GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË KOSOVË /
PRISHTINË :VITI II / NR. 14 / 01 KORRIK 2007
LIGJI Nr. 2004/2
PËR BARAZI GJINORE
Kuvendi i Kosovës
Duke u bazuar në Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë, nenet 3.1, 3.2 (a),
(b), (c), (d), 5.1 (gj), 5.7, 9.1.26 (a) dhe 9.3.3,
Duke ndier nevojën e krijimit të kushteve ligjore për barazi gjinore në të gjitha fushat e jetës shoqërore në
Kosovë, Kuvendi i Kosovës.
Miraton:
LIGJIN PËR BARAZI GJINORE TË KOSOVËS
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i Ligjit
1.1. Me këtë Ligj mbrohet, trajtohet dhe vendoset, barazia ndërmjet gjinive si vlerë themelore e zhvillimit
demokratik të shoqërisë së Kosovës, me mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe
meshkujve dhe për kontributin e tyre në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe në të gjitha fushat
e jetës shoqërore.
1.2. Ky Ligj përcakton kushte dhe mundësi për barazi gjinore përmes politikave që mbështesin zhvillimin
e gjithanshëm dhe përmirësimin, sidomos të pozitës së femrave, në mënyrë që ato të jenë të vlerësuara
dhe të gëzojnë autoritet në familje dhe shoqëri.
1.3. Garantimi i të drejtave të barabarta është detyrë e tërë shoqërisë dhe nënkupton mënjanimin e
pengesave në realizimin e barazisë gjinore.
1.4. Barazia gjinore bazohet në parimin e sjelljes së njëjtë dhe në parimin e mundësive të barabarta,
ndërsa jetësohet me masat pozitive dhe me politikë të vetëdijësuar për barazi gjinore.
1.5. Ky Ligj përcakton masat e përgjithshme dhe të veçanta për garantimin e të drejtave të barabarta si
dhe përcakton subjektet përgjegjëse dhe kompetencat e tyre.
Neni 2
PËRKUFIZIMET TERMINOLOGJIKE
2.1. Barazi gjinore do të thotë pjesëmarrje e barabartë e femrave dhe meshkujve në të gjithat fushat e
jetës, pozitë të barabartë, mundësi të barabarta për të gëzuar të gjithat të drejtat e tyre dhe për të vënë
në shërbim potencialet e tyre individuale në zhvillimin e shoqërisë si dhe të kenë përfitim të barabartë nga
të arriturat e këtij zhvillimi.
2.2. Trajtim i barabartë gjinor do të thotë mënjanim i formave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të
diskriminimit gjinor.
2.3. Diskriminim i drejtpërdrejtë gjinor do të thotë trajtim i pabarabartë i ndonjë individi në krahasim me një
individ të gjinisë së kundërt në rrethana të njëjta apo të ngjashme.
2.4. Diskriminim i tërthortë gjinor do të thotë vënia e individit të njërës gjini në pozitë jo të barabartë me
dispozitat asnjanëse, standardet apo trajtim të pabarabartë në rrethana të njëjta ose të ngjashme, përveç
rasteve kur këto dispozita, standarde apo ky trajtim është i domosdoshëm dhe nëse mund të justifikohet
me fakte objektive që nuk bazohen posaçërisht në ndonjërën gjini.
2.5. Nxitja e individit tjetër në diskriminim gjinor në kuptim të këtijë Ligji konsiderohet diskriminim gjinor.
2.6. Ngacmimi dhe ngacmimi seksual paraqesin diskriminim gjinor.
2.7. Ngacmimi përfshin çdo formë të sjelljes që ka për qëllim ose që paraqet cënim të dinjitetit personal.
2.8. Ngacmimi seksual përfshin çdo formë të sjelljes së padëshiruar seksuale verbale dhe joverbale,
fizike ose simbolike, që në të njëjtën kohë ka për qëllim ose paraqet cënim të dinjitetit personal.
2.9. Masat ligjore janë masa të cilat kanë për qëllim arritjen e barazisë së plotë të femrave dhe meshkujve
në shoqëri, të cilat japin përparësi specifike në mënyrë që pjesëtarëve të gjinisë së caktuar t'u
mundësohet qasje e barabartë në të gjitha fushat e jetës shoqërore, të mënjanohet pabarazia gjinore
ekzistuese, ose t'u sigurohen të drejta të cilat më herët nuk iu kanë takuar.
2.10. Masat e përgjithshme janë masa të natyrës normative, përmes të cilave diskriminimi gjinor
parandalohet me anë të ligjeve të cilat i rregullojnë fushat e veçanta, sjelljet në rrethana të caktuara apo
qasjen e duhur për garantimin e trajtimit të barabartë gjinor, siç janë ndëshkimet që duhet ndërmarrë ndaj
individëve në rast të shkeljes së këtyre kufizimeve ose kërkesave.
2.11. Masat e veçanta janë masa të përkohshme të cilat kanë për qëllim garantimin e të drejtave të
barabarta gjinore dhe promovimin e barazisë gjinore në fushat specifike të jetës shoqërore, në të cilat
është identifikuar përfaqësimi i pabarabartë gjinor apo pozita e pabarabartë e personave që i përkasin
njërës gjini.
2.12. Përfaqësimi i pabarabartë në kuptim të paragrafit 2.11, është atëherë kur përfaqësimi i njërës gjini,
në një fushë të posaçme shoqërore apo në një segment të kësaj fushe, është më i ulët se 40%.
Neni 3
INSTITUCIONET DHE ORGANET UDHËHEQËSE
3.1. Me zbatimin e masave ligjore dhe afirmative vendoset pjesëmarrja e barabartë e femrave dhe
meshkujve në organet e të gjitha niveleve të pushtetit ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor dhe institucionet
publike, në mënyrë që pjesëmarrja në këto institucione të arrijë nivelin e pjesëmarjes së tyre te popullata
e përgjithshme e Kosovës.
3.2. Pjesëmarrja e barabartë e femrave dhe meshkujve sipas nenit 3 pika 3.1 arrihet në rastet kur
pjesëmarrja e një gjinie në institucione, organe apo në nivele të pushtetit është 40 %.
3.3. Gjatë emërimit në organet qendrore dhe në organet e qeverisjes lokale, si dhe te personat e tjerë
juridik me pushtet publik, duhet të respektohet pjesëmarrja e barabartë e femrave dhe meshkujve në
përputhje me paragrafin 3.2.
3.4. Organet kompetente gjatë emërimit të anëtarëve të këshillave, komisioneve dhe organeve
përfaqësuese brenda dhe jashtë Kosovës duhet të përfillin përfaqësimin e barabartë të femrave dhe
meshkujve në këta këshilla, komisione dhe organe përfaqësuese.
3.5. Gjatë emërtimit të institucioneve, ndërrmarjeve publike, rrugëve, të respektohet barazia gjinore.
SUBJEKTET PËRGJEGJËSE PËR ARRITJEN E BARAZISË GJINORE
DHE KOMPETENCAT E TYRE
Neni 4
KUVENDI I KOSOVËS
4.1. Kuvendi i Kosovës respekton parimet e përfaqësimit të barabartë gjinor gjatë themelimit të organeve
punuese dhe të delegacioneve në pajtim me rregulloren e tij të punës.
4.2. Kuvendi i Kosovës shqyrton dhe miraton Rezolutën për Programin e Kosovës për Barazi Gjinore.
4.3. Kuvendi i Kosovës shqyrton dhe miraton çdo dy vjet raportin e Qeverisë për realizimin e Programit të
Kosovës për Barazi Gjinore.
QEVERIA DHE MINISTRITË
4.4. Qeveria harton Programin e Kosovës për Barazi Gjinore. Për përmbushjen e këtij qëllimi, Qeveria
emëron një grup të përbërë nga përfaqësues të ministrive, Zyrës për Barazi Gjinore të Kosovës, të
komunave, të institucioneve publike, të shoqërisë civile dhe nga ekspertët.
4.5. Qeveria i paraqet Kuvendit të Kosovës projektrezolutën mbi Programin e Kosovës për Barazi Gjinore.
4.6. Çdo dy vjet Qeveria i paraqet raport Kuvendit të Kosovës për realizimin e Programit të Kosovës për
Barazi Gjinore.
4.7. Detyrë dhe përgjegjësi e Qeverisë dhe ministrive në fushën e barazisë gjinore është edhe promovimi
dhe garantimi i të drejtave të barabarta gjinore.
4.8. Qeveria në kuadër të fushëveprimit të saj realizon qëllimet e këtij ligji duke ndërmarrë masat e
përgjithshmë dhe të veçanta të përcaktuara me këtë ligj.
4.9. Qeveria formon Këshillin ndërministror, anëtarë të të cilit janë Zyrtarët për Barazi Gjinore të
ministrive. Kompetencat dhe detyrat e këtij këshilli përcaktohen me rregullore të veçantë nga Qeveria.
4.10. Gjatë përgatitjes së rregulloreve dhe programeve të tyre, ministritë duhet të respektojnë dispozitat e
këtij ligji.
4.11. Ministritë bashkëpunojnë me Zyrën për Barazi Gjinore të Kosovës për hartimin e projektligjeve,
ndryshimin e ligjeve ekzistuese dhe shqyrtojnë rekomandimet e kësaj Zyre përkitazi me projektligjet dhe
dokumentet e tjera në aspektin e barazisë gjinore, para se këto projektligje t’i dorëzohen Qeverisë për të
marrë vendime.
4.12. Çdo ministri zgjedh zyrtar/zyrtare për barazi gjinore i cili/ e cila kryen detyrat e
koordinatorit/koordinatores për çështje gjinore. Kompetencat e Zyrtarëve për Barazi Gjinore në ministritë
përkatëse përcaktohen me rregullore të veçantë nga secila ministri, duke u mbështetur në Rregulloren e
UNMIK-ut nr. 2001/36 për Shërbimin Civil të Kosovës.
4.13. Zyrtari/Zyrtarja për barazi gjinore siç parashihet në paragrafin 4.12 është përgjegjës për
përmbushjen e detyrave nga aspekti i barazisë gjinore, në kuadër të kompetencave të ministrisë, duke u
bazuar në këtë Ligj dhe në bashkëpunim me Zyrën për Barazi Gjinore të Kosovës.
ORGANET E QEVERISJES LOKALE
4.14. Organet e qeverisjes lokale, në pajtim me kompetencat e tyre, promovojnë dhe krijojnë mundësi të
barabarta, hartojnë politikat e tyre duke u bazuar në barazinë gjinore dhe miratojnë masa dhe ndërmarrin
aktivitete të nevojshme për krijimin e mundësive të barabarta për femra dhe meshkuj.
4.15. Organet e qeverisjes lokale themelojnë Zyrën për Barazi Gjinore dhe zgjedhin Zyrtarin/Zyrtaren për
Barazi Gjinore në komunë. Kompetencat e Zyrtarëve për Barazi Gjinore në komuna përcaktohen me
rregullore të veçantë, në bazë të këti ligji, nga Departamenti për Administrim Lokal i Ministrisë të
Shërbimeve Publike dhe Rregullores për Shërbimin Civil të Kosovës.
4.16. Vendimet që marrin organet e qeverisjes lokale, para miratimit duhet të shqyrtohen në aspektin e
barazisë gjinore edhe nga zyrtari/zyrtarja për Barazi Gjinore në komunën përkatëse.
4.17. Zyrtari/Zyrtarja për Barazi Gjinore në komunë bashkëpunon me Zyrën për Barazi Gjinore të
Kosovës
Neni 5
ZYRA PËR BARAZI GJINORE
5.1. Qeveria e Kosovës themelon Zyrën për Barazi Gjinore si institucion të veçantë qeveritar.
5.2. Zyra për Barazi Gjinore ka këto kompetenca:
a) zbaton dhe monitoron dispozitat e këtij Ligji dhe rregulloreve të miratuara në bazë të tij;
b) i propozon Qeverisë dhe ministrive hartimin, ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve dhe rregulloreve,
si dhe miratimin e masave të tjera;
c) përpilon dhe propozon politikën për promovimin e barazisë gjinore dhe mbikëqyrë zbatimin e saj;
d) mbikëqyr zbatimin e marrëveshjeve dhe akteve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me barazinë
gjinore;
e) përgatit raporte për Kosovën mbi përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare në fushën
e barazisë gjinore, të cilat miratohen nga Qeveria;
f) koordinon punën rreth përgatitjes së Programit të Kosovës për Barazi Gjinore, dhe monitoron
zbatimin e tij;
g) bashkëpunon me Zyrtarët për Barazi Gjinore në ministri dhe qeveritë lokale;
h) bashkëpunon me organizatat jo-qeveritare të cilat janë aktive në fushën e barazisë gjinore dhe
siguron financimin e pjesshëm për projekte apo aktivitetet e tyre;
i) bashkëpunon me institucionet publike dhe siguron financim të pjesshëm për projekte apo
aktivitetet e tyre;
j) propozon kushtet dhe kriteret për financim të pjesshëm të cilin e përcakton Qeveria;
k) koordinon aktivitetet e drejtuara në zbatimin e normave të përgjithshme të barazisë gjinore, duke
përfshirë afrimin e ndihmës profesionale për zhvillimin e metodave dhe teknikave të
përshtatshme;
l) propozon nisma për hulumtim dhe analiza në fushën e barazisë gjinore;
m) punon në ngritjen e vetëdijes së përgjithshme për barazinë gjinore;
n) i raporton çdo vit Qeverisë për veprimtarinë e Zyrës për vitin paraprak, e më së voni deri në fund
të muajit mars.
o) Zyra për barazi gjinore gjatë kryerjes së detyrave të saj lidhur me çështjet gjinore të përmendura
në nenin 5.2 (a) deri (n) i bashkërendon aktivitetete e saj me Zyrën këshillëdhënëse për qeverisje
të mirë, për të drejtat e njeriut, për mundësi të barabarta dhe gjini të themeluar sipas Rregullores
së UNMIK-ut nr. 2001/19, shtojca I.
Neni 6
NJËSIA PËR BARAZI GJINORE
Çështjet e diskriminimit që lidhen drejtpërdrejt me gjininë trajtohen nga njësia për barazi gjinore në
kuadër të institucionit të Ombudspersonit, të themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2000/38, e cila po
ashtu, ka përgjegjësi të rishikojë projektligjet, të japë komente lidhur me zbatimin e këtij ligji dhe me
legjislacionin ekzistues, kur ka të bëjë me çështjet gjinore. Zyra për barazi gjinore në kuadër të
institucionit të Ombudspersonit financohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.
Neni 7
FINANCIMI I ZYRËS PËR BARAZI GJINORE TË KOSOVËS
Zyra e Kosovës për barazi gjinore financohet nga Buxheti I Konsoliduar i Kosovës.
Neni 8
MBLEDHJA E INFORMATAVE DHE STATISTIKAT GJINORE
8.1. Të dhënat dhe informatat statistikore dhe jo - statistikore të cilat i mbledhin, i evidentojnë dhe i
përpunojnë organet qëndrore dhe lokale, shërbimet dhe institucionet publike, ndërmarrjet publike dhe
private si dhe subjektet e tjera paraqiten sipas struktures gjinore.
8.2. Programet, raportet, analizat dhe projektet të cilat i përgatisin organet qëndrore, lokale, institucionet
publike, ndërrmarjet publike dhe private si dhe subjektet e tjera përfshijnë aspektin gjinor.
8.3. Institucionet e Kosovës, të cilat në bazë të ligjeve përkatëse janë kompetente të mbledhin, të
evidentojnë, të përpunojnë dhe të bëjnë analizën e statistikave, përfshijnë treguesin gjinor në gjithë
veprimtarinë e tyre, regjistrimin e popullsisë, anketimet demografike, dhe çdo lloj tjetër të anketimit.
8.4. Të dhënat dhe informatat statistikore dhe jo-statistikore që mblidhen, evidentohen dhe përpunohen
në pajtim me paragrafin 9.1 janë pjesë përbërëse e evidences statistikore dhe lejohet qasje në to në
pajtim me dispozitat me të cilat rregullohet mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve si dhe në pajtim
me dispozitat e Ligjit mbi qasjen në dokumentet zyrtare.
Neni 9
PARTITË POLITIKE
Partitë politike të regjistruara në regjistrin e partive politike, përcaktojnë metodat dhe masat për
përfshirjen dhe përfaqësimin e femrave dhe meshkujve në pajtim me nenin 3.2.
Neni 10
SHOQËRIA CIVILE
10.1. Organizatat jo-qeveritare, shoqatat dhe fondacionet bashkëpunojnë dhe koordinojnë punën e tyre
në fushën e barazisë gjinore me institucionet qeveritare si dhe me institucione të tjera të përcaktuara me
këtë Ligj.
10.2. Subjektet e shoqërisë civile kontribojnë në zbatimin e këtij Ligji.
Neni 11
EKONOMIA
11.1. Në legjislacionin ekonomik, financiar, të punësimit dhe mirëqënies sociale si dhe në programet
makro dhe mikro - ekonomike, financiare, privatizim, përfshirë edhe të drejtën për trashëgimi dhe pronësi,
kredi dhe burime natyrore duhet të mundësohet qasje e plotë dhe e barabartë për femra dhe meshkuj.
11.2. Organet përgjegjëse dhe personat juridik me autorizime publike si dhe institucionet financiare në
kushte të barabarta u sigurojnë femrave dhe meshkujve qasje në mjete dhe shpërndarje të mjeteve të
ndara për nxitjen e krijimit të biznesit dhe vetëpunësimit.
Neni 12
PUNA
12.1. Sektori publik, privat si dhe institucionet ligjvënëse dhe ekzekutive në sektorin e punës dhe të
punësimit, sigurojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për femra dhe meshkuj.
12.2. Vendi i lirë i punës hapet njësoj për femra dhe meshkuj.
12.3. Shpallja ose publikimi i vendit të lirë të punës nuk mund të përmbajë fjalë apo shprehje që
diskriminojnë në baza gjinore. Kjo dispozitë nuk vlen nëse qëllimi i shpalljes dhe publikimit bëhet për të
balancuar strukturën gjinore brenda një sektori profesional, dhe kjo duhet të vëhet në dukje në shpallje.
12.4. Kriteret dhe kushtet për zgjedhjen e kantidatëve për vende të punës në çdo degë veprimtarie, në të
gjitha shkallët profesionale, në sektorin publik dhe privat, vendosen mbi bazat e barazisë gjinore.
12.5. Punëdhënësi/Punëdhënësja, është i/e detyruar të paguajë pagë të njëjtë për femra dhe meshkuj,
për punën e njëjtë dhe për punën me vlerë të njëjtë, si dhe siguron kushtet e barabarta të punësimit dhe
të punës dhe të gjitha të drejtat e barabarta të punës.
12.6. Punëdhënësi/Punëdhënësja siguron që femrat dhe meshkujt të kenë mundësi të barabarta për të
vazhduar shkollimin dhe aftësimin profesional dhe të përcjellin trajnimet të cilat mbahen për të shtuar
shkathtësitë profesionale ose të përgatiten për profesione të tjera.
12.7. Punëdhënësi/Punëdhënësja apo institucioni që bën aftësimin profesional dhe secili individ që merr
pjesë në aftësimin profesional nuk u lejohet që të diskriminojnë asnjë individ në baza gjinore.
12.8. Punëdhënësi/Punëdhënësja, duhet të sigurojë trajtim të barabartë për femra dhe meshkuj në
sektorin e punës, dhe të marrë masa në mënyrë që profesionet të mos jenë të kategorizuara si punë
specifike vetëm për femra ose vetëm për meshkuj.
12.9. Punëdhënësit marrin masa të nevojshme për t’u mundësuar femrave dhe meshkujve të përshtasin
detyrimet e tyre profesionale dhe familjare. Organizimi i punës dhe orarit, në pajtim me nevojat e tregut të
punës dhe gjendjen familjare të të punësuarve, bëhet në mënyrë që të sigurojë kthimin në vendin e njëjtë
të punës pas pushimit të lindjes, pushimit prindëror, pushimit të abortit, pushimit mjekësor ose pas kohës
së kaluar jashtë vendit të punës për shkaqe urgjente familjare, apo aftësime profesionale.
12.10. Është e drejtë e çdo të punësuari femër apo meshkull të anëtarësohet dhe aktivizohet në
sindikatat e punëtorëve apo të punëdhënësve apo në çdo organizatë tjetër profesionale, përfshirë edhe
përfitimet që dalin nga kjo anëtarësi.
12.11. Ndalohet ngacmimi dhe ngacmimi seksual në vendin e punës.
12.12. Ndalohet përjashtimi nga puna i një të punësuari/punësuareje në rastin kur ai/ajo kërkon zbatimin
e këtij ligji.
12.13. Ndalohet përjashtimi nga puna, pushimi i përkohshëm nga puna, padrejtësia lidhur me sigurinë në
punë, kushtet e punës ose vlerësimin e punës së tij/saj si pasojë e ankesës së tij/saj për ngacmim
seksual ose diskriminim në bazë të gjinisë.
12.14. Ndalohet diskriminimi mbi bazat gjinore në rast të zvogëlimeve dhe mbylljes së vendeve të punës.
12.15. Puna e papaguar e femrave dhe meshkujve vlerësohet kontribut në zhvillimin e familjes dhe
shoqërisë në raste të:
a) kujdesit për mirëqenien familjare;
b) kujdesit për fëmijët;
c) kujdesit për anëtarë të tjerë të familjes;
d) punës në bujqësi dhe ekonomi familjare,etj;
Të drejtat që dalin nga ky paragraf realizohen me legjislacionin e sigurimit social, politikave dhe masave
tjera.
12.16. Mbrojtja në punë, për femra dhe meshkuj dhe përfitimet e sigurimit social për punën me orar të
shkurtuar, për punën e përkohshme dhe për punën që kryhet nga shtëpia sigurohet me ligjet në fuqi.
Neni 13
ARSIMI DHE EDUKIMI
13.1. Në të gjitha nivelet e arsimit dhe edukimit duhet të mundësohet arsimimi dhe edukimi i barabartë i
femrave dhe meshkujve për pjesëmarrjen e tyre aktive në shoqëri, në jetën familjare dhe në tregun e
punës.
13.2. Organi përgjegjës për arsim dhe institucionet në fushën e arsimit dhe të edukimit në të gjitha nivelet
krijojnë, zbatojnë dhe mbikëqyrin politikat e veprimit për sigurimin e barazisë gjinore me qëllim të trajtimit
të njëjtë të femrave dhe meshkujve, veçanërisht përsa i përket:
a) qasjes në arsim dhe edukim;
b) arsimit dhe edukimit lidhur me çështjet e barazisë gjinore;
c) përgatitjes, miratimit dhe zbatimit të programit arsimoro-edukativ;
d) hartimit të materialeve dhe teksteve shkollore dhe rishikimit të materialeve dhe teksteve
shkollore ekzistuese;
e) hulumtimit të statusit të gjinive në shoqërinë kosovare, si një ndër mënyrë specifike në
fushën e arsimit;
f) përfshirjes së femrave dhe meshkujve në trajnime të arsimimit profesional dhe të
këshillimit për ato profesione të cilat deri tani janë konsideruar tradicionalisht si
profesione vetëm për meshkuj ose vetëm për femra;
g) përfshirjes së barabartë të femrave dhe meshkujve në lëmenjtë e sportit dhe aktiviteteve
të lira, gjatë orarit arsimor.
13.3. Në shkolla dhe institucione të tjera arsimore dhe pedagogjike ndalohet çdo lloj diskriminimi gjinor.
Neni 14
MEDIAT
14.1. Me anë të politikave programuese, të gjitha mediat (media të shtypura, media audio-vizuale, media
elektronike) duhet të ndikojnë në kultivimin e vetëdijes së përgjithshme për barazinë e femrave dhe
meshkujve:
a) duke organizuar emisione edukativo-arsimore;
b) duke siguruar mundësi për paraqitje dhe pjesëmarrje të barabartë të femrave dhe të
meshkujve;
c) duke promovuar rolin e barabartë të femrave dhe meshkujve në shoqëri;
d) duke siguruar informacione të sakta dhe të plota mbi barazinë gjinore.
14.2. Ndalohet emetimi i programeve, botimi dhe publikimi i materialeve dhe informatave si dhe
shpërndarja e informatave në formën elektronike mbi baza të diskriminimit gjinor.
14.3. Ndalohet shfaqja publike dhe paraqitja e çdo individi në mënyrë ofenduese, nënçmuese apo
poshtëruese përsa i përket gjinisë dhe orientimit seksual.
Neni 15
BARAZIA GJINORE DHE TË DREJTAT CIVILE
15.1. Mosha madhore për të dy gjinitë në Kosovë është 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç.
15.2. Martesa njihet me ligj me aktin e kurorëzimit dhe sjell të drejta dhe detyrime sipas ligjit nëse me ligj
të posaçëm nuk është përcaktuar ndryshe.
15.3. Kurorëzimi lejohet me arritjen e moshës madhore, nëse me ligj të veçantë nuk është paraparë
ndryshe.
15.4. Femra ose mashkulli, nuk mund të ketë më tepër se një kurorëzim në të njëjtën kohë.
15.5. Martesat e kushtëzuara, të dhunshme dhe në kundërshtim me vullnetin e personave që do të lidhin
martesë, denohen me ligj.
15.6. Pasuria e krijuar gjatë jetës në martesë regjistrohet në regjistrat publik, si pronë e përbashkët në
emër të të dy bashkëshortëve.
15.7. Institucioni që bën regjistrimin e pasurisë në regjistrat publik është i detyruar të veprojë në pajtim
me paragrafin 16.6 të këtij Ligji.
15.8. Puna e përbashkët e bashkëshortëve me të cilën fitohet pasuria e përbashkët, konsiderohet
kontribut i barabartë për krijimin e pasurisë së përbashkët.
15.9. Pasuria e përbashkët e regjistuar si pronë e përbashkët në pajtim me paragrafin 16.7, administrohet
bashkarisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.
15.10. Në rast të shkurorëzimit të bashkëshortëve pasuria e përbashkët ndahet në pjesë të barabarta.
15.11. Në rast vdekje të njërit prej bashkëshortëve, pasuria trashëgimore ndahet ndërmjet
bashkëshortit/bashkëshortes dhe trashëgimtarëve të tjerë në pajtim me ligjin.
15.12. Fëmijët, femra dhe meshkuj trashëgojnë pasurinë në mënyrë të barabartë.
15.13. Trashëgimtarët, femra dhe meshkuj , mund të disponojnë me pjesën e tyre trashëgimore dhe ta
tjetërsojnë, pas regjistrimit si pasuri e tyre trashëgimore.
15.14. Femrat dhe meshkujt kanë të drejtë për qasje të barabartë në sistemin e sigurisë dhe mirëqenies
sociale gjatë tërë jetës.
Neni 16
DISPOZITAT NDËSHKUESE
16.1. Punëdhënësi/Punëdhënësja në rast të shkeljes së paragrafit 13.5 të këtij Ligji, dënohet me gjobë
prej 1,000 deri në 5,000 Euro.Personi përgjegjës në rast të shkeljes së paragrafit 13.5 të këtij ligji,
denohet me gjobë prej 500 deri në 1.500 Euro.
16.2.Punëdhënësi/Punëdhënësja në rast të shkeljes së paragrafit 13.12 dhe 13.13 të këtij Ligji, dënohet
me gjobë prej 5,000 deri në 10,000 Euro.Personi përgjegjës në rast të shkeljes së paragrafit 13.12 dhe
13.13 të këtij ligji, dënohet me gjobë prej 1.000 deri 3.000 euro.
16.3. Personat juridik, në rast të shkeljes së paragrafit 15.2 të këtij Ligji, dënohen me gjobë prej 5,000
deri në 10,000 Euro.Personi përgjegjës në rast të shkeljes së paragrafit 15.2 të këtij ligji, denohet me
gjobë prej 1.000 deri 3.000 Euro.
16.4. Institucioni i autorizuar dhe personi përgjegjës për regjistrimin e pasurisë në regjistrat publik, në rast
të shkeljes së paragrafit 16.7 të këtij Ligji dënohet me gjobë prej 10,000 deri në 20,000 Euro.
16.5. Mjetet e mbledhura nga gjobat derdhen në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës.
Neni 17
DISPOZITAT KALIMTARE
17.1. Në afat prej 6 (gjashtë) muajsh prej hyrjes në fuqi të këtij Ligji, Qeveria e Kosovës i paraqet
Kuvendit të Kosovës, Rezolutën mbi Programin e Kosovës për Barazi Gjinore.
17.2. Në afat prej 3 (tre) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Ligji, Qeveria e Kosovës shpall Rregulloren për
themelimin e Zyrës për Barazi Gjinore.
17.3. Në afat prej 3 (tre) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Ligji, Ministritë duhet të kenë zgjedhur Zyrtarët
për Barazi Gjinore.
17.4. Në afat prej 3 (tre) muajsh qeveritë komunale zgjedhin Zyrtarin/ Zyrtaren për Barazi Gjinore në
Komunë.
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 18
18.1. Garantohet mbrojtja gjyqësore e barazisë gjinore.
18.2. Ndalohet diskriminimi gjinor me ligj në të gjitha fushat e jetës shoqërore në Kosovë.
18.3. Me këtë Ligj nuk ndalohet zbatimi i ligjeve të tjera në fuqi me të cilat ndëshkohet shkelja e barazisë
gjinore.
Neni 19
HYRJA NË FUQI E LIGJIT
Ky Ligj hyn në fuqi pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe shpalljes së tij.
UNMIK/REG/2004/18
07.06.2004