LIGJI NR. 02/L-37 PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE

GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI II / NR. 10 / 01 MARS 2007
Ligji Nr. 02/L-37

PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE

Kuvendi i Kosovës

Në bazë Kreut 5.4 (a), 5.7, 9.1.26 (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme
në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9 e datës 15 maj 2001, dhe

me qëllim të respektimit të identitetit gjuhësor të të gjithë personave dhe me qëllim të krijimit të
një mjedisi për të gjitha komunitetet që të shprehin dhe të ruajnë identitetin e tyre gjuhësor,

duke u bazuar në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, në Konventën
Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore dhe në Protokollet e saj,
Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale
ose Minoritare, dhe

dhe duke pasur parasysh Rekomandimet e Hagës lidhur me të drejtat e shkollimit të pakicave
kombëtare dhe Rekomandimet e Oslos lidhur me të drejtat gjuhësore të pakicave kombëtare,
Udhëzimet mbi përdorimin e gjuhëve minoritare në mediat transmetuese, si dhe me qëllim që të
rregullojë përdorimin e gjuhëve,

Miraton:

LIGJIN PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE

PJESA E PARË

Dispozitat e përgjithshme
Neni 1

1.1. Qëllimi i këtij ligji është që të sigurojë:

i. Përdorimin e gjuhëve zyrtare, si dhe të gjuhëve të komuniteteve, gjuha amtare e të cilave
nuk është gjuhë zyrtare, në institucionet e Kosovës, në ndërmarrje dhe organizata të tjera
që realizojnë funksione dhe shërbime publike;

ii. Status të barabartë të gjuhës shqipe dhe serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë, të drejta të
barabarta sa i përket përdorimit të tyre në të gjitha institucionet e Kosovës;

iii. Të drejtën e të gjitha komuniteteve të Kosovës për të ruajtur, mbrojtur dhe promovuar
identitetin e tyre gjuhësor;

iv. Karakterin shumë gjuhësor të shoqërisë kosovare, që paraqet vlerat e saj unike shpirtërore,
intelektuale, historike dhe kulturore.

1.2. Në nivelin komunal, gjuhët e tjera të bashkësive, si gjuha turke, boshnjake dhe rome, do të
jenë gjuhë në përdorim zyrtar, sipas kushteve të përcaktuara me këtë ligj.


Neni 2

2.1. Gjuha shqipe dhe gjuha serbe dhe alfabetet e tyre janë gjuhë zyrtare në Kosovë dhe kanë
status të barabartë në institucionet e Kosovës.

2.2. Të gjithë personat kanë të drejta të barabarta në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare në
institucionet e Kosovës.

2.3. Në komunat e banuara nga një bashkësi, gjuha amtare e të cilës nuk është gjuhë zyrtare dhe
e cila përbën së paku 5 përqind të popullsisë së përgjithshme të asaj komune, gjuha e asaj
2
bashkësie do tё ketë statusin e gjuhës zyrtare në atё komunë dhe do përdoret barabartë me
gjuhët zyrtare. Pavarësisht kësaj qё u tha mё lartë, nё mёnyrё tё veçantë, nё komunën e
Prizrenit gjuha Turke do tё ketë statusin e gjuhës zyrtare.

2.4. Në ato komuna ku jeton një bashkësi, gjuha amtare e së cilës nuk është njëra nga gjuhët
zyrtare në Kosovë dhe e cila përfaqëson më shumë se tre (3) përqind të popullatës së
përgjithshme të komunës, gjuha e asaj bashkësie do të ketë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar
në atë komunë dhe do të jetë në përdorim të barabartë në pajtim me dispozitat e përcaktuara në
nenin 8 të këtij ligji. Përveç kësaj, një bashkësi, gjuha e së cilës me traditë është folur në një
komunë, do të ketë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në atë komunë. Lidhur me këtë çështje,
komunat do të miratojnë rregullore të hollësishme brenda 6 muajve pas hyrjes së këtij ligji në fuqi,
në pajtim me nenin 35 të këtij ligji.

2.5. Institucionet e Kosovës do të sigurojnë të drejtat gjuhësore të personave që iu takojnë
komuniteteve gjuha amtare e të cilëve nuk është gjuhë zyrtare, në pajtueshmëri me dispozitat e
këtij ligji.


Neni 3

3.1. Çdo person ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të pranuar,
kërkuar dhe për të dhënë informata dhe ide në gjuhën e zgjedhur, pa ndërhyrje. Pranimi i lirë i
transmetimit tejkufitar, qoftë i drejtpërdrejtë apo nëpërmjet të ritransmetimit apo riemetimit nuk
ndalohet në baza të gjuhës. Ushtrimi i kësaj lirie mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tilla, që janë
në pajtueshmëri me traktatet ndërkombëtare obliguese të të drejtave të njeriut.

3.2. Çdo person ka të drejtën për barazi para ligjit dhe të mbrojtjes së barabartë nga ligji.
Ndalohet çdo diskriminim në baza gjuhësore.

PJESA E DYTË
Dispozitat e veçanta

Përdorimi i gjuhëve në institucionet qendrore
Neni 4

4.1. Në institucionet qendrore të Kosovës zbatohet barazia e gjuhëve zyrtare.

4.2. Çdo person ka të drejtë të komunikojë dhe të pranojë shërbimet në dispozicion dhe
dokumentet publike nga institucionet qendrore të Kosovës në cilëndo gjuhë zyrtare. Të gjitha
institucionet qendrore kanë për detyrë të sigurojnë që çdo person mund të komunikojë dhe mund
të pranojë shërbimet në dispozicion dhe dokumentet publike nga organet dhe institucionet e tyre
në cilëndo gjuhë zyrtare.

4.3. Gjuhët zyrtare përdoren në baza të barabarta në takime dhe në punën e institucioneve
qendrore. Institucionet qendrore do të mundësojnë përkthimin nga një gjuhë zyrtare në tjetrën,
nëse kërkohet një përkthim i tillë, për takimet e institucioneve qendrore, si dhe në takimet publike
të organizuara nga këto institucione.

4.4. Anëtarët e Qeverisë, gjuha amtare e të cilëve nuk është gjuhë zyrtare, kanë të drejtë të
përdorin gjuhën e tyre amtare në takimet e institucioneve qendrore dhe në takimet publike të
organizuara nga këto institucione. Nëse kërkohet, institucionet qendrore sigurojnë përkthimin.

4.5. Shënimet dhe dokumentet zyrtare do të mbahen dhe nxirren në gjuhët zyrtare.

4.6. Emrat zyrtarë të institucioneve qendrore paraqiten në gjuhët zyrtare si dhe në gjuhët zyrtare
të komunës.

4.7. Institucionet qendrore duhet të sigurojnë që mjedisi i tyre i punës të kontribuojë në përdorimin
efektiv të gjuhëve zyrtare si dhe të mundësojë përdorimin e cilësdo gjuhë zyrtare nga zyrtarët dhe
punëtorët e tyre.

3


Neni 5

5.1. Gjuhët zyrtare përdoren në baza të barabarta në punë, në debate dhe në procedurat e tjera
të Kuvendit të Kosovës dhe të komisioneve të tij. Mjetet duhet të ofrohen në dispozicion për
përkthim simultan nga një gjuhë zyrtare në tjetrën për debatet dhe procedurat e tjera të Kuvendit
të Kosovës dhe të komisioneve të tij.

5.2. Anëtarët e Kuvendit të Kosovës, gjuha amtare e të cilëve nuk është gjuhë zyrtare kanë të
drejtë të përdorin gjuhën e tyre amtare në punën dhe në takimet e Kuvendit të Kosovës dhe të
komisioneve të tij, si dhe në takimet publike të organizuara nga Kuvendi i Kosovës. Mjetet duhet
të sigurohen për të mundësuar përkthimin nga dhe në gjuhën e anëtarit, nëse kërkohet një
shërbim i tillë. Çdo dokument i dorëzuar nga anëtari i tillë përkthehet në gjuhët zyrtare dhe të
gjitha përgjigjet e kërkuara të kthehen në gjuhën e përdorur nga ana e tij.

5.3. Dokumentet zyrtare si dhe të dhënat zyrtare të debateve dhe të procedurave të tjera të
Kuvendit të Kosovës dhe të komisioneve të tij, mbahen dhe nxirren në gjuhët zyrtare.

5.4. Të gjitha ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, nxirren dhe publikohen në gjuhët zyrtare.
Versionet në gjuhët zyrtare janë të barasvlershme. Të gjitha ligjet e shpallura publikohen në
gjuhën boshnjake dhe turke.


Neni 6

Personat që i takojnë një komuniteti, gjuha amtare e të cilit nuk është gjuhë zyrtare, kanë të drejtë
të paraqesin shkresat në mënyrë të shkruar dhe gojore, në institucionin e Ombudspersonit si dhe
të pranojnë përgjigjen në gjuhën e tyre amtare nga institucioni përkatës.

Përdorimi i gjuhëve në institucionet komunale
Neni 7

7.1. Në institucionet komunale zbatohet barazia e gjuhëve zyrtare të komunës.

7.2. Çdo person ka të drejtë të komunikoj dhe të pranojë shërbimet e mundshme dhe dokumentet
publike nga institucionet komunale dhe nga zyrtarët në cilëndo gjuhë zyrtare. Çdo organ
përfaqësues dhe ekzekutiv komunal ka për detyrë të sigurojë se çdo person mund të komunikojë
dhe të pranojë shërbimet në dispozicion dhe dokumentet publike nga çdo institucion dhe organ
komunal ne cilëndo gjuhë zyrtare.

7.3. Gjuhët zyrtare përdoren në baza të barabarta në takimet dhe në punën e organeve
përfaqësuese dhe ekzekutive komunale. Institucionet komunale do të mundësojnë përkthimin nga
një gjuhë zyrtare në tjetrën, nëse kjo kërkohet, në takimet e këtyre organeve përfaqësuese dhe
ekzekutive komunale, po ashtu edhe në takimet publike të organizuara nga komuna.

7.4. Shënimet e takimeve dhe shënimet zyrtare të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive
komunale, regjistrat publikë dhe dokumente të tjera zyrtare, mbahen dhe lëshohen në të gjitha
gjuhët zyrtare të komunës.

7.5. Institucionet komunale duhet të sigurojnë që mjedisi i tyre i punës të kontribuojë në
përdorimin efektiv të gjuhëve zyrtare si dhe të mundësojë përdorimin e cilësdo gjuhë zyrtare nga
zyrtarët dhe punëtorët e tyre.

7.6. Rregulloret dhe aktet plotësuese të miratuara nga institucionet komunale nxirren dhe publikohen
në gjuhët zyrtare të komunës. Versionet në gjuhët zyrtare janë të barasvlershme.


Neni 8

4
8.1. Në komunat, personat të cilët iu takojnë komuniteteve, gjuha e të cilëve është në përdorim
zyrtar, në pajtueshmëri me nenin 2.4, kanë të drejtën të paraqesin të gjitha kërkesat dhe
dokumentet në formë të shkruar apo gojore si dhe të pranojnë përgjigjet në gjuhën e tyre nga
institucionet dhe nga zyrtarët komunalë, nëse ata kërkojnë kështu.

8.2. Çdo organ përfaqësues dhe ekzekutiv komunal ka për detyrë të sigurojë që personat e tillë të
mund të paraqesin kërkesat dhe dokumentet në formë të shkruar apo gojore si dhe të marrin
përgjigjet në gjuhën e tyre.

8.3. Rregulloret komunale si dhe aktet ndihmëse duhet të nxirren dhe të publikohen në gjuhët e
komuniteteve të tilla, nëse atë e kërkojnë.

8.4. Në punën dhe në takimet e organeve përfaqësuese komunale dhe komiteteve të tyre, si dhe
në takimet publike të organizuara nga komuna, anëtarët e të cilave iu takojnë komuniteteve,
gjuha amtare e të cilave nuk është gjuhë zyrtare, kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre në punë
dhe në takimet e organeve përfaqësuese të komunës, dhe komiteteve të tyre si dhe në takimet
publike të organizuara nga komuna. Mjetet duhet të sigurohen për të mundësuar përkthimin nga
dhe në gjuhën e anëtarit, nëse kërkohet një shërbim i tillë. Çdo dokument i dorëzuar nga anëtari i
tillë përkthehet në gjuhët zyrtare dhe të gjitha përgjigjet e kërkuara do të kthehen në gjuhën e
përdorur nga ana e tij.



Neni 9

9.1. Emrat zyrtarë të institucioneve dhe të organeve komunale paraqiten në gjuhët zyrtare dhe në
gjuhët që kanë statusin e gjuhës zyrtare sipas nenit 2.3.

9.2. Shenjat zyrtare që shënojnë apo përfshijnë emrat e komunave, fshatrave, rrugëve, rrugicave
dhe të vendeve të tjera publike, paraqiten në gjuhët zyrtare dhe në gjuhët e komuniteteve, gjuha
e të cilave ka statusin e gjuhës zyrtare në komunë, në pajtueshmëri me nenin 2.3.

Neni 10

Ministria për Administrim të Qeverisjes Lokale nxjerr udhëzim administrativ, që përcakton
procedurat sipas të cilave komunitetet mund të shprehin kërkesat e tyre në pajtueshmëri me
nenet 8.1, 8.2, 8.3 dhe 9.1 të këtij ligji 90 ditë pas shpalljes së këtij ligji.


Përdorimi i gjuhëve në ndërmarrjet publike
Neni 11

11.1. Në ndërmarrjet që janë në pronësi publike dhe në ndërmarrjet në pronësi shoqërore
aplikohet barazia e gjuhëve zyrtare.

11.2. Çdo person ka të drejtë të komunikojë dhe të pranojë shërbimet dhe dokumentet nga
ndërmarrjet në pronësi publike dhe nga ndërmarrjet në pronësi shoqërore në cilëndo nga gjuhët
zyrtare.

11.3. Çdo ndërmarrje e tillë ka për detyrë të sigurojë që çdo person të mund të komunikojë dhe të
pranojë shërbimet dhe dokumentet në cilëndo gjuhë zyrtare.


Përdorimi i gjuhëve në procedurat gjyqësore
Neni 12

12.1. Gjuhët zyrtare përdoren në mënyrë të barabartë në procedurat gjyqësore.

12.2. Gjykatat dhe organet për ndjekje penale, si dhe autoritetet e tjera të përfshira në procedurë
penale dhe në procedurat e tjera gjyqësore, sigurojnë që çdo person që merr pjesë në procedurat
5
penale si dhe në procedura të tjera gjyqësore mund të përdorë gjuhën zyrtare të cilën ai/ajo e
zgjedh.


Neni 13

13.1. Gjykatat zhvillojnë procedurat në gjuhën zyrtare apo në gjuhët zyrtare të zgjedhura nga
palët në procedura. Me kërkesën e palës në procedura, pajisjet duhet të sigurohen për përkthim
simultan, duke përfshirë dëshmitë e dhëna, nga njëra gjuhë zyrtare në tjetrën.

13.2. Gjykatat mund të sigurojnë pajisjet për përkthim simultan të procedurave, duke përfshirë
dëshmitë e dhëna, nga një gjuhë zyrtare në tjetrën, atëherë kur konsiderojnë se procedurat të
jenë në interesin e përgjithshëm publik.



Neni 14

Gjykatat kanë për detyrë të lëshojnë dokumente të cilat kanë të bëjnë me procedurat në gjuhën
(t) zyrtare të zgjedhur për procedurë dhe në gjuhë të tjera zyrtare nëse kërkohet nga cilado palë
në procedurë apo nëse sipas pikëpamjes së gjykatës kjo do t’i shërbente interesit të përgjithshëm
publik.


Neni 15

15.1. Çdo person që është i arrestuar apo i akuzuar për vepër penale dhe që nuk flet ose nuk
kupton gjuhën(t) e procedurave ka të drejtën të njoftohet me kohë rreth arsyeve të arrestimit dhe
për çdo akuzë kundër tij apo saj në gjuhën të cilën e kupton personi.

15.2. Personat që i takojnë komunitetit, gjuha amtare e të cilit nuk është gjuhë zyrtare, ka të
drejtën të informohet me kohë rreth arsyeve për arrestimin e tyre dhe për çdo akuzë kundër tyre
në gjuhën amtare të tyre.


Neni 16

16.1. Çdo person që merr pjesë në procedurat penale dhe në procedura të tjera gjyqësore, i cili
nuk flet ose nuk kupton gjuhën (t) e procedurave, ka të drejtë të përdorë gjuhën e tij apo të saj në
procedura.

16.2. Personat që i takojnë komunitetit, gjuha amtare e të cilit nuk është gjuhë zyrtare dhe që
marrin pjesë në procedura penale dhe procedurë penale dhe ne procedurat tjera gjyqësore, kanë
të drejtë të përdorin gjuhën e tyre amtare në procedura.

16.3. Gjykata dhe organet për ndjekje penale si dhe autoritetet e tjera të përfshira në procedurë
penale, duhet të ofrojnë ndihmën me përkthyes pa pagesë për personat e cekur në paragrafët 1
dhe 2 të këtij neni.


Neni 17

17.1. Çdo person që merr pjesë në procedura penale, i cili nuk flet ose nuk kupton gjuhën(t) e
procedurave, ka të drejtë të paraqesë shkresat, të dëshmojë dhe të dëgjojë faktet e rastit dhe të
çdo dëshmie kundër tij apo saj, në gjuhën e folur nga ai apo ajo.

17.2. Personat që i takojnë komunitetit, gjuha amtare e të cilit nuk është gjuhë zyrtare dhe që
marrin pjesë në procedura penale, kanë të drejtën të paraqesin shkresat, të dëshmojnë dhe të
dëgjojnë faktet për rastin dhe çdo dëshmie kundër tyre, në gjuhën e tyre amtare.

6
17.3. Gjykatat apo organet për ndjekje penale, si dhe autoritetet e tjera të përfshira në
procedurën penale, duhet të ofrojnë ndihmën me përkthyes pa pagesë për personat e cekur në
paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni.


Neni 18

Institucionet penale dhe të burgut duhet të sigurojnë që personeli i tyre të flasë gjuhën(t) e numrit
më të madh të të burgosurve, apo gjuhën(t) të cilën e kuptojnë ata. Përkthimi në gjuhën që është
e kuptueshme nga një person i burgosur duhet të ofrohet atëherë kur ka nevojë.

Përdorimi i gjuhëve në arsim
Neni 19

19.1. Gjuhët e ligjërimit në arsimin publik duhet të jenë në pajtim me dispozitat e Kornizës
Kushtetuese dhe të ligjeve nga lëmi i arsimit.

19.2. Çdo person ka të drejtë të zgjedhë, si dhe të zgjedhë për fëmijën e vet, gjuhën e vet të
preferuar zyrtare për mësim.

19.3. Çdo person ka të drejtë të regjistrohet, si dhe të regjistrojë fëmijën e vet, në shkollën ku
gjuha e tij e zgjedhur zyrtare është gjuhë e mësimit.

19.4. Në komunat ku gjuha e zgjedhur zyrtare e personit nuk përdoret nga asnjë shkollë në
mësim, do të përcaktohen dispozita përkatëse për të siguruar mësimin e duhur në gjuhën e tyre
të zgjedhur zyrtare. Hollësitë për implementim përcaktohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe
Teknologjisë.


Neni 20

20.1. Në zonat e banuara me persona që i takojnë komunitetit, gjuha amtare e të cilit nuk është
gjuhë zyrtare, personat që i takojnë këtij komuniteti kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën e tyre
amtare në shkollat publike arsimore.

20.2. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një udhëzimi administrativ do të
përcakton detajet për zbatimin e së drejtës së përcaktuar sipas paragrafit 20.1.


Neni 21

21.1. Në shkollat fillore dhe të mesme, ku gjuha e mësimit nuk është gjuhë zyrtare nxënësit
gjithashtu mësojnë një gjuhë zyrtare të cilën e zgjedhin.

21.2. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një udhëzimi administrativ
përcakton procedurat sipas të cilave personat mund të deklarojnë se cilën gjuhë zyrtare
dëshirojnë ta mësojnë gjatë shkollimit të mesëm.


Neni 22

22.1. E drejta e personave për të themeluar institucione arsimore private me mësim në gjuhën
amtare është e garantuar në Kosovë.

22.2. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vendos procedurën për regjistrim të
institucioneve arsimore private të tilla.


Neni 23

23.1. Gjuhët zyrtare të Kosovës janë gjuhë parësore të mësimit në universitetet publike.
7

23.2. Rregullat detaje të përdorimit të gjuhëve zyrtare dhe të çdo gjuhe tjetër, në programet
arsimore, përcaktohen nga universitetet përmes akteve të tyre.

23.3. Në trajnimin e arsimtarëve, interpretuesve dhe të përkthyesve në gjuhët e komuniteteve,
universitetet përshtatin përdorimin e gjuhëve të komuniteteve si gjuhë të mësimit.

23.4. Përdorimi i gjuhës në administratën universitare përcaktohet nga universitetet përmes
rregulloreve të tyre, që duhet t’iu përshtaten dispozitave të këtij ligji.


Neni 24

24.1. Nxënësi së bashku me prindin e tij apo të saj vendos se në cilën gjuhë zyrtare do të
mbahen shënimet shkollore dhe lëshohen raportet e tij apo të saj, nga ana e institucionit arsimor
në të cilin ata vijojnë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes udhëzimit
administrativ vendos procedurën sipas së cilës personat deklarojnë se në cilën gjuhë zyrtare
dëshirojnë të mbahen shënimet e tyre.

24.2. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë përcakton procedurat për lëshimin e
certifikatave shkollore në gjuhët zyrtare të Kosovës nëpërmjet një udhëzimi administrativ 90 ditë
pas shpalljes së këtij Ligji.

24.3. Nxënësi i cili arsimohet sipas nenit 20.1 ka të drejtë t’i ketë shënimet e tyre shkollore të
mbajtura si dhe raportet dhe certifikatat të lëshuara, në gjuhën amtare të tij/saj, përpos gjuhëve
zyrtare.


Përdorimi i gjuhëve në Media
Neni 25

Çdo person ka të drejtë të themelojë medie në gjuhën të cilën ai/ajo e zgjedh në përputhje me
ligjin në fuqi.


Neni 26

26.1. Transmetuesit publik avancojnë diversitetin kulturor dhe karakterin shumë gjuhësor në
Kosovë në përputhje me ligjin në fuqi.

26.2. Komunitetet kanë të drejtë të kenë kohën për transmetim të programeve në gjuhën e tyre
në Transmetues publik, në pajtim me ligjin në fuqi.

26.3. Përdorimi i gjuhëve gjatë transmetimit në Transmetues publik, koha e transmetimit dhe
programet në nenin 26.2 përcaktohen me një ligj tjetër, duke marrë plotësisht në konsideratë të
drejtat dhe intereset e anëtarëve të komunitetit për të patur mundësi dhe qasje të barabartë në
informatë.


Emrat personal
Neni 27

27.1. Emri dhe mbiemri i personit regjistrohet në regjistrat publikë, në dokumentet për identifikim
personal dhe në dokumente të tjera zyrtare në sistemin me shkrim në gjuhët zyrtare të zgjedhur
nga ai person.

27.2. Personat që i takojnë komunitetit, gjuha amtare e të cilit nuk është gjuhë zyrtare, do të kenë
të drejtën të regjistrojnë formën origjinale të emrit dhe mbiemrit të tyre në shkrimin dhe në
pajtueshmëri me traditat dhe sistemin linguistik të gjuhës së tyre, si në regjistrat publikë, në
dokumente për identifikim personal dhe në dokumente të tjera zyrtare, si dhe kjo formë do të
përdoret nga zyrtarët publikë.
8

Liria linguistike
Neni 28

Të gjithë personat kanë të drejtë të themelojnë dhe mbajnë subjekte juridike siç janë shoqatat
kulturore dhe ndërmarrjet e biznesit në gjuhën e tyre, përfshirë këtu edhe shfaqjen e këtyre
emrave në bazë të traditës së tyre dhe sistemit gjuhësor.


Përdorimi i gjuhëve zyrtare në sferën private
Neni 29

29.1. Çdo person ka të drejtë të veprojë në ndërmarrjet private, institucionet private, shoqatat,
organizatat apo aktivitetet e vetëpunësimit në gjuhën apo gjuhët sipas zgjidhjes së tyre.

29.2. Kur gjuha në rastet e numëruara në paragrafin 1 nuk është njëra nga gjuhët zyrtare,
institucionet e Kosovës kërkojnë një përdorim shtesë të gjuhëve zyrtare, kur aktivitetet e tyre
ndikojnë në interesin legjitim publik siç është rendi publik, siguria publike, shëndeti, apo mbrojtja
e të drejtave të personave të tjerë si dhe për qëllime të mbikëqyrjes së administratës publike.


Neni 30

30.1. Në ndërmarrjet që kryejnë shërbime publike aplikohet barazia e gjuhëve zyrtare në kryerjen
e këtyre shërbimeve.

30.2. Çdo person ka të drejtë të komunikojë dhe të pranojë shërbimet dhe dokumentet nga
ndërmarrjet që kryejnë shërbime publike në cilëndo gjuhë zyrtare. Çdo ndërmarrje e tillë ka për
detyrë të sigurojë që çdo person të mund të komunikojë dhe të pranojë shërbimet dhe
dokumentet në cilëndo gjuhë zyrtare.

30.3. Në komunat e banuara nga komunitetet, gjuha e të cilave gëzon statusin e gjuhës që flitet
në komunë, vlejnë dispozitat e neneve 30.1 dhe 30.2.



PJESA E TRETË
Zbatimi
Neni 31

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera do të miratojnë masat për promovimin e përdorimit
dhe statusit të barabartë të gjuhëve zyrtare si dhe për të siguruar mbrojtjen, ruajtjen dhe
promovimin e gjuhëve të komuniteteve, gjuha amtare e të cilave nuk është gjuhë zyrtare.


Komisioni i gjuhëve
Neni 32

32.1. Me qëllim të ruajtjes, promovimit, apo mbrojtjes së gjuhëve zyrtare dhe statusit të barabartë
të tyre në Kosovë, si dhe për të siguruar mbrojtjen e gjuhëve të komuniteteve, gjuha amtare e të
cilave nuk është gjuhë zyrtare, Qeveria e Kosovës do të themelojë Komisionin e Gjuhëve për
mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji.

32.2. Komisioni i gjuhëve do të marrë masa dhe veprime brenda kompetencave të tij për të siguruar
njohjen e statusit të barabartë të gjuhëve zyrtare në përputhshmëri me këtë ligj.

32.3. Komisioni i gjuhëve do të zhvillojë dhe realizojë hetimet sipas ankesave që i janë drejtuar,
duke vepruar apo mos vepruar kur:

(i) Statusi i barabartë i gjuhëve zyrtare nuk është njohur apo nuk njihet.

9
(ii) Çdo dispozitë e çdo ligji apo rregullore në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare apo
gjuhëve të komuniteteve, gjuha amtare e të cilave nuk është gjuhë zyrtare, nuk është
respektuar apo nuk respektohet.

32.4. Komisioni i Gjuhëve mund gjithashtu të kryejë hetime me iniciativë të vet.

32.5. Komisioni i Gjuhëve mund të ndërmjetësojë në situatat kur ndërmjetësimi i tillë kërkohet për
të siguruar zbatimin e këtij ligji.

32.6. Në konkludim të hetimit, Komisioni i Gjuhëve mund të nxjerrë rekomandime mbi korrigjimet
e kërkuara dhe rekomandon përmirësimet.

32.7. Aty ku rekomandimet e Komisionit të Gjuhës nuk janë zbatuar brenda një periudhe të
arsyeshme, ashtu siç është përcaktuar nga Komisioni, Komisioni mund të lëshojë vërejtje me
shkrim.

32.8. Aty ku rekomandimet e Komisionit të gjuhëve nuk janë zbatuar brenda një periudhe të
arsyeshme, pasi Komisioni të ketë lëshuar vërejtjen me shkrim, kjo duhet të citohet në raportin
vjetor të Komisionit për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

32.9. Komisioni i Gjuhëve mund të shqyrtoj dhe të bëjë rekomandime në lidhje me:

(i) çdo rregullore apo udhëzim administrativ të nxjerrë për zbatimin e këtij ligji dhe

(ii) çdo rregullore apo udhëzim administrativ tjetër që ndikon apo mund të ndikojë në statusin
apo përdorimin e gjuhëve zyrtare apo gjuhëve të komuniteteve gjuha amtare e të cilave nuk
është gjuhë zyrtare.

32.10. Kompetencat detaje dhe përbërja e Komisionit do të përcaktohen me një udhëzim
administrativ të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, duke marrë parasysh të drejtat dhe interesat e
të gjitha komuniteteve gjuhësore në Kosovë, dhe duke marrë parasysh nevojën për të pasqyruar
dallimet gjuhësore të komuniteteve në Kosovë, 90 ditë pas shpalljes së këtij Ligji..

32.11. Brenda periudhës njëvjeçare pas miratimit të këtij ligji dhe më pastaj në baza vjetore,
Komisioni i Gjuhëve do të informojë Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës rreth masave ligjore
dhe masave të tjera të ndërmarra për zbatimin e këtij ligji.



Sanksionet administrative
Neni 33

Sanksionet administrative në rast të shkeljes së dispozitave të këtij Ligji përcaktohen me udhëzim
administrativ të lëshuar nga Ministria e Shërbimeve Publike.


PJESA E KATËRT
Dispozitat kalimtare dhe të fundit

Neni 34

Institucionet e Kosovës përdorin gjuhën angleze ne punën e tyre, në kontakte dhe në dokumente
zyrtare gjatë mandatit të Administratës së Përkohshme të Misionit të Kombeve të Bashkuara në
Kosovë.


Neni 35

Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes janë të obliguara që në aktet e tyre të miratojnë
rregullore të hollësishme për përdorimin e gjuhëve, në pajtueshmëri me këtë ligj.

10


Neni 36

36.1. Brenda afatit prej gjashtë (6) muajsh pas shpalljes së këtij Ligji nga PSSP-ja, Institucionet e
Përkohshme të Vetëqeverisjes do të nxjerrin udhëzime administrative me qëllim të zbatimit të
këtij Ligji.

36.2. Qeveria e Kosovës do të zhvillojë programin për ngritje të vetëdijes publike lidhur me këtë
ligj, menjëherë pas shpalljes së tij.


Neni 37

Ky ligj shfuqizon çdo dispozitë të ligjit në fuqi, që është në kundërshtim me të.



Neni 38

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit të tij nga Kuvendi i Kosovës dhe pas shpalljes së tij nga
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.



Ligji Nr. 02/L-37
27 korrik 2006