GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 24 / 01 MAJ 2008
LIGJI NR. 02/L-65
LIGJI CIVIL KUNDËR SHPIFJES DHE FYERJES
Kuvendi i Kosovës,
Në mbështetje të Kreut 5.4 (a) dhe 9.1.26 (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të
Përkohshme në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut Nr. 2001/9 e dt. 15 maj 2001),
Me qëllim të promovimit të një shoqërie tolerante dhe demokratike në Kosovë përmes respektimit
të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si dhe të lirisë së shprehjes dhe për
parandalimin e gjuhës së shpifjes dhe fyerjes,
Miraton:
LIGJIN CIVIL KUNDËR SHPIFJES DHE FYERJES
Kapitulli I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i Ligjit
Ky Ligj ka për qëllim të rregullojë përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje duke siguruar:
a) Të drejtën e lirisë së shprehjes siç garantohet me Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje
të Përkohshme në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut Nr. 2001/9 të dt. 15 maj 2001) dhe me
Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.
b) Rregullat që kanë të bëjnë me shpifjen dhe fyerjen të mos vënë kufij të paarsyeshëm mbi
lirinë e shprehjes duke përfshirë edhe publikimin dhe diskutimin e çështjeve me interes të
rëndësishëm për publikun.
c) Kompensime efektive dhe të përshtatshme për personat të cilëve u është dëmtuar
reputacioni nga shpifja dhe fyerja.
d) Që mjetet e informimit publik të kenë rol të rëndësishëm në procesin demokratik si
vëzhgues publik dhe transmetues i informatave te publiku.
Neni 2
Interpretimi i Ligjit
2.1. Ky Ligj do të interpretohet në mënyrën e cila siguron se aplikimi i dispozitave të tij e
maksimalizon parimin e lirisë së shprehjes dhe do të jetë në pajtim me Konventën Evropiane për
Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, siç zbatohet në praktikat ligjore të
Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
2.2. Në rast të ndonjë konflikti në mes të këtij ligji dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të
Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, do të zbatohet Konventa dhe praktika ligjore e Gjykatës
Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Neni 3
Përkufizimet
2
Shprehjet e përdorura në këtë Ligj kanë kuptimet që vijojnë:
a) Shpifja nënkupton publikimin e një fakti ose deklarate të pavërtetë të cilën publikuesi e din ose
është dashur ta dijë se fakti dhe deklarata është e pavërtetë, kuptimi i së cilës dëmton
reputacionin e një personi tjetër.
b) Fyerja nënkupton deklarimin, sjelljen, publikimin e deklaratës të drejtuar ndaj një personi tjetër
e cila është nënçmuese.
c) Publikimi nënkupton përhapjen e shprehjes me shkrim ose gojarisht, përmes mediave të
shkruara ose transmetuese apo përmes mjeteve tjera, shprehje të cilën e ka lexuar ose dëgjuar
së paku një person i tretë.
d) Publikues nënkupton personin i cili bënë publikimin.
e) Autor nënkupton personin i cili kryen shprehjen në kuptim të pikës a dhe b të këtij neni.
f) Redaktor nënkupton personin e emëruar nga botuesi i cili është përgjegjës për ushtrimin e
kontrollit mbi përmbajtjen e publikimit.
g) Fëmijë nënkupton personin i cili nuk i ka mbushur 18 vjet.
h) Person nënkupton personat fizik dhe personat juridik.
i) Autoritet publik nënkupton personin juridik që ushtron pushtetin publik.
j) Zyrtar publik nënkupton ç’do person i cili ushtron autorizime publike për një autoritet publik.
k) Çështje e interesit publik nënkupton çdo çështje e cila është në interes të publikut të
publikohet duke përfshirë por duke mos u kufizuar në çështjet që kanë të bëjnë me të gjitha degët
e pushtetit, politikë, shëndetësi dhe siguri publike, zbatim të ligjit, administrim të drejtësisë,
interes të konsumatorëve dhe interes shoqëror, ambient, çështje ekonomike, ushtrim të pushtetit,
shkencë, art dhe kulturë.
Kapitulli II
MASAT PËR MBROJTJEN NGA SHPIFJA DHE FYERJA
Neni 4
Veprimi kundër shpifjes dhe fyerjes
4.1. Një person ka të drejtë të kërkojë përmes procedurës gjyqësore të ndalë shpifjen dhe fyerjen
dhe premtimin se shpifja apo fyerja nuk do të përsëritet në të ardhmen, tërheqjen e informacionit
shpifës apo fyes ndaj personalitetit të tij/saj dhe kompensimin për dëmin moral dhe material të
shkaktuar nga shpifja dhe fyerja, përveç nëse është konstatuar njëra nga përjashtimet e
përgjegjësisë në pajtim me këtë Ligj.
4.2. Në qoftë se shpifja dhe fyerja është kryer përmes një mediumi masiv, patjetër duhet të
demantohet në të njëjtin medium masiv dhe ti ipet rëndësia e njëjtë. Përgënjeshtrimi do të
publikohet brenda tetë (8) ditëve pas pranimit të kërkesës relevante në rastin e gazetave ditore
dhe në të njëjtën faqe ku është publikuar shpifja dhe fyerja, në botimin e ardhshëm të një botimi
periodik apo një agjencie telegrafike dhe brenda tetë (8) ditëve në të njëjtën mënyrë ose në të
njëjtën kohë të ditës në rastin e informacionit të transmetuar.
4.3. Në rastin kur informacioni shpifës ose fyes është i drejtuar ndaj një fëmije, prindi ose
kujdestari i tij ligjorë mund tё inicojë procedurën kundër shpifjes dhe fyerjes para gjykatës
kompetente sipas këtij Ligji.
4.4. Në rastin kur informacioni shpifës ose fyes është i drejtuar ndaj një të vdekuri, trashëgimtari i
shkallës së parë të tij mund të inicojë procedurën kundër shpifjes dhe fyerjes para gjykatës
3
kompetente sipas këtij Ligji, me kusht që shpifja dhe fyerja i ka shkaktuar dëm reputacionit të
trashëgimtarit.
Kapitulli III
PËRGJEGJËSIA
Neni 5
Përgjegjësia për shpifje dhe fyerje
5.1. Një person është përgjegjës për shpifje ose fyerje në qoftë se ai/ajo ka kryer ose përhapur
shprehjen e shpifjes ose fyerjes përveç nëse është konstatuar njëra nga përjashtimet e
përgjegjësisë në pajtim me këtë Ligj.
5.2. Për shpifjen ose fyerjen e kryer përmes subjekteve mediale, personat që vijojnë janë
bashkëpërgjegjës ose përgjegjës individual: autori, redaktori, ose publikuesi apo dikush që
ndryshe nga ata ushtrojnë kontroll mbi përmbajtjen e saj.
5.3. Kur shpifja ose fyerja ka të bëjë me një çështje të interesit publik ose kur personi i shpifur ose
fyer është ose ka qenë zyrtar publik ose është kandidat për një pozitë publike, mund të ketë
përgjegjësi për shpifje ose fyerje vetëm nëse autori ka ditur se informacioni ka qenë i rrejshëm
ose ka vepruar me mospërfillje të pamatur për vërtetësinë e tij.
5.4. Autoritetet publike ndalohen nga paraqitja e kërkesës për kompensim për dëmin e shkaktuar
nga shpifja ose fyerja. Zyrtarët publikë mund të paraqesin kërkesë për kompensim e dëmit nga
shpifja apo fyerja privatisht dhe ekskluzivisht në kapacitetin e tyre personal.
Kapitulli IV
RASTET E PËRJASHTIMIT NGA PËRGJEGJËSIA
DHE KUFIJTË E PËRGJEGJËSISË
Neni 6
Prova e të vërtetës
6.1. Në të gjitha veprat për shpifje dhe fyerje, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me çështje
të interesit publik, i padituri do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës
së tij dhe konstatimi nga gjykata se një nga deklaratat e fakteve që vihen në dyshim është në
thelb e vërtetë e përjashton të paditurin nga çdo përgjegjësi.
6.2. Nё veprat e shpifjes dhe fyerjes që përfshijnë deklarata të një interesi publik, i padituri do të
mbajë barrën e provave se ai/ajo ka vepruar me përgjegjësi në publikimin e deklaratës.
Konstatimi nga gjykata se i padituri ka vepruar me përgjegjësi në publikimin e deklaratës, do të
përjashtojë të paditurin nga çdo përgjegjësi, përveç nëse i padituri ka ditur se deklarata ka qenë e
rrejshme apo ka vepruar me mospërfillje të pamatur për vërtetësinë e deklaratës.
Neni 7
Publikimet e arsyeshme
Askush nuk do të jetë përgjegjës për shpifje dhe fyerje për një deklaratë të një çështjeje me
interes publik, nëse ata dëshmojnë se ishte e arsyeshme në të gjitha rrethanat për një person në
pozitën e tyre të përhapte materialin me qëllim të mire, duke marrë parasysh rëndësinë e lirisë së
shprehjes në lidhje me çështje të interesit publik që ai të marrë në kohë informacion për çështje
të tilla.
Neni 8
Opinionet
4
Askush nuk do të jetë përgjegjës për shpifje dhe fyerje për një deklaratë të cilën gjykata e ka
vlerësuar të jetë një deklarim i opinionit, me kusht që opinioni të jetë shprehur me qëllim të mirë
dhe të jetë bazuar në ndonjë fakt.
Neni 9
Imuniteti
Deklaratat e dhëna nuk bartin përgjegjësi në bazë të këtij Ligji nëse i padituri dëshmon se ato
janë bërë në cilën do nga rrethanat në vijim:
a) çdo deklaratë e bërë gjatë punimeve të organeve legjislative, duke përfshirë anëtarët e
zgjedhur, si në debatet e hapura ashtu edhe në komisione, dhe nga dëshmitarët e thirrur
për tu dhënë dëshmi komisioneve parlamentare;
b) çdo deklaratë e bërë gjatë punimeve në organet e pushtetit lokal nga anëtarët e këtyre
organeve;
c) çdo deklaratë e bërë gjatë çdo faze të procedurave paragjyqësore, gjyqësore ose
administrative, nga cilido që është përfshirë direkt në këtë procedurë, përveç rasteve kur
provohet se deklarata në fjalë nuk lidhet fare me procesin gjyqësor;
d) çdo deklaratë e bërë para Avokatit të Popullit;
e) çdo dokument që urdhërohet të publikohet nga një organ legjislativ;
f) çdo njoftim ose material i dhënë për informimin e publikut nga një organizatë
ndërkombëtare ose konferencë ndërkombëtare;
g) çdo njoftim ose material i dhënë për informimin e publikut nga çdo organ që kryen
funksione qeveritare ose statutare, duke përfshirë dhe policinë;
h) një raportim i drejtë dhe i saktë nga çdo material që përmbahet në paragrafët (a) - (g) të
këtij neni;
i) një raportim i drejtë dhe i saktë i çdo materiali që përbën një dokument zyrtar, ku statusi i
këtij dokumenti arsyeton përhapjen e materialit, siç janë dokumentet zyrtarë të dala nga një
hetim publik, ose nga një gjykatë ose legjislacion i huaj;
j) një raportim i drejtë dhe i saktë i procesit të çdo tubimi publik të ligjshëm në Kosovë;
k) një raportim i drejtë dhe i saktë i punës ose dokumenteve zyrtare të punëve të pushtetit
publik; ose
l) një raportim i drejtë dhe saktë mbi konstatimet ose vendimet e një shoqate që ka
formalisht kompetencën e të gjykuarit ose të kontrollit me qëllimin për të ndihmuar artin,
shkencën, fenë, arsimin, tregtinë, biznesin, industrinë, sportet, argëtimin ose çështjet e
bamirësisë si dhe profesionet e tjera.
Neni 10
Imuniteti i kushtëzuar
Askush nuk do të jetë përgjegjës për shpifje dhe fyerje për deklaratën e bërë në kryerjen e
detyrës ligjore, morale ose shoqërore në lidhje me çështjen të cilën i padituri dhe atyre të cilëve i
padituri ua ka publikuar deklaratën kanë pasur interesin e përbashkët korrespondues, përveç
nëse paditësi mund të dëshmojë se deklarata është bërë me keqdashje.
5
Neni 11
Kufijtë e përgjegjësisë
11.1. Askush nuk do të jetë përgjegjës për shpifje dhe fyerje për një deklaratë për të cilën ai ose
ajo nuk kanë qenë autor, redaktor ose botues dhe ai ose ajo nuk kishte dijeni, dhe nuk ekziston
arsye të besohet, se ai ose ajo kontribuan në përhapjen e shpifjes dhe fyerjes.
11.2. Në lidhje me një deklaratë të posaçme, personat, funksioni i veçantë i të cilëve është i
kufizuar për sa i përket sigurimit të mundësisë teknike për tu lidhur në Internet dhe të
transmetojnë të dhëna me anë të Internetit, ose për të ruajtur plotësisht ose pjesërisht një
websajt, nuk do të jenë përgjegjës për shpifje dhe fyerje në lidhje me këtë deklaratë, me kusht që
gjykata të ketë vendosur se ata persona kanë ndërmarrë masat e arsyeshme për të shmangur
publikimin e materialit.
11.3. Një person nuk do të mendohet se ka dhënë një deklaratë për qëllimet e paragrafit 2 të këtij
neni, vetëm sepse dikush ka pretenduar se deklarata përbën shpifje dhe fyerje.
11.4. Paragrafi 2 i këtij neni nuk do të zbatohet, në kontekstin e një vepre shpifëse apo fyese, tek
cilado shkallë gjyqësore që përfshin personin në fjalë dhe kërkon nga ai që të ndërmarrë veprime
për të parandaluar publikimin e mëtejshëm të një deklarate.
11.5. Për publikimet e medias për të cilat mund të thuhet se publikohen me baza të
vazhdueshme, siç janë websajtet në Internet, publikimi në një vend, në një formë, do të
konsiderohen se janë një publikim i vetëm.
Kapitulli V
DETYRIMI PËR TË ZBUTUR DËMIN DHE E DREJTA PËR REAGIM
Neni 12
Detyrimi për të zbutur dëmin
Para parashtrimit të një padie sipas këtij Ligji, një person që pretendohet të jetë i dëmtuar do të
ndërmarrë të gjitha masat e arsyeshme për të zbutur çdo dëm të shkaktuar nga shprehja. Në
veçanti, paditësi do të kërkojë përmirësimin e asaj shprehje nga personi i cili pretendohet të ketë
shkaktuar dëmin. Veprimet e tilla mund të përfshijnë kërkesën e përmirësimit të shprehjes së
supozuar shpifëse apo fyese nga publikuesi dhe paraqitjen e kërkesës para organit kompetent
rregullativ sikurse (Komisioni i Pavarur për Media) ose Organi vetërregullativ sikurse (Këshilli për
Mediat e Shtypura).
Neni 13
E drejta për reagim
13.1. Çdo person, pa dallim shtetësie ose vendbanimi, që përmendet në një gazetë, botim
periodik, transmetim radioje ose televizioni, ose në çdo media tjetër të një natyre periodike, për të
cilin ose për cilat fakte janë bërë të disponueshme për publikun të cilat ai i deklaron që janë të
pasakta, mund të ushtrojë të drejtën e reagimit për të korrigjuar faktet që shqetësojnë atë person.
13.2. Me kërkesën e parashtruesit, media në fjalë është e detyruar të publikojë përgjigjen që
parashtruesi i ka dërguar asaj.
13.3. Si përjashtim, publikimi i përgjigjes mund të refuzohet ose redaktohet nga media në rastet
që vijojnë:
a) nëse kërkesa për publikimin e përgjigjes nuk i dërgohet medias brenda shtatë (7 ) ditësh
nga dita kur ka kuptuar për publikimin;
b) nëse gjatësia e përgjigjes e tejkalon atë që është e nevojshme për të korrigjuar
informacionin që përmbante faktet që pretendohet të jenë të pasakta;
c) nëse përgjigja nuk kufizohet në korrigjimin e fakteve të vëna në dyshim;
d) nëse ajo përbën një ofendim të dënueshëm;
e) nëse ajo konsiderohet në kundërshtim me interesat e mbrojtura me ligj të një pale të tretë;
6
f) nëse individi i prekur nuk mund të provojë ekzistencën e një interesi të ligjshëm.
13.4. Publikimi i përgjigjes duhet të bëhet pa vonesë në kohë dhe ti jepet e njëjta rëndësi që i
është dhënë informacionit që përmbante faktet që pretendohet se janë të pasakta.
13.5. Interpretimi i dispozitave në këtë nen për të drejtën e reagimit do të bëhen në pajtueshmëri
me rekomandimet e adoptuara nga Këshilli i Evropës.
13.6. Me rastin e vlerësimit të lartësisë së dëmit të shkaktuar, Gjykata do të vendosë nëse ofrimi
apo zbatimi nga pala përgjegjëse i të drejtës për reagim, përmirësim, tërheqje apo kërkim falje,
ka qenë përmirësim i mjaftueshëm për të përmbushur ankesën apo nëse përmirësimi i tillë mund
të konsiderohet rrethanë lehtësuese.
Kapitulli VI
KOMPENSIMI PËR SHPIFJEN DHE FYERJEN
Neni 14
Kompensimi për shpifjen
14.1. Kompensimi do të jetë proporcional me dëmin e shkaktuar dhe do të caktohet vetëm me
qëllim të korrigjimit të dëmit të shkaktuar ndaj reputacionit të personit në fjalë, ose për të
kompensuar çfarëdo humbje të provueshme aktuale financiare apo dëmi material. Gjatë
përcaktimit të kompensimit, gjykata është e detyruar të marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit,
në veçanti çfarëdo mase të ndërmarrë për të zbutur dëmin nga personat e përmendur në nenin
5.2 të këtij Ligji.
14.2. Kompensimi për humbjet reale financiare, ose dëme materiale, të shkaktuara nga një
shpifje do të caktohet nga gjykata vetëm kur humbja është konstatuar në mënyrë të veçantë.
14.3. Lartësia e kompensimit për dëmin jo material ose dëmin që nuk mund ti përcaktohet lartësia
në vlera monetare, të shkaktuar nga shpifja, do të caktohet nga gjykata duke marrë parasysh
peshën e dëmit të shkaktuar nga shpifja dhe gjendjen materiale të personit i cili ka shkaktuar
shpifjen.
14.4. Në rastet kur gjykatat caktojnë lartësinë e kompensimit në të holla në bazë të paragrafëve 2
dhe 3 të këtij neni, duhet të marrin parasysh çdo kompensim vullnetar ose që nuk është në të
holla, si dhe të pasojave të mundshme cenuese të vendimit gjyqësor ndaj lirisë së shprehjes.
14.5. Personat e përmendur në nenin 5.2 të këtij Ligji munden në përmirësimin e dëmit, të
vërtetojnë se ata kanë bërë ose kanë ofruar të bëjnë kërkim falje, apo përmirësim për çfarëdo
shpifje para fillimit të veprimit për dëmtim, ose sa më shpejtë pas kësaj sapo ata të ketë pasur
mundësi. Zbatueshmëria e urdhrave ose udhëzimeve nga Këshilli për Shtyp ose ndonjë organi
relevant rregullativ, do të konsiderohet si një rrethanë lehtësuese në caktimin e kompensimit të
dëmit jomaterial.
Neni 15
Kompensimi për fyerjen
15.1. Kompensimi për fyerje mund të caktohet vetëm në rast se personat në kuptim të nenit 5.2 të
këtij Ligji nuk e përmbushin obligimin për të hedhur poshtë informacionin, ose në rast se e
përsërisin informacionin fyes pas një urdhërese gjyqësore që ndalon përsëritjen e tillë.
15.2. Me qëllim të zvogëlimin e dëmit, personat në kuptim të nenit 5.2 të këtij Ligji munden të
vërtetojnë se kanë kërkuar faljeje ose ka ofruar të kërkojë falje për çfarëdo fyerje para fillimit të
veprimit për dëmtim ose sa më shpejtë pas kësaj sapo ata të kenë pasur mundësi.
Zbatueshmëria e urdhrave ose udhëzimeve nga Këshilli për shtyp ose ndonjë organi relevant
rregullativ, do të konsiderohet si një rrethanë lehtësuese në caktimin e kompensimit të dëmit jo
material.
7
Neni 16
Urdhëresat Gjyqësore
16.1. Një person ka të drejtë të kërkojë në procedurën gjyqësore të ndalet shpifja dhe fyerja dhe
tërheqjen e informacionit shpifës dhe fyes lidhur me personalitetin e tij/saj si dhe premtimin se
shpifja dhe fyerja nuk do të përsëritet në të ardhmen përveç nëse është konstatuar njëra nga
përjashtimet e përgjegjësisë në pajtim me këtë Ligj.
16.2. Urdhëresat gjyqësore paraprake për të ndaluar përhapjen apo përhapjen e mëtejshme të
informacionit, mund të lëshohen vetëm kur publikimi tanimë është kryer dhe kur personi që
pretendohet të jetë i dëmtuar mund të sigurojë se informacioni i ka shkaktuar dëm reputacionit të
tij apo të saj, dhe se individi që pretendohet të jetë i dëmtuar do të pësojë dëmtim të
pazëvendësueshëm si rezultat i përhapjes së mëtejshme.
16.3. Urdhëresat gjyqësore të përhershme për ndalimin e përhapjes apo përhapjes së
mëtejshme, mund të aplikohen vetëm ndaj shprehjeve specifike që konstatohet se janë shpifëse
apo fyese dhe ndaj autorëve ose mediumeve masive specifike të cilat kryejnë ose përhapin
shprehjen.
Kapitulli VII
AFATET, MBROJTJA E BURIMEVE DHE GJYKATA KOMPETENTE
Neni 17
Afatet
17.1. Afati për paraqitjen e një kërkese për kompensim në bazë të këtij Ligji është tre (3) muaj,
nga dita kur personi që pretendohet të jetë i dëmtuar është vënë në dijeni ose duhet të jetë vënë
në dijeni për shprehjen e faktit të pavërtetë dhe identitetin e autorit, dhe në asnjë rast nuk duhet
të kalojë një (1) vit, nga dita kur shprehja është bërë publike.
17.2. Nëse personi që pretendon se është dëmtuar vdes pas fillimit, por përpara përfundimit të
procedurës gjyqësore, trashëgimtari i tij ose i saj i shkallës së parë mund ta vazhdojë procedurën
në emër të të ndjerit, nëse trashëgimtari i bën padi Gjykatës brenda tre (3) muajve, nga data e
vdekjes së personit që pretendohet se është dëmtuar.
Neni 18
Mbrojtja e burimeve
18.1. Asnjë të padituri për një vepër të shpifjes apo fyerjes sipas këtij Ligji, nuk do ti kërkohet që
të zbulojë një burim të fshehtë informacioni.
18.2. Nuk do të nxirret asnjë konkluzion i pafavorshëm nga fakti që një i paditur për një vepër të
shpifjes apo fyerjes sipas këtij Ligji, refuzon të zbulojë një burim të fshehtë informacioni.
18.3. Gjykata mund të kërkojë nga i padituri për një veprim shpifës apo fyes sipas këtij Ligji, të
zbulojë informacionin relevant në përcaktimin e vërtetësisë së materialit të publikuar, por pa e
identifikuar burimin.
Neni 19
Gjykata kompetente
Për paditë për shpifjet dhe fyerjet në kuptim të këtij Ligji, vendosë gjykata kompetente.
8
Kapitulli VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 20
Nëse procedura lidhur me lëndët që rregullohen nga ky Ligj, është filluar por nuk është
përfunduar me vendim të plotfuqishëm të gjykatës kompetente deri në ditën e hyrjes në fuqi të
këtij Ligji, do të vazhdohet në pajtim me Ligjin që ishte në fuqi kur është filluar procedura.
Neni 21
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes nga Pёrfaqёsuesi
Special i Sekretarit tё Pёrgjithshёm.
UNMIK/REG/2007/13
28.02.2007