GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 27 / 03 QERSHOR 2008
LIGJI NR. 03/L-037
PËR DOKUMENTET E UDHËTIMIT
Në mbështetje të Kapitullit IV neni 65 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJIN PËR DOKUMENTET E UDHËTIMIT
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj përcakton rregullat ligjore, kuptimin, përmbajtjen, procedurat, mënyrën e aplikimit për lëshimin e
dokumenteve të udhëtimit, llojet e dokumenteve të udhëtimit dhe vlefshmërinë e tyre për shtetasit e
Republikës së Kosovës.
Neni 2
Përkufizimet
Nocionet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
-“Pasaporta”- është dokument publik i udhëtimit që i shërben shtetasit për kalimin e kufijve shtetëror;
-“Pasaportë diplomatike” - është dokument udhëtimi që u jepet përfaqësuesve të misioneve
diplomatike dhe personelit diplomatik si dhe zyrtarëve të tjerë të përcaktuar nga ky ligj;
-“Pasaporta zyrtare” - është dokument udhëtimi që u jepet personelit teknik dhe administrativ te
misioneve diplomatike në Ambasada dhe Konsullata si dhe zyrtarëve të tjerë të përcaktuar nga ky ligj;
-“Fletudhëtimi” - është dokument udhëtimi që u lëshohet shtetasve jashtë shtetit që kanë humbur, i
është vjedhur apo i ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumentit të udhëtimit;
-“Dokument udhëtimi grupor”- është dokument udhëtimi që u jepet grupeve të ndryshme kur ata
udhëtojnë në grup;
-“Të dhëna biometrike” - janë të dhëna unike, dhe paraqesin karakteristikat fizike te individit të cilat
shërbejnë për të përcaktuar identitetin nëpërmjet pamjes së fytyrës, shenjave të gishtërinjve dhe
bebëzave të syrit;
-“Shtetasi” - është çdo person i cili e ka shtetësinë e Republikës së Kosovës në përputhje me dispozitat
e ligjit në fuqi;
-“Ministria” – do të thotë Ministria e Puneve te Brendshme;
-“Të dhënat personale” – nënkuptojmë emrin personal, datën e lindjes, numrin personal, gjinia dhe
vendi i lindjes.
2
Neni 3
Pasaporta është dokument publik, që i jepet shtetasit të Republikës së Kosovës (në vazhdim të tekstit:
shtetasi) për kalimin e kufijve shtetëror dhe për vërtetimin e identitetit dhe shtetësisë.
Neni 4
Shtetasi ka të drejtë të ketë vetëm një dokument udhëtimi të llojit të njëjtë, përjashtimisht në rastet e
përcaktuara nga organi kompetent.
Neni 5
5.1 Shtetasi është i detyruar të ketë me vete dokumentin e udhëtimit të vlefshëm, me anë të së cilës ai
mund të dalë e të hyjë nga dhe në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe të udhëtojë nga një shtet i
huaj në një tjetër, nëse me marrëveshje ndërkombëtare nuk është caktuar ndryshe.
5.2 Autoriteti kompetent për kontrollimin e kalimit kufitar, do të lejojë hyrjen në Republikën e Kosovës të
shtetasit te vet, i cili nuk ka pasaportë të vlefshme udhëtimi, në qoftë se shtetësia dhe identiteti i tij nuk
vihen në dyshim.
Neni 6
Është e ndaluar që shtetasi ta shesë, ta japë, ta huazoj dokumentin e tij të udhëtimit, respektivisht ta
blejë, ta përvetësojë, apo ta përdorë dokumentin e huaj të udhëtimit me qëllim te realizimit të ndonjë
përfitimi ose të drejte, si dhe të ndryshojë, shlyej çfarëdo të dhëne në dokumentin e udhëtimit.
KREU II
LLOJET E DOKUMENTEVE TE UDHËTIMIT DHE KOMPETENCA
PËR LËSHIMIN E TYRE
Neni 7
Dokumentet e udhëtimit janë:
a) pasaporta;
b) pasaporta diplomatike;
c) pasaporta zyrtare;
d) fletudhëtimi- dokument udhëtimi për kthim;
e) dokument udhëtimi grupor;
f) dokumentet e udhëtimit, që lëshohen me marrëveshje ndërkombëtare.
Neni 8
8.1 Organi kompetent për dhënien e pasaportës dhe të dokumentit të udhëtimit grupor, është Ministria e
Punëve te Brendshme (në vazhdim të tekstit: Ministria).
8.2 Në rastet urgjente: shërim, sëmundje dhe vdekje të anëtarit të ngushtë të familjes, punët urgjente
zyrtare dhe ato te biznesit, Ministria mund të lëshojë pasaportë me procedurë të shpejtë.
3
8.3 Për shtetasin që jeton përkohësisht jashtë shtetit dhe për shkaqe shëndetësore apo shkaqe të tjera
të arsyeshme nuk mund të kthehet në shtetin amë, mund ta lëshojë pasaportën edhe organi kompetent
jashtë shtetit për kryerjen e punëve në përfaqësitë diplomatike konzulare.
8.4 Pasaportën diplomatike dhe pasaportën zyrtare e lëshon Ministria për Punët e Jashtme.
8.5 Dokumentet e udhëtimit për kthim i lëshon organi kompetent jashtë shtetit që është i autorizuar për
kryerjen e shërbimeve dhe punëve në përfaqësitë e misionit diplomatik konzular.
Neni 9
9.1 Shtetasi më i ri se 14 vjet (në vazhdim të tekstit: fëmija) mund të udhëtojë jashtë shtetit me përcjellje
të prindërve, përfaqësuesit ligjor, apo me leje të tyre nga ndonjë person tjetër.
9.2 Në rastet e arsyeshme, kur fëmija është dhënë për kujdesje familjeve kujdestar, apo kur
përfaqësuesi ligjor nuk është i arritshëm, për shkak të sigurisë dhe interesit të fëmijës, lejen e lëshon
qendra kompetente për punë sociale.
9.3 Leja nga paragrafi 2 i këtij neni lëshohet në formularin që përmban të dhënat nga pikat a,b,c, dhe d,
të nenit 23 paragrafi 2 të këtij ligji si dhe numrin serik të dokumentit te udhëtimit të fëmijës dhe të personit
me të cilin fëmija udhëton jashtë shtetit apo të vijë nga jashtë në Republikën e Kosovës.
9.4 Lejen nga paragrafi 3 i këtij neni e aprovon Ministria, apo organi kompetent, që është i autorizuar për
kryerjen e punëve të shërbimit konsullor.
9.5 Të dhënat nga paragrafi 3 i këtij neni, organet nga paragrafi 4 i këtij neni, mund ti shfrytëzojë edhe
nga evidenca sipas nenit 31 të këtij ligji.
Neni 10
10.1 Pasaporta diplomatike i lëshohet: Kryetarit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të
Republikës së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit dhe anëtarëve
të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës,
kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Avokatit të Popullit, punëtorëve të përfaqësive
diplomatike dhe konsullore si dhe misioneve të Republikës së Kosovës jashtë shtetit, që kanë emërimet
diplomatike, shërbimeve konsullore, si dhe punëtorëve të ministrisë për punët e jashtme, që kryejnë
punët diplomatike dhe konsullore dhe kanë emërimet diplomatike, prijësit të delegacioneve shtetërore të
Republikës së Kosovës, personave që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës shkojnë për
punë në organizatat ndërkombëtare si funksionarë të rangut diplomatik në organizatat e përmendura,
korrierëve diplomatik dhe personave të tjerë të caktuar, nëse kjo është në interes të Republikës së
Kosovës.
10.2 Pasaporta diplomatike mund t’i lëshohet edhe anëtarit të ngushtë të familjes të punëtorëve të
përfaqësive diplomatike dhe konsullore të misioneve të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe
anëtarëve të familjes të personit, që me vendimin e qeverisë shkojnë për punë në organizatat
ndërkombëtare, nëse me ta jetojnë në bashkësi familjare të përbashkët jashtë shtetit, si dhe anëtarit të
ngushtë të familjes të personit nga paragrafi 1 i cili e shoqëron në udhëtimin zyrtarë jashtë shtetit.
Neni 11
11.1 Pasaportë zyrtare i lëshohet stafit politik të shtetit të Republikes se Kosovës, punëtorit të Ministrisë
për Punët e Jashtme dhe punëtorit të punësuar në përfaqësitë diplomatike apo konzulare të Republikes
se Kosovës jashtë shtetit, që nuk kanë pasaportë diplomatike.
4
11.2 Pasaportë zyrtare i lëshohet edhe anëtarit të delegacioneve shtetërore të Republikes se Kosovës
dhe punëtorëve të organeve tjera shtetërore, kur udhëtojnë zyrtarisht jashtë shtetit, si dhe personave të
tjerë të përcaktuar, nëse kjo është në interes të Republikes se Kosovës.
11.3 Pasaportë zyrtare mund ti lëshohet edhe anëtarit të ngushtë të familjes së personit nga paragrafi 1 i
këtij neni, nëse jetojnë me të në bashkësi familjare.
Neni 12
Dokumenti i udhëtimit për kthim, i lëshohet shtetasit të Republikës së Kosovës që ka mbetur pa
pasaportë jashtë shtetit, apo i ka skaduar afati i vlefshmërisë së pasaportës.
Neni 13
13.1 Dokumenti i udhëtimit grupor lëshohet për grupin jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 50 qytetarë,
për një udhëtim në një shtet të caktuar.
13.2 Udhëheqësi i grupit duhet ta ketë pasaportën, ndërsa personat e tjerë që janë të shënuar në listën e
udhëtimit duhet të posedojnë ndonjë dokument me fotografi që vërteton identitetin e tyre.
Neni 14
14.1 Dokumentet e udhëtimit lëshohen në formën e përcaktuar nga Ministria kompetente për Punë të
Brendshme, në bashkëpunim me Ministrinë kompetente për Punë të Jashtme, si dhe do të përcaktojnë
çmimin e dokumenteve të udhëtimit i cili duhet ti paguhet autoritetit kompetent nga shtetasit.
14.2 Dokumenti i udhëtimit –pasaporta përmbanë:
a) emrin e shtetit të Republikes se Kosovës;
b) simbolin e shtetit të Republikes se Kosovës;
c) emrin llojin dhe numrin e dokumentit të udhëtimit;
d) hapësirën për nënshkrim te zyrtarit te autorizuar prane organit kompetent që e ka lëshuar;
e) datën e dhënies së dokumentit të udhëtimit;
f) afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit;
g) hapësirën për nënshkrim të bartësit të dokumentit te udhëtimit;
h) si dhe te dhënat personale dhe biometrike.
14.3 Formularët e dokumenteve të udhëtimit, formularët për aplikim për dokumente të udhëtimit,
formularët për lejen e përfaqësuesve ligjor të referuara në nenin 9 të këtij ligji dhe formularët për
lajmërimin e humbjes së dokumenteve të udhëtimit, prodhohen nga ndërmarrja apo organizata e
autorizuar, e zgjedhur nga Ministria për Punë të Brendshme, në bashkëpunim me Ministrinë për Punë të
Jashtme, në pajtim me dispozitat e ligjit që rregullojnë prokurimin publik.
14.4 Ministria për Punë të Brendshme dhe Ministria për Punë të Jashtme, secila brenda përgjegjësive të
veta, do të kenë të drejtë të ushtrojnë kontroll në ndërmarrjet apo organizatat nga paragrafi 3 i këtij neni,
duke inspektuar tërë dokumentacionin përkitazi me procedurat e prodhimit dhe ruajtjes së formularëve të
referuar në paragrafin e 3 të këtij neni, vendet ku ato janë prodhuar dhe ruajtur dhe të vërtetojnë se a i
përmbushin personat që kryejnë këto detyra kushtet ne vijim për kryerjen e detyrave të tilla:
a) të jenë të moshës madhore ;
b) nuk kanë vuajtur dënim me burg më tepër se tre muaj për kryerjen e veprës penale, që ndiqet
sipas detyrës zyrtare.
14.5 Transportimi i dokumenteve të udhëtimit do të bëhet nga organi kompetent apo organizata e
licencuar për transportimin e dërgesave postare në mënyrën që garanton mbrojtjen, sigurinë dhe
përcjelljen e dërgesave postare.
5
Neni 15
Formularët e dokumenteve të udhëtimit shtypen në gjuhët zyrtare dhe në gjuhët zyrtare të komunave të
përcaktuara me ligj në alfabetin latin si dhe ne gjuhën angleze.
KREU III
VLEFSHMËRIA E DOKUMENTEVE TË UDHËTIMIT
Neni 16
16.1 Pasaporta lëshohet me afat vlefshmërie 10 vjeçare.
16.2 Pa marrë parasysh përcaktimet nga paragrafi 1, shtetasit që ende nuk i ka mbushu tre vjet nga dita
e lindjes, i lëshohet dokumenti i udhëtimit-pasaporta në afat vlefshmërie prej tre vjetëve, ndërsa për
shtetasit e moshës prej tre deri tetëmbëdhjetë vjet pasaporta lëshohet me afat vlefshmërie prej pesë
vjetëve.
16.3 Shtetasit, që në periudhën pesë vjeçare humbë, dëmton apo i vjedhin dy apo më shumë pasaporta, i
lëshohet pasaporta me afat vlefshmërie prej një viti.
16.4 Dispozitat e paragrafit 3 të këtij neni nuk zbatohen nëse shtetasi të cilit i është vjedhur pasaporta,
ofron prova se ai/ajo është kujdesur për pasaportën dhe ka lajmëruar vjedhjen e pasaportës si vepër
penale tek autoritetet kompetente.
Neni 17
Pasaporta diplomatike dhe pasaporta zyrtare, lëshohet për kohën e kryerjes së detyrës, por afati i
vlefshmërisë së tyre nuk mund të jetë më shumë se 5 vjet.
Neni 18
Dokumenti i udhëtimit për kthim (fletudhëtimi) lëshohet me afat vlefshmërie që është e nevojshme për
kthim në Republikës se Kosovë, respektivisht jo më gjatë se 30 ditë.
Neni 19
Leja e dhënë nga përfaqësuesi ligjor vlen më së shumti një vit pas lëshimit të saj.
Neni 20
20.1 Shtetasi duhet t’i dorëzojë organit kompetent pasaportën më së voni brenda 30 ditëve, nëse:
a) ndërron emrin apo mbiemrin;
b) fotografia nuk tregon më pamjen e tij të vërtetë ;
c) është e dëmtuar, apo për ndonjë arsye tjetër nuk është më për përdorim.
d) nndërron vendbanimin e përhershëm.
20.2 Në bazë të pikës a, b,c, dhe d të paragrafit 1 të këtij neni, shtetasi mund ta paraqesë kërkesën për tu
pajisur me dokument udhëtimi të ri sipas mënyrës së përcaktuar në nenin 23 të këtij ligji.
Neni 21
6
21.1 Pa marrë parasysh afatin e vlefshmërisë se dokumenteve te udhëtimit, vlefshmëria e tyre skadon
nëse:
a) paraqitet nga vetë shtetasi se e ka humbur, i është vjedhur, apo i është grabitur,
b) është dëmtuar nga pakujdesia e mbajtësit të saj.
c) janë plotësuar fletët për shënim zyrtar;
d) humb shtetësinë e Republikës së Kosovës;
e) pushojnë së ekzistuari arsyet për lëshimin e dokumentit të udhëtimit të referuara në nenet 10 dhe
11 të këtij ligji.
21.2 Bartësi duhet t’ia dorëzojë dokumentin e udhëtimit organit kompetent, tetë ditë pas paraqitjes së
arsyeve nga paragrafi 1 i këtij neni.
KREU IV
PROCEDURA PËR LËSHIMIN E DOKUMENTEVE TË UDHËTIMIT
Neni 22
22.1 Kërkesën për tu pajisur me pasaportë shtetasi e paraqet personalisht pranë organit kompetent.
22.2 Kërkesën mund ta paraqesë shtetasi që i ka mbushur 18 vjet si dhe shtetasi që ende nuk i ka
mbushur 18 vjet, por ka fituar zotësinë për të vepruar.
22.3 Për shtetasin më të ri se 18 vjet, respektivisht shtetasi që nuk ka zotësi veprimi, kërkesën e paraqet
përfaqësuesi ligjor.
22.4 Pasaporta, fletudhëtimi dhe dokumenti i udhëtimit grupor, jepen me kërkesën e shtetasit, kurse
pasaportat diplomatike dhe pasaporta zyrtare jepen me kërkesën e organit kompetent shtetëror.
22.5 Organi kompetent i lëshon paraqitësit të kërkesës dëshmi mbi pranimin e kërkesës.
Neni 23
23.1 Kërkesa për lëshimin e pasaportës bëhet në formularin e caktuar.
23.2 Formulari nga paragrafi 1. i këtij neni përmban këto të dhëna:
a) emrin personal;
b) numrin personal të qytetarit;
a) datën e lindjes;
b) gjininë;
c) vendin e lindjes;
d) vendbanimin e përhershëm ;
e) shtetësinë;
f) datën dhe vendin e paraqitjes së kërkesës;
i) emrin, mbiemrin dhe vendbanimin e përfaqësuesit ligjor;
j) nënshkrimi i paraqitësit te kërkesës.
23.3 Kërkesës për tu pajisur me pasaportë të re të udhëtimit, përpos në rastet e kërkesës për tu pajisur
me fletudhëtimi, shtetasi duhet t’ia bashkëngjisë dokumentin e vjetër të udhëtimit dhe duhet ti merret
fotografia me te dhënat biometrike, që tregojnë identitetin e tij të vërtetë.
23.4 Kërkesës për tu pajisur me dokument udhëtimi për kthim, shtetasi duhet ti bashkëngjisë dy fotografi
me dimensionet e caktuara, që tregojnë pamjen e tij të vërtetë.
23.5 Në kërkesën për lëshimin e dokumentit të udhëtimit grupor, udhëheqësi i grupit do të caktoj vendin
në të cilin udhëton grupi dhe numrin e pasaportës së tij.
7
23.6 Kërkesës për tu pajisur me dokument udhëtimi diplomatik dhe zyrtar, duhet ti bashkëngjiten edhe të
dhënat nga paragrafi 2. i këtij neni, dhe të dhënat mbi titullin dhe funksionin diplomatik respektivisht
konzular që kryen personi.
23.7 Pasaporta, pasaporta diplomatike dhe pasaporta zyrtare përmbajnë edhe të dhënat e memorizuara,
në të cilat identiteti i bartësit është e ruajtur si e dhënë biometrike sipas standardeve të organizates
ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ONAC – ICAO).
Neni 24
24.1 Dokumentet e udhëtimit mund të merren tek organi kompetent apo përmes postës. Mënyrën e
dorëzimit e cakton organi kompetent.
24.2 Dorëzimi me postë do të kryhet në momentin kur qytetari e merr dokumentin e udhëtimit. Në rast se
qytetari nuk e tërheq dokumentin e udhëtimit brenda tetë ditësh nga marrja e njoftimit mbi dorëzimin
postar, dokumenti i udhëtimit do ti kthehet autoritetit kompetent i cili e ka lëshuar atë.
24.3 Shtetasit nga paragrafi 3 i nenit 8 të këtij ligji, dokumenti i udhëtimit i dorëzohet pranë organit të
Republikes se Kosovës jashtë shtetit, kompetent për kryerjen e punëve diplomatike konsullore.
Neni 25
25.1 Ne raste të humbjes apo vjedhjes së pasaportës, poseduesi duhet menjëherë apo jo më vone se
tetë ditë të lajmërojë policinë përmes formularit, që përmban të dhënat nga pikat a,b,c, të paragrafit 2 të
nenit 23 të këtij ligji.
25.2 Për humbjen e dokumentit të udhëtimit jashtë shtetit, shtetasi duhet menjëherë te paraqes, e nëse
kjo nuk është e mundur më së voni tetë ditë pas hyrjes në Republikën e Kosovës, të lajmërojë policinë në
mënyrën e përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni.
25.3 Në rastin e lajmërimit te humbjes së pasaportës, është e nevojshme të cekën të dhënat e vërteta
mbi rrethanat e humbjes së pasaportës.
25.4 Në bazë të paragrafit 1 dhe 2 të këtij neni, pas shpalljes publike te humbjes nga ana e shtetasit,
organi kompetent dokumentin e udhëtimit e shpall te pavlefshëm.
25.5 Organi kompetent, me kërkesën e shtetasit, lëshon pasaportën e re, pas shpalljes publike te
pavlefshmërisë së pasaportës.
.
Neni 26
26.1 Lidhur me kërkesën për tu pajisur me pasaportë, organi kompetent duhet të vendosë brenda 15
ditëve pas paraqitjes së kërkesës.
26.2 Shtetasit të cilët janë lindur jashtë Republikës së Kosovës, dhe të cilët nuk janë të regjistruar në
librat e të lindurve apo shtetësisë, dhe për të cilët është e domosdoshme të vërtetohet shtetësia dhe të
dhënat tjera personale, organi kompetent mund të kërkoj që ata të paraqesin certifikatën e lindjes dhe
provën mbi shtetësinë, në të cilin rast periudha brenda së cilës duhet të lëshohet dokumenti i udhëtimit
mund të zgjatet për tridhjetë ditë.
8
26.3 Në rastin, kur organi kompetent dyshon për saktësinë e të dhënave nga neni 25 paragrafi 3 të këtij
ligji, afati për lëshimin e dokumentit të udhëtimit mund të shtyhet për kohën e verifikimit të të dhënave, e
cila nuk mund të zgjatë më shumë se 60 ditë.
Neni 27
27.1 Organi kompetent, tek i cili ka qenë e paraqitur kërkesa për tu pajisur me pasaportë e refuzon
kërkesën në bazë të vendimit të gjykatës nëse :
a) kundër shtetasit, që ka bërë kërkesën për lëshimin e pasaportës është duke u zhvilluar procedurë
penale respektivisht zhvillohet procedura për zgjidhjen e martesës si dhe njohjen e të drejtës
prindërore, nëse gjykata kërkon ndalesën e lëshimit të pasaportës ;
a) ekzistojnë interesat e mbrojtjes së shtetit, të përcaktuara në ligj ;
b) shtetasit i është shqiptuar së paku dy herë dënimi me burg për veprat penale të prodhimit të
kundërligjshëm dhe trafikimit të narkotikëve, falsifikim të parave, kontrabandim, falsifikim të
dokumenteve, prodhim kundërligjor dhe trafikim të armëve apo eksplozivëve, kalim të
kundërligjshëm të kufirit shtetëror, trafikimit me qenie njerëzore, terrorizmit ndërkombëtar, financimit
të veprimtarisë terroriste dhe vepra tjera penale në lidhje me shtetet e huaja,
27.2 Nëse gjykata ka nxjerrë aktgjykim të plotfuqishëm kundër shtetasit të bazuar në pikat a,b,c të
paragrafit 1 të këtij neni, duhet të njoftojë organin kompetent mbi refuzimin e kërkesës dhe për këtë
duhet të japë arsyetim.
27.3 Nëse ndonjëra nga arsyet nga pikat a,b,c, të paragrafit 1 të këtij neni, është paraqitur pas lëshimit të
pasaportës, organi kompetent për dhënien e pasaportës duhet te nxjerri vendim mbi marrjen e
pasaportës.
27.4 Ankesa kundër vendimit në bazë të paragrafit 3 te këtij neni, nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.
Neni 28
28.1 Për pushimin e arsyeve për refuzimin e kërkesës për tu pajisur me pasaportë, gjykata kompetente,
menjëherë duhet ta lajmërojnë organin kompetent.
28.2 Konsiderohet, që nuk ka më arsye për refuzimin e kërkesës për lëshimin e pasaportës nga paragrafi
1 i nenit 27 të këtij ligji, nëse gjykata kompetente, nuk e përtërinë ndalesën.
Neni 29
29.1 Për ankesën kundër vendimit për refuzimin e kërkesës për lëshimin e pasaportës, respektivisht për
marrjen e pasaportës, që e ka lëshuar organi kompetent apo misioni diplomatik konsullor, vendos
Ministria për Punë të Brendshme.
29.2 Qeveria do të vendosë mbi ankesën e parashtruar kundër vendimit të shkallës së parë të Ministrisë
përgjegjëse për Punë të Brendshme për refuzimin e kërkesës për dhënien e pasaportës apo marrjes së
pasaportës.
Neni 30
Me kërkesën e shtetasit, të cilit i është refuzuar lëshimi i pasaportës, respektivisht, të cilit i është marrë
pasaporta, gjykata që ka kërkuar ndalesën e lëshimit, për arsyet të veçanta (vdekja e anëtarit të
ngushtë të familjes, shërimi jashtë shtetit, punët urgjente zyrtare, etj) mund të lejojë lëshimin e
pasaportës me afat të kufizuar, jo më të gjatë se 60 ditë.
KREU V
9
EVIDENCAT
Neni 31
31.1 Organet, që sipas këtij ligji janë kompetente për lëshimin e dokumenteve te udhëtimit, udhëheqin
dhe mbajnë evidencat e posaçme.
31.2 Evidenca përmban këto të dhëna:
a) llojin e dokumentit të udhëtimit;
b) datën e lëshimit të dokumentit të udhëtimit;
c) vlefshmërinë e dokumentit të udhëtimit, dhe lejes se referuar ne nenin 9 të këtij ligji;
d) për numrin serik dhe të regjistrimit të dokumentit të udhëtimit;
e) për dokumentet e udhëtimit të humbura, dëmtuara dhe të vjedhura;
f) të dhënat nga neni 9 paragrafi 3 te këtij ligji;
g) nga neni 23 i këtij ligji;dhe
h) nga neni 27 i këtij ligji.
31.3 Të dhënat nga evidenca i udhëheq organi kompetent pesë vite pas pushimit të vlefshmërisë së
dokumentit të udhëtimit, përveç të dhënave nga neni 27 i këtij ligji, që organi kompetent vepron ne pajtim
me ligjin për materialin arkivor.
31.4 Organi kompetent do të mbaj evidencën gjithashtu edhe në bazën qendrore të të dhënave të
Ministrisë për Punë të Brendshme.
Neni 32
32.1 Të dhënat e përfshira në evidenca do të përdoren, gjatë kryerjes së detyrave nga të punësuarit e
Ministrisë për Punë të Brendshme dhe të Ministrisë për Punë te Jashtme, këto të dhëna mund të
përdoren edhe nga policia, ne rastet kur është e përcaktuar me ligj.
32.2 Pamja e fytyrës së bartësit të dokumentit të udhëtimit, e ruajtur si e dhënë biometrike mund të
përdoret vetëm për verifikimin e vërtetësisë së dokumentit të udhëtimit dhe identitetit të bartësit të
dokumentit të udhëtimit gjatë kalimit të kufirit shtetëror.
32.3 Të dhënat personale të referuara në nenin 23 mund të përdoren nga ndërmarrja apo organizata e
autorizuar nga paragrafi 3 i nenit 14 të këtij ligji, për qëllime të plotësimit me informata të formularëve të
dokumenteve të udhëtimit, por këto të dhëna do të shkatërrohen brenda tridhjetë ditësh pas përdorimit të
tyre nen mbikëqyrjen e Ministrisë për Punë te Brendshme.
KREU VI
MBIKËQYRJA
Neni 33
33.1 Mbikëqyrjen mbi zbatimin e dispozitave të këtij ligji e bënë Ministria për Punët e Brendshme dhe
Ministria kompetente për Punë të Jashtme, secila brenda përgjegjësive të veta. Mbikëqyrjen mbi zbatimin
e dispozitave të nenit 4 të këtij ligji e bënë edhe policia.
33.2 Ndërmarrja apo organizata nga neni 14 i këtij ligji, është e obliguar që personave të autorizuar nga
Ministria për Punë të Brendshme dhe Ministria për Pune të Jashtme, secila brenda përgjegjësive të veta,
tu mundësojnë mbikëqyrjen e hapësirave, ku bëhet prodhimi apo ruajtja e formularëve nga neni 14 i këtij
ligji.
33.3 Personi i autorizuar nga paragrafi 2 i këtij neni gjatë kryerjes së mbikëqyrjes ka të drejtë dhe për
detyrë të:
10
a) urdhërojë, që brenda afatit te caktuar, te mënjanohen pa rregullsitë dhe mangësitë e zbuluara ne
prodhim, apo deponim të formularëve nga neni 14 i këtij ligji;
b) urdhëroj ndërprerjen e prodhimit dhe deponimit te formularëve nga neni 14, në qoftë se
c) gjendet personi i cili nuk i përmbush kushtet nga paragrafi 4 i nenit 14 të këtij ligji;
d) njoftojë autoritetin kompetent për mbrojtjen e të dhënave personale, nëse konsideron që të
e) dhënat personale përdoren në kundërshtim me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 32 të këtij ligji.
KREU VII
DISPOZITAT NDËSHKUESE
Neni 34
Me gjobë prej 200 € deri 800 € do të dënohet për kundërvajtje personi :
a) i cili posedon dokumentin e udhëtimit të vlefshëm dhe e merr tjetrin e llojit të njëjtë (neni 4 i këtij
ligji);
b) i cili shet apo i huazon dokumentin e vetë të udhëtimit tjetrit, respektivisht e blen apo e përdorë
dokumentin e udhëtimit të huaj si të vetin apo ndryshon, respektivisht i shlyen të dhënat në
dokumentin e udhëtimit, ( neni 6 i këtij ligji);
c) i cili në lajmërimin e humbjes, cek të dhënat jo të vërteta për rrethanat e humbjes së dokumentit
te udhëtimit (paragrafi 3 i nenit 25 të këtij ligji) .
Neni 35
35.1 Me gjobë prej 50€ deri 200€ do të dënohet për kundërvajtje personi, i cili:
a) keqpërdor dokumentin e udhëtimit apo merr dokumentin e huaj të udhëtimit me qëllim të
sigurimit të ndonjë përfitimi apo të drejte ( neni 6 i këtij ligji);
b) dokumentin e udhëtimit në afatin e caktuar pas paraqitjes së arsyeve për skadimin e
vlefshmërisë së tij, nuk ia dorëzon organit kompetent (sipas paragrafi 2 të nenit 21 të këtij ligji);
c) dokumentin e udhëtimit nuk ja dorëzon organit kompetent në afatin e caktuar (sipas paragrafit 1
të nenit 20 të këtij ligji).
35.2 Me gjobë prej 300 € deri 1000 € do të dënohet për kundërvajtje personi juridik që e merr dokumentin
e udhëtimit të huaj me qëllim të sigurimit të ndonjë përfitimi apo të drejte (sipas nenit 6 të këtij ligji).
35.3 Me gjobë prej 100 € deri 200 € do të dënohet për kundërvajtje edhe personi përgjegjës i personit
juridik (paragrafi 2 i nenit 35 të këtij ligji).
KREU VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 36
Brenda afatit prej tre muaj, pas hyrjes në fuqi te këtij Ligji, Ministri kompetent për Punë te Brendshme në
bashkëpunim me Ministrin kompetent për Punë të Jashtëm, me Udhëzim Administrativ do të përcaktoj:
a) formën e formularëve nga neni 9, 14, 23 dhe 25 i këtij ligji;
b) metodën e mbajtjes së evidencave nga nenin 31;
c) procedurën dhe metodën e prodhimit, lëshimit dhe dorëzimit të dokumentit te udhëtimit, dhënien
e lejes së përfaqësuesit ligjor nga nenin 9 dhe shpërndarjen, mbajtjen, përdorimin, kthimin dhe
shkatërrimin e te dhënave nga nenit 12;
d) çmimin e dokumentit të udhëtimit, të cilin shtetasi do ti paguaj organit kompetent.
Neni 37
11
Qeveria e Republikës së Kosovës me propozimin e Ministrisë për Punët e Jashtme, në afatin prej tre
muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, cakton kriteret për përcaktimin e interesave të Republikës së
Kosovës në bazë të së cilave mund të lëshohet pasaporta diplomatike dhe pasaporta zyrtare..
Neni 38
Dokumentet e udhëtimit te lëshuara nga UNMIK-u, mund të përdoren deri në nxjerrjen e një vendimi të ri
për vlefshmërinë e tyre.
Neni 39
Ky ligj shfuqizon të gjitha dispozitat e ligjit të aplikueshëm të cilat janë në kundërshtim me të.
KREU IX
HYRJA NE FUQI
Neni 40
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë ( 15 ) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës
Me datën: 20.02.2008