GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
1
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
LIGJI NR. 06/L- 043
PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj përcakton rregullat për themelimin, regjistrimin, funksionimin, pezullimin, shuarjen,
ndalimin e veprimit dhe çregjistrimin e organizatave joqeveritare në Republikën e Kosovës.
Neni 2
Fushëveprimi
1. Dispozitat e këtij Ligji zbatohen për personat juridik të organizuar dhe regjistruar si organizatë
joqeveritare në Republikën e Kosovës.
2. Ky Ligj nuk zbatohet për:
2.1. parti politike;
2.2. sindikata dhe organizata sindikale;
2.3. bashkësitë fetare, qendra të besimit fetar, apo faltore dhe
2.4. fusha tjera që rregullohen me ligje të veçanta.
Neni 3
Përkufizimet
1. Termet dhe shprehjet e përdorura në këtë ligj, kanë këtë kuptim:
1.1.“Kushtetutë” – Kushtetuta e Republikës së Kosovës;
1.2. “Organizata Joqeveritare (OJQ)”- është person juridik i pavarur dhe jo për-
përfitim, i themeluar për realizimin e qëllimeve të ligjshme për përfitim publik ose interes
të ndërsjellë;
1.3. “Organizata Joqeveritare (OJQ) e vendit të huaj apo ndërkombëtare “- është
një subjekt juridik jo për-përfitim i themeluar jashtë Republikës së Kosovës;
1.4. “Ministria”-nënkupton Ministrinë përkatëse për regjistrim dhe çregjistrim të OJQ-
së;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
2
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
1.5. “Ministër”- nënkupton Ministrin përkatës të Ministrisë;
1.6. “Departament”- nënkupton Departamentin për Organizata Joqeveritare në kuadër
të Ministrisë përkatëse;
1.7. “Person” - çdo person fizik, shtetas i Republikës së Kosovës, apo shtetas i huaj,
ose person pa shtetësi me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Kosovës, person juridik
i vendit ose i huaj;
1.8. “Përfaqësues i Autorizuar”- nënkupton individin që është rezident në Kosovë, që
ka moshë madhore dhe zotësi të veprimit, që është i autorizuar për ta përfaqësuar një
OJQ;
1.9.“Situatë e jashtëzakonshme”- përfshin çdo situatë të jashtëzakonshme që
parashihet me legjislacionin në fuqi dhe të gjitha situatat e tjera, jashtë kontrollit të
organizatës të cilat i’a pamundësojnë organizatës kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive
të përcaktuara me legjislacionin në fuqi;
1.10.“Organizatë e ndërlidhur” - OJQ-të që kanë marrëdhënie të veçanta që mund të
ndikojnë në veprimtarinë dhe qeverisjen e njëra tjetrës.
KAPITULLI II
PARIMET THEMELORE TË LIRISË SË ASOCIIMIT
Neni 4
Liria e Asociimit
1. Liria e asociimit është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
2. Liria e asociimit përfshinë të drejtën e secilit person për të themeluar një organizatë pa pasur
nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate, si dhe për të
marrë pjesë në aktivitete të një organizate.
3. Çdo person ka të drejtë të themelojë organizatë joqeveritare, në pajtim me kushtet dhe
rrethanat e përcaktuara me këtë ligj.
4. Asnjë person nuk obligohet që të asociiohet kundër vullnetit të tij.
5. Asnjë person nuk diskriminohet në asnjë mënyrë për shkak të vendimit për t’u asociiuar apo
për të mos u asociuar.
Neni 5
Trajtimi i barabartë dhe mbrojtja nga diskriminimi
1. Çdo person ushtron lirinë e asociimit në mënyrë të barabartë.
2. OJQ ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me parimin e respektimit, të mbrojtjes dhe të
zbatimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të përcaktuara në Kushtetutë, ligje dhe
marrëveshje ndërkombëtare në fuqi.
3. Politikat, legjislacioni, si dhe aktivitetet lidhur me OJQ-në, zbatohen në përputhje me bazat e
përcaktuara me Ligjin përkatës për mbrojtjen nga diskriminimi.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
3
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
Neni 6
Liria në përcaktimin e fushëveprimtarisë dhe organizimit të brendshëm
1. OJQ është e pavarur në përcaktimin e objektivave dhe aktiviteteve, në përputhje me
legjislacionin në fuqi.
2. OJQ është e pavarur në organizimin dhe menaxhimin e saj të brendshëm, për të përcaktuar
fushë veprimtarinë e saj, si dhe të veprojë në nivel lokal, kombëtar ose ndërkombëtar.
Neni 7
Parimi i prezumimit të ligjshmërisë
Veprimtaria e OJQ-së konsiderohen të ligjshme përderisa nuk vërtetohet e kundërta.
Neni 8
Liria e shprehjes dhe mendimit
OJQ gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, ka të drejtën e lirisë së shprehjes dhe mendimit,
që përfshin edhe të drejtën individuale të lirisë së shprehjes dhe mendimit të anëtarëve dhe
zyrtarëve të saj.
Neni 9
Liria e tubimit
OJQ, përfshirë anëtarët apo zyrtarët e saj, gëzon të drejtën e tubimit paqësor sipas legjislacionit
në fuqi në Republikën e Kosovës.
Neni 10
Liria për të kërkuar, pranuar dhe përdorur burimet
1. OJQ ka të drejtë për të kërkuar, pranuar dhe përdorur burime financiare, materiale e
njerëzore, qoftë vendore, të vendit të huaj apo ndërkombëtare, për realizimin e objektivave dhe
aktiviteteve të saj.
2. Ndalohet kufizimi, apo bllokimi i qasjes së OJQ-së në burimet në bazë të përkatësisë
kombëtare apo të vendit të origjinës së burimit, si dhe stigmatizimi i atyre që pranojnë këto
burime.
3. Liria për të kërkuar, pranuar dhe përdorur burimet nuk mund të jetë në kundërshtim me
legjislacionin në fuqi.
Neni 11
Transparenca
OJQ vepron me përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe me transparencë në të gjitha fazat e
veprimtarisë së saj.
Neni 12
Parimi për jo përfitim
1. OJQ nuk shpërndan të ardhura neto ose fitime për asnjë person.
2. Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e OJQ-së përdoren për të mbështetur qëllimet jofitimprurëse
të përcaktuara për organizatën.
3. Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e OJQ-së nuk përdoren për të sjellë drejtpërdrejtë ose
tërthorazi përfitime, për ndonjë themelues, drejtor, zyrtar, anëtar, punonjës ose donatorë të
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
4
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
OJQ-së, përveç pagesës për personat që kryejnë punë për organizatën.
Neni 13
Marrëdhëniet e OJQ-së me institucionet publike
1. OJQ ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga institucionet publike.
2. Institucionet publike mbështesin dhe nxitin veprimtarinë e OJQ-ve.
3. Institucionet publike trajtojnë OJQ-të me respekt të plotë, barazi dhe mos diskriminim.
4. Institucionet publike krijojnë mjedis të përshtatshëm dhe zbatojnë praktika të mira ku OJQ
mund të veproj në përputhje me objektivat dhe aktivitetet e saj.
5. Institucionet publike mbrojnë OJQ-në nga ndërhyrja e palëve të treta.
6. Institucionet publike nuk ndërhyjnë në të drejtat dhe liritë e OJQ-së dhe personave që
ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e asociimit.
7. Institucionet publike bëjnë publike të gjitha format e bashkëpunimit dhe përkrahjes së OJQ-
ve.
Neni 14
Parimi i proporcionalitetit të kufizimeve dhe ndalimeve
1. Proporcionaliteti i kufizimeve dhe ndalimeve, kërkon që qëllimi i kufizimit të arrihet me masat
më së paku kufizuese për OJQ-në, duke ruajtur balancën e drejtë ndërmjet interesave të
personave të cilët ushtrojnë të drejtën e lirisë së asociimit, vetë organizatës dhe interesit publik.
2. Kufizimet dhe ndalimet në ushtrimin e lirisë së asociimit bëhen me vendim gjyqësor të gjykatës
kompetente, vetëm për organizatat ose aktivitetet që cenojnë rendin kushtetues, shkelin lirinë
dhe të drejtat e njeriut, nxisin urrejtje racore, kombëtare, etnike a fetare.
3. Kufizimet dhe ndalimet në ushtrimin e lirisë së asocimit nuk mund t’u nënshtrohen kufizimeve
tjera përveç atyre që përcaktohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike,
në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin
e krimit, për ruajtjen e shëndetit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.
4. Veprimet e një anëtari individual të një organizate nuk i atribuohen organizatës si tërësi, dhe
veprimet e tilla nuk ndikojnë negativisht në ekzistencën e OJQ-së ose mbi ligjshmërinë e aktit
themelues të saj, objektivave dhe aktiviteteve.
5. Dispozitat e këtij neni nuk ndalojnë kufizime të ligjshme të ushtrimit të këtyre të drejtave nga
pjesëtarë të forcave të armatosura, të policisë ose të administratës shtetërore.
KAPITULLI III
FORMAT E ORGANIZIMIT TË OJQ-së
Neni 15
Themelimi i OJQ-së
1. OJQ pavarësisht nga forma e organizimit, themelohet nëpërmjet aktit themelues që përmban
të dhënat e mëposhtme:
1.1. emrin e plotë dhe shkurtesën e organizatës;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
5
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
1.2. formën organizative (shoqatë, fondacion, institut);
1.3 adresën e organizatës;
1.4. qëllimin dhe fushë-veprimtarinë;
1.5. emrin, numrin personal dhe adresën e themeluesit si person fizik;
1.6. emrin, numrin e regjistrimit/numrin unik dhe adresën e themeluesit si personin
juridik;
1.7. emrin, numrin personal, adresën dhe informatat tjera të përfaqësuesit ligjor apo të
autorizuar për t’i ndjekur procedurat e regjistrimit; dhe
1.8. afatin kohor për të cilën organizata themelohet, nëse ka një të tillë.
2. Akti themelues nënshkruhet nga secili themelues. Për personat juridik, akti themelues
nënshkruhet nga përfaqësuesi i autorizuar i personit juridik.
3. Fondacioni i cili themelohet me testament, testamenti konsiderohet akt themelues nëse
përmban të dhënat themelore të kërkuara në paragrafin 1. të këtij neni. Nëse testamenti nuk
përmban të dhënat e kërkuara në paragrafin 1. të këtij neni, përfaqësuesi i autorizuar ndjek
procedurat e regjistrimit dhe përgatit të dhënat në pajtim me kërkesat e testamentit.
Neni 16
Shoqata
1. Shoqata është organizatë e anëtarësisë, e grupuar në bazë të vullnetit të lirë të personave
me interes të përbashkët, për realizimin e qëllimeve të ligjshme për përfitim publik ose për
interes të ndërsjellë.
2. Shoqata themelohet nga tre (3) ose me shumë persona.
Neni 17
Fondacioni
1. Fondacioni është organizatë pa anëtarësi, i themeluar për menaxhimin e pronave dhe
pasurive, për realizimin e qëllimeve të ligjshme për përfitim publik ose për interes të ndërsjellë.
2. Fondacioni themelohet nga një (1) apo më shumë persona.
3. Fondacioni themelohet me kapital fillestar i cili duhet të jetë jo më pak se njëmijë euro (1,000
€), me testament, apo me lënie të trashëgimisë.
Neni 18
Instituti
1. Instituti është OJQ pa anëtarësi, i themeluar për realizimin e qëllimeve të ligjshme për përfitim
publik ose për interes të ndërsjellë.
2. Instituti themelohet nga një (1) ose më shumë persona.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
6
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
KAPITULLI IV
THEMELIMI I OJQ-së
Neni 19
Format e organizimit të OJQ-së
1. OJQ mund të organizohet si:
1.1. shoqatë;
1.2. fondacion;
1.3. institut.
Neni 20
Statuti i OJQ-së
1. Rregullimi i hollësishëm i çështjeve të organizimit, të funksionimit dhe të veprimtarisë së
OJQ-së, parashikohet me statutin e saj.
2. Statuti i OJQ-së hartohet nga themeluesi dhe miratohet në mbledhjen themeluese të
organizatës. Në rastin e themelimit të fondacionit me testament, statuti mund të hartohet dhe
të miratohet nga personi i caktuar me testament, përveç rasteve kur testamenti e përcakton
ndryshe.
3. Statuti i OJQ-së përmban të dhënat:
3.1. emrin e plotë dhe shkurtesën e organizatës;
3.2. formën e organizmit të OJQ-së;
3.3. qëllimin e organizatës dhe fushëveprimin e saj;
3.4. ndalimin e shpërndarjes së fitimit në pajtim me parimin për jo përfitim;
3.5. emrin e organit më të lartë udhëheqës.
4. Rregullat dhe procedurat për:
4.1. kompetencat dhe përgjegjësitë e organit më të lartë drejtues, si dhe procedurat për
zgjedhjen dhe largimin e anëtarëve të këtij organi;
4.2. rregulla për mbajtjen e mbledhjes, (afatet, ftesat) pjesëmarrjen, mënyrën dhe
procedurën e votimit për marrjen e vendimeve;
4.3. afatin kohor për të cilën organizata themelohet, nëse themelohet me afat të caktuar;
4.4. rregullat për shpërndarjen dhe destinimin e pasurisë kur organizata shuhet.
5. rregullat dhe procedurat për:
5.1. ndryshimin e statutit;
5.2. bashkimin, ndarjen ose shuarjen e organizatës; dhe
5.3. shpërndarjen e mjeteve që mbesin pas shuarjes.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
7
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
6. Përveç të dhënave të parapara me paragrafin 3. të këtij neni, statuti i shoqatës përmban
edhe procedurat për zgjedhjen dhe largimin e anëtarëve, kushtet për anëtarësim, dhe nëse
organizata vendos të ketë një organ të ndërmjetëm, procedurat për zgjedhjen dhe largimin e
anëtarëve të organit të ndërmjetëm dhe ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive ndërmjet
Kuvendit të anëtarëve dhe organit të ndërmjetëm.
7. Statuti i OJQ-së mund të përmbajë çdo rregull, dispozitë apo procedurë tjetër, që nuk është
në kundërshtim me kushtet e parapara me këtë Ligj dhe me ligjet tjera në fuqi.
8. Rregullat dhe procedurat për udhëheqje të brendshme që i përmban statuti i OJQ – së, duhet
të jenë në pajtim me parimet demokratike.
9. OJQ zhvillon veprimtarinë e saj në përputhje me Statutin dhe me këtë ligj.
10. Për të lehtësuar përgatitjen e statutit, Departamenti përgatit modele të statutit për secilën
formë të organizimit të OJQ-së, të cilat mund të përdoren nga OJQ-ja.
Neni 21
Asociimi i Personave Juridik
Personat juridik, duke përfshirë edhe OJQ-të, mund të themelojnë shoqata, fondacione apo
institute për të përparuar qëllimin e tyre të ligjshëm, qoftë për përfitim publik apo të ndërsjellë,
në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë ligj.
KAPITULLI V
REGJISTRIMI I OJQ-së
Neni 22
Regjistrimi
1. OJQ, pavarësisht nga forma e organizimit, si shoqatë, fondacion apo institut, regjistrohet në
pajtim me kriteret dhe procedurat e përcaktuara me këtë ligj.
2. Asnjë person nuk obligohet të regjistrojë OJQ-në për të ushtruar të drejtën e lirisë në asociim.
3. OJQ regjistrohet në Departament, në mënyrë që të veprojë si person juridik në Kosovë.
4. Kërkesës për regjistrim i bashkëngjiten këto dokumente:
4.1. akti i themelimit;
4.2. statuti;
4.3. kopjen e letërnjoftimit të themeluesve dhe përfaqësuesit të autorizuar të OJQ-së;
4.4. certifikatën e regjistrimit për personat juridik.
Neni 23
Përfaqësuesi i Autorizuar
1. OJQ cakton me shkrim përfaqësuesin e autorizuar.
2. OJQ zgjedh përfaqësuesin e autorizuar, i cili e përfaqëson organizatën dhe pranon të gjitha
shkresat zyrtare në emër të organizatës. Ai është përgjegjës për informimin e autoriteteve
kompetente për çfarëdo ndryshimi në të dhënat e deklaruara në rastin e regjistrimit të organizatës.
3. Përfaqësuesi i autorizuar i organizatës është përgjegjës për hapjen dhe administrimin e
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
8
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
llogarisë bankare të OJQ-së.
4. Përfaqësuesi i autorizuar duhet të jetë rezident në Republikën e Kosovës.
Neni 24
Regjistrimi i OJQ-së së vendit të huaj apo ndërkombëtare
1. Për ta regjistruar degën e saj në Republikën e Kosovës, OJQ e vendit të huaj ose
ndërkombëtare kërkesës për regjistrim i’a bashkëngjet dokumentet në vijim:
1.1. dokumentin e noterizuar i cili dëshmon që OJQ është person juridik në vendin e
origjinës, ose me ndonjë dëshmi të vërtetuar në gjykatën e shtetit të prejardhjes;
1.2. adresën e degës së OJQ-së në Kosovë;
1.3. një deklaratë me shkrim nga përfaqësuesi i autorizuar nga selia kryesore e OJQ-
së, e cila duhet të përmbajë:
1.3.1. qëllimin dhe fushëveprimtarinë të cilën do ta ushtroj dega në Kosovë;
1.3.2. emrin, adresën dhe kontakt-informatat tjera të përfaqësuesit të autorizuar;
1.3.3. deklaratë e OJQ-së për zotimin se do të përmbush kërkesat e parimit për
jo përfitim dhe parimet tjera të këtij ligji.
Neni 25
Regjistrimi i OJQ-së
1. Departamenti e shqyrton kërkesën për regjistrim të OJQ-së me supozimin e parimit të
prezumimit të ligjshmërisë.
2. Regjistrimi i OJQ-së bëhet me vendim i cili nxjerrët nga Departamenti në afat prej tridhjetë
(30) ditësh nga data e pranimit të kërkesës.
3. Pas regjistrimit në regjistrin e OJQ-ve, departamenti pajisë me certifikatë të regjistrimit OJQ-
në.
4. Kur kërkesa për regjistrim dhe dokumentacioni i bashkëngjitur nuk është i plotë, Departamenti
kërkon kompletimin e dokumentacionit. Afati nga paragrafi 2. i këtij neni, ndalet së rrjedhuri nga
data e paraqitjes së kërkesës për kompletim të dokumentacionit.
5. Afati për kompletimin e dokumentacionit për regjistrim, është pesëmbëdhjetë (15) ditë nga
dita e pranimit të kërkesës së Departamentit.
6. Departamenti, pas kompletimit të dokumentacionit, merr vendim për regjistrim apo refuzim të
kërkesës për regjistrim brenda afatit të mbetur sipas paragrafit 2. të këtij neni.
7. Qeveria, sipas propozimit të ministrisë, nxjerr akt nënligjor, për mënyrën dhe formën e
dorëzimit të kërkesës për regjistrim të OJQ-së, duke përfshirë edhe përmbajtjen e certifikatës
së regjistrimit.
Neni 26
Refuzimi i regjistrimit
1. Departamenti refuzon kërkesën për regjistrim, nëse:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
9
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
1.1. dokumentet e dorëzuara për regjistrim janë në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji;
1.2. me statut të OJQ-së promovohet pabarazia në njërën nga bazat të përcaktuara në
Nenin 5 të këtij Ligji;
1.3. organizata që kërkon regjistrim ka të njëjtin emër apo shkurtesë me OJQ-në e
regjistruar ose të themeluar më parë, si dhe emër të njëjtë apo ngjashëm me një
institucion publik aq sa mund të shkaktoj konfuzion ose të jetë çorientues;
1.4. nëse nuk respektohen afatet kohore të përcaktuara me këtë ligj.
2. Vendimi i Departamentit për refuzimin e regjistrimit bëhet për qëllime legjitime, duke
iu përmbajtur parimit të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit dhe duhet të përmbajë
përshkrimin e duhur të arsyeve si dhe referencën e bazës juridike.
3. Përfaqësuesi i autorizuar mund të ankohet kundër një vendimi për refuzimin e regjistrimit në
përputhje me dispozitat e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Neni 27
Statusi Ligjor
OJQ pas regjistrimit në Republikën e Kosovës, merr statusin e personit juridik dhe është e
autorizuar të veprojë si person juridik në përputhje me legjislacionin në fuqi për persona juridik;
Neni 28
Komunikimi zyrtar me OJQ
Çdo dokument apo shkresë, konsiderohet se i është dorëzuar në mënyrë të vlefshme OJQ-
së, nëse i dorëzohet përfaqësuesit të autorizuar, në formë fizike apo elektronike në adresën e
përcaktuar nga OJQ.
Neni 29
Informimi i Departamentit për ndryshimet në OJQ
1. OJQ informon Departamentin brenda afatit prej tridhjetë (30) ditë nga dita e ndryshimit, lidhur
me çdo ndryshim që pësojnë informatat si në vijim:
1.1. emrin e plotë, shkurtesën e OJQ-së;
1.2. adresën e OJQ-së;
1.3. qëllimin dhe fushë-veprimtarinë e OJQ-së;
1.4. emrin, adresën dhe informatat tjera kontaktuese të përfaqësuesit të autorizuar të
OJQ-së.
2. Ndryshimet që i pranon Departamenti mbahen, regjistrohen dhe vihen në dispozicion të
publikut sipas dispozitave të përcaktuara në këtë ligj.
3. OJQ e cila nuk përmbush detyrimin sipas paragrafit 1 të këtij neni, gjobitet në shumë prej
dyqind e pesëdhjetë euro (250 €), ndërsa përfaqësuesi i autorizuar gjobitet në shumë prej
tetëdhjetë euro (80€).
4. Ekzekutimi i gjobave bëhet në pajtim me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
10
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
Neni 30
Regjistri publik i OJQ-ve
1. Departamenti mban dhe përditëson Regjistrin të OJQ-ve me të dhënat si në vijim:
1.1. emrin e plotë, shkurtesën;
1.2. numrin e regjistrimit;
1.3. numrin fiskal;
1.4. formën organizative (shoqatë, fondacion, institut);
1.5. OJQ e vendit, e vendit të huaj apo ndërkombëtare;
1.6. adresën e OJQ-së;
1.7. qëllimin dhe fushë-veprimtarinë;
1.8. emrat e themeluesve;
1.9. emrin e përfaqësuesit të autorizuar;
1.10. afatin kohor për të cilën organizata themelohet, nëse ka një të tillë;
1.11. numrin dhe statusin për përfitim publik, nëse ka një të tillë.
2. Regjistri me të dhënat e përcaktuar në paragrafët: 1.1., 1.4., 1.5., 1.7. dhe 1.11. të këtij neni
bëhet publik.
KAPITULLI VI
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I BRENDSHËM I OJQ-SË
Neni 31
Udhëheqja e brendshme e OJQ-së
1. Organi më i lartë drejtues i shoqatës është Kuvendi i anëtarëve, i cili përbëhet nga të gjithë
anëtarët e shoqatës.
2. Organi më i lartë drejtues i një fondacioni apo instituti është Bordi drejtues, i cili përbëhet nga
të paktën tre (3) anëtarë.
3. Organi më i lartë drejtues mblidhet me pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së anëtarëve
të tij dhe vendos me shumicën e anëtarëve të pranishëm.
4. Organi më i lartë drejtues ka përgjegjësi të plotë për çështje të politikave dhe financave të
organizatës dhe takohet të paktën një herë në vit, ku shqyrton dhe miraton raportin financiar dhe
të veprimtarisë së organizatës për vitin e paraprak, si dhe planin e veprimtarisë së organizatës
për vitin vijues.
5. Organi më i lartë drejtues i OJQ-së mund të delegoj kompetenca tek organet vartëse të OJQ,
më përjashtim të:
5.1. detyrave të përcaktuara në paragrafin 4 të këtij neni;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
11
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
5.2. ndryshimeve në Statut; dhe
5.3. vendimin për bashkim, ndarje apo shuarje të OJQ-së.
6. Pjesëmarrja në takimin e organit më të lartë drejtues mund të realizohet edhe në distancë,
përmes mjeteve elektronike, me kusht që vendimet përfundimtare të nënshkruhen nga anëtarët.
Neni 32
Konflikti i interesit dhe detyrimi në lojalitet
1. Asnjë anëtari të organit drejtues nuk i lejohet të marr pjesë në diskutim apo në marrjen
e vendimit për çështje kur ai ka interes privat të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, personale
ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë,
transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit.
2. Çdo transaksion ndërmjet OJQ-së dhe anëtarëve, të punësuarit, anëtarëve të bordit apo të
organizatave të ndërlidhura, kryhet sipas vlerës së tregut ose në kushtet më të favorshme për
OJQ-në.
3. Të gjithë anëtarët dhe të punësuarit tjerë të një OJQ-je, obligohen që të tregojnë lojalitet ndaj
OJQ-së, të mbrojnë fshehtësinë e informatave jo-publike dhe interesat e OJQ-së, si dhe të
ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre me mirëbesim dhe kujdes.
Neni 33
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve, ndërmjet tyre dhe organeve të larta drejtuese apo me
organet e ndërmjetme dhe ose ndërmjet tyre dhe të punësuarve zgjidhen me mirëkuptim dhe
në përputhje me statutin dhe rregullat e brendshme të OJQ-së, në të kundërt çështja zgjidhet
nga gjykata.
Neni 34
Ndalimi i mbledhjes së fondeve, fushatave dhe mbështetjes së kandidatëve dhe partive
politike
OJQ nuk mund të angazhohet në mbledhje fondesh ose në fushata për të mbështetur partitë
politike ose kandidatët për funksione politike dhe as nuk mund të propozoj, regjistroj kandidatë
për poste politike.
Neni 35
Pasuria dhe mjetet
1. Të ardhurat e OJQ-së përfshijnë: donacionet, të ardhurat nga sigurimet, letrat me vlerë,
trashëgimitë, anëtarësia, dhuratat, grantet, pasuria e tundshme dhe e patundshme, të ardhurat
nga fondet e investuara, si dhe të ardhurat e fituara përmes çfarëdo aktivitetesh të ligjshme të
OJQ-së me pasurinë dhe mjetet e saj.
2. OJQ mund të angazhohet në aktivitete ekonomike me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve
të saj jofitimprurëse në përputhje me nenin 12 të këtij Ligji (parimi për jo përfitim), me kusht që
të ardhurat e realizuara nëpërmjet të aktiviteteve ekonomike shfrytëzohen ekskluzivisht për të
përmbushur misionin e saj.
3. OJQ mund të ketë dhe të menaxhojë pronë dhe pasuri për të realizuar qëllimet e veta
jofitimprurëse.
4. Me ligj ndalohet financimi i organizatave, veprimtaria e të cilave nuk përkon me rendin juridik
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
12
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
dhe kushtetues në Republikën e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare.
Neni 36
Transaksionet financiare të OJQ-së
Të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e OJQ-së, kryhen nëpërmjet institucioneve financiare të
licencuara nga BQK në llogaritë bankare të hapura në emër të OJQ-së, përveç përjashtimeve
të lejuara me legjislacionin në fuqi.
KAPITULLI VII
STATUSI I PËRFITIMIT PUBLIK I OJQ-SË, RAPORTIMI FINANCIAR DHE PEZULLIMI I TIJ
Neni 37
Statusi për Përfitim Publik
1. OJQ e regjistruar sipas këtij ligji mund të paraqesë kërkesë për status të përfitimit publik nëse
OJQ është e organizuar dhe vepron për të ndërmarrë një apo më shumë aktivitete si aktivitete
parësore si: ndihmë dhe përkrahje humanitare, përkrahje personave me aftësi të kufizuara,
aktivitete bamirëse, arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, kulturë, ruajtje dhe përparim të
mjedisit, mbrojtje dhe përparim të të drejtave të njeriut, mbështetje të praktikave demokratike
dhe shoqërisë civile, promovim të punës vullnetare, mbrojtjen e konsumatorit, ndihmën dhe
përkrahjen për refugjatë, mbrojtjen apo kujdesin për shtazët e lënduara dhe të cenueshme,
mirëqenien sociale, mbrojtjen nga diskriminimi, mbrojtja e trashëgimisë kulturore apo çfarëdo
veprimtarie tjetër që është në funksion të së mirës së publikut.
2. Veprimtaria e OJQ-së arsimore dhe shëndetësore dhe zhvillim ekonomik përfshinë veprimtari
për të mirën e publikut vetëm në rast se përfitimet e konsiderueshme sigurohen falas ose më
lirë se vlera e tregut për grupe ose individë në kushte të pavolitshme.
3. OJQ mund të paraqes kërkesë për status për përfitim publik me rastin e regjistrimit të OJQ-
së ose me vonë. Departamenti i lejon statusin e përfitimit publik OJQ-së, nëse dokumentet e
regjistrimit dëshmojnë se qëllimet dhe veprimtaria e OJQ-së i plotëson kërkesat e këtij neni.
4. Shqyrtimi i kërkesës së OJQ-së për njohje të statusit për përfitim publik, të cilat gëzojnë të
drejtën për lirim nga tatimi dhe lehtësira tatimore dhe fiskale, bëhet brenda afateve dhe sipas
procedurave me nenin 25 dhe 26 të këtij ligji.
Neni 38
Obligimet për raportim financiar dhe të veprimtarisë për OJQ me status për përfitim
publik
1. OJQ me status për përfitim publik, dorëzon raport vjetor për veprimet dhe aktivitetet e saj në
Kosovë. Raporti vjetor për vitin paraprak kalendarik i dorëzohet Departamentit, jo më vonë se
31 mars të vitit vijues.
2. Raporti vjetor nënshkruhet nga përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së me status për përfitim
publik. Përfaqësuesi i autorizuar është përgjegjës për saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave
që i përmban raporti.
3. Raporti vjetor përbëhet nga:
3.1. pjesa për menaxhment dhe administratë;
3.2. pjesa për aktivitete dhe të arritura;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
13
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
3.3. pjesa për pasqyrat financiare;
3.4. raporti i auditorit, siç kërkohet në paragrafin 8. të këtij neni.
4. Pjesa për menaxhment dhe administratë përmban:
4.1.emrin, shkurtesën, adresën dhe informatat kontaktuese të OJQ-së me status të
përfitimit publik;
4.2. emrin e zyrtarit kryesor ekzekutiv;
4.3. emrin e Kryesuesit të Kuvendit të Anëtarëve për shoqatë, emrat e anëtarëve të
organit të ndërmjetëm kur ky ekziston, si dhe emrat e anëtarëve të Bordit Drejtues për
fondacion dhe institut.
5. Pjesa për aktivitetet dhe të arriturat përmban:
5.1. përshkrimin e qëllimit të OJQ-së me status për përfitim publik;
5.2. programet dhe aktivitetet kryesore;
5.3. përshkrimin e arritjeve kryesore të OJQ-së me status për përfitim publik;
5.4. OJQ me status për përfitim publik në fushën e arsimit, shëndetësisë ose zhvillimit
ekonomik dorëzon edhe informata shtesë për:
5.4.1. personat dhe grupet me kushte të pavolitshme dhe përfitimet e tyre nga
OJQ me status për përfitim publik;
5.4.2. ofrimin e shërbimeve falas apo nën vlerën e tregut.
6. Pjesa për pasqyrat financiare përmban:
6.1. bilancin e gjendjes;
6.2.pasqyrat e të ardhurave dhe shpenzimeve.
7. Me kërkesën e OJQ-së me status për përfitim publik, Departamenti mund të caktojë afat
shtesë për dorëzimin e raportit vjetor, në raste të jashtëzakonshme, por jo më vonë se tridhjetë
(30) ditë nga dita e kalimit të kësaj situate.
8. Pasqyrat financiare duhet të jenë të audituara nga një auditor i pavarur i licencuar në
Republikën e Kosovës, për rastet në vijim:
8.1. për OJQ vendore me status për përfitim publik, me të hyra ose me shpenzime
vjetore mbi njëqindmijë (100,000) Euro;
8.2. për OJQ e vendit të huaj apo ndërkombëtare me status për përfitim publik me të
hyra ose shpenzime vjetore mbi njëqindmijë (100,000) Euro, për veprimtarinë e saj
brenda Kosovës.
9. Raporti vjetor gjithashtu përmban deklaratën e cila dëshmon se të gjithë transaksionet e
kryera nga OJQ-ja me status për përfitim publik janë në përputhje me nenin 36 të këtij ligji.
10. Raportet e dorëzuara sipas këtij neni, vihen në dispozicion të publikut nga Departamenti
dhe OJQ-ja, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
14
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
Neni 39
Pezullimi dhe revokimi i Statusit për Përfitim Publik
1. Pas kalimit të afatit për raportim, Departamenti njofton me shkrim OJQ-në me status për
përfitim publik e cila nuk e ka dorëzuar raportin vjetor sipas nenit 38 të këtij ligji dhe nga ajo
kërkon përmbushjen e këtij obligimi ligjor brenda tridhjetë (30) ditësh nga data e njoftimit me
shkrim, dhe nëse OJQ dështon të dorëzojë raportin brenda këtij afati Departamenti do të
pezullojë statusin për përfitim publik.
2. OJQ-së me status për përfitim publik e cila dështon të dorëzojë raportin e plotë edhe pas
kalimit të afatit nga paragrafi 1. i këtij neni, i pezullohet Statusi për Përfitim Publik. Departamenti
njofton OJQ-në se statusi i saj për përfitimit publik, së bashku me të gjitha përfitimet që rrjedhin
nga ai status janë pezulluar, dhe nëse OJQ-ja dështon të dorëzojë raportin brenda tridhjetë
(30) ditësh pas njoftimit për pezullim, Departamenti nxjerr vendim për revokimin e statusit për
përfitim publik.
3. OJQ të cilës i është revokuar Statusi për Përfitim Publik është e detyruar që në mënyrë
retroaktive për periudhën për të cilën ka dështuar të raportojë t’i kryejë të gjitha detyrimet sipas
legjislacionit në fuqi.
4. Departamenti publikon listën e OJQ-ve të cilave u është revokuar Statusi për Përfitim Publik
si dhe njofton me shkrim autoritetin tatimor dhe doganor.
5.OJQ së cilës i është revokuar statusi për përfitim publik ka të drejtë të kërkoj përsëri të njëjtin
status, pas kalimit të periudhës dy (2) vjeçare nga data e revokimit.
6. Përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së ka të drejtë të kundërshtojë çdo vendim të Departamentit
lidhur me pezullimin ose revokimin e statusit të përfitimit publik të OJQ-së, sipas dispozitave të
Ligjit mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Neni 40
Tërheqja vullnetare e Statusit për Përfitim Publik
1. OJQ me status për përfitim publik ka të drejtë të kërkojë me shkrim nga Departamenti heqjen
e statusit për përfitim publik pas përfundimit të vitit financiar.
2. Kërkesa nga OJQ për tërheqje të statusit për përfitim publik për vitin e ardhshëm duhet
të bëhet të paktën dyzet e pesë (45) ditë para përfundimit të vitit kalendarik. Departamenti
vendosë për tërheqjen e statusit për përfitim publik jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas pranimit
të kërkesës.
3. OJQ njoftohet me shkrim nga Departamenti se statusi i saj për përfitim publik, së bashku me
të gjitha përfitimet që rrjedhin nga ai status janë ndërprerë.
4. OJQ me status të përfitim publik bartë përgjegjësitë e përcaktuara me këtë ligj, deri në
nxjerrjen e vendimit nga Departamenti.
5. Departamenti publikon listën e OJQ-ve të cilave u është tërhequr Statusi për Përfitim Publik
në mënyrë vullnetare si dhe njofton me shkrim autoritetin tatimor dhe doganor.
6. OJQ-ja që tërheq vullnetarisht statusin për përfitim publik, ka të drejtë që të kërkojë përsëri
këtë status, sipas procedurave të parapara me këtë ligj.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
15
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
KAPITULLI VIII
SHUARJA DHE ÇREGJISTRIMI I OJQ-SË
Neni 41
Shuarja e OJQ-së dhe efektet
1. OJQ shuhet:
1.1. me vendim vullnetar të marrë nga organi më i lartë drejtues, në pajtim me statutin
e saj;
1.2. kur OJQ bëhet josolvente sipas ligjit në fuqi;
1.3. me kalimin e afatit për të cilin është themeluar, nëse një afat i tillë është i përcaktuar
në aktin themelues apo statut;
1.4. në bazë të vendimit të plotfuqishëm gjyqësor.
2 Në rast të shuarjes së OJQ-së, e cila ka shfrytëzuar lehtësira tatimore ose fiskale apo
donacione publike, pasuria e mbetur pas shlyerjes së obligimeve të OJQ-së, i bartet OJQ-së
tjetër të regjistruar në Republikën e Kosovës me qëllime të njëjta apo të ngjashme.
3. OJQ përcaktohet në bazë të statutit të OJQ-së së shuar, me vendim të organit më të lartë
drejtues të OJQ-së së shuar, apo me vendim të gjykatës kur është rasti.
4. Në të gjitha rastet tjera, çdo pasuri e mbetur pas shlyerjes së obligimeve shpërndahet me
vendim të organit më të lartë drejtues, bazuar në statutin e OJQ-së dhe në të gjitha rastet në
përputhshmëri me nenin 12 parimi për jo përfitim, të këtij ligji.
5. OJQ me status për përfitim publik që është shuar brenda afatit të raportimit paraqet raport
për atë periudhë, në përputhshmëri me dispozitat e këtij ligji. Në raportin e saj, OJQ-ja thekson
datën e shuarjes, bazën ligjore për shuarjen e saj, shumën e mjeteve të mbetura pas shlyerjes
së obligimeve, mënyrën e planifikuar të shpërndarjes së mjeteve, si dhe mënyrën në të cilën
është marrë vendimi për shpërndarjen të mjeteve sipas paragrafëve 2. dhe 3. të këtij neni.
6. Në rast të një vendimi të plotfuqishëm të gjykatës kompetente për ndalimin e veprimtarisë së
OJQ-së, gjykata me anë të vendimit të veçantë përfundimtar vendos për pasurinë e mbetur të
OJQ-së pas shlyerjes së të gjitha obligimeve.
7. Shuarja e OJQ-së konsiderohet e përmbyllur vetëm pas përfundimit të të gjitha procedurave
të lidhura me shpërndarjen e pasurisë së mbetur të OJQ-së, sipas rregullave të përcaktuara
me këtë nen.
Neni 42
Çregjistrimi i OJQ-së
1. Departamenti çregjistron OJQ-në nga regjistri i OJQ-ve, në njërën nga rastet e përcaktuara
sipas nenit 41 të këtij ligji.
2. Procedura e çregjistrimit të OJQ-se rregullohet me akt nënligjor që miratohet nga Qeveria.
3. Përfaqësues i autorizuar i OJQ-së ka përgjegjësi ligjore ndaj Departamentit dhe organeve
tjera.
4. Në bazë të vendimit të plotfuqishëm për çregjistrim, Departamenti largon OJQ-në nga
Regjistri i OJQ-ve.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
16
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
5. Departamenti njofton me shkrim përfaqësuesin e autorizuar për çregjistrimin e OJQ-së.
6. Departamenti publikon emrin OJQ-së në listën e OJQ-ve të çregjistruara.
Neni 43
Ankesat
OJQ e cila nuk pajtohet me vendimet e Departamentit, që kanë të bëjnë, por nuk kufizohen në
çështjet e mos-regjistrimit, shuarjes, çregjistrimit, ose kundër mosveprimit administrativ, ka të
drejtë për të kundërshtuar ose kërkuar rishikimin e vendimeve, veprimeve apo mosveprimeve
të Departamentit dhe institucioneve publike, duke përfshirë edhe të drejtën për të parashtruar
padi në gjykatën kompetente për çështjet administrative brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh,
në pajtim me Ligjin mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Neni 44
Ndalimi i veprimtarisë së OJQ-ve
1. Me vendim të gjykatës kompetente mund t’i ndalohet veprimtaria OJQ-së, aktivitetet e së
cilës cenojnë rendin kushtetues, shkelin liritë dhe të drejtat e njeriut, ose nxisin urrejtje racore,
kombëtare, etnike a fetare.
2. Me kërkesën e institucioneve të autorizuara të sigurisë, gjykata mund të vendosë masë të
përkohshme në procedurë paraprake, deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar. Me rastin e
vendosjes së masës së përkohshme, gjykata njofton me shkrim për vendimin e marrë institucionet
e sigurisë, organet tatimore, doganore, Bankën Qendrore të Kosovës dhe Departamentin.
3. Në rastet kur Gjykata ndalon veprimtarinë e OJQ-së, me vendim të veçantë vendosë për
pasurinë e mbetur të OJQ-së pas shlyerjes së obligimeve.
Neni 45
Bashkëpunimi me institucionet publike
Departamenti shkëmben informata dhe bashkëpunon me institucionet përkatëse, puna dhe
veprimtaria e të cilave ndërlidhet me veprimtarinë e OJQ-ve.
KAPITULLI IX
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 46
Aktet nënligjore
Qeveria, sipas propozimit të ministrisë, nxjerr akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji, jo më
vonë se gjashtë (6) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 47
OJQ-të e regjistruara në Kosovë
1. Çdo OJQ e regjistruar në bazë të Ligjit Nr.04/L-057 për Lirinë e Asociimit në Organizatat
Joqeveritare konsiderohet e regjistruar në Kosovë sipas këtij Ligji.
2. OJQ harmonizon statutin e saj me këtë ligj brenda një (1) viti nga dita e hyrjes në fuqi të këtij
Ligji. Sipas procedurave dhe afatit të përcaktuar me akt nënligjor, OJQ e regjistruar si shoqatë
apo fondacion deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, mund të kërkojë nga Departamenti ndryshimin
e formës se organizimit në institut..
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 11 / 24 PRILL 2019, PRISHTINË
17
LIGJI NR. 06/L- 043 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE
Neni 48
Shfuqizimi
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji Nr.04/L-057 për Lirinë e Asociimit në Organizatat
Joqeveritare (Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës Nr. 14 datë 9 shtator 2011).
2. Aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit Nr.04/L-057 për Lirinë e Asociimit në Organizatat
Joqeveritare vazhdojnë të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve nënligjore që janë të përcaktuara
në këtë ligj, me kusht që të mos jenë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
Neni 49
Hyrja në Fuqi
Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës
së Kosovës.
Ligji Nr. 06/L-043
7 nëntor 2018
Shpallur më Vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 06-V-346, datë 15 prill
2019.