LIGJI NR. 02/L-10 PËR PËRKUJDESJEN NDAJ KAFSHËVE

GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI I / NR. 5 / 01 TETOR 2006

Ligji Nr. 02/L-10
PËR PËRKUJDESJEN NDAJ KAFSHËVE

Kuvendi i Kosovës,

Duke u bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2001/9 të 15 majit 2001 për Kornizën
Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë, Kreu 9.1.26 (a) dhe 5.1 (j)

Miraton:

LIGJIN PËR PËRKUJDESJEN NDAJ KAFSHËVE
Kreu I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Lënda

Me këtë ligj rregullohet mbajtja, kujdesi, strehimi, mbarështimi, transportimi dhe çështje të tjera të
lidhura me përkujdesjen ndaj kafshëve.


Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është krijimi i një baze ligjore për përkujdesjen ndaj kafshëve e cila do të
sigurojë nevojat fiziologjike dhe sociale të kafshëve.


Neni 3
Definicionet

Në këtë ligj termet e përdorura kanë këto domethënie përveç nëse konteksti kërkon ndryshe:

“Përkujdesje ndaj kafshëve” nënkupton të gjitha përpjekjet që sigurojnë nevojat fiziologjike dhe
sociale të kafshëve;

"Ministria" nënkupton Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;

"SHVUK" nënkupton Shërbimin Veterinar dhe të Ushqimit të Kosovës;

"Kryeshef Ekzekutiv i Veterinës" nënkupton Kryeshefin Ekzekutiv të Shërbimit Veterinar dhe të
Ushqimit të Kosovës;

“Veterinar” nënkupton personin, i cili me sukses ka kompletuar aftësimin formal për mjekësi ose
kirurgji veterinare në një fakultet të veterinës të aprovuar zyrtarisht nga Ministri kompetent;

“Inspektor për përkujdesje të kafshëve’’ nënkupton zyrtarin i cili do të jetë përgjegjës për
zbatimin e dispozitave të këtij ligji;
“Person kompetent” nënkupton personat e caktuar nga Ministria për çfarëdo qëllimi të këtij ligji;

“Mbajtës i kafshës” nënkupton personin i cili ka në ruajtje ose kujdeset për kafshën;

“Kafshë” nënkupton të gjitha kafshët e gjalla, duke përfshirë edhe shpezët, peshqit dhe bletët,
larvat që jetojnë të lira dhe format larvore riprodhuese, por pa përfshirë format fetale ose
embronike;

Kafshët e rrezikshme - janë ato lloje të kafshëve të cilat gjithmonë paraqesin rrezik për njeriun
dhe kafshët (p.sh. ujku, ariu, luani, gjarpëri etj).
Kafshë agresive- është ajo kafshë e cila në kushte të caktuara mund të bëhet e rrezikshme
(p.sh. nëse një qen mbahet gjithmonë i lidhur dhe maltretohet fizikisht, ai qen mund të bëhet i
rrezikshëm).

“Keqtrajtim i kafshëve” nënkupton veprimin apo mosveprimin me të cilin kafshës i shkaktohen
vuajtje, dhembje apo shqetësime, të cilat në shkallën dhe rrethanat në të cilat paraqiten janë të
tepruara dhe të panevojshme;

“Kafshë për eksperiment” nënkupton përdorimin e kafshës për qëllime eksperimentale apo
qëllime tjera shkencore që mund t’i shkaktojnë dhembje, shqetësim ose dëm të përhershëm,
përfshirë çfarëdo veprimi të paramenduar apo të vetëdijshëm;

“Eutanazi” nënkupton vrasjen pa dhembje në rastet e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit
publik;

“Treg për kafshë” nënkupton vendin e licencuar për shitjen e kafshëve;

“Transport i kafshëve” nënkupton lëvizjen e kafshëve me anë të mjeteve transportuese rrugore,
hekurudhore, ajrore ose ujore;

“Identifikim i kafshës” nënkupton:

a) shënjimin e kafshës me çfarëdo metode me qëllim të dallimit të kafshës ose kafshëve të
atij lloji nga të tjerat dhe

b) fiksimin, përdorimin apo vënien e shenjave të matrikulimit, mjetit të identifikimit elektronik,
ngjyrosjes apo çfarëdo gjësendi tjetër, në kafshë me qëllim të dallimit të kafshës ose
kafshëve të një lloji nga të tjerat;

“Vendstrehim i kafshëve pa pronar” nënkupton vendin për përkujdesje të kafshëve i pajisur
veçanërisht për vendosjen e kafshëve të kapura, endacake, të konfiskuara dhe kafshëve pa
pronar, si dhe kafshëve që kanë nevojë për ndihmë;

“Vendstrehim i kafshëve me pronar” nënkupton vendin për përkujdesjen e kafshëve
posaçërisht të pajisur, ku pronarët e kafshëve shtëpiake-manarëve mund t’i lënë kafshët e tyre
për kujdesjen në periudhë të caktuar kohore;

“Rezervat i kafshëve” nënkupton hapësirën e kufizuar në të cilën kafshët mbarështohen dhe
jetojnë në kushte natyrore dhe nën përkujdesjen e përhershme të njeriut;

“Kafshë e egër gjahu” nënkupton gjitarët e egër tokësor dhe shpezët e egra të dedikuara për
gjah.

“Person” nënkupton personin fizik dhe juridik;

Kreu II
MBAJTJA DHE KUJDESI I KAFSHËVE

Neni 4
Mbajtja e kafshëve

4.1.Kushtet dhe mënyra e mbajtjes së llojeve apo kategorive të kafshëve, përfshijnë:

a. Mënyrën me të cilën lidhen kafshët;
b. Mënyrën me të cilën do të ndahen kafshët sipas moshës, gjinisë apo llojit;
c. Hapësirën e lejuar për kafshë;
d. Çështjet që lidhen me higjienë dhe komoditet të kafshës, strehimin e tyre dhe masave
tjera për të siguruar shëndetin e kafshës.
e. Të dhënat për hartimin e listës së kategorive dhe llojeve të kafshëve
f. Kushtet e strehimit të kafshëve sipas llojit të tyre dhe
g. Çfarëdo çështje tjetër që mund të paraqitet.

4.2. Me qëllim të sigurimit të mirëqenjes së kafshëve, Ministria do të nxjerr akt nënligjor.


Neni 5
Kujdesi ndaj kafshëve

5.1. Personi që mban çfarëdo kafshe apo kujdeset për kafshën, do të jetë përgjegjës për sigurinë,
shëndetin dhe mirëqenien e saj.

5.2. Ministria do të nxjerr Akt nënligjor për të përcaktuar mënyrën e kujdesit, të ushqyerit,
stërvitjes, dhënies së ujit, si dhe përcaktimin e personave të kualifikuar që do të jenë përgjegjës
për përkujdesjen e kategorive dhe llojeve të tyre.


Neni 6
Mbarështimi i kafshëve

6.1. Mbarështimi i kafshëve duhet të bëhet sipas rregullave të përcaktuara për mbarështimin e
kafshëve përfshirë metodat e mbarështimit sipas llojit dhe kategorisë së tyre në mënyrë që të
njëjtat të përdoren për parandalimin e mbarështimit të pakontrolluar.

6.2. Me qëllim të zvogëlimit të popullacionit të kafshëve endacake, të rrezikshme dhe atyre të
papërshtatshme për mbarështim, mund të përcaktohet steriliteti i obligueshëm i kafshës.

6.3. Të vegjlit e llojeve apo kategorive të caktuara të kafshëve, nuk do të shkëputen nga prindërit
e tyre gjersa të arrijnë moshën e caktuar.

6.4. Personi i përfshirë në mbarështimin e kafshëve është përgjegjës për ruajtjen e
karakteristikave anatomike, fiziologjike dhe të sjelljes së kafshës, të cilat mund të vejnë në rrezik
shëndetin apo mirëqenien e të vegjëlve apo prindërve.

6.5. Për rregullimin e të gjitha çështjeve nga ky nen Ministria do të nxjerr akte nënligjore

Kreu i III
NDËRHYRJET NË JETËN E KAFSHËVE

Neni 7
Operimet kirurgjike te kafshët

7.1. Ndalohen operimet kirurgjike me qëllim të modifikimit të dukjes së kafshës me anë të së cilës
largohet apo dëmtohet cila do pjesë e trupit të kafshës, përveç me qëllim të shërimit.

7.2. Operimet kirurgjike do të kryhen nga veterinari në pajtim me dispozitat e ligjit në fuqi.

7.3. Ministria do të nxjerr Udhëzim Administrativ me të cilin përcakton mënyrën dhe rastet në të
cilat të mund kryhen operimet kirurgjike dhe transplantimi embrional në llojet apo kategoritë e
kafshëve.

Neni 8
Vrasja e kafshëve

8.1. Përveç në rastet emergjente të cilat dukshëm tregojnë dhembje ekstreme që mund të
pasojnë me ngordhje, vetëm veterinari ose personi tjetër kompetent lejohet të vras kafshën e llojit
të zbutur ose çfarëdo kafshe të egër e cila është zbutur, përveç kafshëve të mbarështuara për
prodhim të ushqimit.

8.2. Në rastet kur është e domosdoshme vrasja e kafshës, duhet të bëhet me vuajtje minimale
fizike dhe mentale të saj.

8.3. Personi përgjegjës për vrasje do të sigurojë se kafsha ka ngordhur para eliminimit të trupit të
saj.
8.4. Ministria do të nxjerr akt nënligjor me të cilin përcakton:

a) rastet në të cilat lejohet vrasja e kafshëve dhe mënyra në të cilën mund të bëhet vrasja;

b) personin që mund të vrasë kafshën;

c) objektet dhe pajisjet e thertoreve;

d) metodat e trullosjes dhe therjes së mëparshme, me kusht që metodat e tilla të sjellin
kafshën në gjendje të pavetëdijes, e cila zgjatë derisa të vritet;

e) transportin e kafshëve të lënduara apo sëmura me qëllim të therjes, duke siguruar që
transporti i tillë nuk shkakton vuajtje të mëtutjeshme për kafshët.

8.5. Dispozitat e paragrafit 8.4 të këtij neni nuk zbatohen për kafshët e egra të gjahut.
Neni 9
Kafshë për eksperiment

9.1. Eksperimenti me kafshë fillon kur kafsha është përgatitur për përdorim dhe përfundon kur
kryhet eksperimenti.

9.2. Në pajtim me dispozitat e këtij Ligji, vetëm personat e licencuar nga Ministria, mund t’i
kryejnë eksperimentet në kafshë.
9.3. Ministria mund të pezullon, modifikon apo anulon licencën e lëshuar në bazë të nenit 9.2 të
këtij Ligji.

9.4. Licenca sipas nenit 9.2 të këtij Ligji do të lëshohet vetëm kur procedurat eksperimentale nuk
shkelin rregullat dhe standardet etike të përcaktuara me këtë ligj dhe aktet nënligjore.

9.5. Licenca duhet të specifikojë procedurën e nevojshme të eksperimentit, përfshirë kushtet dhe
kufizimet të cilat konsiderohen të domosdoshme.

9.6. Bartësi i licencës sipas nenit 9.2 të këtij Ligji, me rastin e eksperimentit është i obliguar që
këtë ta bëj me shqetësime dhe dhembje sa më të vogla që është e mundur, por pa e dëmtuar
qëllimin e eksperimentit.

9.7. Bartësi i Licencës sipas nenit 9.2 të këtij Ligji duhet të mbaj evidencë për të dhënat e kafshës
për eksperiment, si dhe të dhënat gjatë dhe pas eksperimentit të kafshës dhe t’ia ofrojë ato të
dhëna Ministrisë.
9.8. Ministria do të nxjerr Udhëzim Administrativ për përdorimin e kafshëve për eksperimente.


Neni 10
Kafshët agresive

10.1. Ndalohet importimi, shitja apo mbarështimi e kafshëve agresive të cilat mund të paraqesin
rrezik për sigurinë, shëndetin e njeriut dhe kafshëve të tjera në rastet kur nuk është përcaktuar
ndryshe me ligj.

10.2. Kafshët agresive nuk duhet të mbahen në tufë dhe mund të vriten apo theren, kur ato
paraqesin rrezik për shëndetin e kafshëve dhe të njeriut, nëse këtë më parë e vlerëson SHVUK.

Kreu IV
SHFRYTËZIMI I KAFSHËVE

Neni 11
Shfrytëzimi i kafshëve për gara
11.1. Organizimi i garave në të cilat testohet shpejtësia apo fuqia e kafshës, me ç’rast kafsha
mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje mund të lejohet vetëm në rastet kur kjo është në
pajtim me dispozitat ligjore, akteve nënligjore dhe nën kontrollin e SHVUK-së.

11.2. Ministria do të nxjerr akt nënligjor për: mbajtjen e kafshëve me qëllim të rekreacionit,
garave, sportit, stërvitjes, edukimit, ekspozimit publik, shfaqjeve, ekspozitave, shitjes në tregje
dhe në ankande apo për qëllime tjera dhe - për substancat që mund të përdoren në kafshët që
marrin pjesë në gara.


Neni 12
Transporti i kafshëve

12.1. Kafshët mund të transportohen, brenda vendit nga një lokacion në tjetrin apo jashtë vendit,
vetëm nëse kafsha është:

a) e pajisur me certifikatë të lëshuar nga SHVUK me të cilën vërtetohet se kafsha është e
përgatitur për transport;

b) identifikohet me shenjë identifikimi ose dokumente të paraqitura në certifikatë;

c) Nuk është përfshirë në kushtet dhe kufizimet të cilat SHVUK i konsideron të duhura për
zbatim;

d) Transporti duhet të jetë në pajtim me dispozitat e përcaktuara ligjore.

12.2. SHVUK lëshon certifikatën sipas nenit 12.1 (a) vetëm pas inspektimit të kafshës para
ngarkimit.

12.3. Certifikata nuk do të lëshohet në rast se kafsha:

a) nuk shoqërohet me shenjë identifikimi ose dokumente të përcaktuara sipas këtij Ligji;

b) kafsha ka pjellë dyzet e tetë orë para nisjes apo konstatohet se mund të pjell gjatë
transportit;

c) konstatohet se kafsha është e sëmurë, lënduar apo e papërgatitur për transport, duke
marrë parasysh natyrën e mjeteve të transportit, mënyrën ose kohëzgjatjen e udhëtimit
apo rrethanat nën të cilat do të kryhet transporti dhe

d) konstatohet se gjatë transportit nuk mund të sigurohet respektimi i kushteve të
përcaktuara për transport.

12.4. SHVUK mund të anulojë certifikatën e lëshuar nëse vërteton se janë paraqitur rrethanat, për
të cilat po të ishin njohur në kohën e lëshimit të certifikatës, nuk do të lëshohej.

12.5. Gjatë transportit të kafshëve, transportuesi në çdo kohë duhet të mbaj të gjitha certifikatat
dhe dokumentet e lëshuara.

12.6. Kafsha që sëmuret apo lëndohet gjatë transportit duhet të marrë ndihmën e parë sa më
shpejtë që është e mundur, t’i jepet trajtimi përkatës veterinar dhe nëse është e domosdoshme, i
nënshtrohet therjes emergjente në mënyrë që mos t’i shkaktohet vuajtje e panevojshme.

12.7. Ministria do të nxjerr akt nënligjor me të cilin do të përcaktojë kushtet dhe mënyrën në bazë
të së cilës do të bëhet transporti i kafshëve në rrugët tokësore, hekurudhore, ujore dhe ajrore.
Neni 13
Mirëqenia e kafshëve në tregje

13.1. Askush nuk mund të tregtojë kafshë në kundërshtim me dispozitat e këtij Ligji.

13.2. Ministria do të nxjerr akt nënligjor për mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve në tregje.


Neni 14
Rezervatet, vendstrehimet e kafshëve pa pronar dhe
vendstrehimet e kafshëve me pronar

14.1. Rezervatet, vendstrehimet e kafshëve pa pronar dhe vendstrehimet e kafshëve me pronar
mund të mbahen vetë pas marrjes së licencës nga SHVUK.

14.2. Ministria do të nxjerr akt nënligjor me të cilin përcakton mënyrën e licencimit dhe rregullimin
e rezervateve, dhe vendstrehimeve të kafshëve me dhe pa pronar.

Kreu i V
MBIKËQYRJA

Neni 15
Inspektori për përkujdesjen ndaj kafshëve

15.1. Mbikëqyrja e zbatimit të këtij Ligji, do të bëhet nga Inspektori për përkujdesjen ndaj
kafshëve të caktuar nga ministria.

15.2. Ministria do të nxjerrë akt nënligjor me të cilin përcakton detyrat dhe autorizimet e
Inspektorit për përkujdesjen ndaj kafshëve.
15.3. Përveç Inspektorit për përkujdesjen ndaj kafshëve dhe SHVUK-së edhe autoritetet e
sigurisë publike janë gjithashtu të autorizuara për mirëqenien e kafshëve.


Neni 16
E drejta e qasjes

16.1. Për zbatimin e këtij Ligji, Inspektori për përkujdesjen ndaj kafshëve mund të hyjë në çdo
kohë, në çdo pronë, tokë, ndërtesë apo lokale që përdoren tërësisht apo pjesërisht si vendbanim i
kafshëve, për konstatimin e shkeljeve të përcaktuara me këtë Ligj.

16.2. Në rastet nga neni 16. 1 i këtij Ligji, Inspektori për përkujdesjen ndaj kafshëve duhet të
dëshmojë identitetin e tij para hyrjes në pronë, tokë apo ndërtesë dhe nëse e konsideron të
domosdoshme, mund të shoqërohet nga persona të tjerë.

16.3. Inspektori për përkujdesjen ndaj kafshëve mund të marrë për analiza mostrën e çfarëdo
substance që hasë në vendin e ngjarjes, për të cilën supozon se është përdorur si ushqim për
kafshë.

16.4. Inspektori për përkujdesjen ndaj kafshëve që hyn në tokë ose ndërtesë sipas 16.1 mund të
ekzaminojë kafshët që i gjen në tokë apo` ndërtesë dhe mund të bëjë analiza dhe merr mostra
nga kafshët të cilat i konsideron të nevojshme.

16.5. Për zbatimin e këtij Ligji, pronari ose poseduesi i kafshës është i obliguar që t’i mundësojë
Inspektorit për përkujdesjen ndaj kafshëve qasje në pronë, tokë apo ndërtesë.

Kreu VI
SANKSIONET ADMINISTRATIVE

Neni 17

Gjobitet për kundërvajtje me gjobë prej 100 deri 5.000 Euro personi që:

a). nuk kujdeset për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e kafshës (neni 5. 2);

b) bën mbarështimin e pakontrolluar të kafshës dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore
(neni 6.1);

c) bën ndarjen e të vegjëlve nga prindërit e tyre dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore
(neni 6.3);

d) mbarështon kafshë karakteristikat anatomike, fiziologjike dhe të sjelljes së të cilave mund
të jenë të rrezikshme për shëndetin dhe mirëqenien e të vegjëlve apo prindërve (neni
6.4);

e) bën operimin kirurgjik me qëllim të modifikimit të dukjes së kafshës me anë të së cilës
largohet apo dëmtohet cila do pjesë e trupit të kafshës (neni 7.1);

f) bën vrasjen e kafshës apo eliminimin e pjesëve të trupit të saj në kundërshtim me
dispozitat ligjore (neni 8.1 dhe 8.3);

g) bën eksperimentimin në kafshë pa licencë për kryerjen e eksperimentit në kafshë dhe
shkel rregullat dhe standardet etike (neni 9.2 dhe 9.4);

h) nuk mban evidencë për të dhënat e kafshës për eksperiment, si dhe të dhënat gjatë dhe
pas eksperimentit dhe nuk ia ofron ato Ministrisë (neni 9.7);

i) bën importimin, shitjen apo mbarështimin e kafshës agresive në kundërshtim me
dispozitat e këtij Ligji (neni 10.1);

j) bën organizimin e garave në të cilat testohet shpejtësia apo fuqia e kafshës, me ç’rast
kafsha mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje apo bën organizimin e tyre në
kundërshtim me dispozitat ligjore (neni 11.1);

k) në kafshë që marrin pjesë në gara, përdor substanca që nuk janë të përcaktuara me
dispozitat ligjore (neni 11. 2);

l) bën transportimin e kafshës për të cilat nuk posedon certifikatë për transportimin e tyre,
nuk ka shenjë identifikimi dhe është nën kushtet e kufizimeve të SHVUK-së (neni 12. 1);

m) gjatë transportimit të kafshës nuk mban të gjitha certifikatat dhe dokumentet e lëshuara
(neni 12. 5);

n) bën tregtimin e kafshëve në kundërshtim me dispozitat ligjore (neni 14);

o) hap apo mban rezervate, vendstrehime të kafshëve pa pronar apo të kafshëve me
pronar, pa lejen e SHVUK-së sipas nenit 14.1;

p) nuk i mundëson Inspektorit për përkujdesjen e kafshëve qasje për kryerjen e punës së tij
(neni 16. 5).

Kreu i VII
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Neni 18
Zbatimi

18.1. Për zbatimin e këtij Ligji, Ministria do të nxjerr akte nënligjore.

18.2. Gjuetia apo vrasja e çfarëdo kafshe të egër apo dëmtuesi, do të rregullohet me ligj të
veçantë.

18.3. Ministria periodikisht do të përgatisë dhe publikojë kodet e praktikës së mirë që përmbajnë
rekomandimet në lidhje me mirëqenien e kafshëve për qëllime bujqësore.


Neni 19
Të hyrat

Të hyrat nga taksat dhe gjobat sipas këtij Ligji derdhen në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës.

Neni 20
Ligji i aplikueshëm

Me hyrjen në fuqi të këtij Ligji do të shfuqizohen dispozitat e ligjeve të tjera që janë në
kundërshtim me këtë Ligj.


Neni 21
Hyrja në fuqi

Ky Ligj hyn në fuqi pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i
Sekretarit të Përgjithshëm.


Më 9 maj 2005
UNMIK/REG/2005/24