GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI II / NR. 17 / 01 TETOR 2007
LIGJI Nr. 2003 / 9
LIGJI PËR KOOPERATIVAT E BUJQËVE
Kuvendi i Kosovës
Duke u bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2001/9 dt.15 maj 2001 për Kornizën Kushtetuese
për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë, nenet 9.1 .26 (a ) dhe 5.1 (j) .
Me qëllim të rregullimit të themelimit dhe të punës së Kooperativave të bujqëve e në funksion të
zhvillimit të bujqësisë dhe ritjes së produktivitetit të punës së bujqëve, miraton ligjin vijues:
Neni 1
Definicionet
Termet që përdoren për nevoja të këtij ligji kanë domethënien si vijon:
“Kooperativë e Bujqëve” ose “Kooperativë” nënkupton një entitet ligjor të krijuar nga personat
fizikë apo juridik të cilët duhet të jenë të gjithë bujq që kontribuojnë me pronën e vet private në
kapitalin aksionar. Kooperativa ofron shërbime për antarët e saj dhe nuk bazohet në krijimin e
fitimit për vete. Së paku 75% i qarkullimit bruto të Kooperativës rrjedh prej aktiviteteve me
anëtarët.
“Aktivitetet me Anëtarë” do të thotë përmbushja i cilitdo nga aktivitetet e më poshtme nga
kooperativa:
-Furnizimi me impute dhe makineri të domosdoshme për aktivitete bujqësore të anëtarëve të saj;
-Grumbullimi i prodhimeve prej anëtarëve të saj, për t’i shitur në gjendje natyrore ose pas
përpunimit;
-Në të mirë të anëtarëve të saj, kryen shërbimet e domosdoshme për aktivitetet e tyre bujqësore;
-Blerja e makinerisë për përdorim të përbashkët nga anëtarët e saj për nevojat e tyre bujqësore;
dhe
- Në përgjithësi, në emër të anëtarëve të saj përmbush aktivitete që zgjerojnë aktivitetet e tyre
bujqësore dhe vetëm për qëllime të aktiviteteve bujqësore.
“Bujk” do të thotë personi fizik i cili kryen një aktivitet bujqësor si aktivitet të tij kryesor profesional
ose subjekt juridik që kryen një aktivitet bujqësor si aktivitet të vetëm.
“Person” do të thotë personi fizik ose juridik.
“Anëtar i Kooperativës” do të thotë personi, i cili është bujk, që ka kontribuar në kapitalin
aksionar. Anëtari i kooperativës do të zotohet të kryej aktivitetin e caktuar bujqësor me një
kooperativë të vetme.
“Zotim në Aktivitet” do të thotë një premtim i kontraktuar për të kryer ekskluzivisht një punë me
kooperativën e Bujqëve së paku gjatë tri viteve të njëpasnjëshme për llojin e aktivitetit për të cilat
anëtari është zotuar.
“Kontribut aksionar”, “Kontribut” do të thotë transferimi i pronës së anëtarëve në pronë të
kooperativës dhe si kompensim, anëtarët në fjalë marrin aksione nga kooperativa.
“Kontribut në Natyrë” do të thotë kontribut në kapitalin e aksionar që duhet të paguhet me pasuri
të patundshme ose me pasuri të lëvizshme ose me të drejta të paprekshme”.
“Kontribut me Para të Gatshme” do të thotë kontributi në kapitalin aksionar që paguhet me para
të gatshme ose përmes bankës, transferit postar, ose përmes llogarisë komerciale.
“Fonde Rezervë” do të thotë të gjitha shumat e vendosura në llogaritë rezervë nga ana e kuvendit
të përgjithshëm.
“Fonde rezervë të parapara me Statut” do të thotë fonde nga suficiti i një viti fiskal që Kuvendi i
përgjithshëm ka për detyrë, sipas statutit të një kooperative t’i vendosë ato në një fond të
rezervuar.
“Tepricë Vjetore” do të thotë rezultati i aktiviteteve të kooperativës ashtu si është paraqitur nga
llogarija e profiteve dhe humbjeve në fund të vitit fiskal kur profiti tejkalon shpenzimet dhe
humbjet.
“Humbje Vjetore”, do të thotë rezultati i aktiviteteve të kooperativës siç është paraqitur nga
llogaria e fitimeve dhe humbjeve në fund të vitit fiskal kur harxhimet dhe humbjet tejkalojnë fitimin.
“Llogaria e fitimeve dhe humbjeve” do të thotë dokumenti i domosdoshëm i llogaritjes që do të
përgatitet në fund të vitit fiskal duke treguar të gjitha fitimet, shpenzimet dhe humbjet e paraqitura
gjatë vitit fiskal.
“Pasuri Neto” do të thotë shuma e përbërë nga kapitali aksionar, fondet rezervë, fitimet e
akumuluara pa humbjet e akumuluara të mëparshme, të zmadhuara ose të zvogëluara nga
teprica ose humbjet neto të vitit fiskal.
“Humbjet e Akumuluara” janë humbjet e viteve të mëparme fiskale të cilat janë vendosur në
llogari të veçantë dhe të cilat nuk janë pezulluar me reduktimin e fondeve rezervë ose të llogarisë
së fitimeve të akumuluara.
“Federata” nënkupton Federaten e referuar në Nenin 3 të këtij Ligji.
“Ministria” do të thotë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nëse nuk është caktuar
ndryshe.
“Statutet” do të thotë akti me të cilin themelohet kooperativa dhe përshkruan udhëheqjen e tij dhe
organizimin e marrëdhënieve në mes të kooperativës dhe anëtarëve të saj.
“Themelues” do të thotë personat që nënshkruajnë statutin dhe/ose veprojnë në emër të
kooperativës gjatë periudhës së formimit të saj.
“Bashkësi e Kooperativave të Bujqëve” ose “Bashkësia” është personi juridik i krijuar në mes dy
apo më shumë kooperativave me qëllim të zgjerimit të aktiviteteve të tyre.
Neni 2
Regjistrimi
2.1 Çdo kooperativë e themeluar në Kosovë duhet të regjistrohet në zyrën e regjistrimit të
subjekteve juridike dhe fillon së ekzistuari vetëm pas regjistrimit.
2.2 Aktivitetet e kooperativës së regjistruar sipas ketij ligji do të kufizohen në ato të caktuara në
këtë ligj dhe në statutin e kooperativës.
2.3 Ministria do të nxjerrë Udhëzime administrative që specifikojnë formën dhe
përmbajtjen e statutit që do të shfrytëzohet nga kooperativat.
2.4 Në rast se statuti i kooperatives nuk është në pajtim me këtë ligj dhe udhëzimet
administrative, kooperativa humb statusin e Kooperativës së Bujqëve.
2.5 Ky ligj do të jete bazë për regjistrimin e të gjitha kooperativave ekzistuese dhe
kooperativave që do të themelohet në Kosovë.
Neni 3
Federata
3.1 Me këtë ligj themelohet Federata e Kooperativave të Bujqëve të Kosovës.
3.2 Federata është një organ profesional që vepron e pavarur .
3.3 Statuti i Federates aprovohen nga Kuvendi i Federatës me pëlqimin paraprak nga
Ministria.
3.4 Statuti i Federatës duhet të jetë në pajtim me këtë ligj dhe udhëzimet administrative të
nxjerra nga Ministria sipas këtij ligji.
3.5 Të gjitha kooperativat dhe Bashkësitë e kooperativave, kanë të drejtë të bëhen
vullnetarisht anëtare të Federatës.
3.6 Mjetet e Federates krijohen nga antarët dhe kontributet e kooperativave dhe
bashkësive të tyre. Kuota e antarësisë dhe kontributeve caktohet nga Kuvendi i
Përgjithshëm i Federatës. Shuma e tyre përbën të hyrat e Federatës.
3.7 Veprimtaria, punët dhe përgjegjësitë e Federatës përcaktohen me Statutin e
Federatës.
Neni 4
Kushtet për themelim
Kooperativa e Bujqëve themelohet nga së paku dhjetë (10) bujq, që janë nëshkrues të
detyrimeve.
Neni 5
Kuvendi themelues
5.1 Statuti miratohet në Kuvendin themelues.
5.2 Nëse statuti është nënshkruar më parë nga themeluesit dhe të gjithë anëtarët kanë kontribuar
në kapitalin e përgjithshëm, nuk është e nevojshme mbajtja e Kuvendit themelues.
Neni 6
Personi juridik
6.1 Kooperativa e Bujqëve do të ketë të drejtat dhe detyrat e personit juridik pavarësisht nga
anëtarët e saj. Ajo ka pronën e saj dhe detyrat e caktuara. Është përgjegjëse për pronën
e vet dhe për çdo veprim të kryer në emër të vet.
Neni 7
Të drejtat dhe obligimet e anëtarëve te kooperativës
7.1 Anëtari i Kooperativës gëzon të drejtën:
a). të shfrytëzojë shërbimet e kooperativës duke marrë parasysh llojin e aktivitetit për
të cilën është anëtarësuar;
b). të merr pjesë në seancën e kuvendit të përgjithshëm me të drejtë votë pa marrë
parasysh numrin e aksioneve që ka në pronësi;
c). të merr leverdinë e kalkuluar në bazë të kontributit të paguar kapital në lartesinë e
përcaktuar me statut;
d). të merr pagesën nga kooperativa në proporcion me aktivitetet e realizuara me
kooperativën;
e). të shesë ose transferojë aksionet e veta në pajtim me dispozitat e këtij ligji dhe të
Statutit të kooperativës;
f). të merr vlerën nominale të aksioneve të veta pas përfundimit të anëtarësisë, me
kusht që humbjet e akumuluara nuk tejkalojnë fondet rezervë, dhe nën kufizimet
tjera të përcaktuara në këtë ligj dhe në statutin e kooperativës.
7.2 Anëtari i Kooperativës është i obliguar:
a) të bëjë aktivitetet e tij vetëm me kooperativën e bujqëve gjatë periudhës jo më të
shkurtër se 3 vite të njëpasnjëshme në llojin e aktiviteteve për të cilat anëtari
është zotuar në pajtim me Statutin e kooperativës;
b) të kontribojë në kapitalin aksionar proporcionalisht me zotimin e tij për aktivitet
dhe të paguajë aksionet e veta në pajtim me kërkesat ligjore dhe të parapara me
status, ose të blejë një numër të aksioneve të nevojshme për zotimin e tij për aktivitet;
c) të mbajë përgjegjësi për borxhet e kooperativës gjer në shumën që është e
barabartë me kontributin e tij kapital në rast të paaftësisë paguese.
7.3. Statusi i anëtarit të kooperativës fitohet:
a) Gjatë themelimit të kooperativës, me nënshkrimin e kërkesës për antarësim, nënshkrimin
e statutit apo pjesëmarrjes në kuvendin themelues në të cilin miratohet statuti.
b) Pas themelimit të kooperativës, statusi i anëtarit të kooperativës fitohet përmes
kërkeses për anëtarësim dhe deklaratës për pranimin e statutit të kooperativës, me
të cilat i nënshkruari i pranon të gjitha të drejtat dhe obligimet e anëtarit të
kooperativës.
Vendimin për pranimin e anëtarëve të rinjë e merr Këshilli drejtues brenda afatit prej 30 ditësh
nga dita e pranimit të kërkesës.
Kundër vendimit mbi refuzimin e kërkeses për antarësim në kooperativë mund ti ushtrohet
ankesë, Kuvendit të përgjithshëm.
7.4 Kooperativa do të mbajë regjistrin e anëtarëve të kooperativës duke paraqitur numrin
e aksioneve që janë pronë e secilit si dhe regjistrin e çdo transferi të aksioneve.
7.5 Statusi i anëtarit të kooperativës humbet me: tërheqjen e anëtarit nga kooperativa;
përjashtimin e anëtarit; shuarjen apo braktisjen e veprimtarisë bujqësore të anëtarit që
është person juridik; vdekjen e anëtarit dhe prishjen e kooperatives.
a) Anëtari i kooperativës mund të tërhiqet nga kooperativa me kërkesë për tërheqje, e
cila ushtrohet gjashtë muaj para skadimit të afatit për të cilin anëtari është anëtarësuar
apo para tërheqjes. Nëse anëtari i kooperativës ka obligime ndaj koperativës, statusi i
anëtarit i pushon pas përmbushjes së obligimeve.
b). Statusi i anëtarit të kooperativës skadon ditën e caktuar në vendimin për përjashtim të
tij nga kooperativa për arsyet e përcaktuara në statutin e kooperativës
c) Trashegimtarët e anëtarit të vdekur të kooperativës, mund ta fitojnë statusin e anëtarit,
me të drejtat dhe obligimet e anëtarit të vdekur, nëse për këtë vendosë Këshilli
drejtues dhe nëse i plotësojnë kushtet për fitimin e statusit të anëtarit të kooperativës.
d) Ditën e pushimit të statusit të anëtarit të kooperativës, pushojnë të drejtat dhe
obligimet e anëtarit, përveç të drejtave dhe obligimeve pronësore të përcaktuara me
akte të veçanta ligjore.
Neni 8
Kapitali aksionar
8.1 Kooperativa nuk do të themelohet pa kapital e as nuk do të ekzistojë pa kapital.
8.2 Kapitali i një Kooperative të Bujqëve përbëhet nga kontributet e
anëtarëve kooperativistë dhe mund të jetë i ndryshueshëm.
8.3 Zvogëlimi i kapitalit është i ndaluar nëse zvogëlimi do të ketë ndikim në regjistrimin e
kapitalit më të vogël se sa gjysma e kapitalit më të lartë që nga krijimi i kooperativës.
Neni 9
Kontributet kapitale – Aksionet
9.1 Kontributet kapitale do të jenë në para të gatshme ose në natyrë. Kontributi në
aktivitet është i ndaluar.
9.2 Kontributi në natyrë gjatë themelimit të koperativës, vlerësohet me rastin e
nënshkrimit të statutit nga anëtarët themelues, ose nga Kuvendi themelues me rastin e
miratimit të statutit, ndërsa vlerësimi i kontributit në natyrë gjatë punës së
kooperativës, bëhet nga Kuvendi i Përgjithshëm.
9.3 Anëtarët kanë përgjegjësi individuale dhe të përbashkët ndaj palës së tretë për
pranimin e vlerësimit të kontributit në natyrë që ndryshon nga vlera e caktuar nga
kontrolluesi i jashtëm financiar.
9.4 E drejta e anëtarit, merr formën e aksioneve.
9.5 Kapitali ndahet në aksione të vlerës së barabartë me vlerë minimale prej 10 €.
Neni 10
Kuvendi i Përgjithshëm
10.1 Kuvendi i Përgjithshëm është organ më i lartë i kooperativës i cili mbanë mbledhjet
e rregullta ose të jashtëzakonshëme.
10.2 Kompetencat e mbledhjes së rregullt të Kuvendit të Përgjithshëm kufizohen me
votim mbi çështjet që nuk janë në kompetencë të mbledhjes së jashtëzakonshme të
Kuvendit të Përgjithshëm apo të organeve tjera të kooperativës.
10.3 Këshilli Drejtues duke iu referuar nenit 12 thërret mbledhjen e Kuvendit të
Përgjithshëm së paku një herë në vit ose kur llogaritë e përkohshme tregojnë
humbje. Kuvendi i Përgjithshëm gjithashtu mund të thirret nga 25% e anëtarëve të
kooperativës.
10.4 Mbledhja e e jashtëzakonshme e Kuvendit të Përgjithshëm vendos mbi
amandamentet e statutit.
10.5 Procesverbalet e mbledhjeve të Kuvendit të Përgjithshëm do të regjistrohen në
mënyrë kronologjike në regjistër që do të mbahet në zyrën e regjistrave të
kooperativës.
Neni 11
Kontrolluesi i jashtëm financiar
11.1 Ministria e Ekonomisë dhe Financave do të autorizoj individë të kualifikuar që të
punojnë si kontrollues të jashtëm financiar dhe do ti caktojë që të bëjnë kontrollë
vjetore financiare për çdo kooperativë, duke përfshirë:
a) verifikimin se llogaritë vjetore pasqyrojnë gjendjen e vërtetë dhe të qartë të rezultatit
të punës së kooperativës gjatë vitit të fundit fiskal, të situatës së saj financiare dhe të
pronës së saj;
b) verifikimin e pajtueshmërisë së praktikave të kontabilitetit me rregullat në fuqi;
c) ekzaminimin e saktësisë dhe pajtueshmërisë së informatave të dhëna në raportin e
udhëheqjes së Këshillit Drejtues me llogaritë vjetore.
11.2 Shpenzimet e kontrollës financiare i bartë Ministria për Ekonomi dhe Financa.
Neni 12
Këshilli drejtues
12.1 Këshilli Drejtues, është organ që gëzon të gjitha fuqitë menaxhuese për të mirën e
kooperativës dhe përbrenda kufijve të qëllimeve të kooperativës, përveç çështjeve të
shprehura përbrenda autoriteteve të organeve tjera të kooperativës dhe duke marrë
parasysh kufizimet ligjore të fuqive të saj.
12.2 Këshilli Drejtues, ka autorizimet e mëposhtme:
a) Shqyrton dhe analizon llogaritë vjetore të kooperativave dhe ia prezenton
Kuvendit të Përgjithshëm të Kooperativës për aprovim.
b) Zgjedh dhe shkarkon kryetarin nga mesi i anëtarëve të Këshillit Drejtues;
c) Cakton anëtarin e kooperativës që të plotësojë vendin e lirë të anëtarit të
Këshillit Drejtues.
d) Thërret mbledhjet e Kuvendit të Përgjithshëm të Kooperativës dhe përcakton
rendin e ditës;
e) Emëron drejtorin e Kooperativës;
f) Pranimi dhe largimi i anëtarit dhe
g) Lejimi i huave, sigurimeve reale, garancioneve dhe sigurimin e borxheve për
palën e tretë.
12.3 Këshilli Drejtues përbëhet prej së paku tre por jo më shumë se nëntë anëtarëve të
emëruar me statut, apo nga Kuvendi themelues, me rastin e themelimit të
kooperativës, apo nga Kuvendi i Përgjithshëm në mbledhjen e rregullt për
periudhën prej së paku 3 por jo më shumë se 6 vite.
12.4 Anëtari i këshillit drejtues:
a) Do të jetë anëtar që nuk mban përgjegjësi për ndonjë borxh kundrejt kooperativës
gjatë kohës së emërimit të tij/saj dhe që nuk është dënuar për ndonjë delikt
ekonomik .
b) Nuk mund të jetë bashkëshorti-ja, prindërit ose fëmijët e anëtarit të Këshillit
Drejtues;
c) Nuk do jetë punëtor i kooperativës;
d) Të jetë mbi moshën 18 vjeçare.
12.5 Anëtari i Këshillit Drejtues nuk do të huazojë, apo të sigurojë garancione nga
kooperativa për përfitime personale.
12.6 Anëtari i këshillit do të jetë përgjegjës personalisht për mopërmbushjen apo
shkeljen e detyrave të tij ndaj kooperativës ose palës së tretë.
12.7 Mbledhjet e Këshillit Drejtues i thërret kryetari me vetiniciativë ose në kërkesë të
1/3 së anëtarëve të Këshillit Drejtues.
12.8 Vendimet dhe procesverbalet e Këshillit drejtues regjistrohen në mënyrë
kronologjike në regjistrat që mbahen në zyrën e regjistrave të kooperativës..
Neni 13
Kryetari
13.1 Kryetari ka të drejtat e mëposhtme:
a) përfaqëson kooperativën në rast të padive;
b) zbaton të gjitha vendimet e Këshillit Drejtues me përjashtim të atyre që i janë
deleguar drejtorit; dhe
c) kontrollon punën e drejtorit.
13.2 Kryetari është përgjegjës për shkeljen e detyrave të tij ndaj kooperativës ose palës
së tretë.
Neni 14
Drejtori
14.1 Drejtori është i ngarkuar për menaxhimin e përditshëm të kooperativës.
14.2 Drejtori:
a) Nuk mund të jetë anëtar i kooperativës;
b) Do të ketë kontratë punësimi.
c) Të mos jetë i dënuar për vepër penale kundër ekonomisë.
d) Nuk mund të ushtrojë njëkohësisht edhe ndonjë veprimtari e cila i bënë
konkurrencë veprimtarisë që ushtron në kooperativë.
14.3 Funksionet e drejtorit do të pëcaktohen me Statutin e kooperativës.
Neni 15
Të ardhurat neto dhe humbjet
15.1 Të ardhurat neto vjetore do të ndahen në bazë të renditjes së prioriteteve të
mëposhtme:
a) 5% në fondin e rezervës së domosdoshme;
b) 5% në fondin rezervë, për kompensimin e aksioneve të anëtarëve që tërhiqen nga
kooperativa;
c) Shumat e parapara me statutin e kooperativës për fondin rezervë.
d) Shumat e nevojshme që të paguhet interesi mbi kapitalin e paguar të anëtarëve
të kooperativës.
e) Shumat për pagesën e anëtarëve të kooperativës në proporcion me aktivitetet e
tyre në kooperativë.
f) Shumat e mbetura në llogarinë e tepricës dhe humbjeve të akumuluara, ose në
fondet tjera që duhet të ruhen si rezervë.
15.2 Humbjet vjetore do të barten në llogarinë e tepricave dhe humbjeve të akumuluara.
Anëtarët nuk do të marrin leverdinë për aksionet dhe nuk bëhet ndarja e fondeve
rezervë dhe kjo ndalon çfarëdo pagese ose interesi .
Neni 16
Pasuria neto – humbjet e akumuluara
16.1 Kur pasuria neto për shkak të humbjeve bie në më pak se gjysma e kapitalit më të
lartë aksionar të pranuar që nga themelimi i kooperativës, mbledhja e jashtëzakonshme
e Kuvendit të Përgjithshëm do të vendos se a do të likuidohet kooperativa, apo
kooperativa duhet të mbahet. Nëse vendoset që kooperativa të mbahet, anëtarët do të
kontribuojnë me shumën e nevojshme për arritjen e pasurisë neto të kooperativës në së
paku gjysmën e kapitalit aksionar më të lartë të arritur që nga themelimi i kooperativës.
16.2 Në mungesë të vendimit të Kuvendit të Përgjithshëm, çdo palë e pakënaqur ose e
interesuar mund të sjellë çështjen para gjyqit kompetent, i cili mund të vendosë për
likuidim të kooperatives.
Neni 17
Likuidimi
17.1 Kooperativa likuidohet për shkak të:
a) Kryerjes së periudhës për të cilën është themeluar, ose shuarjes se veprimtarisë
për të cilën është themeluar përveç nëse nga mbledhja e jashtëzakonshme e
Kuvendit të Përgjithshëm nuk vendoset ndonjë veprimtari e re.
b) Heqjes dorë nga statuti i kooperativës së bujqëve, të votuar me votim unanim
nga anëtarët e kooperativës në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit
të Përgjithshëm;
c) Me vendim gjyqësor ku numri i anëtarëve të kooperativës është më i vogël sesa
minimumi ligjor ose në mungesë të vendimit të Kuvendit të Përgjithshëm siç
është caktuar në nenin 16-1 ose ku kooperativa kryen aktivitete të tjera nga ato të
lejura legalisht dhe ku kapitali nuk është i ndarë në aksione sipas këtij ligji.
17.2 Kooperativa që likuidohet mbetet entitet legal gjatë periudhës së likuidimit vetëm
për qëllim likuidimi.
17.3 Likuiduesit emërohen nga Kuvendi i Përgjithshëm përveç në rastet kur gjykata i
emron likiduesit.
17.4 Pasuria neto që mbetet pas pagimit të të gjithë kreditorëve dhe pagimin e kontributeve
të anëtarëve nuk do t’u ndahet anëtarëve. Pasuria neto detyrimisht do të transferohet
në një kooperativë tjetër ose bashkësi të kooperativave të bujqëve, ose të një
organizatë tjetër ligjore e kooperativave të bujqëve.
17.5 Nëse likuidimi shfaqet për shkak të ligjeve të falimentimit, dispozitat e caktuara në
këtë ligj nuk do të aplikohen.
Neni 18
Bashkimi - Ndarja
18.1 Një ose më shumë kooperativa të bujqëve mund të transferojnë interesat e tyre te
një kooperativë ekzistuese e bujqëve ose te një kooperativë e re e bujqëve e
themeluar nga to.
18.2 Një kooperativë e bujqëve mund të ndahet në dy kooperativa të bujqëve me anë të
transferimit të interesave të veta në një kooperativë të re ose ekzistuese të bujqëve.
Në të dy rastet, kooperativa që transferon interesat e veta sipas këtij neni, pushon së
ekzistuari pa u likuiduar.
18.3 Në rastet e pushimit të ekzistimit të kooperativës për shkaqet nga ky nen, pasuria e
kooperativës u bartet trashigimtarëve juridik të saj.
18.4 Bashkimet dhe ndarjet lejohen vetëm në mes kooperativave .
Neni 19
Bashkësitë e Kooperativave të Bujqëve (Bashkësitë)
19.1 Bashkësitë e Kooperativave të Bujqëve (Bashkësitë), mund të themelohet me
vendimin për bashkim të dy apo më shumë kooperativave të bujqëve të cilat
bashkojnë të mirat materiale dhe të drejtat e tyre me qëllim të ushtrimit të
veprimtarisë së caktuar dhe si e tillë duhet të regjistrohet në zyrën e regjistrimit të
subjekteve juridike.
19.2 Vendimi për bashkim merret nga Këshilli drejtues i Kooperatives dhe për këtë
informohet Kuvendi i përgjithshëm në mbledhjen e tij të rregullt.
19.3 Nëse kontributi i kooperativës në Bashkësi është i kufizuar në disa veprimtari të
caktuara, me vendim për bashkim do të identifikohen saktësisht veprimtaritë e tilla .
19.4 Organet qeverisëse të Bashkësisë së Kooperativave i përbëjnë përfaqësuesit e
kooperativave anëtarë të caktuar nga Këshillat drejtuese të tyre.e
Neni 20
Subvencionet dhe kompanitë e bashkuara
20.1 Kooperativa e Bujqëve mund të jetë pronare e aksioneve të kompanisë së angazhuar
në biznes me anë të blerjes së aksioneve të saj ose me anë të kontributit në kapitalin
aksionar të kompanisë së tillë.
20.2 Kooperativa e Bujqëve nuk mund të jetë anëtare e ortakërisë së përgjithshme e as të
ndonjë forme të organizimit të biznesit ku përgjegjësia e anëtarëve nuk është e kufizuar me
kontributet e tyre aksionare.
Neni 21
Masat ndëshkimore
21.1 Me dënim me gjobë prej 500 deri 4000 euro do të dënohet për delikt ekonomik çdo
person që në titullin e firmës shfrytëzon emrin e kooperativës e nuk është i regjistruar
sipas këtij ligji.
21.2 Me denim me gjobë deri në 5000 euro, do të dënohet për delikt ekonomik
kooperativa e bujqëve nëse:
a) Ushtron veprimtari të cilat nuk janë të parapara në statutin e saj dhe për të cilat nuk
është e regjistruar (neni 2.2);
b) Nëse në emertimin e firmës së vetë nuk e shfrytëzon emrin e kooperativës,
c) Nëse nuk mban regjistrin e anëtarëve të Kooperativës (neni 7.3).
Neni 22
Udhëzimet Administrative
22.1 Ministria do të jetë kompetente për nxjerrjen e Udhëzimeve Administrative për
zbatimin e këtij ligji.
Neni 23
Dispozitat kalimtare - data efektive
23.1 Kooperativat ekzistuese bujqësore do të riregjistrohen si Kooperativa të Bujqëve
sipas këtij ligji brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji ose do
ta humbin statusin e kooperativës së Bujqëve.
23.2 Ky ligj hyn në fuqi në datën e miratimit të tij nga Kuvendi, nënshkrimit nga kryetari
i Kuvendit dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.
23.06. 2003
UNMIK/REG/ 2003/21