LIGJI NR. 06/L-091 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E KODIT TË PROCEDURËS PENALE NR. 04/L-123

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
7
LIGJI NR. 06/L -091 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E KODIT TË PROCEDURËS PENALE NR. 04/L-123
LIGJI NR. 06/L -091
PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E KODIT TË PROCEDURËS PENALE
NR. 04/L-123
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E KODIT TË PROCEDURËS PENALE
NR. 04/L-123
Neni 1
Pas nenit 346 të kodit, shtohet një nen i ri 346/A, me tekstin si në vijim:
Neni 346/A
Gjykimi në mungesë
1. Në rastet e hetimit, akuzës dhe shqyrtimit gjyqësor të të pandehurve që supozohen
të kenë kryer vepra penale kundër të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe të Drejtës
Ndërkombëtare Penale, në periudhën janar 1990 deri në qershor 1999, derogohen dispozitat
në nenet e mësipërme sa i përket pjesëmarrjes së të dyshuarit/akuzuarit në procedurën penale,
përkatësisht: Neni 103 (3) – Parimet e përgjithshme të fazës së hetimeve; Neni 132 (7) –
Marrja e deklaratës në procedurën paraprake; Neni 151 – Marrja në pyetje e të pandehurit në
procedurën paraprake; Neni 152 - Zbatimi i marrjes në pyetje të të pandehurit në procedurë
paraprake; Neni 153- E drejta e të pandehurit në përkthim; Neni 154 - Marrja në pyetje e të
pandehurit gjatë deklaratës në procedurë paraprake; Neni 157 – Pezullimi i hetimit; Neni 245 –
Shqyrtimi fillestar; Neni 246 – Pranimi i fajësisë; Neni 248 – Pranimi i fajësisë gjatë shqyrtimit
fillestar; Neni 254 – Shqyrtimi i dytë dhe caktimi i shqyrtimit gjyqësor; Neni 285 (4) – Caktimi i
shqyrtimit gjyqësor; Neni 307 – Mosparaqitja e të akuzuarit në shqyrtim gjyqësor; Neni 321 –
Prania e personave të thirrur në shqyrtimin gjyqësor dhe vërtetimi i identitetit të të pandehurit;
Neni 322 – Udhëzimet fillestare të gjykatës lidhur me dëshmitarët dhe të dëmtuarit; Neni 323 –
Udhëzimet për të akuzuarin; Neni 324 – Leximi i aktakuzës; Neni 325 – Deklarimi i të pandehurit
për aktakuzën; Neni 326 – Pranimi i fajësisë nga i pandehuri në shqyrtimin gjyqësor; Neni 346
– Marrja në pyetje e të akuzuarit.
2. Në rastet e mësipërme, sipas kuptimit të paragrafit 1 të këtij Neni, zhvillohet procedura
në përputhje me parimet përjashtuese të mëposhtme, në mënyrë të tillë që, pjesa që nuk
derogohen, mbetet e zbatueshme siç parashihet në dispozitat e lartcekura.
3. Lejohet hetimi, akuzimi dhe gjykimi i të pandehurve në mungesë, duke respektuar standardet
e së drejtës në gjykim të drejtë dhe parimeve tjera të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat
e njeriut. Një gjë e tillë përbën përjashtim nga rregullat e përgjithshme të procedurës penale,
dhe duhet të jetë e lidhur me qëllimin e luftës ndaj pandëshkueshmërisë së krimeve kundër
të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe të Drejtës Ndërkombëtare Penale, të kryera në
territorin e Republikës së Kosovës, në një periudhë të tillë kohore në situatat kur të hetuarit/
akuzuarit nuk mund të vihen në dispozicion të autoriteteve të Republikës së Kosovës, sipas
parimeve të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
4. Vendosja e juridiksionit penal mbi një rast nga paragrafi 1, mund të bëhet pasi të jenë shtjerrë
mundësitë e mëposhtme:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
8
LIGJI NR. 06/L -091 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E KODIT TË PROCEDURËS PENALE NR. 04/L-123
4.1. personi nën hetim të jetë kërkuar në shtetin/shtetet ku supozohet të jetë sipas
parimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar së paku pesë (5) herë, dhe vetëm pasi
që një kërkesë e tillë të jetë refuzuar apo neglizhuar tërësisht nga organet e shtetit
pranues;
4.2. të jetë vënë në shfrytëzim çdo kanal i bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe një
kanal i tillë të ketë dështuar për ta ndaluar personin në hetim;
4.3. pas dështimit të arritjes së qëllimit në nën-paragrafin 4.1. dhe 4.2, personi në hetim
të jetë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj
në mjetet e informimit publik të Republikës së Kosovës, përfshirë Gazetën Zyrtare të
Republikës së Kosovës;
4.4. nëse shteti pranues i kërkesës për bashkëpunim juridik ndërkombëtar thirret
në parimin e kriminalizimit të dyfishtë me qëllim të vendosjes së juridiksionit të saj,
Republika e Kosovës nuk heq dorë nga një kërkesë e tillë dhe vazhdon procedurën
sipas këtij Neni.
5. Hetimi, akuza dhe gjykimi në mungesë, në rastet e përcaktuara në paragrafin 1, fillon sipas
detyrës zyrtare të Prokurorit të Shtetit, duke ndjekur hapat procedural të parashikuar në Kodin
e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me përjashtimet e paraqitura më poshtë:
5.1. personi në hetim/i akuzuar supozohet të jetë deklaruar i pafajshëm në çdo fazë të
procedurës dhe të jetë thirrur në kundërshtimin e provave të paraqitura nga Prokurori
i Shtetit;
5.2. personi në hetim/ i akuzuar gëzon të drejtën të jetë plotësisht i informuar për
rrjedhën e procedurës ndaj tij, duke i ofruar mundësinë e paraqitjes së dëshmisë së tij
nga distanca, në vendbanimin ku gjendet;
5.3. personi në hetim/i akuzuar supozohet të ketë kërkuar zbatimin e standardeve të
gjykimit të drejtë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çdo fazë të procedurës.
6. Personi në hetim në mungesë, pasi t’i jetë ngritur aktakuza, kualifikohet me termin “person
në gjykim në mungesë”. Gjykimi në mungesë përfshin marrjen e garancive të mëposhtme që
lidhen me gjykimin e drejtë:
6.1. personi i gjykuar në mungesë gëzon të drejtën të jetë i përfaqësuar nga një avokat
i zgjedhur nga ai, ose i përcaktuar sipas detyrës zyrtare në çdo fazë të procedurës
penale. Në rastet kur avokati përcaktohet sipas detyrës zyrtare, Gjykata obligohet që
të ndjek parimin e kualifikimit të mjaftueshëm profesional për ta përzgjedhur avokatin
sipas detyrës zyrtare;
6.2. personi i akuzuar në mungesë gëzon të drejtën që avokati i përcaktuar sipas
detyrës zyrtare të paguhet nga Gjykata;
6.3. personi i gjykuar në mungesë gëzon të drejtën që, përmes një shkrese të noterizuar,
të refuzojë të jetë i mbrojtur nga një avokat i përcaktuar sipas detyrës zyrtare me një
arsyetim të mjaftueshëm ligjor. Një refuzim i tillë i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor, dhe
mund të refuzohet nga gjykata kompetente për rastin;
6.4. personi i gjykuar në mungesë gëzon të drejtën që, përmes avokatit të tij të ofrojë
informacione, prova dhe argumente për mbrojtjen e tij;
6.5. personi i gjykuar në mungesë gëzon të drejtës e shfrytëzimit të Institucionit të
Avokatit të Popullit, për të paraqitur argumente për vete sa i përket të drejtës në gjykim
të drejtë.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 04 KORRIK 2019, PRISHTINË
9
LIGJI NR. 06/L -091 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E KODIT TË PROCEDURËS PENALE NR. 04/L-123
7. Nëse personi i gjykuar në mungesë shpallet fajtor në shkallë të parë, avokati i përcaktuar
sipas detyrës zyrtare, në rast që nuk udhëzohet ndryshe nga i gjykuari në mungesë, bën
ankesë në gjykatën e shkallës së dytë mbi çdo bazë të mundshme ankimore. I njëjti standard
shfrytëzohet edhe për shfrytëzimin e mjeteve të jashtëzakonshme juridike.
8. Në rastin kur personi i gjykuar në mungesë shpallet fajtor me një vendim të formës së prerë, ai
vendoset në kërkim në çdo sistem juridik ndërkombëtar ku Republika e Kosovës është anëtare,
për t’u sjellë për vuajtje të dënimit në Republikën e Kosovës. Vuajtja e dënimit në një shtet
të tretë mund të lejohet vetëm nëse për një gjë të tillë Republika e Kosovës ka marrëveshje
ndërkombëtare bilaterale me shtetin pranues.
9. Në rast të ekstradimit të të dënuarit në mungesë në Republikën e Kosovës, ai ka të drejtë të
kërkojë rigjykim, në bazë të mjeteve juridike të jashtëzakonshme, sipas parimit të mëposhtëm:
9.1. rigjykimi zhvillohet sipas parimit të qartësisë juridike, mosdikriminimit dhe
proporcionalitetit, dhe zhvillohet vetëm mbi hapat proceduralë që e bëjnë atë detyrimisht
të nevojshme në raport me të drejtën në gjykim të drejtë dhe rezultatin final të gjykimit;
9.2 një kërkesë e tillë duhet të jetë kërkuar në kohëzgjatje prej dy (2) viteve prej
momentit të vënies në kontrollin efektiv të autoriteteve të Republikës së Kosovës të të
gjykuarit në mungesë;
9.3. provat e konfirmuara sipas parimit të plotë adversial, mund të rikthehen në gjykim
vetëm nëse për to ka fakte dhe prova të reja, e të cilat, nëse do të administroheshin do
të ndryshonin rrjedhën e gjykimit në raport me dënimin e dhënë;
9.4. në rastet e rigjykimit të provave sipas nën-paragrafit 9.1, dhe nëse palët kundërshtare
të tyre (viktimat direkt ose indirekt, apo të gjithë llojet e dëshmitarëve) nuk janë më të
gjallë, dëshmia e tyre e deponuar supozohet që të jetë kërkuar sikur ata të kishin qenë
të pranishëm në shqyrtimin gjyqësor.
10. Pas përfundimit të procesit të rigjykimit sipas parimit të paragrafit 8, rasti bëhet i formës së
prerë.
Neni 2
Hyrja në Fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 06/L-091
30 maj 2019
Shpallur me dekretin Nr. DL-126-2019, datë 21.06.2019 nga Presidenti i Republikës së
Kosovës Hashim Thaçi