LIGJI NR. 2004/45 PËR TË DREJTAT E AUTORIT DHE TË DREJTAT E TJERA TË PËRAFËRTA

GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI II / NR. 11 / 01 PRILL 2007
Ligji Nr. 2004/45

PËR TË DREJTAT E AUTORIT
DHE TË DREJTAT E TJERA TË PËRAFËRTA

Kuvendi i Kosovës

Në bazë të Kreut 5.1 (e), 9.1.26 (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në
Kosovë, (Rregullorja e UNMIK-ut Nr. 2001/9 të datës 15 maj 2001), në pajtim me si dhe me
qëllim të mbrojtjes dhe zhvillimit të pronës intelektuale në përgjithësi, dhe të të drejtave të autorit
në veçanti,

Miraton:
LIGJIN PËR TË DREJTAT E AUTORIT
DHE TË DREJTAT E TJERA TË PËRAFËRTA
I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

1. Objekti i ligjit
Neni l

Ky ligj përcakton:

1.1. Të drejtat e autorit që, në bazë të pronës intelektuale, u takojnë autorëve përkitazi me veprat
e tyre në lëmin e letërsisë, shkencës dhe artit (në vijim: e drejta e autorit);

1.2. Të drejtat që, në bazë të pronës intelektuale, janë të afërta me të drejtën e autorit
(në vijim: të drejtat e afërta ) dhe u takojnë:

a). interpretuesve përkitazi me interpretimet e tyre;
b). prodhuesve të fonogrameve përkitazi me fonogramet e tyre;
c). producentëve të filmit përkitazi me videogramet e tyre;
d). organizatave të radios e të televizionit (Transmetuesve) përkitazi me emisionet e tyre;
e). prodhuesve të bazave të të dhënave përkitazi me bazat e tyre të të dhënave
f). botuesve përkitazi me botimet e tyre;

1.3. Administrimin e së drejtës së autorit dhe të drejtave të afërta;

1.4. Mbrojtjen e së drejtës së autorit dhe të drejtave të afërta;

1.5. Zbatimin e këtij ligji ndaj personave të huaj.

2. Parimet e zbatimit
Neni 2

Masat administrative, inspektimi, mbrojtja juridiko-civile dhe penale, të përcaktuara me këtë ligj,
zbatohen në përputhje me rregullat e përgjithshme të procedurës administrative, kundërvajtëse,
civile dhe penale.


3. Marrëdhënia midis së drejtës së autorit dhe të drejtave të afërta
Neni 3

3.1. Mbrojtja e parashikuar në këtë ligj për të drejtat e afërta nuk prek dhe nuk ndikon në asnjë
mënyrë në mbrojtjen e së drejtës së autorit.

3.2. Dispozitat e këtij ligji lidhur me elementet e së drejtës së autorit, me supozimin e autorësisë,
me bashkautorët dhe autorët e veprës së gërshetuar, me përmbajtjen e të drejtave ekonomike të
autorit dhe të drejtën në kompensim të veçantë për reprodukim privat ose tjetër vetjak, me
marrëdhënien midis së drejtës së autorit dhe së drejtës së pronës mbi ekzemplarin e veprës, me
kufizimet e së drejtës së autorit (përfshirë edhe sigurimin e kufizimeve), me llogaritjen e fillimit
dhe efektin e mbarimit të kohëzgjatjes së mbrojtjes të së drejtës së autorit, si dhe kalimin e së
drejtës së autorit, zbatohen ngjashëm dhe sa u takon (mutatis mutandis) edhe ndaj të drejtave të
afërta.


4. Përkufizimet
Neni 4
Në këtë Ligj vlejnë këto përkufizime:

a. “Punë audiovizuele”përfshin punët e filmit (punët kinematografike dhe ato të TV-së) dhe punë
të tjera audiovizuele.

b. “Transmetues” ka kuptimin e personit fizik apo juridik, i cili ka përgjegjësi editoriale për
përmbajtjen e shërbimeve programore radio-televizive që duhet të pranohen nga publiku i
përgjithshëm dhe që ato t’i transmetojë, apo që i ka transmetuar të tëra dhe të pandryshuara nga
pala e tretë.

c. “Asociacione kolektive” do të thotë asociacionet e formuara në pajtim me pjesën IV, për të
kryer aktivitetet e administrimit të të drejtave të autorit.

d. “Të drejtat e autorit” do të thotë të drejtat e bazuara në pronën intelektuale, të cilat u përkasin
autorëve lidhur me punën e tyre në fushën letrare, shkencore dhe artistike.

e. “Baza e të dhënave” do të thotë grumbullimi i punës së pavarur, i të dhënave apo materialeve
të tjera në çfarëdo forme, të radhitur në mënyrë sistematike apo metodologjike, të cilave mund t’iu
qasemi individualisht në mënyrë elektronike apo përmes mënyrave të tjera, ku marrja, verifikimi
apo paraqitja e përmbajtjeve të tyre kërkon investime të konsiderueshme kualitative dhe/ose
kuantitative.

f. “Shpalos” do të thotë kur një vepër e mbrojtur me të drejta të autorit apo material me të drejta
të afërta i është vënë në dispozicion publikut me pëlqimin e bartësit të së drejtës.

g. “Të drejtat morale” kanë kuptimin e kompetencave ekskluzive personale me të cilat mbrohet
pacenueshmëria e veprave të mbrojtura me të drejtat e autorit dhe personaliteti i autorit.

h.“Zyrë” do të thotë zyra për të drejtat e pronës intelektuale që duhet të krijohet në pajtim me
nenin 169.1 të këtij Ligji.

i. “Vepra origjinale” do të thotë pikturat origjinale, kolazhet, vizatimet, tapiceritë, skulpturat,
veprat në qeramikë dhe qelq, fotografitë dhe vepra të tjera origjinale të artit.

j. “Fonogram” do të thotë incizim i zërit ose sekuencave të zërit në bartësin e zërit.

k. “Posedues” do të thotë personi fizik apo subjekti juridik i cili posedon punimin origjinal ose
kopjen e punimit origjinal.

l. “Publik” do të thotë një numër më i madh i njerëzve të cilët janë jashtë rrethit të zakonshëm të
familjes apo rrethit të zakonshëm të njerëzve që i njihni personalisht.

m. “Botim” do të thotë kur një sasi e mjaftueshme kopjesh e veprës së mbrojtur me të drejtë të
autorit apo e ndonjë materiali me të drejta të afërta është botuar dhe i është ofruar publikut apo
është shpërndarë me pëlqimin e bartësit të së drejtës.

n. “Të drejta të përafërta” do të thotë të drejtat e bazuara në pronën intelektuale që janë të
lidhura me të drejtën e autorit.

o. “Videogram” do të thotë incizim i një sekuence të fotografive pa ose me zërin shoqërues në
bartësin e fotografisë ose në bartësin e fotografisë dhe të zërit.


PJESA II
E DREJTA E AUTORIT

Kapitulli 1
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 5

Autorët e veprave në lëmin e letërsisë, shkencës dhe të artit gëzojnë mbrojtjen lidhur me veprat e
veta dhe shfrytëzimin e tyre, në përputhje me këtë ligj.



Neni 6

6.1. E drejta e autorit është e drejtë e posaçme, e cila i takon autorit si subjekti të pronës
intelektuale mbi veprën e vet.

6.2. E drejta e autorit përmban:

a). autorizimet ekskluzive personale për të mbrojtur pacenueshmërinë e veprës së autorit
dhe personalitetin e autorit (në vijim: të drejtat morale të autorit);

b). autorizimet ekskluzive ekonomike për të mbrojtur interesat ekonomike te autorit (në vijim:
të drejtat ekonomike të autorit);

c). autorizimet tjera të autorit (në vijim: të drejtat tjera të autorit).


Neni 7

7.1. E drejta e autorit i takon autorit me vetë faktin e krijimit të veprës.

7.2. Për të gëzuar mbrojtjen e së drejtës së autorit nuk kërkohet plotësim paraprak i çfarëdo
formaliteti administrativ.


Kapitulli 2

VEPRAT E AUTORIT DHE KUSHTET E MBROJTJES

1. Veprat e mbrojtura
Neni 8

8.1. Vepra të autorit janë krijimet intelektuale origjinale në lëmin e letërsisë, të shkencës dhe artit, që
janë të shprehura në çfarëdo mënyre, nëse me këtë ligj nuk parashikohet ndryshe.

8.2. Vepra të autorit konsiderohen sidomos:

a). veprat gojore, siç janë fjalimet, leksionet, tregimet dhe vepra të ngjashme të shprehura
gojarisht;

b). veprat e shkruara siç janë tekstet në libra, broshurat, gazetat ditore dhe tekste të tjera në
lëmin e letërsisë, të literaturës shkencore e profesionale, si dhe programet kompjuterike;

c). 3)veprat muzikore, me ose pa tekst, pavarësisht a janë të shënuara përmes notave apo
në ndonjë mënyrë tjetër;

d). veprat teatrore, teatrore-muzikore dhe të kukullave, përfshirë edhe radiodramat;

e). veprat koreografike dhe pantomimore;

f). veprat filmike (kinematografike dhe televizive) dhe veprat e tjera audiovizuele (në vijim:
veprat audiovizuele);

g). veprat fotografike dhe veprat e bëra ngjashëm procesit fotografik, siç janë fotografitë
artistike, fotomontazhet, fotoafishet, fotografitë e reporterëve, etj.;

h). veprat e artit figurativ në lëmin e vizatimit, të pikturës, grafikës, skulpturës;

i). veprat e arkitekturës, siç janë skicat, planet, maketat dhe objektet e ndërtuara të veprave
arkitekturore dhe të inxhinierisë nga fusha e arkitekturës, urbanizmit, arkitekturës së
peizazhit dhe rregullimit të enterierit;

j). veprat skenografike;

k). veprat e artit aplikativ, si dhe të dizajnit industrial e grafik;

l). veprat kartografike (hartat, planet, skicat, demonstrimet tredimensionale ) në lëmin e
gjeografisë dhe topografisë;

m).prezantimet e natyrës shkencore, edukative a teknike (vizatimet teknike, grafikonet,
tabelat, ekspertizat, demonstrimet tredimensionale).

2. Elementet e veprës së autorit
Neni 9

9.1. Vepra e autorit e pambaruar, pjesët përbërëse të veprës si dhe titulli i veprës së autorit, që janë
vetvetiu krijime intelektuale origjinale, gëzojnë mbrojtje si edhe vetë vepra.

9.2. Nuk është e lejueshme që për titull të veprës së autorit të merret një titull që më parë është
përdorur për ndonjë vepër të autorit të llojit të njëjtë, nëse titulli i tillë shkakton ose do të
shkaktonte huti lidhur me autorësinë e veprës.


3. Veprat e prejardhura
Neni 10

10.1. Vepër e autorit konsiderohet edhe vepra e prejardhur (e përpunuar ose e formësuar) nëse i
plotëson kushtet nga paragrafi (1) i nenit 8. të këtij ligji.

10.2. Vepra të prejardhura janë përkthimet, përshtatjet, aranzhmanet (orkestrimet) muzikore dhe
përpunimet e tjera të një vepre tashmë ekzistuese apo materialit tjetër.

10.3. Mbrojtje gëzojnë edhe përkthimet e teksteve ligjore, të vendimeve gjyqësore dhe të akteve
administrative, me kusht që përkthimet e tilla të mos jenë bërë për botim zyrtar dhe të mos jenë
botuar si të tilla.

10.4. Të drejtat e autorëve të veprave tashmë ekzistuese nuk mund të cenohen me përpunimin e
veprave të tyre.

4. Koleksionet e veprave

Neni 11

11.1. Vepër e autorit konsiderohet edhe koleksioni i veprave ekzistuese të autorit ose materialeve
të tjera që, për nga përzgjedhja, përshtatja apo bashkërenditja e përmbajtjeve të tyre paraqet
krijim origjinal intelektual, përkatësisht vepër të pavarur (enciklopeditë, antologjitë, përmbledhja e
citateve, e poezive apo e veprave në prozë, përmbledhja e shprehjeve folklorike, e dokumenteve
dhe vendimeve gjyqësore, etj).

11.2. Konsiderohet koleksion edhe baza e të dhënave të veprave të mëvetësishme, të dhënave
ose materialeve të tjera, të rregulluara në mënyrë sistematike ose metodike dhe që mund të
qasen veç e veç me mjete elektronike apo mjete të tjera.

11.3. Mbrojtja sipas këtij neni nuk zbatohet ndaj programeve kompjuterike të përdorura për bërjen
apo funksionimin e bazës elektronike të të dhënave.

11.4. Me ngërthimin e veprave tashmë ekzistuese në koleksion nuk mund të cenohen të drejtat e
autorëve të këtyre veprave; me ngërthimin në koleksion materiali ekzistues nuk bëhet vepër e
mbrojtur.


5. Krijimet pa mbrojtje
Neni 12

Mbrojtja juridike e të drejtave të autorit nuk përfshinë:

a). idetë, parimet, udhëzimet, procedurat, zbulimet ose konceptet matematikore si të tilla;
b). ligjet zyrtare, aktet nënligjore dhe rregullativat e tjera;
c). materialet zyrtare dhe botimet e organeve parlamentare, qeveritare dhe të organizatave
tjera që kryejnë funksione publike;
d). përkthimet zyrtare të rregullativave dhe materialeve tjera zyrtare, si dhe të marrëveshjeve
ndërkombëtare dhe instrumenteve të tjera.
e). parashtresat dhe aktet e tjera në procedurat administrative ose gjyqësore;
f). materialet zyrtare të botuara për informim të publikut;
g). shprehjet folklorike;
h). lajmet e ditës dhe informacionet e ndryshme që kanë karakter të raportimeve të rëndomta
të shtypit.

Kapitulli 3
AUTORI

1. Personi fizik
Neni 13

Autor është personi fizik i cili e ka krijuar veprën.


2. Supozimi i autorësisë
Neni 14

14.1. Personi, emri i të cilit, përkatësisht firma, pseudonimi apo shenja e tij është shënuar ne
ekzemplarin e veprës ose është theksuar me rastin e publikimit të veprës, supozohet autor i
veprës, respektivisht titullar i së drejtës, derisa nuk provohet ndryshe.

14.2. Të drejtat e autorit në veprat e botuara, autori i të cilave është i panjohur ( vepra anonime
dhe vepra e botuar me pseudonim apo shenjë ), supozohet se është i autorizuar t’i realizojë
botuesi, përderisa nuk zbulohet identiteti i autorit, Po qe se edhe botuesi mbetet anonim,
supozohet se është i autorizuar t’i realizojë personi që ka bërë publikimin e veprës.

14.3. Zbatimi i paragrafit paraprak 2 pushon po qe se provohet identiteti i autorit. Bartësit e së
drejtës se supozuar të autorit ia përcjellin autorit përfitimet përkatëse, nëse me kontratë nuk
parashikohet ndryshe. Të drejtat që paraprakisht i kanë fituar personat e tretë mbeten në fuqi.

3. Koautorët

Neni 15

15.1. Nëse vepra e autorit që përbën tërësi të pandashme është krijuar në bashkëpunim të dy a
më shumë personave, ata konsiderohen koautor të veprës së tillë.

15.2. E drejta e autorit mbi veprën e koautorëve u takon bashkërisht të gjithë koautorëve dhe
administrohet me pëlqimin e të gjithë atyre, nëse në këtë ligj ose me kontratë nuk parashikohet
ndryshe.

15.3. Koautori nuk mund të kundërshtojë pa ndonjë arsye dhënien e pëlqimit të vet për publikimin
ose shfrytëzimin e veprës. Në mungesë të marrëveshjes, asnjë nga koautorët nuk mund t’i
administrojë ndaras të drejtat..

15.4. Marrëdhëniet e koautorëve përkitazi me pjesët e tyre në ndarjen e përfitimit ekonomik nga
shfrytëzimi i veprës përcaktohen në përpjesëtim me kontributet e secilit prej tyre në krijimin e
veprës, nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

15.5. Nëse ndonjëri nga koautorët heq dorë nga pjesa e tij në përfitimet ekonomike, shtohen
pjesët e koautorëve të tjerë në përpjesëtim me madhësitë fillestare.


4. Autorët e veprave të gërshetuara
Neni 16

16.1. Nëse dy a me shumë autorë bashkojnë veprat e tyre me qëllim të shfrytëzimit të përbashkët
ose për disa forma të shfrytëzimit (p.sh. muzika e teksti, muzika e koreografia, veprat e shkruara
dhe ilustrimet etj.), secili prej tyre gëzon të drejtën e autorit lidhur me kontributin e vet.

16.2. Marrëdhëniet midis autorëve të veprave të gërshetuara rregullohen me kontratë.

16.3. Dispozitat e paragrafëve 3 deri 5 të nenit 15 të këtij ligji, zbatohen në mënyrë analoge
(mutates mutandis), edhe ndaj autorëve të veprave të gërshetuara.


Kapitulli 4

TË DREJTAT MORALE

1. E drejta e publikimit të parë
Neni 17

17.1. Autori ka të drejtë ekskluzive të vendosë nëse, kur dhe në çfarë mënyre do të publikohet
për herë të parë vepra e tij.

17.2. Derisa vepra të mos publikohet me pëlqimin e tij, autori ka të drejtë ekskluzive t’ia kumtojë
publikut ose të përshkruaj përmbajtjen e veprës së tij.

2. E drejta e njohjes së autorësisë
Neni 18

18.1. Autori ka të drejtë ekskluzive të njihet dhe të shënohet si autor i veprës.

18.2. Autori ka të drejtë të vendosë nëse vepra e tij do të shënohet me emër, pseudonim apo me
ndonjë shenjë të tij.


3. E drejta e respektimit të integritetit të veprës
Neni 19

Autori ka të drejtë ekskluzive të kundërshtojë çfarëdo deformimi, gjymtimi apo shfrytëzimi të
veprës, nëse me këtë mund të fyhet nderi dhe fama krijuese e tij.

4. E drejta e pendimit
Neni 20

20.1. Autori mund të tërheqë të drejtën ekonomike që ia ka kaluar tjetrit, nëse për këtë ka arsye
serioze morale, me kusht që titullarit të së drejtës t’ia kompensojë dëmin real të shkaktuar nga
tërheqja e tillë e së drejtës.

20.2. Me zbatimin e së drejtës së pendimit, e drejta ekonomike e titullarit shuhet. Ky zbatim
ndodh me pagesën e dëmshpërblimit.

20.3. Autori duhet të kompensoj dëmin adekuat titullarit tё sё drejtës. Titullari i së drejtës duhet
që, brenda tre muajve nga dita e pranimit të paralajmërimit për tërheqjen e së drejtës, ta njoftojë
autorin për masën e dëmit të pësuar nga tërheqja e së drejtës. Nëse titullari nuk vepron kështu, e
drejta e pendimit zbatohet me mbarimin e afatit.

20.4. Nëse autori më vonë dëshiron që përsëri të bëjë kalimin e të drejtave lidhur me shfrytëzimin
e veprës së tij, dhe nëse nuk kanë kaluar dhjetë vjet nga përdorimi i së drejtës së pendimit, duhet
së pari dhe nën kushte të mëparshme t’i ofrojë të drejta të llojit të njëjtë bartësit të tyre të
mëparshëm.

20.5. Dispozitat e këtij neni nuk zbatohen për programet kompjuterike, veprat audiovizuele dhe
për baza të të dhënave.


Kapitulli 5

TË DREJTAT EKONOMIKE

1. E drejta e shfrytëzimit dhe format e saj
Neni 21

21.1. Autori ka të drejtë ekskluzive për shfrytëzimin ekonomik të veprës së tij në çfarëdo forme, si
dhe t’ua lejojë a ndalojë personave të tjerë shfrytëzimin e veprës së tij, nëse në këtë ligj nuk
parashikohet ndryshe.

21.2. Personat e tjerë mund të shfrytëzojnë veprën e autorit vetëm në bazë të autorizimit të
autorit për kalimin e të drejtave ekskluzive dhe nën kushtet e vendosura prej tij, nëse në këtë ligj
nuk parashikohet ndryshe.

21.3. Për çdo kalim të së drejtës për shfrytëzimin e veprës autorit i takon kompensimi, nëse në
këtë ligj ose me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

Neni 22

22.1. Vepra e autorit mund të shfrytëzohet në formë lëndore, jolëndore dhe të modifikuar.

22.2. Shfrytëzimi i veprës në formën lëndore përfshin sidomos të drejtat pasuese ekskluzive të
autorit:

a). të drejtën e reprodukimit (neni 23),
b). të drejtën e shpërndarjes (neni 24),
c). të drejtën e qiradhënies (neni 25).

22.3. Shfrytëzimi i veprës në formë jolëndore (komunikimi publikut) përfshin sidomos të drejtat
pasuese ekskluzive të autorit:

a). të drejtën e interpretimit publik (neni 26);
b). të drejtën e transmetimit publik (neni 27);
c). të drejtën e komunikimit publik nga fonogramet dhe videogramet (neni 28);
d). të drejtën e shfaqjes publike (neni 29);
e). të drejtën e emetimit radioteleviziv (neni 30);
f). të drejtën e riemetimit radioteleviziv (neni 31);
g). të drejtën e emetimit të mëtejmë të emisionit (neni 32);
h). të drejtën e vënies së veprës në dispozicion të publikut (neni 33).

22.4. Shfrytëzimi i veprës në formën e ndryshuar përfshin sidomos të drejtat pasuese ekskluzive
të autorit:

a). të drejtën e përpunimit (neni 34);
b). të drejtën e përshtatjes audiovizuele (neni 35).


2. Shfrytëzimi i veprës në formën lëndore

2.1. E drejta e reprodukimit

Neni 23


23.1. E drejta e reprodukimit është e drejtë ekskluzive e autorit që të lejojë apo ndalojë fiksimin e
veprës së tij ose të ekzemplarit të veprës në mbajtës lëndor, të bërë drejtpërdrejt apo tërthorazi,
përkohshëm apo përhershëm, në çfarëdo mënyre apo forme, në tërësi apo pjesërisht dhe
pavarësisht nga numri i ekzemplarëve.

23.2. Vepra është e reprodukuar sidomos kur bëhet përmes shumëzimit grafik (shtypshkrimit),
reprodukimit tredimensional, shkrirjes, fotografimit, fiksimit audio ose video, shënimit (regjistrimit)
elektronik, etj.

23.3. Ndërtimi i objektit arkitekturor sipas projektit konsiderohet akt reproduktimi.


2.2. E drejta e shpërndarjes
Neni 24

24.1. E drejta e shpërndarjes është e drejtë ekskluzive e autorit që përkitazi me origjinalin apo
ekzemplarët e veprës së tij të lejojë a ndalojë çdo formë të shpërndarjes me qëllim të shitjes apo
tjetërsimit, përfshirë edhe ofertën për këtë qëllim nëse nuk parashihet ndryshe me këtë ligj dhe
kontratë.

24.2. Me shitjen e parë ose tjetërsimin në formë tjetër të pronësisë mbi origjinalin apo
ekzemplarin e veprës në Kosovë ose në Bashkimin Evropian dhe jashtë saj, që është bërë nga
autori ose me pëlqimin e tij, e drejta e shpërndarjes për atë origjinal apo ekzemplar të veprës
është e shterur në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian dhe jashtë saj.


2.3. E drejta e qiradhënies
Neni 25

25.1. E drejta e qiradhënies është e drejtë ekskluzive e autorit të lejojë a ndalojë që origjinali apo
ekzemplarët e veprës së tij të jepen në shfrytëzim për afat të caktuar, përmes përfitimit të
drejtpërdrejtë apo të tërthortë ekonomik.

25.2. Dispozitat nga paragrafi paraprak 1 i këtij neni nuk zbatohen për shfrytëzimin e:

a). veprës së ndërtuar arkitekturore;
b). origjinalit ose të ekzemplarëve të veprave të arteve aplikative dhe të dizajnit industrial;
c). në rast shikimi të atypëratyshëm të origjinalit ose të ekzemplarëve të veprës në hapësira
të institucionit.

25.3. Autori i cili të drejtën e vet të qiradhënies ia kalon prodhuesit të fonogrameve apo
producentit të filmit, mban të drejtën e kompensimit të drejtë nga qiradhënia.


3. Shfrytëzimi i veprës në formën jolëndore

3.1. E drejta e interpretimit publik
Neni 26

26.1. E drejta e interpretimit publik është e drejtë ekskluzive e autorit të lejojë a të ndalojë recitimin
publik, ekzekutimin muzikor publik ose shfaqjen publike të veprës së vet.

26.2. E drejta e recitimit publik është e drejta e komunikimit të veprave të shkruara apo gojore
përmes recitimit apo leximit drejtpërdrejt (in vivo) para publikut.

26.3. E drejta e ekzekutimit muzikor publik është e drejta e komunikimit të veprës muzikore
përmes ekzekutimit drejtpërdrejt para publikut.

26.4. E drejta e shfaqjes publike është e drejta e komunikimit të veprave skenike (teatrore,
teatrore-muzikore, koreografike, pantomimore etj.) drejtpërdrejt para publikut.


3.2. E drejta e transmetimit publik
Neni 27

E drejta e transmetimit publik është e drejtë ekskluzive e autorit të lejojë a të ndalojë që recitimet,
interpretimet ose shfaqjet e veprës së tij të transmetohen përmes altoparlantit, ekranit ose një
mjeti tjetër, publikut që gjendet jashtë vendit ose hapësirës burimore.


3.3. E drejta e komunikimit publik nga fonogramet ose videogramet
Neni 28

E drejta e komunikimit publik nga fonogramet ose videogramet është e drejtë ekskluzive e autorit
të lejojë a ndalojë që vepra e tij, e cila është fiksuar në fonogram apo videogram, t’i komunikohet
publikut me anë të mjeteve teknike për reproduktim të tingullit, përkatësisht pamjeve ose të
tingullit dhe pamjeve.

3.4. E drejta e paraqitjes publike
Neni 29

E drejta e paraqitjes publike është e drejtë ekskluzive e autorit të lejojë a ndalojë që me mjete
teknike t’i komunikohet publikut vepra e tij audiovizuele, vepra fotografike, vepra figurative, vepra
e arteve aplikative dhe dizajnit industrial, vepra koreografike dhe prezantimet e natyrës
shkencore apo teknike.


3.5. Transmetuesi dhe transmetimi satelitor
Neni 30

30.1. Transmetuesit që e transmetojnë programin e tyre nga transmetues të vendosur në
territorin e Kosovës do të mbrohen përmes këtij Ligji.

30.2. Autorët dhe bartësit e të drejtave të përafërta, vepra e të cilëve ose materialet me të drejta
të përafërta u komunikohen publikut me satelit do të mbrohen përmes këtij Ligji, kur nën kontrollin
dhe përgjegjësinë e Transmetuesi sinjalet për bartjen e programit përkatës dërgohen nga territori
i Kosovës në satelit dhe poshtë në tokë, përmes zinxhirit të pandërprerë të komunikimit.

30.3. Mirëpo, mbrojtja e ofruar përmes këtij Ligji zbatohet edhe kur kushti nga paragrafi paraprak
nuk përmbushet:

a. kur stacioni ndërlidhës nga i cili transmetohen sinjalet për bartjen e programit është vendosur
në Kosovë ose

b. kur Transmetuesi i cili ka bartur komunikatën tek publiku me satelit është ligjërisht i
regjistruar në Kosovë.

3.6. Ritransmetimi
Neni 31

31.1. E drejta për të ritransmetuar një material të transmetuar përmes programit ritransmetues të
njëhershëm, të pandryshuar dhe të pa shkurtuar me kabël, me sistem mikrovalor ose përmes
mënyrave të tjera (“ritransmetim”) do të ushtrohet nga asociacioni kolektiv. Kjo nuk zbatohet për
të drejtat që Transmetuesi i ushtron lidhur me transmetimet e veta.

31.2. Autori i cili i ka dhënë të drejtën e ritransmetimit Transmetuesit ose regjisorit të fonogramit
ose videogramit do të mbrohet përmes këtij Ligji.

31.3. Çdo person apo subjekt juridik i cili ritransmeton fonogramin ose audiogramin ka barrën për
të dëshmuar se ka bërë marrëveshje valide kontraktuese për të ritransmetuar materialin e
transmetuar.

3.7. E drejta e emetimit të mëtejmë
Neni 32

E drejta e emetimit të mëtejmë radioteleviziv është e drejtë ekskluzive e autorit të lejojë a ndalojë
që vepra e tij, e cila tashmë emetohet përmes radiotelevizionit ose i vihet në dispozicion publikut,
t’i komunikohet më tutje publikut përmes altoparlantit, ekranit ose një mjeti të ngjashëm (p.sh. në
mjete të transportit publik, restorante, salla apo paradhoma të pritjes, etj.)

3.8. E drejta e vënies së veprës në dispozicion të publikut
Neni 33

E drejta e vënies së veprës në dispozicion të publikut është e drejtë ekskluzive e autorit të lejojë a
të ndalojë, që vepra e tij t’i vihet në dispozicion publikut përmes përcjelljes me tel apo pa tel, në
mënyrën e cila i mundëson individit nga publiku që veprës t’i qaset nga vendi dhe në kohën që ai
e zgjedhë (komunikimi interaktiv).


4. Shfrytëzimi i veprës në formën e ndryshuar

4.1. E drejta e përpunimit
Neni 34

34.1. E drejta e përpunimit është e drejtë e autorit të lejojë a të ndalojë përkthimin, përshtatjen
skenike, përshtatjen muzikore apo përpunimin e veprës së tij në mënyrë tjetër, me qëllim të
krijimit të një vepre të prejardhur.

34.2. E drejta e parashikuar në paragrafin (1) të këtij neni zbatohet edhe në rastet kur vepra e
autorit, në formë të pandryshuar, përfshihet apo ngërthehet në një vepër të re.

34.3. Autori i veprës burimore mban të drejtën ekskluzive për shfrytëzimin e veprës së tij në
versionin e përpunuar, nëse në këtë ligj ose me kontratë nuk parashikohet ndryshe.


4.2. E drejta e përshtatjes audiovizuele
Neni 35

E drejta e përshtatjes audiovizuele është e drejtë ekskluzive e autorit të lejojë a ndalojë që vepra
e tij të përshtatet apo të shfrytëzohet për t’u fiksuar në vepër audiovizuele.


Kapitulli 6

TË DREJTAT E TJERA TË AUTORIT

1. E drejta e qasjes dhe e ekspozimit
Neni 36

36.1. Autori ka të drejtë t’i qaset origjinalit apo ekzemplarit të veprës së tij që është në zotërim të
personit tjetër (në vijim: zotëruesi), kur kjo i nevojitet për ta reprodukuar apo përpunuar veprën,
dhe po qe se me këtë nuk preken thelbësisht interesat e arsyeshme të zotëruesit.

36.2. Autori mund të bëjë kërkesë nga zotëruesi i origjinalit të veprës së tij figurative ose
fotografike që t’ia dorëzojë atë përkohësisht, me qëllim të ekspozimit, bazuar në marrëveshjet që
mund të arrijnë palët.

36.3. Dhënien përkohësisht të origjinalit, në përputhje me paragrafin paraprak (2) të këtij neni,
zotëruesi mund ta kushtëzojë me dhënien e garancionit monetar të mjaftueshëm, ose me lidhje të
kontratës për sigurim në lartësi të vlerës në treg të origjinalit.

36.4. Autori është i detyruar të kujdeset që mënyra e qasjes së veprës ose ekspozimi i saj të rezultojë
me sa më pak shqetësime për zotëruesin. Në rast se dëmtohet origjinali ose ekzemplari i veprës,
autori mban përgjegjësi objektive edhe pa qenë i fajshëm për dëmtimin.

2. E drejta e suitës (droit de suit)
Neni 37

37.1. Në rast të rishitjes së origjinalit të veprës artistike pas tjetërsimit të parë të saj nga ana e
autorit, autori ka të drejtë të jetë i njoftuar për rishitje, si dhe të drejtë në kompensim në shumën e
përcaktuar me këtë nen.

37.2. Detyrimin e kompensimit sipas paragrafit paraprak e përmbushin në mënyrë solidare:
shitësi, blerësi dhe ndërmjetësuesi që merret me shitjen e veprave artistike (p.sh. shitoret e
veprave të artit, galeritë e artit, shtëpitë aksionare etj.).

37.3. Vepra artistike origjinale, sipas paragrafit (1) të këtij neni, konsiderohen: pikturat origjinale,
kolazhet, vizatimet, tapiceritë, skulpturat, krijimet nga qeramika dhe qelqi, fotografitë si edhe vepra
të tjera artistike origjinale. Kopjet e veprave të këtilla konsiderohen origjinale nëse janë të krijuara
ose të autorizuara si të tilla nga vetë autori si dhe të bëra në numër të kufizuar dhe sipas rregullit të
numërtuara dhe firmosura nga autori.

37.4. Kompensimi për të drejtën e suitës paguhet në përqindje të çmimit shitës të origjinalit në
treg (pa tatim), por me kusht që çmimi shitës të kalojë 2.000 €.

37.5. Përqindja nga paragrafi paraprak (4) caktohet sipas njësive pasuese të çmimit, me atë që
shuma e përgjithshme e kompensimit nuk mund të jetë më e lartë se 12.500 €:

a). 4% nga pjesa e çmimit shitës mbi 2.000 € deri në 50.000 €;
b). 3% nga pjesa e çmimit shitës mbi 50.000 € deri në 200.000 €;
c). 1% nga pjesa e çmimit shitës mbi 200.000 € deri në 350.000 €;
d). 0.5% nga pjesa e çmimit shitës mbi 350.000 € deri në 500.000 €;
e). 0.25% nga pjesa e çmimit shitës mbi 500.000 €.

37.6. E drejta e suitës nuk mund të jetë lëndë e braktisjes ose e kalimit, në të gjallë të autorit, e
as lëndë e përmbarimit të detyrueshëm.


3. E drejta e huazimit publik
Neni 38

38.1. E drejta e huazimit publik është e drejtë e autorit në kompensim të arsyeshëm, kur origjinali
ose ekzemplari i veprës së tij vihet në dispozicion përmes institucionit publik, për t’u përdorur për
kohë të caktuar dhe pa përfitim të drejtpërdrejtë a të tërthortë ekonomik.

38.2. Paragrafi paraprak nuk zbatohet për përdorim të:

a). origjinalit ose të ekzemplarëve të veprës në bibliotekat e shkollave të të gjitha niveleve;
b). veprave të ndërtuara arkitekturore;
c). origjinalit ose ekzemplarëve të veprës së arteve aplikative dhe dizajnit industrial;
d). origjinalit ose ekzemplarëve të veprës në hapësirat e institucionit publik për qëllim të
shikimit të atypëratyshëm;
e). qëllimit të huazimit ndërmjet institucioneve publike.

38.3. Huazimi publik i origjinalit ose i ekzemplarëve të programeve kompjuterike dhe bazave të të
dhënave është e drejtë ekskluzive e autorit të tyre.
4. E drejta për kompensim të veçantë
Neni 39

39.1. Në rastet kur vepra e autorit, varësisht nga natyra e saj, mund të reprodukohet edhe për përdorim
privat në kuptim të nenit 45 të këtij ligji në formë të realizimit audio ose video, autori ka të drejtë
pjesëmarrjeje në kompensim të veçantë për reprodukimin e veprës.

39.2. Kompensimi i veçantë nga paragrafi paraprak për fiksim të tingullit ose të pamjes paguhet:

a). me rastin e shitjes së parë ose importimit të pajisjeve të reja për fiksim të tingullit ose të
pamjes;
b). me rastin e shitjes së parë ose importimit të mbartësve të rinj të zbrazët të tingullit ose të
pamjes.

39.3. Kompensimi i veçantë nga paragrafi (1) i këtij neni për fotokopjim paguhet:

a). me rastin e shitjes së parë ose importimit të aparateve të reja për fotokopjim, dhe
b). për secilën fotokopje, nëse është bërë me pagesë, duke marrë parasysh numrin e
mundshëm të tyre gjatë një viti.

39.4. Me termat audio ose videofiksim, si dhe fotokopjim, nga ky nen, nënkuptohen edhe teknikat
e tjera të ngjashme të reprodukimit.

39.5. E drejta në kompensim të veçantë nuk mund të jetë lëndë e braktisjes ose e kalimit, në të
gjallë të autorit, e as lëndë e përmbarimit të detyrueshëm.


Neni 40

40.1. Kompensimin e veçantë në kuptim të nenit paraprak 39 të këtij ligji e paguajnë: prodhuesit e
pajisjeve për fiksim të tingullit dhe të pamjes, prodhuesit e pajisjeve për fotokopjim, prodhuesit e
mbartësve të zbrazët të zërit ose të pamjes, si dhe zotëruesit e aparateve fotokopjuese që ofrojnë
ose bëjnë shërbime fotokopjimi me pagesë. Krahas prodhuesve, debitorë solidarë janë shitësit
dhe importuesit e pajisjeve të tilla dhe të mbartësve të zbrazët të tingullit ose pamjes, përveç kur
importimi i tyre bëhet për përdorim privat ose jo komercial, si pjesë e bagazhit personal (de
minimis imports).

40.2. Prodhuesit nga paragrafi paraprak (1) i këtij neni nuk janë të detyruar të paguajnë kompensim
të veçantë për ato aparate ose mbartës të zbrazët të tingullit apo të pamjes që i eksportojnë.

40.3. Personat nga paragrafi (1) i këtij neni janë të detyruar t’i dërgojnë Zyrës nga neni 169, 170 i
këtij ligji të dhënat lidhur me llojin dhe numrin e aparateve dhe të mbartësve të zërit ose të
pamjeve që i kanë shitur ose importuar, si dhe të dhënat për numrin e fotokopjeve të shitura, të
cilat nevojiten për të llogaritur kompensimin e veçantë.


Neni 41

41.1. Shumat e përgjithshme të kompensimeve të veçanta sipas nenit 39 të këtij ligji, që u takojnë
të gjithë titullarëve të të drejtave, sipas këtij ligji, i miraton Qeveria e Kosovës. Me kontratë të
posaçme mes Zyrës dhe shoqatave të shfrytëzuesve mund të caktohen tarifa të veçanta të këtyre
kompensimeve.

41.2. Shumat e kompensimeve të veçanta nga paragrafi paraprak caktohen ndaras: për çdo
aparat për fiksim të tingullit dhe për çdo aparat për fiksim të pamjes (përfshirë p.sh. edhe
kompjuterët personal); për çdo lloj të mbartësve të fiksimit të tingullit ose pamjeve në varësi me
kapacitetin e mundshëm dhe qëndrueshmërinë e fiksimit (përfshirë p.sh. CD-Rome, DVD dhe
mbartësit e ngjashëm), për çdo aparat fotokopjimi (përfshirë p.sh. edhe faks aparatet, skenerët
etj.) në varësi me kapacitetin e tyre (numrin e kopjeve në minutë) dhe mundësinë e fotokopjimit
me ngjyra (në shumën e dyfishuar nga kopjimi bardhezi), si dhe për çdo faqe të kopjuar.

41.3. Shumat nga paragrafi (1) i këtij neni caktohen në vlera nominale të parasë. Me rastin e
caktimit të lartësisë së tyre merret parasysh shtrirja e mundshme e pranisë së masave mbrojtëse
efektive teknologjike në treg.


Kapitulli 7

KUFIZIMET E SË DREJTËS SË AUTORIT

I. DISPOZITA TË PËRBASHKËTA

Neni 42

42.1. Kufizimet e së drejtës së autorit sipas këtij kapitulli nënkuptojnë se një vepër mund të
shfrytëzohet:

a). pa leje të autorit dhe pa pagesë të kompensimit përkatës (në vijim: shfrytëzim i lirshëm ),
ose
b). pa leje të autorit, por me pagesë të kompensimit përkatës.

42.2. Kufizimet e së drejtës së autorit vlejnë vetëm në rastet e parapara shprehimisht në këtë
kapitull, ndërkaq vëllimi dhe mënyra e shfrytëzimit kufizohet me synimin të cilit i shërben, me
kusht që të mos jetë në kundërshtim me shfrytëzimin normal të veprës dhe të mos cenohen në
mënyrë të paarsyeshme interesat e ligjshme të autorit.

42.3. Në rastet kur shfrytëzimi i veprave lejohet sipas dispozitave të këtij kapitulli, duhet patjetër
të shënohet emri i autorit dhe burimi, përveç kur kjo është objektivisht e pamundur ose kur
shprehimisht e përjashton ky ligj.


II. SHFRYTËZIMI I LIRSHËM

1. Zbatimi i procedurave zyrtare
Neni 43

Është i lirshëm shfrytëzimi i veprës për nevoja të sigurimit publik ose për rrjedhat e rregullta të
veprimit apo raportimit në procedurat administrative, parlamentare ose gjyqësore, pa qenë e
domosdoshme të shënohet emri i autorit dhe burimi prej nga është marrë vepra.

2. Mësimdhënia
Neni 44

Vetëm për qëllim të ilustrimit të mësimdhënies nëpër shkollat e të gjitha niveleve, ndërsa në
suazë të synimit jo komercional, është i lirshëm:

a). interpretimi publik i veprave të publikuara nëse kjo është formë e drejtpërdrejtë e
mësimdhënies në shkollë;
b). interpretimi publik i veprave të publikuara në kremtimet shkollore pa pagesë, me kusht që
interpretuesit nuk kompensohen për këtë.
c). komunikimi i veprave nga fonogramet dhe videogramet për qëllime të mësimdhënies;
d). reprodukimi i pjesëve të shkurta të veprave të publikuara, për qëllime të mësimdhënies
së drejtpërdrejtë ose për provime;
e). emetimi i mëtejmë radioteleviziv i emisioneve shkollore;
f). reprodukimi i emisioneve shkollore radiotelevizive në fonograme ose videograme, vetëm
për qëllime të mësimdhënies së drejtpërdrejtë në hapësirat e institucionit shkollor.


3. Reprodukimi privat dhe vetjak
Neni 45

45.1. Në kuptim të nenit 39 të këtij ligji, reprodukimi i veprave të publikuara është i lirshëm nëse
bëhet deri në tre ekzemplarë dhe nëse janë përmbushur kushtet sipas paragrafit (2) dhe (3) të
këtij neni;

45.2. Personi fizik mund të reprodukojë lirshëm një vepër:

a). në çfarëdo mbartësi, nëse këtë e bën për përdorim privat dhe pa interes të drejtpërdrejtë
apo të tërthortë komercial, si dhe nëse ekzemplarët e tillë nuk do t’i shpërndahen apo
komunikohen publikut;

b). në letër apo në mbartës tjetër të ngjashëm, me përdorim të fotokopjimit ose të një teknike
të ngjashme fotografike;

45.3. Bibliotekat publike, arkivat publike, muzetë dhe institucionet arsimore apo shkencore, mund
të reprodukojnë lirshëm veprën në çfarëdo bartësi lëndor, nëse reprodukimin e bëjnë nga
ekzemplari që zotërojnë dhe pa interes komercial të drejtpërdrejtë apo të tërthortë;

45.4. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafëve paraparak 1, 2 dhe 3 të këtij neni, nuk lejohet
reprodukimi i veprës së shkruar në vëllim të plotë të librit, partiturave muzikore, bazës elektronike
të të dhënave, programeve kompjuterike dhe në formë të veprave te ndërtuara arkitekturore,
nëse në këtë ligj ose me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

45.5. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit paraparak 4 të këtij neni, por në përputhje me
kushtet nga paragrafi (1) i këtij neni, lejohet:

a). reprodukimi i plotë i një libri, nëse ekzemplarët e shtypur janë të shitur të paktën dy vjet
më parë;
b). transkriptimi i fletëve muzikore me shkrim dore.

4. Regjistrimet kalimtare radiotelevizive
Neni 46

46.1. Transmetuesi i cili ka leje për emetimin e veprës mund ta reprodukojë lirshëm me mjetet
vetjake këtë vepër në fonogram apo videogram dhe ta emetojë prapë një herë.

46.2. Regjistrimi i veprës nga paragrafi paraprak duhet të shlyhet patjetër brenda një muaji nga
dita e emetimit të veprës.

46.3. Regjistrimi i veprës nga paragrafi (1) i këtij neni mund t’i dorëzohet arkivit publik nëse ka
vlerë të jashtëzakonshme dokumentare. Transmetuesi duhet ta informojë patjetër dhe menjëherë
autorin për dorëzimin e tillë të regjistrimit.


5. Njerëzit me aftësi të kufizuara
Neni 47

Është i lejueshëm reprodukimi, shpërndarja dhe komunikimi i veprës së publikuar në dobi të
njerëzve me aftësi të kufizuara, por në masën që dikton paaftësia specifike. Shfrytëzimi i këtillë
është i lejueshëm me kusht që të jetë në lidhje të drejtpërdrejtë me paaftësinë specifike, që vepra
në fjalë të mos jetë vënë ende në dispozicion në formatin adekuat, si dhe që të mos bëhet për
interes të drejtpërdrejtë apo të tërthortë komercial.


6. Ceremonitë dhe festimet
Neni 48

Është i lirshëm shfrytëzimi i veprës gjatë ceremonive fetare dhe në festimet zyrtare që
organizohen nga autoriteti publik.


7. Rastet e veçanta të shfrytëzimit të lirshëm
Neni 49

49.1. Është e lirshme bërja e punëve të përkohshme në reprodukimin e veprës të cilat janë
kalimtare ose përcjellëse, që janë pjesë përbërëse dhe thelbësore e ndonjë procesi teknologjik,
që nuk kanë rëndësi të mëvetësishme ekonomike dhe kanë të vetmin qëllim të mundësojnë që
vepra:

a). të transmetohet në rrjet midis palëve të treta nëpërmjet ndërmjetësuesit, ose
b). të shfrytëzohet ligjshëm.

49.2. Është i lirshëm shfrytëzimi i veprës së publikuar në material tjetër, nëse aty përfshihet
rastësisht dhe nuk paraqet element thelbësor të atij shfrytëzimi.


8. E drejta e informimit publik
Neni 50

Për të pasur qasje të lirë në informim të karakterit publik, është i lirshëm:

a). reprodukimi, shpërndarja dhe komunikimi për publikun i veprës së parë apo të dëgjuar që
paraqet pjesë përbërëse të ngjarjes për të cilën raportohet, por pa kaluar masën e
raportimit për ngjarjen e ditës;
b). reprodukimi dhe komunikimi për publikun, në mënyrë të shkurtër, në formë recensioni apo
ndonjë referim tjetër i përmbajtjes së veprave të publikuara të autorit;
c). shfrytëzimi i pjesëve të shkurta të shkëputura nga komente të ndryshme dhe artikuj të
tjerë të publikuar në masmedia, në formë të pasqyrimit të temave të ditës (pasqyra e
shtypit);
d). shfrytëzimi i fjalimeve politike dhe i fjalimeve të tjera të mbajtura në debate publike, në masën
e qëllimit informativ.


9. Citimet
Neni 51

Është i lejueshëm shfrytëzimi në veprën vetjake i pjesëve të shkëputura nga një vepër e huaj e
publikuar, ose vepra e plotë e huaj e publikuar në lëmin e fotografisë, të arteve figurative, dizajnit
industrial, arkitekturës, arteve aplikative dhe kartografisë, nëse kjo ka të bëjë me kritikën apo
shtjellimet në veprën e vet të autorit, me kusht që kjo të jetë në përputhje me parimet e vetëdijes
dhe ndershmërisë.


10. Përpunimet e lirshme
Neni 52

Përpunimi i veprës është i lejueshëm:

a). nëse ka të bëjë me përpunim privat apo tjetër vetjak, i cili nuk është në dispozicion të
publikut;

b). për përpunim në parodi apo karikaturë, nëse kjo nuk krijon apo nuk mund të krijojë huti
në lidhje me burimin;

c). nëse përpunimi përkon me shfrytëzim të lejueshëm dhe me qëllimin e ligjshëm.


11. Katalogët
Neni 53

Është i lirshëm reprodukimi dhe shpërndarja në katalogë i veprave të ekspozuara te arteve
figurative, arteve aplikative dhe dizajnit industrial, si dhe i veprave fotografike që botohen nga
organizatori për të promovuar ekspozitën ose auksionin, duke përjashtuar çfarëdo interesi
komercial të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.



12. Veprat e vendosura në vende publike
Neni 54

Veprat e vendosura përhershëm në rrugë publike, në sheshe, parqe dhe në vende të tjera ku ka
qasje të përgjithshme publike, mund të shfrytëzohen lirshëm.
Shfrytëzimi i veprave nga paragrafi paraprak nuk është i lejueshëm të bëhet në formë
tredimensionale ose për qëllim të njëjtë si vepra burimore, e as për interes komercial të
drejtpërdrejtë apo të tërthortë.

13. Demonstrimi i pajisjeve
Neni 55

Në punëtori, shitore, panaire dhe ofiçina të riparimit është i lejueshëm reprodukimi i veprës në
fonogram apo video, si dhe komunikimi i veprave për publikun, por vetëm në masën e
domosdoshme për demonstrimin e punës së pajisjeve që prodhohen, shiten ose riparohen në
hapësira të tilla.


14. Bazat e të dhënave
Neni 56

56.1. Shfrytëzuesi i ligjshëm i bazës se publikuar të të dhënave ose i ekzemplarit të saj mundet
lirshëm ta reprodukojë ose të bëjë ndryshime në atë bazë të të dhënash, me kusht që kjo të jetë e
nevojshme për t’iu qasur përmbajtjes së saj dhe shfrytëzimit normal të kësaj përmbajtjeje. Kur
shfrytëzuesi është i autorizuar që të shfrytëzojë vetëm një pjesë të bazës së të dhënave, kjo
dispozitë zbatohet vetëm në lidhje me atë pjesë.

56.2. Çdo përcaktim kontraktues në kundërshtim me paragrafin paraprak është i pavlefshëm.


III. LICENCAT LIGJORE

1. Librat e leximit dhe tekstet shkollore
Neni 57

Me pagesë të kompensimit përkatës është i lejueshëm reprodukimi dhe marrja e pjesëve të
shkëputura të veprës së publikuar të autorit, respektivisht i veprave të publikuara veç e veç nga
lëmi i arteve figurative, fotografisë, arkitekturës, arteve aplikative dhe dizajnit industrial, si dhe i
kartografisë, në libra leximi dhe tekste shkollore që përmbajnë vepra të më shumë autorëve dhe
që i dedikohen mësimdhënies në shkolla të të gjitha niveleve.


2. Komentet radiotelevizive dhe artikujt e shtypit
Neni 58

Me pagesë të kompensimit përkatës është i lejueshëm komunikimi publik, reprodukimi dhe
qarkullimi në mjete të informimit publik, i komenteve të caktuara radio dhe televizive, fotografive
dhe artikujve të shtypit që janë publikuar në mjete të tjera të informimit, nëse kanë të bëjnë me
aktualitete politike, ekonomike, religjioze ose të natyrës të ngjashme dhe nuk përmbajnë
klauzolën e rezervimit të së drejtës.



3. Emetimi i veprës nga fonogramet e botuara
Neni 59

I lejohet Transmetuesit emetimi i veprave nga fonogramet e botuara, me kusht që, para emetimit,
me Asociacionin kolektiv të ketë lidhur kontratë për lartësinë, mënyrën dhe afatin e pagesës së
kompensimit.

4. Institucionet sociale
Neni 60

Me pagesë të kompensimit përkatës, është i lejueshëm reprodukimi dhe emetimi i mëtejmë i
emisioneve radiotelevizive në azilet e të moshuarve, në spitale, burgje dhe institucione të
ngjashme sociale.


5. Sigurimi i kufizimeve të të drejtave
Neni 61

61.1. Nëse titullari i të drejtave zbaton masa teknologjike në kuptim të dispozitave të këtij ligji, ai
është i detyruar që shfrytëzuesit të kufizimeve të të drejtave nga nenet 43 deri 47 dhe nenit 60 të
këtij ligji, me kërkesën e tij, por jo më vonë se 14 ditë nga dita e paraqitjes së saj, t’ia vërë në
dispozicion mjetet për shfrytëzim të këtyre kufizimeve, por me kusht që ato të përdoren vetëm në
masën e domosdoshme dhe që shfrytëzuesi të këtë qasje të ligjshme në veprën e mbrojtur apo
në lëndë nga të drejtat e afërta.

61.2. Nëse titullari i të drejtave nuk e përmbush detyrimin në kuptim të paragrafit paraprak
shfrytëzuesi ose shoqata e shfrytëzuesve mund t’i drejtohen gjyqit kompetent.

61.3. Paragrafët e mësipërm të këtij neni nuk zbatohen:

a). nëse titullari i së drejtës, vullnetarisht ose sipas kontratës, i ka vënë shfrytëzuesit në
dispozicion mjetet për të shfrytëzuar kufizimet e të drejtave të këtilla, në masë të
kënaqshme dhe të domosdoshme;
b). ndaj masave teknologjike të zbatuara gjatë përmbushjes së detyrimeve të shfrytëzuesve
të të drejtave nga paragrafët e mësipërm të këtij neni;
c). ndaj veprave të vëna në dispozicion të publikut sipas kushteve të kontraktuara, në
mënyrën që pjesëtarëve të publikut u është e mundur qasja nga vendi dhe në kohën që
ata e zgjedhin individualisht.


Kapitulli 8

KUFIZIMET E KOHËZGJATJES TË SË DREJTËS SË AUTORIT

1. Afati i kohëzgjatjes
Neni 62

62.1. E drejta e autorit zgjatë gjatë gjithë jetës së autorit dhe 70 vjet pas vdekjes së tij.

62.2. E drejta e autorit ndaj veprës anonime ose me pseudonim zgjatë 70 vjet që nga dita e
shpalljes së ligjshme të veprës.

62.3. Nëse dihet padyshim se kush është autor i veprës me pseudonim, ose në rast se autori
brenda afatit nga paragrafi paraprak zbulon identitetin e vet, vlen afati nga paragrafi (1) i këtij
neni.

62.4. E drejta e autorit në veprën e bashkautorëve zgjatë 70 vjet që nga dita e vdekjes së
bashkautorit i cili ka vdekur i fundit.

62.5. E drejta e autorit në veprën kolektive zgjatë 70 vjet pas publikimit të ligjshëm të veprës.

62.6. Kur afati nuk rrjedh që nga vdekja e autorit, ndërsa vepra nuk ka qenë ligjshëm e publikuar,
e drejta e autorit zgjatë 70 vjet që nga krijimi i saj.

62.7. Nëse fillimi i afatit të kohëzgjatjes së të drejtës së autorit llogaritet që nga dita e publikimit të
ligjshëm, ndërkaq që vepra është publikuar në vëllime, pjesë-pjesë, në vazhdime ose në episode,
afatet e mbrojtjes rrjedhin ndaras për secilin nga këto elemente.

62.8. Ndryshimet jo qenësore gjatë përzgjedhjes, korrigjimit apo renditjes së përmbajtjes së
koleksionit të veprave nuk e zgjasin afatin e mbrojtjes të së drejtës në koleksion.

62.9. Afatet nga ky nen llogariten që nga 1 janari i vitit që pason vitin në të cilin ndodh ngjarja e
cila është relevante për fillimin e afatit.


2. Efekti i mbarimit të afateve
Neni 63

Me mbarimin e afatit të kohëzgjatjes nga ky kapitull, vepra e autorit kalon në domenin publik dhe
në shfrytëzim të lejueshëm.


3. E drejta e publikimit dhe e drejta e pendimit
Neni 64

Pavarësisht nga dispozitat e nenit 62 të këtij ligji, e drejta e publikimit të parë dhe e drejta e
pendimit zgjasin derisa autori të jetë gjallë.


4. E drejta e autorësisë dhe e integritetit të veprës
Neni 65

Pavarësisht nga dispozitat e nenit 62 dhe 63 të këtij ligji, detyrimi për përfilljen e së drejtës së
autorësisë (neni 18) dhe të drejtës së integritetit të veprës (neni 19) zgjatë pa kufizim kohor.

Kapitulli 9

KALIMI I TË DREJTAVE TË AUTORIT

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Moskalimi i të drejtave morale
Neni 66

Të drejtat morale të autorit nuk mund të kalohen prej autorit në persona të tjerë.


2. Trashëgimi i së drejtës së autorit
Neni 67

Të drejtat ekonomike dhe të drejtat e tjera, si dhe zbatimi i të drejtave morale që zgjasin pas
vdekjes së autorit, kalohen në përputhje me dispozitat për trashëgimi.

3. Kalimi i të drejtave ekonomike të autorit
Neni 68

Të drejtat ekonomike dhe të drejtat e tjera të autorit janë pjesë përbërëse e pasurisë së titullarit të
tyre dhe mund të jenë objekt i kalimit juridik


4. Titullari i të drejtave ekonomike
Neni 69

69.1. Autori është titullari i parë i të gjitha të drejtave ekonomike dhe të drejtave të tjera mbi
veprën e vet.

69.2. Përveç autorit, titullar i të drejtave nga paragrafi paraprak 1 i këtij neni mund të jetë edhe
personi fizik apo juridik në të cilin kalohen këto të drejta mbi bazë ligjore ose me veprim juridik.

5. Zotërimi juridik
Neni 70

Të drejtat të cilat i njihen me ligj autorit, duke përfshirë këtu edhe mbrojtjen gjyqësore, i takojnë
titullarit tjetër, sipas llojit dhe në masën që i kalohen me ligj apo me veprim juridik, nëse në këtë
ligj nuk parashikohet ndryshe.


6. Përmbarimi i detyrueshëm
Neni 71

71.1. E drejta e autorit, vepra e pakryer, origjinalet e pa publikuara dhe dorëshkrimi i veprës nuk
mund të jenë objekt i përmbarimit të detyrueshëm.

71.2. Lëndë e përmbarimit të detyrueshëm mund të jenë vetëm përfitimet ekonomike nga e drejta
e autorit.


7. Marrëdhënia e së drejtës së autorit me të drejtën e pronësisë
Neni 72

72.1. E drejta e autorit është e pavarur nga e drejta e pronësisë mbi sendin ku është e përfshirë
vepra e autorit, nëse në këtë ligj nuk është parashikuar ndryshe.

72.2. Kalimi veç e veç i të drejtave ekonomike të autorit dhe të drejtave të tjera mbi veprën e
autorit nuk ndikon në të drejtën e pronësisë mbi sendin ku është përfshirë vepra e autorit, nëse
në këtë ligj apo me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

72.3. Kalimi juridik i sendit ku është e përfshirë vepra e autorit nuk ndikon në të drejtat e veçanta
ekonomike dhe të drejtat e tjera të autorit mbi atë vepër, nëse në këtë ligj apo me kontratë nuk
parashikohet ndryshe.

Neni 73

Në pasurinë e përbashkët të bashkëshortëve bien vetëm përfitimet ekonomike që dalin nga
shfrytëzimi i së drejtës së autorit.

Neni 74

Pronari i veprës së ndërtuar arkitekturore mund ta përpunojë lirshëm atë vepër.

Neni 75

75.1. Pronari që synon të asgjësojë origjinalin e veprës së autorit dhe kur ka baza të supozojë se
autori ka interes të arsyeshëm që të ruhet origjinali, nuk mund ta asgjësojë origjinalin e këtillë
para se t’ia ketë ofruar autorit. Pronari nuk mund të kërkojë me tepër se që është vlera reale e
materialit.

75.2. Nëse është e pamundur të kthehet origjinali, pronari mund ta asgjësojë atë, por duhet t’ia
mundësojë autorit bërjen e kopjes e veprës në shpenzime të autorit.

75.3. Pronari i veprës së ndërtuar arkitekturore mund ta asgjësojë atë vepër, ndërkaq autori ka të
drejtën ta fotografojë dhe të kërkojë t’i dorëzohen kopjet e planeve në shpenzime të veta.

75.4. Dispozitat e këtij neni nuk ndikojnë në mbrojtjen e veprës sipas dispozitave për
trashëgiminë kulturore.


II. E DREJTA KONTRAKTORE E AUTORIT

1. Kontrata për të drejtat e autorit
Neni 76

76.1. Autori mund t’ia kalojë personit tjetër të drejtat ekonomike për shfrytëzim të veprës së tij,
përmes lidhjes së kontratës apo veprimit tjetër juridik, nëse në këtë ligj nuk parashikohet ndryshe.

76.2. Kontrata e së drejtës së autorit përmban sidomos: emrat e palëve, titullin, përkatësisht
identifikimin e veprës së autorit që është objekt i kontratës, të drejtat, përkatësisht format e
shfrytëzimit që janë objekt i kalimit, lartësinë e kompensimit të autorit, si dhe afatet dhe mënyrën
e pagesës, kufizimet eventuale të përmbajtjes, shtrirjes territoriale dhe kohëzgjatjes.

76.3. Ndaj kontratës së të drejtës së autorit zbatohen dispozitat e së drejtës së detyrimeve, nëse
në këtë ligj nuk parashikohet ndryshe.

2. Vëllimi i kalimit
Neni 77

77.1. Kalimi i disa të drejtave ekonomike mund të bëhet me kufizime në përmbajtjen, rajonin e
caktuar (territorialisht) dhe kohëzgjatjen (në afat të caktuar).
77.2. Kalimi i të drejtave ekonomike mund të jetë ekskluziv ose jo ekskluziv.

77.3. Kalimi ekskluziv e autorizon vetëm marrësin e së drejtës që, në mënyrën e përcaktuar me
kontratë, të shfrytëzojë veprën e autorit, duke përjashtuar të gjithë personat e tjerë, përfshirë
edhe autorin.

77.4. Kalimi joekskluziv e autorizon marrësin e së drejtës që, në mënyrën e përcaktuar me
kontratë, të shfrytëzojë veprën e autorit, krahas autorit dhe cilitdo person tjetër që është titullar i
së drejtës së autorit.

77.5. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafëve të mësipërme, kalimi ekskluziv i të drejtave të
shfrytëzimit të veprës së caktuar nuk e ndalon autorin ta shfrytëzojë atë vepër në koleksion të
veprave të zgjedhura të tij, apo në koleksion të të gjitha veprave të tij.

77.6. Kalimi joekskluziv, të cilin autori e ka lejuar para se të ketë bërë kontratë për kalim
joekskluziv, mbetet i vlefshëm ndaj marrësit të së drejtës ekskluzive, nëse me kontratë midis
autorit dhe marrësit të së drejtës ekskluzive nuk është parashikuar ndryshe.



3. Supozimi i masës së kalimit të të drejtave
Neni 78

78.1. Nëse me ligj a me kontratë nuk është specifikuar se kalimi i të drejtave është ekskluziv ose
joekskluziv, konsiderohet se kalimi është joekskluziv.

78.2. Nëse me ligj a me kontratë nuk është specifikuar shtrirja territoriale, konsiderohet se vlen
vetëm për territorin e Kosovës.

78.3. Nëse me ligj apo me kontratë nuk është specifikuar se cilat të drejta veç e veç kalohen, ose
në çfarë mase kalohet një e drejtë, konsiderohet se janë kaluar ato të drejta dhe në atë masë që
është thelbësore për të arritur synimin e kontratës.



4. Kalimi i mëtejmë
Neni 79

79.1. Personi që me anë të kalimit ka fituar të drejtën ekonomike ose një të drejtë tjetër të autorit
nuk mundet pa leje të autorit të bëjë kalim të mëtejmë të të drejtave të tilla në një person të tretë,
nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

79.2. Leja sipas paragrafit paraprak nuk është e nevojshme, në rast se kalimi i mëtejmë është
pasojë e shitjes, bankrotit ose likuidimit të rregullt të personit juridik i cili është titullar i së drejtës.

79.3. Kalimi i së drejtës së caktuar për të shfrytëzuar veprën nuk nënkupton edhe kalimin e së drejtës
në kompensim të autorit, në rastet kur shfrytëzimi i veprës së autorit mund të bëhet pa leje të autorit,
por me detyrim të pagesës së kompensimit të autorit (licenca ligjore).

79.4. Nëse sipas ligjit a me kontratë është i lejueshëm kalimi i mëtejmë, pa pajtim të autorit, para
marrësi i së drejtës dhe titullari i ri i së drejtës mbajnë përgjegjësi solidare ndaj autorit për
përmbushjen e detyrimeve nga kontrata për kalim.


5. Rregulla e kalimeve të veçuara
Neni 80

80.1. Kalimi i një të drejte ekonomike a një të drejte tjetër të autorit nuk ndikon në kalimin e të
drejtave të tjera, nëse në këtë ligj a me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

80.2. Me rastin e kalimit të së drejtës për reprodukim të veprës nuk kalohet edhe e drejta e
regjistrimit të saj në formën elektronike si dhe e drejta për fiksim të zërit apo të pamjeve, nëse në
këtë ligj a me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

80.3. Me rastin e kalimit të së drejtës për qiradhënie të fonogramit, përkatësisht videogramit të
veprës se autorit, autori mban të drejtën në kompensim për çdo qiradhënie të veprës. Autori nuk
mund të heqë dorë nga kjo e drejtë.


6. Supozimi i kalimit të bashkëlidhur
Neni 81

Me rastin e kalimit të së drejtës për reprodukim të veprës, konsiderohet se është kaluar edhe e drejta
për shpërndarjen e ekzemplarëve të saj, nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.


7. Kalimi i së drejtës për botime periodike
Neni 82

82.1. Nëse autori kalon të drejtat të veta në formë të përfshirjes së veprës së tij në koleksionin që
botohet periodikisht, konsiderohet se botuesi ka fituar të drejtën ekskluzive të reprodukimit dhe
shpërndarjes të veprës.

82.2. Në rastin nga paragrafi paraprak kalimi bëhet ekskluziv pas një viti nga dita e botimit
periodik.

8. Pavlefshmëria
Neni 83

Konsiderohen të pavlefshme përcaktimet kontraktuese me të cilat autori bën kalimin e të drejtave
të mëposhtme:

a). të drejtën e autorit si tërësi;
b). të drejtat morale të autorit;
c). të drejtat ekonomike mbi të gjitha veprat e ardhshme të tij;
d). të drejtat ekonomike për forma ende të panjohura të shfrytëzimit të veprës së tij.


9. Formaliteti
Neni 84

84.1. Kontratat dhe veprimet e tjera juridike me anë të të cilave bëhet kalimi i të drejtave
ekonomike dhe të drejtave tjera të autorit, ose jepen autorizime për shfrytëzim të veprës, duhet të
bëhen në formë të shkruar, nëse me ligj nuk parashikohet ndryshe.
84.2.Në rast të mosveprimit sipas paragrafit paraprak definimet e diskutueshme a të paqarta të
marrëveshjes gojore interpretohen në favor të autorit.

10. Kompensimi ose honorari i autorit
Neni 85

85.1. Kompensimi ose honorari i autorit mund të caktohet: në shumë të njëhershme (paushall),
në varësi me masën e shfrytëzimit të veprës, në varësi me efektet ekonomike të shfrytëzimit të
veprës, në varësi me madhësinë apo cilësinë e veprës ose me kombinimin e këtyre metodave, si
dhe duke marrë parasysh edhe kushtet e tjera që mund të ndikojnë në lartësinë e tij.

85.2. Nëse kompensimi ose honorari i autorit nuk është caktuar me kontratë, caktohet sipas
pagesave të zakonshme për llojin e veprës, sipas masës dhe kohëzgjatjes së shfrytëzimit të
veprës si dhe rrethanave të tjera.


11. E drejta në revizionin e kompensimit të shpërpjesëtuar
Neni 86

86.1. Në rast se fitimprurja nga shfrytëzimi i veprës është në shpërpjesëtim të dukshëm me
kompensimin e kontraktuar në shumë të njëhershme (paushall), autori ka të drejtë të kërkojë
ndryshimin e kontratës, në kuptim të caktimit më të drejtë të hises në fitim.

86.2. E drejta nga paragrafi paraprak vjetërsohet në afat prej dy vjetësh nga dita e marrjes së
njohurisë për ekzistimin e kompensimit të shpërpjesëtuar, por më së largu në afat prej dhjetë
vjetësh pas kalimit të së drejtës së shfrytëzimit të veprës së autorit.

86.3. Autori nuk mund të heqë dorë nga e drejta e tij sipas paragrafit (1) të këtij neni.


12. Detyrimi për të mbajtur evidencë
Neni 87

87.1.Në rast se kompensimi është përcaktuar në varësi me fitimin e realizuar nga shfrytëzimi i
veprës, shfrytëzuesi i së drejtës së autorit duhet patjetër të mbajë librin përkatës dhe evidencat e
tjera të kontabilitetit, prej ku është e mundur të konstatohen të ardhurat e realizuara.

87.2. Shfrytëzuesi i veprës është i detyruar që autorit apo përfaqësuesit të tij t’ia mundësojë
kontrollin e evidencave nga paragrafi paraprak, ndërsa në afatet e caktuara dhe të paktën një herë
në vit t’i dërgojë edhe raporte të sakta lidhur me realizimin e të ardhurave.


13. Revokimi i së drejtës ekonomike
Neni 88

88.1. Autori ka të drejtë të tërheqë të drejtën e dhënë për shfrytëzim, nëse titullari i së drejtës
ekskluzive e ka shfrytëzuar atë të drejtë në masë të pamjaftueshme ose nuk e ka shfrytëzuar
fare, me çka janë dëmtuar dukshëm interesat e arsyeshme të autorit, nëse në këtë ligj nuk
parashikohet ndryshe.

88.2. Autori nuk mund të vërë në veprim të drejtën e revokimit para se të kenë kaluar dy vjet nga
dita kur ka bërë kalimin e së drejtës së shfrytëzimit ose ka dorëzuar ekzemplarin e veprës, nëse
ky dorëzim është bërë pas lidhjes së kontratës. Nëse ka të bëjë me artikull për shtypin ditor, ky
afat është tre muaj, ndërsa për shtypin periodik - një vit.

88.3. Autori mund të vërë në veprim të drejtën e revokimit vetëm pasi ta ketë paralajmëruar
marrësin e së drejtës për revokimin pasues dhe t’i ketë lënë një afat plotësues dhe të arsyeshëm
për të shfrytëzuar të drejtën e dhënë.

88.4. Me të bërë të revokimit, e drejta e dhënë për shfrytëzim të veprës shuhet.

88.5. Autori duhet patjetër që marrësit të së drejtës t’ia kompensojë në mënyrë të drejtë dëmin e
shkaktuar me revokimin e së drejtës.

88.6. Autori nuk mund të heqë dorë nga e drejta e revokimit në kuptimin e këtij neni.


III. KONTRATA TË VEÇANTA PËR TË DREJTËN E AUTORIT

1. KONTRATA E BOTIMIT

1. Lënda e kontratës
Neni 89

89.1.Me kontratë botimi autori ia kalon të drejtën botuesit për t’ia reprodukuar veprën e tij me anë
të shtypshkrimit dhe të drejtën për shpërndarje të ekzemplarëve të veprës, ndërkaq botuesi merr
për detyrim të bëjë reprodukimin dhe shpërndarjen e veprës si dhe, për këtë, t’i paguajë autorit
kompensimin.

89.2. Në rastin kur vepra nuk është e publikuar, me kontratë për botim te veprës konsiderohet se
është dhënë pëlqimi edhe për publikimin e saj.

89.3. Me kontratë për botim botuesi mund të autorizohet edhe për përkthim të veprës në një
gjuhë tjetër, si dhe për reprodukim dhe shpërndarje të saj.

89.4. Kontrata për botimin, lëndë e së cilës është botimi i artikujve, vizatimeve, karikaturave dhe
kontributeve tjera të autorit në shtypin ditor dhe atë periodik, nuk është e domosdoshme të bëhet
në formë të shkruar.

89.5. Përfaqësuesi i autorit mund të lidhë kontratë për botim vetëm për ato vepra që janë caktuar
shprehimisht në autorizimin e autorit.


2. Përmbajtja e kontratës
Neni 90

90.1. Kontrata për botim të veprës përmban sidomos:

a). afatin brenda të cilit autori detyrohet t’ia dorëzojë botuesit dorëshkrimin ose një
ekzemplar tjetër të veprës, në mënyrë që botuesit t’ia mundësojë botimin e veprës. Nëse
me kontratë nuk është përcaktuar ndryshe, ky afat është një vit nga dita e lidhjes së
kontratës;

b). afatin brenda të cilit botuesi detyrohet të nisë nxjerrjen në treg të ekzemplarëve të veprës.
Nëse me kontratë nuk është përcaktuar ndryshe, ky afat është një vit që nga dita e pranimit
të dorëshkrimit a të një ekzemplari tjetër të rregullt të veprës;

c). numrin e botimeve të cilat botuesi është i autorizuar t’i nxjerrë. Nëse me kontratë nuk
është përcaktuar ndryshe, botuesi ka të drejtë në një botim;

d). afatin brenda të cilit botuesi, pas shterjes së botimit të parë, është i detyruar të nisë
nxjerrjen në treg të ekzemplarëve të botimit të ardhshëm, nëse kjo është paraparë në
kontratë. Nëse në kontratë nuk është përcaktuar ndryshe, ky afat është një vit që nga dita
kur autori ka kërkuar një gjë të tillë;

e). dukjen dhe faqosjen teknike të ekzemplarëve të veprës.

90.2. Nëse kompensimi është i caktuar në përqindje nga çmimi me pakicë i ekzemplarëve të
shitur, në kontratën për botim të veprës duhet të caktohet tirazhi i botimit të parë. Nëse kjo nuk
është caktuar, supozohet se vepra është botuar në të paktën 5.000 ekzemplarë.

90.3. Nëse kompensimi është caktuar në shumë të njëhershme (paushall), në kontratë duhet
patjetër të caktohet tirazhi i përgjithshëm i ekzemplarëve që do të shtypen. Nëse kjo nuk është
caktuar apo nuk rezulton nga qëllimi i kontratës, doket profesionale apo rrethanat e tjera, botuesi
mund të reprodukojë dhe të shpërndajë deri në 500 ekzemplarë.


3. Detyrimet e botuesit
Neni 91

Botuesi ka për detyrë:

a). të kujdeset për shitjen e ekzemplarëve dhe për këtë ta informojë herë pas here autorin,
me kërkesën e tij;

b). që autorit, me kërkesën e tij, në fazën përkatëse të procesit teknik të shumëzimit t’i
mundësojë korrekturën;

c). që, me rastin e përgatitjes së çdo botimi të ardhshëm të veprës, t’i mundësojë autorit
futjen e ndryshimeve përkatëse, me kusht që kjo të mos e ndryshojë karakterin e veprës
dhe që, duke pasur parasysh tërësinë e kontratës për botim të veprës, të mos paraqet
shpërpjesëtim në pikëpamje të detyrimeve të botuesit.


4. Detyrimi për kthimin e dorëshkrimit
Neni 92

Dorëshkrimi ose ekzemplari tjetër origjinal që i është dorëzuar botuesit duhet patjetër t’i kthehet
autorit, përveç artikujve, vizatimeve dhe kontributeve tjera në shtypin ditor dhe në atë periodik,
nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.


5. E drejta e përparësisë së botuesit
Neni 93

93.1. Botuesi i cili ka marrë të drejtën për botimin e veprës në formë të librit, ka të drejtën e
përparësisë që, krahas ofertuesve tjerë të barabartë, ta botojë atë vepër në formë elektronike.

93.2. E drejta e përparësisë nga paragrafi paraprak zgjatë tre vjet që nga dita e kontraktimit të
datës së botimit të veprës. Botuesi duhet të deklarohet në formë të shkruar brenda 30 ditësh që
nga dita e marrjes së ofertës me shkrim nga autori.

6. Shkatërrimi i ekzemplarëve të pa shitur
Neni 94

Nëse botuesi synon që ekzemplarët e pa shitur të veprës t’i shesë si letër të vjetër, është i
detyruar që blerjen paraprakisht t’ia ofrojë autorit, nëse rëndom është i arritshëm, sipas çmimit
për letër të thjeshtë.


7. Shkatërrimi i veprës shkaku i forcës madhore
Neni 95

95.1. Nëse i vetmi ekzemplar ekzistues i veprës shkatërrohet nga shkaku i forcës madhore pasi t’i
jetë dorëzuar botuesit, autori ka të drejtë në honorar, siç do t’i takonte po të ishte botuar vepra.

95.2. Nëse nga shkaku i forcës madhore është shkatërruar i tërë tirazhi i përgatitur i veprës, para
se të jetë nxjerrë në treg, botuesi ka të drejtë të përgatisë botimin e ri, ndërsa autorit i takon
honorari vetëm për botimin e shkatërruar.

95.3. Nëse nga shkaku i forcës madhore është shkatërruar një pjesë e tirazhit të veprës, para se
të jetë nxjerrë në treg, botuesi ka të drejtë pa pagesë shtesë të honorarit të shumëzojë po aq
ekzemplarë sa janë shkatërruar.


8. Përfundimi i kontratës
Neni 96

Kontrata e botimit përfundon:

a). nëse autori vdes para përfundimit të veprës;
b). nëse është shterur tirazhi i gjithë botimeve të miratuara;
c). me skadimin e afatit të kohëzgjatjes së kontratës;
d). me zgjidhjen e kontratës në përputhje me normat ligjore për detyrimet.


9. Zgjidhja e kontratës
Neni 97

97.1. Nëse botuesi nuk e boton veprën brenda afatit të kontraktuar ose brenda afatit nga pika (b)
paragrafi (1) i nenit 90 të këtij ligji, autori ka të drejtë ta zgjidhë kontratën e botimit, të mbajë,
përkatësisht të kërkojë pagesën e honorarit të caktuar, si dhe të kërkojë dëmshpërblimin.

97.2. Autori mund ta zgjidhë kontratën e botimit në rast se botuesi, pasi të jetë shitur tirazhi i
botimit paraprak, ndërkaq kontrata përmban detyrimin për ribotime, nuk fillon të nxjerrë në treg
ekzemplarët e botimit të ardhshëm brenda afatit nga pika (d) paragrafi (1) të nenit 90 të këtij ligji.

97.3. Botuesi mund të zgjidhë kontratën e botimit nëse autori nuk ia dorëzon dorëshkrimin ose
një ekzemplar tjetër të veprës brenda afatit nga pika (a) paragrafi (1) të nenit 90 të këtij ligji.

97.4. Konsiderohet se tirazhi i botimit është shitur nëse numri i ekzemplarëve të pa shitur është
më i vogël se 100.

2. KONTRATA E SHFAQJES DHE KONTRATA E INTERPRETIMIT

Neni 98

Me kontratën për shfaqjen, përkatësisht kontratën për interpretimin e veprës autori ia kalon
shfrytëzuesit të drejtën për të shfaqur, përkatësisht për të interpretuar publikisht veprën e tij,
ndërsa shfrytëzuesi merr detyrimin që atë vepër ta shfaqë, përkatësisht ta interpretojë publikisht
në afatin e caktuar, në mënyrën dhe nën kushtet e përcaktuara me kontratë, dhe për këtë t’i
paguajë autorit honorarin.
Neni 99

Të drejtën e shfaqjes, përkatësisht të drejtën e interpretimit publik të veprës, autori mund ta kalojë
njëkohësisht në disa persona, nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.
Neni 100

Titullari i së drejtës në shfaqjen apo interpretimin publik të veprës teatrore, teatrore-muzikore dhe
koreografike lidhë edhe kontratë për regjinë teatrore, koreografinë, skenografinë dhe
kostumografinë.


Neni 101

Nëse autori nuk ia dorëzon shfrytëzuesit veprën (dorëshkrimin, partiturën etj.) brenda afatit të
kontraktuar, shfrytëzuesi mund të zgjidhë kontratën dhe të kërkojë dëmshpërblim.
Neni 102

Dorëshkrimi, partitura ose origjinali tjetër i veprës që është objekt i kontratës i kthehen autorit,
nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

Neni 103

Shfrytëzuesi detyrohet t’i mundësojë autorit përcjelljen dhe ecurinë e përgatitjeve për shfaqjen,
përkatësisht interpretimin e veprës, të kujdeset për kushtet përkatëse teknike për shfaqjen,
përkatësisht interpretimin e veprës, si dhe t’i dërgojë autorit ose përfaqësuesit të tij programin dhe
herë pas here ta informojë për të ardhurat nga shfaqja, përkatësisht interpretimi i veprës.

Neni 104

Nëse shfrytëzuesi nuk e shfaq, përkatësisht nuk e interpreton veprën në afatin e kontraktuar,
autori mund ta zgjidhë kontratën dhe të kërkojë dëmshpërblim, e pos kësaj mund të mbajë
honorarin e paguar, respektivisht të kërkojë pagesën e honorarit të kontraktuar.

3. KONTRATA E PËRPUNIMIT TË VEPRËS

Neni 105

Me kontratën për përpunimin e veprës së autorit, autori e kalon të drejtën për t’u përpunuar vepra
e tij në formën e përshtatjes skenike, përshtatjes audiovizuele ose për mënyra të tjera të
shfrytëzimit të veprës në formë të ndryshuar.

4. KONTRATA E POROSISË SË VEPRËS SË AUTORIT

Neni 106

106.1. Me kontratën për porosi të veprës së autorit autori merr detyrimin që për porositësin të
krijojë veprën e autorit dhe t’ia dorëzojë origjinalin ose ekzemplarin e veprës, ndërsa porositësi
merr detyrimin që autorit t’ia paguajë honorarin.
106.2. Porositësi mund të mbikëqyrë procesin e krijimit të veprës dhe të japë udhëzime, por duke
mos ndërhyrë në lirinë e shprehjes artistike apo shkencore të autorit.

106.3. Porositësi gëzon të drejtën e publikimit dhe të shpërndarjes së veprës, ndërsa autori ruan
të drejtat tjera, nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

106.4. Porositësi i portretit mund ta reprodukojë portretin e bërë duke përfshirë edhe
reprodukimin fotografik. Nëse portreti është vepër fotografike, lejohet reprodukimi jofotografik i tij.

106.5. Dispozitat e këtij neni zbatohen ngjashëm dhe aq sa i takon (mutatis mutandis) edhe ndaj
veprës që autori e ka krijuar si fitues i konkursit publik.

106.6. Ndaj kontratës për porosi të veprës së autorit zbatohen dispozitat e përgjithshme të së
drejtës së detyrimeve që kanë të bëjnë për kontratë për vepër, nëse në këtë ligj nuk parashikohet
ndryshe.


5. KONTRATA E VEPRËS KOLEKTIVE TË AUTORIT

Neni 107

107.1. Vepra kolektive e autorit është vepër e krijuar në bashkëpunim të disa autorëve, duke
gërshetuar kontributet e tyre veç e veç në një tërësi (p.sh. enciklopeditë, koleksionet, leksikonet,
bazat e të dhënave, programet kompjuterike etj.), me iniciativën dhe nën drejtimin e një personi
fizik a juridik si porositës i veprës.

107.2. Për krijimin e një vepre kolektive lidhet kontratë e veçantë. Nëse nuk janë plotësuar
kushtet nga paragrafi paraprak (1) i këtij neni, kontrata e veprës kolektive është e pavlefshme.

107.3. Konsiderohet se porositësit i është bërë kalimi i pakufizuar dhe ekskluziv i të gjitha të
drejtave ekonomike dhe i të drejtave tjera të autorit në veprën kolektive, nëse me kontratë nuk
parashikohet ndryshe.

107.4. Porositësi i veprës kolektive të autorit gëzon të drejtën për ta publikuar dhe shfrytëzuar
veprën nën emrin e vet, por në çdo ekzemplar të veprës duhet patjetër të jetë vënë lista e
autorëve pjesëmarrës në krijimin e veprës kolektive.

Kapitulli 10
DISPOZITA TË VEÇANTA PËR DISA VEPRA TË AUTORIT

I. VEPRAT AUDIOVIZUELE

1. Përkufizimi
Neni 108

Vepër audiovizuele sipas këtij ligji janë: filmat kinematografik, televiziv dhe vizatimor, filmat e
shkurtë videomuzikor, filmat reklamues, filmat dokumentar si dhe veprat e tjera audiovizuele, të
shprehur në formë të vargut të pamjeve lëvizëse të ndërlidhura, të shoqëruara me zë a pa te,
pavarësisht nga lloji i mbajtësit lëndor ku janë të fiksuara.


2. E drejta e përshtatjes audiovizuele
Neni 109

109.1. Me kontratë të përshtatjes audiovizuele të veprës së autorit, autori ia kalon producentit të
filmit të drejtën ekskluzive të përpunimit të veprës së tij burimore, për ta xhiruar dhe shfrytëzuar si
vepër audiovizuele.

109.2. Konsiderohet se autori i veprës burimore ia kalon ekskluzivisht dhe pa kufizime producentit të
filmit të drejtën e përshtatjes së veprës burimore në vepër audiovizuele, të gjitha të drejtat ekonomike
dhe të drejtat e tjera të autorit në atë vepër audiovizuele, përkthimet si dhe përshtatjet audiovizuele të
saj, nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

109.3. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit paraprak autori i veprës burimore ruan:

a). të drejtën ekskluzive për përpunim të mëtejmë të veprës audiovizuele në një formë tjetër
artistike.

b). të drejtën ekskluzive për të lejuar një përshtatje të re audiovizuele të veprës burimore të
tij, por pasi të kenë kaluar dhjetë vjet që nga dita e lidhjes së kontratës nga paragrafi (2) i
këtij neni.

c). të drejtën e kompensimit përkatës nga producenti i filmit, për çdo qiradhënie të
videogrameve të veprës audiovizuele.

109.4. Autori i veprës burimore nuk mund të heqë dorë nga e drejta e tij sipas paragrafit
paraprak


Neni 110

Nëse një vepër burimore është punë e dy a më shumë bashkautorëve, dhe vetëm njëri prej tyre e
ka dhënë të drejtën e përshtatjes audiovizuele, ndërsa bashkautori tjetër vetëm ka marrë pjesën
e vet të pagesës së kompensimit, konsiderohet se edhe bashkautori tjetër e ka dhënë në heshtje
të drejtën e tij.


Neni 111

Për kalimin e mëtejmë të së drejtës së fituar për përshtatje nuk nevojitet autorizimi i autorit në rastet
kur producenti i filmit nuk është në gjendje ta përfundojë me sukses veprën.

Neni 112

112.1. Nëse me kontratë nuk është parashikuar ndryshe, konsiderohet se producenti i filmit ka të
drejtë që titullin e veprës së përshtatur ta përdorë për titull të veprës audiovizuele.

112.2. Autori i veprës burimore, nëse kërkon, ka të drejtë që emri i tij dhe njoftimi se vepra
audiovizuele është bërë sipas veprës së tij, të shënohen në afishe, programe të kinemasë dhe
mjete të tjera reklamuese.

Neni 113

Kontrata e përshtatjes audiovizuele mund të përmbajë klauzolën mbi atë se autori i veprës
burimore ka te drejtë ta shikojë skenarin para fillimit të produksionit.

3. Bashkautorët e veprës audiovizuele
Neni 114

114.1. Vepra audiovizuele është tërësi e mëvetësishme e kontributeve krijuese të bashkautorëve
që kanë bashkëpunuar në bërjen e saj, si dhe vepër në të cilën mishërohen kontributet e
autorëve të tjerë, por që nuk konsiderohen si bashkautorë.

114.2. Bashkautorë të veprës audiovizuele konsiderohen: autori i përshtatjes, autori i skenarit,
autori i dialogëve, drejtori i fotografisë dhe regjisori kryesor.

114.3. Nëse muzika është kompozuar enkas për atë vepër, bashkautor i veprës është edhe
kompozitori.

114.4. Nëse animacioni përbën element thelbësor të veprës audiovizuele, bashkautor i kësaj
vepre konsiderohet edhe animatori kryesor.

114.5. Kompozitori i muzikës dhe animatori, përkatësisht vizatuesi që nuk konsiderohen
bashkautorë të veprës sipas paragrafit (3) dhe (4) të këtij neni, si dhe skenografi, kostumografi,
piktori i grimit dhe montazhisti, konsiderohen autorë të kontributeve përkatëse në veprën e
autorit.

4. Kontrata e prodhimit të filmit
Neni 115

115.1. Marrëdhëniet e ndërsjella të producentit të filmit me autorët e veprës audiovizuele dhe
autorët e kontributeve, si dhe marrëdhëniet midis vetë bashkautorëve rregullohen me anë të
kontratës për prodhim të filmit.

115.2. Me kontratën e prodhimit të filmit autorët e veprës audiovizuele dhe autorët e kontributeve
marrin përsipër detyrimin ndaj producentit të filmit për të bashkëpunuar në mënyrë krijuese në
krijimin e veprës audiovizuele, dhe ia kalojnë të gjitha të drejtat e tyre ekonomike mbi atë vepër,
ndërkaq producenti i filmit merr përsipër detyrimin për t’iu paguar honorarin e autorit.

115.3. Me lidhjen e kontratës për prodhimin e filmit, konsiderohet se bashkautorët dhe autorët e
kontributeve, në mënyrë ekskluzive dhe pa kufizime, ia kalojnë producentit të filmit të gjitha të
drejtat ekonomike dhe të drejtat tjera të autorit mbi veprën audiovizuele, përkthimet e saja në
gjuhë të tjera dhe përpunimet e tjera audiovizuele si dhe fotografitë që kanë të bëjnë me veprën,
nëse me kontratë nuk është parashikuar ndryshe.

115.4. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit paraprak:

a). Bashkautorët ruajnë të drejtën ekskluzive deri në përpunimin e mëtejmë të veprës
audiovizuele në një formë tjetër artistike;

b). autorët e kontributeve e ruajnë të drejtën ekskluzive që kontributet e tyre në veprën
audiovizuele, pas përfundimit te veprës, t’i shfrytëzojnë ndaras nga vepra audiovizuele,
nëse me këtë nuk do të cenojnë të drejtat e producentit të filmit;

c). bashkautorët dhe autorët e kontributeve ruajnë të drejtën e kompensimit përkatës nga
producenti i filmit, për çdo qiradhënie të videogrameve të veprës audiovizuele.

115.5. Bashkautorët dhe autorët e kontributeve nuk mund të heqin dorë nga të drejtat sipas
paragrafit paraprak (4) të këtij neni.


5. Honorari i autorit
Neni 116

116.1. Bashkautorëve të veprës audiovizuele u takon honorari i autorit ndaras për secilën të
drejtë ekonomike, apo të drejtë tjetër të autorit që ia kanë kaluar producentit të filmit.

116.2. Producenti i filmit detyrohet që, të paktën një herë në vit, t’i informojë bashkautorët e
veprës audiovizuele lidhur me të ardhurat e realizuara për secilën formë të autorizuar të
shfrytëzimit të veprës, si dhe t’u mundësoje të njihen me të dhënat që u referohen të ardhurave.

6. Përfundimi i veprës audiovizuele
Neni 117

117.1. Vepra audiovizuele konsiderohet e përfunduar kur mes regjisorit kryesor dhe producentit
të filmit arrihet pëlqimi se kopja e parë standarde (versioni përfundimtar) është e përfunduar.

117.2. Çfarëdo ndryshimi i kopjes së parë standarde nga paragrafi paraprak nuk lejohet të bëhet
pa pëlqimin e arritur ndërmjet regjisorit kryesor dhe producentit të filmit.

117.3. Nuk lejohet shkatërrimi i kopjes së parë standarde të veprës audiovizuele.

117.4. Po qe se një nga bashkautorët apo autorët e kontributeve nuk dëshiron përfundimin e
plotë të kontributit të vet në veprën audiovizuele ose kur nuk ka mundësi për të vazhduar
bashkëpunimin, nuk mund ta kundërshtojë shfrytëzimin e kontributit të tij të deriatëhershëm për
qëllim të përfundimit të plotë të veprës. Në rast të këtillë, autori gëzon të drejtat lidhur me
kontributin e tij të deriatëhershëm.

7. Zgjidhja e kontratës
Neni 118

118.1. Nëse producenti i filmit nuk ka arritur ta përfundojë veprën audiovizuele për tre vjet, që nga
dita e lidhjes së kontratës për veprën filmike, bashkautorët kanë të drejtë të zgjidhin kontratën,
nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

118.2. Përveç të drejtës për zgjidhjen e kontratës, bashkautorët e veprës audiovizuele kanë të
drejtë në dëmshpërblim, nëse producenti i filmit nuk fillon shfrytëzimin e veprës së përfunduar
audiovizuele brenda një viti që nga dita e përfundimit të kopjes së parë standarde, nëse me
kontratë nuk parashikohet ndryshe.

118.3. Në rastet nga paragrafët e mësipërm (1) dhe (2) tё kёtij neni, bashkautorët dhe autorët e
kontributeve mbajnë të drejtën e pagesës së honorarit.

8. Të drejtat mbi fotografitë
Neni 119

Me lidhjen e kontratës për prodhimin e filmit konsiderohet se drejtori i fotografisë ia ka kaluar
producentit të filmit të gjitha të drejtat e shfrytëzimit të fotografive që janë bërë gjatë prodhimit të
veprës audiovizuele.


9. Kufizimi i të drejtave
Neni 120

Autori i veprës burimore, i cili ka kaluar të drejtën për përshtatje audiovizuele, si dhe bashkautorët
e veprës audiovizuele dhe autorët e kontributeve në veprën audiovizuele nuk gëzojnë të drejtën e
pendimit (neni 20) si dhe të drejtën e revokimit të të drejtave ekonomike (neni 88).

II. PROGRAMET KOMPJUTERIKE

1. Përkufizimi
Neni 121

121.1. Programet kompjuterike, sipas këtij ligji, janë programet e shprehura në çfarëdo forme,
duke përfshirë edhe materialin e disenjuar të përgatitur për krijimin e tyre.

121.2. Nuk gëzojnë mbrojtje idetë dhe parimet që përbëjnë bazën e cilitdo element të programit,
duke përfshirë edhe ato që përbëjnë bazën e ndërfaqes.


2. Të drejtat e autorit të programit kompjuterik të krijuar në kuadër
të marrëdhënies së punës ose sipas porosisë
Neni 122

Nëse autori ka bërë program kompjuterik duke përmbushur detyrat e tij të punës ose sipas
udhëzimeve të punëdhënësit të tij, përkatësisht nëse autori ka bërë program kompjuterik në bazë
te kontratës për porosi të veprës, konsiderohet se të gjitha të drejtat ekonomike dhe të drejtat e
tjera të autorit mbi atë program kompjuteri i janë kaluar ekskluzivisht dhe pa kufizime
punëdhënësit, përkatësisht porositësit të programit, nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.


3. Të drejtat e autorit
Neni 123

123.1. Autori i programit kompjuterik ka të drejtë ekskluzive të lejojë apo ta ndalojë, sidomos:

a). Reprodukimin e pjesëve përbërëse apo të programit kompjuterik në tërësi, me çfarëdo
mjeti apo në çfarëdo forme, pa marrë parasysh a është i përkohshëm apo përhershëm.
Në rast se vendosja, ekspozimi, vënia në punë, transmetimi ose deponimi i programit
kërkon reprodukimin e tij, për të kryer këto veprime duhet patjetër leja e autorit;

b). përkthimin, përshtatjen, rregullimin ose ndonjë përpunim tjetër të programit kompjuterik,
si dhe reprodukimin e rezultateve të ndryshimeve të tilla, por pa prekur të drejtat e
personit i cili ka bërë ato ndryshime;

c). shpërndarjen e origjinalit të programit kompjuterik ose të ekzemplarëve të tij në çfarëdo
forme, duke përfshirë edhe qiradhënien.

123.2. Autori mundet, gjithashtu, të kalojë të drejtat nga paragrafi paraprak në personat e tretë
edhe me kontratë për dhënien e licencës.



4. Kufizimet e të drejtave të autorit
Neni 124

124.1. Nëse me kontratë nuk përcaktohet ndryshe, zotëruesi i ligjshëm i programit kompjuterik,
pa autorizimin e autorit mund t’i kryejë veprimet nën pikat (a) dhe (b) paragrafi 1 të nenit 123 të
këtij ligji, duke përfshirë edhe korrigjimin e gabimeve, por në masën që është e domosdoshme
për shfrytëzimin e programit kompjuterik në përputhje me qëllimin e tij.

124.2. Personi që gëzon të drejtën për të shfrytëzuar programin kompjuterik, pa autorizimin e
autorit mund të bëjë deri dy kopje rezervë të programit kompjuterik, nëse kjo është e nevojshme
për shfrytëzimin e tij.

124.3. Personi që gëzon të drejtën për të shfrytëzuar kopjen e programit kompjuterik, pa
autorizimin e autorit, mund të vëzhgojë, studiojë ose të provojë funksionimin e programit
kompjuterik, për të forcuar idetë dhe parimet që janë themel i cilitdo element të programit
kompjuterik, nëse këtë e bën gjatë veprimit të vendosjes, ekspozimit, vënies në punë,
transmetimit ose deponimit të programit për të cilin ka autorizim.

124.4. Ndaj programeve kompjuterike nuk zbatohen dispozitat lidhur me të drejtën e pendimit
(neni 20), të drejtën e kompensimit të veçantë (neni 39) dhe të drejtën për reprodukim privat ose
tjetër vetjak (neni 45).

124.5. Përcaktimet kontraktore që janë në kundërshtim me dispozitat nga paragrafi (2) dhe (3) të
këtij neni janë të pavlefshme.

5. Zbërthimi
Neni 125

125.1. Nuk është e domosdoshme leja e autorit, në kuptim të pikave (a) dhe (b) paragrafi 1 të
nenit 123 të këtij ligji, për të bërë reprodukimin e kodit apo përkthimin e formave të tij, kur
reprodukimi apo përkthimi i tillë është i domosdoshëm për të nxjerrë të dhënat për arritjen e
ndërveprimit të programit kompjuterik të krijuar në mënyrë të pavarur, me programet e tjera ose
mekanizmin e kompjuterit (“hardware”), nëse plotësohen kushtet në vijim:
a). që këto veprime të bëhen nga zotëruesi i licencës ose shfrytëzuesi tjetër i autorizuar ose,
në emër të tyre, nga një person tjetër;

b). që informacioni i nevojshëm për ndërveprim nuk ka qenë më parë i kapshëm në mënyrë
të lehtë për personat nga pika paraprake (a) paragrafi 1 të këtij neni;

c). që këto veprime të kufizohen vetëm në ato pjesë të programit ekzistues që janë të
domosdoshme për arritjen e ndërveprimit.

125.2. Është e ndaluar që informacionet e nxjerra me veprimet nga paragrafi paraprak (1) i këtij neni:

a). të përdoren për qëllime të tjera, përveç për arritjen e ndërveprimit të programit
kompjuterik të krijuar në mënyrë të pavarur;

b). t’iu jepen personave të tjerë, përveç kur kjo është e domosdoshme për arritjen e
ndërveprimit të programit kompjuterik të krijuar në mënyrë të pavarur;

c). të përdoren për krijimin, prodhimin ose nxjerrjen në treg të programit tjetër kompjuterik, i
cili për nga shprehja e tij është thelbësisht i ngjashëm, ose për çfarëdo veprimi me të cilin
cenohet e drejta e autorit.

125.3. Dispozitat nga paragrafi (1) i këtij neni nuk mund të interpretohen në atë mënyrë që do të
lejojë zbatimin e tyre në kundërshtim me përdorimin normal të programit kompjuterik ose duke
cenuar të drejtat e ligjshme të autorit.

125.4. Përcaktimet kontraktore që janë në kundërshtim me dispozitat e këtij neni janë të
pavlefshme.

6. Masa të veçanta të mbrojtjes
Neni 126

Cenim i së drejtës së autorit mbi programin kompjuterik konsiderohet po ashtu:

a). çdo shpërndarje, duke përfshirë edhe ofertën për shfrytëzimin e një a më shumë
ekzemplarëve të programit kompjuterik, për të cilin dihet ose do të mund të dihej se është
ekzemplar i paligjshëm.

b). zotërimi për qëllime komerciale i ekzemplarit të programit kompjuterik, për të cilin dihet
ose do të mund të dihej se është ekzemplar i paligjshëm.


7. Zbatimi i dispozitave të tjera ligjore
Neni 127

Dispozitat e këtij ligji lidhur me programet kompjuterike nuk prekin dispozitat e tjera ligjore lidhur
me programet kompjuterike, siç janë ato për patentën, markën e prodhimit, mbrojtjen e
gjysmëpërçuesve, mbrojtjen nga konkurrenca jolojale, sekretin zyrtar, si dhe së drejtës së
detyrimeve.


III. VEPRA E AUTORIT NGA MARRËDHËNIA E PUNËS

Neni 128

128.1. Kur vepra e autorit krijohet nga i punësuari gjatë marrëdhënies së punës, duke
përmbushur detyrat e veta të punës ose sipas udhëzimeve të punëdhënësit, konsiderohet se të
drejtat ekonomike dhe të drejtat tjera të autorit i janë kaluar ekskluzivisht dhe pa kufizime
punëdhënësit, për një periudhë dhjetëvjeçare që nga përfundimi i veprës, nëse me kontratën e
punësimit a me një akt tjetër të shkruar me punëdhënësin nuk është parashikuar ndryshe.

128.2. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit paraprak (1) të këtij neni, të drejtat do t’i kthehen
autorit të punësuar para mbarimit të afatit të tillë, në rast të vdekjes së punëdhënësit, përkatësisht
në rast të likuidimit të punëdhënësit si person juridik.

128.3. Nëse punëdhënësi fare nuk i shfrytëzon të drejtat ekonomike mbi atë vepër, ose i
shfrytëzon në masë të papërfillshme, autori i punësuar ka të drejtë të kërkojë nga punëdhënësi
që ky t’ia kalojë ato të drejta, kundrejt kompensimit të shpenzimeve.

128.4. Nëse nuk është kontraktuar ndryshe në mes autorit dhe punëdhënësit, i punësuari si autor
i veprës gëzon të drejtën të kërkojë nga punëdhënësi kompensim shtesë, nëse paga e tij është
në shpërpjesëtim të dukshëm me fitimet apo kursimet e realizuara në saje të shfrytëzimit të
veprës.


Neni 129

Pavarësisht nga dispozitat e nenit paraprak 128 të këtij ligji, autori i veprës ruan të drejtën
ekskluzive për të përfshirë veprën e vet në koleksion të veprave të zgjedhura te tij ose në
koleksion të të gjitha veprave të tij.


Neni 130

Të drejtat ekonomike dhe të drejtat e tjera të autorit që kanë të bëjnë me bazën e të dhënave ose
me veprën kolektive të krijuar gjatë marrëdhënies së punës, konsiderohen se i janë kaluar
punëdhënësit ekskluzivisht dhe pa kufizime, nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.
Dispozitat e paragrafit (4) të nenit 107 të këtij ligji zbatohen edhe në kësi rasti.


IV. VEPRAT E KRIJUARA GJATË SHKOLLIMIT

Neni 131

Institucionet arsimore kanë të drejtë që vepra të plota të autorëve ose pjesë të veprave të
nxënësve apo studentëve të vet t’i përfshijnë në koleksione veprash shkollore të nxënësve apo
studentëve të vet, si dhe këto koleksione t’i reprodukojnë dhe shpërndajnë.


PJESA III

TË DREJTAT E AFËRTA

Kapitulli 1

TË DREJTAT E INTERPRETUESVE

1. Interpretuesit
Neni 132

132.1. Interpretues janë aktorët, këngëtarët, muzikantët, vallëzuesit dhe personat e tjerë që me
anë të aktrimit, këndimit, gjuhës së gjesteve a të lëvizjeve, recitimit apo ndonjë mënyrë tjetër,
interpretojnë ndonjë vepër të autorit ose shprehje të folklorit.
132.2. Interpretues nga paragrafi paraprak konsiderohen edhe regjisori i shfaqjes teatrore,
dirigjenti i orkestrës, dirigjenti i korit, mjeshtri i tonit si dhe artistët e cirkut e të varietesë.


2. Të drejtat morale të interpretuesve
Neni 133

133.1. Interpretuesit kanë të drejtë ekskluzive:

a). që emri, pseudonimi apo shenja e tyre të tregohet me rastin e shfrytëzimit të interpretimit
të tyre;

b). të kundërshtojnë çdo deformim, shëmtim apo shfrytëzim të interpretimit që mund të
cenojë nderin dhe famën e tyre.

133.2. Nëse interpretimin e bën ansambli i interpretuesve, të drejtën nga pika (1) e paragrafi
paraprak e mban ansambli si tërësi, solistët dhe udhëheqësi artistik.

133.3. Me rastin e vlerësimit nëse me një formë konkrete të shfrytëzimit cenohen nderi dhe respekti
i interpretuesit merret parasysh masa e arsyeshme e ndjeshmërisë së interpretuesit.


3. Të drejtat ekonomike të interpretuesve
Neni 134

Interpretuesi ka të drejtë të lejojë apo të ndalojë:

a). fiksimin e interpretimit të tij drejtpërdrejt;
b). reprodukimin e interpretimit të tij në fonograme dhe videograme;
c). shpërndarjen e fonogrameve dhe të videogrameve që përmbajnë interpretimin e tij;
d). qiradhënien e fonogramit ose të videogramit që përmban interpretimin e tij;
e). emetimin radioteleviziv të interpretimit të tij në të gjallë;
f). transmetimin publik të interpretimit të tij në të gjallë;
g). përpunimin e interpretimit të tij tashmë të fiksuar;
h). vënien e interpretimit të tij në dispozicion publikut.


4. E drejta e kompensimit
Neni 135

135.1. Interpretuesit kanë të drejtën e hises në kompensimin që merr prodhuesi i fonogramit, për
komunikimin publik të interpretimit të tyre nga fonogrami i botuar për qëllime komerciale.

135.2. Interpretuesit që ia kalojnë të drejtën e qiradhënies prodhuesit të fonogramit ose
producentit të filmit ruajnë të drejtën e kompensimit përkatës nga qiradhënia. Interpretuesit nuk
mund të heqin dorë nga kjo e drejtë.

135.3. Interpretuesi ka të drejtën e hises në kompensim të veçantë nga paragrafi (2) i nenit 39 të
këtij ligji.


5. Supozimi i kalimit
Neni 136

136.1. Me lidhjen e kontratës për prodhimin e filmit prezumohet se interpretuesi ekskluzivisht dhe
pa kufizime ia ka kaluar producentit të filmit të gjitha të drejtat e veta ekonomike lidhur me
interpretimin, nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.

136.2. Për secilën të drejtë ekonomike që do ta ketë kaluar sipas paragrafit paraprak,
interpretuesi ka të drejtë të kompensimit përkatës nga ana e producentit të filmit.


6. Përfundimi i veprës audiovizuele
Neni 137

Nëse interpretuesi refuzon përfundimin e kontributit të vet për veprën audiovizuele ose nuk ka
mundësi ta përfundojë atë, nuk mund të kundërshtojë që kontributi i tij tashmë i dhënë të
shfrytëzohet për përfundimin e plotë të veprës. Interpretuesi gëzon të drejtat përkatëse për
kontributin e deriatëhershëm.


7. Përfaqësuesi i ansamblit të interpretuesve
Neni 138

138.1. Lidhur me administrimin e të drejtave të interpretatorëve ansamblin e përfaqëson personi
që është i autorizuar me shkrim nga shumica e anëtarëve të ansamblit.

138.2. Nëse në interpretim të veprës, pos ansamblit, marrin pjesë dirigjenti, solistë dhe bartësit e
roleve kryesore, të cilët nuk janë njëkohësisht anëtarë të ansamblit, për administrimin e të
drejtave nga ky ligj është i domosdoshëm pajtimi i të gjithë këtyre personave, nëse në kontratë
midis tyre dhe ansamblit nuk parashikohet ndryshe.

138.3. Dispozitat e paragrafëve të mësipërm të këtij neni nuk kanë të bëjnë me dirigjentët, solistët
dhe regjisorët e shfaqjeve teatrore.
8. Interpretimet nga marrëdhënia e punës
Neni 139

Në lidhje me interpretimet që janë rezultat i përmbushjes së detyrave të punës ose udhëzimeve
të punëdhënësit gjatë kohëzgjatjes së punësimit, ngjashëm dhe sa u takon (mutatis mutandis)
zbatohen dispozitat e këtij ligji, që u referohen veprave të autorit të krijuara gjatë marrëdhënies së
punës.


9. Kohëzgjatja e mbrojtjes
Neni 140

140.1. Të drejtat ekonomike të interpretuesit zgjasin 50 vjet që nga interpretimi i bërë. Nëse
interpretimi i fiksuar brenda kësaj periudhe është botuar në mënyrë të ligjshme ose i është
komunikuar publikut, të drejtat e interpretuesit zgjasin 50 vjet që nga dita e botimit të parë ose i
komunikimit të parë të tillë, varësisht se cili veprim është bërë më përpara.

140.2. Të drejtat morale të interpretuesit zgjasin pa kufizime kohore.


Kapitulli 2

TË DREJTAT E PRODHUESVE TË FONOGRAMEVE

1. Përkufizimi
Neni 141

141.1. Prodhuesi i fonogramit është personi fizik apo juridik i cili me iniciativën dhe përgjegjësinë
e vet bën i pari fiksimin e tingujve të ndonjë interpretimi ose të tingujve të tjerë si dhe shprehjeve
tjera zanore. Konsiderohet se është prodhues i fonogramit të caktuar personi, emri i të cilit, firma,
pseudonimi apo marka është e shënuar në mënyrë të zakonshme si e tillë në fonogram ose është
treguar me rastin e publikimit të fonogramit, derisa nuk provohet ndryshe.

141.2. Fiksimi është ngulitja e tingujve ose e shprehjeve zanore në mbartës nga i cili mund të
dëgjohen, reprodukohen ose komunikohen përmes ndonjë pajisjeje.


2. Të drejtat e prodhuesve të fonogrameve
Neni 142

Prodhuesit e fonogrameve kanë të drejtë ekskluzive të lejojnë apo të ndalojnë:

a). reprodukimin e fonogrameve të veta;
b). shpërndarjen e fonogrameve të veta;
c). qiradhënien e fonogrameve të veta;
d). vënien e fonogrameve të veta në dispozicion të publikut;
e). përpunimin e fonogrameve të veta.



3. E drejta e kompensimit për komunikimin e fonogrameve publikut
Neni 143

143.1. Prodhuesi i fonogramit gëzon të drejtën e kompensimit për komunikim publikut të
fonogramit të tij të botuar për qëllime komerciale.

143.2. Nëse me kontratë mes prodhuesit të fonogramit dhe interpretuesve nuk është parashikuar
ndryshe, prodhuesi i fonogramit është i detyruar që gjysmën e kompensimit nga paragrafi
paraprak t’ua përcjellë interpretuesve, interpretimet e të cilëve gjenden në fonogramin e tij.

143.3. Në kuptim të këtij neni, fonograme të botuara për qëllime komerciale konsiderohen
fonogramet e vëna në dispozicion të publikut.



4. E drejta në kompensim të veçantë
Neni 144

Prodhuesit e fonogrameve kanë të drejtën e hisesë në kompensimin e veçantë nga paragrafi (1) i
nenit 39 të këtij ligji.



5. Kohëzgjatja e të drejtave
Neni 145

Të drejtat e prodhuesit të fonogrameve zgjasin 50 vjet që nga koha e fiksimit. Nëse brenda kësaj
kohe fonogrami është botuar ligjshëm, të drejtat zgjasin 50 vjet që nga botimi i tij i parë. Nëse
gjatë kësaj periudhe fonogrami nuk është botuar ligjshëm, por i është komunikuar ligjshëm
publikut, të drejtat zgjasin 50 vjet që nga dita e komunikimit të parë të ligjshëm për publikun.


Kapitulli 3

TË DREJTAT E PRODUCENTËVE TË FILMIT

1. Përkufizimi
Neni 146

146.1. Producent i filmit është personi fizik a juridik i cili, me iniciativën dhe nën përgjegjësinë e
vet, e fikson i pari një vepër audiovizuele në videogram. Konsiderohet se producent i filmit është
personi, emri i të cilit, firma ose marka, në mënyrë të zakonshme është shënuar në videogram si i
tillë ose është treguar me rastin e publikimit të videogramit, derisa nuk provohet ndryshe.


2. Të drejtat e producentëve të filmit
Neni 147

Producentët e filmit kanë të drejtë ekskluzive të lejojnë apo të ndalojnë:

a). reprodukimin e videogrameve të veta;
b). shpërndarjen e videogrameve të veta;
c). qiradhënien e videogrameve të veta;
d). shfaqjen publike të videogrameve të tyre;
e). vënien e videogrameve të veta në dispozicion të publikut.


3. E drejta e kompensimit të veçantë
Neni 148

Producentët e filmit gëzojnë të drejtën e hisesë në kompensim të veçantë nga paragrafi (2) i nenit
39 të këtij ligji.


4. Kohëzgjatja e të drejtave
Neni 149

Të drejtat e producentëve të filmit zgjasin 50 vjet që nga fiksimi i parë i videogramit. Nëse gjatë
kësaj periudhe videogrami është botuar ose i është komunikuar ligjshëm publikut, të drejtat e
producentit të filmit zgjasin 50 vjet që nga dita e botimit të parë ose e komunikimit të parë
publikut, varësisht se cili veprim është bërë më përpara.


Kapitulli 4

TË DREJTAT E TRANSMETUESVE

1. Të drejtat e Transmetuesit
Neni 150


Transmetuesi ka të drejtë ekskluzive të lejojë apo të ndalojë:

a) fiksimin e emisioneve të veta;
b) reprodukimin e emisioneve të veta të fiksuara;
c) riemetimin radioteleviziv të emisioneve të veta;
d) emetimin e mëtejmë të emisioneve të veta, kur kjo bëhet në ato vende ku hyrja e publikut
është me pagesë;
e) vënien në dispozicion publikut të emisioneve të veta të fiksuara.


3. Kohëzgjatja e të drejtave
Neni 151

Të drejtat e Transmetuesit zgjasin 50 vjet që nga dita e emetimit të parë radioteleviziv të emisionit
të tyre.



Kapitulli 5

TË DREJTAT E PRODHUESVE TË BAZAVE TË TË DHËNAVE

1. Përkufizimi
Neni 152

153.1. Baza e të dhënave është koleksion i veprave të mëvetësishme, të të dhënave dhe
materialeve tjera të çfarëdo forme, të rregulluara në mënyrë sistematike ose metodike që kanë
qasje veç e veç nëpërmjet mjeteve elektronike apo mjeteve tjera, me ç’rast marrja, verifikimi apo
paraqitja e përmbajtjeve të saja nga ana kualitative dhe /ose kuantitative kërkon investim
thelbësor.

153.2. Prodhues i bazës së të dhënave është personi fizik a juridik i cili me iniciativën dhe nën
përgjegjësinë e vet bën i pari investim thelbësor në kuptim te paragrafit paraprak. Konsiderohet se
prodhues i bazës së caktuar të të dhënave është personi, emri i të cilit, firma, pseudonimi apo
marka është shënuar në mënyrë të zakonshme në atë bazë të dhënash ose është treguar me rastin
e publikimit të asaj baze, derisa nuk provohet ndryshe.

153.3. Mbrojtja e bazës së të dhënave apo e përmbajtjeve të saja zbatohet pavarësisht nga mbrojtja
autor-juridike ose mbrojtja tjetër juridike. Të drejtat që ekzistojnë lidhur me materialin e ngërthyer në
bazën e të dhënave dhe të shfrytëzimit të tij mbeten të paprekshme.


2. Objekti i mbrojtjes
Neni 153

154.1. Mbrojtja e bazës së të dhënave në kuptim të këtij kapitulli zbatohet:

a). ndaj tërë përmbajtjes së bazës së të dhënave;

b). ndaj çdo pjese thelbësore kualitative dhe /ose kuantitative të përmbajtjes së saj;

c). ndaj pjesëve jothelbësore kualitative dhe / ose sasiore të përmbajtjes së saj, kur ato
përdoren në mënyrë të përsëritur dhe sistematike,për çka bie ndesh me shfrytëzimin
normal të kësaj baze të të dhënave ose me këtë preken së tepërmi interesat ekzistuese
të ligjshme të prodhuesit të bazës së të dhënave.

154.2. Në kuptim të këtij kapitulli, mbrojtja nuk përfshin programet kompjuterike të përdoruara për
bërjen ose funksionimin e bazës elektronike të të dhënave.


3. Të drejtat e prodhuesve të bazave të të dhënave
Neni 154

Prodhuesi i bazës së të dhënave ka të drejtë ekskluzive të lejojë apo ndalojë:

a). reprodukimin e bazës së tij të të dhënave;
b). shpërndarjen e bazës së tij të të dhënave;
c). qiradhënien e bazës së tij të të dhënave;
d). vënien e bazës së tij të të dhënave në dispozicion të publikut;
e). çfarëdo formë tjetër të komunikimit të bazës së vet të të dhënave për publikun.


4. Të drejtat dhe detyrimet e shfrytëzuesve të ligjshëm
Neni 155

156.1. Shfrytëzuesi i ligjshëm i bazës së publikuar të të dhënave ose të ekzemplarit të saj, mund
të shfrytëzojë lirshëm në mënyrë kualitative dhe / ose kuantitative pjesët jothelbësore të
përmbajtjeve të saj, për çfarëdo qëllimi. Në rast se shfrytëzuesi është i autorizuar të përdorë
vetëm një pjesë të caktuar të bazës së të dhënave, dispozitat e këtij neni do të zbatohen vetëm
për atë pjesë.

156.2. Shfrytëzuesi i ligjshëm i bazës së publikuar të të dhënave ose i ekzemplarit të saj nuk
mund të bëjë veprime që janë në kundërshtim me shfrytëzimin normal të asaj baze të të dhënash
ose me çka pa arsye preken të drejtat e prodhuesit të asaj baze të të dhënave.

156.3. Shfrytëzuesi i ligjshëm i bazës së publikuar të të dhënave ose i ekzemplarit të saj nuk
mund të cenojë të drejtën e autorit ose të drejtat e afërta për veprat ose lëndët e ngërthyera në
atë bazë të dhënash.

156.4. Çdo përcaktim kontraktor në kundërshtim me këtë nen është i pavlefshëm.

5. Punësimi dhe kontrata e porosisë
Neni 156

Kur baza e të dhënave është bërë nga personi i punësuar duke përmbushur detyrat e tij të punës
ose sipas udhëzimeve të punëdhënësit, ose kur është bërë në bazë kontratës së porosisë,
prezumohet se të gjitha të drejtat mbi atë bazë të të dhënave i janë kaluar ekskluzivisht dhe pa
kufizime punëdhënësit, përkatësisht porositësit, nëse në këtë ligj a me kontratë nuk parashikohet
ndryshe.

6. Kufizimet e të drejtave
Neni 157

Shfrytëzuesi i ligjshëm i bazës së publikuar të të dhënave mund të përdorë lirshëm pjesë
thelbësore të përmbajtjes së saj:

a). për përdorim privat ose tjetër vetjak, nëse ka të bëjë me bazë joelektronike të të dhënave;

b). për përdorim nga nevojat e ilustrimit të mësimdhënies ose hulumtimeve shkencore, me kusht
që të tregohet burimi dhe në masën e përligjur për qëllimin jokomercial;

c). për nevojat e sigurimit publik ose për të siguruar ecurinë e drejtë të veprimeve dhe
raportimeve në procedurat administrative, parlamentare dhe gjyqësore.

7. Kohëzgjatja e mbrojtjes
Neni 158

158.1. Të drejtat e prodhuesit të bazës së të dhënave zgjasin 15 vjet që nga bërja e plotë e saj.
Nëse baza e të dhënave është publikuar në mënyrë të ligjshme gjatë kësaj periudhe, të drejtat
zgjasin 15 vjet që nga publikimi i parë e saj.

158.2. Çdo ndryshim thelbësor kualitativ dhe/ose kuantitativ i përmbajtjes së bazës së të dhënave
që rezulton me investim të ri thelbësor kualitativ dhe /ose kuantitativ do ta kualifikojë atë bazë të
dhënash me kohëzgjatje të re të mbrojtjes. Si ndryshim thelbësor i përmbajtjes konsiderohen
edhe shtojcat e njëpasnjëshme, fshirjet ose ndryshimet e tjera të bazës së të dhënave.


Kapitulli 6

TË DREJTAT E BOTUESVE

1. E drejta e hisës për kompensim të veçantë
Neni 159

159.1. Botuesit kanë të drejtën e hisës në kompensim të veçantë nga neni 39 paragrafi (3) i këtij
ligji.

159.2. E drejta nga paragrafi paraprak zgjatë 50 vjet që nga botimi i ligjshëm i veprës.



2. Veprat e pa publikuara në domenin publik
Neni 160

160.1. Personi që për herë të parë boton në mënyrë të ligjshme ose i komunikon publikut veprën
ende të pa publikuar dhe e cila bie në domenin publik gëzon mbrojtje të njëjtë siç është për të
drejtat ekonomike dhe të drejtat e tjera të autorit.

160.2. Të drejtat në kuptimin e paragrafit paraprak zgjasin 25 vjet që nga botimi i parë i ligjshëm,
përkatësisht komunikimi i veprës për publikun.


3. Botimet shkencore
Neni 161

161.1. Botimet që përbëhen nga vepra dhe tekste për të cilat ka mbaruar mbrojtja gëzojnë mbrojtje
të njëjtë siç është për të drejtat ekonomike dhe të drejtat e tjera të autorit, nëse janë rezultat i
përpjekjeve shkencore dhe dallohen dukshëm nga botimet e njohura paraprake të këtyre veprave
(përmes rimës, thyerjes dhe karakteristikave tjera redaktuese).

161.2. Të drejtat në kuptimin e paragrafit paraprak zgjasin 30 vjet që nga botimi i parë i ligjshëm i
veprës.

PJESA IV
ADMINISTRIMI DHE MENAXHIMI I TË DREJTAVE

Kapitulli 1
Dispozitat e përgjithshme

Neni 162

162.1. Autori mund të ushtrojë të drejtat e tij personalisht apo përmes agjentit.

162.2. Të drejtat e autorit mund të ushtrohen përmes administrimit dhe/ose menaxhimit.

162.3. Të drejtat e autorit mund të menaxhohen individualisht, ndarazi për çdo vepër të mbrojtur
me të drejtë të autorit; ose kur me këtë Ligj parashihet, ata mund të menaxhohen kolektivisht,
d.m.th. për disa vepra të disa autorëve në të njëjtën kohë.


Neni 163
Menaxhimi i të drejtave përmes agjentit

163.1. Menaxhimi i të drejtave të autorit përmes agjentit përfshin:

a. përfaqësimin e autorëve në transaksionet e tyre ligjore dhe marrëdhëniet me personat fizikë
apo subjektet juridike të cilët përdorin apo vënë në punë veprat e tyre, duke përfshirë
mbledhjen e provizioneve apo pagesave të tjera;

b. përfaqësimin e autorëve në procedura ligjore pranë gjykatave apo organeve të tjera, me
qëllim të mbrojtjes së të drejtave të autorit.

163.2. Kur autori i realizon të drejtat e tij pranë gjykatës apo organit tjetër qeveritar përmes
agjentit, i cili është person fizik apo juridik, agjenti i tillë ka të drejtë të kërkojë pagesë për
shërbimet e tij dhe kompensimin për shpenzimet e bëra lidhur me këto shërbime sipas programit
të agjentit për pagesa, me kusht që ai t’i plotësojë kushtet për përfaqësim pranë gjykatave apo
organeve të tjera qeveritare ose, kur agjenti është person juridik, këto kushte t’i plotësojë
punonjësi i autorizuar i agjentit të tillë.


Neni 164
Fusha e administrimit kolektiv

Administrimi kolektiv i të drejtave të autorit apo të drejtave të përafërta përfshin:

a. transferimin joekskluziv të të drejtave mbi disa kategori të caktuara të veprave ose
materialeve me të drejta të përafërta tek shfrytëzuesit;

b. grumbullimin dhe kthimin e pagesave për shfrytëzimin e materialeve të mbrojtura me të
drejtë të autorit;

c. shpërndarjen e pagesave të grumbulluara bartësve të të drejtave;

d. ushtrimin e kontrollit mbi detyrimet kontraktuese dhe statutore të shfrytëzuesve dhe

e. realizimin e mbrojtjes së të drejtave pranë gjykatave dhe autoriteteve të tjera.


Neni 165
Fusha e veprimtarisë së administrimit kolektiv

Administrimi kolektiv i të drejtave mund të ekzistojë veçanërisht lidhur me:

a. Transmetimin tek publiku të veprave muzikore jo teatrore dhe të veprave letrare (të drejta të
vogla);

b. Rishitjen e veprave origjinale të arteve të bukura/figurative (droits de suite);

c. Huadhënien publike të origjinaleve ose kopjeve të veprave;

d. Kompensimin për shfrytëzim privat apo shfrytëzim tjetër të brendshëm dhe fotokopjimin jashtë
fushës së nenit 45 të këtij Ligji;

e. Ritransmetimin e materialeve të mbrojtura me të drejtë të autorit, përveç rasteve të
transmetimeve të vet Transmetuesve, pavarësisht nëse të drejtat në fjalë janë të tyre apo atyre u
janë caktuar nga bartës tjerë të të drejtave;

f. Riprodhimin e materialeve të mbrojtura me të drejtë të autorit në fonograme dhe videograme,
duke përfshirë edhe të drejtat mekanike;

g. Qiradhënien e fonogrameve dhe videogrameve;

h. Riprodhimin e materialeve të mbrojtura me të drejtë të autorit për lexues dhe për tekste
mësimore për qëllime të mësimdhënies;

i. Rishtypjen e artikujve mbi temat aktuale në botimet ditore apo periodike;

j. Riprodhimin e veprave të arteve të bukura, fotografive, planeve dhe vizatimeve në botimet
ditore apo periodike;

k. Rishtypjen e pjesëve të veprave apo veprave të shkurtra letrare në botimet ditore apo
periodike;

l. Riprodhimin dhe transmetimin publik të materialeve të mbrojtura me të drejtë të autorit në
reklama që nuk zgjasin më shumë se gjashtëdhjetë sekonda dhe

m. Riprodhimin e veprave në vende përgjithësisht të qasshme për qëllime komerciale.

Neni 166

Dispozitat e kësaj pjese lidhur me të drejtat e autorit zbatohen përshtatshmërisht për të drejtat e
përafërta.

Neni 167

167.1. Bartësi i të drejtës mund të kërkojë që personat, të cilët në çfarëdo mënyre janë të lidhur
me shkeljen e të drejtave të njohura me këtë Ligj (prodhuesit, shtypshkronjat, importuesit,
furnizuesit ose poseduesit e kopjeve ose mjeteve me të cilat është shkelur e drejta), të sigurojnë
informacione dhe të nxjerrin dokumente lidhur me shkeljen, menjëherë pas dorëzimit të kërkesës.

167.2. Detyrimi i paraqitur në paragrafin paraprak nuk zbatohet kur kushtet janë të atilla që,
dëshmitarit në procedurë civile i mundësojnë refuzimin e dëshmimit apo dhënies së përgjigjes në
ndonjë pyetje të caktuar.

168.3. Nëse personat e paraqitur në paragrafin (1) të këtij neni nuk i sigurojnë informacionet e
kërkuara ose nuk i japin dokumentet që i posedojnë, ata janë përgjegjës për dëmet që mund të
shkaktohen nga mos përmbushja e detyrimit të tyre.


Kapitulli 2
Menaxhimi kolektiv

Neni 168
Themelimi i zyrës për pronën intelektuale

168.1. Qeveria e Kosovës do të themelojë Zyrën për të drejtat mbi pronën intelektuale (më tutje,
“Zyra”) brenda tetëmbëdhjetë muajsh nga shpallja e këtij Ligji.

168.2. Në pritje të themelimit të kësaj Zyre, Ministria e Kulturës do të ushtrojë funksionet
administrative të caktuara kësaj Zyre me anë të këtij Ligji. Ministria e Kulturës do të miratojë
udhëzime administrative për zbatimin e këtyre dispozitave brenda gjashtë muajsh nga shpallja e
këtij Ligji.

Neni 169
Administrimi kolektiv i të drejtave të autorit

169.1. Me certifikimin e Zyrës, aktiviteti i administrimit të të drejtave të autorit mund të realizohet
përmes asociacioneve të autorëve dhe bartësve të tjerë të të drejtave, si dhe përmes subjekteve
të tjera ligjore të specializuar në administrimin e të drejtave të autorit.

169.2. Për administrimin e të drejtave të autorit të realizuar nga asociacioni i autorëve apo nga
subjekti tjetër i specializuar ligjor nga paragrafi 1, me përjashtim të të drejtave nga paragrafi 3,
nevojitet dhënia e autorizimit nga autori apo nga poseduesi tjetër i të drejtës së autorit.

169.3. Të drejtat e autorit në shfaqjet publike të veprave muzikore apo letrare joperformuese
(petites droits) mund të administrohen nga asociacioni i autorëve edhe pa autorizimin e autorit
ose të poseduesit tjetër të së drejtës së autorit.

169.4. Zyra do të certifikojë asociacionet nga paragrafi 1 të cilat i përmbushin kriteret profesionale
të vendosura nga Zyra.

169.5. Nëse asociacioni i autorëve apo subjekti tjetër ligjor i specializuar në administrimin kolektiv
të të drejtave të autorit më nuk i përmbush kriteret e përshkruara për kryerjen e aktiviteteve të
tilla, Zyra e anulon certifikimin e dhënë.

Neni 170
Certifikimi i asociacioneve kolektive

Zyra do të jep certifikatat nga neni 170.1 pas paraqitjes së kërkesës me shkrim nga subjekti ligjor.
Kërkesës i bashkëngjitet:

a. statuti i cili përcakton organet dhe kompetencat e tyre për kryerjen e detyrave të
asociacioneve kolektive nga neni 170;

b. të dhënat për personat të cilët kanë të drejtë të përfaqësojnë asociacionet kolektive;

c. autorizimin e shkruar nga autorët të cilët asociacionit kolektiv ia kanë besuar menaxhimin e
të drejtave të autorit për veprat e tyre të grumbulluara në repertor;

d. planin e biznesit dhe

e. dokumente të tilla të tjera që mund t’i kërkojë Zyra për të treguar se asociacioni kolektiv i
plotëson kriteret e vendosura nga Zyra sipas këtij Ligji.

Neni 171
Mos certifikimi i asociacioneve kolektive

171.1. Zyra nuk jep apo nuk ripërtëritë certifikatën nëse:

a. statuti i asociacionit kolektiv nuk është në pajtim me dispozitat e këtij Ligji ose

b. asociacioni kolektiv nuk i respekton kërkesat financiare dhe ato të raportimit të paraqitura në
nenet 176-181 të këtij Ligji.

171.2. Zyra e anulon certifikimin për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit nëse paraqiten
rrethana të tilla të cilat mund të jenë shkak për refuzimin e certifikimit, ose nëse asociacioni
kolektiv shkel rëndë apo në vazhdimësi dispozitat e këtij Ligji. Para anulimit, autoriteti kompetent
e njofton asociacionin kolektiv për arsyet dhe i jep afat kohor jo më pak se 30 ditë për të eliminuar
shkakun për anulim. Anulimi bëhet i plotfuqishëm në ditën e 30-të pas shpalljes.

Neni 172

172.1. Për procedurën e dhënies së certifikimit zbatohet Ligji për rregullimin e procedurave të
përgjithshme administrative. Ndaj vendimit apo urdhrit të lëshuar nga Zyra nuk ka të drejtë
ankese. Mirëpo, në gjykatën kompetente mund të ngritët padi përmes procedurës së kontesteve
administrative.

172.2. Njoftimi mbi vendimin përfundimtar lidhur me certifikimin do të botohet.

Neni 173

173.1. Për asociacionin kolektiv nga neni 170.1 nuk kërkohet autorizim i veçantë i autorit për të
siguruar ushtrimin e të drejtave të autorit nga neni 170.3 pranë gjykatave dhe organeve të tjera.

173.2. Asociacioni kolektiv nga neni 170.1 mund të inicojë dhe të drejtojë kontestin nga paragrafi
1 në emër të tij por obligohet të njoftojë autorin mbi të drejtat e ushtruara.


Neni 174

174.1. Asociacionet që administrojnë të drejtat ekonomike në mënyrë kolektive do të kryejnë
funksionet vijuese:

a. arrijnë marrëveshje me shfrytëzuesit e veprave lidhur me shumën e pagesës, procedurat e
pagimit dhe dispozitave të tjera me anë të të cilave lëshohen licencat;

b. lëshojnë licenca shfrytëzuesve për të ushtruar të drejtat, të cilat administrohen nga
asociacioni i caktuar, dhe mbledhin pagesat e përcaktuara në licenca;

c. përcaktojnë kompensimin e drejtë në rastet kur shoqata ka obligim për të administruar të
drejtat ekonomike të bartësve të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në bazë
të ligjit, dhe të mbledhin pagesën e përcaktuar;

d. mbledhin pagesën për rishitjen e veprave të artit, për riprodhimin e veprave për shfrytëzim
personal, dhe për lloje të tjera të shfrytëzimit të veprave në pajtim me ligjet rregullative dhe

e. ndajnë paratë e mbledhura dhe ua paguajnë bartësve të të drejtave të autorit dhe të
drejtave të përafërta.

174.2. Funksionet tjera të asociacioneve që administrojnë të drejtat ekonomike në baza kolektive
do të përcaktohen në kontratën që është lidhur në mes të asociacionit përkatës dhe bartësit të të
drejtave të autorit apo të drejtave të përafërta.



Neni 175
Detyrat e asociacioneve kolektive

175.1. Asociacionet që administrojnë të drejtat ekonomike në mënyrë kolektive, gjatë aktiviteteve
të tyre, do të paraqesin të drejtat dhe interesat e ligjshme të bartësve të të drejtave të autorit dhe
të drejtave të përafërta, në pajtim me kontratat e lidhura për shfrytëzimin e veprave. Asociacionet
e tilla do të kryejnë detyrat vijuese:

a. u sigurojnë raport autorëve për shfrytëzimin e veprave të tyre, interpretimeve dhe
aktiviteteve të tjera kur e bëjnë pagesën për bartësit e të drejtave të autorit dhe të drejtave
të përafërta dhe

b. pas zbritjeve të përcaktuara në paragrafin 2 të këtij neni, ndajnë shumën e parave të
mbledhura në mes të bartësve të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta të
përfaqësuar nga asociacionet e tilla, në proporcion me shfrytëzimin e veprave (punës) së
tyre, interpretimeve dhe aktiviteteve të tjera, dhe këto pagesa i bëjnë rregullisht.

175.2. Asociacionet që administrojnë të drejtat ekonomike në mënyrë kolektive mbulojnë
shpenzimet reale të shoqëruara me mbledhjen, ndarjen dhe pagesën e kompensimit nga shumat
e parave të mbledhura në pajtim me kontratat e lidhura.

175.3. Asociacionet që administrojnë të drejtat ekonomike në mënyrë kolektive mund të krijojnë
fonde speciale në interes të bartësve të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta duke
zbritur nga shumat e grumbulluara, në pajtim me objektivat dhe detyrat e asociacionit që
administron të drejtat ekonomike në mënyrë kolektive.

175.4. Bartësit e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, të cilët nuk kanë asociacione të
autorizuara për të grumbulluar shumën e kompensimit të përcaktuar në nenin 175 të këtij Ligji,
kanë të drejtë që nga asociacioni të kërkojnë që të paguaj kompensimin që duhet ta paguaj në
pajtim me ndarjen e shumës së parave që është bërë, si dhe të përjashtojë veprat e tyre dhe
punën e kryer nga licencat që asociacionet e tilla ua lëshojnë shfrytëzuesve të veprave të tyre.

175.5. Asociacionet që administrojnë të drejtat ekonomike në mënyrë kolektive botojnë dhe u
shpërndajnë anëtarëve të tyre raportet vjetore, si dhe shumën e kompensimit në rastet kur
asociacioni ka obligim të administrojë të drejtat ekonomike të bartësve të të drejtave të autorit dhe
të drejtave të përafërta në bazë të ligjit.

175.6. Së paku njëzet e pesë përqind (25%) e anëtarëve të asociacionit kolektiv mund të
kërkojnë që një apo më shumë ekspert të pavarur të inspektojnë veprimtarinë e shoqërisë.


Neni 176
Marrëveshjet reciproke me asociacionet e jashtme

176.1. Asociacionet kolektive do të lidhin marrëveshje reciproke me asociacionet korresponduese
në shtetet tjera për të siguruar administrim kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të
përafërta të bartësve të të drejtave në Kosovë, si dhe për bartësit e huaj të të drejtave në Kosovë.

Neni 177
Mbikëqyrja e asociacioneve kolektive

177.1. Zyra do të mbikëqyrë nëse aktivitetet e organizatave të cilat i administrojnë të drejtat
ekonomike në baza kolektive janë në përputhje me dispozitat e ligjit, veçanërisht do të mbikëqyrin
nëse:

a. dispozitat lidhur me grumbullimin dhe ndarjen e kompensimit janë të drejta;

b. shpenzimet e administrimit janë të arsyetuara;

c. ndarja e kompensimit dhe pagesat bëhen në pajtim me procedurat e përcaktuara;

d. shfrytëzuesit nuk i mohohet dhënia e licencës pa e vërtetuar bazën dhe

e. asociacionet kolektive kanë marrëveshje reciproke adekuate me asociacionet e huaja,
ashtu siç kërkohet me nenin 177 të këtij Ligji.

177.2. Shoqatat që administrojnë të drejtat ekonomike në mënyrë kolektive Zyrës i dorëzojnë
marrëveshjen e asociacionit, raportet vjetore mbi aktivitetet e tyre si dhe sigurojnë informacionet
që janë të nevojshme për Zyrën për të vendosur mbi çështjet nën kompetence të tyre.

177.3. Për të siguruar mbikëqyrjen, Zyra do të themelojë një bord këshillëdhënës të përbërë nga
përfaqësues të organizatave të interesuara, ekspert dhe bartës të të drejtave të autorit dhe të
drejtave të përafërta.

Neni 178
Raportet vjetore

178.1. Statuti i asociacionit kolektiv përfshin dispozita që brenda tre muajsh pas përfundimit të
çdo bilanci vjetor, asociacioni kolektiv të miratojë ose sigurojë:

a. raportet vjetore të organeve administrative dhe mbikëqyrëse mbi paratë e mbledhura,
shpërndarjen e tyre, veprimet e asociacionit kolektiv dhe zbatimin e marrëveshjeve
inkluzive dhe marrëveshjeve me asociacionet e huaja kolektive;

b. raportin e kompanisë së revizionit lidhur me kontrollimin e pasqyrave financiare dhe
veprimet e asociacionit kolektiv në vitin afarist së bashku me mendimin lidhur me
rregullsinë e veprimeve dhe përputhshmërinë me ligjet dhe rregulloret tjera;

c. mendimin e organeve administrative dhe mbikëqyrëse lidhur me raportet dhe mendimin e
cekur në pjesën e mëparshme;

d. masat që duhet ndërmarrë në rastet kur, sipas mendimit të revizorit, ka parregullsi;

e. propozimi për planin financiar dhe shpenzimet operacionale të asociacionit kolektiv për vitin
pasues.

178.2. Dispozitat e këtij neni nuk i cenojnë obligimet e asociacioneve kolektive të cilat ata i kanë
lidhur me raportet financiare dhe revizionet në pajtim me ligjet dhe rregulloret tjera.


Neni 179

Në çdo kohë, Zyra mund të kërkojë raporte nga asociacioni kolektiv mbi çështjet afariste dhe
inspektimin e librave të tyre dhe të dokumenteve të tjera afariste deri në masën e nevojshme, pas
dorëzimit të kërkesës me shkrim, të detajuar dhe të arsyetuar, për kontrollimin e çështjes së
përcaktuar në kërkesë.


Neni 180

180.1. Asociacionet kolektive e njoftojnë Zyrën për çdo ndryshim lidhur me personat që me ligj
ose statut kanë të drejtë t’i përfaqësojnë ata.

180.2. Asociacionet kolektive i dorëzojnë Zyrës veçanërisht:

a. çdo ndryshim të statutit;
b. marrëveshjet e përgjithshme (inkluzive) me asociacionet e shfrytëzuesve;
c. tarifat dhe çdo ndryshim të tyre;
d. marrëveshjet me asociacione të jashtme kolektive;
e. vendimet e mbledhjeve;
f. raportet vjetore dhe ata të revizorit.


Neni 181
Ndërmjetësimi

181.1. Asociacionet kolektive dhe përfaqësuesit e shfrytëzuesve mund të propozojnë
ndërmjetësimin në një kontest në bazë të marrëveshjes së ndërmjetësimit:

a. lidhur me marrëveshjen e përgjithshme (inkluzive);

b. lidhur me lidhjen e një marrëveshjeje për ritransmetim kabllovik të emisioneve radio-
televizive;

c. lidhur me:

i. shfrytëzimin në dobi të njerëzve me paaftësi;
ii. shfrytëzimit për qëllime të mësimdhënies;
iii. riprodhimet private ose riprodhimet tjera të brendshme;
iv. kryerja e procedurave zyrtare dhe
v. incizime kalimtare të realizuara nga transmetuesit.

181.2. Ndërmjetësi është i pavarur, i paanshëm dhe nuk u bindet udhëzimeve.

181.3. Ndërmjetësi siguron që palët të zhvillojnë negociata në mirëbesim dhe të mos i pengojnë
ato pa arsyetim valid.

181.4. Ndërmjetësi mund t’u japë propozime palëve lidhur me zgjidhjen e kontestit. Propozimi për
zgjidhje të kontestit konsiderohet se është pranuar nëse palët lidhin marrëveshje të përgjithshme
(inkluzive) ose marrëveshje për ritransmetim brenda tre muajsh pas marrjes së propozimit.

181.5. Në procedurën e ndërmjetësimit sigurohet konfidencialiteti.

181.6. Palët bashkërisht e zgjedhin ndërmjetësin nga lista e ndërmjetësve të caktuar nga Zyra.

181.7. Zyra i ofron ndihmë administrative ndërmjetësit.

181.8. Palët e paguajnë ndërmjetësin për punën e tij.

181.9. Zyra përkufizon në detaje procedurën e ndërmjetësimit, si dhe diplomën dhe llojin e arsimit
të ndërmjetësit, dhe kushtet tjera që ai duhet t’i përmbushë.


PJESA V

Kapitulli 1

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Personat që gëzojnë mbrojtje
Neni 182

182.1. Personi, të cilit i janë cenuar të drejtat që mbrohen me këtë ligj (titullari i së drejtës), mund
të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të tij dhe zhdëmtim përkatës në varësi me cenimin.

182.2. Mbrojtje e njëjtë e të drejtave mund të kërkohet edhe kur është i dukshëm rreziku i cenimit
të të drejtave të mbrojtura me këtë ligj.

182.3. Mbrojtja e parashikuar nga dispozitat tjera ligjore mbetet e paprekur.


2. Solidarësia e palëve
Neni 183

183.1. Kur janë më shumë se një titullar i një të drejte që u është cenuar e që njihet nga ky ligj,
secili prej tyre mund të kërkojë mbrojtjen e së drejtës së tillë në tërësinë e saj.

183.2. Kur ekzistojnë më shumë se një cenues të një të drejte të titullarit që njihet nga ky ligj,
secili prej tyre përgjigjet për dëmin e tërësishëm.

3. Mbrojtja e masave teknologjike
Neni 184

184.1. Konsiderohet se një person ka cenuar të drejtat ekskluzive që njihen nga ky ligj nëse ka
bërë çfarëdo veprimi për t’i shmangur masat teknologjike efektive.

184.2. Konsiderohet se një person ka cenuar të drejtat ekskluzive që njihen nga ky ligj, në rast se
i punon, importon për shpërndarje, shet, jep me qira, reklamon për shitje a qiradhënie ose mban
për qëllime komerciale teknologji, mjet ose program kompjuteri, ose pa autorizim kryen shërbime,
të cilat:

a). reklamohen a tregtohen nergut për shmangien e masave teknologjike efektive;

b). kanë qëllim të dukshëm komercial ose përdorim vetëm në aspektin e shmangies së
masave teknologjike efektive;

c). janë disenjuar, prodhuar, përshtatur apo punuar para së gjithash për shmangien e
masave teknologjike efektive.

184.3. Në kuptim të paragrafit paraprak, masë teknologjike është çdo teknologji, program
kompjuteri a një mjet tjetër i cili është parashikuar që gjatë veprimit të vet normal, të parandalojnë
ose të pengojnë cenimin e të drejtave të mbrojtura. Këto masa do të konsiderohen efektive aty ku
hyrja ose përdorimi i veprës së autorit ose i lëndës nga të drejtat e afërta kontrollohet nëpërmjet
proceseve të mbrojtjes me të cilat, në mënyrë operative dhe të besueshme dhe me autorizimin e
titullarëve të të drejtave, arrihen qëllimet e mbrojtjes.

184.4. Ky nen do të aplikohet ngjashëm dhe aq sa i takon (mutatis mutandis) edhe ndaj çdo
teknologjie, mjeti apo programi kompjuterik, me të cilin informacionet elektronike të administrimit
të të drejtave hiqen ose ndryshohen (neni 186).


4. Mbrojtja e informacioneve të administrimit të të drejtave
Neni 185

185.1. Konsiderohet se një person ka cenuar të drejtat ekskluzive që njihen nga ky ligj kur bën
një nga veprimet e mëposhtme, me të cilin nxit, mundëson, lehtëson ose fsheh cenimet e të
drejtave nga ky ligj:

a). heqjen ose ndryshimin e cilitdo informacion elektronik lidhur me administrimin e të
drejtave;
b). reprodukimin, importin për shpërndarje, qiradhënien ose komunikimin publikut të një
lënde të mbrojtur, në të cilën informacioni elektronik i administrimit të të drejtave është
hequr apo ndryshuar pa autorizim përkatës.

185.2. Informacion i administrimit të të drejtave në kuptimin e paragrafit paraprak konsiderohet çdo
informacion i futur nga ana e titullarit të së drejtës, me të cilin identifikohet lënda që është objekt i të
drejtave, autori, titullari i së drejtës, kohëzgjatja dhe kushtet e përdorimit, si dhe numrat dhe kodet e
tyre përkatëse që shënohen në ekzemplarin e lëndës së mbrojtur ose që shfaqen me rastin e
komunikimit të lëndës së mbrojtur.

Kapitulli 2
MBROJTJA GJYQËSORE

1. Kërkesëpaditë
Neni 186

186.1. Në rast të cenimit të të drejtave ekskluzive që njihen nga ky ligj, titullari i të drejtësi mund
të kërkojë:

a). përcaktimin e cenimit të së drejtës;
b). që cenuesit t’i ndalohen veprimet e njëmendta përgatitore për bërjen e cenimit, vetë bërja
e cenimit, si dhe përsëritja e cenimit;
c). ndreqjen e gjendjes së shkaktuar nga cenimi, duke përfshirë edhe tërheqjen e
ekzemplarëve nga tregu, me shpenzime të cenuesit;
d). shkatërrimin ose ndryshimin e ekzemplarëve të paligjshëm të vënë në qarkullim ose që
janë për t’u vënë në qarkullim (ambalazhi i tyre, masteri, xhirimet, shiritat, negative etj);
e). shkatërrimin ose ndryshimin e veglave dhe të mjeteve që janë përdorur ose që shërbejnë para
së gjithash apo nergut për kryerjen e cenimit e që janë pronë e cenuesit;
f). kompensimin e dëmit material (dëmi aktual dhe fitimi i humbur) ose zhdëmtim të
posaçëm;
g). kompensimin e dëmit jomaterial në rast të cenimit të të drejtave morale të autorit apo të
interpretuesit;
h). shpalljen e aktgjykimit në masmedia, me shpenzime të cenuesit.

186.2. Dispozitat nën pikat (d) dhe (e) të paragrafit paraprak nuk zbatohen ndaj objekteve
arkitekturore, përveç kur shkatërrimi ose ndryshimi i objektit mund të arsyetohet me rrethana të
rastit.

186.3. Në vend të kërkesave nën pikat (d) dhe (e) të paragrafit (1) të këtij neni, titullari i së drejtës
mund të kërkojë nga cenuesi që t’ia dorëzojë ekzemplarët apo mjetet e tilla për një kompensim
që nuk mund të tejkalojë shpenzimet e prodhimit ose çmimin e prodhimit, të pakësuar për
amortizimin e tyre.



2. Zhdëmtimi i posaçëm
Neni 187

187.1. Në vend të kompensimit të dëmit material, titullari i së drejtës mund të kërkojë që cenuesi
t’ia dorëzojë gjithë fitimin e arritur me cenimin e së drejtës.

187.2. Në vend të kompensimit të dëmit material, titullari i së drejtës mund të kërkojë që cenuesi
t’ia paguajë kompensimin që do të ishte i detyruar të paguante për shfrytëzimin e ligjshëm të
lëndës së mbrojtur, por të shtuar deri në dyfishin e tij, e nëse cenimi është bërë për fitim
komercial - të shtuar deri në trefishin e tij.

187.3. Nëse dëmi material është më i madh se zhdëmtimi në kuptimin e paragrafëve të
mësipërme, titullari i së drejtës ka të drejtë të kërkojë diferencën deri në kompensim të plotë të
dëmit.


Zhdëmtimi monetar i dëmit jomaterial
Neni 188

Autori ose interpretuesi ka të drejtë në zhdëmtim të duhur monetar për shkak të cenimit të të
drejtave morale të tij të mbrojtura me këtë ligj.


4. Masat paraprake
Neni 189

189.1. Me kërkesën e titullarit të së drejtës, i cili ka prova të bazuara se i është cenuar e drejta e tij
ekskluzive që njihet me këtë ligj dhe se ekziston rreziku që të mos jetë i zhdëmtuar, gjyqi mund të
urdhërojë konfiskimin e përkohshëm të pasurisë së tundshme të cenuesit, duke përfshirë edhe
bllokimin e llogarisë së tij bankare dhe të pasurisë tjetër të tundshme.

189.2. Kjo masë përfshin edhe mundësinë e gjyqit që të urdhërojë dhe sekuestrojë dokumentet
bankare financiare ose dokumentet komerciale të cenuesit.

189.3. Nëse ekziston dyshimi i bazuar që mbrojtja nga paragrafët paraprakë 1 dhe 2 të këtij neni
të mos jetë efektive shkaku i vonesës, gjyqi mund të urdhërojë dhe të ekzekutojë këto masa edhe
pa dëgjimin e palës tjetër (inaudita altera parte).

189.4. Procedura lidhur me masat paraprake zbatohet brenda 3 ditëve pas parashtrimit të
kërkesës.

5. Masat e përkohshme
Neni 190

190.1. Me kërkesën e titullarit të së drejtës, i cili ka prova të bazuara se i është cenuar e drejta e tij
ekskluzive që njihet me këtë ligj, gjykata mund të urdhërojë si masa të përkohshme:

a). sekuestrimin dhe heqjen nga qarkullimi të ekzemplarëve, mjeteve dhe pajisjeve që kanë
të bëjnë me cenimin, si dhe sekuestrimin e dokumenteve përkatëse;

b). ndalesën e cenimeve të pritura ose ndalesën e vazhdimit të kryerjes së cenimeve.

190.2. Nëse ekziston dyshimi i bazuar që mbrojtja sipas paragrafit paraprak (1) të këtij neni, të
mos jetë efektive shkaku i vonesës, gjykata mund të urdhërojë dhe të ekzekutojë këto masa edhe
pa dëgjimin e palës tjetër (inaudita altera parte).

190.3. Procedura lidhur me masat e përkohshme zbatohet brenda 7 ditëve pas parashtrimit të
kërkesës.

190.4. Në rast të kërkesë padisë për shkak të mos pagesës së kompensimit, gjyqi mund të nxjerrë si
masë të përkohshme ndalesën e shfrytëzimit të mëtutjeshëm të lëndës së mbrojtur.

190.5. Dispozitat e përgjithshme ligjore lidhur me procedurën e përmbarimit zbatohen edhe me rastin
e miratimit të masave të përkohshme, nëse me këtë ligj nuk përcaktohet ndryshe.


6. Sigurimi i provave
Neni 191

191.1. Me kërkesë të titullarit të së drejtës, i cili ka prova të bazuara se i është cenuar e drejta
ekskluzive që njihet nga ky ligj dhe se ekziston rreziku i mundshëm që provat për cenimin e së
drejtës të shkatërrohen ose që më vonë të jetë e pamundur të sigurohen, gjyqi mund të urdhërojë
sigurimin e provave.

191.2. Sigurimi i provave sipas paragrafit paraprak konsiderohet kontrollimi i lokaleve, i inventarit,
librave të evidencave, dokumenteve, bazave të të dhënave etj., si dhe sekuestrimi i
dokumentacionit, marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe e ekspertëve.

191.3. Nëse ekziston rreziku i bazuar që sigurimi i provave në kuptim të paragrafit paraprak (2) të
këtij neni të mos jetë efektiv shkaku i vonesës, gjyqi mund të urdhërojë dhe të ekzekutojë
sigurimin e provave edhe pa dëgjimin e palës tjetër (inaudita altera parte).
191.4. Vendimi i gjyqit për zbatimin e sigurimit të provave do t’i dorëzohet palës kundërshtare në
momentin e mbledhjes së provave, por nëse kjo nuk është e mundur për shkak të mos pranisë,
atëherë do t’i dorëzohet pasi të jetë e mundur.

191.5. Procedura lidhur me sigurimin e provave zbatohet brenda 7 ditëve pas parashtrimit të
kërkesës.

7. Shpejtimi i procedurës
Neni 192

Procedura lidhur me cenimet e së drejtës së autorit dhe e së drejtave të afërta është e shpejtë.
Gjykata do të caktojë seancën e parë të dëgjimit jo më vonë se brenda 3 muajve që nga dita e
pranimit të kërkesëpadisë.


8. Kompetenca
Neni 193

Për proceset lidhur me të drejtën e autorit dhe të drejtat e afërta vendos Gjyqi i Qarkut në
Prishtinë.

Kapitulli 3

MASAT PËR ZBATIMIN E MBROJTJES

1. Detyrimi për dhënie informacioni
Neni 194

194.1. Gjyqi mund t’i urdhërojë personit që është në çfarëdo lidhje me cenimin e të drejtave që
njihen nga ky ligj (radhitësit apo stampuesit, prodhuesit, importuesit, furnitorit, pronarit të
ekzemplarit të lëndës së mbrojtur etj.) që ky menjëherë t’i japë gjyqit informacionin ose t’ia
dorëzojë dokumentet që kanë të bëjnë me cenimin.

194.2. Urdhrit nga paragrafi paraprak nuk i detyrohen personat që i plotësojnë kushtet ekzistuese
ligjore për të refuzuar daljen dëshmitarë.

194.3. Personi që nuk përmbush detyrimin nga paragrafi (1) i këtij neni është i përgjegjshëm për
dëmin e shkaktuar me mosveprim.


2. Masat doganore
Neni 195

195.1. Me propozimin e titullarit të së drejtës, i cili justifikon dyshimin se e drejta e tij ekskluzive
që njihet nga ky ligj do të cenohet me importin e mallit të caktuar, autoriteti doganor mund të
vendosë:

a). që titullari i së drejtës apo përfaqësuesi i tij të kontrollojnë mallin përkatës dhe
dokumentacionin shoqërues;

b). që kalimi i mallit të shtyhet dhe malli të ndalohet.

195.2. Në propozimin e vet për ndërmarrjen e masave doganore nga paragrafi paraprak titullari i
së drejtës duhet patjetër të paraqesë një përshkrim të hollësishëm të mallit përkatës si dhe prova
përkatëse për të drejtat e veta ekskluzive të mbrojtura me këtë ligj dhe cenimin e mundshëm të
tyre.

195.3. Lidhur me masat e miratuara, autoriteti doganor do ta njoftojë menjëherë importuesin ose
pranuesin e mallit.

195.4. Autoriteti doganor do të revokojë masat e miratuara në rast se, brenda afatit prej 10 ditë
pune, nuk njoftohet që titullari i së drejtës:

a). ka bërë kërkesë gjyqit për caktimin e masave të përkohshme a për sigurimin e provave;
ose

b). ka bërë kërkesëpadi apo ka nisur një proces tjetër që çon në zgjidhje në mënyrë ligjore të
rastit; ose

c). ka propozuar një marrëveshje me shkrim deklaruesit, zotëruesit ose pronarit të mallit për
shkatërrimin e tij.

195.5. Në rastet e përshtatshme, autoriteti doganor mund të shtojë afatin nga paragrafi paraprak
(4) i këtij neni edhe për maksimum 10 ditë pune.

195.6. Kur malli është i dëmtueshëm, afati nga paragrafi (4) i këtij neni do të jetë tri ditë pune dhe
nuk mund të vazhdohet.

195.7. Nëse titullari i së drejtës dhe importuesi apo pranuesi i mallit kanë bërë aktbarazim brenda
afateve nga ky nen, atëherë autoriteti doganor vepron në përputhje me barazimin e bërë.

195.8. Në rast se autoriteti doganor ka dyshim të bazuar se me importin e mallit të caktuar do të
mund të cenoheshin të drejtat ekskluzive në kuptimin e këtij ligji, dhe atë para se të jetë paraqitur
ndonjë propozim në kuptimin e paragrafit (1) të këtij neni, mund të vendosë që kalimi i mallit të
shtyhet ose që ai të ndalohet për një afat prej tri ditë pune.

3. Regjistri i veprave të autorit dhe të lëndëve nga të drejtat e afërta
Neni 196

196.1. Për të siguruar provat ose për një arsye tjetër, titullarët e të drejtave që u njihen nga ky ligj
mund të deponojnë te Zyra ekzemplarët e veprave të veta ose të lëndëve nga të drejtat e afërta.

196.2. Ekzemplarët e veprave dhe të lëndëve që deponohen duhet të jenë në formë të
dokumentit të shkruar (dorëshkrim, tekst i shtypur, partitura muzikore), në formë regjistrimi të
tingullit, pamjes ose tingullit dhe pamjes ose në formë digjitale.

196.3. Regjistri mbahet për çdo kategori të veprave të autorit dhe të lëndëve nga të drejtat e
afërta. Regjistri është publik.

196.4. Me rastin e deponimit dhe futjes në evidence të veprave të autorit dhe të lëndëve nga të
drejtat e afërta, titullari i tyre është i detyruar të japë të dhëna të sakta dhe të plota për veprën ose
për lëndën nga të drejtat e afërta.

196.5. Të dhënat në evidencë prezumohen të vërteta, derisa nuk provohet ndryshe.

196.6. Personi i ndërgjegjshëm që ka cenuar të drejtën e autorit a të drejtën e afërt të huaj, duke u
mbështetur në saktësinë e të dhënave në evidencë, nuk është përgjegjës për atë cenim.

196.7. Futja në regjistër dhe deponimi i ekzemplarit të veprave të autorit dhe i lëndëve nga të
drejtat e afërta, në asnjë mënyrë nuk ndikon në përfitimin dhe kohëzgjatjen e të drejtave në
kuptimin e këtij ligji.

196.8. Përmbajtja e evidencave nga paragrafi (3) i këtij neni dhe kushtet që duhet plotësuar për
deponimin e veprave të autorit dhe të lëndëve nga të drejtat e afërta, rregullohen me akt nënligjor
nergut për zbatimin e këtij neni.

4. Doganat
Neni 197

197.1. Kur prodhuesi apo shpërndarësi i kopjeve shkel të drejtat e autorit ose çdo të drejtë tjetër
të mbrojtur me këtë Ligj, me kërkesë të bartësit të të drejtave dhe ndaj sigurisë së tij, ato kopje do
të konfiskohen nga autoritetet doganore gjatë importit apo eksportit në rastet kur shkelja është
evidente. Kjo dispozitë do të zbatohet në marrëveshje me shtetet tjera vetëm nëse kontrollet
kryhen nga autoritetet doganore.

197.2. Kur autoritetet doganore urdhërojnë konfiskimin, ata e njoftojnë personin që ka të drejtë të
rregullojë(sistemoj) si dhe kërkuesin pa vonesë. Vendburimi, sasia dhe vendi i ruajtjes së
kopjeve, së bashku me emrin dhe adresën e personit që ka të drejtë të rregullojë ato do t’i
komunikohen kërkuesit. Kërkuesit i jepet mundësia që të inspektojë kopjet kur inspektimi i tillë
nuk përbën shkelje të fshehtësisë komerciale apo tregtare.

197.3. Kur nuk ka kundërshtime për konfiskimin, së paku dy javë nga dërgimi i njoftimit,
autoritetet doganore urdhërojnë konfiskimin e kopjeve të zëna.

197.4. Nëse personi që ka të drejtë të rregullojë kundërshton konfiskimin, autoritetet doganore pa
vonesë e njoftojnë kërkuesin për këtë. Nga kërkuesi kërkohet që pa vonesë të deklarohet pranë
autoriteteve doganore nëse ai qëndron pas kërkesës lidhur me konfiskimin e kopjeve:

a. Nëse kërkuesi e tërheq kërkesën, autoritetet doganore e heqin konfiskimin pa vonesë.

b. Nëse kërkuesi qëndron pas kërkesës dhe dorëzon vendim të ekzekutueshëm të gjyqit me të
cilin urdhërohet mbledhja e kopjeve të konfiskuara apo kufizimin e të drejtës për të
rregulluar (sistemuar) kopjet, autoritetet doganore do të ndërmarrin masat e nevojshme.

c. Kur asnjëri nga rastet nën pikën (a) dhe (b) nuk janë të zbatueshme, autoritetet doganore e
heqin konfiskimin pas kalimit të periudhës dyjavore nga dorëzimi i njoftimit.

197.5. Kur konfiskimi vërtetohet se ka qenë i paarsyeshëm që nga fillimi dhe nëse kërkuesi ka
qëndruar pas kërkesës së tij lidhur me kopjet e konfiskuara apo nuk është deklaruar pa vonesë,
nga ai do të kërkohet që të kompensojë dëmin.

197.6. Shpenzimet për aktet zyrtare lidhur me kërkesën i ngarkohen kërkuesit.

PJESA VI
SHKELJET ADMINISTRATIVE
Kapitulli 1

VEPRA PENALE

1. Cenimi i të drejtave morale të autorit dhe interpretuesve
Neni 198

198.1. Ai që publikon në emrin e vet, në emrin e një tjetri ose në një mënyrë tjetër ia komunikon
publikut veprën e huaj apo interpretimin e huaj, dënohet për vepër penale me burgim prej tre
muajve deri në tre vjet.

198.2. Ai që gjatë shfrytëzimit të veprës së autorit a të interpretimit të interpretuesit qëllimisht lë
pas dore të tregojë emrin, pseudonimin apo shenjën e autorit a të interpretuesit, kur kjo kërkohet
sipas këtij ligji, dënohet për vepër penale me gjobë ose me burgim deri në një vit.

198.3. Ai që shtrembëron, gjymton ose me një mënyrë tjetër dëmton veprën e autorit ose
interpretimin e huaj, dhe si të tillë e publikon ose ia komunikon publikut, ose kush veprën e autorit
apo interpretim ia komunikon publikut në mënyrë poshtëruese, me kusht që secili nga këto
veprime të cenojë nderin dhe namin e autorit apo interpretuesit, dënohet për vepër penale me
gjobë ose me burgim deri në një vit.


2. Shfrytëzimi i paautorizuar i veprës së autorit
ose i lëndëve nga të drejtat e afërta
Neni 199

199.1. Ai që e shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e afërta, dënohet për
vepër penale me burgim deri në tre vjet.

199.2. Nëse me veprën penale nga paragrafi (1) i këtij neni, kryesi i veprës ka arritur përfitim
ekonomik për vete apo për një tjetër prej 10.000 deri në 50.000 €, dënohet për vepër penale prej
tre muajve deri në pesë vjet.

199.3. Nëse me veprën penale nga paragrafi (1) i këtij neni kryesi i veprës ka arritur përfitim
ekonomik për vete apo për një tjetër mbi 50.000 €, dënohet për vepër penale me burgim prej
gjashtë muajve deri në tetë vjet.

3. Shmangia e masave teknologjike
Neni 200

Ai që bën çfarëdo veprimi për të shmangur çfarëdo mase teknologjike efektive (neni 185), ose kush
bën veprimin e heqjes apo ndryshimit të informacionit elektronik të administrimit të të drejtave (neni
186), dënohet për vepër penale me burgim deri në tre vjet.


4. Shkatërrimi ose dëmtimi i kopjes së parë standarde të filmit
Neni 201

Ai që shkatërron, dëmton ose e bën të papërdorshme kopjen e parë standarde të filmit, dënohet
për vepër penale me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

5. Refuzimi i dhënies së informacionit
Neni 202

Ai që refuzon t’i japë gjyqit informacionin ose refuzon t’i japë në shqyrtim dokumentacionin që tok
ka të bëjë me cenimin e së drejtës së autorit a të drejtave të afërta (neni 199), dënohet për vepër
penale me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.


6. Ndjekja penale
Neni 203

Veprat penale nga neni 199 i këtij ligji ndiqen me padi private, ndërkaq veprat penale nga neni
200 deri në nenin 203 të këtij ligji ndiqen në mënyrë zyrtare (ex officio).

7. Konfiskimi
Neni 204

Gjërat e përfituara nga kryerja e veprave penale nga neni 200 dhe 201 të këtij ligji konfiskohen.

8. Shpallja e aktgjykimit
Neni 205

205.1. Me kërkesën e prokurorit ose të palës së dëmtuar dhe në rast se provohet interesi i
justifikuar, gjyqi urdhëron botimin e aktgjykimit në masmedia.

205.2. Gjyqi cakton vëllimin, mënyrën dhe llojin e botimit të aktgjykimit.


Kapitulli 2
Shkelje Administrative
Neni 206

206.1. Me gjobë prej së paku 500 deri në 50.000 € dënohet për shkelje administrative personi
juridik i cili, në kuadër të veprimtarisë së vet a në biznes me të tjerët, e shfrytëzon pa leje veprën
e autorit ose lëndën nga të drejtat e afërta.

206.2. Me gjobë prej më së paku 500 deri në 10.000 € dënohet për shkelje administrative nga
paragrafi paraprak i këtij neni edhe përfaqësuesi ligjor i personit juridik.

Neni 207

207.1. Me gjobë prej së paku 500 deri në 50.000 € dënohet për shkelje administrative personi
juridik i cili, në kuadër të veprimtarisë së vet a në biznes me të tjerët:

a) kryen çfarëdo veprimi të shmangies së masave efektive teknologjike të mbrojtjes (neni
185);
b) kryen veprimin e heqjes a të ndryshimit të informacionit elektronik të administrimit të të
drejtave (neni 186).

207.2. Me gjobë prej së paku 500 deri 15.000 € dënohet për shkelje administrative nga paragrafi
(1) i këtij neni edhe përfaqësuesi ligjor i personit juridik.

207.3. Me gjobë prej së paku 500 € deri 10.000 € dënohet personi i cili kryen shkelje
administrative e përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni.


Neni 208

208.1. Me gjobë prej së paku 500 deri në 25.000 € dënohet për shkelje administrative personi
juridik i cili:

a). nuk ia dërgon Zyrës brenda afatit të dhënat për llojin dhe numrin e mjeteve të shitura ose
të importuara për fiksimin e zërit ose pamjeve, për fotokopjim, të bartësve të zbrazët të
zërit ose pamjeve si edhe të dhënat për numrin e fotokopjeve të bëra, që nevojiten
llogaritjen e kompensimit të veçantë;

b). nuk ia dërgon Zyrës njoftimet, të dhënat a programet, në mënyrën dhe afatet e
parashikuara me këtë ligj dhe me aktet e Zyrës, e që janë me rëndësi për llogaritjen e
kompensimit të veçantë;

c). i pamundëson Zyrës kontrollin e dokumentacionit që ka të bëjë me detyrimin e dhënies së
informacioneve.

208.2. Me gjobë prej së paku 500 deri në 10.000 € dënohet për shkelje administrative nga
paragrafi (1) i këtij neni edhe përfaqësuesi ligjor i personit juridik.

208.3. Personi fizik që kryen shkelje administrative nga paragrafi (1) i këtij neni, dënohet me
gjobë prej 500 deri në 10.000 €.


Neni 209

209.1. Me gjobë prej së paku 2.500 deri në 10.000€ dënohet për kundërvajtje shoqata
grumbulluese e themeluar sipas nenit 170 të këtij Ligji nëse:

a). nuk mban ose i mban me pakujdes evidencat dhe kontabilitetin;

b). nuk ia përcjell titullarit të së drejtës të ardhurat e tërësishme që i takojnë nga
kompensimet e mbledhura prej shfrytëzuesve të lëndëve të mbrojtura;

c). nuk përfill kërkesën për revizionin e veprimtarisë financiare nga ana e revizorëve të
pavarur;

d). nuk i kryen detyrimet ndaj organit mbikëqyrës ose nuk i zbaton masat që ai organ ka
urdhëruar për mënjanimin e parregullsive në punë.

209.2. Me gjobë prej 1.000 deri në 3.000 € dënohet për shkelje administrative nga paragrafi
paraprak edhe përfaqësuesi ligjor i agjencisë kolektive.

Neni 210

Gjësendet e përfituara me kryerjen e shkeljeve administrative nga neni 207 dhe 208 të këtij neni
konfiskohen, në përputhje me ligjin në fuqi dhe cilindo legjislacion që duhet të hartohet në këtë
fushë.


Neni 211

Procedura për shkelje administrative fillon me kërkesën e organit të inspektimit, policisë, palës së
dëmtuar, organit të administratës kompetent për Pronën Intelektuale ose të Zyrës.

Neni 212

212.1. Kur personi i autorizuar i inspektimit apo i policisë, gjatë veprimeve të mbikëqyrjes ka
dyshim të bazuar se është bërë shkelje administrative nga neni 207 deri në nenin 208 të këtij ligji,
ai mund të sekuestrojë përkohësisht mallrat, mjetet ose materialet që janë përdorur ose që janë
dedikuar për shkelje administrative ose që janë përfituar nga kryerja e shkelje administrative, në
përputhje me ligjin në fuqi dhe cilindo legjislacion që duhet të hartohet në këtë fushë.

212.2. Gjërat e sekuestruara përkohësisht, në kuptimin e paragrafit paraprak, menjëherë dhe tok
me propozimin për nisjen e procesit për shkelje administrative, i dorëzohen autoritetit kompetent
për veprim të përshtatshëm.

PJESA VII

MBROJTJA E PERSONAVE TË HUAJ

1. Rregulla të përgjithshme
Neni 213

213.1. Personat e huaj fizikë ose juridikë (personat e huaj) gëzojnë mbrojtje të njëjtë të të drejtës së
autorit dhe të drejtave të afërta sikur edhe personat vendës, kur kështu parashikohet me marrëveshje
ndërkombëtare ose në këtë ligj ose kur ekziston reciprocitet faktik.

213.2. Autorët dhe interpretuesit e huaj në çfarëdo rasti gëzojnë mbrojtje të njëjtë të të drejtave
morale që njihen nga ky ligj.

2. Autorët
Neni 214

214.1. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzojnë autorët e huaj:

a). që kanë vendbanim të përhershëm në Kosovë;

b). ndaj veprave të botuara për herë të parë në Kosovë ose të botuara brenda 30 dite, prej
ditës kur janë botuar në ndonjë vend tjetër;

c). ndaj veprave të publikuara për herë të parë në Kosovë;

d). ndaj veprave arkitekturore dhe të arteve figurative të cilat në territorin e Kosovës janë
patundshmëri ose janë pjesë integrale e një patundshmërie.

214.2. Nëse vepra e autorit është krijuar nga disa autorë, ata të gjithë gëzojnë mbrojtje sipas këtij
ligji edhe kur vetëm njëri prej tyre i plotëson kushtet nga paragrafi paraprak .

3. Interpretuesit
Neni 215

215.1. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzojnë interpretuesit e huaj:

a). që kanë vendbanim të përhershëm Kosovë;

b). interpretimi i tyre është bërë në territorin e Kosovës;

c). interpretimi i tyre është fiksuar në fonogram dhe videogram i cili gëzon mbrojtje sipas këtij
ligji;

d). interpretimi i tyre i pafiksuar në fonogram, është përfshirë në emision radioteleviziv që
gëzon mbrojtje sipas këtij ligji.

215.2. Nëse në interpretim marrin pjesë disa interpretues, ata të gjithë gëzojnë mbrojtje sipas
këtij ligji edhe kur vetëm njëri prej tyre i plotëson kushtet nga paragrafi paraprak.


4. Bartësit e tjerë të të drejtave të afërta
Neni 216

216.1. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzojnë bartësit e tjerë të huaj të të drejtave të afërta të cilët
kanë vendbanim të përhershëm apo seli në Kosovë.

216.2. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzon prodhuesi i fonogramit për fonogramin, përkatësisht producenti
i filmit për videogramin që për herë të parë është fiksuar në Kosovë.

216.3. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzon botuesi në kuptim të të drejtave të afërta nëse, edicioni i
tij është botuar për herë të parë në Kosovë ose brenda 30 ditë nga dita e botimit në ndonjë vend
tjetër.

216.4. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzon Transmetuesi, emisionet e të cilës transmetohen
nëpërmjet rrjetit transmetues që është në territor të Kosovës.

216.5. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzon prodhuesi i bazës së të dhënave, nëse ajo bazë është
bërë për herë të parë në territorin e Kosovës.


5. Komunikimi i publikut me anë të satelitit
Neni 217

217.1. Mbrojtje sipas këtij ligji gëzojnë titullarët e së drejtës së autorit ose të të drejtave të afërta,
kur vepra e tyre ose lënda nga të drejtat e afërta i komunikohet publikut me anë të satelitit, nëse
nga territori i Kosovës dhe nën kontrollin dhe përgjegjësinë e Transmetuesit dërgohen sinjalet
përkatëse të programit në një zinxhir të pashkëputur komunikimi që shpie deri te sateliti dhe
prapa në tokë.

217.2. Mbrojtja sipas këtij ligji ekziston edhe kur nuk përmbushet kushti i mësipërm, nëse:

a). në Kosovë gjendet pika e lidhjes marrëse nga e cila drejtohet transmetimi i sinjaleve të
programit;

b).transmetuesi që ka porositur transmetimin e programit me anë të satelitit është me seli në
Kosovë.


6. Krahasimi i afateve të mbrojtjes
Neni 218

Për titullarët e huaj të të drejtave të afërta që gëzojnë mbrojtje sipas këtij ligji, vlejnë afatet e
mbrojtjes të caktuara me këtë ligj, por skadojnë më së voni në ditën kur skadon mbrojtja në
shtetin që i përkasin si shtetas ose ku kanë vendbanimin apo selinë dhe nuk mund të zgjasin më
shumë se kohëzgjatja sipas këtij ligji.


7. Personat pa shtetësi dhe refugjatët
Neni 219

219.1. Autorët dhe bartësit e të drejtave të afërta që nuk kanë shtetësi ose kur ajo nuk mund të
verifikohet, gëzojnë mbrojtje të njëjtë sikurse bartësit vendor të të drejtave, nëse kanë vendbanim
të përhershëm në Kosovë.

219.2. Nëse nuk kanë vendbanim të përhershëm apo vendbanimi nuk mund të verifikohet,
gëzojnë mbrojtje të njëjtë sikurse bartësit vendor të të drejtave, nëse kanë vendbanim të
përkohshëm në Kosovë.

219.3. Nëse në Kosovë nuk kanë as vendbanim të përhershëm dhe as vendbanim të
përkohshëm, gëzojnë mbrojtje në Kosovë sikur qytetarët e shtetit në të cilin e kanë vendbanimin
e përhershëm apo të përkohshëm të tyre.

219.4. Dispozitat e këtij neni janë të barasvlefshme dhe për autorët dhe bartësit e të drejtave të
afërta të cilët, në përputhje me traktatet ndërkombëtare ose me ligjin e Kosovës, gëzojnë statusin
e refugjatit.


8. Reciprociteti faktik
Neni 220

Reciprocitetin duhet ta dëshmojë ai i cili thirret në të.


Pjesa VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 221

221.1. Ky Ligj zbatohet për të gjitha 'veprat e autorëve dhe interpretimet e interpretuesve, të
drejtat pronësore të të cilëve nuk kanë pushuar deri në ditën kur ky Ligj hyn në fuqi.

221.2. Ky Ligj gjithashtu zbatohet për fonogramet dhe për interpretimet e incizuara mbi të,
incizimi i parë i të cilëve është bërë brenda pesëdhjetë vitesh para fillimit të vitit kalendarik kur ky
Ligj ka hyrë në fuqi.

221.3. Procedurat e inicuara për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të
interpretuesve, të cilat nuk janë përfunduar deri në ditën kur ky Ligj hyn në fuqi, do të finalizohen
në pajtim me urdhëresat administrative të cilat kanë qenë të plotfuqishme në ditën kur ky Ligj të
hyn në fuqi.

221.4. Ky Ligj zbatohet për videogramet, për transmetuesit dhe botimet e botuesve, si materiale
me të drejta të përafërta, të cilat së pari janë caktuar, transmetuar ose janë botuar ligjërisht pas
hyrjes së tij në fuqi.

221.5. Kontratat mbi të drejtat e caktuara, të cilat janë lidhur para hyrjes në fuqi të këtij Ligji, nuk
mund të ndryshohen me argumentimin se duhet të jenë në harmoni me këtë Ligj.

221.6. Zyra do të nxjerrë legjislacion mbi kriteret që i referohen këtij Ligji brenda një periudhe
tetëmbëdhjetë muajsh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.


Neni 222

Ky Ligj shfuqizon çdo dispozitë të ligjit në fuqi që nuk është në përputhje me të.

Neni 223

Ky Ligj hyn në fuqi pas miratimit në Kuvendin e Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i
Sekretarit të Përgjithshëm.



24.08.2006
UNMIK/REG/ 2006/46