GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 26 / 02 QERSHOR 2008
LIGJI NR. 03/L-038
PËR PËRDORIMIN E SIMBOLEVE SHTETËRORE TË KOSOVËS
Në mbështetje të Kapitullit IV neni 65 pika 1 si dhe neni 81 pika 1 paragrafi 8 të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës, me qëllim të përdorimit të simboleve shtetërore të Republikes së Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJIN PËR PËRDORIMIN E SIMBOLEVE SHTETËRORE TË KOSOVËS
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Me këtë ligj rregullohet përdorimi i simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Neni 2
Simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës
2.1. Simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës janë: flamuri, stema dhe himni.
2.2. Me flamurin, stemën dhe himnin përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti shtetëror i saj.
2.3. Flamuri, stema dhe himni i Republikës së Kosovës, përdoren në pajtim me këtë ligj dhe me aktet
nënligjore, që do të nxirren për zbatimin e këtij ligji.
Neni 3
Forma dhe përmbajtja e simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës
3.1 Forma, përmasa e flamurit dhe stemës, përmbajtja e tekstit dhe partitura e himnit, përcaktohen nga
Kuvendi i Republikës së Kosovës.
3.2 Rregullat gjeometrike të pamjes dhe të ngjyrave për formësimin e flamurit, stemës, si dhe të tekstit
dhe të shënimit të notave të melodisë së himnit të përcaktuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës do
të jenë pjesë përbërëse e këtij ligji.
3.3 Origjinali i simboleve të Republikës së Kosovës ruhet në arkivin e Kuvendit të Republikës së
Kosovës, në pajtim me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin Nr. 2003/7 për lëndën arkivore
dhe arkivat (shpallur me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2003/20, të datës 23 qershor 2003, për shpalljen e
Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës mbi materialin arkivor dhe arkivin.
KREU II
2
PËRDORIMI, VENDOSJA DHE RENDITJA E FLAMURIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 4
Përdorimi i flamurit të Republikës së Kosovës nga institucionet shtetërore
4.1 Flamuri shtetëror vendoset në mjediset e brendshme dhe të jashtme të institucioneve shtetërore dhe
publike. Për përdorimin e flamurit shtetëror në mjediset e brendshme dhe të jashtme të institucioneve
publike, Qeveria e Republikës së Kosovës mund të nxjerr akte nënligjore.
4.2 Flamuri shtetëror mund të vendoset në mjedise të brendshme të zyrave publike, në universitete, në
selitë e partive politike, në institucione shkencore e kulturore, në objekte të kultit dhe në organizata të
ndryshme. Në këto raste, flamuri qëndron në të djathtë të vendit kryesor apo në tavolinën e punës.
4.3 Flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës përdoret në rastet e takimeve ceremoniale të
përfaqësuesve të institucioneve shtetërore me përfaqësues të shteteve të huaja:
a) në mënyrë të lirë në tryezat e zyrtarëve dhe nga personat juridikë;
b) në ndërtesat dhe automjetet e përfaqësuesve të Republikës së Kosovës, në shtetet e tjera; dhe
c) në të gjitha rastet kur përfaqësohet Republika e Kosovës.
Neni 5
Përdorimi i flamurit shtetëror të Republikës së Kosovës nga qytetarët
Çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë ta përdorë flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës
(në tekstin e mëtejmë: flamurin shtetëror) në pajtim me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi.
Neni 6
Përdorimi i flamujve kombëtarë
6.1 Çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të përdorë flamujt kombëtarë në pajtim me këtë ligj
dhe me legjislacionin tjetër në fuqi.
6.2 Qytetarët e të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës kanë të drejtën, në mënyrë individuale
apo si komunitet, të përdorin flamujt kombëtarë në pajtim me këtë ligj dhe me standardet ndërkombëtare.
6.3 Për mënyrën e përdorimit të flamujve kombëtarë në mjedise të brendshme dhe të jashtme në
institucionet publike, Qeveria e Republikës së Kosovës nxjerr akte përkatëse nënligjore.
6.4 Ndalohet vendosja publike e flamujve kombëtarë nëse janë të vjetruar apo të dëmtuar.
Neni 7
Vendosja e flamurit shtetëror
7.1 Flamuri shtetëror gjithmonë vendoset:
a) në ndërtesa, në të cilat është selia e Kryetarit të Republikës së Kosovës, selia e Kuvendit të
Republikës së Kosovës, selia e Qeverisë së Republikës së Kosovës;
b) në pikat e kalimeve kufitare;
c) në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit, të
cilat i përdorë udhëheqësi i përfaqësisë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, në përputhje me
dispozitat ndërkombëtare, në të cilin është përfaqësia, përkatësisht në përputhje me rregullat dhe
praktikat e organizatës ndërkombëtare, pranë të cilës është përfaqësia; dhe
d) gjatë festave zyrtare të Republikës së Kosovës.
3
7.2 Flamuri shtetëror vendoset:
a) me rastin e solemnitetit zyrtar të përcjelljes së Kryetarit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të
Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit kur shkojnë nga Republika e Kosovës në vizitë
në shtetet e huaja dhe në pritjen e tyre kur kthehen në Republikën e Kosovës;
b) me rastin e arritjes zyrtare të udhëheqësit të shtetit të huaj ose të përfaqësuesit të autorizuar të
organizatës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, përkatësisht me rastin e solemnitetit të
ndarjes kur shkojnë nga Republika e Kosovës;
c) rregullat më të hollësishme të përdorimit të flamurit shtetëror të përcaktuara në pikën 1 dhe 2,
parashihen në ceremonialin e protokollit të shtetit.
7.3 Flamuri shtetëror vendoset po ashtu:
a) me rastin e takimeve vendore dhe ndërkombëtare, tubimeve publike, garave sportive, kulturore
dhe garave tjera, shfaqjeve humanitare, ushtarake, dhe tjera si dhe në të cilat Republika e
Kosovës paraqitet, përkatësisht në të cilat merr pjesë;
b) me rastin e festave zyrtare.
7.4 Flamuri shtetëror mund të vendoset:
a) me rastin e ditëve përkujtimore;
b) të manifestimeve publike që janë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, dhe të cilat i
a) përcakton Qeveria;
b) në rastet tjera, nëse përdorimi i flamurit nuk është në kundërshtim me këtë ligj.
7.5 Në të gjitha rastet e vendosjes së flamurit shtetëror, krahas flamujve tjerë, flamuri shtetëror i
Republikës së Kosovës nuk mund të jetë në përmasa më të vogla se flamujt e tjerë.
7.6 Ndalohet vendosja publike e flamujve nëse janë të vjetruar apo të dëmtuar.
Neni 8
Vendosja e flamurit shtetëror në raste të veçanta
8.1 Në rastet e ditëve të zisë të shpallura në Republikën e Kosovës, flamuri shtetëror ngrihet në
gjysmështizë. Mënyra e vendosjes dhe heqjes së flamurit shtetëror përcaktohet me akt përkatës nënligjor
të nxjerrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
8.2 Flamuri i mbajtur në dorë nga njësitë e Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës (FSK) nuk
vendoset asnjëherë në gjysmështizë.
8.3 Ngritja e flamurit në FSK, policore, kufitare apo të ngjashme, bëhet me respekt dhe solemnitet të
veçantë, sipas rregulloreve të propozuara nga ministritë përkatëse dhe të miratuara nga Qeveria e
Republikës së Kosovës.
8.4 Në ceremoni shtetërore funebre, flamuri përdoret për të mbuluar arkivolin. Në asnjë mënyrë nuk
lejohet që flamuri të futet në varr apo të prekë tokën gjatë ceremonisë.
8.5 Flamuri ngritët dhe zbritet, vendoset dhe hiqet, përkatësisht bartet me rastin e ngjarjeve zyrtare me
nderime të zakonshme, në përputhje me dispozitat për nderimin e flamurit.
Neni 9
Renditja e flamujve
9.1 Nëse flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës është i vendosur krahas ndonjë flamuri tjetër, shikuar
përpara, duhet të jetë gjithmonë në të majtë.
4
9.2 Nëse flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës është i vendosur bashkë me dy ose me më shumë
flamuj tjerë në shtiza të kryqëzuara, shikuar nga përpara, duhet të jetë shtiza me flamurin e Republikës
së Kosovës e vendosur para shtizave të atyre flamujve.
9.3 Kur flamuri shtetëror shpaloset bashkë me ndonjë flamur tjetër, flamuri shtetëror qëndron në vendin e
nderit në anën e djathtë. Flamuri tjetër ose të tjerët, vendosen në të majtë të tij, me të njëjtat përmasa dhe
largësi shtize.
9.4 Vendosja në zyrat publike e një ose më shumë flamujve të huaj krahas flamurit shtetëror të
Republikës së Kosovës bëhet vetëm në rastet e ceremonive zyrtare ose takimeve dy ose më
shumëpalëshe me delegacione të huaja të nivelit të lartë dhe në raste kur nënshkruhen marrëveshje
zyrtare.
9.5 Kur flamuri shtetëror vendoset pranë një foltoreje, duhet të qëndrojë lart, pas vendit të folësit, ose kur
është në shtizë, në të djathtë të tij. Flamurët e tjerë vendosen në të majtë të folësit.
9.6 Nëse në ndërtesa të ndryshme, flamuri shtetëror shpaloset bashkë me flamuj të tjerë në institucione
qendrore apo lokale, ata duhet vendosur në pikën më të lartë ose me shtizën më të lartë, në krahasim me
flamuj tjerë. Asnjë flamur tjetër nuk duhet të vendoset më lart se flamuri shtetëror apo në të djathtë të tij.
9.7 Në takime ndërkombëtare shumëpalëshe, flamujt e këtyre vendeve vendosen në të majtë të flamurit
shtetëror dhe radha e tyre përcaktohet sipas rendit alfabetik.
9.8 Nëse flamuri është i vendosur bashkë me më shumë flamuj të tjerë, flamuri shtetëror është:
a) në mesin e rrethit, ashtu që mund të shihet qartë nëse flamujt janë të renditur në rreth;
b) në mesin e gjysmërrethit nëse flamujt janë të renditur në gjysmërreth;
c) në krye të kolonës nëse flamujt janë të renditur në kolonë;
d) në vendin e parë të rreshtit, përkatësisht, shikuar përpara, në të majtë nëse flamujt janë renditur
në rresht;
e) në krye të grupit nëse flamujt janë renditur në grup.
Neni 10
Flamujt dallues të institucioneve
10.1 Për të vënë në pah dallimin dhe identifikimin e tyre, të drejtë në flamur dallues kanë institucionet në
vijim:
a) Kryetari i Republikës së Kosovës;
b) Qeveria e Republikës së Kosovës;
c) Ministria për FSK;
d) Ministria e Punëve të Brendshme;
e) Ministria e Punëve të Jashtme;
f) Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës;
g) Trupat Mbrojtëse të Republikës së Kosovës;
h) Policia e Republikës së Kosovës ;dhe
i) Komunat e Republikës së Kosovës.
10.2 Flamuri dallues i përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni përfshin në vetvete të gjithë të tjerët.
Flamuri i Kryetarit të Republikës së Kosovës është flamur i parë.
10.3 Flamujt dallues të institucioneve vendosen në selitë e institucioneve që i përkasin, krahas flamurit
shtetëror.
KREU III
STEMA E REPUBLIKЁS SЁ KOSOVËS
Neni 11
Vendosja e stemës
5
11.1 Stema e Republikës së Kosovës vendoset:
a) në hyrje të institucioneve shtetërore, së bashku me emërtesën e tyre;
b) në të gjitha aktet zyrtare;
c) në vulat e institucioneve shtetërore;
d) në dokumentet dhe marrëveshjet ndërshtetërore të Republikës së Kosovës në bazë të
reciprocitetit.
Neni 12
Përdorimi i stemës
12.1 Përdorimi i stemës së Republikës së Kosovës është e drejtë ekskluzive e organeve shtetërore.
12.2 Stema e Republikës së Kosovës përdoret si shenjë identifikimi:
a) në vula, stampila, shenjëzime të dokumenteve dhe në shenjat e organeve shtetërore;
b) në dokumentet e statusit civil dhe në dokumentet personale;
c) në diplomat dhe në dëftesat për shkollimin e përfunduar;
d) për shenjëzimin e kufirit shtetëror, në rajonet e kalimeve kufitare dhe në objektet e organeve
shtetërore si dhe në hapësirat e këtyre organeve;
e) në hapësirat dhe ndërtesat, ku është selia e organeve shtetërore si dhe në hapësirat e këtyre
organeve;
f) në hapësirat dhe ndërtesat e përfaqësive diplomatike e konsullore të Republikës së Kosovës
jashtë shtetit dhe në mjetet transportuese, që i përdorë udhëheqja e përfaqësive, në përputhje
me marrëveshjet ndërkombëtare, me dispozitat e shtetit, në të cilin është përfaqësia, përkatësisht
me rregullat dhe praktikën e organizatës ndërkombëtare, në të cilat është akredituar misioni;
g) në vulën, stampilat si dhe te shenjëzimet e dokumenteve të organeve lokale kur kryejnë detyra të
veçanta, përkatësisht detyra nga kompetencat shtetërore;
h) në vulën, stampilat si dhe në shenjëzimet e dokumenteve, të ndërmarrjeve dhe të organizatave
tjera private, që kanë autorizime publike kur kryejnë detyra të veçanta, përkatësisht detyra të
caktuara nga kompetencat shtetërore;
i) në ftesa, urime, vizitë-karta, kartat zyrtare të identifikimit të cilat i përdorin Presidenti i Republikës
së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri, ministrat dhe
udhëheqësit e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë vendit;
j) në ftesa, urime, vizitëkarta, kartat e ngjashme zyrtare të identifikimit, të cilat i përdorin deputetët,
funksionarët si dhe nëpunësit e organeve shtetërore;
k) me rastin e takimeve ndërkombëtare sportive, kulturore dhe garave tjera, tubimeve humanitare
dhe shfaqjeve e tubimeve të tjera, në të cilat Republika e Kosovës paraqitet, përkatësisht në të
cilat merr pjesë, në përputhje me rregullat dhe zakonet e tubimeve të tilla;
l) me stemë shenjëzohen edhe fluturaket dhe mjetet tjera të transportit publik, sipas kushteve dhe
në mënyrën, që i përcaktojnë dispozitat e akteve të përgjithshme juridike;
m) në raste të tjera dhe në kushte, të cilat i përcakton ligji;
n) në rastet tjera, nëse përdorimi i stemës nuk është në kundërshtim me këtë ligj.
Neni 13
Renditja e stemave
13.1 Stema e Republikës së Kosovës kur paraqitet me stema shtetesh të tjera vendoset në vendin më të
dukshëm ose në të njëjtin vend me to.
13.2 Nëse stema e Republikës së Kosovës përdoret krahas stemës tjetër, shikuar përpara, duhet të jetë
gjithmonë në të majtë. Përjashtimisht, guxon të jetë në anën e djathtë të stemës së shtetit të huaj ose të
shenjës adekuate të organizatës ndërkombëtare, kur kjo stemë, përkatësisht kjo shenjë përdoret me
rastin e vizitës zyrtare të udhëheqësit të shtetit të huaj, përkatësisht përfaqësuesit të autorizuar të
organizatës ndërkombëtare.
13.3 Nëse stema e Republikës së Kosovës përdoret bashkë me dy stemat tjera, përkatësisht shenja
tjera, stema e Republikës së Kosovës është në mes.
6
13.4 Nëse stema e Republikës së Kosovës përdoret me më shumë stema të huaja dhe vendore,
përkatësisht shenja adekuate të organizatave ndërkombëtare ose me shenjëzime të ngjashme të
ndryshme, stema e Republikës së Kosovës është:
a) në mes të rrethit dhe mund të shihet qartë, në rast se stemat dhe shenjat janë të renditura në
rreth;
b) në mes të gjysmërrethit, dhe mund të shihet qartë, nëse stemat dhe shenjat janë të renditura në
gjysmërreth;
c) në krye të kolonës, nëse stemat dhe shenjat janë të renditura në kolonë;
d) në vendin e parë, përkatësisht shikuar përpara, në anën e majtë, nëse stemat dhe shenjat janë
renditur në rresht;
e) në krye të grupit, nëse stemat dhe shenjat janë të renditura në grupe.
KREU IV
HIMNI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 14
Intonimi/ekzekutimi i himnit shtetëror të Republikës së Kosovës
14.1. Himni shtetëror i Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: himni) intonohet/ekzekutohet, në
ceremonitë zyrtare, në çdo veprimtari ndërkombëtare, ku vendi ynë është palë, si dhe në raste të tjera të
përcaktuara me ligjet përkatëse.
14.2. Kur intonohet/ekzekutohet himni, merret drejtqëndrim.
14.3. Himni nuk intonohet/ekzekutohet asnjëherë në mjediset publike pa prezencën e flamurit, me
përjashtim, kur ekzekutohet në televizion ose në radio.
14.4 Në ceremonitë solemne, festive dhe të përfaqësimit, intonohet/ekzekutohet vetëm strofa e parë dhe
refreni i himnit.
14.5. Himni mund të intonohet/ekzekutohet:
a) me rastin e solemnitetit zyrtar kur Kryetari i Republikës së Kosovës shkon nga Republika e
Kosovës në shtetet e huaja dhe në rastin e pritjes kur kthehet në Republikën e Kosovës;
b) me rastin e arritjes dhe përcjelljes së kryetarëve të shteteve të huaja ose të zyrtarëve të lartë apo
përfaqësueseve të autorizuar të organizatave ndërkombëtare;
c) me rastin e vënies së kurorave, të cilat i vënë përfaqësuesit zyrtar të Republikës së Kosovës,
përkatësisht përfaqësuesit e shteteve të huaja ose të organizatave ndërkombëtare pranë
përmendoreve, në varreza të dëshmoreve apo të ngjashme;
14.6 Çdo banor i Republikës së Kosovës ka të drejtë të këndojë himnin.
Neni 15
Renditja e intonimit/ekzekutimit të himneve
15.1 Kur himni shtetëror i Republikës së Kosovës intonohet/ekzekutohet së bashku me himnin e një
vendi tjetër, përparësi ka himni i vendit tjetër.
15.2 Vizita zyrtare e një presidenti ose kryeministri të huaj shoqërohet me intonimin/ekzekutimin e
himneve shtetërore të të dy vendeve. Himni interpretohet pas himnit mik.
15.3 Gjatë intonimit/ekzekutimit të himnit, FSK mbajnë drejtqëndrim ose sipas rastit nderojnë me armë.
Ushtarakët nderojnë flamurin sipas rregullave ushtarake, kurse autoritetet civile dhe të gjithë sa janë
prezentë ngrihen në këmbë dhe mbajnë drejtqëndrim.
7
15.4 Nëse ndodh të intonohen/ekzekutohen më shumë se dy himne, radha e tyre caktohet sipas rendit
alfabetik të vendeve pjesëmarrëse në takim, por mund të caktohen edhe kritere të tjera.
15.5 Nëse intonohen/ekzekutohen më shumë se dy himne, himni i Republikës së Kosovës interpretohet i
fundit për arsye mikpritje.
15.6 Himni nuk duhet të intonohen/ekzekutohet në atë mënyrë që do ta cenonte nderin dhe prestigjin e
Republikës së Kosovës.
15.7 Himni nuk lejohet të intonohet/ekzekutohet për qëllime marketingu, përkatësisht të reklamimit të
shërbimeve.
Neni 16
Përdorimi i simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës nga personat tjerë juridikë
16.1 Pjesë të simboleve shtetërore mund të përdoren si pjesë përbërëse e emblemave dhe shenjave
tjera të personave juridikë (publikë dhe privatë), me kusht që me këtë nuk është cenuar prestigji i
Republikës së Kosovës.
16.2 Përdorimi i simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës lejohet në krijimtarinë artistike dhe
muzikore dhe për qëllime edukativo-arsimore, me kusht që të mos cenohet prestigji dhe nderi i
Republikës së Kosovës.
16.3 Simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës ose pjesët përbërëse të tyre, ndalohet të bëhen
shenjë mbrojtëse ose të përdoren si shenjëzim, model, përkatësisht mostër (ekzemplarë) si dhe të
shenjëzimit të mallit ose të prodhimit.
16.4 Qeveria e Republikës së Kosovës mund të nxjerr aktet përkatëse nënligjore për zbatimin e
paragrafëve paraprak.
KREU V
DISPOZITAT KALIMTARE
Neni 17
Sanksionet kundërvajtëse
17.1 Me gjobë prej 500 – 1000 euro do të ndëshkohet personi juridik në rast se:
a) e përdor stemën apo flamurin në kundërshtim me paragrafin 3 të nenit 2 të këtij ligji;
b) e përdor stemën apo flamurin në formë apo përmbajtje, e cila nuk është përcaktuar me këtë ligj si
dhe me dispozitat ligjore në fuqi;
c) në vend publik shpalos stemën apo flamurin të vjetruara, në formë të parregullt, të dëmtuara apo
në ndonjë mënyrë tjetër të dëmtuar;
d) nuk përdor stemën apo flamurin kur përdorimi është i detyrueshëm;
e) ekzekutimin e himnit të Republikës së Kosovës në kundërshtim me paragrafin 6 të nenit 15 të
këtij ligji dhe dispozitave ligjore në fuqi.
17.2 Për shkelje nga paragrafi 1 i këtij neni do të shqiptohet gjoba nga 250-500 euro zyrtarit përgjegjës të
personit juridik.
17.3 Për shkelje nga paragrafi 1 i këtij neni do të shqiptohet gjoba nga 250-500 euro personit përgjegjës
në organet shtetërore.
17.4 Me gjobë prej 150 - 300 euro do të ndëshkohet personi fizik për shkeljet nga pikat a,b,c,d dhe e të
këtij neni.
Neni 18
Aktet përkatëse nënligjore
8
Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas nevojës nxjerr aktet përkatëse nënligjore për zbatimin e këtij ligji.
Neni 19
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë ( 15 ) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës
Me datën : 20.02.2008