Ligji Nr. 2004 / 26
LIGJI PËR TRASHËGIMINË I KOSOVËS
PJESA E PARË
KREU I PARË
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Objekti i Ligjit të Trashëgimisë
Neni 1
1.1.Me këtë Ligj rregullohet e drejta e trashëgimisë.
1.2.Trashëgimia është kalimi me Ligj ose në bazë të testamentit i pasurisë (trashëgimit) së
personit të vdekur (trashëgimlënësit) tek një ose më shumë persona (trashëgimtarët ose
legatarët), sipas rregullave të caktuara në këtë Ligj.
1.3. Me këtë Ligj rregullohen procedurat në bazë të të cilave gjykata, organet tjera dhe personat
tjerë të autorizuar duhet të veprojnë në çështjet trashëgimore
1.4.Në kuptim të këtij Ligji emrat në gjininë mashkullore nënkuptojnë edhe emrat në gjininë
femërore dhe anasjelltas pa diskriminim.
Objekti i trashëgimit
Neni 2
Mund të trashëgohen sendet dhe të drejtat të cilat i përkasin individëve.
Barazia në trashëgimi
Neni 3
3.1.Të gjithë personat fizikë në kushte të njejta janë të barabartë në trashëgimi.
3.2. Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia është njohur rregullisht ose është vërtetuar me
vendim të gjykatës apo të organit kompetent si dhe fëmijët e adoptuar barazohen me fëmijët
legjitim.
3.3. I adoptuari nuk trashëgon në familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë.
3.4. Të huajt janë të barabartë në trashëgimi me kosovarët, me kusht reciprociteti. Reciprociteti
prezumohet.
Fitimi i trashëgimit
Neni 4
4.1. Trashëgohet për shkak të vdekjes dhe në momentin e vdekjes së personit fizik.
4.2. Mund të trashëgohet secili person fizik.
Koha dhe vendi i hapjes së trashëgimit
Neni 5
5.1. Personin e vdekur fizik (trashëgimlënësin) e trashëgon ai i cili në momentin e vdekjes së tij
ka fituar të drejtën trashëgimore (trashëguesi).
5.2. Secili person është i aftë për të trashëguar, po që se me ligj nuk është paraparë ndryshe.
5.3. E drejta në trashëgimi fitohet në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit. Fituesi i të drejtës
në trashëgimi mund të heqë dorë nga kjo e drejtë sipas dispozitave të këtij ligji, me ç’rast do të
merret se këtë të drejtë asnjëherë nuk e ka fituar.
Marrëveshjet për trashëgiminë e ardhshme
Neni 6
Është e pavlefshme çdo marrëveshje mes trashëgimtarëve të ardhshëm, ose mes
trashëgimtarëve të ardhshëm dhe personave të tretë, lidhur me një trashëgimi ende të pahapur.
Zotësia për të trashëguar
Neni 7
7.1. Personi që në kohën e hapjes së trashëgimisë është gjallë, ose është zënë para vdekjes së
trashëgimlënësit dhe ka lindur i gjallë, ka zotësi për të trashëguar.
7.2. Konsiderohet se ka qenë zënë në kohën e hapjes së trashëgimisë, ai person që ka lindur i
gjallë brenda 300 ditëve nga vdekja e trashëgimlënësit.
Bazat për thirrjen në trashëgimi
Neni 8
Trashëgimia fitohet me ligj ose testament.
Trashëgimia ligjore në përgjithësi
Neni 9
Trashëgimia me ligj zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka lënë testament, ose ka lënë testament
vetëm për një pjesë të pasurisë së tij, ose kur testamenti është tërësisht ose pjesërisht i
pavlefshëm.
Disponimet në rast vdekje (mortis causa)
Neni 10
Kur trashëgimlënësi nuk ka trashëgimtar, e drejta për të trashëguar kalon në komunë, e cila fiton
pozitë të njejtë sikurse me qenë trashëgimtar i trashëgimlënësit dhe kjo nuk mund të heqë dorë
nga trashëgimia.
KREU I DYTË
TRASHËGIMIA ME LIGJ
Trashëgimtarët ligjorë
Neni 11
11.1.Trashëgimtarë ligjorë janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e
tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllëzërit e motrat dhe pasardhësit e tyre, gjyshi e gjyshja dhe
pasardhësit e tyre.
11.2. Me ligj trashëgimlënësin e trashëgon edhe bashkëshorti i tij jashtëmartesor, i cili barazohet
me bashkëshortin martesor. Bashkësi jashtëmartesore në kuptim të këtij Ligji konsiderohet
bashkësia jetësore e gruas së pamartuar dhe e burrit të pamartuar e cila ka zgjatur një kohë të
gjatë dhe që ka pushuar me vdekjen e trashëgimlënësit, me kusht të kenë qenë plotësuar
prezumimet për vlefshmërinë e martesës.
11.3. Këta persona thirren në trashëgim sipas radhës së caktuar në këtë Ligj.
11.4. Trashëgimtarët e radhës më të afërt të trashëgimisë i përjashtojnë nga trashëgimia
personat e radhës më të largët.
I – RADHËT E TRASHËGIMISË
1. - RADHA E PARË E TRASHËGIMISË
Pasardhësit dhe bashkëshorti i trashëgimlënësit
Neni 12
12.1. Trashëgimlënësin e trashëgojnë para të gjithëve fëmijët e tij dhe bashkëshorti i tij.
12.2. Personat nga paragrafi (1) i këtij Neni trashëgojnë në pjesë të barabarta.
E drejta e përfaqësimit
Neni 13
13.1. Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, në vend të tij hyjnë me zëvendësim
fëmijët e tij, e kur edhe të paslindurit për shkaqet e parapara me Ligj nuk mund të jenë
trashëgimtarë, hyjnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim.
13.2. Personat nga paragrafi (1) i këtij Neni trashëgojnë në pjesë të barabarta.
2. - RADHA E DYTË E TRASHËGIMISË
Prindërit dhe bashkëshorti i trashëgimlënësit
Neni 14
14.1. Pasurinë e trashigimlënësit që nuk ka lënë pasardhës e trashëgojnë prindërit e tij dhe
bashkëshorti i tij.
14.2. Prindërit e trashëgimlënësit trashëgojnë gjysmën e pasurisë në pjesë të barabarta, kurse
gjysmën tjetër të pasurisë e trashëgon bashkëshorti i trashëgimlënësit.
14.3. Në qoftë se trashëgimlënësi nuk ka lënë bashkëshort, prindërit e trashëgimlënësit e
trashëgojnë tërë pasurinë në pjesë të barabarta.
14.4. Në qoftë se të dy prindërit e trashëgimlënësit kanë vdekur para tij, bashkëshorti trashëgon
tërë pasurinë.
Vëllezërit dhe motrat e trashëgimlënësit dhe pasardhësit e tyre
Neni 15
15.1. Në qoftë se njëri nga prindët e trashëgimlënësit ka vdekur para trashëgimlënësit, pjesën e
pasurisë trashëgimore që do t’i takonte sikur të kishte jetuar pas trashëgimlënësit e trashëgojnë
fëmijët e tij (vëllezërit dhe motrat e trashëgimlënësit), nipat e stërnipat e tij dhe pasardhësit e
largët të tij, sipas dispozitave të këtij Ligji që vlejnë për rastin kur trashëgimlënësin e trashëgojnë
fëmijët dhe pasardhësit e tjerë të tij.
15.2. Në qoftë se të dy prindët e trashëgimlënësit kanë vdekur para trashëgimlënësit, pjesën e
pasurisë trashëgimore që do t’i takonte secilit prej tyre sikur të kishin jetuar pas trashëgimlënësit
e trashëgojnë pasardhësit përkatës, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni.
15.3. Në të gjitha rastet vëllezërit dhe motrat e trashëgimlënësit vetëm nga ana e atit trashëgojnë
në pjesë të barabarta pjesën e pasurisë trashëgimore të atit, vëllezërit dhe motrat vetëm nga ana
e nënës trashëgojnë në pjesë të barabarta vetëm pjesën e nënës, kurse vëllezërit dhe motrat të
së njëjtës nënë dhe të të njëjtit at trashëgojnë në pjesë të barabarta me vëllëzërit dhe motrat nga
ana e të atit pjesën e të atit, kurse me vëllezërit dhe motrat nga ana e nënës pjesën e nënës.
Trashëgimi i një prindi që ka vdekur pa pasardhës
Neni 16
Në qoftë se njëri nga prindërit e trashëgimlënësit ka vdekur para trashëgimlënësit, e nuk ka lënë
asnjë pasardhës, pjesën e pasurisë trashëgimore që do t’i takonte sikur të kishte jetuar pas
trashëgimlënësit e trashëgon prindi tjetër, e në qoftë se edhe ky ka vdekur para trashëgimlënësit,
pasardhësit e tij trashëgojnë pjesën e pasurisë trashëgimore që do t’u takonte të dy prindërve,
sipas Nenit 15 të këtij Ligji.
3. - RADHA E TRETË E TRASHËGIMTARËVE
Trashëgimi i prindërve që kanë vdekur pa pasardhës
Neni 17
Në qoftë se të dy prindërit e trashëgimlënësit kanë vdekur para trashëgimlënësit e nuk kanë lënë
asnjë pasardhës, tërë pasurinë trashëgimore e trashëgon bashkëshorti i trashëgimlënësit.
Gjyshërit dhe gjyshet e trashëgimlënësit
Neni 18
18.1. Pasurinë trashëgimore të trashëgimlënësit që nuk ka lënë pasardhës, bashkëshort prindër
dhe prindërit e tij nuk kanë lënë pasardhës të tjerë, e trashëgojnë gjyshërit dhe gjyshet e tij.
18.2. Gjysmën e pasurisë trashëgimore e trashëgojnë gjyshi dhe gjyshja nga ana e atit, kurse
gjysmën tjetër gjyshi dhe gjyshja nga ana e nënës.
Të drejtat e gjyshit dhe të gjyshes të të njëjtit trung
Neni 19
19.1.Gjyshi dhe gjyshja të të njëjtit trung trashëgojnë në pjesë të barabarta.
19.2. Në qoftë se ndonjë nga parardhësit e të njëjtit trung ka vdekur para trashëgimlënësit, pjesën
e pasurisë trashëgimore që do t’i takonte sikur të kishte jetuar pas trashëgimlënësit e trashëgojnë
fëmijët e tij sipas rregullave që aplikohen për rastin kur trashëgimlënësin e trashëgojnë fëmijët e
tij.
19.3. Për çdo gjë tjetër lidhur me të drejtën trashëgimore të gjyshit dhe të gjyshes të të njëjtit
trung dhe të pasardhësve të tyre zbatohen dispozitat sipas të cilave trashëgimlënësin e
trashëgojnë prindërit e dhe vëllezërit e motrat e tij.
Trashëgimi i gjyshit dhe i gjyshes të të njëjtit trung
të cilët kanë vdekur pa pasaradhës
Neni 20
Në qoftë se gjyshi dhe gjyshja e të njëjtit trung kanë vdekur para trashëgimlënësit dhe nuk kanë
lënë pasardhës, pjesën e pasurisë trashëgimore që do t’u takonte sikur të kishin jetuar pas
trashëgimlënësit e trashëgojnë gjyshi dhe gjyshja e trungut tjetër, sikurse është caktuar në Nenin
19 të këtij Ligji.
1. TRASHËGIMI NGA ANA E AUTORITETEVE PUBLIKE
Komuna si trashëgimtar ligjor i radhës së fundit
Neni 21
21.1. Nëse trashëgimlënësi nuk lënë as trashëgimtarë ligjor dhe as testament, konsiderohet se
trashgëmia i takon komunës ku trashëgimlënësi ka pasur vendbanimin ose vendqendrimin e tij të
fundit.
21.2. Nëse ky vendbanim ose vendqendrim ka qënë jashtë Kosovës, atëherë pasuria
trashëgimore konsiderohet se i takon Komunës ku trashëgimlënësi ka pasur vendbanim ose
vendqëndrim e tij të fundit në Kosovë dhe nëse nuk ka pasur kurrë këtë, pasuria trashëgimore i
takon Kosovës.
II – DISPOZITA TË VEÇANTA PËR DISA TRASHËGIMTARË
1. - FËMIJËT
Trajtimi i barabartë i fëmijëve të trashëgimtarit
Neni 22
Fëmijët e lindur në martesë, jashtë martese, kur atësia është njohur rregullisht ose është
vërtetuar me vendim të gjykatës apo të organit kompetent, si dhe ata të adoptuar dhe pasardhësit
e tyre kanë të drejta të barabarta në trashëgimi.
Shtimi i pjesës trashëgimore të fëmijëve
Neni 23
Kur ekziston fëmija i trashëgimlënësit, prindi tjetër i të cilit nuk është bashkëshort pasjetues, e
pasuria e bashkëshortit pasjetues është më e madhe se pjesa që do t’i takonte me rastin e
ndarjes së pasurisë trashëgimore në pjesë të barabarta, atëherë secilit fëmijë të trashëgimlënësit
i takon pjesa dy herë më e madhe sesa bashkëshortit, nëse gjykata, pasi të marrë parasysh të
gjitha rrethanat e rastit, nuk vendos ndryshe.
2. - TË ADOPTUARIT DHE ADOPTUESIT
Barazia në trashëgimi
Neni 24
I adoptuari dhe pasardhësit e tij ndaj adoptuesit kanë të drejta të njëjta trashëgimore sikurse
fëmijët e adoptuesit dhe pasardhësit e tjerë të tij.
Pasojat e kërkesës për pushimin e adoptimit
Neni 25
I adoptuari dhe pasardhësit e tij nuk e trashëgojnë adoptuesin, në qoftë se adoptuesi ka paraqitur
kërkesë për pushimin e adoptimit, kurse pas vdekjes së tij vërtetohet se kërkesa e tij ka pasur
mbështetje (ligjore).
3. - TË DREJTAT E BASHKËSHORTIT
Regjimi i pasurisë bashkëshortore
Neni 26
26.1. Bashkëshorti i trashëgimlënësit ka të drejtë të kërkojë pjesën që i takon në pasurinë e
përbashkët të fituar me punë nga bashkëshortët gjatë martesës.
26.2. Nëse trashëgimlënësi dhe bashkëshorti i tij kanë pasur pasuri të përbashkët sipas regjimit
të tyre të pasurisë bashkëshortore, vetëm pjesa që i takon trashëgimlënësit pas ndarjes së
pasurisë së përbashkët bëhet objekt i trashëgimisë.
26.3. Asgjë në këtë ligj nuk do të interpretohet në frymën e kufizimit të së drejtës së bashkëshortit
pasjetues për çkado që atij i takon sipas dispozitave të Ligjit të Familjes në lidhje me mbarimin e
regjimit të pasurisë bashkëshortore.
Kur bashkëshorti nuk ka të drejtë për të trashëguar
Neni 27
27.1. E drejta e trashëgimit midis bashkëshortëve pushon me shkurorizimin ose me nulimin e
martesës.
27.2. Bashkëshorti nuk ka të drejtë të trashëgojë:
a. Në qoftë se trashëgimlënësi ka paraqitur padi shkurorëzimi, kurse pas vdekjes së
trashëgimlënësit është bërë shkurorëzimi me aktgjykim të formës së prerë;
b. Në qoftë se martesa e tij me trashëgimlënësin anulohet me aktgjykim të formës së prerë
pas vdekjes së trashëgimlënësit për shkaqet që bashkëshorti pasjetues i ka ditur në
kohën e lidhjes së martesës;
c. Në qoftë se bashkëjetesa e tij me trashëgimlënësin ka pushuar me fajin e bashkëshortit
pasjetues, ose në bazë të marrëveshjes me shkrim me trashëgimlënësin.
4. - PERSONAT QË JETOJNË NË BASHKËSINË JASHTËMARTESORE
Neni 28
28.1. Burri dhe gruaja që bashkëjetojnë në një bashkësi jashtëmartesore mund të trashëgojnë
njëri-tjetrin si bashkëshortë, nëse:
a. Bashkësia jashtëmartesore deri në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit ka zgjatur të
paktën 10 vjet, e nëse nga kjo marrdhënie kanë lindur fëmijë-të paktën 5 vjet dhe,
b. Në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit as njëri nga personat që kanë bashkëjetuar
të mos ketë qënë ligjërisht i martuar me ndonjë person të tretë, ose nëse trashëgimlënësi
ka qenë ligjërisht i martuar me personin e tretë, ka paraqitur padi për shkurorëzimin ose
nulimin e martesës dhe pas vdekjes së tij konstatohet se padia ka pasur mbështetje.
28.2. Personat që kanë bashkëjetuar nuk konsiderohen si trashëgimtar të domosdoshëm.
28.3. Personi që ka bashkëjetuar nuk ka të drejtën e trashëgimit nëse çifti nuk ka jetur për një
kohë të gjatë së bashku.
5. PERSONAT QË PËRFITOJNË NGA DETYRIMI PËR USHQIM OSE MBAJTJA
Të drejtat e personave ndaj të cilëve trashëgimlënësi ka paguar detyrimin për ushqim ose
mbajtjen
Neni 29
29.1. Çdo detyrim i trashëgimlënësit për të dhënë ushqimin ose mbajtjen trasferohet tek
trashëgimia si borxh, nëse personi që përfiton nga ushqimi ose mbajtja nuk i ka mjetet e
nevojshme për jetesë.
29.2. Trashëgimtarët ose legatarët janë përgjegjës për pagimin e këtij borxhi sipas dispozitave që
rregullojnë përgjegjësinë e kreditorëve të trashëgimlënësit në përgjithësi.
III. Trashëgimtarët e domosdoshëm
Trashëgimtarët e domosdoshëm në përgjithësi
Neni 30
30.1. Trashëgimtarë të domosdoshëm janë: pasardhësit e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij
dhe pasardhësit e tyre, prindërit dhe bashkëshorti i tij.
30.2. Gjyshërit e trashëgimlënësit, motrat dhe vëllezërit e trashëgimlënësit janë trashëgimtarë të
domosdoshëm vetëm në qoftë se janë plotësisht të paaftë për punë dhe nuk kanë mjete për
jetesë.
30.3. Personat e cekur në paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni janë trashëgimtarë të domosdoshëm
kur sipas radhës ligjore të trashëgimit janë thirrur për trashëgim.
Pjesa e domosdoshme dhe disponibile e pasurisë trashëgimore
Neni 31
31.1.Trashëgimtarët e domosdoshëm kanë të drejtë në pasurinë trashëgimore me të cilën
trashëgimlënësi nuk mund të disponojë dhe e cila quhet pjesë e domosdoshme.
31.2. Pjesa e domosdoshme e pasardhësve dhe bashkëshortit përbën një të dytën, ndërsa pjesa
e domosdoshme e trashëgimtarëve të tjerë një të tretën e pjesës që do t’i takonte secilit si
trashëgimtar ligjor në pajtim me dispozitat mbi radhët e trashëgimit.
1. - LLOGARITJA E PJESËS SË DOMOSDOSHME
Përcaktimi i vlerës së pasurisë trashëgimore
Neni 32
32.1.Vlera e pasurisë trashëgimore në bazë të së cilës llogaritet pjesa e domosdoshme llogaritet
në këtë mënyrë:
32.2. Së pari, inventarizohen dhe vlerësohen të gjitha të mirat që ka pasur trashëgimlënësi në
çastin e vdekjes, duke llogaritur këtu të gjitha ato që ka disponuar me testament, si dhe të gjitha
borxhet që ia kanë të tjerët, edhe ato që ia ka ndonjë trashëgimtar, me përjashtim të borxheve që
qartazi që nuk mund të arkëtohen .
32.3. Nga vlera e përcaktur e të mirave që ka pasur trashëgimlënësi në çastin e vdekjes zbritet
shuma e borxheve të tij, shuma e shpenzimeve të inventarizimit e të vlerësimit të pasurisë
trashëgimore dhe e shpenzimeve të varrosjes së trashëgimlënësit.
32.4. Pjesës që mbetet i shtohet vlera e të gjitha dhurimeve që trashëgimlënësi ka bërë në
çfarëdolloj mënyre ndaj ndonjë trashëgimtari ligjor, madje edhe e dhurimeve që u ka bërë
trashëgimtarëve që heqin dorë nga trashëgimi, si dhe e atyre dhurimeve për të cilat
trashëgimlënësi ka urdhëruar që të mos i llogariten trashëgimtarit në pjesën e tij trashëgimore.
32.5. Kësaj shume i shtohet edhe vlera e dhurimeve që trashëgimtari në vitin e fundit të jetës së
tij u ka bërë personave të tjerë që nuk janë trashëgimtarë ligjorë, me përjashtim të dhurimeve të
rëndomta.
Çfarë konsiderohet dhurim
Neni 33
Në kuptim të këtij Ligji “dhurim” konsiderohet çdo heqje dorë nga një e drejtë, falja e borxhit, çdo
transferim i pasurisë në interes të një trashëgimtari në emër të pjesës trashëgimore, ose për të
themeluar apo për të zgjeruar familjen, ose për të ushtruar mjeshtërinë, si dhe çdo disponim tjetër
pa shpërblim.
Caktimi i vlerës së dhurimit
Neni 34
Për vlerësimin e dhurimit merret vlera e sendit të dhuruar në çastin e vdekjes së trashëgimlënësit,
e sipas gjendjes së tij në kohën e dhurimit të bërë.
Dhurimi në formë të sigurimit
Neni 35
Kur dhurimi përbëhet nga sigurimi në dobi të dhuratëmarrësit, si vlerë e dhurimit merret shuma e
premive që ka paguar trashëgimlënësi, nëse kjo shumë është e barabartë ose më e vogël se
shuma e siguruar; e nëse shuma e premive është më e madhe se shuma e siguruar, si vlerë e
dhurimit merret shuma e siguruar.
2. PASURIA QË VEÇOHET NGA PASURIA TRASHËGIMORE
Veçimi në dobi të pasardhësve që kanë punuar me trashëgimlënësin
Neni 36
36.1.Pasardhësit e trashëgimlënësit që kanë bashkëjetuar me të, dhe që me punën, fitimin e vet
ose në ndonjë mënyrë tjetër i kanë ndihmuar në punë, kanë të drejtë të kërkojnë që nga pasuria
të veçohet pjesa që i përgjigjet kontributit të tyre për shtimin e vlerës së saj, po qe se nuk e kanë
bërë këtë më parë.
36.2. Pjesa e veçuar në këtë mënyrë nuk i takon pasurisë trashëgimore, prandaj nuk merret
parasysh në rastin e llogaritjes së pjesës së domosdoshme dhe as nuk llogaritet në pjesën
trashëgimore të trashëgimtarit.
36.3. E drejta nga paragrafi 1 i këtij Neni realizohet vetëm me kërkesën e autorizuesit. E drejta në
paraqitjen e kërkesës pushon 5 vjet nga dita e hapjes së trashëgimit.
Veçimi i sendeve të shtëpisë
Neni 37
37.1. Bashkëshortit pasjetues dhe pasardhësve të trashëgimlënësit që kanë bashkëjetuar me të
njëjtën familje u takojnë sendet e shtëpisë që shërbejnë për plotësimin e nevojave të tyre të
përditshme, siç janë orenditë, mobiljet, etj., por jo edhe atëherë kur këto sende kanë vlerë të
madhe.
37.2. Sendet e veçuara në këtë mënyrë nuk merren parasysh me rastin e llogaritjes së pjesës së
domosdoshme, as që i llogariten trashëgimlënësit në pjesën trashëgimore të tij.
37.3. Personat nga paragrafi 1 i këtij Neni fitojnë të drejtën e bashkëpronësisë në pjesë të
barabarta mbi sendet shtëpiake të veçuara.
3. ZVOGËLIMI I DISPONIMIT ME TESTAMENT DHE KTHIMI I DHURIMIT PËR SHKAK TË
CËNIMIT TË PJESËS SË DOMOSDOSHME
Cenimet e pjesës së domosdoshme.
Neni 38
38.1.Kur cenohet pjesa e domosdoshme, disponimi me testament do të zvogëlohet, kurse
dhurimi do të kthehet në masën që nevojitet të plotësohet pjesa e domosdoshme.
38.2. Pjesa e domosdoshme cenohet kur vlera e përgjithshme e disponimit me testament dhe e
dhurimit tejkalon pjesën disponibile. Kjo vlerë përfshin dhurime dhe disponime me testament për
të cilat trashëgimlënësi ka urdhëruar që të mos i llogariten trashëgimtarit të domosdoshëm në
pjesën trashëgimore të tij.
Radha e zovgëlimit dhe e kthimit
Neni 39
39.1. Kur cenohet pjesa e domosdoshme, më parë zvogëlohen disponimet me testament dhe
nëse pjesa e domosdoshme nuk plotësohet në këtë mënyrë, atëherë kthehen dhurimet.
39.2. Nëse dhurata nuk mund të kthehet si send (in rem), personi që ka marrë dhuratën duhet të
kthejë vlerën e saj sipas dispozitave mbi kthimin në rast të pasurimit pa bazë.
Zvogëlimi proporcional i disponimeve me testament
Neni 40
Disponimet me testament zvogëlohen në të njëjtën masë, pa marrë parasysh natyrën e tyre dhe
vëllimin e tyre dhe pa marrë parasysh a gjenden në një ose më shumë testamente, po qe se nga
testamenti nuk del diçka tjetër.
Legu i privilegjuar
Neni 41
Në qoftë se trashëgimlënësi ka lënë disa legë dhe ka urdhëruar që ndonjë leg të paguhet para të
tjerëve, ky leg do të zvogëlohet vetëm nëse vlera e legëve të tjerë nuk mjafton për t’u plotësuar
pjesa e domosdoshme.
Zvogëlimi proporcional i legëve
Neni 42
42.1.Trashëgimtari me testament, pjesa trashëgimore e të cilit duhet të zvogëlohet për t’u
plotësuar pjesa e domosdoshme, mund të kërkojë zvogëlimin proporcional të legëve që ai duhet
t’i paguajë, po qe se nga testamenti nuk del diçka tjetër.
42.2.Dispozita nga paragrafi 1 i këtij Neni vlen edhe për legatarin të cilin trashëgimlënësi e ka
urdhëruar të paguajë diçka nga legu i vet.
Radha e kthimit të dhurimeve
Neni 43
43.1. Kthimi i dhurimeve bëhet duke filluar nga dhurimi i fundit dhe vazhdon në të kundërtën me
radhë tek dhurimet më të hershme .
43.2. Dhurimet e bëra njëkohësisht kthehen në mënyrë proporcionale nga vlera e dhurimit.
Pozita e dhuratëmarrësit që kthen dhurimin
Neni 44
Sa i përket sendit të dhuruar që është i detyruar ta kthejë, dhuratëmarrësi konsiderohet si mbajtës
me mirëbesim deri në ditën që ka marrë dijeni për kërkesën që të kthejë dhurimin.
E drejta e kërkesës për zvogëlimin e disponimeve me testament dhe kthimin e dhurimeve
Neni 45
45.1. Zvogëlimin e disponimeve me testament dhe kthimin e dhurimeve me të cilat është cënuar
pjesa e domosdoshme mund ta kërkojnë vetëm trashëgimtarët e domosdoshëm.
45.2. Kjo e drejtë nuk mund të cënohet nga kreditorët e trashëgimtarit të domosdoshëm
Parashkrimi i kërkesës
Neni 46
Zvogëlimi i disponimeve me testament mund të kërkohet brenda afatit prej tri vitësh nga shpallja
e testamentit dhe kthimi i dhurimeve brenda afatit prej tri vitësh nga vdekja e trashëgimlënësit,
përkatësisht nga dita që ka marrë formën e prerë vendimi për shpalljen e tij si të vdekur ose
vendimi me të cilin konfirmohet vdekja e tij.
IV – LLOGARITJA E DHURIMEVE DHE E LEGËVE NË PJESËN TRASHËGIMORE
Llogaritja e dhurimeve trashëgimtarit ligjor
Neni 47
47.1.Çdo trashëgimtari ligjor i llogaritet në pjesën trashëgimore çdo gjë që ka marrë dhurim nga
trashëgimlënësi në çfarëdo mënyre.
47.2. Frytet ose përfitimet e tjera që ka pasur trashëgimtari nga sendi i dhuruar deri në vdekjen e
trashëgimlënësit nuk llogariten.
47.3. Dhurimi nuk llogaritet, nëqoftëse trashëgimlënësi ka deklaruar në kohën e dhurimit ose më
vonë ose në testament, se dhurimi nuk do të llogaritet në pjesën trashëgimore ose nga rrethanat
mund të konkludohet se ky ka qenë vullneti i trashëgimlënësit.
47.4. Ky nen nuk cënon dispozitat për pjesën e domosdoshme.
Llogaritja e legut trashëgimtarëve ligjorë
Neni 48
Legu që i është lënë trashëgimtarit ligjor llogaritet në pjesën trashëgimore të tij, përveç nëse nga
testamenti del se trashëgimlënësi ka dashur që trashëgimtari të marrë legun përpos pjesës së tij
trashëgimore.
Si bëhet llogaritja e dhurimeve dhe e legëve
Neni 49
49.1. Llogaritja e dhurimeve dhe e legëve bëhet në atë mënyrë që trashëgimtarët e tjerë marrin
nga pasuria trashëgimore vlerën përkatëse dhe pastaj ajo që mbetet nga pasuria trashëgimore
ndahet midis të gjithë trashëgimtarëve.
49.2. Në qoftë se sendet dhe të drejtat që ka pasur trashëgimlënësi në momentin e vdekjes nuk
mjaftojnë që trashëgimtarët e tjerë të marrin vlerën përkatëse, trashëgimtari në dobi të të cilit
bëhet llogaritja nuk është i detyruar t’u kthejë diçka nga ajo që ka marrë.
49.3. Ky Nen nuk cënon dispozitat për pjesën e domosdoshme.
E drejta e trashëgimtarit të cilit nuk i llogaritet dhurimi ose legu
Neni 50
50.1. Kur sipas vullnetit të trashëgimlënësit dhurimi ose legu nuk duhet t’i llogaritet trashëgimtarit
në pjesën trashëgimore të tij, trashëgimtari i këtillë mban dhurimin respektivisht legun dhe merr
pjesë me trashëgimtarët e tjerë në ndarjen e pasurisë trashëgimore sikur të mos kishte marrë
fare dhurim ose leg.
50.2. Kur ka trashëgimtarë të domosdoshëm dhe sipas vullnetit të trashëgimlënësit dhurimi ose
legu nuk duhet t’i llogaritet ndonjë trashëgimtari në pjesën trashëgimore të tij, ky trashëgimtar do
të mund të mbajë dhurimin përkatësisht legun brenda kufijëve të pjesës së domosdoshme.
E drejta e trashëgimtarit që ka hequr dorë nga trashëgimi
Neni 51
Trashëgimtari që ka hequr dorë nga trashëgimi e mban dhurimin brenda kufijëve të pjesës së
domosdoshme.
E drejta e kthimit të dhurimit
Neni 52
52.1. Trashëgimtari ka të drejtë të kthejë në pasurinë trashëgimore sendin që i është dhuruar.
52.2. Në këtë rast vlera e tij nuk do t’i llogaritet në pjesën trashëgimore dhe sa i përket
shpenzimeve që ka bërë për sendin dhe dëmtimeve që ka pësuar sendi, ai do të konsiderohet
posedues me mirëbesim, përderisa të mos provohet e kundërta .
Shpenzimet e mbajtjes së trashëgimtarit
Neni 53
53.1. Ajo që është shpenzuar për mbajtjen e trashëgimtarit dhe për shkollimin e detyrueshëm të
tij nuk do të llogaritet në pjesën trashëgimore të tij.
53.2. Gjykata do të vendosë sipas rrethanave nëse shpenzimet që ka bërë trashëgimlënësi për
shkollimin e mëtejshëm të trashëgimtarëve do të llogariten në pjesën trashëgimore të tyre dhe në
ç’masë, duke marrë parasysh sidomos vlerën e pasurisë trashëgimore dhe shpenzimet e
shkollimit si dhe aftësinë e trashëgimtarëve të tjerë për të mbajtur veten.
Dhurimet e rëndomta
Neni 54
Dhurimet e rëndomta nuk llogariten në pjesën trashëgimore.
Dhurimet e bëra personit të zëvendësuar nga një tjetër në trashëgimi
Neni 55
55.1. Nëse një person është zëvendësuar si trashëgimtar nga një ose disa persona të tjerë sepse
ka qënë i padenjë, ose është përjashtuar nga trashëgimia me testament, ose është privuar nga
pjesa e domosdoshme, çdo dhurim që i është bërë personit që zëvendësohet nuk llogaritet në
pjesën e trashëgimtarit apo trashëgimtarëve që e zëvendësojnë atë në trashëgim.
55.2. Nëse një person zëvendësohet si trashëgimtar nga një ose disa persona të tjerë për shkak
se ai ka vdekur para trashëgimlënësit, ose për shkak se ka hequr dorë nga trashëgimia, çdo
dhurim që i është bërë këtij personi llogaritet në pjesën e trashëgimtarit apo të trashëgimtarëve
që e zëvendësojnë atë në trashëgim.
Llogaritja e borxhit të trashëgimtarit ndaj trashëgimlënësit
Neni 56
Çdo borxh i trashëgimtarit ndaj trashëgimlënësit do të llogaritet në pjesën e atij trashëgimtari
sipas rregullave të përgjithshme për kompensimin .
Kush mund të kërkojë llogaritjen
Neni 57
Secili trashëgimtar ka të drejtën të kërkojë që dhurimet dhe legët të llogariten në pjesën
trashëgimore të një trashëgimtari tjetër.
KREU I TRETË
TRANSANKSIONET NDËRMJET TË GJALLËVE (INTER VIVOS)
Cedimi dhe ndarja e pasurisë në përgjithësi
Neni 58
Paraardhësi me anë të veprimit juridik për së gjalli mund t’ua cedojë dhe t’ua pjesëtojë pasurinë e
vet pasardhësve të tij.
Kushtet për vlefshmërinë e cedimit dhe pjesëtimi
Neni 59
59.1. Ky cedim dhe pjesëtim i pasurisë është i vlefshëm vetëm nëse janë pajtuar me këtë të gjithë
pasardhësit e ceduesit që do të ishin trashëgimtarët ligjorë të ceduesit në kohën kur është bërë
cedimi.
59.2. Marrëveshja mbi cedimin dhe pjesëtimin e pasurisë duhet të përpilohet me shkrim dhe të
vërtetohet nga gjyqtari.
59.3. Me rastin e vërtetimit gjyqtari e lexon kontratën dhe u shpjegon kontraktuesve pasojat e
kontratës.
59.4. Në qoftë se ndonjë pasardhës nuk ka dhënë pëlqimin, mund ta japë më vonë, në të njëjtën
formë.
59.5. Cedimi dhe pjestimi mbeten të vlefshëm nëse pasardhësi që nuk e ka dhënë pëlqimin ka
vdekur para ceduesit pa lënë pasardhës, ose nëse ky pasardhës ka hequr dorë nga trashëgimi,
ose ky pasardhës është bërë i padenjë.
Objekti i cedimit dhe i pjesëtimit
Neni 60
60.1. Cedimi dhe pjesëtimi kanë efekte vetëm përsa i përket pasurisë së trashëgimlënësit në
kohën e arritjes së marrëveshjes, ose për një pjesë të saj.
60.2. Çdo dispozitë, e cila parashikon pjesëtimin e pasurisë të fituara nga ceduesi pas bërjes së
marrëveshjes konsiderohet nul.
Pasuria e ceduar nuk hyn në pasurinë trashëgimore
Neni 61
61.1. Nëse trashëgimlënësi ka bërë cedimin dhe pjesëtimin e të gjithë apo një pjese të pasurisë
së tij midis të gjallëve, pasuria e tij trashëgimore do të përbëhet vetëm nga pasuria që nuk është
ceduar dhe pjesëtuar, si dhe të çdo pasuri që ka fituar pas cedimit dhe pjesëtimit.
61.2. Pasuria që kanë marrë paraardhësit e tij me anë të cedimit dhe pjesëtimit nuk hyn në
pasurinë trashëgimore të ceduesit dhe as nuk merret parasysh në përcaktimin e vlerës së
pasurisë trashëgimore.
Kur konsiderohen pjesët e ceduara si dhurime
Neni 62
62.1. Në qoftë se me cedimin dhe pjesëtimin nuk është pajtuar ndonjëri nga pasardhësit, atëherë
pjesët e pasurisë që u janë ceduar pasardhësve të tjerë konsiderohen si dhurime dhe pas vdekjes së
parardhësit me to do të veprohet sikurse me dhurimet e bëra trashëgimtarëve.
62.2. Dispozita nga paragrafi 1 i këtij Neni zbatohet edhe kur ceduesit, pas cedimit dhe pjesëtimit
të bërë me marrëveshje me të gjithë trashëgimtarët, i lind fëmija ose paraqitet trashëgimtari që ka
qenë shpallur i vdekur.
Ruajtja e së drejtës me rastin e cedimit dhe pjesëtimit
Neni 63
63.1.Me rastin e cedimit dhe pjesëtimit, ceduesi mund të ruajë të drejtën e uzufruktit në të gjitha
të mirat e ceduara, ose në disa prej tyre, për vete, ose për bashkëshortin e vet, ose për vete dhe
për bashkëshortin e vet, ose për ndonjë person tjetër, ose të kontraktojë rentën e përjetshme në
natyrë ose në të holla, ose mbajtjen e përjetshme.
63.2. Në qoftë se uzufrukti ose renta e përjetshme janë kontraktuar për ceduesin dhe
bashkëshortin e tij së bashku, në rast vdekjeje të ndonjërit prej tyre uzufrukti ose renta i takon në
tërësi tjetrit gjer në vdekjen e tij, po qe se nuk është kontraktuar ndonjë gjë tjetër, apo nëse nuk
del ndonjë gjë tjetër nga rrethanat e rastit.
Të drejtat e bashkëshortit të ceduesit
Neni 64
Nëse ceduesi është i martuar në çastin e arritjes së marrëveshjes, cedimi dhe pjesëtimi
kërkojnë pëlqimin e bashkëshortit, ose në vetë kontratën, ose më vonë sipas kushteve të
parapara në nenin 59.
Borxhet e ceduesit
Neni 65
65.1. Pasardhësit midis të cilëve ceduesi ka pjesëtuar pasurinë e vet nuk përgjigjen për borxhet e
tij, po qe se nuk është caktuar gjë tjetër me rastin e cedimit dhe të pjesëtimit.
65.2. Kreditorët e ceduesit mund të kundërshtojnë cedimin dhe pjesëtimin sipas dispozitave të
parapara për kundërshtimin e disponimeve pa shpërblim të debitorit.
Shuarja e kontratës
Neni 66
66.1. Ceduesi ka të drejtë të kërkojë që pasardhësi t’ia kthejë atë që ka marrë me anë të cedimit
dhe pjesëtimit, po qe se ky ka treguar një mosmirënjohje të vrazhdët të tij. Nëse kthimi
(restitucioni) i sendit nuk është i mundur si i tillë (in rem), pasardhësit duhet të kthejnë vlerën në
pajtim me dispozitat për pasurimim pa bazë.
66.2.Të njëjtën të drejtë e ka ceduesi në qoftë se pasardhësi nuk i jep atij ose dikujt tjetër
ushqimin e caktuar me marrëveshjen e cedimit dhe të pjesëtimit, apo nëse nuk paguan borxhet e
ceduesit për pagimin e të cilave është ngarkuar me të njëjtën marrëveshje.
66.3.Në rastet e tjera të detyrimeve të papërmbushura të përcaktuara në marrëveshjen e cedimit
dhe të pjesëtimit gjykata, duke i kushtuar kujdes rëndësisë së detyrimit për cedimin dhe
rrethanave të tjera të rastit, do të vendosë se a ka të drejtë ceduesi të kërkojë kthimin e të mirave
që i ka dhënë apo vetëm të drejtën për mbushjen e detyrimeve.
Të drejtat e trashëgimtarëve pas shuarjes së kontratës
Neni 67
67.1.Pasardhësi që ka qenë i detyruar t’i kthejë ceduesit atë që ka marrë me rastin e cedimit dhe
pjesëtimit do të mund të kërkojë pjesën e vet të detyrueshme pas vdekjes së ceduesit, me kusht
që të mos jetë përjashtuar nga trashëgimi, të mos jetë i padenjë të trashëgojë ceduesin dhe të
mos ketë hequr dorë nga trashëgimi.
67.2.Kur llogaritet madhësia e pjesës së domosdoshme të tij, pjesët e pasurisë që
trashëgimlënësi gjatë jetës së vet ua ka ceduar dhe pjesëtuar pasardhësve të tjerë të tij do të
konsiderohen si dhurim.
Kontrata për mbajtjen e përjetshme
Neni 68
Kontrata e mbajtjes së përjetshme rregullohet nga Ligji për Detyrimet.
KREU I KATËRT
TRASHËGIMIA ME TESTAMENT
Kuptimi i testamentit
Neni 69
69.1.Testament do të thotë shprehje e vullnetit të fundit e dhënë në formën e paraparë me ligj,
me të cilin trashëgimlënësi (testatori) urdhëron si të veprohet me pasurinë e tij pas vdekjes së tij.
69.2. Dy ose më shumë persona nuk mund të bëjnë një testament me të njëjtin akt, as në dobi të
një të personi të tretë, as sa i përket disponimeve reciproke.
I – KUSHTET E PËRGJITHSHME PËR VLEFSHMËRINË E TESTAMENTIT
Zotësia për të përpiluar testament
Neni 70
70.1.Testament mund të bëjë çdo person që ka zotësi për të vepruar dhe i cili i ka mbushur 18
vjet.
70.2.Testament mund të bëjë edhe personi që ka zotësi për të vepruar e i ka mbushur 16 vjet dhe
është i martuar.
70.3.Vlefshmëria e testamentit nuk preket nëse testatori humb zotësinë për të vepruar pas
përpilimit të testamentit.
70.4.Personi të cilit me vendim gjyqi i është hequr zotësia për të vepruar, si dhe ai që në kohën e
përpilimit (bërjes) së testamentit nuk është në gjendje të kuptojë rëndësinë e veprimit të tij, nuk
mund të bëjë testament.
Pavlefshmëria e testamentit për shkak të të metave në vullnetin e trashëgimlënësit
Neni 71
71.1.Testamentit është i pavlefshëm nëse është bërë me kanosje, shtrëngim ose mashtrim.
71.2.Disponimet me testament janë të pavlefshme edhe kur ekziston lajthimi mbi shkaqet që
kanë shtyrë trashëgimlënësin që t’i bëjë këto disponime.
71.3.Në qoftë se vetëm disa dispozita të testamentit janë bërë me kanosje ose me shtrëngim, për
shkak të mashtrimit ose në lajthim , atëherë vetëm këto dispozita konsiderohen të pavlefshme.
Nulimi i testamentit për shkak të paaftësisë së trashëgimlënësit dhe për shkak të të metave
në vullnetin e tij
Neni 72
72.1.Nulimin e testamentit për shkak të paaftësisë së testatorit për të vepruar ose për shkak se
testatori nuk ka pasur moshë madhore, si dhe nulimin e testamentit ose të disa dispozitave të tij
për shkak të kanosjes ose shtrëngimit, mashtrimit ose lajthimit, mund ta kërkojë vetëm personi që
ka interes juridik, brenda afatit prej një viti nga dita kur ka marrë dijeni se ekzistojnë shkaqet e
pavlefshmërisë, e më së largu 10 vjet nga shpallja e testamentit.
72.2.Afati prej një viti nuk mund të fillojë para se të shpallet testamenti.
72.3.Nulimi i testamentit ndaj personit me keqbesim mund të kërkohet 20 vjet pas shpalljes së
testamentit.
Zbatimi sipas territorit
Neni 73
Është i plotëfuqishëm ai testament i përpiluar në Kosovë që është bërë në pajtim me dispozitat e
këtij ligji.
II – FORMAT E TESTAMENTIT
A). TESTAMENTI I SHKRUAR NGA VETË TESTATORI
Neni 74
74.1.Testamenti është i vlefshëm në qoftë se testatori e ka shkruar atë, datuar dhe nënshkruar
me dorën e vet ose ka vënë gishtin e vet.
74.2.Data e testamentit duhet të tregojë ditën, muajin dhe vitin.
74.3.Nënshkrimi duhet të përmbajë mbiemrin e testatorit si dhe të paktën njërin prej emrave të tij
dhe duhet vënë në fund të testamentit.
B). TESTAMENTI ME SHKRIM NË PRANINË E DËSHMITARËVE
Neni 75
75.1.Testatori që di të shkruajë e të lexojë mund të bëjë testamentin duke nënshkruar me dorë
dokumentin pa marrë parasysh kush e ka përpiluar, në praninë e dy dëshmitarëve që e kuptojnë
gjuhën e testamentit, duke deklaruar para tyre se testamenti është i tij.
75.2.Dëshmitarët nënshkruhen në vetë testamentin dhe është e dobishme të shënohet cilësia e
tyre si dëshmitarë.
C). TESTAMENTI GJYQËSOR
Testamenti gjyqësor nëse testatori është në gjendje ta lexojë
Neni 76
76.1.Testamentin mund t’ia përpilojë testatorit sipas kërkesës së tij gjyqtari i gjykatës kompetente,
i cili më parë duhet të vërtetojë identitetin e testatorit.
76.2. Testamentin e përpiluar, gjyqtari t’ia lexon testamentin testatorit dhe e njofton me pasojat
juridike të testamentit të përpiluar.
76.3. Pasi të lexojë dhe të nënshkruajë testatori testamentin e këtillë, gjyqtari shënon në vetë
testamentin se testatori e ka lexuar dhe e ka nënshkruar atë në praninë e tij.
Testamenti gjyqësor nëse testatori nuk është në gjendje ta lexojë.
Neni 77
77.1.Në rast se testatori nuk është në gjendje të lexojë testamentin që ia ka përpiluar gjyqtari, ky
ia lexon testatorit në praninë e dy dëshmitarëve. Testatori pastaj në praninë e po këtyre
dëshmitarëve e nënshkruan testamentin ose e vë në të shenjën e gishtit të vet, pasi të deklarojë
se ky është testamenti i tij.
77.2. Dëshmitarët duhet ta nënshkruajnë testamentin.
77.3.Gjyqtari duhet të konstatatojë në procesverbal se të gjitha këto veprime janë bërë.. Ky
procesverbal duhet nënshkruar nga testatori, dëshmitarët dhe gjyqtari.
Dorëzimi i testamentit në gjykatë për ruajtje
Neni 78
78.1.Testatori mund t’ia besojë për ruajtje gjykatës kompetente testamentin e bërë me dorën e
vet, testamentin me shkrim në prani të dëshmitarëve ose testamentin gjyqësor në zarf të hapur
ose të mbyllur.
78.2.Gjykata bën një procesverbal për testamentin që ka marrë, kurse vetë testamentin e vendos
në një zarf të veçantë, të cilin e vulos dhe e ruan në gjykatë.
Kush mund të jetë dëshmitar kur përpilohet testamenti me shkrim në prani të dëshmitarëve dhe
në testamentin gjyqësor.
Neni 79
79.1.Kur bëhet testamenti me shkrim në prani të dëshmitarëve (neni 80) dhe testamenti gjyqësor
(neni 82), dëshmitarë duhet të jenë personat madhorë, të cilëve nuk u është hequr zotësia për të
vepruar dhe që dinë të shkruajnë, të lexojnë dhe të kuptojnë gjuhën e testamentit.
79.2.Nuk mund të jenë dëshmitarë kur përpilohet testamenti me shkrim në prani të dëshmitarëve
dhe testamenti gjyqësor, as të përpilojnë testamentin sipas tregimit të testatorit personat me
cilësinë e gjyqtarit, pasardhësit e testatorit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, parardhësit e
tij, prindërit e tij adoptues, personat e tij në gjini ne vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt,
bashkëshortët e të gjithë këtyre personave dhe bashkëshorti i testatorit.
Disponimi në dobi të gjyqtarit, të dëshmitarëve dhe të kushërinjve të afërt të tyre
Neni 80
Janë të pavlefshme dispozitat e testamentit me të cilat i lihet diçka gjyqtarit që ka përpiluar
testamentin, dëshmitarëve me rastin e përpilimit të tij, si dhe paraardhësve, pasardhësve,
vëllezërve e motrave dhe bashkëshortëve të këtyre personave.
D) . TESTAMENTI NË RRETHANA TË JASHTËZAKONSHME
Testamenti me gojë
Neni 81
Testatori mund të deklarojë vullnetin e tij të fundit me gojë para dy dëshmitarëve, vetëm në qoftë
se për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme nuk është në gjendje të bëjë testamentin me
shkrim.
Dëshmitarët e testamentit me gojë
Neni 82
Kur bëhet testamenti me gojë dëshmitarë mund të jenë vetëm ata personat që mund të jenë
dëshmitarë kur bëhet testamenti gjyqësor, por nuk janë domosdoshmërisht të detyruar të dinë të
shkruajnë e të lexojnë.
Detyrat e dëshmitarëve të testamentit me gojë
Neni 83
83.1.Dëshmitarët para të cilëve testatori ka deklaruar me gojë vullnetin e tij të fundit kanë për
detyrë të përpilojnë deklaratën me shkrim të testatorit dhe ta dorëzojnë atë sa më parë në
gjykatë, ose ta përsërisin me gojë para gjykatës, duke treguar kur, ku dhe në çfarë rrethanash
testatori ka deklaruar vullnetin e tij të fundit.
83.2.Testamenti me gojë bëhet i pavlefshëm nëse nuk deklarohet në gjykatë nga dëshmitarët 30
ditë pas pushimit të rrethanave të jashtëzakonshme në të cilat ai është bërë, në pajtim me
paragrafin 1 të këtij neni. Në lidhje me këtë periudhë aplikohen dispozitat e Ligjit të Detyrimeve
mbi ndërprerjen dhe pezullimin e afatit të parashkrimit.
Disponimi i testamentit me gojë në dobi të dëshmitarëve
dhe të personave të tyre të afërt
Neni 84
Janë të pavlefshme disponimet e testamentit me gojë me të cilat u lihet diçka dëshmitarëve me
rastin e përpilimit të tij, bashkëshortëve të tyre, të paraardhësve të tyre, pasardhësve të tyre,
personave në gjini gjaku të tyre në vijë të tërthortë gjer në shkallën e katërt dhe të
bashkëshortëve të të gjithë këtyre personave.
Nulimi i testamentit për mungesë së formës së kërkuar
Neni 85
85.1.Nulimin e testamentit për shkak të mungesës së formës të kërkuar mund ta kërkojë, pas
hapjes së trashëgimisë, vetëm personi që ka interes juridik, brenda afatit prej një viti nga dita që
ka marrë dijeni për testamentin, e më së largu brenda 10 vjetësh pas shpalljes së testamentit.
85.2.Afati prej një viti fillon me shpalljen e testamentit.
Të provuarit e testamentit të asgjësuar, të humbur, ose të harruar
Neni 86
Testamenti i asgjësuar rastësisht ose me veprimin e ndonjë personi tjetër, i humbur, i harruar
diku pas vdekjes së testatorit ose para vdekjes së tij, por pa vullnetin e tij, do të prodhojë efektet
e testamentit të vlefshëm po qe se personi i interesuar provon se testamenti ka ekzistuar, se
është asgjësuar, është humbur, është harruar diku, dhe se ka qenë i përpiluar në formën e
përcaktuar me ligj dhe nëse provon përmbajtjen e asaj pjese të testamentit në të cilën
mbështetet.
III – PËRMBAJTJA E TESTAMENTIT
Caktimi i trashëgimtarit
Neni 87
87.1.Trashëgimlënësi mund të caktojë me testament një ose më shumë trashëgimtarë.
87.2.Trashëgimtarë në bazë të testamentit janë personat të cilët trashëgimlënësi i ka caktuar që
të trashëgojnë tërë pasurinë e tij, ose një pjesë të pasurisë.
87.3.Trashëgimtar do të konsiderohet edhe personi të cilit i janë lënë me testament një ose më
shumë sende ose të drejta të caktuara, po qe se vërtetohet vullneti i testatorit që ky person të jetë
trashëgimtar i tij.
Disponimi për qëllime të lejuara dhe themelimi i fondacionit
Neni 88
88.1.Testatori mund të urdhërojë me testament që një send ose e drejtë ose një pjesë e pasurisë
trashëgimore ose tërë pasuria trashëgimore të përdoret për të arritur një qëllim të lejuar.
88.2.Në qoftë se testatori ka urdhëruar të themelohet fondacioni dhe ka caktuar mjetet për të
arritur qëllimin e tij, fondacioni ekziston nga momenti i marrjes së lejes nga organi kompetent.
88.3.Kur testatori ia lë me testament pasurinë organeve publike, ose institucioneve të tjera, ai
mund të caktojë në testament qëllimin për të cilin duhet të përdoret pasuria.
Barrët dhe kushtet
Neni 89
89.1.Testatori mund të ngarkojë me ndonjë detyrim personin të cilit i lë ndonjë përfitim nga
pasuria trashëgimore.
89.2.Dispozitat testamentare mund të bëhen me kushte ose afate.
89.3.Kushtet dhe barrët e pamundshme, të palejuara dhe jomorale, si dhe ato që janë të
pakuptueshme ose kontradiktore, konsiderohen sikur nuk ekzistojnë.
Caktimi i trashëgimtarëve dhe i shfrytëzuesve të tjerë
Neni 90
Trashëgimtarët, legatarët dhe personat e tjerë, të cilëve u janë lënë me testament disa përfitime,
konsiderohen të caktuar në qoftë se testamenti përmban shënime në bazë të të cilave mund të
vërtetohet se kush janë ata.
Interpretimi i testamentit
Neni 91
91.1.Dispozitat e testamentit interpretohen sipas qëllimit të vërtetë të testatorit.
91.2.Në rast dyshimi duhet përmbajtur asaj që është më e përshtatshme për trashëgimtarin ligjor
ose për personin që i është ngarkuar me testament ndonjë detyrim.
IV – LEGU
Lënia e legut
Neni 92
Testatori mund të lërë me testament një ose më shumë lege.
Përmbajtja e legut
Neni 93
93.1.Testatori mund të lërë me testament një ose më shumë sende të caktuara ose ndonjë të
drejtë personit të caktuar, të urdhërojë trashëgimtarin ose ndonjë person tjetër, të cilit i lë diçka që
nga ajo që i është lënë të japë ndonjë send një personi të caktuar, t’i paguajë një shumë të
hollash, ta lirojë nga ndonjë borxh e ta mbajë ose në përgjithësi të bëjë diçka, të përmbahet nga
ndonjë veprim ose të fitojë diçka në dobi të tij.
93.2.Kjo mënyrë e të trashëguarit quhet leg, kurse personi të cilit i është destinuar legu quhet
legatar.
Detyrimi i ekzekutimin të legut
Neni 94
94.1.Në bazë të testamentit legatari ka të drejtë të kërkojë ekzekutimin e legut nga personi që
është ngarkuar me testament që të ekzekutojë legun.
94.2.Në qoftë se për ekzekutimin e legut janë ngarkuar disa persona, secili përgjigjet në
përpjestim me pjesën e pasurisë trashëgimore që merr, përveç nëse nga testamenti mund të
konkludohet se testatori ka dashur që ata të përgjigjen në mënyrë tjetër.
Legu i lënë organeve publike ose institucioneve
Neni 95
Kur testatori ia lë me testament pasurinë organeve publike ose institucioneve të ndryshme ka të
drejtë të caktojë qëllimin për të cilin duhet të përdoret pasuria.
Ekzekutimi i legut
Neni 96
96.1.Kur trashëgimtari i ngarkuar me legun ose barrën ka vdekur para testatorit ose është bërë i
padenjë, ka hequr dorë nga trashëgimi dhe testatori nuk ka caktuar një trashëgimtar tjetër në vend
të tij për përmbushjen e detyrimeve në lidhje me legun ose me barrën, ngarkohen
bashkëtrashëgimtarët ose trashëgimtarët ligjor, të cilëve u shtohet ose u kalon pjesa e atij që për
shkaqet e mësipërme nuk mund ose nuk do të jetë trashëgimtar.
96.2.Në qoftë se përmbushja e detyrimeve në lidhje me legun ose barrën është lidhur ngushtë
me personin që për shkaqet e mësipërme nuk mund ose nuk do të jetë trashëgimtar, legu dhe
barra bëhet e pavlefshme.
Ekzekutimi proporcional
Neni 97
Në rast se ndërmjet trashëgimtarëve asnjëri prej tyre nuk është ngarkuar nga trashëgimlënësi
testamentar për të përmbushur legun, secili trashëgimtar detyrohet të kontribuojë për
përmbushjen e tij sipas pjesës takuese.
Zvogëlimi i legeve dhe i barrëve
Neni 98
98.1.Trashëgimtari nuk është i detyruar të ekzekutojë në tërësi leget, vlera e të cilave tejkalon
vlerën e asaj pjese të trashëgimit të pasurisë, të cilën trashëgimlënësi ka mundur ta disponojë
lirisht.
98.2.Kjo vlen edhe për legatarin, në qoftë se vlera e legeve ose e barrëve që duhet t’i ekzekutojë
tejkalon vlerën e legut të tij.
98.3.Në këto raste të gjitha leget dhe barrët zvogëlohen në përpjestim të njëjtë, po që se
trashëgimlënësi nuk ka urdhëruar ndonjë gjë tjetër.
Shuarja e legut në përgjithësi
Neni 99
Legu shuhet në qoftë se legatari vdes para trashëgimlënësit, heq dorë nga legu ose është i
padenjë. Në këto raste objekti i legut i mbetet personit që ka qenë i detyruar ta ekzekutojë, po qe
se nga vetë testamenti nuk rezulton ndryshe.
Shurja në lidhje me objektin e legut
Neni 100
Legu shuhet edhe kur trashëgimlënësi ka shpenzuar objektin e legut, ose ky objekt vetëvetiu ka
pushuar së ekzistuari derisa ka qenë gjallë testatori, ose rastësisht është asgjesuar pas vdekjes
së tij.
Parashkrimi i legut
Neni 101
E drejta për të kërkuar ekzekutimin e legut parashkruhet brenda 1 viti nga dita kur legatari ka
marrë dijeni për të drejtën e vet dhe ka qenë i autorizuar të kërkojë ekzekutimin e legut, e më se
voni prej 3 vjetëve nga dita kur ka pasur mundësi të kërkojë ekzekutimin e legut.
V – EKZEKUTUESIT
Caktimi i ekzekutuesit të testamentit
Neni 102
102.1.Testatori mund të caktojë me testament një ose më shumë persona si ekzekutues të
testamentit.
102.2. Ekzekutues i testamentit mund të jetë çdo person që ka zotësi për të vepruar.
102.3. Personi që është caktuar të jetë ekzekutues i testamentit nuk është detyruar të marrë
përsipër këtë detyrë.
Detyrat e ekzekutuesit të testamentit
Neni 103
103.1. Pëveç rasteve kur testatori nuk ka caktuar ndonjë gjë tjetër, ekzekutuesi i testamentit ka
sidomos për detyrë të kujdeset për ruajtjen e pasurisë trashëgimore, ta drejtojë atë, të kujdeset
për pagimin e borxheve dhe legeve, dhe në përgjithësi të kujdeset që testamenti të ekzekutohet
ashtu si ka dashur testatori.
103.2. Në qoftë se ka disa ekzekutues të testamentit ata kryejnë detyrat që u janë besuar së
bashku, përveç nëse trashëgimlënësi ka caktuar ndryshe.
Dhënia e llogarisë dhe shpërblimi i ekzekutuesit
Neni 104
104.1.Ekzekutuesi i testamentit është i detyruar t’i japë llogari gjykatës për punën e vet.
104.2.Ai ka të drejtë për shpërblimin e shpenzimeve dhe shpërblimin për punën e vet që do të
paguhen në ngarkim të pjesës disponible të pasurisë trashëgimore e sipas vendimit të gjykatës.
Shkarkimi i ekzekutuesit të testamentit
Neni 105
105.1.Gjykata në bazë të propozimit, ose sipas detyrës zyrtare, mund të shkarkojë ekzekutuesin
e testamentit, po që se puna e tij nuk është në pajtim me vullnetin e testatorit ose me ligjin.
105.2. Ekzekutuesi i shkarkuar i testamentit përgjigjet për dëmin që është shkaktuar nga veprimi,
të cilin do ta kryente si ekzekutues i testamentit.
Ekzekutuesi i caktuar nga gjykata
Neni 106
Testatori mund t’i kërkojë Gjykatës Trashëgimore të emërojë një ekzekutues, ose të emërojë një
të tillë nëse ekzekutuesi i caktuar nga testatori refuzon të marrë detyrën ose është shkarkuar nga
Gjykata Trashëgimore.
VI – REVOKIMI I TESTAMENTIT
Neni 107
107.1.Trashëgimlënësi mund të revokojë kurdoherë testamentin në tërësi ose pjesërisht në
njërën nga format e parapara me ligj për përpilimin e testamentit.
107.2.Trashëgimlënësi mund të revokojë testamentin me shkrim dhe me asgjësimin e
dokumentit.
Raporti midis testamentit të mëparshëm dhe të mëvonshëm
Neni 108
108.1.Në qoftë se me testamentin e mëvonshëm nuk revokohet shprehimisht testamenti i
mëparshëm dispozitat e testamentit të mëparshëm mbeten në fuqi, po qe se nuk janë në
kundërshtim me dispozitat e testamentit të mëvonshëm.
108.2.Në qoftë se trashëgimlënësi ka asgjësuar testamentin e mëvonshëm, testamenti i
mëparshëm mbetet në fuqi.
Disponimi i sendit të lënë me testament
Neni 109
Çdo disponim i mëvonshëm nga ana e testatorit të sendit të caktuar që ia ka lënë dikujt me
testament ka si pasojë revokimin e lënies me testament të këtij sendi.
K R E U I PESTË
PADENJËSIA DHE PËRJASHTIMI I TRASHËGIMTARËVE TË DOMOSDOSHËM
I – Padenjësia
Padenjësia në përgjithësi
Neni 110
110.1.Nuk mund të trashëgojë personi i padenjë për të trashëguar.
110.2.Padenjësia nuk i pengon pasardhësit e personit të padenjë të trashëgojnë njësoj sikur
personi i padenjë të kishte vdekur para trashëgimlënësit.
Padenjësia për trashëgim
Neni 111
I padenjë për të trashëguar është ai person që:
a) Me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë trashëgimlënësin, bashkëshortin, fëmijët dhe
prindërit e tij;
b) Ka bërë ndaj trashëgimlënësit kallëzim ose dëshmi të rreme, për kryerjen e një vepre
penale për të cilën parashikohet dënim me heqje lirie;
c) Me mashtrim, kanosje e dhunë ka shtyrë trashëgimlënësin të bëjë, të ndryshojë ose të
shfuqizojë testamentin ose ka përpiluar vetë një testament të rremë ose e ka përdorur atë
për interesa të tij apo të të tjerëve;
d) Është sjellë ndaj trashëgimlënësit në mënyrë poshtëruese dhe e ka keqtrajtuar atë;
e) Nuk e ka përmbushur detyrimin për të mbajtuar apo ndihmuar trashëgimlënësin.
Vlerësimi kryesisht i padenjësisë nga gjykata
Neni 112
Për padenjësinë gjykata kujdeset kryesisht përveç në rast padenjësie për shkeljen e detyrimit të
mbajtjes dhe për mosdhënien e ndihmës së domosdoshme trashëgimlënësit.
Falja e padenjësisë
Neni 113
Trashëgimlënësi ka të drejtë të falë personin e padenjë për ta trashëguar, me kusht që falja të
bëhet shprehimisht me testament, ose kur faljen, ndonëse nuk është bërë shprehimisht,
trashëgimlënësi ka shënuar në testament se e ka njohur padenjësinë dhe megjithatë e cakton atë
si trashëgimtar.
II- Përjashtimi i trashëgimtarëve të domosdoshëm nga trashëgimi
dhe privimi nga pjesa e domosdoshme në dobi të pasardhësve.
Shkaqet e përjashtimit
Neni 114
Trashëgimlënësi në testamentin e tij mund të përjashtojë nga trashëgimi trashëgimtarin që ka të
drejtë për pjesën e domosdoshme:
a) Në qoftë se ai me shkeljen e ndonjë detyrimi ligjor ose moral ka bërë cenim të rëndë ndaj
trashëgimlënësit;
b) Në qoftë se ka bërë me dashje ndonjë vepër të rëndë penale ndaj trashëgimlënësit,
bashkëshortit, fëmijës ose prindit të tij;
c) Në qoftë se është plangprishës, nuk do të punojë ose është dhënë pas jetës së
pandershme.
Përjashtimi i plotë ose i pjesshëm
Neni 115
Përjashtim nga trashëgimi mund të jetë i plotë ose i pjesshëm.
Kushtet për vlefshmërinë e përjashtimit
Neni 116
116.1.Trashëgimlënësi që dëshiron të përjashtojë ndonjë trashëgimtar duhet ta shprehë këtë në
mënyrë të qartë si dhe të tregojë shkakun e këtij përjashtimi.
116.2.Shkaku i përjashtimit duhet të ekzistojë në kohën e përpilimit të testamentit.
116.3.Në rast kontesti rreth bazueshmërisë së përjashtimit, detyrën për të provuar se përjashtimi
është i arsyeshëm e ka ai që mbështetet në përjashtim.
Pasojat e përjashtimit
Neni 117
Me përjashtimin trashëgimtari humb të drejtat trashëgimore në vëllimin në të cilin është
përjashtuar, kurse të drejtat e personave të tjerë që mund të trashëgojnë trashëgimlënësin
caktohen sikur i përjashtuari të kishte vdekur para trashëgimlënësit.
Privimi nga pjesa e domosdoshme në dobi të trashëgimtarëve
Neni 118
118.1.Në qoftë se trashëgimtari i domosdoshëm ka shumë borxhe ose është plangprishës,
trashëgimlënësi mund ta privojë në tërësi ose pjesërisht nga pjesa e domosdoshme e tij në dobi
të pasardhësve të tij.
118.2.Ky privim mbetet i plotëfuqishëm vetëm nëse në momentin e hapjes së trashëgimisë i
privuari ka fëmijën e mitur ose nipin e mitur nga fëmija i vdekur më parë ose ka fëmijën madhor ose
nipin madhor nga fëmija i vdekur më parë që janë të paaftë për punë.
KREU I GJASHTË
KREDITORËT E PASURISË
Borxhet e trashëgimisë në përgjithësi
Neni 119
119.1.Trashëgimtarët janë përgjegjës për borxhet që ngarkojnë trashëgiminë në proporcion me
pjesën e tyre dhe deri në vlerën e tyre të pjesës trashëgimore.
119.2.Borxhet që ngarkojnë trashëgiminë janë: barrët mbi trashëgiminë, borxhet personale të
trashëgimlënësit, shpenzimet e varrimit, shpenzimet e nevojshme për ruajtjen dhe administrimin e
pasurisë deri në momentin e ndarjes së trashëgimisë.
Përgjegjësia e legatarit për borxhet e trashëgimlënësit
Neni 120
Legatari nuk përgjigjet për borxhet e trashëgimlënësit nëse trashëgimlënësi nuk ka përcaktuar
ndryshe në testament.
Legu i lënë kreditorit
Neni 121
Kur testatori i ka lënë legun kreditorit të vet, ky ka të drejtë të kërkojë përmbushjen e detyrimit
ndaj tij, po qe se nga testamenti nuk rezulton se qëllimi i trashëgimlënësit ka qenë ndryshe.
Prioriteti i kreditorëve mbi legatarët
Neni 122
122.1.Kreditorët e trashëgimlënësit kanë përparësi në përmbushjen e kërkesave para legatarëve.
122.2.Nëse leget janë ekzekutuar para pagimit të kreditorëve, kreditorët duhet ta kërkojnë këtë
leg sipas dispozitave të ligjit të detyrimeve për pasurimin e pa bazë.
Veçimi i pasurisë trashëgimore
Neni 123
123.1.Kreditorët e trashëgimlënësit brenda afatit prej tre muajsh nga hapja e trashëgimit mund të
kërkojnë që pasuria trashëgimore të veçohet nga pasuria e trashëgimtarit. Në këtë rast
trashëgimtari nuk mund të disponojë sendet dhe të drejtat e pasurisë trashëgimore, as të paguajë
kreditorët e tij prej trashëgimisë, derisa nuk janë paguar kreditorët që kanë kërkuar veçimin.
123.2.Kreditorët e trashëgimlënësit që kanë kërkuar veçimin e pasurisë trashëgimore borxhet e
veta mund t’i nxjerrin vetëm nga pasuria trashëgimore.
123.3.Për pasurinë trashëgimore të veçuar gjykata mund të caktojë kujdestar.
P J E S A E D Y T Ë
KALIMI I PASURISË TRASHËGIMORE TE TRASHËGIMTARËT
I – Hapja e trashëgimit
Vdekja dhe shpallja e personit i vdekur
Neni 124
124.1.Me vdekjen e personit hapet trashëgimi i tij.
124.2.Të njëjtin efekt e ka edhe shpallja e personit si të vdekur.
Hapja e trashëgimit të personit të shpallur i vdekur dhe fillimi i afateve
Neni 125
125.1.Si ditë e hapjes së trashëgimit të personit që është shpallur i vdekur konsiderohet dita kur
aktvendimi mbi shpalljen e personit i vdekur ka marrë formën e prerë, po qe se në vetë vendimin
si ditë e vdekjes nuk është caktuar ndonjë ditë tjetër.
125.2. Në rast të shpalljes së personit i vdekur, afatet fillojnë të llogaritën nga dita kur aktvendimi
për shpalljen e tij person i vdekur ka marrë formën e prerë.
Zotësia për të trashëguar
Neni 126
126.1.Trashëgimtar mund të jetë vetëm personi i cili është i gjallë në çastin e hapjes së
trashëgimit.
126.2.Fëmija i zënë në çastin e hapjes së trashëgimit do të konsiderohet si i lindur, në qoftë se
lind i gjallë.
126.3.Në qoftë se dy ose më shumë persona humbin jetën në të njëjtin aksident, ose kur nuk
dihet rendi kronologjik i vdekjes së tyre, konsiderohet se asnjëri prej tyre nuk ka qenë i gjallë në
çastin e hapjes së trashëgimisë së tjetrit.
Trashëgimtarët e panjohur
Neni 127
127.1.Në qoftë se nuk dihet nëse ka trashëgimtarë, gjykata me anë të shpalljes do t’i thërrasë
personat që pretendojnë se kanë të drejtë për trashëgim që të paraqiten në gjykatë.
127.2.Në qoftë se me kalimin e një viti nga dita e shpalljes nuk paraqitet asnjë trashëgimtar,
pasuria trashëgimore i dorëzohet komunës kompetente, por me këtë trashëgimtari që do të
paraqitej më vonë nuk privohet nga e drejta që t’i dorëzohet pasuria trashëgimore ose pjesa që i
takon.
Kujdestaria për trashëgimtarët e panjohur
Neni 128
128.1.Pasuria e paluajtshme i dorëzohet komunës në territorin e së cilës ndodhet, kurse pasuria
e luajtshme i dorëzohet komunës në territorin e së cilës trashëgimlënësi ka pasur vendbanimin,
përkatësisht vendqëndrimin në Kosovë.
128.2.Në qoftë se trashëgimlënësi në kohën e vdekjes nuk ka pasur vendbanim apo
vendqëndrim në Kosovë, pasuria e luajtshme i dorëzohet komunës në territorin e së cilës
ndodhet gjykata trashëgimore.
128.3.Nëse trashëgimtari nuk e ka kërkuar trashëgiminë brenda 20 viteve nga data e shpalljes së
testamentit, ose kur nuk ka testament që nga vdekja e trashëgimlënësit, trashëgimlënësi do të
konsiderohet pa trashëgimtarë ligjor ose testamentarë dhe do të aplikohen dispozitat e këtij ligji në
lidhje me të drejtat në trashëgimi të komunave (neni 21)
Kujdestari i pasurisë trashëgimore
Neni 129
129.1.Kur nuk dihen të gjithë ose disa prej trashëgimtarëve, kur nuk dihet vendqëndrimi i tyre, si
edhe në rastet e tjera kur ka nevojë për këtë, gjykata cakton kujdestarin e përkohshëm të
pasurisë trashëgimore, i cili është i autorizuar që në emër të trashëgimtarit të padisë dhe të
paditet, të realizojë kërkesat dhe të paguajë borxhet dhe të përfaqësojë trashëgimtarët në
përgjithësi.
129.2.Caktimi i kujdestarit të përkohshëm nga gjykata për trashëgimtarin që është i paaftë të
mbrojë interesat e tij apo është i mitur rregullohet me dispozitat e Ligjit të Familjes.
129.3.Gjykata është e autorizuar të caktojë të drejta dhe detyra të veçanta të kujdestarit të
pasurisë trashëgimore.
129.4.Nëse vetëm një ose disa bashkëtrashëgimtarë nuk janë të njohur, ose vendbanimi i këtyre
bashkëtrashëgimtarëve nuk dihet, gjykata mund të caktojë njërin prej bashkëtrashëgimtarëve të
mbetur si kujdestar të trashëgimisë.
II – HEQJA DORË NGA TRASHËGIMI
Heqja dorë në përgjithësi
Neni 130
130.1.Trashëgimtari mund të heq dorë nga trashëgimi me deklaratë të dhënë pranë gjykatës
gjersa të përfundojë seanca mbi trashëgimin.
130.2.Heqja dorë vlen edhe për pasardhësit e atij që ka hequr dorë, përveç nëse shprehimisht
ka deklaruar se hequr dorë vetëm në emër të vet.
130.3.Në qoftë se pasardhësit janë të mitur për këtë heqje dorë nuk nevojitet leja e organit të
kujdestarisë.
130.4.Trashëgimtari, i cili ka hequr dorë në emër të vet konsiderohet sikur të mos ketë qenë
trashëgimtar.
130.5.Në qoftë se për trashëgim kanë hequr dorë të gjithë pasardhësit të cilët i takojnë radhës
me të afërt të trashëgimisë në çastin e vdekjes të trashëgimlënësit, në trashëgim thirren
pasardhësit e radhës pasuese të trashëgimit.
Kalimi i së drejtës së heqjes dorë nga trashëgimi
Neni 131
131.1.Nëse trashëgimtari ka vdekur para se të përfundojë shqyrtimi i pasurisë trashëgimore dhe
nuk ka hequr dorë nga trashëgimi, e drejta e heqjes dorë kalon tek trashëgimtarët e tij.
131.2.Nëse janë disa trashëgimtarë të trashëgimtarit të vdekur, ata nuk janë të detyruar të heqin
dorë bashkarisht dhe secili prej këtyre trashëgimtarëve të trashëgimtarit të vdekur mund të heqin
dorë për pjesën e trashëgimisë së trashëgimlënësit që i takon pjesës së tij në trashëgiminë e
trashëgimtarit të vdekur.
Personi që nuk mund të heqë dorë nga trashëgimi
Neni 132
132.1.Nuk mund të heqë dorë nga trashëgimi trashëgimtari që ka disponuar tërë pasurinë
trashëgimore ose një pjesë të saj.
132.2.Masat që merr një trashëgimtar vetëm për të ruajtur pasurinë trashëgimore, si dhe masat e
administrimit vijues, nuk e privojnë nga e drejta që të heqë dorë nga trashëgimi.
Përmbajtja e deklaratës mbi heqjen dorë nga trashëgimi
Neni 133
133.1.Heqja dorë nga trashëgimi nuk mund të jetë e pjesëshme apo me kusht.
133.2.Heqja dorë në dobi të trashëgimtarit të caktuar nuk konsiderohet si heqje dorë nga
trashëgimi, por si deklaratë për cedimin e pjesës trashëgimore tek trashëgimtari i caktuar.
Heqja dorë nga trashëgimi që nuk është hapur
Neni 134
Heqja dorë nga trashëgimi që nuk është hapur nuk ka kurrfarë efekti juridik.
Parevokueshmëria e deklaratës për heqjen dorë
ose për pranimin e trashëgimit dhe nulimi i saj
Neni 135
135.1.Deklarata për heqjen dorë nga trashëgimi ose për pranimin e trashëgimit nuk mund të
revokohet.
135.2.Trashëgimtari që ka dhënë deklaratën mund të kërkojë nulimin e kësaj deklarate, po qe se
ajo është dhënë me kanosje, dhunë, për shkak të mashtrimit ose lajthimit.
Shtimi
Neni 136
Pjesa e trashëgimtarit me testament që ka hequr dorë nga trashëgimi i takon trashëgimtarëve ligjorë
të trashëgimlënësit, po qe se nga vetë testamenti nuk parashikohet ndryshe.
Si trashëgohet pjesa e personit që heq dorë nga trashëgimi
Neni 137
Pjesa e trashëgimisë së trashëgimtarit ligjor që ka hequr dorë nga trashëgimi trashëgohet sikur
ky trashëgimtar të kishte vdekur para trashëgimlënësit.
Parashkrimi i së drejtës për të kërkuar pasurinë trashëgimore
Neni 138
138.1.E drejta për të kërkuar pasurinë trashëgimore si trashëgimtar i trashëgimlënësit
parashkruhet ndaj poseduesit me mirëbesim brenda një viti nga dita që trashëgimtari ka marrë
dijeni për të drejtën e vet dhe për poseduesin e sendeve nga pasuria trashëgimore dhe në çdo
rast jo më vonë se 10 vjetë duke llogaritur për trashëgimtarin ligjor nga dita e vdekjes e
trashëgimlënësit, kurse për trashëgimtarin me testament nga shpallja e testamentit.
138.2.Ndaj poseduesit me keqbesim kjo e drejtë parashkruhet brenda 20 vjetësh nga koha
parashikuar në paragrafin 1.
III – NDARJA E TRASHËGIMIT
E drejta për ndarje
Neni 139
139.1.Ndarjen e trashëgimit mund ta kërkojë çdo trashëgimtar në çdo kohë, por jo në një kohë të
papërshtatshme.
139.2.Kjo e drejtë nuk parashkruhet.
139.3.Kontrata me të cilën trashëgimtari heq dorë nga e drejta që të kërkojë ndarjen, si dhe
dispozita e testamentit me të cilën ndalohet ose kufizohet ndarja është nul.
Bashkësia e trashëgimisë
Neni 140
140.1.Gjer në kohën e ndarjes trashëgimtarët e administrojnë dhe e disponojnë bashkarisht
pasurinë trashëgimore.
140.2.Në qoftë se nuk ka ekzekutues të testamentit e trashëgimtarët nuk pajtohen për
administrimin e pasurisë trashëgimore, gjykata me kërkesën e njërit prej tyre do të caktojë
administratorin, i cili për të gjithë ata do të administrojë pasurinë trashëgimore. Gjykata mund t’i
caktojë secilit trashëgimtar pjesën e pasurisë trashëgimore që do të administrojë.
140.3.Gjykata mund të caktojë administrator edhe ndonjërin nga trashëgimtarët.
140.4.Administratori me lejen e gjykatës mund të disponojë sende nga pasuria trashëgimore, po
qe se është i autorizuar për këtë me testament apo nëse kjo i nevojitet për t’i paguar shpenzimet
ose për të mënjanuar ndonjë dëm.
Cedimi i pjesës trashëgimore para ndarjes
Neni 141
141.1.Çdo trashëgimtar para ndarjes mund të cedojë pjesën e vet trashëgimore në tërësi ose
pjesërisht vetëm tek bashkëtrashëgimtarët.
141.2.Kontrata mbi cedimin e pjesës trashëgimore duhet të vërtetohet në gjykatë.
141.3.Kontrata e trashëgimtarit me personin që nuk është trashëgimtar për cedimin e pjesës
trashëgimore detyron vetëm trashëgimtarin që pas ndarjes t’ia dorëzojë pjesën e vet
bashkëkontraktuesit. Me këtë kontratë bashkëkontraktuesi deri në kohën e ndarjes nuk fiton
kurrfarë të drejte tjetër.
141.4.Bashkëtrashëgimtarët kanë të drejtën e parablerjes në pajtim me dispozitat e Ligjit të së
Drejtës Reale. Kjo e drejtë parashkruhet për secilin bashkëtrashëgimtar dy muaj pasi
bashkëtrashëgimtari është njoftuar me shkrim për transferën. Nëse disa bashkëtrashëgimtarë e
ushtrojnë të drejtën e tyre të parablerjes, ata e fitojnë bashkarisht pjesën e trashëgimisë, në
proporcion me pjesët e tyre respektive në raport me gjithë trashëgiminë.
E drejta e trashëgimtarëve që kanë bashkëjetuar ose kanë punuar në një bashkësi me
trashëgimlënësin
Neni 142
142.1.Me kërkesën e trashëgimtarit që ka bashkëjetuar ose ka punuar në një bashkësi me
trashëgimlënësin gjykata, kur gjen se ka bazë të arsyeshme për këtë kërkesë, mund të vendosë
që t’i lihen disa sende të luajtshme ose të paluajtshme ose grupe sendesh që do t’i takonin pjesës
së trashëgimtarëve të tjerë, kurse ky t’u paguajë me të holla vlerën e këtyre sendeve, brenda
afatit që cakton gjykata duke marrë parasysh rrethanat e rastit.
142.2. Për shumën e caktuar në këtë mënyrë këta trashëgimtarë derisa ta paguajnë kanë pengun
ligjor për pjesët e pasurisë trashëgimore që i janë dhënë trashëgimtarit, i cili është i detyruar t’u
bëjë pagesën.
142.3.Në qoftë se nuk u bëhet pagesa brenda afatit të caktuar, ata kanë të drejtë të kërkojnë
përmbushjen e detyrimit ose dorëzimin e sendeve që zakonisht do t’u takonin në emër të pjesës
trashëgimore.
Ndarja e sendeve të shtëpisë
Neni 143
143.1.Sendet e shtëpisë që shërbejnë për plotësimin e nevojave të përditshme të trashëgimtarit
që ka bashkëjetuar me trashëgimlënësin në të njëjtën familje e që nuk është pasardhës apo
bashkëshort i tij, do t’i lihen me kërkesën e tij, kurse vlera e tyre do të llogaritet në pjesën e këtij
trashëgimtari.
143.2. Në qoftë se vlera e sendeve tejkalon vlerën e pjesës trashëgimore, trashëgimtari të cilit i
janë lënë sendet do t’ua paguajë këtë diferencë trashëgimtarëve të tjerë.
Detyrimi i mbrojtjes midis trashëgimtarëve pas ndarjes
Neni 144
144.1. Nëse pas ndarjes:
a. një person i tretë, në zbatim të së drejtës të krijuar para ndarjes në mënyrë të ligjshme merr
një send që trashëgimtari ka fituar me ndarje, ose në mënyrë të ligjshme kufizon ushtrimin
e një të drejte që trashëgimtari ka fituar me ndarje, ose
b. një send i fituar nga trashëgimtari me ndarje ka një defekt të fshehur , ose
c. një kërkese që i ka kaluar trashëgimtarit me ndarje nuk ekziston, ose nuk mund nxirret
në vlerën e plotë që i ka kaluar atij, trashëgimtarët e tjerë janë përgjegjës ndaj këtij
trashëgimtari për diferencën mes vlerës aktuale të këtij sendi, të drejte, ose objekti dhe
vlerës së prezumuar të tyre gjatë ndarjes.
144.2. E drejta e trashëgimtarit sipas paragrafit 1 mund të ushtrohet brenda 3 viteve nga data e
ndarjes. Lidhur me parashkrimin e kësaj kërkese zbatohen dispozitat e Ligjit të Detyrimeve. .
144.3. Sipas këtij neni përgjegjësia e çdo trashëgimtari për çdo kërkesë kufizohet brenda
kërkesës që i takon pjesës së tij në raport me trashëgiminë në tërësi.
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Procedura trashëgimore
Neni 145
Rregullat e procedurës sipas të cilave, gjykata, organet e tjera dhe personat e autorizuar veprojnë
në çështjet e trashëgimisë përcaktohen me dispozitat për procedurën jashtëkontestimore.
Zbatimi i ligjit të trashëgimisë i Kosovës
Neni 146
146.1. Dispozitat e këtij Ligji vlejnë për trashëgiminë e të gjithë qytetarëve të Kosovës që në
kohën e vdekjes kanë pasur vendbanimin në Kosovë, pavarësisht se ku ka ndodhur vdekja dhe
ku gjendet pasuria.
146.2. Megjithatë, personat e përcaktuar në paragrafin 1 që nuk kanë vendqendrimin në Kosovë,
mund të zgjedhin me testament ligjin e trashëgimisë së vendit ku ata kanë vendqendrimin tyre.
Ligji i trashëgimisë për një person që nuk është Kosovar
Neni 147
147.1. Trashëgimia e personave të tjerë rregullohet nga ligjet të vendit qytetar i të cilit ka qenë
trashëgimlënësi në kohën e vdekjes.
147.2. Në qoftë se në shtetin e shtetasit të huaj të vdekur shqyrtohet pasuria trashëgimore e
qytetarit të Kosovës sipas ligjeve të tij, pasuria trashëgimore e këtij shtetasi të huaj që ndodhet në
territorin e Kosovës do të shqyrtohet sipas dispozitave të këtij ligji.
Kërkesat formale për vlefshmërinë e testamenteve
Neni 148
148.1. Testamenti do të konsiderohet se i plotëson kërkesat formale të këtij Ligji, nëse plotëson
njërën nga kërkesat formale:
a. Të ligjit të vendit ku trashëgimlënësi ka pasur shtetësinë në kohën e vdekjes, ose në
kohën ku ai ka bërë testamentin,
b. Të ligjit të vendit ku është bërë testamenti,
c. Të ligjit të vendit ku trashëgimlënësi ka pasur vendbanimin ose vendqendrimin, qoftë në
kohën ku ai ka bërë testamentin ose në kohës e vdekjes së tij,
d. Të ligjit të aplikueshëm në vendin ku gjenden pasuritë e paluajtshme, por vetëm përsa i
përket këtyre paluajtshmërive ose,
e. Të ligjit për trashëgiminë në përgjithësi, ose që do të aplikohej për trashëgiminë e
trashëgimlënësit në kohën kur ai ka bërë testamentin.
148.2. Paragrafi 1 aplikohet edhe për testamentet pas revokimit të një testamenti të mëparshëm.
148.3.Kërkesat në lidhje me kombësinë, shtetësinë, ose karakteristikat e tjera personale të
trashëgimlënësit, apo të dëshmitarëve të testamentit do të konsiderohen “kërkesa formale” për
qëllime të këtij neni.
Hyrja në fuqi
Neni 149
149.1.Pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës ligji i dërgohet PSSP-së për t’u shpallur.
149.2.Ky ligj hyn në fuqi pas shpalljes nga PSSP-ja.
Më 4 shkurt 2005
UNMIK/REG/2005/7