LIGJI NR. 02/L-67 PËR BOTIMIN E TEKSTEVE SHKOLLORE, MJETEVE MËSIMORE, LEKTYRËS SHKOLLORE DHE TË DOKUMENTACIONIT PEDAGOGJIK

GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI II / NR. 9 / 01 SHKURT 2007


Ligji Nr. 02/L-67

PËR BOTIMIN E TEKSTEVE SHKOLLORE, MJETEVE MËSIMORE,
LEKTYRËS SHKOLLORE DHE TË DOKUMENTACIONIT PEDAGOGJIK


Kuvendi i Kosovës,

Në bazë tё Kreut 5.1 (e) dhe 9.1.26 tё Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje tё
Përkohshme në Kosovë, (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9 e datës 15 maj 2001),

me qëllim të krijimit të infrastrukturës ligjore pёr zhvillimin e veprimtarisë sё botimit të
teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrёs shkollore dhe të dokumentacionit
pedagogjik,

Miraton:


LIGJIN
PËR BOTIMIN E TEKSTEVE SHKOLLORE, MJETEVE MËSIMORE,
LEKTYRËS SHKOLLORE DHE TË DOKUMENTACIONIT PEDAGOGJIK


I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Përkufizimet

“Teksti shkollor” për shkolla fillore, shkolla të mesme të ulëta dhe për shkolla të mesme
të larta është libër themelor dhe i obligueshëm që shërben si mjet themelor dhe burim i
dijes për fushën e caktuar dhe me përdorimin e të cilit arrihen objektivat edukativo-
arsimorë të përfshira në plan dhe program mësimor. Teksti shkollor është i hartuar në
bazë të planit dhe të programit mësimor dhe i formësuar në pikëpamje didaktike, duke
marrë parasysh aftësitë psikofizike të nxënësve dhe veçoritë e lëndës mësimore.

“Mjetet mësimore” janë mjetet e ndryshme teknike, modelet, objektet natyrore materialet
grafike, hartat gjeografike, hartat historike etj. të cilat shfrytëzohen si burime të njohurive
dhe që mundësojnë që nxënësi të kuptojë dukuritë natyrore dhe shoqërore, proceset,
objektet etj. Mjetet mësimore duhet t’i përshtaten moshës së nxënësve, në pajtueshmëri me
përmbajtjet konkrete, me qëllimet, detyrat dhe objektivat e lëndës përkatëse.

“Lektyra shkollore” përfshin libra të cilat duhet të lexohen për një kohë të caktuar për
një vit shkollor.

“Dokumentacioni pedagogjik” është emërtimi i dokumentacionit të cilin shkolla është e
obliguar ta mbajë në pajtim me aktet ligjore. Dokumentacionin shkollor e përbëjnë: libri i
klasës, libri amë, libri për regjistrimin e nxënësve në klasë të parë, llojet e ndryshme të
dëftesave dhe të diplomave për kryerjen e shkollës fillore, të mesme të ulët dhe të mesme
të lartë, librezat, planet dhe programet mësimore, planet dhe programet e arsimtarëve etj.

2
“Autori” është personi fizik apo juridik që krijon, realizon një tekst shkollor dhe një mjet
mësimor, i cili botohet në formë të shtypur apo elektronike.

“Recension” ёshtё vlerësimi kritik me shkrim për një tekst shkollor, njё vepër artistike,
njё punim shkencor.

“Botuesi” është personi juridik, i cili boton dorëshkrimet e autorëve, duke realizuar tërë
procesin e botimit të teksteve shkollore, të mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe
dokumentacionit pedagogjik.

“Shpërndarësi” është person juridik, që blen dhe shet me shumicë tekstet shkollore dhe
mjetet mësimore.

“ISBN-ja” ёshtё shenja dalluese e teksteve dhe librave me qëllim tё mos lejimit tё
kopjimit dhe keqpërdorimit tё tyre.


Neni 2
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim:

1. Përcaktimin e parimeve dhe të normave themelore për zhvillimin e veprimtarisë së
botimit të teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe të
dokumentacionit pedagogjik.

2. Përcaktimin e konceptit tekst shkollor, mjet mësimor, lektyrë shkollore dhe
dokumentacion pedagogjik dhe rregullimin e kushteve të hartimit, lejimit dhe të
botimit të tyre.

3. Përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të MASHT-it, tё autorit dhe të botuesit.

4. Krijimin e kushteve për konkurrencë të lirë për hartimin dhe botimin e teksteve
shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës dhe të dokumentacionit pedagogjik.


Neni 3
Kërkesat që duhet t’i përmbushin tekstet shkollore, mjetet mësimore,
lektyra shkollore dhe dokumentacioni pedagogjik

3.1. Tekstet shkollore, mjetet mësimore, lektyra shkollore dhe dokumentacioni
pedagogjik i përmbushin kërkesat edukative, shkencore, pedagogjike, psikologjike,
didaktiko-metodike, etike, gjuhësore, artistike dhe teknike në përputhje me standardet
dhe me objektivat e planeve dhe të programeve mësimore.

3.2. Nuk lejohen tekstet shkollore, mjetet mësimore, lektyrat shkollore dhe
dokumentacioni pedagogjik që bëjnë propagandë kundër Kosovës, që cenojnë të drejtat e
njeriut dhe barazinë gjinore dhe që nxisin urrejtje politike, nacionale dhe fetare.



3.3. Nё mёsimin parashkollor, në shkollat fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta
përdoren tekstet shkollore, mjetet mësimore, lektyra shkollore dhe dokumentacioni
pedagogjik i lejuar nga MASHT-i.

3
3.4. Lektyra shkollore zgjidhet në përputhje me planin dhe me programin mësimor.


Neni 4
Procedura e hartimit dhe e botimit

4.1. Tekstet shkollore i hartojnë specialistët e lëndëve mësimore sipas konkursit të
shpallur nga MASHT-i dhe porosisë së shtëpisë botuese.

4.2. Procedurën e hartimit dhe të botimit të teksteve shkollore, mjeteve mësimore,
lektyrës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik e mbikëqyr Këshilli i Ekspertëve i
Programeve dhe i teksteve shkollore i MASHT-it.

4.3. Recensentët bёjnё vlerësimin kritik me shkrim për një tekst shkollor, njё vepër
artistike, një punim shkencor para botimit tё tyre.



II. VLERËSIMI DHE LEJIMI I TEKSTEVE SHKOLLORE, MJETEVE MËSIMORE
DHE DOKUMENTACIONIT PEDAGOGJIK

Neni 5
Konkursi

5.1. MASHT-i shpall konkurs publik për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore,
dhe të dokumentacionit pedagogjik sipas planeve dhe programeve mësimore.

5.2. Të drejtë pjesëmarrjeje në konkurs kanë të gjitha shtëpitë botuese të regjistruara që
merren me botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe
dokumentacionit pedagogjik.

5.3. MASHT-i përsërit konkursin në rast të mos suksesit të konkursit të parë.



Neni 6
Vlerësimi i dorëshkrimeve

6.1. MASHT-i vlerëson dorëshkrimet anonime të teksteve shkollore, mjeteve mësimore
dhe dokumentacionit pedagogjik nё pajtim me nenet 7, 8 dhe 9 tё këtij Ligji

6.2. Dorëshkrimet anonime të teksteve shkollore shtëpitë botuese i dorëzojnë në MASHT,
kurse recensentët i marrin dorëshkrimet me shifra.




Neni 7
Recensentët për vlerësimin e dorëshkrimeve

7.1. MASHT-i cakton recensentë për vlerësimin e dorëshkrimeve të arritura në konkurs.

7.2. Recensentët për vlerësimin e dorëshkrimeve të një teksti shkollor përbëhen së paku
nga tre ekspertë të caktuar nga MASHT-i, njohës të lëmit përkatës.

4
7.3. Emrat e recensentëve nuk bëhen publik derisa të shpallen rezultatet e konkursit.

7.4. Çdo recensentë vlerëson dorëshkrimin e tekstit në bazë të këtyre kritereve:

a.) përputhjen e përmbajtjes me qëllimet, objektivat dhe me standardet e planit dhe të
programit mësimor;

b.) zbatimin e metodologjive të reja të mësimdhënies dhe mësim nxënies;

c.) shoqërimin e përmbajtjes dhe të ilustrimeve me aparaturë të përshtatshme didaktike,
duke ofruar material për punë të pavarur dhe krijuese dhe

d.) përshtatjen e gjuhës së tekstit me moshën e nxënësve për të cilët është shkruar teksti
shkollor.


Neni 8
Zgjedhja e dorëshkrimeve

8.1. Recensentët janë të pavarur në punën e vet.

8.2. Recensentët mund të propozojnë një ose më tepër dorëshkrime për botim, duke
siguruar burime alternative të informacionit dhe duke u ofruar shkollave mundësinë e
zgjedhjes së lirë nga mësimdhënësit të tekstit që dëshirojnë të përdorin.

8.3. Secili recensentë është i obliguar që vlerësimin e vet ta japë në formë të shkruar me
arsyetime të argumentuara në afatin e caktuar nga MASHT-i.

8.4. Nëse recesioni nuk është i shkruar sipas Udhëzimit Administrativ të lëshuar nga
MASHT-i, për vlerësimin e dorëshkrimeve, konsiderohet i pavlefshëm.

8.5. Nëse recensenti nuk e dorëzon brenda minimumit të kohës prej 30 ditësh, MASHT-i
do ta zëvendësojë atë me një recensent tjetër.


Neni 9
Vendimi për botim

9.1. Dorëshkrimet e dorëzuara në konkurs të vlerësuara pozitivisht nga recensentët,
fitojnë të drejtën për botim.

9.2. Vendimin për lejimin e botimit të tekstit e lëshon MASHT-i.



III. TË DREJTAT DHE DETYRIMET E BOTUESIT

Neni 10
Të drejtat e botuesit

10.1. Botuesi ka të drejtë të bëjë ankesë nëse dorëshkrimi i dorëzuar për konkurs
vlerësohet negativisht nga juria profesionale.

10.2. Ankesa i drejtohet Komisionit për Ankesa në MASHT në afatin prej 15 ditësh pas
kumtimit të rezultatit të vlerësimit të dorëshkrimit.
5

10.3. Mënyra e themelimit dhe procedura e vendim marrjes të këtij Komisioni do të
rregullohet me akte nënligjore.


Neni 11
Obligimet e botuesit

11.1. Botuesi boton tekstin e lejuar për botim.

11.2. Botuesi shtyp në tekstin shkollor, mjetet mësimore dhe dokumentacionin
pedagogjik emrat e autorit, redaktorit, recensentëve, ilustratorit, lektorit dhe të redaktorit
teknik e artistik, vitin dhe numrin rendor të botimit, shenjën kualifikuese, tirazhin,
çmimin, kodin, datën dhe numrin e lejimit të dhe ISBN-në.

11.3. Botuesi nxjerr në shitje tekstin shkollor sё paku njё muaj para fillimit të vitit shkollor.

11.4. Botuesi shtyp aq kopje sa t’i plotësojë të gjitha kërkesat e nxënësve.

11.5. Botuesi i dërgon MASHT-it nga gjashtë kopje të çdo teksti shkollor, mjeti mësimor
dhe të lektyrës shkollore.


IV. PËRDORIMI I TEKSTEVE SHKOLLORE

Neni 12
Katalogu

MASHT-i publikon dhe shpërndan për çdo vit katalogun e teksteve shkollore, në të cilin
përfshihen: lloji i shkollës, klasa, emrat e autorëve, titujt, lënda dhe klasa për cilën është
lejuar, botuesi dhe çmimet e shitjes.


Neni 13
E drejta e mësimdhënësit për përdorimin e tekstit në shkollë

13.1. Mësimdhënësi ka tё drejtë tё zgjedhë përdorimin e tekstit shkollor nё pajtim me
nenin 12 tё këtij Ligji.

13.2. Teksti i zgjedhur nga mësimdhënësi dhe i miratuar nga këshilli i shkollës përdoret
deri në fund të vitit shkollor.

13.3. Mësimdhënësi ka të drejtë të përdorë literaturë plotësuese, që përputhet me planin
dhe programin e lëndës.

V. DISPOZITA NDËSHKUESE
Neni 14

14.1. Personi juridik që i shfrytëzon librat shkollorë dhe dokumentacionin pedagogjik në
kundërshtim me nenin 3 të këtij ligji, dënohet për shkelje me të holla prej 1.000 deri në
5.000 €.
14.2. Personi fizik nё cilёsinё e udhëheqësit tё institucionit që i shfrytëzon librat shkollor
dhe dokumentacionin pedagogjik në kundërshtim me nenin 3 të këtij ligji, dënohet për
shkelje me të holla prej 500 deri në 1.000 €.
6

14.3. Ndaj botuesve dhe individëve që shpërdorojnë emrin e MASHT-it, duke botuar
tekste shkollore, mjete mësimore dhe dokumentacion pedagogjik pa autorizimin e saj,
MASHT-i mund të ankohet në gjykatën kompetente.

14.4. Botuesit dhe individët ndaj të cilëve është marrë vendim i formës së prerë pas
përfundimit të procedurës penale për shkak të veprave që kanë të bëjnë me botimin e
teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lekturës shkollore dhe të dokumentacionit
pedagogjik nuk kanë të drejtë të konkurrojnë me dorëshkrime në konkurset e MASHT-it
dhe as të marrin leje botimi për asnjë tekst shkollor, mjet mësimor, lektyrë shkollore apo
dokument pedagogjik.

14.5. Shumat e dënimeve të parapara në paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni do të derdhen në
Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës.


VI. HYRJA NË FUQI

Neni 15

MASHT-i për zbatim të këtij ligji në afat prej gjashtë muajsh nga dita e hyrjes në fuqi
duhet të nxjerrë aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e këtij ligji.



Neni 16

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nё Kuvendin e Kosovës dhe shpalljes nga Pёrfaqёsuesi
Special i Sekretarit tё Pёrgjithshёm.





Ligji Nr. 02/L-67
29 qershor 2006