GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI II / NR. 14 / 01 KORRIK 2007
Ligji Nr.2004/ 3
KUNDËR DISKRIMINIMIT
Kuvendi i Kosovës
Duke u bazuar në Rregulloren nr. 2001/9, të datës 15 maj 2001, mbi Kornizën Kushtetuese për
Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë, posaçërisht në dispozitat e Kreut 3.1, 3.2 dhe 5.7 dhe
më tutje,
Duke patur parasysh rëndësinë e përkrahjes së bashkëjetesës, mbrojtjes të së drejtave të
njeriut, përfaqësimit të drejtë të popullit të Kosovës në procesin e ngritjes dhe zhvillimit të
institucioneve demokratike të vetëqeverisjes, sigurimin e trajtimit të barabartë dhe duke siguruar
që nxjerrja e rregullave mbi këto çështje të jetë në përputhje me standardet dhe normat përkatëse
Europiane dhe ndërkombëtare,
Miraton:
LIGJIN KUNDËR DISKRIMINIMIT
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe luftimi i diskriminimit, ngritja e shkallës së barazisë efektive dhe
realizimi i parimit të trajtimit të barabartë të personave në Kosovë para Ligjit.
Neni 2
Parimet
Rregullimi i çështjeve që kanë të bëjnë me mosdiskriminimin mbështetet në këto parime:
a). Parimin e trajtimit të barabartë që nënkupton se nuk do të ketë kurrfarë diskriminimi të
drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndaj personit, në bazë të gjinisë, moshës, gjendjes martesore,
gjuhës, paaftësisë fizike apo mendore, orientimit seksual, kombit, mendimit apo bindjes
politike, religjionit apo besimit, përkatësisë etnike apo sociale, racës, pronës, lindjes ose
statuseve tjera;
b). Parimin e përfaqësimit të drejtë të të gjithë personave dhe të të gjithë anëtarëve të
komuniteteve lidhur me punësim në kuadër të organeve publike në të gjitha nivelet.
c) Parimin e mirëkuptimit dhe tolerancës ndëretnike të personave në Kosovë.
Neni 3
Termet
Për qëllimet e nenit 2.a, termet në vijim kanë këto kuptime:
a). Diskriminimi i drejtpërdrejt nënkuptohet kur një person trajtohet, është trajtuar, ose do të
trajtohet në mënyrë të pabarabartë në krahasim me tjetrin, duke u bazuar në një apo më
shumë nga bazat e përshkruara nën 2 a;
b). Diskriminimi i tërthortë nënkuptohet kur nga bazat e përshkruara nën 2 a, një dispozitë,
kriter apo praktikë e paanshme në shikim të parë e vënë personin në pozitë të
pabarabartë krahasuar me të tjerë, duke u bazuar në një apo më shumë nga bazat që e
ndalojnë diskriminimin, përveç në rastet kur dispozita e tillë, praktika apo kriteri mund të
arsyetohet në pikëpamje objektive me një qëllim legjitim dhe me mjete legjitime, të
domosdoshme për arritjen e qëllimit;
c). Ngacmimi konsiderohet diskriminim, brenda kuptimit të nenit 2 a, kur një sjellje kundër
dëshirës (që përfshin por nuk kufizohet në sjellje të natyrës së padëshirueshme seksuale
dhe/apo psikologjike) dhe që bazohet në një apo më shumë nga bazat e përshkruara nën
nenin 2 a, e cila ka për qëllim apo ndikim në shkeljen e dinjitetit të personit dhe krijimin e
ambientit frikësues, armiqësor, degradues, nënçmues dhe fyes, si është përcaktuar nga
ai person;
d). Të udhëzuarit për të diskriminuar personat e tjerë, sipas bazave të përcaktuara në nenin
2 a, do të konsiderohet diskriminim në vështrim të nenit 2 a;
e). Viktimizimi konsiderohet diskriminim brenda kuptimit të nenit 2 a, dhe i cili konsiderohet se
ndodhë kur personi përjeton trajtim të hidhur apo pasoja të hidhura si reagim ndaj ankimit
apo procedurës, të vëna në lëvizje me qëllim të
vënies në jetë të parimit të trajtimit të barabartë ashtu si është definuar nën 2.a, dhe / ose
rastet kur personi i tillë ofron informacione, dëshmi apo ndihmë tjetër në lidhje me
ankesën ose procedurën.
f). segragacioni do të konsiderohet diskriminim brenda kuptimit të nenit 2a, i cili ndodhë në
rastet kur një ose disa persona veçohen nga tjerët përmes personave fizik, juridik, ose
me kombinimin e dyjave, nga sektori publik, privat apo nga dy sektorët, dhe si i tillë
bazohet në njërën ose në disa baza e përmendura nën 2 a, përveç në rastet kur veçimi i
tillë është në baza të arsyeshme dhe objektive dhe mënyra për arritjen e atij qëllimi është
i nevojshëm dhe proporcional.
Neni 4
Fusha e zbatimit të ligjit
Ky ligj zbatohet ndaj të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve të personave fizik dhe juridik, të
sektorit publik dhe privat, përfshirë këtu edhe organet publike, të cilat cenojnë të drejtat e
personit/ve fizik dhe juridik, në fushat si vijon :
a). kushteve për qasje në punësim, vetë punësim dhe të punësimin në profesion, përfshirë
këtu kushtet e punësimit dhe kriteret e përzgjedhjes, pa marrë parasysh aktivitetin në të
gjitha nivelet e hierarkisë profesionale dhe avansimimet;
b). qasje në të gjitha llojet dhe nivelet e udhëheqjes profesionale, trajnimeve profesionale,
trajnimit të avancuar profesional dhe rikualifikimet përfshirë edhe përvojën e punës
praktike;
c). kushtet e punësimit dhe kushtet e punës, përfshirë shkarkimin nga puna dhe pagesën;
d). anëtarësimin dhe përfshirjen në organizata të punëtorëve ose të punëdhënësve ose të çdo
organizate tjetër anëtarët e së cilës ushtrojnë një profesion të caktuar, përfshirë edhe
fitimet që mundësohen nga organizatat e tilla;
e). mbrojtja sociale, përfshirë skemën e ndihmës sociale, sigurimin social dhe mbrojtjen
shëndetësore;
f). lehtësitë sociale, përfshirë ndër të tjera edhe ndihmën humanitare;
g). arsimin;
h). qasje në vendbanim dhe format e tjera të pronës (luajtshme dhe pa paluajtshme);
i). qasje në furnizim e të mirave materiale dhe shërbimeve të cilat janë në dispozicion të
opinionit publik;
j). trajtimi i drejtë para Gjykatave dhe të gjitha organeve tjera që administrojnë drejtësinë;
k). sigurinë personale;
l). pjesëmarrjen në çështjet publike, përfshirë të drejtën për të zgjedhë dhe të drejtën për të
qenë i zgjedhur;
m). qasja në vendet publike dhe
n). çfarëdo të drejte tjetër të paraparë me legjislacionin në fuqi;
Neni 5
Kërkesat reale dhe përcaktuese me rastin e punësimit
Pavarësisht nga nenet 2 a, 3a dhe 3 b, nuk konsiderohet diskriminim dallimi në trajtim i cili
bazohet në dallimet e dhëna në bazat nën 2 a, mirëpo i cili si i tillë paraqet karakteristikën reale
dhe përcaktuese me rastin e punësimit, qoftë për shkak të natyrës së aktiviteteve profesionale
ose të vetë kontekstit në të cilin kryhen punët e caktuara profesionale, me kusht që qëllimi të jetë
legjitim e kërkesat proporcionale me qëllimin.
Neni 6
Masa afirmative
6.1. Për sigurimin e barazisë së plotë në praktikë, masat për parandalimin apo kompensimin për
disavantazhet e lidhura me bazat e dhëna nën 2 a, nuk konsiderohet diskriminim, me kusht që kjo
të jetë në pajtim me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
6.2. Të gjithë personat që ushtrojnë funksione publike duhet të sigurojnë se palët të cilave u japin
kontratën publike, huan, dhuratën, ose ndonjë përfitim tjetër përpilojnë një dokument i cili tregon
se ato janë në pajtim me këtë ligj, dhe se të promovojnë dhe respektojnë politikën e
mosdiskriminimit gjatë tërë kohës së ekzekutimit të detyrimeve.
6.3. Nëse pala e cila pranon kontratë publikë, hua, kontribut financiar ose përfitime tjera të
përmendura në nenin 6.2, shkel cilëndo nga dispozitat e këtij ligji, kontrata publike, hua, kontribut
financiar ose përfitimet tjera, shpallen të pavlefshme nga organi që i ka dhënë.
KREU II
PROCEDURA DHE SANKSIONET
Neni 7
Procedura
7.1. Çfarëdo ankese për diskriminim sipas këtij ligji do të vendoset apo gjykohet në pajtim me
ligjin në fuqi nga organet administrative dhe gjykatat kompetente të cilat kanë juridiksion për
çështjet konkrete të përfshira në ankesë.
7.2. Organet administrative dhe Gjykata veprojnë në pajtim me dispozitat e këtij ligji për të
vendosur lidhur me një parashtresë.
7.3. Pas kompletimit të procedurës së ankesës për diskriminim sipas ligjit në fuqi mbi procedurat
e përgjithshme administrative, ankuesi i pakënaqur mund të paraqesë ankesë në pajtim me
Kapitullin e titulluar “Dispozita të veçanta” në ligjin mbi kontestet administrative në gjykatën e cila
është kompetente sipas ligjit në fuqi.
7.4. Çdo procedurë e ndërmjetësimit ose pajtimit të cilat i parasheh legjislacioni në fuqi, mund të
shfrytëzohen sipas zgjedhjes së parashtruesit/ve të kërkesës, për të adresuar shkeljet në bazë të
këtij ligji.
7.5. Shfrytëzimi i procedurave të parapara nën 7.4, nuk e përjashton mundësinë e paraqitjes së
kërkesës-ankesës para organit administrativ apo Gjykatës kompetente.
7.6. Shoqatat, organizatat apo subjektet tjerë juridik mund të inicojnë apo përkrahin procedura
ligjore në emër të parashtruesit/ve, me marrjen e pëlqimit e tyre, për zhvillimin e procedurave
administrative apo gjyqësore të parapara për zbatimin e obligimeve nga ky ligj.
Neni 8
Barra e provave
8.1. Kur personat të cilët e konsiderojnë se parimi i trajtimit të barabartë nuk është zbatuar ndaj
tyre, paraqesin faktet para organit administrativ apo Gjykatës kompetente, nga të cilat mund të
supozohet se ka pasur diskriminim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, barra e provës bie mbi palën
e paditur, e cila duhet të dëshmojë se nuk ka pasur shkelje të parimit të trajtimit të barabartë.
8.2. Paragrafi 8.1 nuk ndalon zbatimin e rregullave të dëshmimit të cilat janë të favorshme për
palën paditëse. Paditësi mund të mbrojë rastin e tij të diskriminimit edhe me metoda te tjera
përfshirë edhe shfrytëzimin e dëshmive statistikore.
Neni 9
Sanksionet
9.1. Gjykata kompetente ose organi administrativ që ka konstatuar se është bërë shkelje e këtij
ligji mund të shqiptojë sanksione varësisht nga natyra dhe lloji i shkeljes si dhe ndikimi i saj në
viktimën apo viktimat.
9.2. Sanksionet e parapara me vendimin e organit kompetent ndaj personit fizik dhe
juridik të cilët cenojnë dispozitat e këtij ligji përfshijnë:
a). Kompensimin për dëmin material dhe moral i shkaktuar nga cenimi i dispozitave të
këtij ligji, përfshinë kthimin e të drejtave dhe masat e tjera të parapara me legjislacionin
në fuqi, e të cilat organi kompetent i vlerëson si të përshtatshme.
b). Çdo personi fizik dhe juridik ose kombinim i tyre, i cili ka cenuar dispozitat e këtij ligji, i
shqiptohet dënimi me gjobë në bazë të natyrës dhe shkalles së shkeljes, si në vijim:
(i) personi fizik, prej 500 deri 1.000 euro;
(ii) kontraktuesi i pavarur, prej 1.000 deri 5.000 euro;
(iii) personat juridik, prej 1.000 deri 10.000 euro;
(iv) personi fizik brenda personit juridik
i cili është përgjegjës për shkelje prej 500 deri 2.000 euro;
(v) personi i cili ushtron funksion publik
i cili është përgjegjës për shkelje prej 500 deri 2.000 euro;
9.3. Gjykata mund të shqiptojë edhe urdhëresa të tjera sipas vlerësimit të saj.
9.4. Të gjitha mjetet e grumbulluara nga shqiptimi i dënimeve me gjobë nën 9.2 b,
grumbullohen në një fond të veçantë, i cili do të dedikohet për ndihmën juridike falas
personave fizik dhe juridik, të cilët ankohen se i është shkelë e drejta në trajtim të
barabartë e paraparë me këtë ligj.
9.5. Mjetet e grumbulluara nga gjobat e parapara nën 9.2 b, do të administrohen nga një
organ i caktuar administrativ apo Gjyqësor, deri në themelimin e Qendrës për Trajtim
të Barabartë.
9.6. Shqiptimi i cilit do sanksion që parashihet me këtë ligj nuk përjashton shqiptimin e
ndonjë ligji tjetër që është në fuqi në Kosovë.
KREU III
ORGANET PËR PROMOVIMIN TRAJTIMIT TË BARABARTE
Neni 10
Organi ekzistues
Organ i autorizuar për pranimin dhe hetimin e ankesave që kanë të bëjnë me shkeljen e të
drejtave në baza diskriminuese është Ombudspersoni i Kosovës, i cili do t’i shqyrtojë rastet në
përputhje me autorizimet dhe përgjegjësitë që ka sipas legjislacionit në fuqi.
KREU IV
DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 11
11.1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji pushojnë të zbatohen të gjitha ligjet e mëparshme nga kjo
fushë.
11.2. Dispozitat e legjislacionit që do të nxirren dhe dispozitat në fuqi lidhur me mbrojtjen e
parimit të trajtimit të barabartë vlejnë dhe duhet të zbatohen edhe më tutje nëse janë më të
favorshme se dispozitat e këtij ligji.
Neni 12
Zbatimi i Ligjit
12.1. Asnjë nga dispozitat e këtij ligji nuk mund të interpretohet sikur i jep Institucionit të
Përkohshëm të Vetëqeverisjes në Kosovë, një grupimi apo një individi, çfarëdo të
drejte që të ndërmarrë një veprimtari ose të kryejë një akt që ka për qëllim zhdukjen e
të drejtave ose të lirive të njohura me legjislacionin në fuqi, ose kufizime më të gjëra
të këtyre të drejtave se ato të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
12.2. Kufizimet që në bazë të këtij ligji, u bëhen të drejtave dhe lirive të lartpërmendura
mund të zbatohen vetëm për qëllimin për të cilin janë parashikuar.
12.3. Qeveria e Kosovës për zbatimin e dispozitave të këtij ligji mund të nxjerr akte
përkatëse nënligjore.
Neni 13
Hyrja në fuqi
13.1. Ky ligj hyn në fuqi 30 ditë pas miratimit nga Kuvendi dhe shpalljes nga PSSP-ja.
13.2. Menjëherë pas shpalljes së këtij Ligji nga PSSP-ja, Qeveria udhëheq një program për
vetëdijesimin e publikut lidhur me këtë Ligj.
20.08.2004
UNMIK/REG/ 2004/32