LIGJI NR. 02/L-5 PËR MBËSHTETJEN E NDËRMARRJEVE TË VOGLA DHE TË MESME

GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI I / NR. 6 / 01 NËNTOR 2006

Ligji Nr. 02/L-5
PËR MBËSHTETJEN E NDËRMARRJEVE TË VOGLA
DHE TË MESME


Kuvendi i Kosovës,

Në bazë të Rregullores nr. 2001/9 të datës 15 maj 2001 të Kornizës Kushtetuese për
Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë, Kreu 5 pika (ç), 9.1.1, 9.3.3, 11.2.

Duke pasur parasysh rëndësinë e nevojës për vendosjen e një sistemi modern për mbështetjen e
ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si një problem specifik në një fushë të caktuar të
ekonomisë.

Miraton:

LIGJIN PËR MBËSHTETJEN E NDËRMARRJEVE TË VOGLA
DHE TË MESME
KREU I

Dispozitat e përgjithshme
Neni 1

Ky ligj rregullon masat dhe politikat qeveritare për klasifikimin, nxitjen e krijimit dhe të zhvillimit të
ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.


Neni 2

Qëllimi i këtij ligji është të mbështes ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, nëpërmjet krijimit të një
kuadri institucional, rregullator dhe financiar.


Përkufizimet
Neni 3

Cilido prej termave në vijim, kudo që përdoren në këtë Ligj, do të ketë kuptimin e dhënë, përveç
kontekstit brenda të cilit një term i tillë nënkupton diçka tjetër :

Ministër - nënkupton Ministrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ministri - nënkupton Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të themeluar në pajtim me Rregulloren
Nr. 2001/19 të UNMIK-ut.
Qeveria - do të thotë Kryeministri dhe kabineti i ministrave siç është parashtruar në Rregulloren e
UNMIK-ut 2001/19.

Pronë e paluajtshme - do të thotë, toka duke përfshirë çfarëdo ndërtesash në te dhe pjesë të saj
të klasifikuara si pronë e paluajtshme në përputhje me ligjin.

Pasuri - do të thotë e tërë pasuria e paluajtshme dhe e luajtshme apo personale e përdorur
drejtpërdrejt apo tërthorazi, duke përfshirë paratë e gatshme në dorë apo depozitat bankare, si
dhe të ardhurat që burojnë prej tyre nga shitja, posedimi.

Ambient Fizik - kuptojmë hapësirë pune.

Hapësirë pune - kuptojmë hapësirë pune e ndërtuar enkas për aktivitet biznesi.
Agjencia - nënkupton Agjencinë për mbështetjen e NVM-ve të themeluar në bazë të dispozitave
të këtij ligji.

Ndërmarrja - nënkupton subjektin afarist të themeluar në bazë të Rregullores së UNMIK-ut
2001/6 ose në bazë të ligjit që e zëvendëson këtë rregullore.

NVM - nënkupton ndërmarrjen e vogël dhe/ose të mesme, siç përshkruhen në Nenin 4.2 dhe 4.3
të këtij ligji.

Parku industrial ose afarist - nënkupton hapësirën e veçuar gjeografikisht nga ana e Qeverisë,
që do të shërbente si lokacion ku një numër i ndërmarrjeve do të themelonin objekte industriale
dhe/ose tregtare si dhe zyre në afërsi të njëra-tjetrës.


Klasifikimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
Neni 4

4.1. Vetëm ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të klasifikohen për asistencë që sigurohet në
bazë të këtij ligji.

4.2. Një ndërmarrje e vogël është ndërmarrja e cila:

a. i punëson deri në nëntë (9) punonjës; dhe
b. gjatë 12 muajve paraprak ka pasur qarkullim total prej 500.000 Euro ose më pak.

4.3. Një ndërmarrje e mesme është ndërmarrja e cila:

a. i punëson prej (dhjetë) 10 deri (dyzet e nëntë) 49 punonjës; dhe

b. gjatë 12 muajve paraprak ka pasur qarkullim total prej 2.400.000 Euro ose më pak.

4.4. Nëse pronari kryesor dhe udhëheqësi i lartë i një ndërmarrje besojnë që i plotësojnë kushtet
e nenit 4.2 ose 4.3 dhe dëshirojnë të marrin pjesë në një apo më shumë programe ose iniciativa
të Agjencisë për NVM, atëherë ndërmarrja i dorëzon Agjencisë për NVM:

(i) një letër ku kërkohet një pjesëmarrje e tillë, dhe
(ii) një deklaratë, që jepet personalisht nga pronari kryesor dhe udhëheqësi i lartë, ku
konfirmohet dhe verifikohet në mënyrë ligjore se ndërmarrja i plotëson kriteret e
specifikuara në nenin 4.2 dhe 4.3. Çdo person i cili jep materiale të keqinterpretuara,
pa marrë parasysh se a është bërë ky keqinterpretim me qëllim apo pa qëllim, do t’i
nënshtrohet gjobës administrative prej 1.000 Euro, e cila do të shqiptohet nga Agjencia
dhe të deponohet në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës. Njëkohësisht, çdo person që
ka paraqitur kërkesën në formë të tillë merr për obligim që brenda afatit prej tridhjetë
(30) ditësh të korrigjojë të dhënat për numrin e punonjësve të ndërmarrjes dhe/ose
vlerën e qarkullimit të saj. Çdo person i cili nuk e bënë me kohë ndryshimin e kërkuar
do të konsiderohet që keqinterpretimin material e ka bërë me qëllim dhe do t’i
nënshtrohet gjobës administrative të sipërpërmendur. Një ndryshim ose keqinterpretim
do të konsiderohet si “material-provë” nëse ndikon në kategorizimin e ndërmarrjes si e
“vogël” apo e “mesme” sipas këtij neni .
4.5. Përveç ndëshkimeve administrative personale të cekura në nenin 4.4, ndërmarrja në fjalë do
të diskualifikohet nga pjesëmarrja në cilindo program apo iniciativë e Agjencisë për NVM, për një
periudhë prej dy vitesh.

4.6. Përpos këtyre ndëshkimeve të parapara me nenin 4.4 dhe 4.5 vlejnë edhe ndëshkimet tjera
të parapara, por që nuk kufizohen vetëm, me këtë ligj.

KREU II

Programet për nxitjen e krijimit dhe zhvillimit të NVM-ve
Masat për krijimin dhe zhvillimin e NVM-ve
Neni 5

Qeveria e Kosovës, pasi që t’i merr parasysh burimet e kufizuara administrative dhe buxhetore në
Kosovë, mund të autorizojë Agjencinë që të mbështesë krijimin dhe zhvillimin e një mjedisi të
përshtatshëm për NVM-të duke:

a. punuar me huadhënësit në sektorin privat për të siguruar për NVM-të një qasje të drejtë
dhe jo-diskriminuese në huazimet private dhe mundësitë tjera kredituese.

b. punuar së bashku me kredidhënësit e sektorit privat për të identifikuar dhe minimizuar
pengesat ligjore, administrative dhe/ose juridike të cilat pa nevojë e kufizojnë kredidhënjen
në përgjithësi, apo kredidhënjen për NVM-të në veçanti.
c. bashkëpunuar me Zyrën e Statistikave të Kosovës, për të mbledhur, analizuar, dhe
shpërndarë statistika dhe shënime të tjera të cilat do të shërbenin për:
(i) të kuptuar më mirë mjedisin ekonomik dhe komercial të NVM-ve,
(ii) të ndihmuar në krijimin e politikave racionale me kosto të arsyeshme për NVM-të,
(iii) të inkurajuar investime nga furnizuesit e sektorin privat të mallrave dhe shërbimeve,
(iv) të mundësuar një zgjedhje të drejtë në vendimmarrje ndërmarrësve, huadhënësve, dhe
konsumatorëve në lidhje me prodhimet dhe shërbimet e NVM-ve.

d. bashkëpunuar me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, Ministrinë e Bujqësisë, dhe me
autoritetet tjera publike, që të sigurojë që legjislacioni dhe praktikat administrative nuk i
diskriminojnë në mënyrë të paarsyeshme ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

e. punuar dhe u takuar rregullisht me NVM-të për të identifikuar dhe zhvilluar propozime që
eliminojnë ose minimizojnë barrierat ose kushtet burokratike të panevojshme, të tepërta,
ose problematike, që rrjedhin nga një ligj ose instrument tjetër legjislativ, ose nga praktika e
administratës publike.

f. angazhuar shoqatat afariste, ato profesionale, OJQ-të dhe organizatat tjera qytetare në
zhvillimin e infrastrukturës për mbështetjen e krijimit të NVM-ve dhe zhvillimin e tyre.

g. siguruar që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të kenë mundësi konkurrimi të drejtë dhe jo-
diskriminues në kontratat Qeveritare.
h. punuar me organizatat relevante ndërkombëtare dhe institucionet qeveritare për të krijuar
mundësi tregtie jashtë Kosovës për prodhimet dhe shërbimet e llojeve të ndryshme me
prejardhje nga Kosova .

i. punuar me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe të tjerët për përpilimin e
politikave dhe instrumenteve të nevojshme juridike për t’u siguruar NVM-ve rregulla më
fleksibile mbi marrëdhëniet punëdhënës-punonjës; dhe

j. lehtësuar komunikimin:

(i) ndërmjet NVM-ve,
(ii) ndërmjet NVM-ve dhe ndërmarrjeve të mëdha të cilat kanë nevojë për
prodhimet ose shërbimet e NVM-ve, dhe
(iii) ndërmjet NVM-ve dhe këshilltarëve, trajnerëve, profesionistëve privat që
mund të ngrisin kapacitetin dhe nivelin e ekspertizës së NVM-ve.


Qëllimet e mbështetjes së NVM-ve
Neni 6

Synimi i programeve për mbështetjen e NVM-ve është sigurimi i mbështetjes ligjore dhe
rregullative për të ndihmuar iniciativat e sektorin privat dhe jo-përfitues që:

a) krijojnë një mjedis të favorshëm për ndërmarrësit privat,
b) shtojnë numrin e të punësuarve,
c) shtojnë eksportin dhe përshtatja ndaj tregut ndërkombëtar,
d) shtimi i efikasitetit, cilësisë dhe e konkurrencës së NVM-ve,
e) aplikimi i teknologjive dhe inovacioneve bashkëkohore,
f) shtimi i numrit të subjekteve të NVM-ve,
g) stimulimi i veprimtarive që nuk e ndotin ambientin.



Përfituesit e programeve mbështetëse të NVM-ve
Neni 7

Gjatë ushtrimit të funksioneve të cekura ne nenin 5, Agjencia duhet që të marrë parasysh NVM-të
në fazën e tyre fillestare, NVM-të në pronësi të konsiderueshme të femrave si dhe NVM-të që
veprimtarinë primare e ushtrojnë në një zonë që Ministria e Ekonomisë dhe Financave e ka
përcaktuar si zonë veçanërisht të varfër.



KREU III
Themelimi i Agjencisë
Neni 8

8.1. Me këtë Ligj themelohet Agjencia për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
(në tekstin e mëtejmë: Agjencia).

8.2. Agjencia themelohet në kuadër të Ministrisë, me qëllim të ushtrimit të detyrave që i jepen në
bazë të këtij ligji. Agjencia e NVM-ve mundet gjithashtu të ndërmerr aktivitete të tjera për
inkurajimin e organizatave private dhe jo-profitabile për zhvillimin e programeve dhe projekteve të
tyre të cilat janë në dobi të NVM-ve.


Selia e Zyrës
Neni 9

9.1. Agjencia ka selinë e saj në Prishtinë.

9.2. Qeveria është përgjegjëse për hartimin, miratimin dhe nxjerrjen e të gjitha akteve nën-ligjore
sipas këtij ligji. Qeveria duhet të sigurojë që të gjitha aktet nën-ligjore të jenë në pajtim me
dispozitat e këtij ligji.


Kapitali themeltar dhe operues i Agjencisë
Neni 10

Agjencia si dhe programet e veprimtaritë e saj financohet nga akordimi i mjeteve nga BKK-ja që
destinohen për këtë qëllim, sipas ligjit vjetor mbi akordimet (ndarjet) buxhetore si dhe
donacionet, kontributet dhe sponzorimet e entiteteve dhe personave juridik vendor dhe të huaj.

Agjencia udhëhiqet nga Drejtori i Agjencisë.
Neni 11

11.1. Drejtori propozohet nga ministri dhe emërohet nga Qeveria.

11.2. Drejtori, për tu emëruar duhet të plotësojë këto kushte:

a). të jetë banor i Kosovës,
b). të posedojë diplomë universitare dhe së paku 5 vjet përvojë në punët përkatëse
c). të mos i nënshtrohet ndikimit të jashtëm gjatë kryerjes së punëve të veta,
d). të punojë me orar të plotë dhe të mos ketë punësim tjetër.

11.3. Shkarkimi i Drejtorit të Agjencionit bëhet nga organi që e ka emëruar sipas këtij ligji, për shkak
të mungesës së aftësive profesionale, menaxhimit të dobët të resurseve njerëzore dhe materiale,
sjelljes së keqe ose nëse është dënuar dhe shpallur fajtor për vepër penale me burgim më të gjatë
se gjashtë muaj me ditën e fillimit të vuajtjes së dënimit.

Drejtori i Agjencisë
Neni 12

12.1. Drejtori i Agjencisë me pëlqimin e Ministrit të MTI-së, aprovon planin vjetor të punës së
Agjencisë, me të cilin rregullon detajisht aktivitetet e Agjencisë për vitin kalendarik dhe
mbikëqyrë realizimin e programit.

12.2. Drejtori i Agjencisë me pëlqimin e Ministrit aprovon organogramin dhe sistematizimin e
vendeve të punës të domosdoshme për kryerjen e veprimtarive për të cilat është themeluar
kjo Agjenci. Punëtorët e Agjencisë konsiderohen si nëpunës civil në pajtim me Rregulloren
2001/36.

Neni 13

13.1. Në afat prej 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të emërohet Drejtori i Agjencisë.

13.2. Drejtori i Agjencisë është i obliguar në afat prej 30 ditësh ti prezantojë Ministrit
organogramin e Agjencisë, sistematizimin me përshkrimin e vendeve të punës dhe planin
financiar për funksionimin normal të Agjencisë.


Neni 14

Orari i punës së Agjencisë është identik me orarin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.


Neni 15

15.1. Agjencia kohë pas kohe njofton opinionin lidhur me kushtet, afatet dhe mënyrën e ofrimit të
shërbimeve të Agjencisë.
15.2. Me rastin e organizimit të prezantimeve, seminareve dhe takimeve konsultative dhe
shkencore, Agjencia është e obliguar që përveç ftesave orarin ta publikojë edhe në mjetet e
informimit.


Mbikëqyrja
Neni 16

16.1. Agjencioni i jep përgjegjësi për aktivitetet e tij Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në
përputhje me ligjin.
16.2. Agjencia do t’i sigurojë Ministrit dhe Qeverisë raporte gjashtë-mujore.

16.3. Qeveria lejon dhe aprovon planin financiar dhe llogarinë përfundimtare të Agjencisë.

KREU IV

Hyrja në fuqi dhe zbatimi i ligjit
Neni 17

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nё Kuvendin e Kosovës dhe shpalljes nga ana e Përfaqësuesit
Special të Sekretarit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara

Më 8 shtator 2005
UNMIK/REG/2005/44