi të plotë dhe efektive për
komunitetet dhe pjesëtarët e tyre, duke marrë në konsideratë nevojat e tyre të veçanta. Këto masa nuk
konsiderohen si akt diskriminimi.

1.3 Personat që iu përkasin komuniteteve në Republikën e Kosovës kanë të drejtë t’i gëzojnë
individualisht apo së bashku me të tjerët, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut që janë përcaktuar në
obligimet ligjore ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Kosovës. Këto të drejta dhe liri
garantohen me kushtetutë, me ligje, rregullore dhe politika tjera shtetërore.

1.4 Për qëllimet e këtij ligji, komunitetet përkufizohen si grupe kombëtare, etnike, kulturore, gjuhësore apo
fetare tradicionalisht të pranishme në Republikën e Kosovës të cilat nuk janë shumicë. Këto grupe janë
komuniteti serb, turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian, goran dhe komunitete të tjera. Pjesëtarët e
komunitetit shumicë në Republikën e Kosovës, të cilët si tërësi nuk janë shumicë në një komunë të
caktuar po ashtu i gëzojnë të drejtat e radhitura në këtë ligj.

1.5 Çdo person që i takon një komuniteti ka të drejtë që lirisht të zgjedhë të trajtohet apo të mos trajtohet
si i tillë dhe asnjë dëm apo diskriminim nuk do të rezultojë nga zgjedhja e ushtrimit apo jo të të drejtave të
cilat lidhen me këtë zgjedhje.

1.6 Gjatë ushtrimit të lirë nga ana e tyre të të drejtave dhe lirive të mbrojtura me këtë ligj, komunitetet dhe
pjesëtarët e tyre i respektojnë të drejtat e të tjerëve.

1.7 Autoritetet në Republikën e Kosovës, përfshirë gjykatat, e interpretojnë këtë ligj në pajtim me
garancitë e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të
tyre të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, në obligimet e aplikueshme ndërkombëtare për të drejtat e
njeriut, përfshirë dispozitat e Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave
2
Kombëtare.



Neni 2
Identiteti

2.1 Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë që lirisht të kultivojnë, shprehin dhe zhvillojnë
kulturën dhe identitetin e tyre dhe të ruajnë e përmirësojnë elementët esencialë të identitetit të tyre,
veçanërisht fenë, gjuhën, traditat dhe trashëgiminë e tyre kulturore. Përveç të drejtave të posaçme të
numëruara në këtë ligj, të drejtat themelore të njeriut do të ushtrohen lirshëm dhe në mënyrë të
barabartë, duke përfshirë lirinë e të menduarit, të shprehurit, të mediave, të shoqërimit dhe tubimit; të
besimit dhe ushtrimit të fesë dhe të drejtën e manifestimit privatisht ose publikisht, individualisht apo në
komunitet me të tjerë të atributeve kulturore të komunitetit përkatës.

2.2 Republika e Kosovës do të krijojë kushtet e duhura për t’iu mundësuar komuniteteve dhe personave
që iu përkasin komuniteteve që lirshëm të kultivojnë, shprehin dhe zhvillojnë identitetet e tyre.

2.3 Ndalohen masat që synojnë ndryshimin e strukturës së popullatës, në zonat e banuara nga personat
që iu përkasin komuniteteve e që janë në dëm të tyre. Republika e Kosova gjithashtu do t’i mbrojë
personat që iu takojnë komuniteteve, nga politikat apo praktikat që kanë për qëllim ose kanë ndikim në
asimilimin kundër dëshirës së tyre.

2.4 Personat që iu përkasin komuniteteve kanë të drejtë që t’iu njihen emrat e tyre personalë në formën
e tyre origjinale, në formën e shkruar në gjuhën e tyre, si dhe t’i rikthejnë emrat e tyre origjinalë, nëse
janë ndryshuar. Kjo përfshin të drejtën për të zgjedhur lirshëm emrat dhe mbiemrat e tyre, si dhe emrat e
fëmijëve të tyre, dhe të drejtën për t'i regjistruar këta emra në regjistrat civil, në dokumentet e identifikimit
dhe dokumentet e tjera zyrtare, në gjuhën dhe shkrimin e tyre, në përputhje me ligjin.



Neni 3
Barazia e plotë dhe efektive

3.1 Republika e Kosovës promovon frymën e paqes, tolerancës, dialogut ndërkulturor dhe ndër-fetar dhe
mbështet pajtimin mes komuniteteve. Standardet e përcaktuara në këtë ligj, në Konventën Kornizë të
Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe në instrumentet e tjera relevante
respektohen, në mënyrë që ta arrijë barazinë e plotë dhe efektive për të gjithë popullin e Republikës së
Kosovës.

3.2 Republika e Kosovës ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personat të cilët janë
objekt i kërcënimit apo akteve të frikësimit, armiqësisë apo dhunës për shkak të identitetit të tyre
kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor apo fetar. Organet kompetente do të ndjekin penalisht, ashtu si
përcaktohet me ligj, të gjithë ata që marrin pjesë në këto kërcënime apo në aktet e përshkruara në këtë
paragraf.

3.3 Ndalohen të gjitha format e diskriminimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në bazë të identitetit
kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor apo fetar. Në pajtim me ligjin, Republika e Kosovës siguron që të gjithë
pjesëtarët e komuniteteve t’i gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre themelore dhe ndërmerr masa të veçanta
për të përmirësuar çdo situatë ku këta persona përjashtohen nga ushtrimi i barabartë i këtyre të drejtave.

3.4 Republika e Kosovës ndërmerr masa të tilla afirmative të cilat mund të jenë të nevojshme për
promovimin e barazisë së plotë dhe efektive në të gjitha sferat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe
kulturore, duke përfshirë arsimin, median, shëndetësinë dhe shërbime të tjera publike. Veprimet e tilla
ofrohen në mënyrë të barabartë për të gjitha komunitetet dhe pjesëtarët e tyre bazuar vetëm në nevoja.

3
3.5 Republika e Kosovës mbron lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e pjesëtarëve të komuniteteve në mbarë
vendin.



Neni 4
Gjuha

4.1 Gjuha shqipe dhe serbe dhe alfabetet e tyre janë gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe kanë
status të njëjtë në institucionet e saj. Gjuhët turke, boshnjake dhe rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare
në nivel komunal apo kanë përdorim zyrtar në pajtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

4.2 Personat që iu përkasin komuniteteve kanë të drejtë që lirshëm dhe pa ndërhyrje të përdorin gjuhën
e komunitetit të tyre në jetën private dhe publike, në formë të folur dhe të shkruar.

4.3 Personat që iu përkasin komuniteteve kanë të drejtë në lirinë e shprehjes, duke përfshirë të drejtën
për të marrë dhe dhënë informacion dhe ide në gjuhën e komunitetit të tyre përkatës.

4.4 Personat që iu përkasin komuniteteve, të cilët janë objekt i arrestimit apo ndalimit kanë të drejtë të
informohen menjëherë në një gjuhë që e kuptojnë për arsyet e arrestimit dhe natyrën apo shkakun e
ndonjë akuze kundër tyre.

4.5 Personat që iu përkasin komuniteteve kanë të drejtë të mbrojnë veten në gjyq në gjuhën e tyre; nëse
është e nevojshme Qeveria do t’iu ofrojë atyre ndihmën pa pagesë të një përkthyesi.

4.6 Personat që iu përkasin komuniteteve kanë të drejtë të shfaqin në mënyrë të dukshme në publik
shenja, mbishkrime dhe informacion tjetër të natyrës private në gjuhën e komunitetit të tyre.

4.7 Në fushat ku personat që iu përkasin komuniteteve përfaqësojnë një pjesë të mjaftueshme të
popullatës, emërtimet tradicionale lokale, emërtimet e qyteteve dhe treguesit e tjerë topografikë do të
shfaqen edhe në gjuhën e komunitetit përkatës jo-shumicë. Kjo do të rregullohet nga Ligji mbi Përdorimin
e Gjuhëve.

4.8 Përdorimi i gjuhës në marrëdhëniet mes personave që iu përkasin komuniteteve dhe autoriteteve
administrative në nivel qendror dhe komunal, në marrëdhënie me gjykatat, mediat, dhe në arsim
rregullohen në Ligjin mbi Përdorimin e Gjuhëve.

4.9 Republika e Kosovës ndërmerr masa afirmative për të siguruar që gjuhët e tjera përveç atyre zyrtare
të ruhen, të kultivohen dhe të promovohen dhe do të orientojë sjelljen e saj sipas Kartës Evropiane për
Gjuhët Rajonale dhe të Minoriteteve.



Neni 5
Kultura

5.1 Komunitetet në Republikën e Kosovës dhe pjesëtarët e tyre gëzojnë të drejtën e shprehjes, kultivimit
dhe zhvillimit të kulturës dhe traditave të tyre dhe të administrimit të çështjeve të veta kulturore.

5.2 Komunitetet kanë të drejtën e themelimit të shoqatave kulturore, artistike, shkencore dhe arsimore si
dhe shoqatave të tjera për shprehjen, forcimin dhe zhvillimin e identitetit të tyre. Këto shoqata kanë të
drejtën e regjistrimit të tyre si shoqata qytetare dhe regjistrimi i tillë nuk do t’iu mohohet apo revokohet
përveç arsyeve të përcaktuara me ligj.

5.3 Komunitetet kanë të drejtë të themelojnë organizata përfaqësuese të komunitetit që mund të veprojnë
si organizata ombrellë në lidhje me komunitetin përkatës dhe të kërkojnë përfaqësim në Këshillin
Konsultativ për Komunitete. Përveç kërkesave të paragrafit 2 të këtij neni, këto shoqata duhet të jenë në
pajtueshmëri me kodin e mirësjelljes për sa i përket përfaqësimit të tyre autentik të komunitetit përkatës,
4
funksionimit demokratik, efikasitetit dhe transparencës financiare. Ky kod i mirësjelljes miratohet nga
organizata përfaqësuese e komunitetit përmes Këshillit Konsultativ për Komunitete, i themeluar në
përputhje me nenin 12 të këtij ligji.

5.4 Organizatat apo shoqatat e themeluara sipas paragrafëve 2 dhe 3 të këtij neni, kanë të drejtën për
mbështetje dhe asistencë financiare, përfshirë edhe atë nga Qeveria, në pajtim me ligjin.

5.5 Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë të festojnë festat e tyre tradicionale dhe fetare në
mënyrë të lirë dhe të hapur në pajtim me ligjin.

5.6 Komunitetet dhe organizatat e tyre përfaqësuese kanë të drejtën të përdorin dhe shfaqin simbolet e
komunitetit të tyre në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

5.7 Personat që iu përkasin komuniteteve, në mënyrë individuale apo nëpërmjet organizatave të tyre
përfaqësuese kanë të drejtë të mbajnë kontakte mes tyre dhe me persona të tjerë që jetojnë në
Republikën e Kosovës dhe të vendosin dhe mbajnë kontakte të lira dhe paqësore me personat e cilitdo
Shtet, në veçanti ata me të cilët ndajnë të njëjtin identitet etnik, kulturor, gjuhësor apo fetar, apo një
trashëgimi të përbashkët kulturore në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

5.8 Republika e Kosovës lidh marrëveshje dypalëshe, shumëpalëshe, rajonale dhe nën-rajonale me
shtetet e tjera për të nxitur dhe forcuar bashkëpunimin kulturor, arsimor dhe forma të tjera të
bashkëpunimit ndërkufitar.

5.9 Personat që iu përkasin komuniteteve dhe shoqatat e tyre kanë të drejtë që lirisht të marrin pjesë pa
diskriminim në organizata lokale dhe ndërkombëtare dhe në aktivitetet e tyre.

5.10 Republika e Kosovës do ta ruajë trashëgiminë kulturore dhe fetare të të gjitha komuniteteve si pjesë
përbërëse të trashëgimisë së Kosovës, dhe do të sigurojë mbrojtje efektive të vendeve dhe
monumenteve të rëndësisë kulturore dhe fetare për komunitetet, në pajtim me ligjin.

5.11 Në bashkëpunim me Këshillin Konsultativ për Komunitete dhe organizatat përfaqësuese të
komuniteteve, Republika e Kosovës zhvillon strategjinë për mbrojtjen efektive të vendeve dhe
monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare të komuniteteve.

5.12 Qeveria e Republikës së Kosovës mund t’ia delegojë detyrën e mirëmbajtjes së vendeve dhe
monumenteve të caktuara me interes të veçantë për ta, organizatave dhe shoqatave që kanë dëshirën
dhe kapacitetin për të përmbushur një funksion të tillë dhe t’iu ofrojë atyre financim në lidhje me atë
synim, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

Neni 6
Mediat

6.1 Komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre iu garantohet qasja në informacion pa diskriminim. Komunitetet
dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë t’i krijojnë dhe përdorin mediat e tyre, përfshirë edhe për qëllimin e
ofrimit të informatave në gjuhën e tyre, mes tjerash, nëpërmjet gazetave ditore dhe agjensioneve te
lajmeve. Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë numër të rezervuar të frekuencave për mediat
elektronike, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

6.2 Komuniteteve iu garantohet qasje dhe përfaqësim i barabartë në mediat publike transmetuese.
Programeve për komunitetet do t’i ndahet kohë në kanalet e transmetimit publik që të sigurohet se
perspektiva e komuniteteve zë një vend të rëndësishëm në transmetimin e lajmeve vendore.

6.3 Komunitetet kanë të drejtën e programeve në gjuhën e tyre në mediat publike transmetuese, në
pajtim me ligjin. Programet e tilla duhet të mbulojnë aktivitetet e komunitetit përkatës dhe përmbajtje të
tjera që janë në interes të tij, duke përfshirë lajmet, kulturën, sportin dhe argëtimin. Personat që iu
përkasin komuniteteve kanë rol udhëheqës në prodhimin dhe shfaqjen e programeve të tilla.

6.4 Mediat publike transmetuese sigurojnë, në nivel kombëtar dhe lokal, një numër adekuat të orëve të
5
programit në gjuhën e komunitetit duke përfshirë oraret me shikim/dëgjim maksimal. Numri minimal i
orëve të programeve të komuniteteve do të përcaktohet me ligj.

6.5 Qeveria e Republikës së Kosovës obligohet të ndërmarrë të gjitha masat, në kuadër të pushtetit të
saj, për ta siguruar një plan të frekuencave ndërkombëtare që do t’i lejojë komunitetit serb të Kosovës
qasje në një kanal të pavarur të licencuar televiziv mbarë-kosovar në gjuhën serbe, i cili veprimtarinë e
vet do ta zhvillojë në mënyrë efektive dhe pa diskriminim, në pajtim me ligjin.

6.6 Garantohet pranimi i lirë i valëve të transmetimeve ndërkufitare, qofshin ato të drejtpërdrejta apo
nëpërmjet mjeteve të ritransmetimit.

6.7 Personat që iu përkasin komuniteteve përfaqësohen në mënyrë adekuate në organet rregullatore
që kanë të bëjnë me mediat në Republikën e Kosovës. Përfaqësuesit e komuniteteve emërohen nga
Komisioni i Pavarur i Mediave në konsultim me organizatat përfaqësuese të komuniteteve.

6.8 Rregulloret që kanë të bëjnë me ndalimin e nxitjes apo përhapjes së urrejtjes ose jo tolerancës
racore, etnike apo fetare duhet të zbatohen edhe për mediat transmetuese që u përmenden më lart.



Neni 7
Feja

7.1 Republika e Kosovës nuk ka fe zyrtare dhe është neutrale për sa u përket çështjeve të besimeve
fetare.

7.2 Personat që iu përkasin komuniteteve kanë të drejtë në lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë. Kjo e
drejtë përfshinë lirinë për të pasur, mos pasur, mbajtur apo ndryshuar fenë apo besimin, dhe lirinë për të
manifestuar, qoftë vetëm apo në komunitet me të tjerët, publikisht apo privatisht, fenë apo besimin, në
adhurim, mësimdhënie, praktikë dhe vëzhgim. Kjo e drejtë do t’iu nënshtrohet vetëm kufizimeve që
parashihen me ligj dhe standarde ndërkombëtare.

7.3 Republika e Kosovës nuk ndërhyn në lirinë fetare të komuniteteve dhe personave që iu përkasin
atyre.

7.4 Praktikimi i riteve fetare, format tradicionale të jetesës fetare, duke përfshirë jetesën monastike dhe
edukimin fetar mbrohen krahas pronës së kishës.

7.5 Republika e Kosovës promovon ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të gjithë komuniteteve si
pjesë përbërëse e trashëgimisë së Kosovës.

7.6 Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë i ofrohet mbrojtje dhe gëzim i të drejtave, privilegjeve dhe
imuniteteve të saj në pajtim me Ligjin mbi Themelimin e Zonave të Veçanta të Mbrojtura.

7.7 Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë të themelojnë organizata dhe institucione fetare të
komunitetit në pajtim me ligjin. Ushtrimi i kësaj të drejte do t’i nënshtrohet vetëm kërkesës ligjore për
regjistrim. Kufizimet aplikohen vetëm ashtu si parashikohet në paragrafin 2 të këtij neni.



Neni 8
Arsimimi

8.1 Të gjithë personat që iu përkasin komuniteteve kanë të drejtë të marrin shkollim publik në të gjitha
nivelet, në njërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës që ata e zgjedhin. Personat që iu përkasin komuniteteve
kanë të drejtë në shkollim publik parashkollor, fillor dhe të mesëm në gjuhën e tyre edhe nëse ajo nuk
është gjuhë zyrtare. Qeveria vendos pragjet e arsyeshme dhe të zbatueshme për themelimin e klasave
apo shkollave të veçanta që funksionojnë në gjuhët e komuniteteve. Pragu minimal për klasa apo shkolla
6
të tilla është më i ulët se pragjet e vendosura normalisht për institucionet dhe klasat shkollore. Pragjet
maksimale do të korrespondojë me pragjet e vendosura normalisht për klasat shkollore. Kjo rregullohet
me ligj.

8.2 Në komunat në të cilat, ka një numër të pamjaftueshëm nxënësish për të vënë në dispozicion
shkollimin në një gjuhë jo-zyrtare të komunitetit, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka për detyrim të
ofrojë alternativa, duke përfshirë transportin e subvencionuar deri në zonat ku ofrohet shkollim i tillë,
shkollimin në distancë, aranzhimet e ndryshme për mësimdhënie të lëvizshme, apo edhe ofertat për
qëndrim në konvikt.

8.3 Republika e Kosovës garanton mundësitë ekzistuese për trajnim profesional dhe shkollim të lartë në
nivel universitar, në gjuhët e komuniteteve. Në pajtim me nevojën e shprehur dhe mundësitë financiare,
Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofrojë shkollim të mëtutjeshëm të lartë dhe programe të trajnimit
profesional në gjuhët e komuniteteve.

8.4 Komunitetet dhe pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë të themelojnë dhe menaxhojnë
institucionet e tyre private për shkollim dhe trajnim, për të cilat mund të ofrohet ndihmë financiare publike,
në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Institucionet e tilla kanë të drejtë të aplikojnë për
akreditim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nëse janë në përputhje me standardet e
përgjithshme arsimore të plan programeve të Republikës së Kosovës, në pajtim me ligjin. Ministria e
Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë monitoron cilësinë e mësimdhënies në pajtim me ligjin.

8.5 Shkollat që japin mësim në gjuhën serbe mund të aplikojnë plan-programe apo tekste mësimore të
përgatitura nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë pas njoftimit të Ministrisë Kosovare të Arsimit,
Shkencës dhe Teknologjisë, në pajtim me procedurat e vendosura në Ligjin për Arsimin Lokal.

8.6 Universiteti i Mitrovicës Veriore është një institucion autonom publik i shkollimit të lartë. Komuna e
Mitrovicës Veriore ka autoritet të ushtrojë përgjegjësi për këtë universitet në gjuhën serbe siç rregullohet
me ligj.

8.7 Për të gjitha rastet përveç atyre të përmendura në paragrafin 5 të këtij neni, Qeveria e Republikës së
Kosovës harton plan-programe të integruara në gjuhët e komuniteteve të cilat nuk janë gjuhë zyrtare si
dhe standardet arsimore për të gjitha aspektet e shkollimit dhe monitoron dhe përforcon cilësinë e
mësimdhënies në gjuhet e komuniteteve. Institucionet shkollore që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në
gjuhën e një komuniteti që nuk është gjuhë zyrtare, mund të t’i dizajnojnë plan-programet shkollore të tyre
në mënyrën e tyre, me kusht që ato të jenë në përputhje me kornizën e përgjithshme të plan-programit të
integruar dhe që t’i përmbushin standardet e arritjes që përcaktohen nga Qeveria e Republikës së
Kosovës. Për më tepër, komunitetet kanë të drejtë që në bashkëpunim me Qeverinë, të përgatisin
module shkollore që kanë të bëjnë me kulturën, historinë dhe traditat e tyre.

8.8 Qeveria e Republikës së Kosovës në përgatitjet e saj për trajnimin e mësuesve, siguron që të ketë
kuadër të mjaftueshëm për t’i përmbushur obligimet e cekura ne paragrafin 6 të këtij neni. Trajnimi i
mësuesve për ata që kërkojnë të japin mësim në gjuhët e komuniteteve zhvillohen në gjuhët përkatëse.
Gjatë përzgjedhjes së kandidatëve të përshtatshëm, autoritetet duhet të kenë parasysh nevojën që
mësimdhënia në gjuhët e komuniteteve të ofrohet nga folësit e kualifikuar të gjuhës së dhënë, ku
parapëlqehen folësit burimor.

8.9 Qeveria e Republikës së Kosovës siguron që drejtuesit dhe mësuesit e institucioneve të shkollimit
publik që aktivitetin e tyre e zhvillojnë në gjuhët e komuniteteve janë kryesisht përfaqësues të këtyre
komuniteteve dhe njohin në tërësi identitetin e komunitetit përkatës.

8.10 Në shkollat fillore dhe të mesme në të cilat gjuha e mësimit nuk është gjuhë zyrtare, nxënësit do
të mësojnë një gjuhë zyrtare sipas zgjedhjes së tyre në pajtim me ligjin.

8.11 Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qasje të barabartë të personave që iu përkasin
komuniteteve në arsimin e lartë në nivelin universitar. Në këtë drejtim, Qeveria krijon masa të veçanta
për të siguruar pranimin e kandidatëve që vijnë nga shkollat e komuniteteve në institucionet e arsimit të
lartë dhe universitar.
7

8.12. Plan-programi shkollor kombëtar i Kosovës mbulon historinë, kulturën dhe atributet e tjera të
komuniteteve tradicionalisht të pranishme në vend, me qëllim që të nxis frymën e respektit, mirëkuptimit
dhe tolerancës midis të gjitha komuniteteve në Kosovë. Organizatat përfaqësuese të komuniteteve do të
konsultohen gjatë hartimit të plan-programit të tillë.

Neni 9
Mundësitë Ekonomike dhe Shoqërore

9.1 Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë të gëzojnë pronën e tyre dhe mundësinë për të
punuar me kompensim të drejtë dhe të barabartë, pa diskriminim.

9.2 Republika e Kosovës, krahas masave me synim të veçantë, zhvillon programe dhe iniciativa të tjera
për punësim publik, që kanë synim të tejkalojnë diskriminimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të
personave që iu përkasin komuniteteve. Konsiderim i veçantë i kushtohet përmirësimit të gjendjes së
komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

9.3 Planifikimi, zhvillimi, implementimi dhe vlerësimi i mekanizmave të veçantë për shtimin e mundësive
për zhvillim ekonomik dhe punësim për grupet e cenueshme brenda shoqërisë bëhet me pjesëmarrjen
dhe konsultimin e plotë të organizatave përfaqësuese të komuniteteve. Vëmendje e veçantë i kushtohet
të varfërve, të moshuarve, fëmijëve, familjeve të reja dhe familjeve me një prind, vejushave dhe
anëtarëve me aftësitë të kufizuara të komuniteteve.

9.4 Republika e Kosovës siguron barazi midis meshkujve dhe femrave në punësim, mundësi ekonomike
dhe shoqërore si dhe monitoron rregullisht nëse femrat janë në rrezik të diskriminimit të dyfishtë, si
rrjedhojë e gjinisë apo përkatësisë në ndonjë komunitet të veçantë. Qeveria miraton masa të veçanta
kundër këtij diskriminimi.

9.5 Personat që u përkasin komuniteteve kanë të drejtë në përfaqësim të barabartë në punësim në të
gjitha nivelet në ndërmarrjet publike, institucionet publike, përfshirë sektorin e sigurisë, gjyqësorin,
shërbimin e prokurorisë, agjencitë qeveritare që kanë të bëjnë me administrimin e drejtësisë dhe
shërbimet korrektuese, mbrojtjen, sigurinë dhe inteligjencën.

9.6 Nëse personat që iu përkasin komuniteteve hasin në vështirësi në përmbushjen e standardeve për
pranim në postet e shërbimeve publike, veçanërisht përfshirë postet e larta, merren masa të posaçme.

9.7 Personat që iu përkasin komuniteteve do të kenë mundësi të barabarta në procedurat që kanë të
bëjnë me prokurimin publik apo privatizimin e pronës publike.






Neni 10
Shëndetësia

10.1 Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmerr masat e nevojshme për t’u siguruar se personat që iu
përkasin komuniteteve kanë qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor pa diskriminim.

10.2 Republika e Kosovës merr masa të veçanta për të siguruar ofrimin e shërbimeve shëndetësore të
kënaqshme për personat që iu përkasin komuniteteve të rrezikuara në pikëpamje shoqërore dhe
ekonomike.

10.3 Udhëzimet e kujdesit shëndetësor do të jenë në dispozicion në gjuhët përkatëse të komuniteteve.

8
10.4 Republika e Kosovës njeh kualifikimet mjekësore të përfituara jashtë vendit, në veçanti të
kualifikimeve të personave që flasin gjuhë të komuniteteve, me kusht që këto kualifikime mjekësore të
jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të akreditimit bazuar në ligjin në fuqi.

10.5 Informacioni që ka të bëjë me edukimin e kujdesit shëndetësor, përfshirë informacionin për të drejtat
dhe detyrimet e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre ekspozohen dhe ofrohen në gjuhët e komuniteteve
përkatëse.

10.6 Republika e Kosovës vendos procedura efektive, transparente, me mundësi pjesëmarrjeje dhe
qasje për të monitoruar qasjen në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe ofrimin e këtyre shërbimeve për
pjesëtarët e komuniteteve.

Neni 11
Pjesëmarrja politike

11.1 Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë pjesëmarrjeje efektive në vendimmarrje politike në
të gjitha nivelet e qeverisë, përfshirë vendimet që janë me rëndësi të veçantë për ta ose për zonën në të
cilën ata jetojnë. Një pjesëmarrje e tillë sigurohet përmes përfaqësimit në Kuvendin, Qeverinë,
Gjyqësorin dhe organet e tjera të Republikës së Kosovës që parashihen me Kushtetutën e Republikës
së Kosovës.

11.2 Pjesëmarrja në qeverisjen lokale garantohet përmes ligjit për vetëqeverisjen lokale, përfshirë
themelimin e zyrës së Zëvendës Kryesuesit të Kuvendit Komunal për Komunitete dhe nënkryetarit të
Komunës për Komunitete.

11.3. Personat që u përkasin komuniteteve kanë të drejtë të formojnë parti politike dhe të kandidohen
për poste dhe pozita zyrtare në të gjitha nivelet e qeverisjes.

11.4. Partitë politike, përveç atyre të themeluara nga personat që ju përkasin komuniteteve, të cilat
synojnë t’i përfaqësojnë ato komunitete, nuk mund ta përjashtojnë personat në bazë të përkatësisë së
tyre në komunitete, dhe inkurajohen të jenë të hapura ndaj shumëllojshmërisë së shoqërisë së Kosovës.

11.5. Në përputhje me paragrafin 3 të nenit 5 të këtij ligji, organizatat përfaqësuese të komuniteteve
inkurajohen të ndihmojnë komunitetet përkatëse në përfaqësimin e interesave të tyre në mënyrë të
konsoliduar dhe të luajnë rolin e tyre në vetë menaxhimin e burimeve të vëna në dispozicion për
avancimin e jetës së tyre kulturore.


Neni 12
Këshilli Konsultativ për Komunitete

12.1 Do të themelohet Këshilli Konsultativ për Komunitete, nën ombrellën e Presidentit të Republikës së
Kosovës. Ky këshill do ketë mandatin si vijon:

a) të ndihmojë në organizimin dhe artikulimin e pikëpamjeve të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre
në lidhje me legjislacionin, politikat dhe programet publike që kanë rëndësi të veçantë për to;
b) të ofrojë një forum për konsultim dhe bashkërendim midis komuniteteve dhe të sigurojë
funksionimin efikas të organizatave përfaqësuese të komuniteteve, në përputhje me kodin e
mirësjelljes që do të miratohet nga Këshilli Konsultativ për Komunitete;
c) të ofrojë një mekanizëm për shkëmbim të rregullt ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve
shtetërore;
d) të ju ofroj mundësinë komuniteteve që në faza të hershme, të marrin pjesë në nismat ligjore apo
të politikave të cilat mund të përgatiten nga Qeveria ose Kuvendi, të sugjerojnë nisma të tilla dhe
që mendimi i tyre të inkorporohet në projekte dhe programe përkatëse, përfshirë strategjinë dhe
raportin vjetor, në bazë të nenit 13 të këtij ligji dhe në pajtim me ligjin;
e) të plotësojë kërkesën për konsultime tjera të detyrueshme në relacion me akte të caktuara ligjore
që janë paraparë në Kushtetutë dhe ligj;
9
f) të ju mundësojë komuniteteve që të marrin pjesë në vlerësimin e nevojave, hartimin, monitorimin
dhe vlerësimin e programeve që u kushtohen pjesëtarëve të tyre apo që kanë rëndësi të
posaçme për ta;
g) të jap rekomandime gjatë procesit të vendimmarrjes në lidhje me caktimin e fondeve, qofshin ato
ndërkombëtare apo të ndara nga buxheti i Republikës së Kosovës, për projekte që u dedikohen
komuniteteve apo interesave të tyre të veçanta;
h) të kontribuojë në raportimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që u drejtohet mekanizmave
ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut; dhe
i) të ngritë vetëdijen për brengat e komuniteteve brenda Republikës së Kosovës dhe t’u kontribuojë
marrëdhënieve harmonike midis të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës.

12.2 Këshilli konsultativ për komunitete themelohet në bazë të një statuti që pasqyron dispozitat e këtij
ligji. Ky statut i Këshillit do të miratohet pas konsultimit me komunitetet me anë të një dekreti presidencial
brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Këshilli fillon punën një muaj pas miratimit të këtij Statuti.

12.3 Këshilli konsultativ për komunitete takohet një herë në muaj. Këshilli mund të krijoj grupe
punuese të specialisteve për çështje si arsimi, punësimi, ofrimi i ndihmës sociale, kulturës, gjuhen dhe
çështje tjera që kanë të bëjnë me to të cilët mund të takohen edhe më shpesh.

12.4 Këshill Konsultativ për Komunitete takohet dy herë në vit për ta bërë një shqyrtim të përgjithshëm
të politikave dhe shqetësimeve të komuniteteve në Republikën e Kosovës, që do të kryesohet nga
Presidenti i Republikës së Kosovës.

12.5 Në takimet e rregullta të Këshillit konsultativ të komuniteteve, kryesimin do ta marrë një anëtar i
Këshillit, i cili zgjidhet nga ky këshill për një periudhë njëvjeçare. Kryesuesi ndihmohet nga dy zëvendës
kryesues të cilët emërohen nga dy komunitete të cilave nuk iu përket kryetari.

12.6 Këshilli Konsultativ për Komunitete do të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha komuniteteve të
Kosovës dhe të Qeverisë, Zyrës së Presidentit dhe agjencive të tjera relevante. Do të ketë nga dy (2)
përfaqësues të komunitetit rom, egjiptian dhe atij ashkali, prej të cilëve nga një (1) mund të jenë deputet i
Kuvendit të Republikës së Kosovës. Do të ketë nga tre (3) përfaqësues të komunitetit boshnjak dhe turk,
prej të cilëve nga një (1) mund të jenë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Do të ketë pesë
(5) përfaqësues të komunitetit serb, prej të cilëve dy (2) mund të jenë deputetë të Kuvendit të Republikës
së Kosovë dhe do të ketë dy (2) anëtarë nga komuniteti goran, prej cilëve njëri mund të jetë deputet në
Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për secilin anëtar, mund të emërohet një zëvendës anëtar. Ata
anëtarë të cilët nuk janë deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, janë zakonisht kryesues apo
zëvendës kryesues apo të emëruar të tjerë të lartë të organizatave përfaqësuese të komuniteteve apo
përfaqësues të shoqatave ose OJQ-ve që kanë të bëjnë me komunitetin e caktuar.

12.7 Përfaqësuesit e komunitetit të caktuar do të kandidohen nga ai komunitet, përmes organizatave
përfaqësuese të komunitetit të tyre. Nëse nuk ka ndonjë organizatë të tillë, apo ka më shumë organizata
që deklarojnë se i përfaqësojnë interesat e komunitetit në fjalë, Zyra e Presidentit do të kërkoj të
mbështesë krijimin e një mekanizmi bashkërendues për komunitetin në fjalë dhe të ndërmjetësojë midis
grupeve konkurrente nëse ka nevojë. Kur nuk është e mundur të arrihet pajtimi, Presidenti emëron
përfaqësuesin përkatës në pajtim me kriteret e caktuara në statutin e Këshillit Konsultativ për
Komunitete.

12.8 Presidenti emëron anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete për një mandat dyvjeçar, i cili
mund të zgjatet një herë, në pajtim me nominimet që janë bërë nga organizatat përfaqësuese të
komunitetit. Nëse Presidenti vendos të refuzoj emërimin e një apo më shumë të kandidatëve, ai/ajo
duhet ta shpjegojë mendimin e tij për këtë vendim dhe të kërkojë nga shoqata e caktuar përfaqësuese e
komunitetit që ta kandidoj dikë tjetër.

12.9 Zyra e Presidentit përfaqësohet nga një përfaqësues i lartë i saj. Mund të marrin pjesë edhe
ministrat apo zëvendësministrat e ministrive dhe përfaqësuesit e agjencive shtetërore, fushëveprimi i të
cilëve është me rëndësi të veçantë për komunitetet. Numri i përfaqësuesve të qeverisë që kanë të drejtë
vote në Këshillin Konsultativ për Komunitete nuk duhet ta tejkalojë një të tretën e numrit të përgjithshëm
të anëtarëve të këtij këshilli. Kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete mund të ftojë edhe
10
organizata të shoqërisë civile, ekspertë individualë, përfaqësues shtesë qeveritarë ose përfaqësues të
agjencive ndërkombëtare të marrin pjesë në takimet e këtij këshilli, pa të drejtë vote.

12.10 Këshilli Konsultativ për Komunitete do ta nxjerre Rregulloren e vet të punës dhe do të bie dakord
për një Plan vjetor të punës, në të cilin do të përcaktohen objektivat e qarta. Këshilli Konsultativ për
Komunitete do t’i raportojë rregullisht, së paku një herë në vit, Presidentit të Republikës së Kosovës dhe
Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këshilli Konsultativ për Komunitete gjithashtu do ta njoftojë publikun
e gjerë për aktivitetet dhe raportin e tij.

12.11 Këshilli Konsultativ për Komunitete mbështetet nga një Sekretariat, i cili do të vendoset në zyrën
e Presidentit të Republikës së Kosovës, dhe të cilit do t’i ndahet buxheti që do t’i mundësojë funksionim
efikas dhe mes të tjerash angazhim në zhvillimin e studimeve dhe hulumtimeve, të kërkojë këshilla nga
ekspertë të jashtëm, t’i ngritë kapacitetet e anëtarëve të vet dhe t’i publikojë aktivitetet e veta.

12.12 Këshilli Konsultativ për Komunitete, jep rekomandime në bazë të mandatit të tij. Kur
rekomandimet i drejtohen institucioneve publike, këto institucionet, brenda një (1) muaji duhet ta ofrojnë
një përgjigje të arsyeshme, të cilat përfshijnë informata rreth veprimeve të institucioneve specifike që
janë ndërmarrë apo do të ndërmerren. Kur Këshilli konsulton në lidhje me hartimin e ndonjë projektligji,
Këshilli ka të drejtë të dëgjohet në fazën e shqyrtimit të projektligjit nga komisioni përkatës dhe të
parashtrojë komente apo vërejtje përmbajtjesore me shkrim brenda një (1) muaji. Këshilli Konsultativ për
Komunitete ka të drejtë të marrë një përgjigje të arsyetuar për rekomandimet e tij brenda një (1) muaji në
rast se këshilla e tij nuk merret pjesërisht apo tërësisht në konsiderim.

12.13 Këshillit Konsultativ për Komunitete do t’i ndahet një buxhet për hartimin e programeve mbi
çështjet e komuniteteve në Kosovë. Pjesë të këtij buxheti Këshilli do t’i ndajë për organizatat
përfaqësuese të komuniteteve, OJQ-të dhe aktorët e tjerë që i mbështesin projektet që kanë për qëllim
përmbushjen e interesave të komuniteteve. Këshilli po ashtu do ta aranzhojë ndërtimin e kapaciteteve
brenda organizatave përkatëse përfaqësuese të komuniteteve, për të siguruar organizimin efektiv dhe
artikulimin e interesave të komuniteteve.

12.14 Këshilli Konsultativ për Komunitete mund të ndërmerr aktivitete kulturore dhe shoqërore, të cilat i
bashkojnë komunitetet e ndryshme dhe promovojnë mirëkuptimin dhe tolerancën e përbashkët ndërmjet
komuniteteve, duke synuar ndërtimin e besimit dhe harmonisë ndërmjet komuniteteve.



Neni 13
Zbatimi

13.1 Në konsultim me Këshillin Konsultativ të Komuniteteve dhe palëve tjera me interes kombëtare dhe
ndërkombëtare përkatëse, Qeveria përgatitë, miraton dhe publikon, një herë në vit, strategjinë
gjithëpërfshirëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të
tyre. Qeveria paraqet raportin vjetor gjithëpërfshirës Kuvendit të Republikës së Kosovës mbi zbatimin e
strategjisë së saj.

13.2 Në këtë Strategji përcaktohen objektivat dhe masat e veçanta për luftimin e përjashtimit dhe
margjinalizimit të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre nga jeta ekonomike, shoqërore dhe kulturore në
Kosovë dhe për zbatimin e plotë të këtij ligji.

13.3 Raporti do të përfshijë informata të plota me të dhëna të detajuara mbi zbatimin e strategjisë në
bazë të paragrafit 2 të këtij neni, përfshirë të dhënat mbi aktivitetet, zhvillimet dhe konstatimet e kërkuara
sipas ligjit.

13.4 Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë të:

a) të mbrojnë të drejtat e tyre para të gjitha gjykatave në Republikën e Kosovës.
b) të parashtrojnë ankesë në Zyrën e Ombudspersonit të Republikës së Kosovës dhe në organet e
tjera të specializuara, përfshirë komisionin e pavarur të medieve, dhe komisionin e gjuhëve, dhe
11
c) të informoj zëvendës kryetarin e kuvendit komunal për komunitete kur ata besojnë se të drejtat e
tyre janë dhunuar.

13.5 Organizatat përfaqësuese të komuniteteve të themeluara sipas paragrafit 3 të nenit 5 të këtij ligji
dhe Këshilli konsultativ për komunitete kanë të drejtë për të parashtruar kërkesë Presidentit, në lidhje me
çështjet që janë me interes për ta, kanë të drejtë ligjore të paraqesin ankesa në lidhje me shkeljet e të
drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në pajtim këtë ligj.

13.6 Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre, të cilat veprojnë nëpërmjet organizatave të tyre përfaqësuese
dhe Këshillit konsultativ për komunitete, do të ftohen për ta ofruar kontributin e tyre në raportimin mbi
pajtueshmërinë nga ana e Republikës së Kosovës me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut
dhe për të mbajtur kontakte me organet relevante ndërkombëtare.


Neni 14
Amendimi ose shfuqizimi

Ky Ligj mund të amendamentohet ose shfuqizohet vetëm në pajtim me Kushtetutën e Republikës së
Kosovës.


Neni 15
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë ( 15 ) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


Miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës

Me datën : 13.03.2008