LIGJI NR. 02/L-26 PËR TOKËN BUJQËSORE

GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI II / NR. 13 / 01 QERSHOR 2007

Ligji Nr. 02/L-26

PËR TOKËN BUJQËSORE

Kuvendi i Kosovës,

Duke u bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2001/9 të datës 15 maj 2001 për Kornizën
Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë, Kreu 9.1, 26 (a) dhe 5. 1 (j),

Me qëllim të krijimit të bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.

Miraton:

LIGJIN PËR TOKËN BUJQËSORE

KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Lënda e rregullimit

Me këtë ligj përcaktohet shfrytëzimi, mbrojtja, rregullimi dhe qiradhënia e tokës bujqësore, me
qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së potencialit bujqësor në mënyrë të përhershme, duke u bazuar
në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.


Neni 2
Qëllimi

Toka bujqësore si pasuri natyrore me interes të përgjithshëm, ka mbrojtje të veçantë dhe duhet të
shfrytëzohet për prodhimtari bujqësore dhe nuk mund të përdoret për qëllime tjera përveç në rastet e
përcaktuara më këtë ligj dhe me dispozitat e tjera të nxjerrura në bazë të tij.


Neni 3
Definicionet

Për qëllimet e këtij ligji, fjalët dhe shprehjet e mëposhtme kanë këto kuptime:

a). Tokë bujqësore - Toka e shfrytëzuar për kultivimin e kulturave bujqësore: arë, kopsht,
pemishte, vresht, livadh, kullotë, hurdhë peshku dhe moçal, si dhe tokat tjera që nuk janë në
shfrytëzim për qëllime bujqësore, por që shfrytëzimi optimal i të cilave përfshinë prodhimin
bujqësor, duke marrë parasysh vetitë e tyre natyrore dhe kushtet ekonomike.

b). Tokë bujqësore e punueshme - Nënkupton tokën e cila përdoret për kultivimin e kulturave
bujqësore: arë, kopsht, pemishte, vresht, livadh.

c). Rregullimi i tokës – Ndërmarrja e masave dhe veprimeve në kompletimin e ngastrave në
posedim dhe rregullimin territorial të tokave bujqësore me qëllim të rritjes së shfrytëzimit efektiv
dhe të përmirësuar të tokës bujqësore.

d). Qiradhënia e tokës bujqësore - Bartja e të drejtës ekskluzive të shfrytëzimit të tokës
bujqësore nga pronari te një person tjetër ose disa persona për periudhë të caktuar me pagimin e
qirasë me të drejtë për të shfrytëzuar tokën për qëllime bujqësore.

e). Materiet ndotëse - Substancat të cilat shkaktojnë ndryshime në vetitë kimike, fizike ose
biologjike të tokës që rezultojnë në dobësimin e potencialit të saj prodhues ose paaftësimin e saj
për shfrytëzim bujqësor.
2

f). Kontaminimi i tokës - Kuptohet ndotja e tokës me materie të ndryshme mbetëse të ngurta, të
lëngëta dhe të gazta si dhe materiet radioaktive të cilat ndërrojnë cilësitë natyrore të tokës dhe
shkaktojnë akumulimin e materieve të dëmshme në kulturat bujqësore.

g). Personi - Personi fizik ose juridik.

h). Ministria - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

i). Kullotë– Toka e mbuluar kryesisht me vegjetacion natyrorë bimor e cila shërben për kullotjen,
lëshuarjen dhe pushimin e bagëtisë.

j). Leje për kullota - Bartja e të drejtës së shfrytëzimit të kullotës nga pronari te shfrytëzuesi ose
disa shfrytëzues për një periudhë të caktuar me pagesë të taksës për të kullotur bagëtinë.

l). Lëvizje e bagëtisë nomade - Kullotja e bagëtisë jashtë vendqëndrimit të tyre.



KAPITULLI II
SHFRYTËZIMI I TOKËS BUJQËSORE

Neni 4
Shfrytëzimi i tokës bujqësore

4.1. Pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore t’a shfrytëzoj
në mënyrën e cila i përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe
duke përdorur masat agroteknike përkatëse.

4.2. Nëse pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore nuk e shfrytëzon tokën sipas paragrafit 1 të
këtij neni do të bëjë përpjekje të siguroj shfrytëzimin e saj përmes dhënies së tokës më qira apo
në mënyrë tjetër në pajtim më dispozitat e dhënies së paluajtshmërive në shfrytëzim.

Neni 5
Kullotat

5.1. Kullotat nuk mund të shfrytëzohen për qëllime të tjera përveç rasteve të përcaktuara me ligj.

5.2. Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, kullotat mund të shndërrohen në kulturë ose
shfrytëzim tjetër, nëse me këtë arrihet shfrytëzimi më racional dhe ekonomik i tokës, por duke
mos shkaktuar erozion dhe pengesa në shfrytëzimin normal të kullotave tjera.

5.3. Ndërrimi i destinimit të kullotave bëhet sipas dispozitave për ndërrim te destinimit të tokës
bujqësore.

5.4. Lartësinë e taksës për shfrytëzim të kullotave në pronësi publike e cakton Ministria me akt
nënligjor të veçantë. Tatimi për shfrytëzimin e kullosave publike duhet të ndërlidhet me
kapacitetin e tokës dhe të llogaritet në bazë të numrit të bagëtive që mund të kullosën në atë
tokë.

5.5. Kompensimi për shfrytëzimin e kullosave paguhet në llogari të Buxhetit të Konsoliduar të
Kosovës dhe mund të përdoret për përmirësimin e kullotave.

5.6. Në kullotat që gjenden mbi kufirin natyror dhe më të lartë të vegjetacionit pyjor ose që janë
krijuar me uljen e këtij kufiri pyjor, Ministria do të përcaktoj afatet e fillimit dhe përfundimit të
kullotjes dhe ndalohet kullotja e bagëtive para dhe pas këtyre afateve.


Neni 6
Shfrytëzimi i kullotave
3

Shfrytëzuesi i kullotave ka për detyrë:

a) të bëjë shfrytëzimin racional të kullotave;
b) t’u mundësoj shfrytëzuesve tjerë kalimin, afrimin dhe dërgimin e bagëtisë në kullota dhe
në fusha, si dhe caktimin e vendit për dhënien ujë bagëtisë;
c) të bëjë vazhdimisht meliorimin dhe mirëmbajtjen me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe
shtimit të kapaciteteve të kullotave dhe
d) të zbatojë masat e mbrojtjes së kullotave nga shfrytëzimi i tepërt dhe jodestinues.


Neni 7
Ndalimi i kullotjes së bagëtisë nomade

7.1. Me qëllim të mbrojtjes së kulturave bujqësore dhe për të parandaluar paraqitjen dhe
përhapjen e sëmundjeve ngjitëse të bagëtisë, dhe për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve nga
zoonozat të cilat mund të barten nga bagëtitë te njerëzit, ndalohet kullotja e bagëtisë nomade në
toka bujqësore pa certifikatën veterinere.

7.2. Nuk konsiderohet kullotje nomade, sipas paragrafit 1 të këtij neni, kullotja e zakonshme e
bagëtisë në kullota në pronësi të mbajtësit të bagëtisë, në kullota të marra me qira apo në kullota
publike.

7.3. Ministria me akt nënligjor përcakton kushtet e ndalimit të kullotjes së bagëtisë nomade.


Neni 8
Mbajtja e evidencës për tokat bujqësore

8.1. Personat juridik që merren më veprimtari bujqësore janë të obliguar të mbajnë evidencën për
tokën bujqësore të cilën e shfrytëzojnë apo e posedojnë.

8.2. Organi komunal kompetent për bujqësi është i obliguar të mbajë evidencë për tokën e pa
punuar, tokën e dhënë në shfrytëzim, dhe evidencën për tokën të cilës i është ndërruar destinimi i
shfrytëzimit.

8.3. Organi kompetent komunal këto të dhëna ia dërgon Ministrisë sipas kërkesës së saj.


Neni 9
Servituti sezonal

9.1. Nëse pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore nuk mund të hyj në tokën e tij pa kaluar
nëpër tokën e personit tjetër, ai ka të drejtë të kërkoj që ti lejohet kalimi nëpër tokën fqinje për të
kryer punët sezonale.

9.2. Servituti sezonal bëhet me procedurë të shkurtë dhe shërben derisa punët e fushës (lëvrimi,
mbjellja, korrja, bartja e prodhimeve dhe punët tjera) të mos kryhen.

9.3. Servitutin sezonal, vlerësimin e dëmit dhe lartësinë e kompensimit e cakton organi
kompetent komunal, ndërsa kompensimin e dëmit e bënë shfrytëzuesi i servitutit sezonal.

9.4. Ankesa kundër vendimit të organit kompetent komunal i bëhet Ministrisë dhe nuk e ndalë
ekzekutimin e vendimit.


KAPITULLI III
MBROJTJA E TOKËS BUJQËSORE

Neni 10
4
Klasifikimi i tokës bujqësore

10.1. Më qëllim të mbrojtjes së potencialit bujqësor dhe shfrytëzimit racional të tokës bujqësore
Ministria do të caktoj kriteret e klasifikimit të tokave bujqësore sipas bonitetit dhe do të mbajë
hartat e klasifikimit.

10.2. Çdo ndërrim i destinimi sipas paragrafit 3 të këtij neni, mund të bëhet vetëm sipas ligjit dhe
me vendim të organit kompetent komunal, pasi të jetë marrur pëlqimi nga Ministria në projektin e
rregullimit hapësinor.

10.3. Përjashtimisht kur nuk ekziston ndonjë mundësi tjetër dhe kur këtë e kërkon interesi i
përgjithshëm toka bujqësore, përkatësisht toka pyjore e klasit 1 - 4 me plan hapësinor,
përkatësisht me plan zhvillimor komunal, mund të përcaktohet si tokë për destinime tjera.

10.4. Toka bujqësore në bazë të bonitetit të saj klasifikohet në 8 klasë.

10.5. Në planet hapësinore sipas vlerës së shfrytëzimit dhe bonitetit të saj toka bujqësore
përcaktohet:

a) klasa e 1-4 përcaktohet vetëm si tokë bujqësore, përkatësisht si tokë pyjore;

b) klasa e 5 dhe 6 përcaktohet si tokë bujqësore, pyjore dhe përjashtimisht si tokë për
qëllime të tjera;

c) klasa 7 dhe 8 përcaktohet si tokë bujqësore e cila sipas nevojës shfrytëzohet edhe për
qëllime të tjera.

10.6. Klasifikimi ekzistues do të vlejë deri në klasifikimin e ri të tokës bujqësore.

10.7. Vlerësimin e klasifikimit të tokës sipas bonitetit do ta bëjë institucioni i autorizuar nga
Ministria. Vlerësimi pastaj i përcillet Ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për shqyrtim
dhe inkorporim në planet hapësinore.



Neni 11
Ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore

11.1. Tokat bujqësore shfrytëzohen vetëm për prodhimtari bujqësore dhe përjashtimisht mund të
shfrytëzohet edhe për qëllime të tjera vetëm në rastet e përcaktuara me këtë Ligj.

11.2. Ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore mund të bëhet vetëm në pajtim me planin e
rregullimit hapësinor dhe dispozitat tjera të përcaktuara me Ligj.

11.3. Hartuesi i planit hapësinor dhe planit zhvillimor komunal, duhet të ketë kujdes për ruajtjen
dhe mbrojtjen e tokës bujqësore me rastin e zgjerimit të qyteteve dhe vendbanimeve tjera e
sidomos mbrojtjen e tokës bujqësore në sistemin e ujitjes.

11.4. Tokës bujqësore nga neni 10.5 (a) dhe (b) nuk mund t’i ndërrohet destinimi dhe ajo nuk
mund të filloj të përdoret për qëllime jobujqësore, nëse për atë rajon nuk është nxjerr plani
hapësinorë, përkatësisht plani zhvillimor komunal me të cilin kësaj toke i është përcaktuar
destinimi tjetër.

11.5. Ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore nga klasa 7-8, nëse nuk është i bazuar në planin e
rregullimit hapësinor, do të bëhet me pëlqim urbanistik.

11.6. Pëlqimin urbanistik e jep organi kompetent për planifikim hapësinor në pajtim me pëlqimin e
organit kompetent komunal për bujqësi.

5
11.7. Përjashtimisht nga paragrafi 4 i këtij neni, toka bujqësore, përkatësisht pyjore, prej klasit 1-6
mund të shfrytëzohet për qëllime tjera, për ndërrim të përkohshëm të destinimit, vetëm në rastet e
përcaktuara me nenin 13.1 (b) të këtij Ligji, përveç ndërrimit të përkohshëm të shfrytëzimit të
lëndëve industriale dhe minerale në mihjet sipërfaqësore më të mëdha se 0, 5 ha. Ndërrimi i
përkohshëm i destinimit përcaktohet me pëlqim urbanistik të organit kompetent për planifikim
hapësinor në pajtim me pëlqimin e organit kompetent për bujqësi. Pëlqimi i organit komunal për
bujqësi epet në formë të vendimit.

11.8. Me pëlqimin urbanistik përcaktohet afati deri kur toka duhet të kthehet në tokë për
prodhimtari bujqësore.

11.9. Afati për ndërrim të destinimi nga paragrafi 7 i këtij neni nuk mund të jetë më i gjatë se 5
vite.
Neni 12

12.1. Toka bujqësore e cila me planin hapësinor është përcaktuar si tokë për qëllime jo
bujqësore, mund të shfrytëzohet për prodhimtari bujqësore deri në momentin e fillimit të ndërtimit
të objektit, përkatësisht kryerjes së punëve tjera.

12.2. Organi komunal kompetent për bujqësi është i detyruar të siguroj se toka bujqësore do të
shfrytëzohet për prodhimtari bujqësore sipas paragrafit 1 të këtij neni.


Neni 13
Ndërrimi i përhershëm dhe i përkohshëm i destinimit

13.1. Ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore mund të jetë i përhershëm dhe i përkohshëm.

a) ndërrimi i përhershëm i destinimit të tokës bujqësore konsiderohet çdo ndërrim i
destinimit i cili bëhet për ndërtimin e vendbanimeve, objekteve industriale, hekurudhave,
komunikacionit rrugor, rezervuarëve të ujit, aeroporteve, linjave të ndryshme instaluese
apo objekteve të tjera të cilat përgjithmonë pamundësojnë shfrytëzimin e tokës bujqësore
për prodhimtari bujqësore.

b) ndërrimi i përkohshëm i destinimit të tokës bujqësore konsiderohen objektet e karakterit të
përkohshëm, shfrytëzimi i mineraleve sipërfaqësore, depozitë e mbeturinave, hirit industrial
dhe mbeturinat e industrisë së drurit. Toka bujqësore pas një periudhe të caktuar përsëri
mund të shfrytëzohet për prodhimtari bujqësore.

13.2. Shfrytëzimi i rërës, zhavorrit dhe gurëve konsiderohet ndërrim i përkohshëm i destinimit të tokës
bujqësore në rastet kur këto gjenden në tokën e përcaktuar si tokë bujqësore.

13.3. Në rastet e ndërrimit të destinimit nga paragrafi 1 (b) dhe paragrafi 2 i këtij neni, shfrytëzuesi
është i detyruar që pas përfundimit të shfrytëzimit apo përfundimit të afatit të përcaktuar për ndërrim
të përkohshëm të destinimit, tokën t’a kthej në gjendjen e mëparshme.


Neni 14
Kompensimi për ndërrim destinimi

14.1. Të gjithë personat fizik dhe juridik duhet ta paguajnë kompensimin për ndërrimin e
destinimit të tokës bujqësore në tokë për qëllime jo bujqësore, përveç nëse me ligj nuk është
përcaktuar ndryshe.

14.2. Kompensimi nga paragrafi 1 i këtij neni paguhet në llogari të veçantë të Buxhetit të
Konsoliduar të Kosovës dhe mund të shfrytëzohet në mënyrë destinuese për shtimin e
sipërfaqeve të punueshme dhe përmirësimin dhe rregullimin e tokave bujqësore.

14.3. Kompensimi nuk paguhet në rastet kur:

6
a) ndërtimet bëhen për mbrojtje nga përmbytjet, infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, për
mbrojtjen e tokës bujqësore nga erozioni dhe mbrojtjen e ujërave nga ndotësit;
b) bëhet ndërtimi dhe zgjerimi i varrezave;
c) bëhet pyllëzimi;
d) ndërtohen rrugët publike;
e) ndërtimet që bëhen për mbrojtje dhe shpëtim;
f) ndërtimet që kanë për qëllim ngritjen e objektit për mbrojtje të tokës dhe pyllit;
g) ndërtohen objektet dhe pajisjet e infrastrukturës komunale për ujë të pijshëm dhe ujëra të
zeza;
h) ndërtohen objekte shkollore dhe shëndetësore dhe objekte për raste sociale.

14.4. Vendimin për lirimin nga pagesa e kompensimit e nxjerr organi kompetent komunal.

14.5. Procedurat e kompensimit dhe lartësia e kompensimit për ndërrim destinimi të tokës
bujqësore do të përcaktohen nga Ministria, me akt të veçantë nënligjor.


Neni 15
Shfrytëzimi i tokës bujqësore në sistemin e ujitjes

Tokës bujqësore në sistemin e ujitjes nuk mund t’i ndërrohet destinimi i shfrytëzimit përveç
ngritjes së objekteve me rëndësi të veçantë publike.


Neni 16
Ruajtja e shtresës së plleshme të tokës

16.1. Krahas pagesës së kompensimit nga neni 14.1. i këtij Ligji, investitori është i obliguar që para
fillimit të kryerjes së punëve në tokën bujqësore, të largoj dhe të ruajë shtresën potencialisht të
plleshme të tokës për nevoja të rikultivimit të tokës ose për aftësimin e tokës me plleshmëri më të
vogël apo të tokës së pa plleshme për prodhimtari bujqësore.

16.2. Ndarja dhe ruajtja shtresës së plleshme të tokës dhe potencialisht të plleshme, e cila është
hequr para ndërtimit të objektit industrial dhe objekteve të tjera, shfrytëzohet sipas udhëzimit të
organit kompetent për bujqësi konform metodologjisë unike, për aftësim të tokës me plleshmëri
më vogël apo tokës së paplleshme për prodhimtari bujqësore.


Neni 17
Rikultivimi i tokës bujqësore

17.1. Toka bujqësore e cila është shfrytëzuar për destinime tjera nga neni 13.1 (b) dhe 13.2 të
këtij Ligji, e cila nuk ka karakter të përhershëm, i kthehet destinimit të parë apo destinimit tjetër,
përkatësisht aftësohet për prodhimtari bujqësore sipas projektit për rikultivim. Pëlqimin në
projektin për rikultivim e jep organi kompetent komunal për bujqësi.

17.2. Krahas kërkesës për dhënien e lejes për ndërtime për shfrytëzim të përkohshëm të tokës
bujqësore për destinime të tjera si dhe për ndërtimin e përkohshëm nga e cila vjen deri te dëmtimi
përreth i tokës bujqësore, shfrytëzuesi është i detyruar ta paraqet projektin për rikultivim i cili
bëhet në pajtim me dokumentacionin teknik për ndërtim, përkatësisht kryerja e punëve me
pëlqimin e organit nga paragrafi 1 i këtij neni.

17.3. Projekti i rikultivimit nga paragrafi 1 i këtij neni i nënshtrohet vlerësimit profesional. Vlerësimin
profesional të projektit të rikultivimit e bënë institucioni profesional nga fusha e bujqësisë.



Neni 18
Përmbajtja e projektit për rikultivim

7
18.1. Projekti për rikultivim përmban:

a) Mënyrën e heqjes dhe ruajtjes së shtresës së plleshme dhe shtresës me potencial të
plleshëm.

b) Procedurat teknike, agroteknike, dhe biologjike të rikultivimit të tokës bujqësor dhe afatet e
kryerjes së rikultivimit biologjik të tokës bujqësore.

c) Dinamika e kthimit të tokës prodhimtarisë bujqësore.

d) Hulumtimi i materieve të dëmshme dhe të rrezikshme në tokën e rikultivuar dhe
e) Shumën financiare të projektit.

18.2. Shfrytëzuesi apo investitori i përkohshëm i tokës bujqësore është i detyruar që për sigurimin
e rikultivimit të tokës bujqësore, të paguajë paraprakisht në llogarinë të cilën e cakton organi
kompetent komunal për bujqësi shumën prej së paku 30% të mjeteve të nevojshme për rikultivim.

18.3. Mjetet nga paragrafi 2 i këtij neni mund të shfrytëzohen vetëm për qëllime të rikultivimit. Pas
rikultivimit mjetet i kthehen shfrytëzuesit.

18.4. Nëse gjatë eksploatimit të lëndëve industriale dhe lëndëve tjera minerale nga toka
bujqësore, çrregullohet regjimi ujor, apo vjen deri te përmbytjet dhe grumbullimi i ujit, shfrytëzuesi
është i detyruar që para kryerjes të rikultivimit biologjik t’i kryej edhe punët hidroteknike me të cilat
do të vendos regjimin e mëparshëm ujor në tokë.

18.5. Nëse shfrytëzuesi pas përfundimit të eksploatimit të lëndëve industriale dhe mineraleve të
tjera nuk e kryen rikultivimin e tokës bujqësore, organi kompetent për bujqësi do të angazhoj
organizatën tjetër e cila do të bëjë rikultivimin e tokës me shpenzimet e shfrytëzuesit të tokës
bujqësore për qëllime jo bujqësore.

18.6. Ministria me akt nënligjor përcakton metodologjinë unike për hartimin e projektit të
rikultivimit nga paragrafi 1 i këtij neni.



Neni 19

Organi kompetent komunal përkatësisht organi tjetër kompetent për dhënien e lejes për ndërtim
të objektit apo për kryerjen e punëve ose për dhënien e lejes për eksploatim të lëndëve
industriale dhe mineraleve të mihjeve sipërfaqësore dhe nëntokësore, deponimin e mbeturinave,
hirit, mbetjet e përpunimit të drurit dhe të ngjashme mund të jap leje nëse investitori apo
shfrytëzuesi përveç dokumentacionit tjetër të nevojshëm paraqet edhe dëshmi për pagesën e
kompensimit për ndërrim të destinimit të tokës bujqësore.



Neni 20
Mbrojtja e tokës bujqësore nga ndotja

20.1. Për të mundësuar prodhimtari të rregullt dhe të sigurt me qëllim të mbrojtjes së njerëzve,
botës bimore, shtazore dhe ambientit, zbatohet mbrojtja e tokës bujqësore nga ndotja.

20.2. Mbrojtja e tokës bujqësore nga ndotja bëhet me ndalim, kufizim dhe parandalim nga bartja
direkte, bartja përmes ujit dhe ajrit e materieve të dëmshme dhe ndërmarrja e masave për ruajtje
dhe përmirësim të plleshmërisë.

20.3. Ndalohet lëshuarja e lëndëve të dëmshme dhe të rrezikshme, të cilat e dëmtojnë dhe
ndryshojnë aftësinë prodhuese të tokës bujqësore apo kualitetin e kulturave bujqësore dhe
përdorimi jo i drejt i plehrave minerale, organike dhe mjeteve për mbrojtjen e bimëve.

8
20.4. Nëse vjen deri tek ndotja e tokës bujqësore me lëshuerjen e lëndëve të dëmshme dhe të
rrezikshme në sasi më të madhe se sa është e lejuar, ndotësi i tokës bujqësore i bartë shpenzimet
e veprimeve për dekontaminim, përkatësisht për sanim të tokës bujqësore.

20.5. Shpenzimet e dekontaminimit, apo sanimit nuk e përjashtojnë shkaktuesin e dëmit nga
përgjegjësia sipas dispozitave tjera.

20.6. Nëse personi nga paragrafi 4 i këtij neni, në afat të caktuar nuk e bën dekontaminimin apo
sanimin e tokës bujqësore, këtë do ta bëjë personi të cilin e cakton Ministria dhe atë me
shpenzime të personit i cili ka qenë i obliguar të bëjë këtë.


Neni 21
Monitorimi i tokës bujqësore

21.1. Me qëllim të mbrojtjes së tokës bujqësore nga ndotja duhet të bëhet hulumtimi dhe
monitorimi i vazhdueshëm i gjendjes dhe shkallës së ndotjes së tokave bujqësore nga materiet e
dëmshme të cilat përfshijnë:

a) Përcaktimin e zonës dhe shkallës së ndotjes së tokës – inventarizimi;

b) Monitorimi i vazhdueshëm i gjendjes dhe të gjitha ndryshimet në tokën bujqësore
si vetitë fizike, kimike dhe biologjike;

c) Vendosja e sistemit informativ për tokat e ndotura bujqësore.

21.2. Të gjitha aktivitetet nga paragrafi 1 i këtij neni i ndërmerr institucioni i autorizuar nga
Ministria.

21.3. Institucioni i autorizuar nga Ministria i cili e bën hulumtimin e tokës bujqësore nga paragrafi
1 i këtij neni, e informon për rezultatet e hulumtimit Ministrinë, e cila mundet ta ndalojë apo ta
kufizojë me vendim prodhimtarinë e prodhimeve të caktuara bujqësore dhe përdorimin e mjeteve
për mbrojtjen e bimëve dhe mjeteve të tjera në tokën e caktuar, nëse rezultati i hulumtimit këtë e
kërkon.

21.4. Me këtë vendim Ministria i informon organet komunale, pronarin apo shfrytëzuesin e tokës.

Neni 22
Kontrolla e plleshmërisë së tokës bujqësore

22.1. Më qëllim të mbrojtjes, ruajtjes dhe përmirësimit të vetive kimike, fizike dhe biologjike të
tokës bujqësore të punueshme dhe sigurimi i përdorimit të drejtë të plehrave minerale, bëhet
kontrollimi i rregullt i aftësisë prodhuese të tokës prej klasës së 1-5.

22.2. Institucioni i autorizuar nga Ministria i cili e bën kontrollin e rregullt të aftësisë prodhuese të
tokës sipas paragrafit 1 të këtij neni, është i detyruar ta njoftoj pronarin apo shfrytëzuesin e tokës
bujqësore me rezultatet e hulumtimit të plleshmërisë së tokës dhe t’i rekomandoi masat për
shtimin e plleshmërisë.

22.3. Ministria me akt nënligjor përcakton procedurat dhe aktivitetet nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij
neni.

Neni 23
Mbrojtja nga erozioni

23.1. Me qëllim të mbrojtjes së tokës bujqësore nga erozioni, Ministria me akt nënligjor do të
përcaktoj marrjen e masave agroteknike:

a) Kufizimin ose ndalimin e prerjes së drunjve, përveç në rastet kur kjo është masë
agroteknike;
9
b) Kufizimin ose shfrytëzimin e kullotave duke përcaktuar llojin, kohën, numrin e kafshëve që
mund të kullosin, si dhe mënyrën e shfrytëzimit të tyre;
c) Ndalimin e lëvrimit të livadheve, kullotave dhe sipërfaqeve të pashfrytëzuara të tokave të
pjerrëta për qëllime të shndërrimit të tyre në tokë të lëvrueshme me
kultura një vjeçare;
d) Ndalimin e largimit të shtresës humusore ose shtresës së punueshme nga toka bujqësore;
e) Detyrimin e mbjelljes së barit të llojit të veçantë në tokat e pjerrëta;
f) Obligimin e ndërmarrjes së masave mbrojtëse për parandalimin e dëmeve që mund
të shkaktohen nga erërat.

23.2. Shpenzimet e zbatimit të masave kundër erozionit i mbulon pronari apo shfrytëzuesi i tokës.

23.3. Nëse ndërmarrja e masave kundër erozionit është me interes të përgjithshëm, Qeveria
mund të caktojë institucionet publike si pjesëmarrës në shpenzimet për zbatimin e këtyre
masave.


KAPITULLI IV
RREGULLIMI I TOKËS BUJQËSORE

Neni 24
Rregullimi i tokës bujqësore

24.1. Për kompletimin e posedimit dhe shfrytëzim racional të tokës, zbatimin e masave dhe
punëve meloruese dhe kundër erozive, ngritjen e fidanishteve shumëvjeçare, plantazhave të
drunjëve pyjorë dhe pyllëzimin e tokës pyjore, rregullimin e territorit të tokës me qëllim të krijimit
të ngastrave më të mëdha dhe më të rregullta tokësore në mënyrë që të mundësohet punimi më
ekonomik i tokës dhe të krijohen kushte më të volitshme për zhvillimin e vendbanimeve të
karakterit bujqësor, rregullimi i kufijve me qëllim të krijimit të ngastrave të reja në formë të rregullt
dhe për tu përfshi në sistemin e hidromelorimit, mund bëhet rregullimi i tokës bujqësore.

24.2. Rregullimi i tokës bujqësore mund të bëhet nëse pajtohen pronarët e së paku 2/3 të tokës
bujqësore të cilët janë brenda zonës gjeografike të propozuar për atë zonë të projektit për
rregullim në pajtim me procedurat që do të vendosen me një udhëzim administrativ të
mëvonshëm.

24.3. Projekti i rregullimit të tokës mund të propozohet nga Ministria, nga pronarët e tokave ose
nga komuna në zonën administrative të së cilës gjenden toka.

24.4. Projekti i rregullimit të tokës bujqësore mund t’i propozohet Ministrisë edhe nga më shumë
se një komunë, nëse territori i propozuar për rregullim shtrihet në territorin e tyre.

24.5. Projekti i rregullimit të tokës bujqësore mbikëqyret nga institucioni profesional i autorizuar
nga Ministria.

24.6. Rregullimi i tokës bujqësore nga ky kapitull do të bëhet sipas dispozitave të legjislacionit në
fuqi të cilat nuk janë në kundërshtim me këtë ligj.

24.7. Dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve tjera në fuqi për rregullimin e tokave bujqësore, do të
zbatohen edhe për rregullimin e pyjeve dhe tokës pyjore.


Neni 25
Qëllimi i projektit të rregullimit

Projekti i rregullimit të tokës bujqësore hartohet dhe zbatohet për këto qëllime:

a) bashkimin e ngastrave të shkapërderdhura me qëllim të krijimit të ngastrave më të
mëdha;
10
b) përmirësimin e tokës përmes zbatimit të masave, agroteknike, agromeloriuese dhe
hidromeloriuese;
c) qasjes në infrastrukturën publike;
d) ripyllëzimin e tokës me kualitet të ulët ose tokës së ndotur;
e) krijimin e ngastrave në formë të rregullt gjeometrike;
f) rregullimi i marrëdhënieve pronësoro-juridike;
g) matjet e reja të tokës;
h) krijimi i kadastrit të ri.


Neni 26
Përmbajtja e projektit për rregullim

Projekti për rregullimin e tokave bujqësore do të përmbajë:

a) shënimet kadastrale;
b) të drejtën e pronësisë;
c) qëllimin e projektit;
d) arsyeshmërinë e projektit;
e) financimin;
f) afatin kohor për zbatim.
Neni 27
Procedurat për hartimin dhe zbatimin e projektit të rregullimit

27.1. Ministria do të nxjerr akt nënligjor me të cilin do të përcaktohen procedurat dhe metodat
përmes të cilave mund të iniciohet dhe zbatohet projekti për rregullim të tokës bujqësore.

27.2. Me aktin nënligjor nga paragrafi 1 i këtij neni, do të rregullohet puna e komisionit i cili do të
merret me shqyrtimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e projektit të rregullimit të tokës bujqësore.


Neni 28
Pjesëmarrja e publikut në projektin e rregullimit

28.1. Projekti i propozuar për rregullim të tokave duhet të nxirret në diskutim publik në territorin
për të cilin bëhet rregullimi.

28.2. Në raste kur Ministria e konsideron të domosdoshme, propozimi i projektit për rregullimin të
tokave të iniciuara nga qytetarët duhet po ashtu të nxirren në diskutim publik.

28.3. Projekti do të jetë në diskutim publik për një afat kohor prej gjashtëdhjetë (60) ditësh, me
qëllim të marrjes së vërejtjeve dhe sugjerimeve të publikut.

28.4. Vërejtjet dhe sugjerimet e publikut do të shqyrtohen dhe të përfshihen në projekt propozim,
nëse konsiderohen të arsyeshme, nga hartuesi i projektit.


Neni 29
Ndalimi i copëzimit të tokave të rregulluara

Në tokën e rregulluar nuk mund të bëhet copëzimi i ngastrave të tokës bujqësore.


KAPITULLI V
QIRAJA E TOKËS BUJQËSORE

Neni 30
Dhënia me qira e tokës bujqësore

11
30.1. Toka bujqësore mund t’u epet me qira personave fizik dhe juridik, vendas dhe të huaj të
cilët merren me veprimtari bujqësore.

30.2. Toka bujqësore nuk mund të epet me nënqira pa pëlqim të pronarit, përveç rasteve të
bartjes së të drejtës së shfrytëzimit për 99 vite.


Neni 31
Format e qiradhënies së tokës bujqësore

31.1. Toka bujqësore mund të epet me qira në formë të:

a) qiradhënies afatgjatë;
b) qiradhënies afatshkurtër, dhe
c) qiradhënies së kullotave.
31.2. Qiradhënie afatgjatë konsiderohet dhënia e tokës bujqësore në shfrytëzim me qira për një
periudhë më të gjatë se tri (3) vite.

31.3. Qiradhënie afatshkurtër konsiderohet dhënia e tokës bujqësore në shfrytëzim me qira për
një periudhë deri në tri (3) vite.


Neni 32
Kushtet për lidhjen e kontratës

32.1.Kontrata për qiranë duhet të përmbajë :

a) emrat dhe adresat e palëve kontraktuese;
b) datën e lidhjes së kontratës;
c) të dhënat kadastrale për tokën bujqësore;
d) kohëzgjatjen e qirasë;
e) shumën, afatin dhe mënyrën e pagesës së qirasë;
f) përshkrimin dhe vlerën e objekteve, pajisjeve, të mbjellurave dhe mënyra e mirëmbajtjes së tyre;
g) koha e zhvlerësimit të të mbjellurave;
h) të drejtat dhe obligimet e palëve;
i) qëllimi shfrytëzimit të tokës së dhënë me qira;
j) arsyet për anulimin e kontratës;
k) arsyet për shkëputjen e kontratës;
l) procedurën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

32.2. Përveç kushteve nga paragrafi 1 i këtij neni, kontrata për qiranë e tokës bujqësore mund të
përmbajë edhe dispozita të tjera, varësisht nga vullneti i palëve dhe specifikat e llojit të kontratës.

32.3. Kontrata afatgjate për qiranë duhet të jetë në formë të shkruar, në të kundërtën, nuk ka vlerë
juridike dhe e njëjta duhet të jetë e regjistruar në organin komunal kompetent për bujqësi.

Neni 33
Shuarja e kontratës

Kontrata për qiranë e tokës bujqësore shuhet me kalimin e kohës për të cilën është lidhur.


Neni 34
Ndërprerja e kontratës

34.1. Qiradhënësi mund të ndërpres kontratën për qiranë në rastet kur qiramarrësi:

a) nuk e paguan qiranë;
b) nuk e shfrytëzon tokën bujqësore në pajtim me masat agroteknike;
c) shfrytëzon tokën bujqësore në kundërshtim më dispozitat e kontratës;
12
d) e jep tokën me nënqira pa pëlqimin e pronarit;
e) pa pëlqimin e qiradhënësit investon në tokën bujqësore përtej kufijve të paraparë me
kontratë apo e ndërron mënyrën e shfrytëzimit të tokës bujqësore;
f) ndërmerr veprime në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës apo
veprime të cilat kanë ndikim negativ në pasuri dhe mjedis dhe në çfarëdo mënyre
rrezikon ekzistencën e vlerave natyrore.

34.2. Nëse qiradhënësi dëshiron ta ndërpres kontratën e qirasë sipas pikës 1 të këtij neni para
skadimit të afatit, është i detyruar ta paralajmërojë qiramarrësin. Paralajmërimi i tillë do t’i jep
qiramarrësit periudhë jo më të shkurtë se një vit për dorëzimin e tokës bujqësore nga dita e
paralajmërimit.


Neni 35
Kompensimi pas përfundimit të kontratës për qiranë

35.1. Me përfundimin e kontratës së qirasë për tokën bujqësore, qiramarrësi mundet në afat prej
6 muajsh:

a) të marrë pajisjet dhe ndërtimet të cilat i ka ngritur;

b) të kërkoj kompensimin e vlerës reale të pajisjeve, të cilat nuk mund të tërhiqen, kulturat të
cilat i ka mbjellur, instalimet për mbrojtjen e tokës të cilat ndikojnë në përmirësimin e
cilësisë së tokës, nëse ato i ka vendosur me pëlqimin e qiradhënësit;

c) nëse nuk është arritur marrëveshje paraprake me qiradhënësin, qiramarrësi duhet t’i
rrënoj dhe largojë me shpenzimet e veta pa e kërkuar kompensimin për objektet
ndërtimore të karakterit të përkohshëm të cilat i ka ngritur. Në rast të mos kryerjes së këtij
detyrimi, rrënimin apo largimin mund ta bëjë qiradhënësi me shpenzimet e qiramarrësit.

35.2. Nëse qiramarrësi ka mbjellë fidane apo ka ndërtuar objekte dhe pajisje pa lejen e
qiradhënësit, nuk ka të drejtë të kërkojë kthimin e vlerës joamortizuese.

35.3. Të mbjellurat, objektet dhe pajisjet i takojnë qiradhënësit pa dëmshpërblim, nëse kanë qenë
të mbjelluara dhe të ndërtuara pa lejen e tij. Qiradhënësi ka të drejtë t’i largojë pajisjet të cilat
mund të largohen pa u dëmtuar.

35.4. Kur qiraja përfundohet në tërësi sipas nenit 34.2 të këtij Ligji, qiramarrësi ka të drejtë në
kompensimin e humbjeve eventuale së bashku me pagesën shtesë që është e barabartë me
qiranë vjetore të tokës, jashtë kushteve nga neni 34.1 i këtij ligji.

35.5. Kur qiraja përfundohet pjesërisht sipas nenit 34.2 të këtij Ligji, kompensimi bëhet vetëm për
pjesën e përfunduar.

Neni 36

Për të gjitha qiratë e tokës bujqësore të cilat nuk janë të rregulluara me këtë Ligj, zbatohen
dispozitat për marrëdhëniet detyrimore.


Neni 37
Zgjidhja e konflikteve

37.1. Në rastet e mos marrëveshjeve në mes të palëve për qira të tokës bujqësore apo qira për
kullosa, palët me kontratë apo me marrëveshje të përbashkët mund të caktojnë ndërmjetës për
zgjidhjen e konfliktit.

37.2. Ndërmjetësues në procesin e ndërmjetësimit mund të jenë personat fizik që kanë njohuri
dhe përvojë në lëmin e bujqësisë, si dhe kanë autoritet në komunitetin ku jetojnë.
13
37.3. Nëse palët me kontratë kanë caktuar ndërmjetësues, ata mund ti drejtohen gjykatës
kompetente për zgjedhjen e mosmarrëveshjes vetëm pasi të ketë dështuar zgjidhja e
mosmarrëveshjes përmes ndërmjetësimit.

37.4. Palët me marrëveshje për ndërmjetësim përcaktojnë mënyrën dhe shumën e kompensimit
për zgjidhjen e konfliktit.

37.5. Ndërmjetësit janë të detyruar që të veprojnë në mënyrë të paanshme.

37.6. Palët kanë për detyrë që të sigurojnë dokumentet dhe informatat tjera të domosdoshme për
të ndihmuar zgjidhjen e konfliktit.


KAPITULLI VI
MBIKËQYRJA DHE INSPEKTIMI

Neni 38
Organet mbikëqyrëse dhe inspektuese

Mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji dhe dispozitave të nxjerrura në bazë të tij do ta bëj Ministria
përmes inspekcionit për bujqësi dhe organeve tjera të autorizuara.


Neni 39
Autorizimet e Inspektorit

39.1. Inspektori është i autorizuar dhe ka për detyrë të inspektoj:

a) shfrytëzimin e tokës bujqësore për qëllime jobujqësore dhe të urdhëroj ndalimin
nëse ky ndërrim bëhet në kundërshtim më dispozitat e ligjit;

b) se toka bujqësore është duke u punuar dhe shfrytëzuar sipas dispozitave të këtij ligji
dhe të urdhëroj marrjen e masave për mënjanimin e pa rregullsive të konstatuara;

c) ndotjen e tokës bujqësore nga materiet e dëmshme dhe të urdhëroj marrjen e masave;

d) zbatimin e masave për mbrojtjen nga zjarri në rastet e djegieve të hamulloreve
nga shfrytëzuesi apo pronari i tokës bujqësore;

e) zbatimin e masave agroteknike të cilat mund të kenë ndikim negativ në erozion;

f) ruajtjen dhe mbajtjen e të mbjellurave dhe kulturave shumë vjeçare të ngritura për
mbrojtje nga erozioni;

g) të ndaloj shndërrimin e kullotave në kulturë tjetër nëse është bërë në kundërshtim
me dispozitat e këtij Ligji.

39.2. Nëse konstatohet se janë shkelur dispozitat e këtij ligji apo dispozitat e nxjerrura në bazë të
tij, inspektori me shkrim do t’i konstatoj parregullsitë dhe mangësitë dhe me vendim do ti caktoj
masat dhe afatin për evitimin e tyre. Nëse pala nuk e respekton vendimin apo nuk vepron sipas
vendimit të inspektorit do të njoftohen organet kompetente dhe do të iniciohet procedura në
gjykatën kompetente.

39.3. Kundër vendimit të inspektorit pala e pa kënaqur mund të ushtroj ankesë në Ministri.

39.4. Ankesa kundër vendimit të inspektorit nuk e ndal ekzekutimin e vendimit.
Neni 40
Përgatitja profesionale e inspektorit dhe identifikimi i tij

14
40.1. Inspektori duhet ta ketë përgatitjen superiore profesionale të drejtimit të bujqësisë dhe së
paku tri vite përvojë pune në fushën e bujqësisë.

40.2. Inspektori duhet të ketë kartelën zyrtare dhe shenjen identifikuese me të cilën e
dokumenton cilësinë zyrtare.

Neni 41
Qasje në pronë dhe dokumentacion.

Pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore ka për detyrë që inspektorit t’i mundësojë kryerjen e
detyrës, t’i ofrojë të dhënat dhe informatat e nevojshme, si dhe qasje në pronë dhe
dokumentacion.

KAPITULLI VII
SANKSIONE ADMINISTRATIVE

Neni 42
Kundërvajtjet

42.1. Me dënim me gjobë prej 1.000 € deri në 10.000 € do të dënohet për kundërvajtje personi
fizik, përkatësisht personi juridik nëse:

a) e ndërron destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzon për qëllime jo bujqësore para së
të nxirret plani i rregullimit hapësinor më të cilin kësaj toke i përcaktohet destinimi (neni
11.1 i këtij Ligji);

b) shfrytëzon tokën bujqësore për qëllime jo bujqësore në kundërshtim me dispozitat e këtij
Ligji;

c) e shfrytëzon tokën bujqësore për qëllime jo bujqësore me destinim të përkohshëm pa
pëlqim të organit kompetent për bujqësi;

d) e shfrytëzon tokën bujqësore nga neni 13.1 (b) të këtij Ligji pa plan për rikultivim të tokës
bujqësore dhe pa pëlqimin e organit kompetent për bujqësi (neni 17 i këtij Ligji);

e) bënë copëzimin e ngastrave në tokën e rregulluar (neni 29 i këtij Ligji);

f) vepron në kundërshtim me nenin 20 të këtij Ligji;

42.2. Me dënim me gjobë prej 200 €, deri në 2.000 €, për kundërvajtje nga paragrafi 1 i këtij neni
do të dënohet edhe personi përgjegjës i personit juridik.

42.3. Me dënim me gjobë prej 250 €, deri në 5.000 €, do të dënohet për kundërvajtje personi fizik,
përkatësisht personi juridik nëse:

a) e fillon shfrytëzimin e tokës bujqësore për qëllime jo bujqësore para se të bëhet pagesa e
kompensimit për ndërrim të destinimit (neni 14.1 i këtij Ligji);

b) prodhon prodhime bujqësore në tokën bujqësore në të cilën është e ndaluar, apo i kufizuar
prodhimi apo përdorimi i mjeteve për mbrojtjen e bimëve (neni 21.3 i këtij Ligji);

c) e shfrytëzon tokën bujqësore për kullotjen e bagëtisë nomade (neni 7.1 i këtij Ligji);

d) e bënë kullotjen e bagëtisë para dhe pas afateve të përcaktuara (neni 5.6 i këtij Ligji);

e) nuk e bënë kontrollimin e plleshmërisë së tokës bujqësore (neni 22.1 i këtij Ligji);

f) e shfrytëzon shtresën e plleshme të tokës bujqësore në kundërshtim me dispozitat e
nenit 16 të këtij Ligji;

15
g) nuk i zbaton masat kundër erozionit (neni 23.1 i këtij Ligji);

h) nëse personi juridik nuk mbanë evidencë për tokën bujqësore të cilën e shfrytëzon apo e
posedon (neni 8 i këtij Ligji);

i) nuk vepron sipas vendimit të inspektorit.

42.4. Me dënim me gjobë prej 100 € deri në 1.000 €, për kundërvajtje nga paragrafi 3 i këtij neni
do të dënohet edhe personi përgjegjës i personit juridik.

42.5. Shumat e gjobave për kundërvajtjet sipas këtij neni do të paguhen në llogari të Buxhetit të
Konsoliduar të Kosovës.

Neni 43
Masat Mbrojtëse

Përveç dënimit për kundërvajtje sipas nenit 42 të këtij Ligji, personi në fjalë mund t’i nënshtrohet
masës mbrojtëse konfiskimi i lëndës - sendit i cili është përdorë apo është i destinuar për kryerjen
e kundërvajtjes, apo ka mbetur si rezultat i kryerjes së kundërvajtjes si dhe masa mbrojtëse për
konfiskimin e pasurisë e cila është arritur si rezultat i kundërvajtjes.

KAPITULLI VIII
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Neni 44

44.1. Deri në nxjerrjen e planit hapësinor shfrytëzimi i tokës bujqësore për qëllime jobujqësore
mund të bëhet vetëm në bazë të vendimit të kuvendit komunal.

44.2. Për zbatimin e këtij ligji, Ministria do të nxjerr akte nënligjore.

Neni 45
Ligji i zbatueshëm

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen dispozitat e ligjit për tokën bujqësore (Gaz. Zyr. KSAK nr.
21/84) si dhe dispozitat e ligjeve të tjera të cilat janë në kundërshtim me këtë ligj.

Neni 46
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i
Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.



23.06.2006
UNMIK/REG/ 2006/37