LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
19
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
LIGJI NR. 06/L-081
PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje
në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet
publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.
Neni 2
Fushëveprimi
1. Ky ligj zbatohet për të gjitha dokumentet publike që prodhohen, pranohen, mbahen, apo
kontrollohen nga institucionet publike, përveç në rastet kur kufizohet ndryshe me legjislacionin
në fuqi.
2. Paragrafi 1. nuk përbën obligim për institucionet publike që të krijojnë apo përshtatin
dokumente publike apo të ofrojnë përmbledhje të informatave kur një gjë e tillë do të përfshinte
përpjekje joproporcionale, që shkon përtej një operimi të thjeshtë. Mbi këtë bazë, institucionet
publike nuk mund të obligohen që të vazhdojnë prodhimin dhe ruajtjen e një lloji të caktuar të
dokumentit publik me qëllim të ripërdorimit të tij nga një person apo institucionet publike.
3. Ky ligj nuk cenon të drejtën për qasje në dokumente publike që mbahen nga institucionet
publike, e të cilat mund të rrjedhin nga instrumentet ligjore ndërkombëtare apo aktet e
institucioneve të cilat i zbatojnë ato.
4. Kërkesa dhe qasja në dokumente të klasifikuara, bëhet në përputhje me ligjin përkatës për
klasifikimin e informacionit.
5. Dispozitat e këtij ligji nuk aplikohen:
5.1. për informatat e klasifikuara të prodhuara dhe mbajtura nga organizatat
ndërkombëtare apo përfaqësitë e shteteve të tjera; dhe
5.2. informatat e klasifikuara nga institucionet publike, që kanë prejardhje apo janë
shkëmbyer në bazë të një kornize të bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare apo
shtete të tjera.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
20
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Institucionet publike – nënkupton institucionet dhe organet e pushtetit shtetëror në
vijim:
1.1.1. qeverinë dhe administratën në nivelin qendror dhe lokal;
1.1.2. personat fizikë apo juridikë, nëse ushtrojnë autoritet apo kompetenca
administrative dhe vetëm në lidhje me to, kryejnë detyra publike, apo operojnë
me fonde publike sipas ligjeve të Republikës së Kosovës;
1.1.3. institucionet ligjvënëse lidhur me aktivitetet e tyre;
1.1.4. institucionet e prokurorisë lidhur me aktivitetet e tyre;
1.1.5. institucionet gjyqësore lidhur me aktivitetet e tyre;
1.1.6. institucionet e pavarura të përcaktuara në ose të themeluara sipas
Kapitullit XII të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
1.1.7. subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat
financohen me fonde publike; dhe
1.1.8. kompanitë publike në të cilat shteti zotëron shumicën e aksioneve,
apo të cilat ushtrojnë një funksion publik, sipas nën-nënparagrafit 1.1.3. të këtij
neni.
1.2. Dokument Publik– nënkupton çdo akt, fakt apo informatë në formë elektronike
apo me zë, formë të shtypur, në incizime vizuale apo audiovizuale të prodhuara apo
mbajtura nga institucioni publik;
1.3. Informacion – nënkupton, por nuk kufizohet në, të dhëna, fotografi, vizatime,
video, film, raport, akt, tabelë, projekte, drafte ose shtesa të tjera, të cilat prodhohen,
pranohen, mbahen ose kontrollohen nga institucionet publike, pavarësisht nëse janë
të përfshira në ndonjë dokument, si dhe pavarësisht burimit, kohës së krijimit, vendit të
depozitimit ose ruajtjes, mediumin ose formën në të cilën gjendet, emrit ose institucionit
publik në emër të cilit është krijuar ose çfarëdo karakteristike tjetër;
1.4. Të dhëna të hapura - nënkupton të dhënat e prodhuara, pranuara, mbajtura apo
kontrolluara nga institucionet publike, të cilat mund të përdoren lirisht, të modifikohen
dhe shpërndahen nga çdo person, me kusht që të mbesin të hapura dhe t’i atribuohen
burimit;
1.5. Publikim – nënkupton vënien në dispozicion në një formë të qasshme për publikun
dhe që përfshinë shtypin, transmetimin dhe format elektronike;
1.6. Hostim – nënkupton ofrimin e hapësirës në server dhe publikimi në internet i ueb
faqeve;
1.7. Person – nënkupton çdo person fizik apo juridik, pa dallim mbi çfarëdo baze, i cili
kërkon qasje në dokumente publike sipas këtij ligji;
1.8. Ripërdorimi i dokumenteve publike – ripërdorimi nga çdo person i dokumenteve
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
21
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
publike për qëllime komerciale dhe jokomerciale tjera nga qëllimi fillestar për të cilat
janë prodhuar dokumentet publike;
1.9. Testi i dëmit dhe i interesit publik – Testi ligjor që e vlerëson dëmin që do t’i
shkaktohej interesit të mbrojtur kundrejt interesit publik për publikim, që duhet të bëjnë
institucionet publike para marrjes së vendimit për refuzim të publikimit të dokumenteve
publike me vetiniciativë, si dhe para marrjes së vendimit për refuzimin e kërkesave
për qasje në dokumente publike, i cili duhet të përfshihet në arsyetim të vendimit mbi
refuzim;
1.10. Agjencia – nënkupton Agjencinë për Informim dhe Privatësi, të themeluar në bazë
të ligjit të veçantë për mbrojtjen e të dhënave personale;
1.11. Komisioneri – organ i pavarur, i emëruar nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të
Agjencisë, i cili është përgjegjës për sigurimin e zbatimit të këtij ligji dhe të Ligjit për
mbrojtjen e të dhënave personale;
1.12. Zyrtar përgjegjës – nënkupton zyrtarin më të lartë administrativ të institucionit
publik sikurse është përcaktuar me ligj, i cili është përgjegjës për vendimmarrje në
kuadër të një institucioni publik;
1.13. Zyrtar përgjegjës për qasje në dokumente publike – zyrtar administrativ në kuadër
të institucionit publik, i caktuar për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të pranuara
për qasje në dokumente publike, për kryerjen e shqyrtimit fillestar të këtyre kërkesave,
për ruajtjen dhe mbajtjen e evidencave të këtyre kërkesave dhe për raportimin rreth
këtyre kërkesave;
1.14. Gjykata – gjykata kompetente e përcaktuar me ligjin mbi gjykatat kompetente për
gjykimin e çështjeve administrative.
Neni 4
Parimet themelore të së drejtës në qasje në dokumente publike
1. E drejta për qasje në dokumente publike e secilit person, si dhe garantimi dhe përmbushja
e kësaj të drejte nga ana e institucioneve publike përbën një prej themeleve të institucioneve
demokratike dhe transparente.
2. Qasja në dokumente publike bëhet përmes publikimit proaktiv nga ana e institucioneve
publike të dokumenteve publike dhe përmes kërkesës së personit për qasje në dokumente
publike.
3. Secili person ka të drejtë të ripërdorë dokumentet publike sipas kushteve dhe kufizimeve te
përcaktuara me këtë ligj.
4. Hapja e të dhënave dhe transparenca në sektorin publik shërben për llogaridhënie ndaj
publikut, për zhvillimin dhe avancimin shoqëror, ekonomik dhe demokratik.
5. E drejta për qasje në dokumente publike i takon secilit person në mënyrë të njëjtë dhe të
barabartë. Institucionet publike nuk favorizojnë askënd në ushtrimin e të drejtës për qasje në
dokumente në krahasim me të tjerët.
6. Kufizimi i të drejtës për qasje në dokumente publike bëhet vetëm në rastet e kufizuara dhe
specifike të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
22
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
KAPITULLI II
PUBLIKIMI I DOKUMENTEVE PUBLIKE
Neni 5
Publikimi me iniciativë të institucioneve publike
1. Institucionet publike detyrohen të publikojnë në mënyrë proaktive çdo dokument publik të
prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar, në formë elektronike, përmes publikimit në
ueb faqen zyrtare të institucioneve publike, pavarësisht kërkesës së personit për qasje.
2. Ueb faqet e institucioneve publike duhet të përmbajnë, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:
2.1. misionin dhe funksionet e institucionit publik, duke përfshirë edhe ato të njësive në
vartësi;
2.2. skemën organizative të institucionit publik, duke përfshirë edhe atë të njësive në
vartësi;
2.3. legjislacionin bazë për organizimin, funksionimin dhe funksionet e institucionit
përkatës;
2.4. të dhënat e përditshme për veprimtarinë publike të institucionit, aktet ligjore e
nënligjore;
2.5. strategjitë dhe dokumentet e tjera të linjëveprimeve të miratuara, në fushën e
veprimit dhe funksionet e institucionit publik;
2.6. listën e hollësishme të shërbimeve që ofron institucioni për publikun, si: licenca,
leje, autorizime, certifikata, vërtetime apo shërbime publike të tjera, ku do të përfshihen
edhe:
2.6.1. procedurat dhe kushtet e përfitimit të tyre;
2.6.2. dokumentacioni i nevojshëm dhe kostoja për realizimin e shërbimit;
2.6.3. formulari i aplikimit për çdo shërbim dhe udhëzuesi i plotësimit të tij;
2.6.4. afati i detyrueshëm për të marrë përgjigje për shërbimin e kërkuar;
2.6.5. afati dhe organi ku bëhet ankimi, në rast refuzimi të përgjigjes apo të
mosofrimit të shërbimit në afatin e detyrueshëm ligjor.
2.7. secili institucion publik detyrohet të ketë një adresë zyrtare të postës elektronike,
posaçërisht për komunikim me publikun dhe të ngarkojë një (1) person për të kontrolluar
rregullisht të dhënat e pranuara. I njëjti mund të jetë përgjegjës për rifreskimin, sigurimin
e qasjes dhe besueshmërinë e informatave në ueb faqet e institucioneve publike;
2.8. institucionet publike ueb faqet e tyre zyrtare, obligohen t’i hostojnë në serverët e
Qendrës Shtetërore të të Dhënave të Republikës së Kosovës;
2.9. Agjencia për Informim dhe Privatësi përkujdeset për aspektet përmbajtjesore të
ueb faqeve të institucionit publik, ndërsa Agjencia e Shoqërisë së Informacionit për
aspektet teknike të hostimit;
2.10. Qeveria e Kosovës mund të caktojë, me vendim, përmbajtjen shtesë për ueb
faqet e institucioneve publike.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
23
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
Neni 6
Publikimi i dokumenteve publike
1. Institucionet publike detyrohen të publikojnë, në mënyrë proaktive, çdo dokument publik, të
prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar nga to, menjëherë pasi dokumentet e tilla të
jenë bërë të gatshme për publikim, por jo më larg se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga momenti i
bërjes së tyre të qasshme.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, institucionet publike nuk publikojnë proaktivisht
ato dokumente publike, të cilat përmbajnë të dhëna që përbëjnë bazë për refuzimin e qasjes në
dokumente publike në bazë të nenit 17 të këtij ligji.
3. Me rastin e vendosjes nëse dokumentet publike përmbajnë ndonjërin prej kufizimeve të
parapara me nenin 17 të këtij ligji, institucionet publike detyrohen të bëjnë testin e dëmit dhe të
interesit publik para vendosjes për mospublikim të dokumenteve të tilla.
Neni 7
Format e publikimit
1. Dokumentet publike të publikuara nga vetë institucionet publike, bëhen publike në njërën nga
format e mëposhtme:
1.1. elektronike;
1.2. të shtypur;
1.3. përmes transmetimit; apo
1.4. në çfarëdo forme tjetër, e cila mundëson qasjen e numrit sa më të madh të publikut.
2. Dokumentet publike të publikuara nga vetë institucionet publike, bëhen publike në gjuhët
zyrtare të aplikueshme në Republikën e Kosovës, në përputhje me ligjin përkatës mbi përdorimin
e gjuhëve.
KAPITULLI III
PUBLIKIMI I TË DHËNAVE TË HAPURA
Neni 8
Parimet e hapjes së të dhënave
1.Në publikimin e të dhënave të hapura, institucionet publike udhëhiqen nga parimet e
mëposhtme:
1.1. të dhënat e hapura publikohen me iniciativë të vetë institucioneve publike, pa
kërkesë të palëve të interesuara, në kohë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, të saktë
dhe me cilësi të lartë;
1.2. të dhënat e hapura publikohen në atë mënyrë që të jenë të qasshme nga të gjitha
palët e interesuara dhe në një formë që mundësojnë përdorimin e tyre të lirë dhe të
pavarur;
1.3. të dhënat e hapura duhet të mundësojnë krahasimin dhe ndërveprimin ndërmjet
tyre dhe të publikohen në format që mundësojnë leximin nga njerëzit dhe pajisjet
teknologjike;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
24
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
1.4. të dhënat e hapura publikohen me qëllim të përmirësimit të qeverisjes dhe
angazhimit qytetar në qeverisje.
2. Institucionet publike zhvillojnë linjëveprime, të cilat mundësojnë hapjen e të dhënave nga ana
e tyre, si dhe inkurajojnë qytetarët, shoqërinë civile dhe sektorin privat për hapjen e të dhënave
të tyre.
Neni 9
Publikimi i të dhënave të hapura
1. Të dhënat e hapura publikohen në një portal qendror për të dhëna të hapura, i cili zhvillohet
dhe menaxhohet nga ministria përgjegjëse për administratë publike.
2. Të dhënat e hapura publikohen në format të hapur, i cili mundëson leximin dhe modifikimin e
tyre pa barriera teknologjike, të cilat mund të lexohen nga pajisjet teknologjike dhe njerëzit, dhe
që ofron qasje tek të gjitha përmbledhjet e të dhënave.
3. Të dhënat e hapura publikohen me licencë të hapur, e cila mundëson përdorimin e lirë të
të dhënave, shpërndarjen e serishme të të dhënave, përfshirë edhe, por pa u kufizuar përmes
shitjes, modifikimit dhe përfshirjes së tyre në punë më të gjëra.
4. Me qëllim që të kenë qasje në të dhënat e hapura, përdoruesit detyrohen të tregojnë burimin
e të dhënave, si dhe të njohin të drejtat e pronësisë intelektuale mbi të dhënat e personave të
tjerë dhe të garantojnë paprekshmërinë e të dhënave.
5. Institucionet publike caktojnë zyrtarin përgjegjës, i cili do të shërbejë, përveç tjerash, edhe si
zyrtar ndërlidhës për publikim të të dhënave të hapura.
6. Ministria përkatëse e administratës publike do të caktojë një zyrtar përgjegjës nga Agjencia
e Shoqërisë së informacionit për të koordinuar veprimet për publikimin e të dhënave të hapura.
KAPITULLI IV
QASJA NË DOKUMENTE PUBLIKE NË BAZË TË KËRKESËS
Neni 10
Kërkesa për qasje në dokumente publike
1. Secili person ka të drejtë për qasje në dokumente publike në bazë të kërkesës.
2. Kërkesat për qasje në dokumente publike parashtrohen në çfarëdo mënyre, e cila i mundëson
institucionit publik të identifikojë nëse posedon dokumentin publik të kërkuar.
3. Kërkesa mund të bëhet nga personi, me shkrim, në formë elektronike, ose verbalisht. Për aq
sa është e mundshme, kërkesa duhet të përmbajë edhe formën e preferuar nga kërkuesi për
qasje në dokumente publike.
4. Nëse kërkesa bëhet verbalisht, zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike obligohet
të hartojë kërkesën me shkrim për procedim të mëtejmë. Nëse kërkesa bëhet në formë
elektronike, atëherë ajo konsiderohet si kërkesë me shkrim.
5. Kërkuesi i ndonjë dokumenti publik nuk është i obliguar që të japë arsye për përdorimin e
dokumenteve publik për të pasur qasje në dokumente publike.
6. Nëse kërkesa nuk është sa duhet e saktë dhe nuk mundëson identifikimin e dokumentit
publik që kërkohet, institucioni publik kërkon nga kërkuesi që ta qartësojë kërkesën dhe mund
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
25
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
t’i ndihmojë kërkuesit që t’a bëjë një gjë të tillë.
7. Kërkuesi i ndonjë dokumenti publik ka të drejtë që të mbetet anonim në raport me palët e
treta.
8. Institucionet publike i ofrojnë personave ndihmë se si dhe ku mund të parashtrohen kërkesat
për qasje në dokumente publike.
9. Formalitetet për kërkesa nuk tejkalojnë atë që është e domosdoshme dhe e arsyeshme për
të përpunuar kërkesën.
Neni 11
Trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike
1. Kërkesat për qasje në dokumente publike apo për ripërdorim të dokumenteve publike
trajtohen nga cilido institucion publik që posedon dokumentin publik të kërkuar.
2. Zyrtari përgjegjës brenda institucionit publik, me vendim, lejon ose refuzon qasjen në
dokumente publike.
3. Nëse institucioni publik nuk prodhon apo pranon, apo nuk disponon ose nuk e kontrollon
dokumentin publik të kërkuar dhe ka njohuri për institucionin publik tjetër që e ka prodhuar,
pranuar, disponon apo kontrollon dokumentin publik, menjëherë, por jo më vonë se pesë (5)
ditë pune nga dita e pranimit të kërkesës nga kërkuesi, detyrohet që ta informojë dhe udhëzojë
kërkuesin për tek institucioni publik përkatës.
4. Në rast se institucioni publik nuk e ka prodhuar apo pranuar, nuk disponon ose nuk e
kontrollon dokumentin publik të kërkuar dhe nuk ka njohuri për institucionin publik tjetër që e ka
prodhuar, pranuar, disponon apo kontrollon dokumentin publik, menjëherë, por jo më vonë se
shtatë (7) ditë pune nga dita e pranimit të kërkesës nga kërkuesi, detyrohet që ta informojë për
këtë kërkuesin dhe ta udhëzojë atë që t’i drejtohet Agjencisë, i cili obligohet të konfirmoj nëse
dhe cili institucion publik ka prodhuar, pranuar, disponon ose kontrollon dokumentin publik të
kërkuar, dhe menjëherë, por jo më vonë se shtatë (7) ditë pune nga dita e pranimit të kërkesës,
të njoftojë për këtë kërkuesin.
5. Institucioni publik ndihmon kërkuesin, aq sa është e mundshme dhe e arsyeshme, të
identifikojë dokumentin e kërkuar.
6. Kërkesat për qasje në dokumente publike, apo për ripërdorim të dokumenteve publike
trajtohen me shpejtësi dhe sipas parimit të objektivitetit dhe paanshmërisë sipas Ligjit përkatës
për Procedurën e përgjithshme administrative.
Neni 12
Afatet për trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike
1. Institucioni publik detyrohet që brenda shtatë (7) ditëve prej kohës së regjistrimit të kërkesës,
të nxjerrë vendim për lejimin e qasjes në dokumentin e kërkuar ose të nxjerrë vendim të
arsyetuar për refuzimin e plotë apo të pjesshëm dhe informon kërkuesin për të drejtën që ai ka
për të kërkuar rishqyrtimin e kërkesës si dhe kur dhe ku të paraqitet kërkesa e tillë.
2. Kur dokumenti publik i kërkuar, i cili në bazë të një vlerësimi të arsyeshëm shihet të jetë i
nevojshëm për mbrojtjen e jetës apo lirisë së një personi, institucioni publik detyrohet të ofrojë
përgjigje brenda afatit prej dyzet e tetë (48) orëve.
3. Institucioni publik mund të vazhdojë afatin e përcaktuar nga paragrafi 1. i këtij neni për
marrjen e vendimit për qasje në dokumente publike më së shumti edhe për pesëmbëdhjetë (15)
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
26
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
ditë shtesë, në qoftë se:
3.1. dokumenti duhet të kërkohet brenda një numri të madh të dokumenteve apo jashtë
institucionit publik; ose
3.2. me një kërkesë kërkohen një numër i madh i dokumenteve publike, nga e njëjta
palë.
4. Institucioni publik njofton kërkuesin me ecurinë dhe arsyet që kanë shkaktuar shtyrjen e
afatit, menjëherë, por jo më vonë se tetë (8) ditë nga pranimi i kërkesës.
Neni 13
Zyrtarët përgjegjës për qasje në dokumente publike
1. Të gjitha institucionet publike detyrohen të caktojnë njësinë apo një zyrtar përgjegjës për
qasje në dokumente publike.
2. Të gjitha kërkesat për qasje në dokumente publike, të cilat i drejtohen institucionit publik, i
dërgohen njësisë apo zyrtarit përgjegjës për qasje në dokumente publike.
3. Njësia apo zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike, pas marrjes dhe shqyrtimit
fillestar të kërkesës për qasje në dokumente publike, identifikon se cila është njësia përkatëse
brenda institucionit publik që ka në posedim ose kontroll dokumentin e kërkuar.
4. Pas lejimit të qasjes sipas këtij ligji, njësia përkatëse brenda institucionit publik, këtë
dokument, në pajtim me kushtet e parapara me këtë ligj dhe ligjet tjera në fuqi, ia dërgon
kërkuesit të dokumentit.
5. Njësia apo zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike mbanë evidencë të saktë për
numrin e kërkesave për qasje në dokumente si dhe të dhëna tjera me rëndësi në lidhje me
numrin e kërkesave të aprovuara, aprovuara pjesërisht dhe të refuzuara, si dhe arsyetimin e
dhënë dhe informatat e tjera relevante që e bëjnë të mundur identifikimin e kërkesës përkatëse.
6. Njësia apo zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike përgatitë raportet e rregullta
vjetore, më së largu deri më datën 31 janar të vitit vijues, për vitin paraprak dhe këto raporte
ia dërgon Agjencisë për Informim dhe Privatësi, i cili përgatitë raportin gjithëpërfshirës të
institucioneve publike për realizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike.
7. Zyra e arkivit në secilin institucion publik detyrohet që të hartojë regjistrin e dokumenteve
publike që përmban, e që janë të qasshme lirisht për publikun. Ky regjistër duhet të përditësohet
çdo tre (3) muaj.
Neni 14
Format e qasjes në dokumente publike
1. Kur institucioni publik lejon qasjen në dokumente publike, kërkuesi ka të drejtë të zgjedhë
formën për qasje në dokumentet të tilla.
2. Në rastet kur kërkesa për qasje përmban një formë të parapëlqyer për qasje, atëherë
institucioni publik ka për detyrim të veprojë në përputhje me atë parapëlqim.
3. Një kërkesë mund të përmbajë format e parapëlqyera për qasje në dokumente dhe institucione
publike si në vijim:
3.1. një kopje e saktë në formë të shtypur ose tjetër të dokumenteve publike të kërkuara;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
27
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
3.2. mundësinë për shikim të dokumenteve publike, kurdo që është e mundshme
përmes përdorimit të pajisjeve të vet institucionit;
3.3. mundësinë për të kopjuar dokumentet publike, përmes pajisjeve të vet kërkuesit;
3.4. një transkript të shkruar të fjalëve të përmbajtura në formë audio ose vizuele nëse
ekziston apo rrjedh nga një takim i hapur;
3.5. një transkript të përmbajtjes së një incizimi, në formë të shtypur, audio ose
vizuele, në rastet kur një transkript i tillë ekziston, duke përdorur pajisjet, të cilat janë
përgjithësisht të qasshme për institucionin publik.
4. Në rast se një dokument publik ekziston në më shumë se një gjuhë, atëherë qasja ofrohet në
dokumentin publik në gjuhën e parapëlqyer të kërkuesit.
5. Një institucion publik nuk është i detyruar të ofrojë qasje në dokumentet publike
domosdoshmërisht në formën e kërkuar nga kërkuesi, në rastet kur një gjë e tillë:
5.1. do të ndërhynte në mënyrë të paarsyeshme në operimin efektiv të institucionit
publik;
5.2. do të shkaktonte dëm të pariparueshëm në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe trashëgiminë
e ndonjë dokumenti publik;
5.3. do të përbënte obligim për institucionin publik që të krijojë apo të përshtatë
dokumente publike apo të jep përmbledhje të informatave kur kjo do të përfshinte
përpjekje joproporcionale, që shkon përtej një operimi të thjeshtë.
6. Institucioni publik mund të ofrojë qasje në ndonjë dokument publik duke drejtuar kërkuesin në
burime alternative që mund të qasen më lehtë.
7. Nëse dokumenti është bërë publik me iniciativë të institucionit publik dhe është e mundshme
që kërkuesi të ketë qasje të lehtë në të, institucioni publik mund ta përmbushë detyrimin e vet
të lejimit të qasjes në dokumente publike duke e informuar kërkuesin se ku dhe si ta marrë
dokumentin publik të kërkuar.
Neni 15
Shpenzimet për qasje në dokumente publike
1. Shikimi i dokumenteve publike në objektet e institucionit publik është pa pagesë, duke mos
ndaluar caktimin e tarifave për shërbimet e ndërlidhura të ofruara nga bibliotekat, arkivat dhe
muzetë.
2. Një tarifë mund t’i ngarkohet kërkuesit për kopje të dokumentit publik, e cila është e arsyeshme
dhe nuk mund të tejkalojë shpenzimet e vërteta të riprodhimit dhe furnizimit të dokumentit.
3. Kur bibliotekat, arkivat dhe muzetë kërkojnë tarifa, të ardhurat e përgjithshme nga dhënia dhe
lejimi i ripërdorimit të dokumenteve publike përgjatë periudhës së duhur të kontabilitetit nuk e
tejkalon koston e grumbullimit, prodhimit, riprodhimit, shpërndarjes, ruajtjes dhe verifikim të të
drejtave, së bashku me një kthim të arsyeshëm nga investimi.
4. Tarifa nuk mund të ngarkohet në lidhje me kërkesat për të dhëna personale.
5. Tarifat për shpenzimet e prodhimit dhe dërgimit të dokumenteve apo kopjes së dokumenteve
rregullohen me akt nënligjor të nxjerrë nga ministria përkatëse për financa dhe janë unike për
të gjitha institucionet publike.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
28
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
6. Për tarifat standarde për ripërdorimin e dokumenteve publike, çdo kusht i vlefshëm dhe
shuma e atyre tarifave, si dhe baza e llogaritjes së atyre tarifave, caktohet paraprakisht dhe
publikohet, përmes mjeteve elektronike, aty ku është e mundur dhe e nevojshme.
7. Nëse dokumentet ripërdoren nga ndonjë institucion publik si kontribut për aktivitetet e tij
komerciale që janë jashtë fushëveprimit të detyrave të tij publike, tarifat e njëjta dhe kushtet e
tjera që vlejnë edhe për përdoruesit e tjerë vlejnë edhe për dhënien e dokumenteve publike për
ato aktivitete.
Neni 16
Ndalimi i ujdive përjashtuese
1. Ripërdorimi i dokumenteve është i hapur për të gjitha palët potenciale në treg edhe në rastet
kur ato veçse i shfrytëzojnë produktet me vlerë të shtuar në bazë të këtyre dokumenteve.
Kontratat apo ujditë tjera mes organeve të sektorit publik që i mbajnë dokumentet dhe palëve
të treta nuk lejohet të garantojnë të drejta përjashtuese.
2. Në rastet kur e drejta përjashtuese është e domosdoshme për ofrimin e ndonjë shërbimi në
interesin publik, kjo e drejtë shqyrtohet çdo tri (3) vite.
KAPITULLI V
REFUZIMI I QASJES NË DOKUMENTE PUBLIKE
Neni 17
Bazat e lejueshme për refuzimin e qasjes në dokumente publike
1. Çdo kërkues ka të drejtë të ketë qasje në dokumente publike. Pavarësisht nga cilido paragraf
i këtij neni, një institucion publik nuk mund të refuzojë të tregojë nëse ka në posedim një
dokument apo të refuzojë qasjen në një dokument publik, përderisa nuk bën një test të dëmit
dhe interesit publik për të përcaktuar nëse dëmi i shkaktuar interesit të mbrojtur mbisundon
interesin e publikut për qasje në atë dokument publik.
2. Kufizimi i të drejtës për qasje në dokumente publike ushtrohet në përputhje me parimin
e proporcionalitetit sipas ligjit përkatës për Procedurën e përgjithshme administrative, në
përputhje me këtë ligj dhe vetëm për qëllime të mbrojtjes së:
2.1. jetës, shëndetit dhe të sigurisë publike;
2.2. sigurisë shtetërore, mbrojtjes dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare;
2.3. parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së veprave penale në rastet kur publikimi i
dokumenteve publike mund të dëmtojë procesin e hetimit;
2.4. hetimet disiplinore, në rastet kur publikimi i dokumenteve publike mund të dëmtojë
procedurën disiplinore;
2.5. inspektimit, kontrollimit dhe mbikëqyrjes nga institucionet publike në rastet kur
trajtojnë informacion të klasifikuar;
2.6. të drejtës për privatësi dhe e drejta e fshirjes (‘E drejta për t’u harruar’);
2.7. konfidencialitetit komercial siç janë sekretet e biznesit, sekretet profesionale apo
të kompanisë;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
29
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
2.8. dokumenteve për të cilat institucioni publik apo palët e treta gëzojnë të drejtat e
pronësisë intelektuale;
2.9. politikave ekonomike, monetare dhe këmbimore të shtetit;
2.10. konfidencialitet statistikor;
2.11. barazisë së palëve në procedura gjyqësore dhe administrimin efikas të drejtësisë;
2.12. diskutimeve brenda apo ndërmjet institucioneve publike lidhur me shqyrtimin e
ndonjë çështjeje, e cila përbën dokument të klasifikuar.
3. Qasja në dokumente publike gjithnjë lejohet, nëse:
3.1. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjnë me shpenzimet e parasë publike;
3.2. dokumenti publik lidhet me zbatimin e funksioneve publike ose marrëdhëniet e
punësimit të zyrtarëve publik, përveç në rastet kur ka të dhëna personale të mbrojtura
apo kur saktësohet ndryshe në ligjet përkatëse;
3.3. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjë me mjedisin, mbeturinat, substanca të
rrezikshme ose informata të raporteve të sigurisë në mjedis, ashtu si janë të parapara
me ligjin përkatës për mbrojtjen e mjedisit.
4. Nëse vetëm një pjesë e dokumenteve publike të kërkuara mbulohet me ndonjë prej
përjashtimeve të përmendura në paragrafin 2. të këtij neni, pjesët e mbetura të dokumentit
publik bëhen publike.
5. Kërkesa për qasje në dokumente publike mund të refuzohet nëse:
5.1. pa marrë parasysh ndihmën nga institucioni publik, kërkesa mbetet tejet e paqartë
për të mundësuar identifikimin e dokumentit;
5.2. nëse janë plotësuar kushtet dhe kërkesat nga paragrafët 2. dhe 4. i këtij neni.
6. Para marrjes së vendimit për refuzimin e kërkesës për qasje në dokumente publike në tërësi
ose pjesërisht, sipas paragrafit 2. të këtij neni, institucioni publik detyrohet të bëjë testin e dëmit
dhe të interesit publik në përputhje me nenin 18 të këtij ligji.
7. Institucioni publik, i cili refuzon qasjen në dokumentin publik në tërësi apo pjesërisht, duhet të
nxjerrë vendim për refuzim dhe në të të japë arsye mbi refuzimin dhe të shpjegojë arsyet se si
ka bërë testin sipas nenit 18 të këtij ligji dhe si ka ardhur në përfundimin për të refuzuar qasjen
sipas paragrafit 2. të këtij neni.
8. Vendimi duhet të jetë me shkrim dhe duhet t’i dorëzohet kërkuesit personalisht, përmes
postës së regjistruar apo përmes e-mailit, në rast se kërkuesi ka përdorur këtë metodë për të
kërkuar dokumentin publik dhe duhet të përmbajë mjetin juridik që kërkuesi mund të përdorë
kundër vendimit për refuzim.

Neni 18
Testi i dëmit dhe interesit publik
1. Para se të vendosë për refuzimin e kërkesës për qasje në dokumente publik, sipas nenit 17
të këtij ligji, institucionet publike detyrohen të bëjnë testin e dëmit dhe të interesit publik.
2. Institucionet publike përcaktojnë, në bazë të testit të dëmit dhe të interesit publik, në rast se
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
30
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
interesat e mbrojtura me paragrafin 2. të nenit 17 mbisundojnë interesin publik për publikimin e
dokumenteve publike.
3. Agjencia, jo më larg se gjashtë (6) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton udhëzime të
qarta për institucionet publike për përmbajtjen dhe mënyrën e bërjes së testit të dëmit dhe të
interesit publik në procedurën e marrjes së vendimit dhe arsyetimit të vendimeve për refuzimin
e qasjes në dokumente publike në bazë të nenit 17 të këtij ligji.
4. Nëse kërkesa ka të bëjë me cilëndo nga çështjet e cekura në nenin 17 paragrafin 3. të këtij
Ligji, dokumentet publike duhet të bëhen të qasshme pa bërë ndonjë lloj testi, përveç nëse janë
të kufizuara me ndonjë ligj tjetër në fuqi.
Neni 19
Heshtja ose mospërgjigja e institucionit publik
Heshtja ose mospërgjigja e institucionit publik brenda afatit të caktuar me këtë ligj, konsiderohet
si përgjigje negative dhe i jep të drejtë kërkuesit që të ndjekë procedurat mbi ankimin administrativ
dhe procedurën gjyqësore në përputhje me Kapitullin VII të këtij ligji.
KAPITULLI VI
ANKESAT DHE MJETET JURIDIKE NDAJ REFUZIMIT TË QASJES NË DOKUMENTE
PUBLIKE
Neni 20
Ankesa pranë Agjencisë
1. Në rast se institucioni publik ka refuzuar në tërësi apo pjesërisht kërkesën për qasje në
dokumente publike apo në rast të heshtjes apo mos përgjigjes së institucionit publik, kërkuesi
mund t’i drejtohet me ankesë Agjencisë brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve prej
pranimit të vendimit për refuzim ose vendimit për aprovim të pjesshëm të kërkesës për qasje.
2. Agjencia, ankesën e pranuar ia komunikon institucionit publik që ka vendosur në lidhje me
kërkesën për qasje, i cili duhet që brenda shtatë (7) ditëve pas pranimit të ankesës të ofrojë
përgjigje me shkrim ndaj pretendimeve të ngritura nga ankuesi.
3. Pas pranimit të përgjigjes nga ana e institucionit publik ose në rast të mospërgjigjes, Agjencia
vendosë në lidhje me ankesën në afatin prej tridhjetë (30) ditëve. Agjencia, me akt të brendshëm,
vendosë për procedurën dhe mënyrën e vendosjes brenda këtij institucioni.
4. Agjencia mund të aprovojë në tërësi ankesën dhe ta ndryshojë vendimin e institucionit publik,
në atë mënyrë që i lejon qasjen kërkuesit tërësisht në dokumentet publike të kërkuara, në
përputhje me dispozitat e këtij ligji.
5. Agjencia mund të aprovojë pjesërisht ankesën dhe ta ndryshojë vendimin e institucionit
publik në atë mënyrë që i lejon qasjen kërkuesit pjesërisht në dokumentet publike të kërkuara,
në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
6. Institucioni publik detyrohet të veprojë sipas vendimit të Agjencisë në afat prej shtatë (7)
ditëve.
7. Agjencia mund të refuzojë ankesën dhe të lejë në fuqi vendimin e institucionit publik për
refuzimin ose aprovimin e pjesshëm të qasjes në dokumente publike.
8. Në rast të refuzimit të plotë apo të pjesshëm të ankesës, Agjencia nxjerr vendim, i cili duhet të
përmbajë arsyet për refuzimin e ankesës dhe mjetin juridik që kërkuesi mund ta përdorë kundër
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
31
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
vendimit mbi refuzimin e ankesës.

9. Vendimi duhet të jetë me shkrim dhe duhet t’i dorëzohet kërkuesit personalisht, përmes
postës së regjistruar apo përmes postës elektronike, në rast se kërkuesi ka përdorur këtë
metodë për të paraqitur kërkesën për rishqyrtim.
10. Vendimi i Agjencisë është përfundimtar në procedurën administrative, i cili mund të
kundërshtohet vetëm përmes padisë në gjykatën kompetente për çështje administrative.
Neni 21
Institucioni i Avokatit të Popullit
1. Institucioni i Avokatit të Popullit është organ i pavarur, i cili ndihmon qytetarët në realizimin e
të drejtës për qasje në dokumentet publike sipas Kushtetutës, këtij ligji, dhe ligjet përkatëse që
rregullojnë fushëveprimin dhe përgjegjësitë e Avokatit të Popullit.
2. Secili person ka të drejtë t’i drejtohet Institucionit të Avokatit të Popullit me kërkesë apo
ankesë nëse konsideron që ndonjë e drejtë e njohur me këtë Ligj apo akte të tjera për qasje në
dokumente publike është cenuar.
Neni 22
Kërkesa për mbrojtje gjyqësore përmes gjykatës
Në rast të refuzimit të plotë apo të pjesshëm të ankesës nga ana e Agjencisë, në përputhje
me nenin 20 të këtij ligji, kërkuesi mund t’i drejtohet me padi gjykatës kompetente për çështje
administrative brenda tridhjetë (30) ditëve prej ditës së pranimit të vendimit përfundimtar nga
Agjenci.
Neni 23
Aplikimi i dispozitave të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative
Në procedurën e realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike, në mënyrë të
përshtatshme, aplikohen dispozitat e ligjit për procedurën e përgjithshme administrative të
Republikës së Kosovës, nëse me dispozitat e këtij ligji nuk është përcaktuar ndryshe.
KAPITULLI VII
RIPËRDORIMI I DOKUMENTEVE DHE TË DHËNAVE PUBLIKE
Neni 24
E Drejta për ripërdorim të dokumenteve publike
Secili person ka të drejtë të ripërdorë dokumentet publike, për qëllime komerciale ose jo, në
përputhje me dispozitat dhe kufizimet e përcaktuara me këtë ligj.
Neni 25
Kërkesa dhe lejimi i qasjes për ripërdorim
Dispozitat e kapitujve III deri V në lidhje me kërkesat për qasje në dokumente publike, për
refuzimin e kërkesave për qasje në dokumente publike dhe për ankesat dhe mjetet juridike ndaj
vendimeve për refuzimin e qasjes, vlejnë përshtatshmërisht edhe për kërkesat për ripërdorimin
e dokumenteve publike.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
32
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
Neni 26
Kushtet dhe kufizimet për lejimin e ripërdorimit
1. Institucionet publike bëjnë dokumentet publike të qasshme për ripërdorim në cilëndo gjuhë
dhe gjendje para-ekzistuese, dhe po që se është e mundshme, në format të hapur dhe të
lexueshëm nga pajisjet teknologjike, së bashku me përmbledhjet e të dhënave të tyre.
2. Institucionet publike nuk janë të detyruara që të transformojnë formatin e dokumenteve ose
të vazhdojnë të krijojnë, përditësojnë informatat, vetëm me qëllim të ripërdorimit të tyre.
3. Dokumentet publike, në të cilat bibliotekat, përfshirë bibliotekat universitare, muzetë dhe
arkivat, kanë të drejta të pronësisë intelektuale, lejohen për ripërdorim për qëllime komerciale
dhe jokomerciale vetëm në rast se ripërdorimi i dokumenteve të tilla është i lejueshëm.
4. Institucionet publike ndalohen të bëjnë marrëveshje, të cilat lejojnë qasje për ripërdorim
në baza ekskluzive. E drejta për ripërdorim duhet të jetë e hapur për të gjithë pjesëmarrësit
potencialë në treg dhe ndalohet diskriminimi ndaj palëve të interesuara në qasjen për ripërdorim
të dokumenteve publike.
5. E drejta për ripërdorim nuk mund të aprovohet për dokumente publike për të cilat palët e treta
mbajnë të drejta të pronësisë intelektuale.
KAPITULLI VIII
ORGANI I PAVARUR PËR MBIKËQYRJE TË QASJES NË DOKUMENTE PUBLIKE
Neni 27
Agjencia
Agjencia është kompetente për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit të këtij Ligji, për
ndërmarrjen dhe shqiptimin e masave të parapara me këtë ligj, si dhe për promovimin dhe
trajnimin e institucioneve publike në zbatimin e këtij ligji.
Neni 28
Detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencisë
1. Si shtesë e detyrave dhe përgjegjësive të tjera të parashikuara me këtë Ligj dhe ligje të tjera,
Agjencia ka edhe detyrat dhe përgjegjësitë në vijim:
1.1. të monitorojë dhe raportojë në lidhje me përputhshmërinë dhe respektimin e këtij
Ligji nga institucionet publike;
1.2. të rekomandojë ndryshime dhe reforma të natyrës së përgjithshme, por edhe
specifike, të drejtuara një institucioni specifik në lidhje me të drejtën për qasje në
dokumente publike;
1.3. të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse për organizimin dhe mbajtjen e
trajnimeve për zyrtarët publikë për qasje në dokumente publike dhe për zbatimin efektiv
të këtij ligji;
1.4. të publikojë detyrimet e institucioneve publike që rrjedhin nga ky ligj dhe të drejtat
e secilit person të parashikuar me këtë ligj;
1.5. të ndërmarrë dhe shqiptojë ndonjërën nga masat e parashikuara me këtë ligj për
zbatimin efektiv të këtij Ligji.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
33
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
2. Agjencia është gjithashtu kompetent që të inicioj procedurën për deklasifikimin e dokumenteve
të klasifikuara sipas ligjit përkatës për klasifikimin e dokumenteve.
KAPITULLI IX
MASAT PËR ZBATIMIN E LIGJIT
Neni 29
Informimi dhe trajnimi për institucionet publike
1. Agjencia harton një udhëzues të thjeshtë dhe të qartë në secilën prej gjuhëve zyrtare dhe në
përdorim në Republikën e Kosovës, i cili përmban informata praktike për lehtësimin e ushtrimit
të të drejtave të parashikuara me këtë ligj. Udhëzuesi publikohet dhe shpërndahet të të gjitha
institucionet publike dhe do të bëhet i qasshëm për publikun e gjerë.
2. Agjencia organizon dhe mbanë konferenca, seminare dhe trajnime për zyrtarët publikë
përgjegjës, shoqërinë civile dhe publikun e gjerë për të promovuar dhe lehtësuar qasjen në
dokumente publike.
3. Agjencia informon institucionet publike me zhvillimet e fundit dhe praktikat më të mira për
qasje në dokumente publike.
Neni 30
Informimi dhe vetëdijesimi i publikut
1. Institucionet publike informojnë publikun për të drejtën për qasje në dokumente publike dhe
për mënyrën në të cilën kjo e drejtë mund të ushtrohet.
2. Institucionet publike ndërmarrin masat e nevojshme për të:
2.1. përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre lidhur me zbatimin e kësaj të drejte;
2.2. ofruar informata mbi çështje apo aktivitetet, për të cilat janë përgjegjëse;
2.3. menaxhuar dokumentet e tyre publike në mënyrë efikase, në mënyrë që të ketë
qasje të lehtë;
2.4. informuar publikun për të drejtat, të cilat rrjedhin nga ky ligj; si dhe
2.5. caktuar njësinë apo zyrtarin përgjegjës për komunikim me qytetarë, e/i cila/i është
përgjegjës/e për pranimin dhe shqyrtimin fillestar të kërkesave për qasje në dokumente.
Neni 31
Raportimi
1. Për të siguruar transparencë të plotë në punën e tyre edhe sa i përket qasjes në dokumente
publike, institucionet publike, përmes zyrtarit përgjegjës për qasje në dokumente publike,
hartojnë një raport vjetor më së largu deri në fund të muajit janar të vitit aktual, për periudhën
deri në datën 31 dhjetor të vitit paraprak, ku përfshihet numri i rasteve, në të cilat, institucioni
publik ka lejuar qasjen, numrin e rasteve në të cilat institucioni publik ka refuzuar qasjen në
dokumente, si dhe arsyet e këtyre refuzimeve.
2. Secili institucion publik, raportin vjetor për vitin paraprak, ia dërgon Agjencisë.
3. Agjencia përgatitë raportin gjithëpërfshirës për vitin paraprak deri në fund të muajit mars të
vitit aktual, për periudhën deri në datën 31 dhjetor të vitit të kaluar.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
34
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
4. Agjencia ia paraqet Kuvendit të Republikës së Kosovës raportin gjithëpërfshirës së bashku
me rekomandimet për masat dhe ndryshimet që kanë për synim të rrisin transparencën dhe
qasjen e publikut në dokumente publike, deri me 31 mars të vitit vijues, për vitin paraprak, në
lidhje me zbatimin dhe respektimin e këtij ligji. Raporti duhet të bëhet publik pas miratimit nga
ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
5. Agjencia mund të përgatisë raporte periodike dhe tematike për Kuvendin e Kosovës, publikun,
institucionet publike, në lidhje me çështjet me rëndësi për të drejtën për qasje në dokumente
publike.
6. Agjencia nxjerr akt nënligjor për mënyrën e mbajtjes së evidencës dhe raportimit për zbatimin
e këtij Ligji.
KAPITULLI X
GJOBAT
Neni 32
Autoriteti kompetent për shqiptimin e gjobave
1. Agjencia është kompetente për shqiptimin e gjobave ndaj institucioneve publike dhe zyrtarëve
përgjegjës, sipas dispozitave të këtij ligji.
2. Mjetet financiare të mbledhura nga shqiptimi i gjobave sipas nenit 33 të këtij ligji, derdhen në
buxhetin e Republikës së Kosovës.
3. Para shqiptimit të ndonjërës prej gjobave të parashikuara me nenin 33 të këtij Ligji, Agjencia
informon institucionin publik me qëllimin dhe arsyen për shqiptimin e gjobës dhe i ofron një afat
kohor, jo më të gjatë se shtatë (7) ditë, për të përmirësuar shkeljen e evidentuar, në mënyrë që
të mos shqiptohet gjoba.
4. Në procedurën për shqiptimin e gjobave sipas këtij Ligji, Agjencia vepron në përputhje me
dispozitat e ligjit përkatës që rregullon procedurën për shqiptimin e gjobave nga Agjencia.
5. Në rast se institucioni publik nuk përmirëson shkeljen e evidentuar sipas udhëzimeve të
Agjencisë, kjo e fundit merr vendim për shqiptimin e gjobës.
Neni 33
Arsyet për shqiptimin e gjobave dhe lartësia e tyre
1. Institucioni publik, i cili në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, e pamundëson, pengon ose
kufizon realizimin e të drejtave për qasje në dokumente publike, dënohet me gjobë prej tre mijë
(3,000) deri në dhjetëmijë (10,000) €.
2. Institucioni ose zyrtari përgjegjës i institucionit publik kompetent, i cili lejon dëmtimin,
shkatërrimin, fshehjen ose në ndonjë mënyrë ose formë tjetër e bënë të paqartë dokumentin
publik, me qëllim të pamundësimit të realizimit të së drejtës në qasje të dokumenteve publike,
nga ana e kërkuesit të interesuar dënohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
3. Me gjobë prej njëmijë (1,000) deri në tremijë (3,000) €, ndëshkohet institucioni publik, i cili
nuk përgjigjet fare në kërkesën për qasje në dokumente publike.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
35
LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE
KAPITULLI XI
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 34
Aktet nënligjore
1. Qeveria me propozim të Agjencisë, miraton akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji, më së
largu gjashtë (6) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Aktet nënligjore të nxjerra në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-215 për Qasje në Dokumente Publike
vazhdojnë të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve të reja në pajtim me këtë ligj”.
Neni 35
Shfuqizimi
Ky ligj shfuqizon Ligjin Nr. 03/L-215 për Qasje në dokumente publike”.
Neni 36
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.

Ligji Nr. 06/L-081
30 maj 2019
Shpallur me dekretin Nr. DL-129-2019, datë 24.06.2019 nga Presidenti i Republikës së
Kosovës Hashim Thaçi