MARRËVESHJE NË MES TË QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE QEVERISË SË ANTIGUA DHE BARBUDA PËR HEQJEN RECIPROKE TË VIZAVE



MARRËVESHJE
në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe
Qeverisë së Antigua dhe Barbuda
për heqjen reciproke të vizave


Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Antigua dhe Barbuda (më tej
referohen si “palët kontraktuese”), duke dëshiruar të fuqizohet miqësia dhe
bashkëpunimi në mes të Republikës së Kosovës dhe Antigua dhe Barbuda, dhe me
qëllim të thjeshtësimit të formaliteteve të udhëtimit për shtetasit e Republikës së
Kosovës dhe Antigua dhe Barbuda, pajtohen si në vijim:

Neni 1
Shtetasit e shteteve të palëve kontraktuese të cilët posedojnë dokumente të
vlefshme të udhëtimit të paraqitur në shtojcën e kësaj marrëveshje hyjnë, qëndrojnë,
dalin dhe kalojnë transit në territorin e shtetit të palës tjetër kontraktuese pa viza, me
kusht që periudha e qëndrimit të tyre të mos jetë më e gjatë se nëntëdhjetë (90) ditë
brenda periudhës prej njëqind e tetëdhjetë (180) ditëve; dhe se ata nuk merren me
ndonjë aktivitet të punësimit, përfshirë vetëpunësimin, apo ndonjë aktivitet tjetër
privat.

Neni 2
Shtetasit e shteteve të palëve kontraktuese, të cilët kanë për qëllim të hyjnë në
territorin e shtetit të palës tjetër kontraktuese për një periudhë e cila është më e gjatë se
nëntëdhjetë (90) ditë, pavarësisht qëllimit të udhëtimit duhet të marrin vizë në misionin
diplomatik apo postin konsullor të shtetit të palës kontraktuese tjetër para hyrjes në
territorin e saj.

Neni 3
Shtetasit e shteteve të secilës palë kontraktuese, të cilët janë anëtarë të misioneve
diplomatike, posteve konsullore si dhe të përfaqësueseve të organizatave
ndërkombëtare, të cilat ndodhen në territorin e shtetit të palës kontraktuese tjetër, dhe
anëtarët e familjeve të tyre të cilët kanë pasaportë të vlefshëm diplomatikë, zyrtare apo
të shërbimit lirohen nga kërkesa për viza për të hyrë, qëndruar, dalë apo për të kaluar
transit nëpër territorin e shtetit të palës kontraktuese tjetër gjatë periudhës së ushtrimit
të detyrës së tyre.




Neni 4
1. Shtetasit e shteteve të palëve kontraktuese, në rast të humbjes apo dëmtimit të
dokumenteve të vlefshme të udhëtimit të paraqitur në shtojcën e kësaj marrëveshje
gjatë qëndrimit në territorin e shtetit të palës kontraktuese tjetër, menjëherë i njoftojnë
autoritet kompetente të këtij shteti, i cili në këtë rast e lëshon një vërtetim me të cilin e
bënë të ditur pranimin e njoftimit për humbjen e dokumentit të përmendur.
2. Misionet diplomatike apo postet konsullore të shteteve të palëve kontraktuese
i pajisin personat e referuar në paragrafin 1 të këtij neni me dokumente të vlefshme të
udhëtimit për t’u kthyer në shtetin e tyre.

Neni 5
Shtetasit e shteteve të palëve kontraktuese të cilët kanë dokumente të vlefshme të
udhëtimit të paraqitur në shtojcën e kësaj marrëveshje hyjnë, dalin dhe kalojnë transit
nëpër territorin e shtetit të palës kontaktuese tjetër nëpërmjet pikave të kontrollit kufitar
në pajtim me ligjet e shteteve të palëve kontraktuese.

Neni 6
Kjo marrëveshje nuk i liron personat e referuar në nenin 1 të kësaj marrëveshje
nga detyrimi për t’i respektuar të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi në territorin e palës
tjetër kontraktuese gjatë qëndrimit të tyre.

Neni 7
Secila palë kontraktuese e rezervon të drejtën për të refuzuar hyrjen, shkurtimin e
periudhës së qëndrimit apo të ndërpresë qëndrimin në territorin e saj për personat e
referuar në nenin 1 të kësaj marrëveshje, të cilët njihen si persona non grata apo të
papranueshëm apo të cilët e rrezikojnë rendin publik, shëndetin publik ose sigurinë
publike.

Neni 8
1. Palët kontraktuese, nëpërmjet kanaleve diplomatike i shkëmbejnë mostrat e
dokumenteve të udhëtimit të paraqitura në shtojcën 1 të kësaj marrëveshje jo më vonë
se tridhjetë (30) ditë nga data e nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
2. Në rast të prezantimit të dokumenteve të reja të udhëtimit të paraqitura në
shtojcën 1 të kësaj marrëveshje apo të ndonjë ndryshimi tek ato të vlefshme, palët
kontraktuese menjëherë e njoftojnë njëra tjetrën dhe nëpërmjet kanaleve diplomatike i
shkëmbejnë mostrat e dokumenteve të tilla të udhëtimit, jo më vonë se tridhjetë (30)
ditë para hyrjes në fuqi të tyre.




Neni 9
Çfarëdo kontesti në mes të palëve kontraktuese që rrjedhë nga interpretimi ose
zbatimi i kësaj marrëveshje zgjidhet përmes konsultimeve dhe negociatave.

Neni 10
1. Secila palë kontraktuese mund të pezullojë këtë marrëveshje në tërësi apo në
pjesë të caktuara për arsye të sigurisë publike, mbrojtjes së rendit publik apo shëndetit
publik. Vendimi për pezullim i komunikohet palës tjetër kontraktuese nëpërmjet
kanaleve diplomatike, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë para pezullimit të tillë.
2. Pala kontraktuese e cila vendosë të pezullojë zbatimin e kësaj marrëveshje për
arsyet e referuara në paragrafin 1 të këtij neni, e njofton palën tjetër kontraktuese për
rifillimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, nëpërmjet kanaleve diplomatike.

Neni 11
1. Kjo marrëveshje lidhet për periudhë të pacaktuar dhe hyn në fuqi në ditën e
tridhjetë (30-të) nga data e pranimit të njoftimit të fundit me shkrim nëpërmjet kanaleve
diplomatike, i cili deklaron se palët kontraktuese i kanë përfunduar procedurat e
brendshme të kërkuara me anë të kësaj marrëveshje.
2. Kjo marrëveshje mund të ndryshohet me anë të pajtimit reciprok i paraqitur me
shkrim nga palët kontraktuese. Çfarëdo ndryshimi apo plotësimi për të cilin pajtohen
palët kontraktuese hyn në fuqi në përputhje me paragrafin 1 të këtij neni.
3. Secila nga palët kontraktuese mund të ndërpresë këtë marrëveshje duke ia
dërguar palës kontraktuese tjetër një njoftim me shkrim nëpërmjet kanaleve
diplomatike. Në atë rast, ndërprerja hyn në fuqi në ditën e nëntëdhjetë (90-të) nga data
e pranimit të njoftimit të përmendur nga pala kontraktuese tjetër.

E lidhur në Uashington, Distrikti i Kolumbisë, më 24 korrik 2019, në dy kopje
origjinale, në gjuhën angleze.

[Nënshkrimi] [Nënshkrimi]

Për Qeverinë e
Republikës së Kosovës

[Vula]
Për Qeverinë e
Antigua dhe Barbuda

[Vula]







SHTOJCA E MARRËVESHJES
në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe
Qeverisë së Republikës së Antigua dhe Barbuda
për heqjen reciproke të vizave


Lista e dokumenteve të udhëtimit të lëshuara për shtetasit e Republikës së
Kosovës për hyrje, dalje, kalim transit dhe qëndrim në territorin e Antigua dhe
Barbuda:

- Pasaporta e Republikës së Kosovës
- Pasaporta Diplomatike e Republikës së Kosovës
- Pasaporta Zyrtare e Republikës së Kosovës
- Dokumenti i Udhëtimit për kthim në Republikën e Kosovës (vetëm për kthim në
Republikën e Kosovës)

Lista e dokumenteve të udhëtimit të lëshuara për shtetasit e Antigua dhe Barbuda
për hyrje, dalje, kalim transit dhe qëndrim në territorin e Republikës së Kosovës:

- Pasaporta e Antigua dhe Barbuda;
- Pasaporta Zyrtare e Antigua dhe Barbuda;
- Pasaporta Diplomatike e Antigua dhe Barbuda;
- Dokumenti i Udhëtimit për kthim në Antigua dhe Barbuda (vetëm për kthim në
Antigua dhe Barbuda)