GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 28 / 04 QERSHOR 2008
LIGJI NR. 03/L-039
PËR ZONAT E VEÇANTA TЁ MBROJTURA
Në mbështetje të Kapitullit IV neni 65 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me qëllim të
vendosjes së rregullave ligjore për zonat e veçanta të mbrojtura.
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJIN PËR ZONAT E VEÇANTA TЁ MBROJTURA
Neni 1
Qëllimi i Ligjit
Ky ligj do të sigurojë mbrojtjen e Manastireve Ortodokse Serbe, Kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe
vendeve historike dhe kulturorë të një rëndësie të veçantë për Komunitetin Serb si dhe për komunitetet e
tjera në Republikën e Kosovës, nëpërmjet themelimit të Zonave të Veçanta të Mbrojtura.
Neni 2
Zonat e Veçanta të Mbrojtura
“Zonë e Veçantë e Mbrojtur” do të jetë një zonë e përcaktuar me hartë, ose me një zonë të përcaktuar që
rrethon një monument, ndërtesë, grup ndërtesash, tërësi, fshat, ose qendër historike të qytetit që mbrohet
nga çdo zhvillim apo aktivitet i cili mund të dëmtojë kontekstin e tij historik, kulturor, arkitektural apo
arkeologjik, mjedisin natyror apo kuadrin vizual estetik.
Neni 3
Objektivat
Objektivat e Zonave të Veçanta të Mbrojtura janë:
a) të sigurojnë ekzistencën dhe funksionimin paqësor të vendeve që do të mbrohen dhe të ruajnë
mënyrën monastike të jetesës së klerikëve;
b) të ruajnë karakterin dhe pamjen e vendeve që do të mbrohen, në veçanti, kontekstin historik,
kulturor, arkitektural dhe arkeologjik, mjedisin natyror dhe kuadrin vizual estetik; dhe
c) të parandalojnë zhvillimet e pafavorshme rreth vendeve që duhet të mbrohen, ndërkohë që
sigurojnë kushtet më të mira të mundshme për zhvillimin e harmonizuar dhe të qëndrueshëm të
komuniteteve që banojnë në zonat rreth këtyre vendeve duke rregulluar zhvillimin dhe aktivitetet
e tjera.
Neni 4
Këshilli Zbatues dhe Monitorues
2
Këshilli Zbatues dhe Monitorues (më poshtë i përmendur si “KZM”) do të themelohet, ndër të tjera, për të
monitoruar dhe lehtësuar implementimin e këtij ligji. Detyrat relevante të KZM-së sipas këtij Ligji do të
përfshijnë:
a) mbikëqyrjen e vijëzimit të Zonave të Veçanta të Mbrojtura në terren dhe implementimin e tyre;
b) rekomandimin e ndryshimeve të kufijve administrativë të Zonave të Veçanta të Mbrojtura, dhe
kufizimet që do të aplikohen në to, nëse ashtu e kërkojnë rrethanat;
c) ndërmjetësimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes Kishës Ortodokse Serbe dhe autoriteteve
qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës për sa i përket implementimit të dispozitave të
këtij ligji; dhe
d) këshillimin e agjencive të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të tjera relevante të Republikës së
Kosovës mbi çështjet e lidhura me sigurinë që kanë ndikim mbi vendet e trashëgimisë fetare dhe
kulturore.
Neni 5
Aktivitetet e Ndaluara brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura
Çdo aktivitet i ri në fushat e mëposhtme do të ndalohet:
a) ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe
ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve
tranzite në zonat rurale; dhe
b) ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.
Neni 6
Aktivitetet e Kufizuara brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura
Çdo aktivitet i ri nga lista e mëposhtme e aktiviteteve mund të kufizohet nëse e kërkojnë rrethanat. Para
se të kryhen aktivitete të tilla në fushat e mëposhtme, komuna përkatëse do të kërkojë marrëveshjen e
Kishës Ortodokse Serbe. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, palët do t’ia referojnë çështjen KZM-së për
shqyrtim, në pajtueshmëri me pikën c të nenin 4 të këtij ligji:
a) ndërtimet apo zhvillimet komerciale të tilla si: strukturat ose godinat më të larta se manastiri/
kisha/monumenti kulturor që duhet të mbrohet; ndërtimi i rrugëve; ndërtimi i magazinave,
punëtorive, shitoreve, restoranteve, bareve, kafeterive, hotele-ve/moteleve, tezgave dhe kioskave
ushqimore, stacioneve të furnizimit me karburant dhe riparimit të automjeteve, supermarketeve,
klubeve të natës, apo ndonjë ndërtimi tjetër në shkallë më të gjerë në zonat rurale;
b) tubimet, argëtimi dhe zbavitja publike; dhe
c) urbanizimi i tokës bujqësore.
Neni 7
Klasifikimi i Zonave të Veçanta të Mbrojtura
7.1 Zonat e Veçanta të Mbrojtura do të definohen për vendet e mëposhtme, si në hartat e
bashkangjitura:
a) Manastiri i Deçanit, Deçan : (Kjo Zonë e Veçantë e Mbrojtur është identike me “Zonën e
Posaçme “ të krijuar më herët);
b) Patriarkana e Pejës, Pejë;
c) Manastiri i Graçanicës , Prishtinë;
d) Kisha e Shpalljes se Virgjëreshës, Lipjan;
e) Manastiri i Deviçit, Skënderaj;
f) Manastiri i Gorioçit, Istog;
3
g) Manastiri i Budisavcit, Klinë;
h) Manastiri i Sokolicës, Zveçan;
i) Manastiri i Draganacit, Gjilan;
j) Manastiri i i Arkangjelit të Shenjtë, Prizren;
k) Manastiri i Banjskës, Zveçan;
l) Manastiri i Zoqishtës, Zoqishtë, Rahovec;
m) Fshati Hoqë e Madhe, Hoqë e Madhe, Rahovec;
n) Manastiri Duboki Potok, Zubin Potok;
o) Kisha e Shën Gjergjit,Gornjasellë, Prizren;
p) Manastiri i Soçanicës, Leposaviq;
q) Kisha e Heremitëve, Uljaricë Klinë; dhe
r) Vetmia e Petrit të Shenjtë, Korishë, Prizren.
7.2 Zona e Veçantë e Mbrojtur për Manastirin e Sokolicës, Zveçan dhe Kompleksi Memorial i Isa Boletinit
janë Zona të Veçanta të Mbrojtura si në hartën e bashkangjitur. Komuna përkatëse do të kërkojë
marrëveshje nga Kisha Ortodokse Serbe dhe Administrata e Muzeut të Isa Boletinit për çdo aktivitet të ri
ashtu si parashikohet nga neni 6 i këtij ligji.
7.3 Për Zonat e mëposhtme të Veçanta të Mbrojtura të përkufizuara në hartat e bashkangjitura në rastin e
ndonjë aktiviteti të ri të përshkruar në nenin 6 të këtij ligji, komuna përkatëse do të konsultohet
drejtpërsëdrejti me KZM-në:
a) Monumenti Memorial i Gazimestanit dhe Tyrbja e Bajraktarëve, Obiliq do të përfshihen në të
njëjtën Zonë të Veçantë të Mbrojtur;
b) Kështjella Mesjetare e Zveçanit, Zveçan;
c) Qyteti Mesjetar i Novobërdës, Novobërdës; dhe
d) Ura Mesjetare/e Vjetër e Vojnoviqëve, Vushtrri.
7.4 Zonat e Veçanta të Mbrojtura për vendet e cekura më poshtë do të kufizohen me një hapësirë prej
100 metrash rreth perimetrit të tyre dhe do të identifikohen nga Agjensioni Kadastral i Republikës së
Kosovës në bashkëpunim me komunat përkatëse në hartat që do t’i bashkëngjiten këtij Ligji të cilat do të
formojnë një pjesë integrale të këtij ligji dhe do të miratohen para përfundimit të periudhës së tranzicionit:
a) Manastiri i Premtit të Shenjtë, Leposaviq;
b) Manastiri i Shëruesve të Shenjtë, Leposaviq;
c) Manastiri i Virgjëreshës së Shenjtë të Hvosnos, Istog ;
d) Manastiri i Markut të Shenjtë, Korishë, Prizren;
e) Manastiri i Treshit të Shenjtë, Mushtisht, Suharekë;
f) Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë, Sredskë, Prizren;
g) Manastiri i Uroshit të Shenjtë, Nerodime, Ferizaj; dhe
h) Manastiri i Binaçit, Buzovik, Viti.
7.5 Zonat e Veçanta të Mbrojtura për vendet e cekura më poshtë do të kufizohen me një hapsirë prej 50
metrash rreth perimetrit të tyre dhe do të identifikohen nga Agjencioni Kadastral i Republikës së Kosovës
në bashkëpunim me komunat përkatëse në hartat që do t’i bashkëngjiten këtij Ligj, të cilat do të formojnë
një pjesë integrale të këtij ligji dhe do të miratohen para përfundimit të periudhës së tranzicionit:
a) Manastiri i Dollcit, Klinë;
b) Kisha e Shën Nikollës, Gjurakoc, Istog;
c) Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë në Hodegetri, Mushtisht, Suharekë;
d) Kisha e Nikollës së Shenjtë, Shtërpcë;
e) Kisha e Teodorit të Shenjtë, Biti e Poshtme, Shtërpcë;
f) Kisha e Nikollës së Shenjtë, Gotovushë, Shtërpcë;
g) Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë, Gotovushë, Shtërpcë;
h) Kisha e Shën Gjergjit, Biti e Epërme, Shtërpcë;
i) Kisha e Nikollës së Shentjë, Mushnikovë, Prizren;
j) Kisha e Nikollës së Shentjë, Bogoshevc, Prizren;
k) Kisha e Nikollës së Shentjë, Drajçiq, Prizren;
l) Kisha e Nikollës së Shenjtë, Sredskë, Prizren;
4
m) Kisha e Apostujve të Shenjtë (ose Premtit të Shenjtë), Mushnikovë, Prizren; dhe
n) Kisha e Shën Gjergjit, Serdskë, Prizren.
Neni 8
Themelimi i Zonës së Veçantë të Mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit
8.1 Zona e Veçantë e Mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit do të themelohet nga organet komunale
të Prizrenit në bashkëpunim me KZM dhe do të përfshijë objektet e Kishës Ortodokse, objektet otomane,
katolike, laike dhe objektet e tjera të rëndësisë së veçantë historike dhe kulturore Objektet e më poshtme
kulturore dhe fetare serbe do të përfshihen në Zonën e Veçantë të Mbrojtur:. Kisha e Virgjëreshës së
Shenjtë të Levishës; lagja e vjetër “Mëhalla Marash”; Kisha e Shpëtimtarit të Shenjtë; Shkolla Ortodokse
për Priftërinj e Kirilit dhe Metodit të Shenjtë; dhe Kompleksi i Rezidencës Episkopike (që përfshinë
rezidencën e Peshkopit, Katedralen e Gjergjit të Shenjtë, Kishat e Gjergjit të Shenjtë (Runovic) dhe
Nikollës së Shenjtë (Tutic).
8.2 Aplikimi i nenit 6 të këtij ligji për çdo aktivitet të ri në Zonën e Veçantë të Mbrojtur për Qendrën
Historike të Prizrenit do të përcaktohet me një ligj.
Neni 9
Dispozitat e Veçanta për Fshatin Hoqa e Madhe
9.1. Fshati i Hoqës së Madhe, i përshkruar në pikën m) paragrafi 1 i nenit 7 të këtij ligji do të ketë të
drejtën, në konsultim me komunën e Rahovecit, që të ushtrojë autoritet të kufizuar mbi aktivitetet nga
fusha e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare, dhe nga fusha e planifikimit rural
duke respektuar Zonën e saj të Veçantë të Mbrojtur, në përputhje me dispozitat relevante të legjislacionit
mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe parimet e Deklaratës Universale të UNESCO-s mbi Diversitetin Kulturor.
KZM-ja do të lehtësojë konsultime të tilla.
9.2. Aplikimi i nenit 6 të këtij ligji për çdo aktivitet të ri në Zonën e Veçantë të Mbrojtur për fshatin e Hoqës
së Madhe do të përcaktohet me një Ligj.
Neni 10
Planifikimi Hapësinor
10.1 Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të sigurojë që planet hapësinore për sipërfaqet
brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura të jenë në pajtueshmëri me dispozitat e neneve 5 dhe 6 të këtij
ligji dhe në pajtueshmëri me nenet 12, 13, 14 të Ligjit mbi Planifikimin Hapësinor.
10.2 Autoritetet lokale do t’i përmbahen plotësisht dispozitave të nenit 10.
Neni 11
Dispozitat Përfundimtare
11.1 Ky Ligj do të zëvendësojë çdo dispozitë të ligjeve në fuqi që nuk është në pajtueshmëri me të.
Zonat e Veçanta të Mbrojtura gjithashtu gëzojnë plotësisht mbrojtjen e përcaktuar nga Ligji mbi
Trashëgiminë kulturore dhe ndryshimet e tij të mëtutjeshme.
5
11.2 KZM bashkëpunon me Këshillin e Republikës së Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ashtu si
parashikohet në paragrafin 8 të nenit 4 të ligjit mbi Trashëgiminë Kulturore mbi çdo çështje tjetër që ka
lidhje me mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore në Republikën e Kosovës.
11.3 KZM do të punojë për së afërmi me Komisionin e Implementimit të Rindërtimit për Vendet Fetare
Ortodokse në Republikën e Kosovës.
11.4 Dispozitat e këtij Ligji në asnjë mënyrë nuk do të paragjykojnë apo ndryshojnë ndonjë detyrim
ekzistues të ndërmarrë në lidhje me ndonjë vend të përcaktuar nën Konventën e UNESCO-s që ka të
bëjë me Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore.
11.5 Dispozitat e këtij Ligji nuk do të paragjykojë të drejtat e pronësisë mbi pronat e ndodhura brenda
Zonave të Veçanta të Mbrojtura.
Neni 12
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë ( 15 ) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës
Me datën: 20.02.2008