GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
19
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
LIGJI NR. 06/L-056
PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj përcakton detyrat, përgjegjësitë, organizimin dhe funksionimin e Këshillit Prokurorial të
Kosovës.
Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Kushtetuta – Kushtetuta e Republikës së Kosovës;
1.2. Presidenti – Presidenti i Republikës së Kosovës;
1.3. Kuvendi – Kuvendi i Republikës së Kosovës;
1.4. Këshilli - Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) – institucion kushtetues i themeluar
me Nenin 110 të Kushtetutës;
1.5. Kryesues – Kryesuesi i zgjedhur nga anëtarët e Këshillit;
1.6. Anëtar i Këshillit – Në rastet kur nuk përcaktohet ndryshe nënkupton Kryesuesin,
zëvendës-kryesuesin dhe anëtarin e Këshillit;
1.7. Ditë - ditët kalendarike;
1.8. Sekretariati - njësinë e themeluar brenda Këshillit më qëllim të ofrimit të mbështetjes
administrative për Këshillin dhe Prokuroritë;
1.9. Drejtori - Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit;
1.10. Akademia - Akademia e Drejtësisë, institucion ligjor kompetent për trajnimin e
prokurorëve si dhe trajnimin e stafit administrativ gjyqësor dhe prokurorial;
1.11. Kryeprokurori i Shtetit -është kreu i Zyrës së Prokurorit të Shtetit;
1.12. Prokuror i Shtetit – institucion i pavarur kompetent dhe përgjegjës për ndjekjen e
personave të akuzuar për kryerjen e veprave penale dhe veprave të tjera siç ceken me
ligj dhe përfshinë si në vijim: prokuroritë themelore, prokurorinë e Apelit, prokurorinë
Speciale, Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe cilado njësi tjetër organizative që mund
të krijohet për të ushtruar funksione prokuroriale.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
20
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
2. Fjalët e një gjinie përfshijnë edhe gjininë tjetër.
KAPITULLI II
DETYRAT, PËRGJEGJËSITË DHE PËRBËRJA E KËSHILLIT
Neni 3
Parimet bazë të veprimtarisë së Këshillit
1. Këshilli:
1.1. është një institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta me
qëllim të sigurimit të një sistemi prokurorial të pavarur, profesional dhe të paanshëm siç
përcaktohet me Kushtetutë dhe me ligj;
1.2. siguron që prokuroritë të pasqyrojnë natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës
dhe ndërmerr masa të nevojshme për të rritur numrin e prokurorëve nga komunitetet
jo-shumicë në Kosovë, në pajtim me parimet e pranuara ndërkombëtarisht të barazisë
gjinore;
1.3. siguron që të gjithë personat të kenë qasje të barabartë në drejtësi;
1.4. siguron që prokuroritë të respektojnë parimet e mosdiskriminimit, proporcionalitetit,
si dhe të drejtat e njeriut dhe të barazisë gjinore, të garantuara me Kushtetutë dhe me
marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare që zbatohen në Republikën e Kosovës;
1.5. gjatë ushtrimit të detyrave dhe kompetencave, Këshilli vepron në atë mënyrë që
respekton dhe ruan pavarësinë e prokurorëve derisa këta kryejnë funksionet e tyre
të ndjekjes. Këshilli nuk do të urdhërojë apo ndikojë, të përpiqet të ndikojë apo të
ndërmarrë në ndonjë mënyrë tjetër ndonjë veprim apo të japë çfarëdo deklarate e cila
në mënyrë të arsyeshme mund të shihej si ndërhyrje apo përpjekje për ndërhyrje në
pavarësinë e funksionit të prokurorisë në raport me cilindo person, hetim apo lëndë.
Neni 4
Pavarësia dhe paanshmëria e anëtarëve të Këshillit
Kryesuesi, zëvendës-kryesuesi dhe anëtari i Këshillit ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të
pavarur, profesionale dhe të paanshme.
Neni 5
Përgjegjësia personale e anëtarëve të Këshillit
Anëtarët e Këshillit Prokurorial nuk mbajnë përgjegjësi penale apo civile për mendimet e
shprehura brenda fushëveprimit të tyre, si anëtarë të Këshillit.
Neni 6
Statusi, selia dhe stema
1. Këshilli është person juridik.
2. Selia e Këshillit është në Prishtinë.
3. Këshilli dhe prokurori i shtetit përdorin stemën e Republikës së Kosovës, në pajtim me ligjin
për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës.
4. Këshilli ka simbolin e vet unik të përcaktuar me akt të brendshëm.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
21
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 7
Detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit
1. Këshilli ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim:
1.1. vendos për organizimin, menaxhimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit
të prokurorive sipas ligjit;
1.2. i propozon Presidentit emërimin, riemërimin dhe shkarkimin e prokurorëve, si dhe
siguron se të gjithë kandidatët e propozuar i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj,
sipas procedurave përkatëse ligjore;
1.3. i propozon Presidentit emërimin dhe shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit, siguron
se kandidati i propozuar i plotëson kriteret e përcaktuara me ligj dhe janë zhvilluar
procedurat përkatëse;
1.4. vendos për emërimin e kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, Prokurorisë
Speciale dhe Prokurorisë së Apelit, në pajtim me Ligjin për Prokurorinë e Shtetit dhe
Ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;
1.5. siguron zbatimin dhe mbikëqyrë kriteret për pranim në prokurori, të cilat duhet
të bëhen në pajtim me parimet e meritës, mundësive të barabarta, barazisë gjinore,
mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas
verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve;
1.6. shpalljen e konkursit publik për prokurorë;
1.7. Vendos për organizimin e provimit për kandidatët për prokurorë sipas rregullores
së miratuar nga Këshilli përcaktimin e numrit të prokurorëve për secilën prokurori;
1.8. vendos dhe mbikëqyrë zbatimin e kritereve për përbërjen etnike të juridiksionit
territorial të prokurorisë përkatëse dhe për plotësimin e vendeve të lira të punës, të
garantuara për anëtarë të komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë;
1.9. vendos për numrin e prokurorëve në secilin Prokurori;
1.10. përgatit, dërgon dhe mbikëqyrë buxhetin e Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit
Prokurorial;
1.11. vendos për avancimin, transferimin dhe disiplinimin e prokurorëve;
1.12. vendos kriteret për vlerësimin e prokurorëve, për ngarkesën me lëndë të
prokurorive dhe për funksionim efikas të prokurorive si dhe kontrollon dhe garanton
procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e prokurorëve për vlerësimin e tyre;
1.13. vendos dhe mbikëqyrë kriteret për përcaktimin e politikave, standardëve dhe
udhëzimeve sa i përket trajnimit të prokurorëve dhe personelit tjetër dhe mbikëqyrjen e
zbatimit të trajnimit dhe zhvillimit profesional të prokurorëve nga Akademia apo shoqata
apo organizata tjera trajnuese;
1.14. miraton Kodin e Etikës Profesionale për anëtarët e Këshillit, shkelja e të cilit
paraqet bazë për sanksione, përfshirë shkarkimin nga Këshilli;
1.15. miraton Kodin e Etikës Profesionale për prokurorë, shkelja e të cilit paraqet bazë
për sanksione, përfshirë shkarkimin nga funksioni;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
22
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
1.16. miraton Kodin e Etikës profesionale për stafin administrativ, shqiptimin e masave
disiplinore të përcaktuara me Ligjin përkatës për Shërbimin Civil të Republikës së
Kosovës, shkelja e të cilit paraqet bazë për sanksione;
1.17. sigurimin që prokurorët të veprojnë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të
paanshme gjatë kryerjes së të gjitha funksioneve prokuroriale;
1.18. në bashkëpunimin me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit zhvillon politika dhe
strategji prokuroriale për luftimin efektiv të kriminalitetit;
1.19. përgatitjen e një raporti vjetor mbi veprimtaritë dhe shpenzimet e Prokurorit të
Shtetit dhe të Këshillit;
1.20. mbikëqyrjen dhe administrimin e prokurorive dhe personelit të saj;
1.21. mbikëqyrjen e sekretariatit, Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë
dhe nxjerrjen e rregullave dhe rregulloreve në pajtim me kompetencat e veta;
1.22. përcaktimin e procedurave për seancat dhe zhvillimin e seancave disiplinore;
1.23. bashkëpunon me këshillat prokuroriale të shteteve të tjera dhe organizatat
përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, me kusht që të mos ndikojë në pavarësinë e
punës së tij;
1.24. shpalljen e rregullave dhe rregulloreve në pajtim me ligjet mbi informimin publik
lidhur me menaxhimin dhe zbulimin e informacionit që mbahet nga Prokurori i Shtetit;
1.25. themelimin e komisioneve të cilat Këshilli i vlerëson si të nevojshme;
1.26. miratimin e rregullave të punës për funksionimin e Këshillit dhe komisioneve të
veta dhe për zgjedhjen e atyre anëtarëve të Këshillit që zgjidhen nga kolegët e tyre,
rregulla këto që janë në dispozicion të publikut;
1.27. nxjerrjen e rregullores për procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të shtetit
dhe emërimit të kryeprokurorëve të prokurorive;
1.28. nxjerrjen e rregullores për organizimin e brendshëm të prokurorit të shtetit;
1.29. garantimin e një sistemi të hapur dhe të përgjegjshëm të administrimit të
vendimeve të Këshillit dhe të Prokurorit të Shtetit;
1.30. raportimin para publikut për zbatimin e objektivave të saj të përcaktuara në
mënyrë specifike dhe të bazuar në indikator të matshëm;
1.31. miraton aktet nënligjore në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të
tij, në pajtim me legjislacionin në fuqi;
1.32. kryen detyra të tjera të përcaktuara në ligj.
Neni 8
Papajtueshmëria e të qenit anëtar i Këshillit
1. Anëtarësia në Këshill është i papajtueshëm kur është:
1.1. gjyqtar;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
23
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
1.2. është prokuror me mandat fillestar;
1.3. është deputet i Kuvendit, anëtar i Qeverisë, kryetar komune apo anëtar i kuvendit të
komunës;
1.4. personi që ushtron funksion në cilindo subjekt politik, shoqatë apo fondacion të lidhur
me ndonjë subjekt politik;
1.5. personi që punon për administratën, përfshirë personat që kryejnë detyra në Qeverinë
apo në organet administrative, institucionet të themeluara me Kushtetutë apo të krijuara
përmes legjislacionit;
1.6. të mos jenë dënuar për vepër penale, me përjashtim të veprave penale të kryera nga
pakujdesia.
2. Anëtari i zgjedhur i Këshillit shkarkohet nga Këshilli nëse ky nuk jep dorëheqje nga një pozitë
që është në mospajtim para emërimit si anëtar i Këshillit.
Neni 9
Përbërja e anëtarëve të Këshillit
1. Këshilli, përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, si vijon:
1.1. dhjetë (10) anëtarë, nga radhët e prokurorëve dhe atë:
1.1.1. Kryeprokurori i Shtetit;
1.1.2. shtatë (7) anëtarë, prokurorë nga prokuroritë themelore, të përfaqësuar
me nga një (1) anëtar, të zgjedhur nga prokurorët e asaj prokurorie;
1.1.3. një (1) anëtar, prokuror nga Prokuroria e Apelit, i zgjedhur nga prokurorët
e asaj prokurorie;
1.1.4. një (1) anëtar, prokuror nga Prokuroria Speciale, i zgjedhur nga prokurorët
e asaj prokurorie.
1.2. një (1) anëtar avokat nga Oda e Avokatëve të Kosovës;
1.3. një (1) anëtar, profesor universitar i drejtësisë;
1.4. një (1) anëtar, përfaqësues nga shoqëria civile.
2. Anëtarët e Këshillit nga nën-paragrafi 1.1. i këtij neni, përveç Kryeprokurorit të Shtetit, nuk
mund të ushtrojnë njëkohësisht detyrën e kryeprokurorit të cilësdo prokurori.
3. Tre (3) anëtarët jo-prokurorë të Këshillit, të zgjedhur nga Kuvendi, sipas nenit 65 (10) të
Kushtetutës, zgjidhen me votim të fshehtë, me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm
dhe që votojnë, bazuar në një listë prej dy (2) kandidatëve për secilën pozitë të propozuar nga
organet përkatëse e që përfshin:
3.1. një (1) anëtar nga Oda e Avokatëve të Kosovës;
3.2. një (1) profesor nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës;
3.3 “një (1) përfaqësues nga shoqëria civile. Përfaqësuesi i shoqërisë civile përzgjidhet
me anë të konkursit publik të shpallur nga Kuvendi, i cili duhet të ketë përgatitje të
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
24
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
lartë profesionale, njohuri të dëshmuara nga fusha e drejtësisë, njohuri nga fusha e të
drejtave të njeriut, përvojë pune në çështjet ligjore prej pesë (5) viteve, dhe përkrahjen
e së paku pesë (5) organizatave të shoqërisë civile të fushës së drejtësisë.
4. Anëtarët e Këshillit pasqyrojnë natyrën shumetnike dhe parimet e barazisë gjinore në
Republikën e Kosovës dhe zgjedhën bazuar në kompetencën, përvojën dhe njohurinë e tyre.
5. Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngritët në
detyrë në sistemin prokurorial.
6. Anëtarët e Këshillit me orar të plotë nuk mund të ushtrojnë detyrën e prokurorit në asnjë zyre
të prokurorisë.
7. Këshilli do të miratojë rregullore të veçantë për zbatimin e këtij neni.
Neni 10
Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga
Kuvendi
1. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit nga Kuvendi, fillon gjashtë (6) muaj para
skadimit të mandatit të anëtarit.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, kur mandati përfundon para kohe, siç përcaktohet
me këtë ligj, procedura për zgjedhjen e anëtarit fillon brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e
mbetjes së vendit të lirë.
3. Kuvendi e shpall konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, në media të shkruara dhe
elektronike dhe në gjuhët zyrtare.
4. Komisioni përkatës i Kuvendit (në tekstin e mëtejmë: Komisioni) përcakton kriteret e konkursit
për zgjedhjen e anëtarit. Afati i kohëzgjatjes së konkursit nuk mund të jetë më i shkurtër se
pesëmbëdhjetë (15), e as më i gjatë se njëzet (20) ditë.
5. Pas skadimit të afatit të paraparë në paragrafin 4. të këtij neni, Komisioni brenda afatit prej
pesëmbëdhjetë (15) ditësh, vlerëson nëse kandidatët i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur
anëtarë të këshillit, dhe hedh poshtë kandidaturat që nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara në
konkurs.
6. Komisioni zhvillon intervistë me secilin kandidat i cili plotëson kushtet për t’u zgjedhur anëtar
i Këshillit dhe në bazë të të dhënave të paraqitura dhe rezultateve të intervistës, përgatitë listën
e ngushtë të kandidatëve.
7. Kuvendi me votim të fshehtë zgjedh anëtarët e Këshillit.
8. Lista për seancën e Kuvendit përbëhet nga dy (2) kandidatë për një pozitë.
9. Nëse në rrethin e parë, kandidatët e propozuar nga komisioni përkatës i Kuvendit nuk marrin
shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, atëherë në raundin e
dytë konsiderohet i zgjedhur kandidati me numrin më të madh të votave.
10. Shkarkimi i anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit, bëhet nga Kuvendi me shumicën e votave të
të gjithë deputetëve të Kuvendit, me propozim të komisionit përkatës ose Këshillit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
25
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 11
Kryesuesi dhe zëvendës-kryesuesi i Këshillit
1. Këshilli nga radhët e anëtarëve të vet prokurorë, zgjedh kryesuesin dhe zëvendëskryesuesin,
me mandat tre (3) vjeçar. Zgjedhja në këto funksione nuk e zgjat mandatin e anëtarit të Këshillit.
2. Kryesuesi i Këshillit ka këto autorizime:
2.1. kryeson të gjitha takimet e Këshillit;
2.2. miraton rendin e ditës dhe pikave që do t’i dërgohen Këshillit për konsiderim dhe
vendim;
2.3. përfaqëson Këshillin;
2.4. mbikëqyr dhe menaxhon punën e Këshillit dhe komisioneve të tij;
2.5. procedon buxhetin e hartuar nga Këshilli për shpenzimet e veprimeve dhe të
personelit të Këshillit dhe të prokurorit të shtetit;
2.6. paraqet raport me shkrim së paku një (1) herë në vit para Kuvendit mbi performancën,
veprimet, shpenzimet dhe nevojat e Prokurorit të Shtetit;
2.7. Me pëlqimin e Këshillit, propozon anëtarët e komisioneve të përhershme siç ceket
me këtë ligj, dhe ndërmerr detyra të tjera sipas udhëzimit të Këshillit.
3. Kryesuesi i Këshillit së paku një (1) herë në vit paraqet raporte publike vjetore për
performancën, veprimet, kostot dhe nevojat buxhetore të sistemit prokurorial.
4. Organizon procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të komisioneve të përhershme sipas këtij
ligji, duke i mundësuar Këshillit një proces transparent dhe të përgjegjshëm të propozimeve dhe
emërimit të tyre.
5. Zëvendës kryesuesi ka autoritet të plotë për të vepruar në emër të Këshillit, në rast të
mungesës apo paaftësisë së kryesuesit.
Neni 12
Mandati i anëtarëve të Këshillit
1. Anëtarët e Këshillit qëndrojnë në detyrë për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë
rizgjedhjeje.
2. Kryesuesi, zëvendëskryesuesi, kryetari i Komisionit për Çështje Normative, kryetari për
Çështjen e Vlerësimin të Performancës dhe kryetari për Administrimin e Prokurorive, shërbejnë
në Këshill me kohë të plotë dhe pezullojnë detyrën e prokurorit.
3. Anëtarët prokurorë të Këshillit me orar të plotë nuk do të humbasin statusin e prokurorit, dhe
kanë të drejtë t’i kthehen shërbimit si prokuror i prokurorisë në të cilën ishin emëruar para fillimit
të mandatit të anëtarit të Këshillit.
4. Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngritët në
detyrë, si dhe nuk mund të emërohet Kryeprokuror i Prokurorisë përkatëse.
5. Afati i qëndrimit në detyrë i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit fillon nga data e zgjedhjes së
tyre për anëtar të Këshillit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
26
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 13
Përfundimi i mandatit
1. Mandati i anëtarit të Këshillit përfundon me:
1.1. vdekje;
1.2. humbjen e zotësisë për veprim;
1.3. dështimin e vazhduar për të marrë pjesë në veprimtaritë e Këshillit më gjatë se tre
(3) muaj, pa arsye të vërtetuar;
1.4. pushimin e statusit mbi të cilin bazohet emërimi;
1.5. skadimin e mandatit;
1.6. dorëheqje, duke i ofruar Këshillit njoftim paraprak prej tridhjetë (30) ditësh;
1.7. arritjen e moshës së pensionimit;
1.8. është dënuar për vepër penale, me përjashtim të veprave penale të kryera nga
pakujdesia.
2. Anëtarët e Këshillit shkarkohen nga funksioni para skadimit të mandatit për të cilin janë
zgjedhur, nëse:
2.1. funksionin e anëtarit të Këshillit nuk e kryen në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin;
2.2. ushtron funksionin në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij.
3. Nëse një vend në Këshill lirohet para skadimit të mandatit të një anëtari, pozita e lirë
plotësohet në të njëjtën mënyrë si për anëtarin të cilit i ka skaduar mandati. Personi, përveç
Kryeprokurorit të Shtetit, i cili zgjedhet të plotësojë një vend të lirë në Këshill emërohet apo
zgjedhet me një mandat të plotë pesë (5) vjeçar.
4. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit nga radhët e prokurorëve, fillon tre (3) muaj
para skadimit të mandatit të rregullt.
Neni 14
Natyra publike e takimeve të Këshillit
1. Takimet e Këshillit janë të hapura për publikun.
2. Rendi i ditës së Këshillit do të jetë publikisht i hapur së paku njëzet e katër (24) orë para
takimit.
3. Këshilli mund të vendos të mbajë takim të mbyllur për publikun me shumicën e votave të
anëtarëve për çështjet si në vijim:
3.1. një sekret shtetëror zyrtar zbulimi i të cilit do të ishte shkelje e ligjit;
3.2. çështje e personelit që kanë të bëjnë me prokurorë apo punonjës të prokurorisë,
përpos takimit të Këshillit ku merret një vendim përfundimtar disiplinor kundër një
prokurori;
3.3. informacioni jo publik apo zbulimi i të dhënave që do të rrezikonin jetën apo sigurinë
e cilitdo person;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
27
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
3.4. një hetim në vazhdim për sjellje të pahijshme apo veprimtari kriminale, zbulimi i
së cilës në masë të arsyeshme do të rrezikonte objektivitetin dhe efikasitetin e hetimit;
3.5. vlerësimi i performancës së prokurorëve dhe nëpunësve administrativ;
3.6. informacioni pronësor, zbulimi i së cilës mund të paragjykonte interesat e cilësdo
palë që konkurron për një tender qeveritar;
3.7. informacione, të dhëna, procese apo kode kompjuterike të biznesit pronësor të
cilat janë konfidenciale sipas marrëveshjes kontraktuese apo marrëveshjes për mos
zbulim ndërmjet tregtarit dhe Këshillit; dhe
3.8. cilido informacion tjetër, zbulimi i të cilit do të përbënte shkelje të ligjit.
4. Pasi që Këshilli ka mbyllur takimin asnjë anëtar i Këshillit apo asnjë person pjesëmarrës në
takim nuk diskuton mbi natyrën, përmbajtjen apo rezultatin e takimit përpos nëse me ligj është
paraparë ndryshe.
5. Këshilli mund të thërrasë takim urgjent për të adresuar çështjet që lidhen me sigurinë e godinave
ose personelit të gjykatës apo kur rrethana të veçanta kërkojnë veprim të menjëhershëm.
Këshilli mund të mblidhet për seancë urgjente me thirrjen e Kryesuesit, apo nëse ky mungon,
më thirrjen e Zëvendës kryesuesit. Brenda njëzetekatër (24) orësh pas përfundimit të seancës
emergjente Kryesuesi informon publikun për natyrën e emergjencës si dhe pikat e diskutuara
në takim, përveç nëse zbulimi përjashtohet me këtë nen.
Neni 15
Kuorumi dhe vendimmarrja
1. Kuorumi i Këshillit formohet me nëntë (9) anëtarë.
2. Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm, përveç
nëse ligji parasheh ndryshe.
3. Kryesuesi, gjegjësisht zëvendës kryesuesi kur udhëheq mbledhjen e Këshillit, voton i fundit.
Neni 16
Komisionet e Këshillit
1. Këshilli ka komisionet e veta të përhershme si në vijim:
1.1. Komisioni për Çështje Normative;
1.2. Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel;
1.3. Komisioni për Administrimin e Prokurorive;
1.4. Komisioni për vlerësim të performancës së prokurorëve.
2. Këshilli mund të themelojë edhe komisione të tjera të përkohshme ose të përhershme, sipas
nevojës.
3. Këshilli nxjerrë rregullore për detyrat dhe përgjegjësitë e Komisioneve të përcaktuara në këtë
nen.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
28
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 17
Buxheti vjetor
1. Këshilli harton buxhetin vjetor, në pajtueshmëri me Ligjin për menaxhimin e financave publike
dhe përgjegjësitë.
2. Këshilli menaxhon buxhetin vjetor për Këshillin dhe prokuroritë në mënyrë të pavarur dhe
mban përgjegjësi për mbikëqyrjen e shpenzimeve, alokimin e fondeve, mirëmbajtjen e llogarive
të sakta dhe aktuale dhe auditimeve financiare.
Neni 18
Paga e kryesuesit dhe anëtarëve të Këshillit
1. Përjashtimisht Kryeprokurorit të shtetit, gjatë mandatit të tyre, Kryesuesi, zëvendëskryesuesi
dhe anëtarët e Këshillit me orar të plotë pranojnë pagën si në vijim:
1.1. kryesuesi pranon pagë ekuivalente me pagën e Kryetarit të Gjykatës Supreme;
1.2. anëtarët prokurorë me orar të plotë pranojnë pagën ekuivalente të gjyqtarit të
Gjykatës Supreme.
2. Anëtarët e Këshillit me orar jo të plotë kanë të drejtë në kompensim për punën e tyre si anëtarë
të Këshillit. Këshilli do të miratojë skemën e kompensimit përkatësisht pagën për anëtarët me
orar jo të plotë.
3. Gjatë mandatit të tyre, kryesuesi, si dhe anëtarët prokurorë, me orar të plotë pranojnë
vetëm pagën e përcaktuar me ligj, përveç për rimbursime të shpenzimeve të arsyeshme dhe
të nevojshme që ndërlidhet me ushtrimin e detyrave të tyre, siç përcaktohet në paragrafin 5. të
këtij neni.
4. Kryesuesi dhe Zëvendës-kryesuesi, me përfundimin e mandatit të tyre do të pranojnë
kompensimin që lidhet me pozitën fillestare në të cilën këta do të kthehen.
5. Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët prokurorë të Këshillit nuk kanë të drejtë të
ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë,
përveç mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë, Akademisë së Drejtësisë apo rasteve
të parapara me ligj.
6. Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët prokurorë të Këshillit mund të merren me
veprimtari shkencore, kulturore, akademike dhe veprimtari tjera, të cilat nuk bien në kundërshtim
me funksionet e tyre dhe me legjislacionin në fuqi.
Neni 19
Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit
1. Këshilli përcakton dhe publikon rregullat dhe procedurat disiplinore të zbatueshme
ndaj anëtarëve të vet duke përfshirë ato procedura që përcaktojnë hetimin, pezullimin apo
rekomandimin për shkarkim të cilitdo anëtari të Këshillit.
2. Komision i përbërë nga tre (3) anëtarë, njëri nga të cilët duhet të jetë anëtar prokuror i
Këshillit, dhe dy (2) të tjerë nga radhët e prokurorëve, i themeluar nga Këshilli, vendos për
masat disiplinore dhe për sanksione, përfshirë pezullimin dhe shkarkimin e cilit do anëtarë të
Këshillit.
3.Me rekomandimin e komisionit, një (1) anëtar i Këshillit mund të shkarkohet me anë të dy të
tretave (2/3) të votave të anëtarëve të Këshillit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
29
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
4. Një (1) anëtar i Këshillit i cili është shkarkuar gëzon të drejtën të ankohet kundër vendimit të
Këshillit drejtpërsëdrejti në Gjykatën Supreme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga vendimi
për shkarkim.
KAPITULLI III
REKRUTIMI, PROPOZIMI DHE EMËRIMI I PROKURORËVE
Neni 20
Rekrutimi dhe përzgjedhja e kandidatëve
1. Për rekrutimin e kandidatëve për prokurorë, Këshilli përmes një shpallje publike fton të
aplikojnë të gjithë profesionistët e kualifikuar ligjorë.
2. Me rastin e rekrutimit të një kandidati, Këshilli, në mes tjerash do të marrë parasysh kriteret
në vijim:
2.1. njohurinë profesionale, përvojën e punës dhe performancës, përfshirë njohuritë
dhe respektimin e të drejtave të njeriut;
2.2. kapacitetin për arsyetime ligjore siç të jetë dëshmuar përmes veprimtarive
profesionale në fushën e drejtësisë, përfshirë këtu si gjyqtarë, prokurorë apo avokatë,
punë akademike apo veprimtari tjetër profesionale;
2.3. aftësinë profesionale bazuar në rezultatet e karrierës së mëparshme, përfshirë
pjesëmarrjen në forma të organizuara të trajnimit ku është vlerësuar përformanca;
2.4. aftësinë dhe kapacitetin në analizimin e problemeve ligjore;
2.5. aftësinë për të kryer detyrat në mënyrë të paanshme, të ndershme, me kujdes dhe
me përgjegjësi;
2.6. aftësinë komunikuese; dhe
2.7. integritetin personal.
3. Në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin e zbatueshëm, Këshilli zhvillon dhe zbaton procedura
për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim si prokurorë.
4. Këshilli zbaton masa dhe veprime rekrutimi, si dhe masa të tjera të cilat i konsideron të
nevojshme për të siguruar që një zyrë prokuroriale pasqyron përbërjen etnike të zonës së
juridiksionit përkatës.
5. Procedura për vlerësimin e përshtatshmërisë së kandidatit për t’u bërë pjesë e prokurorisë,
do të bëhet përmes vërtetimit të të dhënave të dorëzuara nga kandidati, të dhënat nga regjistrat
publikë relevantë për vlerësim, përfshirë verifikimin standard të regjistrave për të kaluarën
kriminale.
6. Dhënia e përparësisë për kandidatët me kualifikime të barabarta nga komunitetet e nën-
përfaqësuara, do të zbatohet përderisa përqindja e prokurorëve pjesëtarë të komuniteteve jo
shumicë në Kosovë të jetë nën pesëmbëdhjetë përqind (15%) dhe / ose përderisa përqindja e
prokurorëve të cilët janë pjesëtarë të komunitetit serb të Kosovës, të jetë nën tetë përqind (8%).
7. Këshilli harton rregullore të veçantë për të përshkruar procesin e emërimit dhe të riemërimit
të prokurorëve nga komunitetet e nën-përfaqësuara në mesin e prokurorëve që shërbejnë në
Kosovë.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
30
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 21
Propozimi për emërim dhe riemërim
1. Këshilli, përmes një njoftimi publik fton të gjithë personat e kualifikuar ligjorë që të aplikojnë
për kandidatë për emërime në Prokurorinë e Shtetit.
2. Këshilli zhvillon dhe zbaton procedurat për rekrutimin e kandidatëve për t’u emëruar si
Prokurorë të cilat janë në përputhje me Kushtetutën dhe kriteret për pranim në prokurori te
miratuara nga Këshilli me akt nënligjor.
Neni 22
Emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve
1. Këshilli bën nominimin e Kryeprokurorit të Shtetit nga radhët e Prokurorëve dhe ai emërohet
nga Presidenti për një mandat shtatë (7) vjeçar, pa mundësi riemërimi.
2. Këshilli emëron Kryeprokurorët për të gjitha njësitë e tjera të Prokurorit të Shtetit. Çdo
prokuror i cili është subjekt i kualifikimeve të përcaktuara me Ligjin mbi Prokurorët e Shtetit ka
të drejtë të propozohet për postin e Kryeprokurorit.
3. Kryeprokurori emërohet nga Këshilli për një periudhë katër (4) vjeçare, me mundësi
vazhdimi edhe për një mandat shtesë.
4. Në mënyrë që të sigurohet se Prokurori i Shtetit pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës,
Këshilli përpiqet të sigurojë që anëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë të
emërohen në role menaxhuese.
5. Këshilli autorizohet të largojë një Kryeprokuror nga ajo pozitë, në pajtim me vlerësimet e
performancës të ndërmarra në pajtim me ligjin e zbatueshëm, ose me rastin e konstatimit të
sjelljes kriminale, keq-menaxhimit, jo-kompetencës, apo dështimit në kryerjen e detyrave të
pozitës.
Neni 23
Emërimi dhe riemërimi i prokurorëve
1. Presidenti emëron dhe riemëron prokurorët bazuar në propozimet e Këshillit.
2. Presidenti, brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për
emërimin në detyrën e prokurorit të kandidatit të propozuar nga Këshilli. Nëse brenda këtij afati
Presidenti nuk e emëron prokurorin, Këshilli mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin
e propozuar së bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj Presidenti
emëron prokurorin sipas propozimit të Këshillit.
Neni 24
Betimi i prokurorëve
1. Prokurori i sapoemëruar me mandat fillestar (3) trevjeçar, merr detyrën pasi të ketë dhënë
betimin para Presidentit.
2. Teksti i betimit është si në vijim:
“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës
së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”.
3. Betimi i Prokurorëve të sapoemëruar bëhet me një ceremoni publike para Presidentit, nëse
Presidenti nuk vendos ndryshe.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
31
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
4. Zyra e Presidentit, miraton Rregullore për ceremoninë e betimit të prokurorëve.
Neni 25
Shkarkimi nga detyra i prokurorëve
1. Prokurorët mund të shkarkohen nga funksioni, për shkak të:
1.1. është dënuar për vepër penale, me përjashtim të veprave penale të kryera nga
pakujdesia; dhe
1.2. mosrespektimin e rëndë të detyrave.
2. Prokurorët kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimit mbi shkarkimin drejtpërdrejt në Gjykatën
Supreme të Kosovës.
3. Këshilli, para dërgimit të propozimit për shkarkim të prokurorit, siguron që të jenë përfunduar
të gjitha procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
4. Këshilli, pas sigurimit se kanë përfunduar të gjitha procedurat përkatëse i dërgon Presidentit
propozimet për shkarkimin e prokurorit.
5. Propozimi duhet të përfshijë një raport me shkrim për procesin dhe për prokurorin.
6. Presidenti, brenda tridhjetë (30) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për
shkarkimin e prokurorit të propozuar nga Këshilli. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk e
shkarkon prokurorin, Këshilli paraqet edhe një herë propozimin për shkarkimin e prokurorit së
bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj Presidenti shkarkon prokurorin
sipas propozimit të Këshillit.
7. Para zbatimit të vendimit të tillë, prokurori njoftohet zyrtarisht nga Këshilli lidhur me vendimin
e Presidentit për miratimin apo mosmiratimin e shkarkimit nga detyra.
Neni 26
Lirimi nga detyra i prokurorëve
1. Në rastet e dorëheqjes dhe pensionimit të prokurorëve, Këshilli i dërgon propozimin Presidentit
për lirim nga detyra.
2. Presidenti brenda tridhjetë (30) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për lirimin
nga detyra të prokurorit.
KAPITULLI IV
VLERËSIMI, AVANCIMI DHE TRANSFERIMI I PROKURORËVE
Neni 27
Vlerësimi i performancës së prokurorëve
1. Mënyra dhe procedura e vlerësimit të performancës së Prokurorëve përcaktohet përmes
rregulloreve dhe rregullave të përpiluara dhe lëshuara nga Këshilli.
2. Këshilli përcakton kriteret për vlerësimin dhe avancimin e Prokurorëve që përfshijnë por
nuk kufizohen në:
2.1. njohurinë profesionale, përvojën e punës dhe performancën, duke përfshirë njohjen
dhe respektimin e të drejtave të njeriut;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
32
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
2.2. zotësinë për arsyetim ligjor;
2.3. aftësinë profesionale, përfshirë pjesëmarrjen në forma të organizuara të trajnimit në
të cilën është vlerësuar performanca;
2.4. aftësinë dhe zotësinë për analizimin e problemeve ligjore;
2.5. aftësinë për të kryer detyrat në mënyrë të paanshme, ndërgjegjshme, me zell,
vendosmëri dhe përgjegjësi;
2.6. aftësitë e komunikimit;
2.7. sjelljet jashtë zyrës, dhe
2.8. integritetin personal.
3. Çdo Prokuror i cili i është nënshtruar vlerësimit i merr rezultatet e vlerësimit dhe mund të
paraqesë kundërshtimet me shkrim në Këshill kundër çdo përfundimi apo gjetje.
4. Vlerësimi i performancës së prokurorëve, me mandat fillestar, bëhet së paku dy (2) herë
gjatë këtij mandati nga Komisioni për vlerësim të performancës së prokurorëve, një (1) herë
pas trajnimit fillestar dhe një (1) herë në fund të mandatit fillestar. Kriteret për vlerësim gjatë
mandatit fillestar do të specifikohen në një rregullore të nxjerrë nga Këshilli.
5. Vlerësimi i performancës se prokurorëve me mandat të përhershëm bëhet çdo tre (3) vjet,
në mënyrën e tillë që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Këshilli cakton me short një e treta (1/3)
e prokurorëve, brenda secilës prokurori, si grupin e parë të cilët do t’u nënshtrohen vlerësimit
të performancës në afat prej tre (3) muajsh. I njëjti short mbahet pas një (1) viti për të caktuar
prokurorët që do bëjnë pjesë në grupin e dytë dhe grupin e tretë pas dy (2) viteve, respektivisht.
Neni 28
Transferimi i prokurorëve
1. Me paraqitjen e kërkesës nga Kryeprokurori, Këshilli mund të transferojë një prokuror në një
prokurori tjetër për një periudhë kohore jo më të gjatë se 1 (një) vit.
2. Transferimi sipas paragrafit 1. të këtij neni mund të ndërmerret në rastet kur një prokurori ka
numër të pamjaftueshëm të prokurorëve për të kryer lëndët që i ka në kompetencë.
3. Prokurorët nuk mund të transferohen në ndonjë prokurori tjetër kundër vullnetit të tyre përveç
nëse ky ligj e përcakton ndryshe.
4. Me rastin e aplikimit pranë Këshillit, një prokuror mund të transferohet në një prokurori tjetër
në mënyrë permanente.
5. Këshilli shpallë rregullat dhe rregulloret që përcaktojnë standardet dhe procedurat që
qeverisin ankesat.
6. Përjashtimisht dispozitave të këtij neni, në raste të jashtëzakonshme, Kryeprokurori i Shtetit
mundet të caktoj një prokuror nga një prokurori në një prokurori tjetër, në pajtim me legjislacionin
përkatës në fuqi.
Neni 29
Komisioni për vlerësimin e performancës së prokurorëve
1. Komisioni për vlerësimin e performancës së prokurorëve përbëhet nga prokurorët me
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
33
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
përvojë dhe me integritet të lartë profesional dhe personal.
2. Komisioni për vlerësimin e performancës se prokurorëve udhëhiqet nga një anëtar i Këshillit
nga radhët e prokurorëve.
3. Komisioni për vlerësimin e performancës së prokurorëve vlerëson performancën e
prokurorëve në pajtim me nenin 27 të këtij Ligji. Vlerësimi i Komisionit është bazë për avancimin
apo uljen në detyrë si dhe për shkarkimin nga detyra e prokurorit të shtetit.
4. Komisioni për punën e tij i përgjigjet Këshillit.
5. Përbërja, mandati, kriteret, mënyra dhe çështje tjera lidhur me vlerësimin e performancës
së prokurorëve rregullohet me këtë ligj dhe rregullore të miratuar në Këshill.
Neni 30
Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë
1. Sipas udhëzimit të Këshillit, Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë raporton
mbi punën e zyrave prokuroriale.
2. Këshilli zhvillon dhe miraton rregullore që ndërlidhen me strukturën organizative dhe
funksionimin e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.
Neni 31
Sekretariati i Këshillit
1.Sekretariati ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim:
1.1. ndihmon Këshillin dhe për të zbatuar rregullat, rregulloret dhe politikat e Këshillit
lidhur menaxhimin, buxhetin dhe administrimin e prokurorit të shtetit;
1.2. sipas udhëzimeve të Këshillit apo me vet iniciativë propozon politika dhe akte
nënligjore, që janë të nevojshme për ushtrimin e funksioneve të Këshillit dhe zbatimin
e këtij ligji. Propozimet dhe iniciativat e Sekretariatit, pas miratimit nga ana e Këshillit,
përgatiten dhe i dërgohen Këshillit për miratim;
1.3. sipas udhëzimeve të Këshillit, përgatitë propozim buxhet të konsoliduar për Këshillin
dhe Prokurorin e Shtetit;
1.4. administron buxhetin e miratuar;
1.5. menaxhon me personelin administrativ dhe mbështetës të prokurorit të shtetit, bazuar
në ngarkesën me punë, mirëmbajtjen e regjistrave të personelit, themelimin e sistemit të
vlerësimit të performancës, sigurimin e disiplinimit të duhur të punonjësve të prokurorit të
shtetit si dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre të punësimit;
1.6 .siguron që prokurori i shtetit të kenë furnizim të duhur dhe me kohë me materialet e
nevojshme për funksionimin efikas dhe efektiv të prokurorive;
1.7. ofron mbështetje administrative për Këshillin dhe komisionet e Këshillit dhe ndërmerr
detyra dhe autoritete të tjera sipas udhëzimeve të Këshillit.
2. Këshilli miraton rregullore për strukturën organizative dhe funksionimin e Sekretariatit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
34
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 32
Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit
1. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit:
1.1. përzgjedhet, emërohet dhe shkarkohet nga Këshilli, pas shpalljes publike të pozitës
dhe bazohet në një proces konkurrues, në përputhje me procedurat, kriteret dhe
kualifikimet që zhvillohen dhe miratohen nga ana e Këshillit;
1.2. është zyrtari kryesor administrativ;
1.3. është përgjegjës ndaj Këshillit për administrimin efikas dhe efektiv të administratës
dhe këshillit dhe Prokurorit të Shtetit;
1.4. i raporton Këshillit dhe Kryesuesit të Këshillit;
1.5. merr pjesë në takimet e Këshillit dhe i përgjigjet të gjitha kërkesave të Këshillit për
informacion.
2. Këshilli cakton pagën e drejtorit të sekretariatit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Neni 33
Drejtori i Njësisë për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë
1. Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë zgjidhet dhe emërohet nga
Këshilli në pajtim me procedurat, kriteret dhe kualifikimet që do zhvillohen dhe miratohen nga
Këshilli përmes rregulloreve të cilat janë në pajtim me detyrimet kushtetuese dhe detyrimet e
rregulloreve të zbatueshme për personelin. Vendi i lirë i punës plotësohet duke u bazuar në një
proces konkurrues, të bazuar në meritë dhe të hapur pas publikimit të pozitës.
2. Drejtori i raporton Këshillit për administrimin efikas dhe efektiv të Njësisë për Shqyrtimin
e Performancës së Prokurorisë. Drejtori i raporton drejtpërdrejt Kryesuesit të Këshillit dhe i
përgjigjet të gjitha kërkesave të Këshillit për informata.
3. Këshilli cakton pagën e Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.
KAPITULLI V
PËRGJEGJËSIA DISIPLINORE DHE TRAJNIMI GJYQËSOR
Neni 34
Përgjegjësia disiplinore
Përgjegjësia disiplinore e prokurorëve zhvillohet sipas procedurave përkatëse të përcaktuar me
Ligjin përkatës për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve dhe akteve përkatëse të nxjerra nga
Këshilli.
Neni 35
Politikat e trajnimit, standardet dhe udhëzimet
1. Këshilli në bashkërendim me Akademinë e Drejtësisë përcakton politikat, standardet dhe
udhëzimet për rregullimin e trajnimit të prokurorëve dhe stafit tjetër të prokurorive.
2. Këshilli mund të bashkëpunojë me shoqata ose organizata të tjera me qëllim të ngritjes
profesionale të prokurorëve.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
35
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
3. Këshilli mund të kërkojë rishikimin e cilitdo program trajnimi në mënyrë që të sigurohet zbatimi
i politikave dhe standardeve për trajnimin profesional të prokurorëve.
KAPITULLI VI
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 36
Qëndrimi në detyrë
1. Anëtarët e zgjedhur të Këshillit, që ushtrojnë këtë funksion në kohën e hyrjes në fuqi të këtij
ligji, mund të qëndrojnë në këtë detyrë deri në mbarim të mandatit të tyre aktual.
2. Mandati i Kryesuesit dhe Zëvendës Kryesuesit të Këshillit i përcaktuar në paragrafin 1. të
nenit 11 të këtij ligji, zbatohen edhe për Kryesuesin dhe Zëvendës Kryesuesin që aktualisht
ushtrojnë këto funksione.
3. Anëtaret e Këshillit vazhdojnë të kryejnë detyrat sipas dispozitave të përcaktuara në këtë ligj.
4. Anëtarët e zgjedhur të Këshillit kanë të drejtë të paraqesin dorëheqje brenda 30 ditësh dhe
duhet të vazhdojnë në pozitën e zgjedhur deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj sipas dispozitave
të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 37
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Aktet nënligjore të përcaktuara në këtë ligj do të nxirren në afat prej gjashtë (6) muajsh pas
hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Gjatë procesit të hartimit, të akteve nënligjore të përcaktuara në këtë ligj, Këshilli duhet të
bëjë konsultimet publike me institucionet relevante.
3. Deri në miratimin e akteve nënligjore të përcaktuara me këtë ligj, të gjitha aktet nënligjore
të nxjerra nga Këshilli vazhdojnë të zbatohen me kusht që të mos jenë në kundërshtim me
dispozitat e këtij ligji.
Neni 38
Shfuqizimi
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen:
1.1. Ligji Nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës (Gazeta Zyrtare / nr. 83 / 29
tetor 2010);
1.2. Ligji nr. 04/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me
përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, Neni 12 -
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës
(Gazeta Zyrtare/ nr. 25 / 07 shtator 2012);
1.3. Ligji nr. 05/L-035 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-224 për Këshillin
Prokurorial të Kosovës (Gazeta Zyrtare / nr. 17 / 30 qershor 2015).
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 10 / 03 PRILL 2019, PRISHTINË
36
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 39
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 06/L-056
7 mars 2019
Shpallur me dekretin Nr. DL-83-2019, datë 25.03.2019 nga Presidenti i Republikës së
Kosovës Hashim Thaçi