LIGJI NR. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
41
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
LIGJI Nr. 06/L-055
PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
KAPITULLI I
DISPOZITAT THEMELORE
Neni 1
Qëllimi
Ky Ligj përcakton detyrat, përgjegjësitë, organizimin dhe funksionimin e Këshillit Gjyqësor të
Kosovës.
Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Kushtetuta - Kushtetuta e Republikës së Kosovës;
1.2. Presidenti - Presidenti i Republikës së Kosovës;
1.3. Kuvendi - Kuvendi i Republikës së Kosovës;
1.4. Gjyqësori - gjyqtarët dhe gjyqtarët porotë;
1.5. Këshilli (KGJK) - Këshilli Gjyqësor i Kosovës, institucion kushtetues i themeluar
me Nenin 108 të Kushtetutës;
1.6. Kryesues - Kryesuesi i Këshillit;
1.7. Anëtar i Këshillit - Në rastet kur nuk përcaktohet ndryshe nënkupton Kryesuesin,
zëvendës-kryesuesin dhe anëtarin e Këshillit;
1.8. Ditë - ditët kalendarike;
1.9. Sekretariati - njësinë e themeluar brenda Këshillit më qëllim të ofrimit të mbështetjes
administrative për Këshillin dhe gjykatat;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
42
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
1.10. Drejtori-Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit;
1.11. Akademia-Akademia e Drejtësisë, institucion ligjor kompetent për trajnimin
e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe trajnimin e stafit administrativ gjyqësor dhe
prokurorial.
2. Fjalët e një gjinie përfshin edhe gjininë tjetër.
KAPITULLI II
DETYRAT, PËRGJEGJËSITË DHE PËRBËRJA E KËSHILLIT
Neni 3
Parimet bazë të veprimtarisë së Këshillit
1. Këshilli:
1.1. është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij dhe
gëzon pavarësi organizative, administrative e financiare për realizimin e detyrave të
përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj;
1.2. siguron pavarësinë, mosdiskriminimin, proporcionalitetin, profesionalizmin dhe
paanshmërinë e sistemit gjyqësor;
1.3. siguron që gjykatat në Kosovë të jenë të drejta, apolitike, të qasshme dhe
profesionale;
1.4. siguron që gjykatat të respektojnë parimet e mosdiskriminimit, proporcionalitetit,
si dhe të drejtat e njeriut dhe të barazisë gjinore, të garantuara me Kushtetutë dhe me
marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare që zbatohen në Republikën e Kosovës;
1.5. siguron që gjykatat të pasqyrojnë natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës
dhe ndërmerr masa të nevojshme për të rritur numrin e gjyqtarëve nga komunitetet jo-
shumicë në Kosovë.
Neni 4
Pavarësia dhe paanshmëria e anëtarëve të Këshillit
Kryesuesi, zëvendës-kryesuesi dhe anëtari i Këshillit ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të
pavarur, profesionale dhe të paanshme.
Neni 5
Përgjegjësia personale e anëtarëve të Këshillit
1. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor nuk mbajnë përgjegjësi penale apo civile për mendimet e
shprehura brenda fushëveprimit të tyre si anëtarë të Këshillit.
2. Këshilli njoftohet pa vonesë kur ngritët aktakuzë apo arrestohet anëtari i Këshillit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
43
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
Neni 6
Statusi, selia dhe stema
1. Këshilli është person juridik.
2. Selia e Këshillit është në Prishtinë.
3. Këshilli dhe gjykatat përdorin stemën e Republikës së Kosovës, në pajtim me ligjin për
përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës.
4. Këshilli ka simbolin e vet unik të përcaktuar me akt të brendshëm.
Neni 7
Detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit
1. Këshilli ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim:
1.1. vendos për organizimin, menaxhimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit
të gjykatave sipas ligjit;
1.2. i propozon Presidentit emërimin, riemërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, si dhe
siguron se të gjithë kandidatët e propozuar i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj,
sipas procedurave përkatëse ligjore;
1.3. i propozon Presidentit emërimin dhe shkarkimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme të
Kosovës, siguron se kandidati i propozuar i plotëson kriteret e përcaktuara me ligj dhe
janë zhvilluar procedurat përkatëse;
1.4. vendos për përzgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin e Kryetarit Gjykatës së Apelit,
të kryetarëve të Gjykatave Themelore dhe gjyqtarëve mbikëqyrës;
1.5. siguron zbatim dhe mbikëqyrë kriteret për pranim në gjyqësor, të cilat duhet të
bëhen në pajtim me parimet e meritës, mundësive të barabarta, barazisë gjinore,
mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas
verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve;
1.6. vendos për shpalljen e konkurseve për kandidatët për pozita në gjyqësor;
1.7. vendos për organizimin e provimit për kandidatët për gjyqtarë sipas rregullores së
miratuar nga Këshilli;
1.8. vendos dhe mbikëqyrë zbatimin e kriterëve për përbërjen etnike të juridiksionit
territorial të gjykatës përkatëse dhe për plotësimin e vendeve të lira të punës, të
garantuara për anëtarë të komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë;
1.9. vendos për numrin e gjyqtarëve në secilin juridiksion;
1.10. rekomandon themelimin e gjykatave të reja dhe degëve të gjykatave, në pajtim
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
44
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
me Ligjin për Gjykatat;
1.11. bën inspektimin gjyqësor;
1.12. administron gjyqësorin;
1.13. harton dhe mbikëqyrë buxhetin për gjyqësorin;
1.14. vendos për avancimin, transferimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve;
1.15.vendos kriteret për vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve;
1.16. vendos për ngarkesën me lëndë të gjykatave;
1.17 siguron funksionimin efikas të gjykatave.
1.18. vendos dhe mbikëqyrë kriteret për përcaktimin e politikave, standardeve dhe
udhëzimeve lidhur me trajnimin e gjyqtarëve, gjyqtarëve porotë dhe personelit tjetër
gjyqësorë dhe mbikëqyrjen e zbatimit të trajnimit profesional të gjyqtarëve dhe
gjyqtarëve porotë;
1.19. miraton Kodin e Etikës Profesionale për anëtarët e Këshillit, gjyqtarëve dhe
gjyqtarëve porotë si dhe Kodin e Etikës për stafin administrativ gjyqësor, shkelja e të
cilit është bazë për sanksione, përfshirë shkarkimin nga funksioni;
1.20. vendos për miratimin e skemës unike të taksave gjyqësore të zbatueshme në
mbarë territorin e Republikës së Kosovës;
1.21. siguron menaxhimin e sistemit qendror të evidencës penale sipas rregullores së
miratuar nga Këshilli;
1.22. miraton raportin vjetor mbi veprimtaritë e gjykatave dhe shpenzimet e buxhetit
për gjyqësorin;
1.23. bashkëpunon me këshillat gjyqësore të shteteve të tjera dhe organizatat përkatëse
vendore dhe ndërkombëtare, me kusht që të mos ndikojë në pavarësinë e punës së tij;
1.24. miraton aktet nënligjore në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të
tij, në pajtim me legjislacionin në fuqi;
1.25. kryen detyra të tjera të përcaktuara me ligj.
Neni 8
Përbërja dhe përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit
1. Këshilli, siç është përcaktuar me Nenin 108 të Kushtetutës, përbëhet nga trembëdhjetë (13)
anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale. Anëtarët emërohen për një mandat pesë
(5) vjeçar dhe zgjedhën në këtë mënyrë:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
45
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
1.1. shtatë (7) anëtarë do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga anëtarët e gjyqësorit, si në
vijim:
1.1.1. dy (2) gjyqtarë të Gjykatës Supreme;
1.1.2. dy (2) gjyqtarë të Gjykatës së Apelit;
1.1.3. tre (3) gjyqtarë të Gjykatave Themelore.
1.2. dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara
gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet
të jetë gjyqtar;
1.3. dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara
ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë, dhe të paktën njëri
prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;
1.4. dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara
ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, dhe të paktën njëri prej
këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar.
2. Anëtarët e Këshillit pasqyrojnë natyrën shumetnike dhe parimet e barazisë gjinore në
Republikën e Kosovës.
3. Kandidatët për pozita gjyqësore, të cilat janë të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve që
nuk janë shumicë në Kosovë, mund të rekomandohen për emërim vetëm nga anëtarët e Këshillit
të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për
pjesëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse ky grup i anëtarëve të Këshillit
nuk e propozon kandidatin për këtë pozitë gjyqësore pas dy (2) seancave të njëpasnjëshme të
Këshillit, atëherë cilido anëtar i Këshillit ka të drejtë të rekomandojë kandidatin për atë pozitë
gjyqësore.
4. Kandidatët për pozita gjyqësore të gjykatave themelore, nën juridiksionin e të cilave përfshihet
ekskluzivisht territori i një apo më shumë komunave, ku shumica e popullsisë i takon komunitetit
Serb të Kosovës, mund të rekomandohen për emërim vetëm nga dy (2) anëtarët e Këshillit
që i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara
për komunitetin Serb në Republikën e Kosovës të cilët veprojnë bashkërisht dhe në mënyrë
unanime. Nëse këta dy (2) anëtarë nuk rekomandojnë kandidat gjyqësor për këtë pozitë, gjatë
dy (2) seancave të njëpasnjëshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, atëherë cilido anëtar i
Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka të drejtë të propozojë kandidat për atë pozitë.
5. Të gjithë anëtarët e Këshillit duhet të jenë të aftë të kontribuojnë në menaxhimin dhe
funksionimin e gjykatave në Kosovë. Profesionistë të respektuar, mund të emërohen jashtë
fushës ligjore dhe mund të përfshijnë persona me ekspertizë në menaxhim, financa, teknologji
informacioni ose shkencat shoqërore.
6. Këshilli do të miratojë rregullore të veçantë për zbatimin e këtij neni.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
46
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
Neni 9
Papajtueshmëria e të qenit anëtar i Këshillit
1.Anëtarësia në Këshill është i papajtueshëm kur:
1.1. është kryetar i gjykatës;
1.2. është dënuar për vepër penale me përjashtim të veprave penale të kryera nga
pakujdesia;
1.3. është deputet i Kuvendit, anëtar i Qeverisë, kryetar komune apo anëtar i kuvendit
të komunës;
1.4. personi që ushtron funksion në cilindo subjekt politik, shoqatë apo fondacion të
lidhur me ndonjë subjekt politik;
1.5. personi që punon në administratë, përfshirë personat që kryejnë detyra në Qeverinë
apo në organet administrative, në institucionet e themeluara me Kushtetutë apo të
krijuara përmes legjislacionit;
1.6. një (1) anëtar i zgjedhur i Këshillit shkarkohet nga Këshilli, nëse ai nuk jep dorëheqje
apo pezullon pozitën e cila është në mospërputhje, para emërimit si anëtar i Këshillit;
1.7. është prokuror;
1.8. Gjyqtar me mandat fillestar.
2. Anëtari i zgjedhur i Këshillit shkarkohet nga Këshilli nëse ky nuk jep dorëheqje nga një pozitë
që është në mospërputhje para emërimit si anëtar i Këshillit apo nuk e pezullon pozitën sipas
nën-paragrafit 1.6. të këtij neni.
Neni 10
Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit nga
Kuvendi
1. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit nga Kuvendi, fillon gjashtë (6) muaj para
skadimit të mandatit të anëtarit.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, kur mandati përfundon para kohe, siç përcaktohet
me këtë ligj, procedura për zgjedhjen e anëtarit fillon brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e
mbetjes së vendit të lirë.
3. Kuvendi e shpall konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit në media të shkruara dhe
elektronike dhe në gjuhën zyrtare.
4. Komisioni përkatës i Kuvendit (në tekstin e mëtejmë: Komisioni) përcakton kriteret e konkursit
për zgjedhjen e anëtarit. Afati i kohëzgjatjes së konkursit nuk mund të jetë më i shkurtër se
pesëmbëdhjetë (15), e as më i gjatë se njëzet (20) ditë.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
47
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
5. Pas skadimit të afatit të paraparë në paragrafin 4. të këtij neni, Komisioni brenda afatit prej
pesëmbëdhjetë (15) ditësh, vlerëson nëse kandidatët i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur
anëtarë të këshillit, dhe hedh poshtë kandidaturat që nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara në
konkurs.
6. Komisioni zhvillon intervistë me secilin kandidat i cili plotëson kushtet për t’u zgjedhur anëtar
i Këshillit dhe në bazë të të dhënave të paraqitura dhe rezultateve të intervistës, përgatitë listën
e ngushtë të kandidatëve.
7. Lista për mbledhjen e Kuvendit përmban dy (2) kandidatë për një pozitë.
8. Kuvendi me votim të fshehtë zgjedh anëtarët e Këshillit.
9. Nëse në rrethin parë, kandidatët e propozuar nga Komisioni përkatës i Kuvendit nuk marrin
shumicën e votave tëtë gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, atëherë në raundin e
dytë konsiderohet i zgjedhur kandidati me numrin më të madh të votave.
10.Shkarkimi i anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, bëhet nga Kuvendi me shumicën e votave të
të gjithë deputetëve të Kuvendit, me propozim të Komisionit përkatës ose Këshillit.
Neni 11
Kryesuesi dhe zëvendës-kryesuesi i Këshillit
1. Këshilli, nga radhët e anëtarëve të vet gjyqtarë, zgjedh kryesuesin dhe zëvendës kryesuesin
me mandat tre (3) vjeçar. Zgjedhja në këto funksione nuk e zgjatë mandatin e anëtarit të Këshillit.
2. Kryesuesi ka këto autorizime:
2.1. kryeson të gjitha takimet e Këshillit;
2.2. miraton përgatitjen e të gjithë rendeve të ditës dhe pikave që do t’i dërgohen
Këshillit për konsiderim dhe vendim;
2.3. përfaqëson Këshillin para publikut, agjencive qeveritare dhe organeve të tjera
publike;
2.4. mbikëqyrë dhe menaxhon punën e Këshillit dhe komisioneve të tij;
2.5. i propozon Kuvendit buxhetin e hartuar nga Këshilli për shpenzimet e personelit të
Këshillit dhe të gjykatave;
2.6. zëvendës-kryesuesi ka autoritet të plotë për të vepruar në emër të Këshillit në rast
të mungesës apo paaftësisë së Kryesuesit.
3. Kryesuesi i Këshillit i drejtohet dhe i dorëzon raport me shkrim Kuvendit së paku një (1) herë
në vit lidhur me sistemin gjyqësor.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
48
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
Neni 12
Mandati i anëtarëve të Këshillit
1. Anëtaret e Këshillit zgjidhen për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
2. Kryesuesi, zëvendës kryesuesi, kryetari i Komisionit për Çështje Normative, kryetari për
Çështjen e Vlerësimit të performancës dhe kryetari për administrimin e gjykatave, shërbejnë në
Këshill me kohë të plotë dhe pezullojnë detyrën e gjyqtarit.
3. Anëtarët nga paragrafi 2. i këtij neni nuk do të humbasin statusin e tyre si gjyqtar, dhe kanë
të drejtë t’i kthehen shërbimit si gjyqtarë në gjykatën në të cilën kanë shërbyer para emërimit në
pozitën e anëtarit të Këshillit.
4. Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngritët në
detyrë, si dhe nuk mund të emërohet Kryetar i Gjykatës përkatëse.
5. Anëtari i Këshillit që para fitimit të mandatit ka qenë i punësuar në sektorin publik ose në
institucionin që financohet me mjete publike, ka të drejtë vazhdimin e funksionit në pozitën e
tij të njëjtë ose në pozitë të rangut të njëjtë, pas përfundimit të mandatit të anëtarit në Këshill.
6. Afati i qëndrimit në detyrë i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit fillon nga data e zgjedhjes së
tyre.
Neni 13
Përfundimi i mandatit
1. Mandati i anëtarit të Këshillit përfundon me:
1.1. vdekje;
1.2. humbjen e zotësisë për veprim për më shumë se tre (3) muaj për shkaqe mjekësore
të vërtetuara;
1.3. dështimin e vazhduar për të marrë pjesë në veprimtaritë e Këshillit për më gjatë
se tre (3) muaj;
1.4. pushimin e statusit mbi të cilin bazohet emërimi;
1.5. skadimin e mandatit;
1.6. dorëheqje, duke i ofruar Këshillit njoftim paraprak prej tridhjetë (30) ditësh;
1.7. arritjen e moshës së pensionimit;
1.8. është dënuar për vepër penale me përjashtim të veprave penale të kryera nga
pakujdesia.
2. Anëtarët e Këshillit shkarkohen nga funksioni para skadimit të mandatit për të cilin janë
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
49
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
zgjedhur, nëse është shqiptuar masë disiplinore shkarkim nga Këshilli Gjyqësor.
3. Nëse një vend në Këshill lirohet para skadimit të mandatit të një anëtari, pozita e lirë
plotësohet në të njëjtën mënyrë si për anëtarin të cilit i ka skaduar mandati. Personi, i cili
zgjedhet të plotësojë një vend të lirë në Këshill emërohet apo zgjedhet me një mandat të plotë
pesë (5) vjeçar.
4. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit nga anëtarët e gjyqësorit, fillon tre (3) muaj
para skadimit të mandatit të rregullt.
Neni 14
Natyra publike e takimeve të Këshillit
1. Takimet e Këshillit janë të hapura për publikun.
2. Rendi i ditës së Këshillit do të jetë publikisht i hapur së paku dyzet e tetë (48) orë para takimit.
3. Këshilli mund të vendos të mbajë takim të mbyllur për publikun me shumicën e votave të
anëtarëve për çështjet si në vijim:
3.1. një sekret shtetëror zbulimi i të cilit do të ishte shkelje e ligjit;
3.2. çështje e personelit që kanë të bëjnë me gjyqtarë apo punonjës të gjyqësorit, përpos
takimit të Këshillit ku merret një vendim përfundimtar disiplinor kundër një gjyqtari;
3.3. informacioni jo publik apo zbulimi i të dhënave që do të rrezikonin jetën apo sigurinë
e cilitdo person;
3.4. një hetim në vazhdim për sjellje të pahijshme apo veprimtari kriminale zbulimi i së
cilës në masë të arsyeshme do të rrezikonte objektivitetin dhe efikasitetin e hetimit;
3.5. vlerësimi i performansës se gjyqtarëve dhe nëpunësve administrative;
3.6. informacioni pronësor zbulimi i së cilës mund të paragjykonte interesat e cilësdo
palë që konkurron për një tender qeveritar;
3.7. informacione, të dhëna, procese apo kode kompjuterike të biznesit pronësor të
cilat janë konfidenciale sipas marrëveshjes kontraktuese apo marrëveshjes për mos
zbulim ndërmjet tregtarit dhe Këshillit; dhe
3.8. cilido informacion tjetër zbulimi i të cilit do të përbënte shkelje të ligjit.
4. Në çdo rast kur Këshilli merr vendim për mbylljen e takimeve, vendimi lidhur me mbylljen do
të jetë publik dhe i arsyetuar, sipas ligjit në fuqi.
5. Pasi që Këshilli ka mbyllur takimin, asnjë anëtar i Këshillit apo asnjë person pjesëmarrës në
takim nuk diskuton mbi natyrën, përmbajtjen apo rezultatin e takimit përpos nëse me ligj është
paraparë ndryshe.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
50
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
6. Këshilli mund të thërrasë takim urgjent për të adresuar çështjet që lidhen me sigurinë e godinave
ose personelit të gjykatës apo kur rrethana të veçanta kërkojnë veprim të menjëhershëm.
Këshilli mund të mblidhet për seancë urgjente me thirrjen e Kryesuesit, apo nëse ky mungon,
më thirrjen e Zëvendës Kryesuesit. Brenda njëzetekatër (24) orësh pas përfundimit të seancës
emergjente, Kryesuesi informon publikun për natyrën urgjente si dhe pikat e diskutuara në
takim, përveç nëse zbulimi përjashtohet me këtë nen.
7. Vendimet dhe të gjitha politikat e miratuara nga neni 14 i këtij ligji, do të publikohen në faqen
zyrtare të Këshillit, brenda pesë ditëve nga miratimi i tyre.
Neni 15
Kuorumi dhe vendimmarrja
1. Kuorumi i Këshillit formohet me nëntë (9) anëtarë.
2. Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm, përveç
nëse ligji parasheh ndryshe.
3. Kryesuesi, gjegjësisht Zëvendëskryesuesi kur udhëheq mbledhjen e Këshillit, voton i fundit.
Neni 16
Komisionet e Këshillit
1.Këshilli ka komisionet e veta të përhershme si në vijim:
1.1. Komisioni për Çështje Normative;
1.2. Komisioni për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve;
1.3. Komisioni për Administrimin e Gjykatave;
1.4. Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel;
1.5. Komisioni për trajnime.
2. Këshilli mund të themelojë komisione tjera sipas nevojës.
3. Komisionet, nga paragrafi 1. i këtij neni, udhëhiqen nga anëtarët e Këshillit.
4. Këshilli nxjerrë rregullore për detyrat dhe përgjegjësitë e Komisioneve të përcaktuara në këtë
nen.
Neni 17
Buxheti
1. Këshilli harton buxhetin vjetor në pajtueshmëri me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike
dhe Përgjegjësitë.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
51
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
2. Këshilli menaxhon buxhetin vjetor për sistemin gjyqësor në Republikën e Kosovës.
Neni 18
Paga e Kryesuesit dhe anëtarëve të Këshillit
1. Gjatë mandatit të tyre, Kryesuesi, dhe anëtarët me orar të plotë të Këshillit pranojnë pagën
si në vijim:
1.1. Kryesuesi pranon pagë ekuivalente me pagën e Kryetarit të Gjykatës Supreme;
1.2. Zëvendëskryesuesi dhe anëtarët me orar të plotë pranojnë pagën ekuivalente të
gjyqtarit të Gjykatës Supreme.
2. Anëtarët jogjyqtarë të Këshillit që nuk janë me orar të plotë, kanë të drejtë në kompensim për
punën e tyre si anëtarë të Këshillit. Këshilli do të miratojë skemën e kompensimit.
3. Gjatë mandatit të tyre, kryesuesi si dhe anëtarët gjyqtarë me orar të plotë, pranojnë vetëm
pagën e përcaktuar me ligj, përveç për rimbursime të shpenzimeve të arsyeshme dhe të
nevojshme që ndërlidhet me ushtrimin e detyrave të tyre, siç përcaktohet në paragrafin 5. të
këtij neni.
4. Kryesuesi dhe zëvendës-kryesuesi, me skadimin e mandatit të tyre do të pranojnë
kompensimin që lidhet me pozitën fillestare gjyqësore në të cilën këta do të kthehen.
5. Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët e Këshillit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë
detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë, përveç mësimdhënies
në institucionet e arsimit të lartë.
6. Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët e Këshillit mund të merren me veprimtari
shkencore, kulturore, akademike dhe veprimtari tjera, të cilat nuk bien në kundërshtim me
funksionet e tyre dhe me legjislacionin në fuqi.
Neni 19
Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit
1. Këshilli përcakton rregullat për zbatimin e procedurës disiplinore ndaj anëtarëve të vet duke
përfshirë procedurat që rregullojnë hetimin, pezullimin ose rekomandimin për shkarkim të cilit
do anëtar të Këshillit.
2. Komision i përbërë nga tre (3) anëtarë, njëri nga të cilët duhet të jetë anëtar gjyqtarë i
Këshillit, dhe dy (2) të tjerë nga radhët e gjyqtarëve, i themeluar nga Këshilli, vendos për masat
disiplinore dhe për sanksione, përfshirë pezullimin dhe shkarkimin e cilitdo anëtar të Këshillit.
3. Me rekomandimin e Komisionit, një (1) anëtar i Këshillit mund të shkarkohet me anë të dy të
tretave (2/3) të votave të anëtarëve të Këshillit.
4. Një (1) anëtar i Këshillit i cili është shkarkuar gëzon të drejtën të ankohet kundër vendimit të
Këshillit drejtpërsëdrejti në Gjykatën Supreme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga pranimi
i vendimit për shkarkim.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
52
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
KAPITULLI III
REKRUTIMI, EMËRIMI DHE SHKARKIMI I GJYQTARËVE
Neni 20
Rekrutimi i Gjyqtarëve
1. Këshilli, përmes një njoftimi publik fton të gjithë profesionistët e kualifikuar ligjorë që të
aplikojnë për kandidatë për emërime gjyqësore.
2. Me rastin e rekrutimit të një kandidati, Këshilli, në mes tjerash do të marrë parasysh kriteret
në vijim:
2.1. njohuritë profesionale, përvojën e punës dhe performancën, përfshirë njohuritë
dhe respektimin e të drejtave të njeriut;
2.2. kapacitetin për arsyetime ligjore të dëshmuar përmes veprimtarive profesionale
në fushën e drejtësisë, përfshirë këtu përvojën si gjyqtar, prokuror apo avokat, punë
akademike apo veprimtari tjetër profesionale;
2.3. aftësinë profesionale bazuar në rezultatet e karrierës së mëparshme, përfshirë
pjesëmarrjen në forma të organizuara të trajnimit ku është vlerësuar performansa;
2.4. aftësinë dhe kapacitetin në analizimin e problemeve ligjore;
2.5. aftësinë për të kryer detyrat në mënyrë të paanshme, të ndershme me kujdes dhe
me përgjegjësi;
2.6. aftësinë komunikuese; dhe
2.7. integritetin personal.
3. Këshilli zhvillon procedurat për rekrutimin e kandidatëve për t’u emëruar si gjyqtarë të cilat
janë në përputhje me Kushtetutën dhe kriteret e përcaktuara me ligj.
4. Procedura për vlerësimin e përshtatshmërisë së kandidatit për t’u bërë pjesë e gjyqësorit do
të bëhet përmes vërtetimit të të dhënave të dorëzuara nga kandidati, të dhënat nga regjistrat
publik relevantë për vlerësim, përfshirë verifikimin standard të regjistrave për të kaluarën
kriminale.
5. Procesi i rekrutimit të gjyqtarëve porotë do të përcaktohet me rregullore të Këshillit dhe kryhet
nga gjykatat përkatëse
Neni 21
Propozimi për emërim
1. Këshilli, pas zhvillimit të procedurave të rekrutimit i dërgon Presidentit propozimet e
kandidatëve për t’u emëruar gjyqtarë me mandat fillestar tre (3) vjeçar.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
53
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
2. Propozimi duhet të përfshijë një raport me shkrim për procesin dhe për kandidatin.
Neni 22
Emërimi i Gjyqtarëve
1. Presidenti emëron gjyqtarët në sistemin gjyqësor me mandat fillestar trevjeçar bazuar në
propozimet e Këshillit.
2.Presidenti, brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për
emërimin në detyrën e gjyqtarit të kandidatit të propozuar nga Këshilli. Nëse brenda këtij afati
Presidenti nuk e emëron gjyqtarin, Këshilli mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin
e propozuar së bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj Presidenti
emëron gjyqtarin sipas propozimit të Këshillit.
Neni 23
Betimi i gjyqtarëve
1. Gjyqtari i sapoemëruar me mandat fillestar tre (3) vjeçar, merr detyrën pasi të ketë dhënë
betimin para Presidentit.
2. Teksti i betimit është si në vijim:
“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik
Republikës së Kosovës, Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës
profesionale si dhe do t’i kryej me besnikëri në mënyrë të pavarur profesionale dhe të
paanshme detyrat dhe funksionet që më janë besuar”.
3. Betimi i gjyqtarëve të sapoemëruar me mandat fillestar trevjeçar bëhet me një ceremoni
publike para Presidentit, nëse Presidenti nuk vendos ndryshe.
4. Zyra e Presidentit, miraton Rregullore për ceremoninë e betimit të gjyqtarëve.
Neni 24
Riemërimi i Gjyqtarëve
1. Presidenti riemëron gjyqtarët në sistemin gjyqësor me mandat të përhershëm bazuar në
propozimet e Këshillit.
2. Presidenti, brenda tridhjetë (30) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për emërimin
në detyrën e gjyqtarit të kandidatit të propozuar nga Këshilli me mandat të përhershëm. Nëse
brenda këtij afati Presidenti nuk e emëron gjyqtarin, Këshilli mund ta propozoj edhe një (1) herë
tjetër kandidatin e propozuar së bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj
Presidenti emëron gjyqtarin sipas propozimit të Këshillit.
Neni 25
Shkarkimi i gjyqtarëve
1. Gjyqtarët mund të shkarkohen nga funksioni për shkak të dënimit për një vepër penale ose
për mosrespektimin e rëndë të detyrave.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
54
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
2. Gjyqtarët kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimit mbi shkarkimin drejtpërdrejtë në Gjykatën
Supreme të Kosovës.
3. Këshilli, para dërgimit të propozimit për shkarkim të gjyqtarit, siguron që të jenë përfunduar
të gjitha procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
4. Këshilli, pas sigurimit se kanë përfunduar të gjitha procedurat përkatëse i dërgon Presidentit
propozimet për shkarkimin e gjyqtarit.
5. Propozimi duhet të përfshijë një raport me shkrim dhe propozimin e Këshillit për shkarkimin
e gjyqtarit.
6. Presidenti, brenda tridhjetë (30) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për shkarkimin
e gjyqtarit të propozuar nga Këshilli. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk e shkarkon gjyqtarin,
Këshilli paraqet edhe një (1) herë tjetër kandidatin e propozuar së bashku me arsyetimin
plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj Presidenti shkarkon gjyqtarin sipas propozimit të
Këshillit.
7. Para zbatimit të vendimit të tillë, gjyqtari njoftohet zyrtarisht nga Këshilli lidhur me vendimin e
Presidentit për miratimin apo mosmiratimin e shkarkimit nga detyra.
Neni 26
Lirimi nga funksioni i gjyqtarëve
1. Në rastet e dorëheqjes dhe pensionimit të gjyqtarëve, Këshilli i dërgon propozimin Presidentit
për lirim nga detyra.
2. Presidenti brenda tridhjetë (30) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për lirimin
nga detyra të gjyqtarit.
KAPITULLI IV
VLERËSIMI, AVANCIMI DHE TRANSFERIMI I GJYQTARËVE
Neni 27
Vlerësimi i performancës së gjyqtarëve
1. Këshilli përcakton kritere për vlerësimin e performancës dhe avancimin e gjyqtarëve, sipas
aktit nënligjor të nxjerrë nga Këshilli, i cili duhet të përfshijë së paku:
1.1. njohurinë profesionale, përvojën e punës dhe performancën, përfshirë njohuritë
dhe respektimin e të drejtave të njeriut;
1.2. kapacitetin për arsyetime ligjore;
1.3. aftësinë profesionale, bazuar në rezultatin e punës gjatë periudhës së vlerësimit,
përfshirë pjesëmarrjen në forma të organizuara të trajnimit ku është vlerësuar
performanca;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
55
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
1.4. aftësinë dhe kapacitetin në analizimin e problemeve ligjore;
1.5. aftësinë për të kryer detyrat në mënyrë të paanshme, të ndershme,me kujdes dhe
më përgjegjësi;
1.6. aftësinë komunikuese;
1.7. sjelljen jashtë zyrës; dhe
1.8. integritetin personal.
1.9. numrin e lëndëve të kthyera në rigjykim apo rivendosje, apo lëndëve të prishura
nga gjykata më e lartë.
2.Vlerësimi i komisionit për vlerësim të performancës se gjyqtarit është bazë për avancimin apo
uljen në detyrë si dhe për inicimin e procedurës për shkarkimin nga detyra e gjyqtarit. Vlerësimi
i tillë duhet të bazohet në kriteret e matshme dhe transparente.
3. Çdo gjyqtar i vlerësuar njoftohet me rezultatet e vlerësimit dhe për cilindo konkluzion apo
gjetje mund të paraqet mospajtimet me shkrim në Këshill.
4. Vlerësimi i rregullt i performancës së gjyqtarëve me mandat të përhershëm bëhet çdo tri (3)
vjet. Mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve për vlerësim të rregullt të përformancës, Këshilli e
përcakton me akt të brendshëm.
Neni 28
Transferimi i Gjyqtarëve
1. Këshilli mund të transferojë një gjyqtar në një gjykatë tjetër për një periudhë deri në një (1) vit,
në rastet kur gjykata tjetër ka numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve për shqyrtimin e lëndëve
apo me qellim të ngritjes së efikasitetit.
2. Transferimi sipas paragrafit 1 të këtij neni bëhet sipas rregullave të përcaktuara me Rregulloren
e Këshillit për transferim të gjyqtarëve.
3.Këshilli, në rrethana të jashtëzakonshme, mund të transferojë përkohësisht një gjyqtar në një
gjykatë apo degë tjetër të gjykatës, për periudhën kohore konform paragrafit 1.të këtij neni, me
mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
4. Gjyqtarët nuk mund të transferohen në cilëndo gjykatë tjetër kundër vullnetit të tyre, përveç
nëse është e nevojshme për të siguruar funksionimin efikas të gjyqësorit ose për të shqiptuar
masë disiplinore.
5. Gjyqtarët mund të aplikojnë pranë Këshillit për transferim të përhershëm në një gjykatë tjetër.
6. Gjyqtarët kanë të drejtë në ankesë drejtpërsëdrejti në Gjykatën Supreme kundër vendimit
të Këshillit për transferim të përhershm apo transferim që tejkalon periudhën një (1) vjeçare.
Këshilli nxjerrë rregullore për standardet dhe procedurat e ankesave.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
56
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
7. Kur kryhet një transferim i përhershëm apo që tejkalon periudhën një (1) vjeçare, Këshilli do
të përpiqet të sigurohet që transferimi nuk do të ndryshojë përbërjen etnike të gjykatës e cila
preket nga transferimi.
KAPITULLI V
ADMINISTRIMI I GJYKATAVE
Neni 29
Administrimi i gjykatave
Këshilli mbikëqyrë funksionimin e gjykatave të Republikës së Kosovës dhe përcakton politikat
dhe strategjitë për funksionimin efikas dhe efektiv të gjykatave.
Neni 30
Emërimi i Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës
1. Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës e emëron dhe shkarkon Presidenti, nga radhët e
gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, për mandat shtatë (7) vjeçar, pa mundësi të riemërimit, pas
propozimit të Këshillit.
2. Kryetarët e Gjykatave emërohen nga Këshilli në konsultim me gjyqtarët e gjykatave
përkatëse. Në emërimin e Kryetarëve të Gjykatave, Këshilli do të marrë në konsiderim trajnimin
e specializuar, përvojën menaxheriale dhe vlerësimin e performancës.
3. Këshilli, pas një procesi të hapur, konkurrues dhe meritor, përzgjedh Gjyqtarin Mbikëqyrës të
secilës degë të Gjykatës Themelore.
4. Këshilli, në konsultim me Kryetarin e Gjykatës Themelore mund të caktojë një nën kryetar
gjykate i cili do të ndihmojë në menaxhimin e gjykatës dhe në mungesë të Kryetarit të Gjykatës
ky shërben si ushtrues detyre i Kryetarit të Gjykatës.
5.Kryetarët e gjykatave emërohen me një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Pas
përfundimit të mandatit si kryetar i gjykatës, gjyqtari do të vazhdojë të shërbejë si gjyqtar në të
njëjtën gjykatë, në të cilën ishte emëruar fillimisht.
6. Gjyqtarët mbikëqyrës emërohen me një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Pas
përfundimit të mandatit si gjyqtar mbikëqyrës, gjyqtari do të vazhdojë të shërbejë si gjyqtar në
të njëjtën gjykatë, në të cilën ishte emëruar fillimisht.
7. Në mënyrë që të sigurohet se gjykatat pasqyrojnë natyrën shumetnike të Kosovës, Këshilli do
të përpiqet të sigurojë se anëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë të emërohen
në role menaxhuese në gjyqësor, përfshirë këtu si Kryetarë Gjykatë dhe gjyqtarë Mbikëqyrës.
8. Emërimi i Kryetarëve të Gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës bëhet përmes një procesi të
hapur, konkurrues, transparent dhe meritor, siç përcaktohet me ligj.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
57
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
Neni 31
Shkarkimi i Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës
1. Këshilli mund të largojë nga pozita një Kryetar të Gjykatës apo Gjyqtar Mbikëqyrës, për keq
menaxhim, paaftësi apo dështim në përmbushjen e detyrave të zyrës. Largimi i Kryetarit të
Gjykatës apo Gjyqtarit Mbikëqyrës nuk përbën shkarkim nga pozita e gjyqtarit.
2. Këshilli mund të pezullojë një Kryetar Gjykate apo Gjyqtar Mbikëqyrës nga kjo pozitë gjatë
periudhës së hetimin për akuza të sjelljes kriminale, keq menaxhimit, paaftësisë apo dështimit
në përmbushjen e detyrave të tyre, pezullim i cili nuk përbën pezullim nga zyra gjyqësore. Në
rastin kur Këshilli pezullon një Kryetar Gjykate, nën-Kryetari i Gjykatës bëhet ushtrues detyre
i Kryetarit të Gjykatës deri në kohën kur Këshilli të tërheqë pezullimin apo deri në emërimin e
një Kryetari të ri të Gjykatës. Në rastin kur Këshilli pezullon një Gjyqtar Mbikëqyrës, Kryetari
i Gjykatës Themelore emëron një ushtrues detyre të Gjyqtarit Mbikëqyrës deri në kohën kur
Këshilli të tërheqë pezullimin apo deri në emërimin e një Gjyqtari të ri Mbikëqyrës.
Neni 32
Mbrojtja Gjyqësore
1. Gjyqtari ka të drejtë të paraqesë ankesë drejtpërdrejt në Gjykatën Supreme të Kosovës,
ndaj vendimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, lidhur me shkarkimin apo propozimin për
shkarkim të Kryetarit të Gjykatës Supreme, vendimeve lidhur me vlerësimin e performancës së
gjykatësve dhe vendimeve disiplinore, që për pasojë kanë uljen në detyrë të gjykatësve.
2. Gjykata Supreme, brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga koha e pranimit të ankesës, duhet të
vendosë sipas meritës.
Neni 33
Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës
1. Këshilli themelon Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, i cili do
të jetë organ këshillëdhënës për Këshillin mbi çështjen që ndërlidhen me veprimet e gjykatave.
2. Asambleja përbëhet nga Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Kryetarët
e Gjykatave Themelore dhe nga një Gjyqtar Mbikëqyrës nga secila Gjykatë Themelore që
caktohet nga Këshilli.
3. Asambleja ka rol këshillëdhënës që i nënshtrohet rregulloreve të nxjerra nga Këshilli, pas
procesit të konsultimit publik të rregullores me anëtaret e Asamblesë.
4. Këshilli mund të thërrasë Asamblenë apo anëtarët individual të saj të marrin pjesë në takime
të Këshillit atëherë kur ashtu vendos Këshilli, që pjesëmarrja e tillë do i ndihmonte Këshillit.
Neni 34
Sekretariati i Këshillit
1.Sekretariati ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim:
1.1. ndihmon Këshillin për të zbatuar rregullat, rregulloret dhe politikat e Këshillit lidhur
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
58
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
menaxhimin, buxhetin dhe administrimin e gjykatave;
1.2. sipas udhëzimeve të Këshillit harton akte nënligjore, që janë të nevojshme për
ushtrimin e funksioneve të Këshillit dhe zbatimin e këtij ligji. Propozimet dhe iniciativat
e Sekretariatit, pas miratimit nga ana e Këshillit, përgatiten dhe i dërgohen Këshillit për
miratim;
1.3. sipas udhëzimeve të Këshillit, përgatitë propozim buxhet të konsoliduar për
gjyqësorin;
1.4. administron buxhetin e miratuar të gjyqësorit;
1.5. menaxhon me personelin administrativ dhe mbështetës të gjyqësorit, bazuar në
ngarkesën me punë, mirëmbajtjen e regjistrave të personelit, themelimin e sistemit të
vlerësimit të performansës, sigurimin e disiplinimit të duhur të punonjësve të gjykatës si
dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre të punësimit;
1.6. siguron që gjykatat të kenë furnizim të duhur dhe me kohë me materialet e
nevojshme për funksionimin efikas dhe efektiv të gjykatave;
1.7. ofron mbështetje administrative dhe profesionale për Këshillin dhe komisionet e
Këshillit dhe ndërmerr detyra dhe autorizime të tjera sipas udhëzimeve të Këshillit.
2. Këshilli miraton rregullore për strukturën organizative dhe funksionimin e Sekretariatit.
Neni 35
Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit
1.Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit:
1.1. përzgjidhet, emërohet dhe shkarkohet nga Këshilli, pas shpalljes publike të pozitës
dhe bazohet në një proces konkurrues, meritor dhe transparent në përputhje me
procedurat, kriteret dhe kualifikimet që zhvillohen dhe miratohen nga ana e Këshillit;
1.2. është zyrtari kryesor administrativ;
1.3. është përgjegjës ndaj Këshillit për administrimin efikas dhe efektiv të Sekretariatit;
1.4. i raporton Këshillit dhe Kryesuesit të Këshillit;
1.5. merr pjesë në takimet e Këshillit dhe i përgjigjet të gjitha kërkesave të Këshillit për
informacion.
2. Këshilli cakton pagën e Drejtorit të Sekretariatit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
59
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
Neni 36
Njësia për Inspektim gjyqësor
1. Njësia dhe Inspektim gjyqësor (Në tekstin e mëtejmë: Njësia):
1.1. ndihmon Komisionin për Administrimin e Gjykatave si dhe Komisionin për Vlerësimin
e Performancës së Gjyqtarëve, në vlerësimin e punës së gjykatave, dhe
1.2. i propozon Këshillit politika apo udhëzime për reformimin apo përmirësimin e punës
së gjykatave.
2. Njësia ka një buxhet të veçantë brenda buxhetit të konsoliduar të gjyqësorit dhe në mënyrë
të pavarur i raporton Këshillit mbi shpenzimet e veta.
3. Sekretariati i ofron Njësisë mbështetje buxhetore dhe administrative sipas rregullores dhe
udhëzimeve të Këshillit.
4. Këshilli miraton rregullore që kanë të bëjnë me strukturën organizative dhe funksionimin e
Njësisë.
Neni 37
Drejtori i njësisë
1. Drejtori i Njësisë:
1.1. përzgjidhet, emërohet dhe shkarkohet nga Këshilli, pas shpalljes publike të pozitës
dhe bazohet në një proces konkurrues, në përputhje me procedurat, kriteret dhe
kualifikimet që zhvillohen dhe miratohen nga ana e Këshillit;
1.2. është përgjegjës për administrimin efikas dhe efektiv të Njësisë në koordinim me
sekretariatin;
1.3. i raporton Këshillit.
2. Këshilli cakton pagën e Drejtorit të Njësisë, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Neni 38
Administratorët e Gjykatave
1. Këshilli në pajtim me Ligjin për Shërbimin Civil realizon procedurat e rekrutimit dhe të
mbikqyrjes së Administratorëve të gjykatave.
2. Administratori i gjykatës është përgjegjës ndaj Kryetarit të gjykatës për administrimin efikas
dhe efektiv të gjykatës, në koordinim me sekretariatin.
3. Detyrat dhe përgjegjësitë e administratorit përcaktohen me Ligjin për Gjykata dhe aktet
nënligjore të nxjerra nga Këshilli.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
60
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
KAPITULLI VI
PËRGJEGJËSIA DISIPLINORE DHE TRAJNIMI GJYQËSOR
Neni 39
Përgjegjësia disiplinore
Përgjegjësia disiplinore e gjyqtarëve si dhe e drejta në ankesë zhvillohet sipas procedurave
përkatëse të përcaktuara me Ligjin përkatës për përgjegjësinë disiplinore dhe akteve përkatëse
të nxjerra nga Këshilli.
Neni 40
Trajnimet
1. Këshilli në bashkërendim me Akademinë e Drejtësisë përcakton politikat, standardet dhe
udhëzimet për rregullimin e trajnimit të gjyqtarëve, gjyqtarëve porotë dhe stafit administrativ
duke përfshirë edhe trajnimin fillestar.
2. Këshilli mund të bashkëpunojë me shoqata ose organizata të tjera me qëllim të ngritjes
profesionale të gjyqtarëve dhe gjyqtarëve porotë.
3. Këshilli mund të kërkojë rishikimin e cilitdo program trajnimi në mënyrë që të sigurohet zbatimi
i politikave dhe standardeve për trajnimin profesional të gjyqtarëve dhe gjyqtarëve porotë.
KAPITULLI VII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMATARE
Neni 41
Qëndrimi në detyrë
1. Anëtarët e zgjedhur të Këshillit, që ushtrojnë këtë funksion në kohën e hyrjes në fuqi të këtij
ligji, qëndrojnë në këtë detyrë deri në mbarim të mandatit të tyre aktual.
2. Anëtaret e Këshillit vazhdojnë të kryejnë detyrat sipas dispozitave të përcaktuara në këtë Ligj.
3. Anëtarët e Këshillit kanë të drejtë të paraqesin dorëheqje brenda tridhjetë (30) ditësh nga
hyrja në fuqi e këtij Ligji dhe vazhdojnë të mbajnë pozitën aktuale deri në zgjedhjen e anëtarëve
të rinj sipas dispozitave të përcaktuara në këtë ligj.
4. Kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët mbikëqyrës qëndrojnë në këtë detyrë deri në mbarim të
mandatit të tyre aktual.
Neni 42
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Aktet nënligjore të përcaktuara në këtë Ligj do të nxirren në afat prej një (1) viti pas hyrjes në
fuqi të këtij Ligji.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 DHJETOR 2018, PRISHTINË
61
LIGJI Nr. 06/L-055 PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS
2. Gjatë procesit të hartimit, të akteve nënligjore të përcaktuara në këtë ligj, Këshilli mund të bëjë konsultimet
publike me institucionet relevante.
3. Deri në miratimin e akteve nënligjore të përcaktuara me këtë Ligj, të gjitha aktet nënligjore të nxjerra nga
Këshilli vazhdojnë të zbatohen me kusht që të mos jenë në kundërshtim me dispozitat e këtij Ligji.
Neni 43
Shfuqizimi
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen:
1.1. Ligji nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (Gazeta Zyrtare, nr. 84, 03 nëntor 2010);
1.2. Ligji nr. 04/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e
mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës, neni 11 - ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.
03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (Gazeta Zyrtare, nr. 25, 07 shtator 2012);
1.3. Ligji nr. 05/L - 033 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të
Kosovës; (Gazeta Zyrtare, nr. 17, 30 qershor 2015), duke përfshirë edhe njoftim për përmirësimin e
lëshimit teknik në ligj (Gazeta Zyrtare, nr. 18, 13 korrik 2015);
1.4. Ligji nr. 05/L - 094 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të
Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L -033 si dhe Ligjin nr. 04/L-115 (Gazeta Zyrtare,
nr. 11, 06 prill 2016).
Neni 44
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 06/L-055
23 nëntor 2018
Shpallur me dekretin Nr. DL-058-2018, datë 13.12.2018 nga Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim
Thaçi