GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI I / NR. 6 / 01 NËNTOR 2006
Ligji Nr.2004/44
PËR ZEJTARI
Kuvendi i Kosovës
Duke u bazuar në Rregulloren nr. 2001/9 të datës 15 maj 2001 “Mbi Kornizën Kushtetuese për
Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë”, veçanërisht Kreu 5.1(ç), 9.1.1, 3.3, 11.2,
Duke pasur parasysh nevojat e vendosjes së një sistemi modern, me qëllim të mbrojtjes së
zejtarisë si veprimtari e pavarur ekonomike dhe me qëllim të realizimit të fitimit në prodhim,
qarkullim dhe shërbimeve në treg.
Miraton:
LIGJIN PËR ZEJTARI
I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Me këtë ligj rregullohen kushtet për ushtrimin e v0eprimtarisë zejtare si vijon: regjistrimi, afarizmi,
ushtrimi i përbashkët, ndërprerja e veprimtarisë, aftësimi profesional, edukimi, organizimi zejtar,
ruajtja dhe kultivimi i zejeve të vjetra dhe mbikëqyrja e veprimtarisë zejtare.
Përkufizime
Neni 2
2.1. Cilido prej termave në vijim, kur përdoren në këtë ligj kanë kuptimin e dhënë, përveç nëse
brenda kontekstit në të cilin përdoret një term i tillë nënkupton diçka tjetër.
Ministër nënkupton Ministrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ministri nënkupton Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e themeluar në pajtim me Rregulloren nr.
2001/19 të UNMIK-ut.
Zejtaria nënkupton veprimtarinë e pavarur ekonomike, e cila ushtrohet nga personat fizikë me
punë dhe mjete personale me qëllim të realizimit të të ardhurave (fitimit) në prodhim, qarkullim
dhe ofrim të shërbimeve në treg.
Zejtar nënkupton personin fizik, i cili ushtron veprimtarinë zejtare në emër dhe për llogari të
veten, i cili mund të shfrytëzojë edhe punën plotësuese të personave tjerë në kushtet e
përcaktuara me këtë ligj.
Prodhues nënkupton çdo person fizik dhe juridik që prodhon mallra zejtare duke ua vënë emrin
e tij, markën e prodhimit ose çdo shenjë tjetër dalluese.
Veprimtari zejtare nënkupton zejtarinë prodhuese, shërbyese, artistike dhe artizanatet.
Shoqatat e zejtarëve nënkupton organizatat e shoqërisë civile, të pavarura nga prodhuesit,
shitësit, furnizuesit apo ofruesit e shërbimeve.
Leja e punës nënkupton lejen e lëshuar nga organi kompetent në pajtim me kushtet e
përcaktuara në ligj, në bazë të të cilave ushtrohet biznesi i caktuar.
Organet e administratës qendrore dhe lokale nënkupton organet testuese dhe inspektuese të
fushave të ndryshme, të lidhura me zejtarinë të cilat operojnë në treg në bazë të kompetencave
të ligjeve përkatëse.
2.2. Siç është përdorur në këtë ligj, njëjësi nënkupton shumësin dhe shumësi nënkupton njëjësin.
Referimet ndaj “nenit” janë referime të këtij ligji përveç nëse është dhënë ndryshe në nenin 2.
2.3. Veprimtari zejtare mund të ushtrojnë edhe shoqëritë tregtare të cilat ushtrojnë një ose më
shumë veprimtari.
2.4. Çdo veprimtari zejtare është e lejuar nëse nuk bie në kundërshtim me ligjin.
2.5.. Me veprimtari zejtare të përhershme nënkuptohen edhe rastet kur përkohësisht ndërpritet
puna, me qëllim të rifillimit të asaj veprimtarie.
Neni 3
Veprimtari Zejtare sipas këtij ligji konsiderohen:
1. Zejtaria e lirë për të cilën nuk kërkohet përgatitja profesionale apo provim kualifikues,
2. Zejtari e ndërlidhur me njëra-tjetrën për të cilën kërkohet përgatitja profesionale ose
dhënia e provimit kualifikues.
3. Zejtari ekskluzive, e cila mund të ushtrohet vetëm në bazë të autorizimit të lëshuar nga
Ministria përkatëse.
Llojet e veprimtarive zejtare
Neni 4
4.1. Zejtari prodhuese nënkupton përpunimin dhe prodhimin e produkteve për treg kryesisht në
seri të vogla e që nuk kanë veçori të prodhimit industrial.
4.2. Zejtari shërbyese nënkupton mirëmbajtjen dhe riparimin e prodhimeve, stabilimenteve,
objekteve si dhe kryerja e shërbimeve të tjera.
4.3. Artizanat nënkupton punimin dhe përpunimin e gjërave të artit si dhe formësimi i tyre, cilësia
e të cilave varet nga shkathtësia e prodhuesit.
4.4. Artizanat shtëpiak dhe/ose punim dore nënkupton punimin e produkteve të veçanta, të cilat
zejtari i punon vetë ose me anëtarët e familjes.
4.5. Veprimtaritë nga paragrafi 4 i këtij neni i përcakton ministria kompetente me akt të veçantë
nënligjor.
II. Ushtrimi i veprimtarisë zejtare
Neni 5
Kushtet për ushtrimin e veprimtarisë zejtare
5.1. Veprimtari zejtare mund të ushtrojë personi fizik që i plotëson këto kushte:
a) të ketë vendqëndrim dhe të jetë qytetar i Kosovës,
b) të jetë i moshës madhore,
c) të jetë i aftë për punë,
d) të ketë përgatitje profesionale për kryerjen e veprimtarisë së caktuar zejtare;
e) të mos ketë ndalesa nga organet gjyqësore për ushtrimin e veprimtarisë zejtare,
f) të ketë të regjistruar veprimtarinë në MTI;
g) të ketë hapësirë të mjaftueshme afariste dhe lejen e punës nga organi komunal për
ushtrimin e veprimtarisë zejtare.
h) veprimtari zejtare mund të ushtrojnë edhe shtetasit e huaj në pajtim me nenin 6.
5.2. Me punën në zejtari, zejtari fiton të drejtën për të themeluar marrëdhënie pune, nëse këtë të
drejtë nuk e ka krijuar nga ndonjë bazë tjetër.
Neni 6
Qytetarët e huaj me vendqëndrim në Kosovë mund të ushtrojnë veprimtari zejtare, konform
rregullativёs ligjore në fuqi.
Neni 7
7.1. Personi fizik mund të ushtrojë veprimtari zejtare të ndërlidhura, nëse përveç kushteve të
përgjithshme nga neni 5 i këtij ligji i plotëson edhe kushtet e veçanta të aftësisë profesionale ose që e
ka të dhënë provimin kualifikues për ushtrimin e veprimtarisë së tillë.
7.2. Personi fizik i cili i plotëson kushtet e përgjithshme nga neni 5 i këtij ligji dhe nuk i plotëson
kushtet e veçanta të aftësisë profesionale, mund të ushtroj veprimtarinë e ndërlidhur zejtare, nëse
e punëson personin me kualifikim adekuat.
Neni 8
Veprimtari të ndërlidhura zejtare mund të ushtrojnë edhe personat me përgatitje shkollore të lartë
dhe superiore të përcaktuar me nenin 3, paragrafi 2. i këtij ligji.
Neni 9
9.1. Zejtari mund të ushtroj zejen, për të cilën i nevojitet lokali i punës, vetëm nëse ka dëshmi mbi
të drejtën e pronësisë ose kontratën e vërtetuar nga organi kompetent mbi shfrytëzimin me qira të
lokalit punues.
9.2. Lokali i punës nga paragrafit 1. i këtij neni, si dhe pajisjet duhet t’i plotësojnë kushtet teknike,
mbrojtja dhe siguria në punë, mbrojtjen e mjedisit njerëzor, mbrojtjen nga zhurma, mbrojtjen
sanitaro - shëndetësore dhe kushtet tjera që bazohen në kryerjen e caktuar të veprimtarisë
zejtare.
9.3. Veprimtaria zejtare mund të ushtrohet edhe në hapësira për banim, por duhet plotësuar
kushtet e parapara në paragrafin 2 të nenit 9.
9.4. Organi komunal kompetent për dhënien e lejes për ushtrimin e veprimtarisë zejtare vendos për
veprimtarinë zejtare e cila ushtrohet jashtë punëtorisë ose hapësirës për banim.
Regjistrimi i veprimtarisë zejtare
Neni 10
10.1. Regjistrimin e subjektit zejtar e bënë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Zyrës së
Regjistrimit të Bizneseve, kurse lejen e jep organi kompetent i administratës lokale, për territorin
në të cilin do të jetë selia afariste e dyqanit zejtar, në afat prej 15 ditësh nga dita e paraqitjes së
kërkesës.
10.2. Lejen për ushtrimin e veprimtarive ekskluzive zejtare e jep organi kompetent i administratës
lokale, varësisht prej nomenklaturës të dhënë nga Enti Statistikor i Kosovës llojit të zejeve, në
afat prej 15 ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës.
10.3. Formën dhe përmbajtjen e lejes për ushtrimin e veprimtarive ekskluzive, në bazë të
dispozitave të veçanta e cakton Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Neni 11
11.1. Çdo veprimtari zejtare duhet të regjistrohet në regjistrin e bizneseve të cilin e mban organi
kompetent i administratës lokale, ndërsa regjistrin e veprimtarive ekskluzive e mban organi i
Ministrisë kompetente.
11.2. Mënyrën e mbajtjes së regjistrit të veprimtarive zejtare sipas paragrafit 1 të këtij neni e
cakton Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Neni 12
12.1. Organi kompetent i administratës lokale duhet t’ia jep lejen personit fizik që i plotëson
kushtet nga neni 5. paragrafi 1. pika a. b. c. d. e. f. dhe paragrafi 2. të këtij neni.
12.2. Organi kompetent i administratës lokale që lëshon licencën është përgjegjës për verifikimin
e respektimit të kushteve të caktuara në nenin 5 paragrafi 1 dhe 2 të këtij ligji.
12.3. Organi kompetent i administratës lokale e jep lejen, përkatësisht vendimin me të cilin
refuzohet dhënia e lejes për veprimtari zejtare, më se largu në afat prej 15 ditësh nga dita e
parashtrimit të kërkesës për leje.
12.4. Nëse brenda afatit të paraparë nuk merr përgjigje,atëherë veprimtaria zejtare konsiderohet
e hapur, dhe për fillimin e punës me shkrim të njoftohet organi kompetent.
Neni 13
Personi që e ka marrë lejen për ushtrimin e veprimtarisë zejtare, është i detyruar që në afat prej 3
muaj të fillojë ushtrimin e veprimtarisë zejtare.
Neni 14
14.1. Organi kompetent i administratës lokale është i detyruar që vendimin për ushtrimin e
veprimtarisë zejtare t’ia jep organit të Administratës Tatimore, Shoqatës së Zejtarëve të Pavarur,
Fondit për Sigurim Shëndetësor - Social dhe Entit së Statistikës të Kosovës.
14.2. Enti Statistikor detyrohet të përpilojë nomenklaturën e veprimtarive zejtare.
Neni 15
15.1. Firma është emri nën të cilën ushtrohet veprimtaria zejtare.
15.2. Firma përmban: emrin dhe shenjën e zejes, emrin e pronarit dhe selinë, si dhe shenja të
veçanta.
15.3. Firma nuk mund të përmbajë emrin i cili është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe
konventat ndërkombëtare.
15.4. Firma duhet të vendoset në hyrje të lokalit afarist dhe në njësi të ndara në të cilat ushtrohet
veprimtaria zejtare.
15.5. Nëse zejtari e ndryshon emrin dhe shenjën e veprimtarisë zejtare është i detyruar që për
këtë ndryshim ta njoftojë Zyrën e Regjistrimit të Bizneseve.
Neni 16
16.1. Veprimtaria zejtare duhet ta ketë selinë afariste dhe lokalin afarist, kur këtë e kërkon natyra
e punës.
16.2. Nëse për kryerjen e veprimtarisë zejtare nuk është i nevojshëm lokali afarist, atëherë selia e
zejtarit është vendqëndrimi i tij.
16.3. Nëse zejtari e ndërron selinë e veprimtarisë zejtare është i detyruar ta njoftojë Zyrën për
Regjistrimin e Biznesit për ndryshimin e bërë si dhe organin kompetent të administratës lokale,
ndërsa nëse bën ndërrimin e selisë së firmës në ndonjë komunë tjetër, zejtari është i detyruar t’ia
paraqesë kërkesën për ndryshime Zyrës së Regjistrimit të Biznesit si dhe t’i paraqesë kërkesë
administratës lokale për leje të re të punës.
Afarizmi zejtar
Neni 17
Zejtari mund të ushtrojë vetëm atë veprimtari zejtare për të cilën i është lëshuar Çertifikata e
regjistrimit.
Neni 18
Çertifikata e regjistrimit nuk mund të bartet në persona tjerë pa u përfshirë ndryshimet e bëra në
regjistrin e Zyrës së Regjistrimit të Bizneseve.
Neni 19
19.1. Për detyrimet të cilat dalin me kryerjen e veprimtarisë zejtare, zejtari përgjigjet me tërë
pasurinë e tij.
19.2. Zejtari mban përgjegjësi ligjore për ushtrimin e veprimtarisë zejtare si dhe për punën e
punëtorëve të tij.
Neni 20
Veprimtaria zejtare mund të ushtrohet në njësi të ndara, të cilat duhet t’i plotësojnë kushtet nga
neni 9. i këtij ligji.
Neni 21
21.1. Në çdo njësi të ndarë zejtare, në të cilën ushtrohet veprimtaria e lirë zejtare, zejtari është i
detyruar që ta emërojë një kryepunëtor, i cili duhet të jetë në marrëdhënie pune të zejtari dhe
duhet t’i plotësojë kushtet nga neni 5 i këtij ligji.
21.2. Zejtarët të cilët kryejnë veprimtari të ndërlidhura zejtare ose ekskluzive, janë të detyruar që
në çdo njësi zejtare të emërojnë kryepunëtorin e kualifikuar, i cili duhet të jetë në marrëdhënie
pune te zejtari dhe duhet t’i plotësojë kushtet nga neni 5 dhe 8 të këtij ligji.
Neni 22
22.1. Për ushtrimin e veprimtarisë zejtare në njësi të ndarë, zejtari duhet ta lajmërojë organin
kompetent të administratës lokale në territorin e të cilit ndodhet njësia zejtare.
22.2. Organi kompetent i administratës lokale e lëshon lejen për ushtrimin e veprimtarisë zejtare
në njësi të ndarë në emër të kryepunëtorit të kualifikuar.
22.3. Nëse ushtrohet veprimtari ekskluzive zejtare, organi nga paragrafi 1 i këtij neni duhet t’ia
dërgojë kopjen e aktvendimit organit të administratës lokale, i cili e ka dhënë lejen e parë për
ushtrimin e veprimtarisë zejtare.
Neni 23
23.1. Punët në veprimtari zejtare të lirë dhe të ngjashme, zejtari mund t’i udhëheq vet ose përmes
kryepunëtorit, i cili duhet të jetë në marrëdhënie pune të punëdhënësi dhe i cili i plotëson kushtet
nga neni 5 dhe 8 i këtij i ligji.
23.2. Kryepunëtori udhëheq punët në emër dhe për llogari të punëdhënësit.
23.3. Nëse kryepunëtori vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, ai përgjigjet materialisht
dhe penalisht për dëmin e shkaktuar sipas ligjeve në fuqi.
Neni 24
24.1. Pas vdekjes së pronarit, leja për veprimtari zejtare të lira dhe të ndërlidhura mund të bartet
te pasardhësit e tij me vendim të administratës lokale.
24.2. Personat nga paragrafi 1 i këtij neni mund të vazhdojnë kryerjen e veprimtarisë zejtare
përmes kryepunëtorit, i cili duhet t’i plotësojë kushtet nga neni 5 dhe 8 i këtij ligji.
24.3. Në rastet nga paragrafi 2 i këtij neni pasardhësit i marrin të gjitha përgjegjësitë dhe
detyrimet nga neni 19 i këtij ligji.
Neni 25
25.1. Pas vdekjes së pronarit, bashkëshorti/ja, fëmijët dhe pasardhësit e tjerë mund të vazhdojnë
të udhëheqin veprimtarinë zejtare, deri në bartjen e lejes sipas nenit 24. paragrafi 1 i këtij ligji,
përmes kryepunëtorit të përkohshëm, i cili duhet të plotësojë kushtet sipas nenit 5 dhe 8 të këtij
ligji.
25.2. Kërkesa për vazhdimin e lejes ose njoftim për ndërprerjen e ushtrimin të veprimtarisë
përmes kryepunëtorit të përkohshëm i parashtrohet organit kompetent të administratës lokale në
afat prej 30 ditësh nga dita e vdekjes së pronarit.
25.3. Kryepunëtori i përkohshëm duhet të lajmërohet te organet kompetente.
25.4. Kryepunëtori i përkohshëm është i detyruar t’i udhëheq punët në llogari të pasardhësit të
pronarit.
25.5. Nëse kryepunëtori i përkohshëm vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, përgjigjet
për dëmin e shkaktuar sipas ligjeve në fuqi.
Neni 26
26.1. Nëse pasardhësit dëshirojnë që pas vdekjes së pronarit të vazhdojnë udhëheqjen
veprimtarisë përmes kryepunëtorit, detyrohen që ta njoftojnë organin kompetent në afat prej 30
ditësh nga dita e përfundimit të procedurës trashëgimore.
26.2. Fletëparaqitjes sipas paragrafit 1 të këtij neni i duhet bashkangjitur:
a) Ekstrakti nga libri i të vdekurve,
b) Deklaratën mbi trashëgiminë,
c) Emri dhe mbiemri i kryepunëtorit si dhe vërtetimi se i plotëson kushtet nga neni 5 dhe 8 i
këtij ligji,
d) Deklarata e pasardhësit mbi pajtueshmërinë për udhëheqjen e punëve përmes
kryepunëtorit.
26.3. Organi kompetent sipas paragrafit 1 të këtij neni, nxjerr aktvendim dhe regjistron në
regjistrin zejtar vazhdimin e veprimtarisë zejtare përmes kryepunëtorit.
Neni 27
27.1. Në rast se pronari humb pjesërisht apo tërësisht aftësinë fizike, leja mund të bartet tek
bashkëshorti/ja ose tek fëmijët e tij.
27.2. Nëse pronari nuk ka bashkëshort ose fëmijë, leja mund të bartet te prindërit, përkatësisht
vëllezërit dhe motrat.
27.3. Personat nga paragrafi 1 dhe 2 të këtij neni mund të vazhdojnë kryerjen e veprimtarisë zejtare
përmes kryepunëtorit, i cili duhet t’i plotësojë kushtet nga neni 5 dhe 8 i këtij ligji.
Neni 28
28.1. Personat nga neni 27. paragrafi 1. dhe 2. të këtij ligji nëse dëshirojnë ta bartin mbi vete
lejen dhe të vazhdojnë udhëheqjen e veprimtarisë zejtare përmes kryepunëtorit janë të detyruar
të lajmërojnë organin kompetent të administratës lokale në afat prej 30 ditësh nga dita e
plotfuqishmërisë së vendimit të gjykatës mbi paaftësinë për punë.
28.2. Fletëparaqitjes sipas paragrafit 1 të këtij neni duhet t’i bashkëngjitet edhe:
a). Vendimi i plotfuqishëm i gjykatës se pronari nuk është i aftë fizikisht për të kryer
veprimtarinë zejtare,
b). Emri dhe mbiemri i kryepunëtorit si dhe vërtetimi se i plotëson kushtet nga neni 5 dhe 8 i
këtij ligji.
28.3. Organi kompetent sipas paragrafit 1 të këtij neni merr vendim dhe e regjistron bartjen e lejës
si dhe vazhdimin e veprimtarisë zejtare në regjistrin zejtar përmes kryepunëtorit.
Neni 29
Nëse personat nga neni 27. paragrafi 1 dhe 2 të këtij ligji nuk e respektojnë afatin nga neni 25
paragrafi 2, neni 26 dhe 28 të këtij ligji, e humbin të drejtën për bartjen e lejes mbi vete dhe vazhdimin
e veprimtarisë zejtare, kurse ushtrimi i veprimtarisë ndërpritet në bazë të ligjit.
Neni 30
30.1. Zejtari është i detyruar që dyqanin ta mbajë të hapur gjatë orarit të plotë të punës dhe t’u
ofrojë shërbime konsumatorëve.
30.2. Orarin e punës e përcakton organi i administratës lokale me dispozita ligjore.
30.3. Dyqani zejtar mund të punojë edhe jashtë orarit të rregullt të punës nëse këtë ia lejon organi
kompetent i administratës lokale me leje të veçantë.
30.4. Për dyqanet që kryejnë veprimtari ekskluzive zejtare, për orarin e punës vendos organi
kompetent i administratës lokale.
Neni 31
Zejtari, kryepunëtori dhe kryepunëtori i përkohshëm janë të detyruar që:
a) Veprimtarinë e lejuar zejtare ta ushtrojnë në përputhshmëri me ligjin dhe rregullat e
punës,
b) Të vendosin në vend të dukshëm listën e çmimeve të prodhimeve dhe shërbimeve dhe t’i
përmbahet kësaj,
c) Të vendosin në vend të dukshëm orarin e punës dhe t’i përmbahet atij,
d) T’ia dorëzojnë konsumatorit faturën për mallin e shitur përkatësisht shërbimin e kryer,
e) Të garantojnë për kualitetin e produktit të shitur përkatësisht shërbimit, t’i mënjanojë
mangësitë ose t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar konsumatorit në përputhshmëri me
rregullat dhe standardet në fuqi,
f) Të mbajë evidencë të rregullt gjatë kryerjes së veprimtarisë në përputhshmëri me ligjin
dhe dispozitat tjera,
g) Gjatë kryerjes së veprimtarisë zejtare t’u përmbahen dispozitave për masat mbrojtëse në
punë si dhe për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Ushtrimi i përbashkët i veprimtarisë zejtare
Neni 32
32.1. Dy apo më shumë persona fizikë mund të ushtrojnë veprimtari të përbashkët zejtare.
32.2. Marrëdhëniet dhe përgjegjësitë e personave nga paragrafi 1 i këtij neni rregullohen me
kontratë, të cilën palët kontraktuese ia dorëzojnë organit kompetent për të marrë lejen e punës
dhe për t’u regjistruar në regjistrin e Zyrës së Regjistrimit të Bizneseve.
32.3. Në kontratë nga paragrafi 2 i këtij neni aplikohen dispozitat ligjore me të cilat rregullohen
marrëdhëniet e punës në partneritet.
32.4. Veprimtaria zejtare nga paragrafi 1 i këtij neni ushtrohet nën firmën e përbashkët.
Neni 33
33.1. Personat fizik mund të ushtrojnë veprimtari të lirë dhe të ndërlidhur zejtare, nëse i
plotësojnë kushtet nga neni 5. i këtij ligji dhe së paku njëri prej personave t’i plotësojë kushtet nga
neni 8. paragrafi 1. i këtij ligji.
33.2. Qytetarët e huaj detyrimisht duhet ti plotësojnë kushtet nga neni 6 i këtij ligji.
33.3. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për më shumë persona, të cilët ushtrojnë veprimtari të
përbashkët zejtare.
Ndërprerja e veprimtarisë zejtare
Neni 34
34.1. Veprimtaria zejtare ndërpritet vullnetarisht apo me forcën e ligjit me çregjistrim nga regjistri
në Zyrën e Regjistrimit të Bizneseve.
34.2. Zejtari është i detyruar ta lajmërojë me shkrim organin kompetent para ndërprerjes së
punës.
34.3. Shuarja e veprimtarisë zejtare bëhet me njoftim nga Zyra e Regjistrimit të Bizneseve.
34.4. Ndërprerja e ushtrimit të veprimtarisë zejtare, përcaktohet me datën e shënuar në
fletëçregjistrim.
Neni 35
Veprimtaria zejtare ndërpritet në bazë të ligjit:
a). në rast të vdekjes, përkatësisht humbjes së aftësive punuese të zejtarit, nëse nuk bëhet
vazhdimi i ushtrimit të veprimtarisë zejtare nga pasardhësi i tij në pajtueshmëri me këtë
ligj.
b). nëse zejtari me aktgjykim të plotfuqishëm është dënuar me burg për vepër penale në
lidhje me ushtrimin e veprimtarisë zejtare.
c). nëse zejtari dhe punëtorët nuk i plotësojnë kushtet nga neni 5.6 i këtij ligji.
d). nëse zejtari në kundërshtim me dispozitat e nenit 36. paragrafi 1 i këtij ligji e ndërpret
ushtrimin e veprimtarisë zejtare për një kohë më të gjatë se 30 ditë.
e). nëse zejtari nuk fillon ta ushtrojë zejen në afat prej 30 ditësh pas skadimit të afatit të
ndërprerjes së përkohshme të ushtrimit të veprimtarisë zejtare.
f). nëse zejtari nuk fillon ta ushtrojë veprimtarinë zejtare në afat prej 3 muaj pas marrjes së
lejes së punës nga organi kompetent.
g). nëse vërtetohet nga organi kompetent se zejtarit i është lëshuar leja e punës në bazë të
dokumenteve falso.
h). nëse Gjykata e Nderit e Shoqatës së Zejtarëve nxjerrë vendimin mbi ndërprerjen e
ushtrimit të veprimtarisë zejtare.
i). nëse qytetarit të huaj i skadon afati i dokumenteve dhe lejes së punës.
Neni 36
36.1. Zejtari mund ta ndërpresë ushtrimin e veprimtarisë zejtare përkohësisht deri në 1 vit duke e
njoftuar me shkrim organin kompetent në afat prej 30 ditësh nga dita e ndërprerjes së
veprimtarisë.
36.2. Gjatë kohës së ndërprerjes së përkohshme të veprimtarisë zejtare, zejtarit nuk i lejohet të
ushtrojë veprimtari zejtare.
36.3. Me rastin e rifillimit të veprimtarisë zejtare, zejtari është i detyruar ta njoftojë me shkrim
organin kompetent më së voni 15 ditë para skadimit të afatit të ndërprerjes së përkohshme.
36.4. Zejtari, për ndërprerjen e përkohshme përkatësisht për rifillimin e veprimtarisë zejtare, i
njofton organet kompetente sipas nenit 14. të këtij ligji.
III. Arsimimi dhe aftësimi për ushtrimin e veprimtarisë zejtare
Neni 37
Arsimimi për ushtrimin e veprimtarive zejtare të ndërlidhura, për të cilat kërkohet përgatitje e duhur
profesionale, kryhet në institucionet shkollore të mesme, të larta dhe superiore.
Neni 38
38.1. Për ushtrimin e veprimtarive zejtare të ndërlidhura, për të cilat kërkohet përgatitje
profesionale, jepet provimi për arsimim profesional dhe joprofesional sipas programit, të cilin e
harton Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë me propozimin e Shoqatës së Zejtarëve të
Kosovës.
38.2. Provimi për aftësim profesional në lëminë përkatëse jepet para komisionit, të cilin e
themelon Shoqata Komunale e Zejtarëve dhe që përbëhet prej 3 ose 5 anëtarësh.
38.3. Provimi për aftësim profesional përfshinë njohjen praktike dhe teorike të profesionit dhe
njohuri për ushtrimin e veprimtarisë zejtare në mënyrë të pavarur.
38.4. Shoqata Komunale e Zejtarëve mban evidencë për personat që japin provimet profesionale
dhe për këtë e informon Shoqatën e Zejtarëve të Kosovës.
38.5. Për provimin e dhënë për aftësi profesionale lëshohet çertifikata.
Neni 39
39.1. Provimit për mjeshtër mund t’i nënshtrohen personat, të cilët e kanë kryer shkollën e
mesme dhe kanë më së paku 3 vjet përvojë pune në zejtari, si dhe personat me shkollë të
mesme joadekuate dhe së paku 5 vjet përvojë pune në zejtari.
39.2. Provimi kualifikues jepet para komisionit të cilin e formon Shoqata Komunale e Zejtarëve
dhe përbëhet më së paku prej 5 anëtarësh. Në komision duhet të marrë pjesë tekniku profesional
për atë zeje, si njëri ndër anëtarët e komisionit.
39.3. Pas dhënies së provimit kualifikues profesional, personi merr diplomën “mjeshtër
profesional.”
39.4. Përmbajtjen dhe formën e diplomës sipas paragrafit 2 të këtij neni e cakton Ministri i MTI-
së,në pajtim me dispozitat në fuqi.
Neni 40
40.1. Shpenzimet për dhënien e provimit për aftësim profesional dhe kualifikim i bart personi që i
është nënshtruar provimit.
40.2. Ministri i MTI-së me propozim të Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës përcakton me vendim
çmimin e dhënies së provimit për aftësim profesional si dhe çmimin për dhënien e “provimit për
mjeshtër”.
40.3. Mbikëqyrjen dhe organizimin e mbajtjes së provimit për aftësimin profesional e bënë organi
kompetent i administratës lokale.
Neni 41
41.1. Rregulloren për dhënien e provimit profesional e nxjerr administrata lokale me pëlqimin e
Shoqatës se Zejtarëve.
41.2. Rregulloren për dhënien e provimit për titull mjeshtër punëtor i kualifikuar e nxjerr OEK dhe
MTI-ja në bashkëpunim me Shoqatën e Zejtarëve të Kosovës
IV. Organizimi i zejtarëve (shoqatat zejtare)
Neni 42
42.1. Më qëllim të avancimit, harmonizimit dhe përfaqësimit të interesave të përbashkëta, zejtarët
themelojnë shoqatat e tyre territoriale, sipas veprimtarisë në nivel komunal, rajonal apo në nivel
të Kosovës.
42.2. Shoqata e zejtarëve është person juridik, jofitimprurës.
42.3. Shoqatat zejtare kanë statutin, të cilin e miraton Kuvendi i shoqatës zejtare.
42.4. Shoqatat komunale apo rajonale të zejtarëve duhet të anëtarësohen në Shoqatën e
Zejtarëve të Kosovës dhe ditën e regjistrimit bëhen anëtare dhe detyrohen të paguajnë
anëtarësinë e përcaktuar me statutin e Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës.
42.5. Shoqatat zejtare të Kosovës mbajnë raporte me Odën Ekonomike të Kosovës
Neni 43
43.1. Shoqata e Zejtarëve të Kosovës është e pavarur në organizimin e punëve profesionale të
zejtarëve, e cila themelohet për harmonizimin dhe përfaqësimin e interesave të përbashkëta të
zejtarëve të përcaktuara me statut.
43.2. Selia e Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës caktohet me statut.
43.3. Veprimtaria dhe selia e shoqatave rajonale dhe komunale përcaktohet me statutin e tyre
sipas vendit dhe emrit të komunave.
43.4. Statuti i shoqatës së zejtarëve publikohet në “Gazetën Zyrtare të Institucioneve të
Përkohsme të Vetëqeverisjes në Kosovë Kosovës”.
Neni 44
Rregullimi, udhëheqja, kompetencat, organet dhe veprimtaria e Shoqatës së Zejtarëve të
Kosovës, të shoqatave rajonale dhe komunale përcaktohen me statutet e tyre, të cilat i miratojnë
kuvendet e shoqatave të zejtarëve.
Neni 45
45.1. Shoqatën zejtare e drejtojnë anëtarët përmes organeve të shoqatës.
45.2. Me statutet e shoqatave zejtare caktohen: fushëveprimtaria, organet, përbërja e tyre,
mënyra e zgjedhjes, kohëzgjatja e mandatit dhe çështje të tjera që i përkasin organizimit të
shoqatave.
45.3. Vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të organeve të shoqatës e merr kuvendi i shoqatës.
Neni 46.
46.1. Organet drejtuese të shoqatës janë: Kuvendi, Kryetari, Këshilli Drejtues dhe Këshilli
Mbikëqyrës.
46.2. Kuvendi i shoqatës është organi më i lartë drejtues i cili përbëhet nga përfaqësuesit e
shoqatave rajonale dhe komunale.
46.3. Dispozitat e paragrafit 2 të këtij neni do të vlejnë edhe për shoqatat komunale dhe ato
rajonale.
46.4. Kuvendi i Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës ka për detyrë:
a) të miratoj statutin,
b) të emëroj dhe shkarkoj kryetarin e Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës,
c) të miratoj raportin financiar,
d) të emëroj dhe shkarkoj Këshillin Drejtues dhe mbikëqyrës,
e) të vendos për mbajtjen e zgjedhjeve,
f) të nxjerr akte normative,
g) të vendos për bazën, mënyrën dhe afatin e pagesave të kontributeve,
h) të nxjerr rregulloren mbi organizimin, përbërjen dhe mënyrën e zgjedhjes si dhe
kompetencat e Gjykatës së Nderit, procedurat dhe masat të cilat mund ti shqiptojë,
i) të marrë vendim për numrin e shoqatave rajonale dhe komunale të zejtarëve ,
organizimin dhe shtrirjen territoriale të tyre.
j) të kryejë edhe punë të tjera të përcaktuara me këtë ligj.
46.5. Me statut të Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës shprehimisht rregullohen:
a) realizimi i interesave të anëtarësisë së shoqatës,
b) të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e anëtarësisë,
c) procedura e miratimit, ndryshimit të statutit dhe akteve të tjera normative,
d) organet e shoqatës, fushёveprimtaria e tyre, përbërja, numri i anëtarëve mënyra e
zgjedhjes dhe e shkarkimit si dhe kohëzgjatja e mandatit.
e) mënyra e vendosjes në organet e shoqatës,
f) forma, organizimi i punës në shoqata, organizimi dhe detyrat e shërbimeve profesionale,
g) përfaqësimi dhe prezantimi i shoqatës,
h) përmbajtja dhe forma e realizimit të bashkëpunimit në mes të shoqatave vendase dhe
ndërkombëtare,
i) mënyra e themelimit të shoqatave rajonale dhe komunale,
j) puna dhe informimi transparent.
46.6. Këshilli Drejtues i shoqatës:
a) zbaton vendimet dhe konkluzionet e kuvendit,
b) vërteton propozim statutin dhe aktet tjera të cilat i nxjerr kuvendi,
c) propozon vendime dhe qëndrime si dhe jep mendime për çështjet që i diskuton kuvendi,
d) vendos për kundërshtimet e bëra ndaj akteve të veçanta në ushtrimin e autorizimeve
publike.
46.7. Këshilli Mbikëqyrës i shoqatës mbikëqyr zbatimin e statutit dhe akteve të tjera të Shoqatës
së Zejtarëve të Kosovës, afarizmin material, financiar dhe zotërimin e këtyre mjeteve si dhe kryen
punë tjera të parapara me statut.
46.8. Numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe mbikëqyrës, zgjedhja e tyre, mandati dhe
çështjet e tjera caktohen me statut.
46.9. Personi i njëjtë nuk ka të drejtë të jetë njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues dhe i Këshillit
Mbikëqyrës.
Neni 47.
47.1. Në kuadër të Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës themelohet dhe vepron Gjyqi i Nderit.
47.2. Gjyqi i Nderit vendos për zbatimin e dokeve dhe uzansave tregtare në ushtrimin e
veprimtarisë zejtare, për mos përmbushjen e detyrimeve të anëtarësisë, për shkeljen e statutit
dhe akteve të tjera te Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës.
Neni 48.
Mjetet e nevojshme për funksionimin dhe punët e Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës, si dhe atyre
rajonale dhe komunale sigurohen nga kontributet e paguara nga anëtarësia, por edhe nga
pronësia si dhe nga mjetet e fituara nga kryerja e shërbimeve të tjera..
V. Mbikëqyrja dhe masat admnistrative
Neni 49
Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji dhe të akteve tjera e bën Ministria kompetente
dhe inspeksioni kompetent.
Neni 50
Nëse veprimtaria zejtare ushtrohet pa leje, përkatësisht pa pëlqimin e organeve kompetente për
veprimtari specifike ose ushtrohet në kundërshtim me lejen apo pëlqimin për ushtrimin e
veprimtarisë së veçantë, inspeksioni kompetent nxjerr vendim për ndalimin e ushtrimit të
veprimtarisë zejtare dhe ndalon përdorimin e mjeteve dhe të pajisjeve, me të cilat kryhet
veprimtaria zejtare.
Neni 51
51.1 Nëse lokali dhe pajisjet nuk i plotësojnë kushtet sipas dispozitave të parapara, inspeksioni
kompetent merr vendim sipas të cilit zejtari, brenda afatit të caktuar duhet t’i mënjanojë
parregullsitë.
51.2. Nëse parregullsitë nga paragrafi 1 i këtij neni nuk mënjanohen në afatin e caktuar,
inspekcioni kompetent merr vendim për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së caktuar, për
mbylljen e lokalit, përkatësisht ndalon përdorimin e mjeteve dhe pajisjeve.
51.3. Në rast të mospërfilljes të kushteve sanitaro-shëndetësore dhe kushteve teknike, si pasojë
e të cilave mund të paraqiten dëmtime dhe pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e njerëzve,
inspeksioni kompetent merr vendim me të cilin menjëherë e ndalon ushtrimin e veprimtarisë,
derisa të mos mënjanohen parregullsitë e konstatuara.
51.4. Ankesa e palës kundër aktvendimit në lidhje me paragrafin 2dhe 3 të këtij neni, nuk e
ndalon ekzekutimin e vendimit.
Masat admnisitrative
Neni 52
52.1. Me dënim në të holla prej 150 deri 500 € dënohet për kundërvajtje pronari i dyqanit zejtar
nëse:
a). firma nuk përmban: llojin e veprimtarisë, emrin dhe shenjën e zejes, emrin e pronarit dhe
selinë (neni 15 paragrafi 2 );
b). nuk e vendos firmën në hyrje të selisë së zejtarisë apo të repartit ku kryhet veprimtaria
zejtare (neni 15 paragrafi 4);
c). ushtron veprimtarinë zejtare, e cila nuk është e përfshirë në lejen e punës, përkatësisht
për të cilën nuk e ka autorizimin ( neni 17 );
d). nuk e vendos në vend të dukshëm listën e çmimeve të produkteve përkatësisht të
shërbimeve të tij dhe nuk i përmbahet të njëjtës (neni 31 paragrafi 1 pika b);
e). nuk e vendos në vend të dukshëm orarin e punës dhe nëse nuk i përmbahet atij (neni 31
paragrafi 1 pika c );
f). nuk ia jep konsumatorit faturën për mallin e shitur ose shërbimin e kryer(neni 31.
paragrafi 1. pika d);
g). nëse nuk i garanton konsumatorit cilësi dhe nuk i mënjanon mangësitë ose nëse
konsumatorit nuk ia kompenson dëmin e shkaktuar në pajtim me dispozitat dhe
standardet në fuqi (neni 31 paragrafi 1 pika e );
h). nuk mban evidencë të rregullt për kryerjen e veprimtarisë zejtare në pajtim me ligjin dhe
dispozitat e tjera (neni 31 paragrafi 1 pika f);
i). nuk u përmbahet dispozitave për mbrojtjen në punë dhe mbrojtje e mjedisit jetësor gjatë
kryerjes së veprimtarive të regjistruara (neni 31 paragrafi 1 pika g ).
52.2. Për kundërvajtjet nga neni 23 dhe 25, dënohet edhe kryepunëtori apo kryepunëtori i
përkohshëm në të holla në shumën prej 50 deri 150 €.
52.3. Për kundërvajtje nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni, inspekcioni kompetent mund të kërkojë të
paguhet dënimi me të holla në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës.
Neni 53
53.1. Me masa admnistrative në shumë prej 200 deri në 1000 € për kundërvajtje dënohet pronari
i dyqanit zejtar nëse:
a). nuk e lajmëron ndryshimin e emërtimit dhe shenjës së zejtarisë (neni 15 paragrafi 5 );
b). nuk e lajmëron ndërrimin e selisë afariste të zejtarisë (neni 16. paragrafi 3.);
c). nuk e lajmëron fillimin e ushtrimit të veprimtarisë zejtare në afatin e përcaktuar (neni 13);
d). kryen veprimtari, e cila nuk është e përfshirë në lejen e punës ( neni 17 );
e). kryen veprimtari afariste në njësi të ndara pa lejen e organit kompetent (neni 22. paragrafi
1.);
f). kryen veprimtari zejtare gjatë kohës ku i është ndaluar kryerja e asaj veprimtarie (neni 36.
paragrafi 2.);
g). në afatin e paraparë nuk e lajmëron organin kompetent për rifillimin e punës (neni 36.
paragrafi 3).
53.2. Për përsëritje të kundërvajtjes nga paragrafi 1. i këtij neni, zejtarit mund t’i shqiptohet masa
administrative, ndalim i ushtrimit të veprimtarisë zejtare në afat prej 3 muajsh deri në 1 vit.
53.3. Me dënim me të holla prej 100 deri 200 €, dënohet edhe kryepunëtori, nëse vepron në
kundërshtim me dispozitat e këtij ligji (neni 23 paragrafi 3);
Neni 54
Me dënim në të holla në shumë prej 500 deri 1.500 € dënohet pronari i firmës zejtar nëse:
a). ushtron veprimtarinë pa leje, përkatësisht pa pëlqimin për ushtrimin e veprimtarive
ekskluzive zejtare (neni 3. paragrafi 3.);
b). për kundërvajtje nga pika a) e këtij neni, shqiptohet masa mbrojtëse me marrje të
stabilimenteve, produkteve dhe pajisjeve më të cilat është bërë kundërvajtja si dhe fitimi i
kundërligjshëm.
VI. Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare
Neni 55
55.1. Zejtarët të cilët kanë ushtruar veprimtarinë e tyre zejtare sipas dispozitave të mëparshme
ligjore, për tu detyruar që veprimtarinë e tyre zejtare ta harmonizojnë me dispozitat e këtij ligji në
afat prej 12 muajsh prej ditës së hyrjes në fuqi.
55.2. Nëse zejtarët nuk iu përmbahen dispozitave nga paragrafi 1. i këtij neni, ushtrimi i
veprimtarisë ndalohet në bazë të ligjit.
Neni 56
Ministritë kompetente, organet e administratës lokale dhe institucionet tjera janë të detyruara që
në afat prej 6 muajsh të nxjerrin rregulloret dhe aktet normative të parapara me nenin 4. paragrafi
5. të këtij ligji.
Neni 57
Ky Ligj shfuqizon çdo dispozitë të ligjit në fuqi që nuk është në përputhje me të.
Neni 58
Ky Ligj hyn në fuqi pas miratimit në Kuvendin e Kosovës dhe në ditën e shpalljes nga
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Ligji Nr. 2004/44
27 shtator 2004