LIGJI NR. 02/L-51 PËR VEPRIMTARINË BOTUESE DHE LIBRIN

GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI II / NR. 8 / 01 JANAR 2007
Ligji Nr. 02/L-51

PËR VEPRIMTARINË BOTUESE DHE LIBRIN


Kuvendi i Kosovës,

Nё bazё tё Kreut 5.1 (e) dhe 9.1.26 (a) tё Kornizës Kushtetuese pёr Vetëqeverisje të
Përkohshme nё Kosovë, (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9 tё datës 15 maj 2001);

Me qëllim të zhvillimit të një aktiviteti modern të veprimtarisë botuese dhe për librin që do t’u
mundësojë botuesve dhe shfrytëzuesve të librit mënyrën më të avancuar në botimin, ribotimin si
dhe nxitjen e leximit, fitimin e dijeve dhe të informacioneve të reja,

Miraton:


LIGJIN PËR VEPRIMTARINË BOTUESE DHE LIBRIN

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

1.1. Ky Ligj ka për qëllim:

1. Të përcaktojë parimet dhe normat themelore për zhvillimin e veprimtarisë botuese, të
zhvillojë krijimtarinë letrare, artistike, shkencore, profesionale dhe kulturore në Kosovë.

2. Të sigurojë rolin dhe rëndësinë e botuesit në sigurimin, përhapjen dhe afirmimin e prodhimit
final së bashku me faktorët e tjerë që marrin pjesë në shkrimin, hartimin, botimin e librit dhe
të produkteve të përafërta me të.

3. Të krijojë kushte që shkrimi, botimi, ruajtja, mbrojtja, përhapja dhe promovimi i librit tё
shpallet veprimtari me interes kombëtar.

4. Të caktojë kushtet në të cilat duhet të zhvillohet veprimtaria botuese që libri të mund të
kryejë funksionin e tij parësor në ngritjen dhe aftësimin e personalitetit njerëzor.

5. Të ndikojë në krijimin e ndërgjegjes publike për vlerën dhe funksionin e librit si faktor parësor në
formimin dhe informimin e personalitetit njerëzor, në transmetimin e dijeve, në përhapjen e
kulturës dhe në nxitjen e hulumtimit shkencor-kulturor.

6. Të sigurojë qasjen ndaj librit dhe të nxisë shprehitë e leximit.

7. Të garantojë qarkullimin e lirë të librit dhe të produkteve të përafërta me të, si dhe përhapjen
e tyre brenda dhe jashtë territorit të Kosovës përmes tё gjitha teknikave dhe teknologjive.

8. Të nxisë zhvillimin e industrisë botuese në të mirë të librit dhe të produkteve të përafërta tё
tij.

1.2. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (në tekstin e mëtejmë: Ministria e Kulturës) propozon
dhe merr masa të nevojshme për arritjen e qëllimeve të përcaktuara në këtë nen.


Neni 2
Objekti

Me këtë Ligj përcaktohen rregullat në fushën e krijimit, të prodhimit, të ruajtjes, të mbrojtjes, të
përhapjes dhe të promovimit të librit dhe të produkteve të përafërta me të në territorin e Kosovës.


Neni 3
Përkufizime

Në këtë Ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. Me “libër” kuptohet tërësia unitare, e ilustruar ose jo, e botuar nën një titull në çfarëdo forme,
që ka për objekt materializimin e një produkti mendor të një ose më shumë autorëve dhe që
botohet një herë ose herë mbas here, në një vëllim ose në shumë vëllime.

2. Me “produkte të përafërta me të” (librin) përfshihen: almanakë, vjetarë, katalogë, albume
filatelie, albume për ngjyrosje, albume me figura për fëmijë, repertorë me informacione numerike,
repertorë alfabetikë, broshura që shpjegojnë funksionimin e aparateve me të cilat janë të lidhura,
partitura të thjeshta që përhapin tekstin dhe muzikën e një kënge, fletore muzike për detyra, si
dhe botime të tjera të ngjashme siç janë librat me disqe, shirita magnetikë, kaseta, filma ose
diapozitivë, me kushtin e dyfishtë:

a) që këto të përbëjnë një tërësi dhe elementet e tyre të mos jenë objekt e një shitjeje të
veçantë dhe

b) që mbështetja dëgjimore-pamore të jetë plotësuese e librit, dhe jo e kundërta, konsiderohen
si libra në vështrimin e pikës 1 të këtij neni.

3.“Autor” është personi fizik (personat fizikë) që krijon, realizon një vepër letrare, shkencore,
artistike, tekst shkollor dhe të përafërta me to, të cilat botohen në formë libri dhe duhet t’u
shënohet emri i hartuesit.

4. “Botues” janë botuesit privatë dhe institucionet publike me tё drejtë botimi të cilët zgjedhin
veprat e krijuara prej autorëve ose porosisin hartimin e tyre, porosisin përkthime veprash, apo
kryejnë shërbime të tjera të nevojshme, për t’i shndërruar ato në libër, realizojnë tërë procesin e
krijimit, botimit e shpërndarjes së librit.

5. “Shpërndarës” janë botuesit privatë dhe institucionet publike me tё drejtë botimi që kryejnë
blerjen dhe shitjen me shumicë të librave.

6.“Libërshitës” janë botuesit privatë dhe institucionet publike me tё drejtë botimi që ushtrojnë
veprimtarinë e shitjes së librave në mjedise tregtare.

7. “Shtypshkrues” janë botuesit privatë dhe institucionet publike me tё drejtë botimi që ushtrojnë
veprimtari prodhuese me objekt shtypshkrimi dhe që zotërojnë pajisjet industriale dhe mjetet e
nevojshme për prodhimin e librave.

8.“Përkthyes” janë botuesit privatë dhe institucionet publike me tё drejtë botimi që realizojnë
përkthimin e një vepre nga një gjuhë në një gjuhë tjetër.

9.“Artgrafistë” janë botuesit privatë dhe institucionet publike me tё drejtë botimi që ideojnë dhe
realizojnë përgatitjen dhe paraqitjen tërësore grafike, disenjimin e shtypshkrimeve, formatimin për
diagramimin e brendshëm dhe ilustrimin e librave.

10. Publikimet konsiderohen librat si dhe librat me disk gramafoni, me kasetë audiovizuale, me hartë
gjeografike e shtojca të ngjashme (publikimet multimediale), broshurat, separatet, revistat, gazetat,
riprodhimet artistike, veprat muzikore të shkruara në partitura, hartat gjeografike, atlaset, globuset e
të gjitha llojeve, planet urbanistike, pllakatat, katalogët, programet, kartolinat dhe fotografitë e
shtypura, diapozitivat etj. si dhe pjesët e tyre përbërëse apo shoqëruese të riprodhuara në mënyrë
grafike, disqet e gramafonit dhe kompakt disqet, kasetat audio dhe vizuale të regjistruara, disketat
kompjuterike të regjistruara dhe veprat e tjera që riprodhohen me shtypshkrim ose në një mënyrë
tjetër të ngjashme.


KREU II
LIRIA E BOTIMIT DHE E QARKULLIMIT TË LIBRIT

Neni 4

Botimi dhe qarkullimi i librit ushtrohet nga botues privatë dhe institucione publike me tё drejtë
botimi të përcaktuar me kreun VII të këtij Ligji.



Neni 5

Me kёtё Ligj garantohet, mbrohet dhe promovohet liria e botimit nё gjuhët e vendit dhe gjuhët e
huaja dhe të qarkullimit të librit brenda dhe jashtë territorit të Kosovës. Liria e botimit dhe e
qarkullimit të librit kufizohet vetëm në bazë të një vendimi gjyqësor, në rastet kur botimi apo
qarkullimi i librit kryhet në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.


KREU III
KËSHILLI I LIBRIT

Neni 6

6.1. Këshillin e Librit, bazuar në këtë Ligj e emëron Ministri i Kulturës dhe është organ
këshillëdhënës që ka për qëllim të japë iniciativa dhe të propozojë vendime në të mirë të
veprimtarisë botuese, të librit dhe të leximit të tij.

6.2. Mandati i anëtarëve të Këshillit të Librit zgjat 4 vjet.

Neni 7
Përbërja e Këshillit të Librit

Këshilli i Librit përbëhet prej 11 anëtarëve:

1. Përfaqësuesi i autorizuar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit;
2. Përfaqësuesi i autorizuar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë;
3. Përfaqësuesi i Universitetit tё Prishtinës;
4. Përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës;
5. Përfaqësuesi i autorizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës;
6. Përfaqësuesi i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare;
7. Përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës;
8. Përfaqësuesi i Institutit Albanologjik;
9. Tre (3) krijues të afirmuar (sipas gjinive letrare: një poet, një prozator, një kritik letrar),
sipas zgjedhjes së ministrit të Ministrisë së Kulturës.


Neni 8
Detyrat e Këshillit të Librit

8.1. Këshilli i Librit ka këto detyra:

1. Të propozojë masa për të siguruar mbështetjen e sektorëve publikë dhe privatë për të
mbërritur objektivat e këtij Ligji;

2. Të propozojë planet dhe programet për promovimin e librit, nxitjen e leximit dhe zhvillimin e
industrisë botuese në vend në përputhje me interesat publikë;

3. Të japë rekomandime për çështje ligjore dhe nxjerrjen e akteve nënligjore të bazuara në këtë
Ligj, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me fushën e librit dhe të leximit;

4. Të propozojë forma për nxitjen e leximit dhe afirmimin e librit në të gjitha nivelet e arsimimit
në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit;

5. Të propozojë masa për ruajtjen dhe mbrojtjen e traditës së librit në vend në bashkëpunim me
Ministrinë e Kulturës;

6. Të mbështesë forcimin e sistemit të bibliotekave me Këshillin e Bibliotekave, si dhe ruajtjen e
trashëgimisë bibliografike në përputhje me teknikat dhe teknologjitë e reja të krijuara;

7. Me subjektet e tjera të propozojë organizimin e takimeve ndërkombëtare të nevojshme për
rritjen e eksportit të librit dhe të produkteve të përafërta me të prodhuara në vend, si dhe të
përhapjes së librit jashtë Kosovës;

8. Të ndihmojë pjesëmarrjen e autorëve, përkthyesve, botuesve dhe libërshitësve në takime,
panaire, ekspozita dhe veprimtari të tjera kombëtare e ndërkombëtare kushtuar librit dhe
produkteve të përafërta me të;

9. Të organizojë së bashku me subjektet botuese konkurse për dhënien e çmimeve për vepra
letrare dhe shkencore, si dhe për botime në fushat që i quan me përparësi për kulturën
kombëtare;

10. Të propozojë masat për mbështetjen e botimit të veprave me vlerë të veçantë kulturore,
mësimore dhe shkencore;

11. Të nxisë mbështetjen e botimit të veprave të letërsisë për fëmijë, të veprave të gjinive deficitare
dhe të atyre që u drejtohen personave me paaftësi ose aftësi të kufizuara;

12. Të nxisë krijimtarinë origjinale, dhe promovimin e saj në vend e në botë;

13. Të rekomandojë prezantimin e krijimtarisë origjinale në gjuhët e huaja.

8.2. Këshilli i Librit i propozon ministrit të Ministrisë së Kulturës marrjen e masave të nevojshme
për zbatimin e politikave në fushën e librit.



Neni 9
Organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Librit

Organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Librit përcaktohet me akte nënligjore.



KREU IV
MASAT STIMULUESE PËR NXITJEN E VEPRIMTARISË BOTUESE

Neni 10



Donacionet e librave, të revistave, të broshurave, të katalogëve, që u bëhen institucioneve të
arsimit dhe atyre të kulturës, bibliotekave, shoqatave jofitimprurëse ose sindikatave, gëzojnë
përfitimet në përputhje me Ligjin.


KREU V
LIBRI SHKOLLOR

Neni 11


14.1. Konceptin tekst shkollor dhe kushtet e hartimit, të lejimit dhe të botimit të teksteve shkollore,
të drejtat dhe detyrimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), të drejtat
dhe detyrimet e botuesve caktohen me ligj tё veçantë.

14.2. Përgatitja, redaktimi, shtypshkrimi, shpërndarja dhe shitja e teksteve e librave shkollorë të
miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe nga Universiteti kryhet nga
botuesit të cilët mbeten titullarë të të drejtave të autorit për këto vepra në përputhje me
marrëveshjen e lidhur me autorët.


KREU VI
TË DREJTAT DHE DETYRIMET E INSTITUCIONEVE

Neni 12
Institucionet qendrore, lokale, OJQ-të dhe pёrgjegjёsit e tyre iniciojnë kërkesën për botimin e librit
dhe krijojnë kushte për nxitjen e leximit nëpërmjet:

1. Organizimit të veprimtarive kulturore, edukuese dhe informuese me anë të institucioneve të
mësimdhënies dhe të mjeteve të komunikimit;

2. Dhënies së çmimeve për promovimin, botimin dhe përhapjen e librit dhe të leximit;

3. Sigurimit të fondeve për blerjen e librave të botuar me destinim në rrjetin kombëtar të
bibliotekave ose qendrave të dokumentimit me karakter publik;

4. Organizimit të ekspozitave, panaireve të librit në përputhje me aktet ligjore.



Neni 13

Për të popullarizuar, afirmuar dhe avancuar veprimtarinë botuese si dhe librin origjinal e të
përkthyer të të gjitha zhanreve, organet dhe institucionet e nivelit qendror, institucionet qendrore
të artit, shkencës dhe të kulturës, si dhe ato regjionale e lokale, sipas këtij ligji, janë te obliguara
që çdo vit tё blejnë ose dhurohen për bibliotekat dhe nevojat e tyre; ndërsa organet dhe
institucionet e kulturës për bibliotekat e tyre nga pesë 5 ekzemplarë të botuar, po atë vit, të
botuesve të regjistruar në Ministrinë e Kulturës.




Neni 14


17.1. Ministria e Kulturës ndihmon blerjen e librit për pasurimin e fondeve të bibliotekave publike,
në përputhje me nevojat e bibliotekave.

17.2. Ministria e Arsimit ndihmon blerjen e librit për pasurimin e fondeve të bibliotekave shkollore,
në përputhje me nevojat e bibliotekave.

Neni 15

Institucionet qendrore dhe lokale, nëpërmjet organeve përkatëse, në marrëveshje me Ministrinë e
Kulturës dhe me propozimin e Këshillit të Librit, marrin masat e nevojshme për përhapjen dhe
nxitjen e leximit në njësitë përkatëse lokale dhe qendrore.


KREU VII
REGJISTRI I BOTUESVE

Neni 16

19.1. Për tu marrë me veprimtari botuese, botues privatë dhe institucione publike me tё drejtë
botimi paraprakisht duhet që veprimtarinë botuese ta ketë regjistruar si biznes, në Ministrinë
kompetente, në përputhje me ligjin, si dhe të jetë i licencuar dhe i regjistruar në regjistrin e
veçantë të Ministrisë së Kulturës.

19.2. Licencën për veprimtari botuese nga paragrafi paraprak e lëshon Komisioni i veçantë i
Ministrisë së Kulturës.

19.3. Kriteret dhe kushtet për ushtrimin e veprimtarisë botuese, përcaktohen nga Ministria e
Kulturës me propozim të Këshillit të Librit.

19.4. Botuesit të cilët ushtrojnë këtë aktivitet përpara hyrjes në fuqi të këtij Ligji duhet të
regjistrohen dhe të licencohen në Regjistrin e Botuesve brenda një afati prej 6 muajsh nga data e
hyrjes në fuqi të këtij Ligji.


Neni 17

Rregullat për regjistrimin dhe çregjistrimin e botuesve nga Regjistri i Botuesve i përcakton Këshilli
i Librit dhe i zbaton Ministria e Kulturës.


KREU VIII
DËFTUESIT E LIBRIT DHE NUMRI NDËRKOMBËTAR
I STANDARDIZUAR I LIBRIT (ISBN)

Neni 18

Në çdo libër të botuar në Kosovë duhet të jenë të shënuar dëftuesit e mëposhtëm:

i. Titulli i veprës;
ii. Emri i autorit;
iii. Emri i përkthyesit, hartuesit, përpiluesit;
iv. Viti i botimit;
v. Vendi dhe emri i shtypshkronjës;
vi. Emri i botuesit apo entit botues;
vii. Numri ndërkombëtar i standardizimit të librit (ISBN);
viii. Çmimi;
ix. E drejta e autorit;
x. Katalogimi në botim (CIP);
xi. Dëftues të tjerë sipas specifikës së botimit, nëse ka;
xii. Tirazhi i ekzemplarëve të botuar.

Neni 19

Rregullorja e Agjencisë së Standardizimit të Botimeve të Librit përcakton procedurat që ndjek
botuesi për kërkimin, marrjen dhe aplikimin e ISBN-së.


KREU IX
ÇMIMI I SHITJES SË LIBRIT

Neni 20

Çdo botues privatë dhe institucione publike me të drejtë botimi që boton, importon dhe eksporton
libra, cakton çmimin e shitjes së librit, përveç botimeve shkollore për të cilat merret miratimi nga
Ministria e Arsimit.



Neni 21

Çmimi i shitjes bëhet i njohur publikisht duke u shënuar në mbulesën e jashtme të librit me anë
shtypjeje ose mbietiketimi. Në rast të mbietikimit, etiketa mban edhe emrin e botuesit.



Neni 22

Çdo botues, shpërndarës, eksportues dhe importues i librit është i obliguar gjatë botimit të librit
në të ta vë qartë e lexueshëm edhe çmimin e tij.



Neni 23
26.1. Për librat e vënë në shitje para daljes së këtij Ligji dhe që nuk përmbajnë të shënuar çmimin
e shitjes, shënimi i çmimit të shitjes është detyrë e botuesit ose e importuesit të librit dhe e
libërshitësit me autorizim të botuesit ose të importuesit.

26.2. Shënimin e zbaton libërshitësi ose rrjeti libërshitës mbështetur në dokumentimin e çmimeve
përkatëse nga ana e botuesit ose e importuesit të librit.

26.3. Mbikëqyrjen dhe kontrollin përkitazi me respektimin e detyrimit nga neni 25 në pajtim me
ligjin e ushtrojnë inspektorët kompetentë të tregut.



Neni 24


27.1. Ndryshimi i çmimit të shitjes bëhet nga botuesi dhe importuesi duke iu komunikuar
libërshitësit dhe rrjetit libërshitës në mënyrë të dokumentuar vetëm me vendim të organit drejtues
të botuesit, nëse me marrëveshje ose kontratë nuk ёshtё vepruar ndryshe.

27.2. Afati nga komunikimi i këtij ndryshimi për zbatimin e tij duhet të jetë i mjaftueshëm që
libërshitësi dhe rrjeti libërshitës të mund të kryejë shënimin e ekzemplarëve në depozit. Ky afat
nuk mund të jetë më i gjatë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë.

27.3. Libërshitësi apo shpërndarësi nuk mund të ndryshojë çmimin e shitjes së librit me
konsignacion apo të produkteve të ngjashëm me të pa miratimin e botuesit.


Neni 25

Çmimi i shitjes nëpërmjet pajtimit dëftohet në dokumentet e shitjes ose katalogët nëpërmjet të të
cilëve bëhet porosia.



Neni 26

Për shkelje të dispozitave nga kreu IX i këtij Ligji, çdo individ i dëmtuar, subjekt juridik, shoqatë e
mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve, shoqatë botuesish, sindikatë e profesionistëve të
botimit ose të përhapjes së librit si dhe vetë autori i librit ose çdo agjenci që mbron të drejtat e
autorëve, ka të drejtë të kërkojë ndalimin e cenimit të të drejtave të tij dhe dëmshpërblim
përkatës pranë organeve përkatëse.



KREU X
DORËZIMI I DETYRUAR I EKZEMPLARËVE

Neni 27

30.1. Botimet në formë libri, broshure, afisheje, harte postale, harte, atlasi gjeografik, partiture
muzikore dhe koreografike, pavarësisht nga mbështetja e tyre materiale dhe nga procedura
teknike e prodhimit, e botimit dhe e shpërndarjes, të shtypura brenda ose jashtë territorit të vendit
nga botues privatë dhe institucione publike me tё drejtë botimi, që ushtrojnë aktivitet në fushën e
botimit dhe të shpërndarjes në Kosovë, me t’u vënë në disponim të publikut përbëjnë objekt të një
dorëzimi të detyruar prej pesë (5) ekzemplarësh në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

30.2. Çdo botues privatë dhe institucione publike me tё drejtë botimi që boton publikime në
Kosovë që i dedikohen përdorimit publik, detyrohet që pesë kopje të çdo publikimi t’ia dërgojë
Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në afat prej 30 ditësh nga dita e botimit.

30.3. Nëse botuesi nuk është i identifikuar, nuk ka vendqëndrim ose seli në Kosovë, këtë detyrim
do ta kryejë shtypshkronja, subjekti që ka bërë riprodhimin.



Neni 28

Dorëzimi kryhet sipas kushteve të përcaktuara me Ligjin për Bibliotekat.




Neni 29

Në rastet e prodhimeve të një libri apo të produkti të përafërt me të, në më shumë se një format
apo kopertinë, i cili përmban një numër identifikimi ISBN të ndryshëm, prodhimet do të
konsiderohen botime të ndryshme dhe do t’i nënshtrohen dorëzimit të detyrueshëm të
ekzemplarëve.




KREU XI
DISPOZITAT NDËSHKIMORE

Neni 30

Për shkeljet të dispozitave të këtij Ligji shqiptohen sanksionet administrative.




Neni 31


34.1. Konsiderohen shkelje administrative dhe dënohen me gjobë shkeljet e dispozitave të
mëposhtme:

1. Ushtrimi i aktivitetit të botuesit pa licencim dhe regjistrim në Regjistrin e Botuesve përbën
shkelje administrative dhe ndëshkohet me gjobë prej 1.000 € (një mijë euro) deri në 10.000 €
(dhjetë mijë euro).

2. Kur botimi, riprodhimi i plotë apo i pjesshëm, fotokopjimi i një libri dhe i produkteve të
përafërta me të, përfshirë këtu edhe përkthimin, kryhet nga subjekte të cilët nuk kanë fituar
këto të drejta në bazë të një marrëveshjeje në përputhje me dispozitat e Ligjit për të Drejtat
e Autorit, dhe të Drejtat e Afërta dhe ky veprim nuk përbën vepër penale në bazë të Kodit i
Përkohshëm Penal i Kosovës, ndëshkohet me gjobë nga 1.000 (një mijë) deri 10.000 €
(dhjetë mijë euro), në varësi edhe të tirazhit të tij.

3. Botimi dhe shpërndarja në treg e librave pa përmbajtur dëftuesit e librit parashikuar në këtë Ligj,
ndëshkohet me gjobë të 10 (dhjetë) fishit të çmimit të shitjes së librit në publik.

4. Ndryshimi i çmimit të shitjes së librit nga libër shitësit apo shpërndarësit, pa miratimin e
botuesit, dënohet me gjobë prej 500 € deri në 1.000 €.

5. Shkelja e detyrimit për dorëzimin e detyruar të ekzemplarëve përbën kundërvajtje
administrative dhe dënohet me gjobë në bazë të Ligjit për Bibliotekat.

34.2. Mjetet financiare të grumbulluara nga ky nen derdhen në Buxhetin e Konsoliduar të
Kosovës.




Neni 32

Njësitë e qeverisjes lokale obligohen që në buxhetin vjetor të përcaktojnë fonde për blerjen e
librave për bibliotekat publike.


KREU XII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 33

Me hyrjen në fuqi të këtij Ligji, shfuqizohet Ligji mbi Veprimtarinë Botuese (Gazeta Zyrtare e
KSAK Nr. 7/74), si dhe çdo akt tjetër në kundërshtim me këtë Ligj.



Neni 34

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi
Special i Sekretarit të Përgjithshëm.




Ligji Nr. 02/L-51
16 mars 2006