LIGJI NR. 03/L-034 PËR SHTETËSINË E KOSOVËS

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 26 / 02 QERSHOR 2008


LIGJI NR. 03/L-034


PËR SHTETËSINË E KOSOVËS



Në mbështetje të Kapitullit IV neni 65 pika 1, si dhe te Kapitullit XIV neni 155 të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Miraton:

LIGJIN PËR SHTETËSINË E KOSOVËS


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME


Neni 1
Fushëveprimi i ligjit

Me këtë ligj përcaktohen mënyrat e fitimit dhe të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe
rregullohen çështje të tjera të ndërlidhura me shtetësinë e Republikës së Kosovës.

Neni 2
Përkufizimet

Në kuptimin e këtij ligji nocionet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

a) “Shtetësi” nënkupton një lidhje të ngushtë juridike midis shtetit të Republikës së Kosovës dhe
një personi nga e cila rezultojnë të drejta dhe detyrime të ndërsjella;
b) “Organ kompetent” nënkupton Ministrinë e Punëve të Brendshme;
c) “Shtetas i huaj dhe Person i huaj” nënkupton çdo person i cili nuk është shtetas i Republikës
së Kosovës;
d) “Person” nënkupton personin fizik;
e) “Natyralizim” nënkupton fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës në bazë të kërkesës së
personit të huaj sipas dispozitave të pikës c të këtij neni;
f) “Fëmijë” nënkupton personin e moshës së mitur, nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.






Neni 3
Shtetësia e shumëfishte

2
Shtetasi i Republikës së Kosovës mund të jetë edhe shtetas i një ose më shumë shteteve të tjera. Fitimi
dhe mbajtja e shtetësie tjetër nuk rezulton në humbjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës.



Neni 4
Mbrojtja e shtetësisë

Shtetasit të Republikës së Kosovës nuk mund t’i hiqet shtetësia e Republikës së Kosovës, përveç në
mënyrën dhe nën kushtet e përcaktuara me këtë ligj.


KREU II
FITIMI I SHTETËSISË

Neni 5
Mënyrat e fitimit të shtetësisë

Shtetësia e Republikës së Kosovës fitohet:
a) me lindje;
b) me adoptim;
c) me natyralizim;
d) në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare;
e) në bazë të neneve 28 dhe 29 të këtij ligji.



1. Fitimi i shtetësisë me lindje


Neni 6
Fitimi i shtetësisë me lindje në bazë të origjinës

6.1. Një fëmijë e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me lindje nëse në kohën e lindjes së
fëmijës të dy prindërit janë shtetas të Republikës së Kosovës.

6.2. Nëse në kohën e lindjes së fëmijës vetëm njëri prind e ka shtetësinë e Republikës së Kosovës,
fëmija e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me lindje në rastet vijuese:

a) fëmija është i lindur në territorin e Republikës së Kosovës;
b) fëmija është i lindur jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe prindi tjetër është me
shtetësi të panjohur ose pa shtetësi;
c) fëmija është i lindur jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe prindi tjetër ka shtetësi
tjetër, por të dy prindërit pajtohen me shkrim që fëmija të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Kjo dispozitë duhet të ushtrohet para moshës katërmbëdhjetë vjeçare të fëmiut.


Neni 7
3
Fitimi i shtetësisë me lindje në territorin e Republikës së Kosovës

7.1 Fëmija i gjetur ose i lindur në territorin e Republikës së Kosovës prindërit e të cilit janë të panjohur e
fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me rastin e lindjes, përkatësisht gjetjes.

7.2 Në rast se të paktën një prind i fëmijës të përcaktuar në paragrafin 1 identifikohet para se fëmija të
ketë mbushur moshën 7 vjeçare dhe prindi në fjalë nuk është shtetas i Republikës së Kosovës, me
kërkesë të prindit fëmija e humb shtetësinë e Republikës së Kosovës, me kusht që me humbjen e
shtetësisë së Republikës së Kosovës fëmija të mos mbetet pa shtetësi.

7.3 Fëmija i lindur brenda territorit të Republikës së Kosovës prindërit e të cilit kanë shtetësi tjetër por të
cilët kanë leje qëndrimi të vlefshme në Republikën e Kosovës mund të fitojë shtetësinë e Republikës së
Kosovës me pëlqimin e të dy prindërve.


2. Fitimi i shtetësisë me adoptim


Neni 8
Fitimi i shtetësisë me adoptim

Në rast të adoptimit nga prindërit të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, fëmija gëzon të drejtat e
fëmiut natyral.

3. Fitimi i Shtetësisë me Natyralizim


Neni 9
Dispozitat e përgjithshme për natyralizimin e personave te huaj

9.1 Personi i huaj e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me natyralizim nëse plotëson kushtet e
përcaktuara në nenin 10, 11, 12, 13 ose 14 të këtij ligji.

9.2 Natyralizimi bëhet i plotfuqishëm kur personit të natyralizuar i dorëzohet vendimi i plotfuqishëm për
fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës i lëshuar nga organi kompetent.

9.3 Pavarësisht prej plotësimit të kushteve të përcaktuara në nenet 10, 11, 12, 13 ose 14 të këtij ligji,
askush nuk mund të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës, nëse është i dënuar për vepër penale
brenda ose jashtë Republikës së Kosovës ose nëse dhënia e shtetësisë është në kundërshtim me
interesat e Republikës së Kosovës, në veçanti me ato të sigurisë së brendshme dhe të jashtme ose të
marrëdhënieve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

9.4 Dënimi për vepër penale në kuptimin e paragrafit 3 të këtij neni nuk përfshin:

a) dënimin për vepër penale me gjobë ose deri në gjashtë muaj heqje lirie, nëse gjykata ka
shqiptuar dënimin me kusht;
b) dënimin për vepër penale të shqiptuar nga një gjykatë e huaj nëse vepra në fjalë nuk
konsiderohet vepër penale në Republikën e Kosovës ose nëse dënimi është shqiptuar në bazë të
një procedure e cila nuk është konform standardeve evropiane të së drejtës penale, veçanërisht me
Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore; dhe
c) dënimin për vepër penale të shlyer në mënyrë legjitime nga evidenca e të dënuarve.

9.5 Organi kompetent e pezullon procedurën e natyralizimit nëse kundër personit i cili ka paraqitur
kërkesë për natyralizim janë duke u bërë hetime për vepër penale ose është duke u zhvilluar procedurë
gjyqësore për vepër penale, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
4

9.6 Procedura pezullohet deri në përfundimin e hetimeve, përkatësisht të procedurës gjyqësore.


Neni 10
Natyralizimi i personave të huaj

10.1 Personi i huaj e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me kërkesë të tij nëse në ditën e
paraqitjes së kërkesës plotëson kushtet vijuese:

a) është i moshës madhore;

b) është duke qëndruar rregullisht në Republikën e Kosovës qe pesë (5) vite dhe posedon leje të
vlefshme qëndrimi;

c) deklarohet dhe me sjelljen e tij gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës ka dëshmuar se pranon
rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës dhe se është i integruar në shoqërinë
kosovare përmes lidhjeve sociale, kulturore, shkencore, ekonomike ose profesionale. Kriteret do të
përcaktohen me akte nënligjore të nxjerra nga Ministria e Punëve të Brendshme;

d) posedon mjete materiale të mjaftueshme për të siguruar jetesën e vet dhe të personave për
mbajtjen e të cilëve është përgjegjës pa shfrytëzuar skemat e asistencës sociale;

e) i ka përmbushur të gjitha detyrimet financiare ndaj shtetit; dhe

f) ai/ ajo dëshmon njohuri elementare në njërën prej gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës.

10.2 Qëndrimi në Republikën e Kosovës konsiderohet i rregullt në kuptimin e paragrafit 1, pika b të këtij
neni, edhe nëse personi qëndron jashtë Republikës së Kosovës për periudha jo më të gjata se tre muaj.
Për periudha më të gjata se tre muaj nevojitet leja e organit kompetent.

10.3 Personi i huaj i moshës madhore mund të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës në bazë të
kërkesës së tij edhe nëse nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin 1 nëse kjo është në interes
të veçantë ekonomik, social, kulturor, sportiv, shkencor, politik apo profesional të Republikës së Kosovës.
Fitimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës sipas këtij neni bëhet me dekret të Presidentit të Republikës
së Kosovës.




Neni 11
Natyralizimi i bashkëshortit

11.1 Personi i huaj i cili është bashkëshort i shtetasit të Republikës së Kosovës e fiton shtetësinë e
Republikës së Kosovës në bazë të kërkesës, nëse në ditën e paraqitjes së kërkesës plotëson kushtet
vijuese:
a) të paktën tre (3) vite ka lidhje të vlefshme martesore me shtetasin e Republikës së Kosovës;
b) është duke jetuar rregullisht në Republikën e Kosovës për të paktën një (1) vit dhe posedon leje
të vlefshme qëndrimi.

11.2 Dispozitat e pikave a), c), d) dhe e) të paragrafit 1 të nenit 10 vlejnë të këtij ligji po ashtu edhe për
natyralizimin e bashkëshortit.


Neni 12
Natyralizimi i fëmijës së mitur të personit të natyralizuar

5
12.1 Fëmija i mitur i personit i cili ka paraqitur kërkesën për natyralizim e fiton shtetësinë e Republikës së
Kosovës kur prindi i tij e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës edhe nëse fëmija nuk i plotëson
kushtet e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 10 të këtij ligji. Kërkesa për natyralizimin e fëmijës së mitur
i bashkëngjitet kërkesës për natyralizim të parashtruar nga prindi.

12.2. Paragrafi 1 vlen edhe për personat e mitur të adoptuar.



Neni 13
Natyralizimi i pjesëtarit të diasporës të Republikës së Kosovës

13.1 Pjesëtari i diasporës të Republikës së Kosovës e fiton shtetësinë e Kosovës në bazë të kërkesës së
tij edhe nëse nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në pikat a), b), d), e) dhe f) të paragrafit 1 të nenit 10
të këtij ligji.

13.2 Pjesëtar i diasporës të Republikës së Kosovës konsiderohet çdo person i cili e ka qëndrimin e
ligjshëm dhe të rregullt jashtë Republikës së Kosovës por i cili dëshmon se ka lindur në Republikën e
Kosovës dhe se ka lidhje të ngushta familjare dhe ekonomike në Republikën e Kosovës.

13.3 Pjesëtar i diasporës të Republikës së Kosovës konsiderohet edhe secili person i cili është pasardhës
brenda një gjenerate i personit të përmendur në paragrafin 2 të këtij neni dhe i cili dëshmon se mban
lidhje familjare në Republikën e Kosovës.

13.4 Kriteret për përcaktimin e lidhjes së ngushtë familjare dhe ekonomike sipas paragrafëve 2 dhe 3 të
këtij neni caktohen nga organi kompetent me akt nënligjor.



Neni 14
Natyralizimi i personit që e ka humbur shtetësinë e Republikën e Kosovës

Personi i cili e ka humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës me lirim nga shtetësia mund të rifitojë
shtetësinë e Republikës së Kosovës me kërkesë të tij nëse i plotëson kushtet e përcaktuara në pikat c),
d) dhe e) të paragrafit 1 të nenit 10 të këtij ligji.



Neni 15
Revokimi i vendimit për natyralizim

15.1 Organi kompetent e revokon vendimin për natyralizimin nëse konstaton se vendimi është nxjerrë në
bazë të deklaratës së rrejshme ose të fakteve të fshehura.

15.2 Në rastin e natyralizimit sipas nenit 12 të këtij ligji, revokimi i vendimit për natyralizimin e prindit ka
për pasojë edhe revokimin e vendimit për natyralizimin e fëmiut të mitur.







6
KREU III
HUMBJA E SHTETËSISË



Neni 16
Mënyrat e humbjes së shtetësisë


Shtetësia e Republikës së Kosovës humbet:
a) me lirim nga shtetësia;
b) me privim të shtetësisë;
c) në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.


Neni 17
Lirimi nga shtetësia

17.1 Shtetasi i Republikës së Kosovës e humb shtetësinë e Republikës së Kosovës me lirim në
bazë të kërkesës së tij nëse i plotëson kushtet vijuese:

a) posedon shtetësinë e një shteti tjetër ose posedon garancionin e lëshuar nga organi kompetent i shtetit
tjetër se do të fitojë shtetësinë e shtetit në fjalë;
b) i ka përmbushur të gjitha detyrimet financiare ndaj shtetit dhe ndaj personave për ushqimin dhe
mbajtjen e të cilëve është përgjegjës sipas ligjit;
c) kundër tij nuk janë duke u zhvilluar hetime ose procedura gjyqësore për vepër penale dhe nuk është
duke vuajtur dënimin;

17.2 Kërkesa për lirim nga shtetësia refuzohet nëse shtetasi që kërkon lirimin nga shtetësia është
nëpunës civil, gjykatës, prokuror publik, pjesëtar i shërbimit policor ose pjesëtar i Forcës së Sigurisë së
Republikës së Kosovës.

17.3 Kërkesa mund të refuzohet nëse lirimi nga shtetësia është në kundërshtim me interesat e
Republikës së Kosovës, në veçanti me ato të sigurisë së brendshme dhe të jashtme ose të
marrëdhënieve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

17.4 Humbja e shtetësisë së Republikës së Kosovës me lirim bëhet e plotfuqishme në ditën kur organi
kompetent ia dorëzon personit që ka kërkuar lirimin nga shtetësia vendimin e plotfuqishëm për humbjen e
shtetësisë.



Neni 18
Lirimi nga shtetësia i personave te mitur

18.1 Personi i mitur nën moshën 14 vjeçare e humb shtetësinë e Republikës së Kosovës me lirim nëse
kjo kërkohet nga dy prindërit të cilët e kanë humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës me lirim, ose
nëse kjo kërkohet nga prindi i cili e ka humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës me lirim dhe prindi
tjetër nuk është shtetas i Republikës së Kosovës.

18.2 Paragrafi 1 i këtij neni vlen edhe për personat e mitur të adoptuar.
7



Neni 19
Revokimi i vendimit për lirim nga shtetësia

Organi kompetent e revokon vendimin për humbjen e shtetësisë me lirim nëse konstaton se vendimi
është nxjerrë në bazë të deklaratës së rrejshme ose të fakteve të fshehura.



Neni 20
Garancioni

20.1 Me kërkesë të shtetasit i cili kërkon lirimin nga shtetësia, organi kompetent ia lëshon shtetasit në
fjalë, një garancion me të cilin garantohet se shtetasi i plotëson të gjitha kushtet për lirim nga shtetësia të
përcaktuara në nenin 17, paragrafi 1, pikat b) dhe c) dhe se do të miratohet kërkesa për lirim nga
shtetësia nëse shtetasi në fjalë paraqet dëshmi për fitimin e shtetësisë së një shteti tjetër, përkatësisht
paraqet garancionin e lëshuar nga organi kompetent i shtetit tjetër se do të fitojë shtetësinë e këtij shteti
nëse lirohet nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

20.2 Garancioni vlen për një periudhë dy (2) vjeçare që nga dita kur i është dorëzuar shtetasit. Dispozitat
për revokimin të përcaktuara në nenin 19 zbatohen përshtatshmërisht për revokimin e garancionit.




Neni 21
Humbja e shtetësisë me privim

21.1 Pavarësisht të drejtës së personave për shtetësi të Republikës së Kosovës sipas Kapitullit V të këtij
ligji, organi kompetent mund të privojë shtetasin e Republikës së Kosovës nga shtetësia e Republikës së
Kosovës, nëse shtetasi posedon shtetësi tjetër dhe nëse merret me veprimtari, të cilat rrezikojnë sigurinë
kombëtare të Republikës së Kosovës.

21.2 Veprimtaritë, me të cilat cenohet rëndë siguria kombëtare e Republikës së Kosovës konsiderohen
në veçanti veprimtaritë vijuese:
a) kur shtetasi është qëllimisht anëtar i një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit
kushtetues të Republikës së Kosovës; ose
b) shtetasi ndërmerr veprime të cilat kanë për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të
Republikës së Kosovës; ose
c) shtetasi është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër dhe për këtë
nuk ka marrë pëlqimin nga organi kompetent ose nuk është i lejuar me marrëveshje ndërkombëtare.

21.3 Vendimi për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës mund të lëshohet edhe pa
pjesëmarrjen e personit në fjalë në procedurë.

21.4 Vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i plotfuqishëm kur vendimi i dorëzohet personit
në fjalë. Në rastet kur vendimi nuk mund të dorëzohet për arsye se organi kompetent nuk mund të
identifikojë vendndodhjen e personit, vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i plotfuqishëm në
ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
8



KREU IV
PROCEDURA ADMINISTRATIVE


Neni 22
Dispozitat e përgjithshme

Dispozita e Ligjit për Procedurën Administrative zbatohen në procedurat administrative të këtij ligji, përveç
nëse përcaktohet ndryshe me këtë ligj.


Neni 23
Parashtrimi i kërkesave

23.1 Kërkesat e përcaktuara në këtë ligj i parashtrohen organit kompetent.

23.2 Kërkesat mund të parashtrohen edhe pranë administratës komunale në territorin e së cilës
parashtruesi e ka vendbanimin. Në këtë rast, administrata komunale ka për detyrë t’ia përcjellë organit
kompetent kërkesën e parashtruar.

23.3 Në rast se parashtruesi e ka vendbanimin jashtë Republikës së Kosovës, kërkesa mund t’i
parashtrohet përfaqësisë më të afërt diplomatike, përkatësisht konsulare të Republikës së Kosovës në
regjion. Përfaqësia diplomatike, përkatësisht konsulare ka për detyrë t’ia përcjellë organit kompetent
kërkesën e parashtruar.



Neni 24
Regjistri i shtetaseve

24.1 Organi kompetent themelon dhe mban regjistrin e shtetasve të Republikës së Kosovës.

24.2 Në regjistrin e shtetasve regjistrohen të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe mënyra e
fitimit të shtetësisë si dhe të gjithë shtetasit të cilët e kanë humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës
përfshirë këtu edhe mënyrën dhe arsyet për humbjen e shtetësisë.

24.3 Hollësitë lidhur me mbajtjen e regjistrit të shtetësisë dhe përfshirjen e të dhënave të tjera në
regjistër përcaktohen me akt nënligjor nga organi kompetent.

24.4 Të dhënat personale të regjistruara në regjistrin e shtetasve mbahen, përdoren dhe procedohen
konform dispozitave të ligjit për mbrojtjen e të dhënave.

24.5 Shënimi apo mungesa e emrit në regjistër nuk është dëshmi e shtetësisë (shih nenin 26) apo
mungesës së shtetësisë.


9
Neni 25
Bashkëpunimi ndërkombëtar

Organi kompetent mund t’ia përcjellë një shteti tjetër statusin e shtetësisë të një shtetasi të Republikës së
Kosovës të regjistruar në regjistrin e shtetasve nëse plotësohen kushtet vijuese:
a) të dhënat kërkohen nga organi i shtetit tjetër që është kompetent për punë të shtetësisë dhe të
dhënat i përcillen vetëm këtij organi;
b) organi kompetent i shtetit tjetër kërkon statusin e shtetësisë të shtetasit të Republikës së Kosovës
për qëllime përkitazi me rregullimin e shtetësisë, për ndonjë çështje tjetër ku vënia në dispozicion e
të dhënave është pa dyshim në favor të personit të dhënat e të cilit kërkohen dhe
c) shteti, organi i të cilit kërkon statusin e shtetësisë dhe shtetet ku përdoren këto të dhëna, garanton
mbrojtjen e statusit të shtetësisë edhe për shtetasit e huaj.



Neni 26
Dëshmia e shtetësisë

Shtetësia e Republikës së Kosovës dëshmohet me certifikatë të lindjes të vlefshme, certifikate te
shtetësisë, letërnjoftim ose me pasaportën e Republikës së Kosovës.


Neni 27
Taksat administrative

27.1 Taksa administrative për dhënien e shtetësisë me natyralizim dhe për humbjen e shtetësisë me lirim
është 150 Euro, ndërsa për persona të mitur është 50 Euro.

27.2 Qeveria e Republikës së Kosovës mund të përcaktojë me akt nënligjor kategoritë e personave të
cilët për arsye sociale ose ekonomike lirohen nga detyrimi për pagesën e taksës administrative.



KREU V
DISPOZITAT KALIMTARE


Neni 28
Statusi i banorëve të përhershëm të Republikës së Kosovës

28.1 Çdo person i cili është i regjistruar si banor i përhershëm i Republikës së Kosovës konform
Rregullores së UNMIK-ut nr. 2000/13 për Regjistrin Qendror Civil konsiderohet shtetas i Republikës së
Kosovës dhe regjistrohet si i tillë në regjistrin e shtetasve.

28.2 Organi kompetent mund të verifikojë ligjshmërinë e regjistrimit të një personi si banor i përhershëm i
Republikës së Kosovës. Në rast të konstatimit se personi nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për regjistrim
si banor i Republikës së Kosovës, personi në fjalë e humb cilësinë e shtetasit të Republikës së Kosovës
dhe shlyhet nga regjistri i shtetasve.

10
28.3 Humbja e shtetësisë së Republikës së Kosovës sipas paragrafit 2 të këtij neni nuk e pengon
personin në fjalë të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës sipas origjinës, adoptimit, lindjes në
territorin e Republikës së Kosovës ose me natyralizim konform dispozitave të këtij ligji.



Neni 29
Shtetësia sipas Dokumentit për Statusin e Republikës së Kosovës

29.1 Të gjithë personat që me 1 janar 1998 kanë qenë shtetas të Republikës Federative të Jugosllavisë
dhe që me këtë datë e kanë pasur banimin e përhershëm në Republikën e Kosovës konsiderohen
shtetas të Republikës së Kosovës dhe regjistrohen si të tillë në regjistrin e shtetasve pa marrë parasysh
vendbanimin ose shtetësinë që posedojnë aktualisht.

29.2 Dispozita e paragrafit 1 të këtij neni vlen edhe për pasardhësit e drejtpërdrejt të personave të
përcaktuar në atë paragraf.

29.3 Regjistrimi i personave të përcaktuar në paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni në regjistrin e shtetasve
bëhet me kërkesë të personit që plotëson kushtet e parapara në këtë nen.

29.4 Organi kompetent përcakton me akt nënligjor kriteret në bazë të të cilave vërtetohet posedimi i
shtetësisë së Republikës Federative të Jugosllavisë dhe banimi i përhershëm në Republikën e Kosovës
me datën 1 janar 1998.

29.5 Organi kompetent do të përdorë kriteret e parapara në Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2000/13 mbi
Regjistrat Civil për të përcaktuar vendbanimin në Republikën e Kosovës më 1 janar 1998.

KREU VI
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Neni 30
Aktet nënligjore

Ministria e Punëve të Brendshme nxjerr aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e këtij ligji.

Neni 31

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen të gjitha aktet të tjera normative që rregullojnë çështjen e
shtetësisë në Republikën e Kosovës.

Neni 32
Hyrja ne fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë ( 15 ) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës

Me datën : 20.02.2008