1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 27 / 03 QERSHOR 2008
LIGJI NR. 03/L-046
PËR FORCËN E SIGURISË SË KOSOVËS
Në mbështetje të Kapitullit IV neni 65 pika 1, Kapitulli XI neni 126 të Kushtetutës së Republikës së
Kosovës, me qëllim të rregullimit me ligj të përgjegjësisë dhe kompetencave të institucioneve të
Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës
Miraton:
LIGJIN PËR FORCËN E SIGURISË SË KOSOVËS
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Aplikimi i Ligjit
Ky Ligj është i aplikueshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e sajë (aktiv dhe
rezervë) të uniformuar, pjesëtarët civilë dhe rekrutët e saj.
Neni 2
Territori i fushëveprimit
2.1 Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të autorizuar të shërbejnë brenda territorit të
Republikës së Kosovës dhe dërgohen jashtë vendit në operacione vetëm kur t’u jepet mandati nga
Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe në marrëveshje me shtetin pranues, në bazë të ftesës së një
organizate ndërkombëtare në të cilën Republika e Kosovës është anëtare ose aspiron të jetë, apo në
bazë të një Rezolute të Këshillit të Sigurimit të KB-së.
2.2 Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të marrin pjesë në shkollim, stërvitje dhe
ushtrime jashtë kufijve territorial të Republikës së Kosovës pa miratimin e Kuvendit të Republikës së
Kosovës vetëm atëherë kur janë të ftuar nga organizatat ndërkombëtare anëtare e të cilave është apo
aspiron të bëhet Republika e Kosovës, apo në baza bilaterale me pjesëtarët e këtyre organizatave dhe
pas autorizimit ministror.
KREU II
KOMANDA DHE KONTROLLI
Neni 3
Parimet e përgjithshme
3.1 Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidenti, Kryeministri dhe Ministri për Forcën e Sigurisë së
Kosovës përbëjnë zinxhirin e mbikëqyrjes civile të Forcës së Sigurisë së Kosovës, siç përcaktohet me
Kushtetutë, këtë ligj dhe ligjet tjera relevante.
3.2 Qeveria e Republikës së Kosovës ushtron kontroll transparent, demokratik dhe civil të Forcës së
Sigurisë së Kosovës dhe i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës.
2
Neni 4
Kuvendi i Kosovës
4.1 Në pajtim me ligjin, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kompetenca për të:
a) ushtruar kontroll demokratik parlamentar mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës;
b) mbikëqyrur dhe hetuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me organizimin, financimin, personelin,
pajisjet dhe dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës;
c) përcaktuar me ligj të gjitha çështjet e ndërlidhura me organizimin, financimin, personelin, pajisjet
dhe dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës;
d) miratuar buxhetin vjetor dhe planin dhjetë vjeçar rotativ për Forcën e Sigurisë së Kosovës;
e) miratuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë periudhave të jashtëzakonshme apo në
operacione në mbështetje të paqes jashtë vendit.
4.2 Kuvendi i Republikës së Kosovës themelon një Komision Parlamentar, i cili ka kompetencë që:
a) t’i kërkojë Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës të dorëzojë një raport vjetor dhe t’u
përgjigjet pyetjeve personalisht, sipas nevojës. Raporti i dërgohet Presidentit dhe Kryeministrit;
b) të kërkojë praninë e Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në takimet e tyre dhe t’iu
përgjigjet pyetjeve;
c) të shqyrtojë buxhetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës para dorëzimit të tij për miratim në
Kuvendin e Kosovës;
d) të shqyrtojë të gjitha projektet për pajisje që janë të vlerës më shumë se një milion Euro, si të
atyre që financohen nga Qeveria e Kosovës ashtu edhe të atyre që financohen nga donatorët,
para dorëzimit të tyre për miratim në Kuvendin e Kosovës;
e) t’i vë në dispozicion të Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake të gjitha informatat e nevojshme për t’i
identifikuar të gjitha burimet e fondeve dhe pajisjeve që i janë dhënë Forcës së Sigurisë së
Kosovës.
Neni 5
Presidenti
5.1 Presidenti është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
5.2 Presidenti ka pushtet të autorizoj dërgimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veprime gjatë
gjendjes emergjente ose gjatë veprimeve në mbështetje të paqes jashtë vendit, pas aprovimit nga
Kuvendi i Republikës së Kosovës.
5.3 Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përkatëse, Presidenti ka
kompetencë që:
a) të emërojë Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës pas rekomandimit nga
Qeveria;
b) t’i miratoj të gjitha promovimet në gradën e Gjeneralit mbi rekomandimin e përbashkët të
Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrit për Forcën e Sigurisë së
Kosovës;
c) t’i miratojë të gjitha ndryshimet e emërimit të Gjeneralëve sipas rekomandimit të
përbashkët të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrit për Forcën e
Sigurisë së Kosovës;
d) të ndajë dekorata, medalje, çmime dhe shpërblime.
Neni 6
Kryeministri
3
6.1 Kryeministri ka kompetencë që në mënyrë efektive ta mbikëqyrë dhe të ushtroj kontroll mbi
Forcën e Sigurisë së Kosovës, përmes Ministrit të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
6.2 Në zbatim të autoritetit nga Kuvendi i Kosovës, Kryeministri ka kompetencë që:
a) të autorizoj Ministrin për Forcën e Sigurisë së Kosovës që të urdhërojë angazhimin dhe dërgimin
e Forcës së Sigurisë së Kosovës;
b) të angazhoj Forcën e Sigurisë së Kosovës për t’i ndihmuar autoritetet civile në përgjigje të
fatkeqësive apo aksidenteve natyrore dhe fatkeqësive apo aksidenteve tjera;
c) të përcaktoj dhe të modifikoj strukturën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (shih nenin 14 të këtij
ligji) sipas nevojës, në konsultim me Presidentin dhe t’i nënshtrohet konfirmimit nga ana e
Kuvendit,
d) të përcaktoj minimumin e përfaqësimit të të gjitha komuniteteve brenda Forcës së Sigurisë së
Kosovës, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë.
Neni 7
Këshilli i Sigurisë së Kosovës
7.1 Këshilli i Sigurisë së Kosovës, në zbatim të Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Kosovës, merr në
shqyrtim dhe këshillon në lidhje me të gjitha çështjet e ndërlidhura me sigurinë e Republikës së Kosovës,
përfshirë përdorimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
7.2 Gjatë shqyrtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë, Këshilli i Sigurisë së Kosovës mund të
kërkojë asistencën e personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas nevojës.
Neni 8
Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës
Në pajtim me Ligjin për Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës:
a) Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës caktohet nga Kryeministri dhe do t’i nënshtrohet
miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës;
b) Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka kompetencë për të ushtruar kontroll dhe
administrim të përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë edhe çfarëdo
kompetenca, të cilat me ligj i janë caktuar Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës;
c) Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës vepron si përfaqësues ndërkombëtar i Kosovës në
çështjet lidhur me forcën e sigurisë së Kosovës në nivelin ministror, por ai mundet ta delegojë
këtë funksion për aktivitete të caktuara.
KREU III
FORCA E SIGURISË SË KOSOVËS
Neni 9
Të përgjithshme
9.1 Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas këtij ligji, është forcë krejtësisht vullnetare e ndërtuar nga të
gjitha shtresat e shoqërisë.
9.2 Gjuhët zyrtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë gjuha shqipe dhe ajo serbe, në komunikim
me organizatat ndërkombëtare do të përdoret edhe gjuha angleze.
9.3 Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë e dizajnuar dhe e përgatitur për të përmbushur funksionet
e sigurisë që nuk i përkasin policisë apo organizatave tjera për zbatim të ligjit, të cilat funksione do të
autorizohen përmes një procesi monitorues sipas standardeve të përcaktuara, i cili do të vendoset nga
Prania Ushtarake Ndërkombëtare, në bashkërendim me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil.
Neni 10
4
Misionet dhe detyrat
10.1 Misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si instrument i sigurisë, është që ta mbështesë Qeverinë
e Republikës së Kosovës.
10.2 Forca e Sigurisë së Kosovës është e armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda, siç janë
tanket, artileria e rëndë apo kapacitete sulmuese ajrore. Çdo ndryshim në armatim do të përcaktohet nga
Prania Ushtarake Ndërkombëtare, në bashkërendim me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil. Një rishikim i
plotë i këtyre kufizimeve, do të bëhet jo më herët se pesë vite nga koha e hyrjes në fuqi e këtij Ligji.
Detyrat fillestare të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë:
a) të marrë pjesë në operacionet për reagim ndaj krizave, përfshirë operacionet në mbështetje të
paqes. Kjo do të përfshijë operacionet jashtë territorit të Republikës së Kosovës, ku do të ftohet
për këtë qëllim;
b) të ndihmojë autoritetet civile në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore, fatkeqësive dhe
emergjencave tjera, madje edhe si pjesë e një përpjekjeje reaguese regjionale apo
ndërkombëtare;
c) të kryejë shkatërrimin e mjeteve shpërthyes;
d) të ndihmojë autoritetet civile përmes operacioneve të mbrojtjes civile.
Neni 11
Paanshmëria politike, integriteti dhe standardet
11.1 Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të përdoret për qëllime politike apo për veprimtari
partiake.
11.2 Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk mund të jenë anëtarë të partive politike e as nuk
mund të shfaqin haptazi shenja të përkrahjes së cilësdo parti politike, edhe pse ky nen nuk e mohon
realizimin e të drejtës së pjesëtarëve për të votuar.
11.3 Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u kërkohet që të zbatojnë kodin e mirësjelljes për
Forcën e Sigurisë së Kosovës të përcaktuar nga Ministri.
Neni 12
Ligji i aplikueshëm
12.1 Të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës u nënshtrohen ligjeve të aplikueshme në
Kosovë.
12.2 Gjatë shërbimit jashtë kufijve territorial të Republikës së Kosovës, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë
së Kosovës u nënshtrohen ligjeve të Republikës së Kosovës dhe të vendit nikoqir, përveç nëse është
vendosur ndryshe me Marrëveshjen e Statusit të Forcës.
Neni 13
Anëtarësia
13.1 Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, të cilët kanë mbushur moshën 18 vjet, kanë të drejtë
për të aplikuar për anëtarësim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
13.2 Shtetasit mund të hyjnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës pasi të kenë plotësuar kriteret e
përzgjedhjes. Përzgjedhja do të bazohet në gjendjen shëndetësore dhe fizike, merita dhe në nevojat dhe
prioritetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në përfundimin me sukses të procedurës së miratuar të
kontrollit të sigurisë. Ky punësim do të konfirmohet pas përfundimit të stërvitjeve të nevojshme
elementare, gjatë së cilës kohë, shtetasit do të cilësohen si rekrutë.
13.3 Forca e Sigurisë së Kosovës përbëhet nga personeli profesional i sigurisë, personeli rezervë,
personeli civil dhe rekrutët.
5
Neni 14
Organizimi
14.1 Forca e Sigurisë së Kosovë fillimisht përbëhet nga një komponentë aktive prej më së shumti 2500
pjesëtarë dhe nga një komponentë rezervë prej më së shumti 800 pjesëtarë.
14.2 Forca e Sigurisë së Kosovës fillimisht përbëhet nga Komanda e Forcave Tokësore, Brigada për
Reagim të Shpejtë, Brigada e Mbështetjes së Operacioneve dhe Komanda e Trajnimit dhe Doktrinës.
Pjesëtarëve të përzgjedhur të uniformuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjithashtu do t’u kërkohet të
shërbejnë periudha detyre në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
14.3 Komponentja për reagim emergjent e Forcës së Sigurisë së Kosovës përfshin kërkim-shpëtimin,
deminimin, trajtimin e materialeve të rrezikshme, zjarrfikjen dhe shkathtësitë e tjera për asistencë
humanitare.
Neni 15
Struktura e gradave
15.1 Shërbimi i oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës përbëhet nga nëntë grada, prej më të ultës
te më e larta në këtë renditje: Nëntoger, Toger, Kapiten, Major, Nënkolonel, Kolonel, Gjeneral brigade,
Gjeneral major dhe Gjeneral lejtnant. Nuk është e thënë që duhet të përdoren të gjitha këto grada.
15.2 Shërbimi i nënoficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës përbëhet nga gjashtë grada, prej më të
ultës te më e larta në këtë renditje: Ushtar, Tetar, Rreshter, Rreshter i klasit të parë, Kapter dhe
Flamurtar.
15.3 Në çdo kohë, në Forcën e Sigurisë së Kosovës do të jetë më së shumti një Gjeneral lejtnant dhe
dy Gjeneralë major.
Neni 16
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës
16.1 Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, rekomandon një kandidat të përshtatshëm për t’u
emëruar Komandant i parë i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Presidenti. Që të jetë i përshtatshëm për
t’u marrë në shqyrtim, kandidati duhet të ketë mbajtur gradën e Gjeneral majorit së paku dymbëdhjetë
muaj.
16.2 Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës i përgjigjet Ministrit për Forcën e Sigurisë së
Kosovës.
16.3 Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës ushtron komandë të plotë mbi Forcën e Sigurisë së
Kosovës dhe elementit të saj rezervë dhe është përgjegjës:
a) për drejtimin, stërvitjen, mbikëqyrjen dhe aktivitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës;
b) për dorëzimin e raportit vjetor të Komisioni përkatës parlamentar dhe t’u përgjigjet personalisht
pyetjeve të Komisionit kur të ketë kërkuar një gjë të tillë;
c) për mbikëqyrjen dhe sigurimin e ekzekutimit të të gjithë urdhrave të ligjshëm sipas udhëzimeve të
Ministrit për Forcën e Sigurisë së Kosovës;
d) për planifikimin dhe zbatimin e angazhimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës;
e) t’i propozojë Ministrit për Forcën e Sigurisë së Kosovës personelin dhe strukturën e Forcës së
Sigurisë së Kosovës;
f) të veprojë si këshilltar kryesor i Presidentit, Kryeministrit dhe Këshillit të Sigurisë së Kosovës,
anëtar i të cilit duhet të jetë ai, mbi çështjet që kanë të bëjnë me Forcën e Sigurisë së Kosovës;
g) të sigurojë gatishmërinë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të miratojë të gjitha
planet operacionale;
6
h) të rekomandojë gradimin e personelit në gradën e Gjeneralit dhe të konfirmojë gradimet tjera në
pajtueshmëri me Ligjin mbi Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës;
i) të veprojë si përfaqësues ndërkombëtar i Kosovës në çështjet forcës së sigurisë së Kosovës në
nivel të Shefit të Shtabit të Mbrojtjes.
16.4 Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës më së shumti ka gradën e Gjeneral lejtnantit dhe do
të jetë oficeri me gradën më të lartë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Neni 17
Betimi
Personi i cili për herë të parë hyn në Forcën e Sigurisë së Kosovës jep betimin si në vijim:
“Betohem (apo deklarohem) solemnisht se do të jem i përkushtuar dhe do t’i qëndroj plotësisht besnik
Republikës së Kosovës; se do t’iu bindem urdhrave të Presidentit të Kosovës dhe oficerëve tjerë mbi mua
në pajtim me ligjin; dhe se do t’i kryej detyrat e mia me zell, nder dhe dinjitet. Gjatë gjithë kohës do të jem
mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe nuk do të lejojë diskriminim të asnjë lloji, përfshirë gjuhën,
etnicitetin apo besim fetare. Betohem (apo deklarohem) solemnisht se unë kurrë nuk do të keqpërdori
pozitën time, gradën apo ndikimin tim për përfitimin material apo personal.”
Neni 18
Flamuri, himni dhe stema
18.1 Flamuri dhe himni i Forcës së Sigurisë së Kosovës është flamuri dhe himni i Republikës së
Kosovës.
18.2 Stema e Forcës së Sigurisë së Kosovës është flamuri i Republikës së Kosovës dhe bartet nga të
gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
18.3 Stema e njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës miratohet nga Presidenti mbi bazën e
rekomandimit të përbashkët të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrit për Forcën e
Sigurisë së Kosovës.
18.4 Askush nuk është i autorizuar të riprodhojë apo përdorë stemën e Forcës së Sigurisë së Kosovës
pa autorizim me shkrim të Ministrit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Neni 19
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë ( 15 ) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës
Me datën: 13.03.2008