LIGJI NR. 06/L-085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
19
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
LIGJI Nr. 06/L -085
PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
KAPITULLI I
DISPOZITAT THEMELORE
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është mundësimi i sinjalizimit të shkeljeve në sektorin publik dhe privat dhe
mbrojtja e sinjalizuesve.
Neni 2
Fushëveprimi
Ky ligj përcakton rregullat për sinjalizimin, procedurën e sinjalizimit, të drejtat dhe mbrotjen
e sinjalizuesve dhe detyrimet e institucioneve publike dhe subjekteve private në lidhje me
sinjalizimin.
Neni 3
Përkufizimet
1. Për qëllime të këtij ligji, shprehjet e mëposhtme do të kenë këto kuptime:
1.1. Sinjalizues - çdo person i cili raporton ose shpalos informacione për një kërcënim
ose cenim të interesit publik në kontekstin e marrëdhënies së vet të punës në sektorin
publik ose privat.
1.2. Raportim ose shpalosje në interes publik - nënkupton raportimin ose shpalosjen
e informacionit për veprimet dhe mosveprimet që paraqesin kërcënim ose cenim të
interesit publik.
1.3. Raportim - nënkupton raportimin brenda institucionit publik apo subjektit privat ose
tek autoriteti kompetent.
1.4. Shpalosje - nënkupton bërjen publike të informacionit.
1.5. Person në kontekst të marrëdhënies së punës - personi fizik i cili është apo ka
qenë:
1.5.1. në marrëdhënie pune në një institucion publik ose subjekt privat
pavarësisht nga natyra e marrëdhënies së punës, kohëzgjatja ose pagesa;
1.5.2. bashkëpunëtor i jashtëm ose i rastit, vullnetar, në praktikë profesionale
ose trajnim;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
20
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
1.5.3. kandidat për punësim, aktivitete vullnetare, praktikë profesionale ose
trajnim;
1.5.4. në marrëdhënie kontraktore punësh, shërbimesh ose lloje të tjera
bashkëpunimi apo përdorim i shërbimeve të institucionit publik ose subjektit
privat, përfshirë kontraktimin ose nënkontraktimin.
1.6. Punëdhënës - nënkupton çdo institucion publik dhe subjekt privat që i përket
ndonjërës prej kategorive të përkufizuara sipas nënparagrafit 1.5 të këtij paragrafi.
1.7. Agjencia Kundër Korrupsionit ose ndonjë autoritet që ka të drejtë të marrë
raporte në përputhje me legjislacionin në fuqi, në lidhje me sinjalizimin në sektorin
publik, ndërsa rregullatorët sipas fushës në të cilën bëhet sinjalizimi në lidhje me
sinjalizimin ne sektorin privat.
1.8. Institucion publik - nënkupton organet, autoritetet dhe agjencitë publike në nivelin
qendror dhe lokal që ushtrojnë kompetenca legjislative, ekzekutive, administrative,
gjyqësore ose prokuroriale apo institucione të tjera publike të përcaktuara me ligj.
1.9 Subjekt privat – nënkupton shoqëritë tregtare, personat juridikë, sipas ligjit për
lirinë e asocimit në organizata joqeveritare dhe persona të tjerë juridikë të përcaktuar
me ligj.
1.10. Zyrtar përgjegjës - personi i caktuar nga institucioni publik apo subjekti privat për
të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin.
1.11. Veprim i dëmshëm - çdo veprim apo mosveprim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë që
cenon interesin e ligjshëm të sinjalizuesit apo personit të lidhur me sinjalizuesin.
1.12. Person i lidhur me sinjalizuesin - personi i cili ndihmon sinjalizuesin ose mund
të ofrojë prova të lidhura me sinjalizimin apo çdo person tjetër që mund të dëmtohet për
shkak të çfarëdo lidhjeje me sinjalizuesin.
1.13. E dhënë personale - çdo informacion lidhur me një person fizik të identifikuar
ose të identifikueshëm siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
1.14. Informacion i klasifikuar - çdo informacion i klasifikuar siç përcaktohet me Ligjin
për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.
Neni 4
Parimet e përgjithshme të detyrave dhe përgjegjësive të zyrtarit përgjegjës
1. Në ushtrimin e funksioneve të tij/saj, zyrtari përgjegjës:
1.1. vepron me ndershmëri, paanshmëri dhe efikasitet, duke pasur parasysh interesat
legjitimë të sinjalizimit;
1.2. ruan konfidencialitetin e informatave;
1.3. vepron i pavarur ndaj qëndrimeve politike apo ndaj çfarëdo ndikimi tjetër të
padrejtë që mund të pengojë ushtrimin e detyrave të tij/saj nga ky ligj;
1.4. shmangë çdo lloj konflikti potencial të interesit, dhe zbulon menjëherë para
Autoritetit Kompetent, çfarëdo lloj konflikti interesi para fillimit të hetimit administrativ
të sinjalizimit;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
21
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
1.5. ndërmerr të gjitha masat e duhura për të mbrojtur dokumentacionin dhe provat në
lidhje me njoftimin e zhdukjes, fshehjes, ndryshimit, falsifikimit dhe veprimeve të tjera
që kanë për qëllim shkatërrimin e tyre.
KAPITULLI II
SINJALIZIMI, TË DREJTAT DHE MBROJTJA E SINJALIZUESVE
Neni 5
Raportimi dhe shpalosja e mbrojtur
1. Raportimi dhe shpalosja në interes publik është e mbrojtur kur bëhet për shkak se:
1.1. shkelja është kryer, është duke u kryer apo ka gjasa të kryhet;
1.2. personi ka dështuar, është duke dështuar ose ka gjasa të dështoj të përmbush
ndonjë detyrim ligjor;
1.3. ka ndodhur, është duke ndodhur ose ka gjasa të ndodhë keqadministrimi i drejtësisë;
1.4. shëndeti apo siguria e individit është rrezikuar, është duke u rrezikuar ose ka gjasa
të rrezikohet;
1.5. mjedisi është dëmtuar, është duke u dëmtuar ose ka gjasa të dëmtohet;
1.6. ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit të parave publike ose
resurseve të një institucioni publik, kjo është duke ndodhur ose ka gjasa të ndodhë;
1.7. një veprim apo mosveprim nga ose në emër të një institucioni publik është
diskriminues, shtypës, kryhet nga pakujdesia ose përbën keqmenaxhim të rëndë;
1.8. informacioni që synon të tregojë ndonjë nga çështjet që bien në ndonjë nga
nënparagrafët e mësipërm ka qenë, është ose ka gjasa të jetë fshehur ose shkatërruar.
2. Raportimi apo shpalosja do të supozohet se është në interes publik, përveç nëse vërtetohet
e kundërta.
Neni 6
Ndalimi i pengimit të sinjalizimit
1. Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik,
është i pavlefshëm dhe zyrtari përgjegjës apo cilido person tjetër në rastet përkatëse ndiqet
penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë.
2. Çdo dispozitë në një marrëveshje është e pavlefshme nëse synon të:
2.1. ndalojë ose kufizojë raportimin apo shpalosjen në interes publik;
2.2. përjashtojë ose kufizojë zbatimin e ndonjë dispozite të këtij ligji;
2.3. pengojë një person për të filluar ndonjë procedurë në bazë të këtij ligji;

2.4. pengojë një person për të filluar ndonjë procedurë për shkelje të kontratës në lidhje
me çdo gjë që bëhet si pasojë e raportimit apo shpalosjes së informatave në interes
publik.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
22
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
Neni 7
Të drejtat e sinjalizuesit
1. Sinjalizuesi ka të drejtën e:
1.1. mbrojtjes së identitetit të tij gjatë procesit të sinjalizimit;
1.2. ruajtjen e fshehtësisë së burimit të informacionit të sinjalizuar;
1.3. mbrojtjes kundër veprimeve të dëmshme.
2. Të drejtat e sinjalizuesit garantohen sipas këtij ligji si në vijim:
2.1. gjatë kohëzgjatjes së procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit;
2.2. pas përfundimit të procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit, me qëllim
të kryerjes normale të detyrave funksionale të sinjalizuesit në marrëdhënien e vet të
punësimit;
2.3. pas përfundimit të marrëdhënies së punës së sinjalizuesit me punëdhënësin e tij,
kur nga rrethana të arsyeshme, sinjalizuesi ka kërkuar mbrojtjen sipas këtij ligji.
Neni 8
Të drejtat e personit të lidhur me sinjalizimin
1. Personi i lidhur me sinjalizuesin gëzon të njëjtën mbrojtje si sinjalizuesi, nëse personi i
tillë provon se veprimi i dëmshëm është ndërmarrë kundër tij për shkak të lidhjes së tij me
sinjalizuesin.
2. Personi që provon se veprimi i dëmshëm është ndërmarrë kundër tij për shkak se personi që
ndërmerr veprimin e dëmshëm beson gabimisht se ai është sinjalizues ose person i lidhur me
të gëzon të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si sinjalizuesi.
3. Zyrtari përgjegjës gëzon të njëjtën mbrojtje ashtu si sinjalizuesi nëse provohet se veprimi i
dëmshëm është ndërmarrë kundër tij në lidhje me pranimin dhe trajtimin e sinjalizimit.
Neni 9
Mbrojtja e sinjalizuesve
1. Sinjalizuesi që raporton ose shpalos informata në pajtim me dispozitat e këtij ligji, nuk mund
të jetë subjekt i përgjegjësisë penale ose civile apo procedurave disiplinore.
2. Sinjalizuesi ka të drejtën e mbrojtjes sipas këtij ligji, në rastet kur:
2.1 raporton ose shpalos informacion, siç është përcaktuar me këtë ligj;
2.2. me arsye beson se informacioni i raportuar apo i shpalosur është i vërtetë.
3. Sinjalizuesi nuk është i detyruar të provojë mirëbesimin dhe vërtetësinë e informacionit të
sinjalizuar.
4. Mbrojtja e garantuar për sinjalizuesin sipas këtij ligji nuk duhet të paragjykohet nëse kërcënimi
apo cenimi i interesit publik i pretenduar nuk është materializuar.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
23
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
Neni 10
Ndalimi i keqpërdorimit të sinjalizimit
1. Mbrojtja e sinjalizuesit përjashtohet në rastet kur:
1.1. sinjalizimi nuk është kryer për shkaqet e përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji;
1.2. raportimi apo shpalosja kryhet në bazë të fakteve, informatave ose dokumenteve
që sigurohen lidhur me dhënien e ndihmës juridike;
1.3. sinjalizuesi raporton ose shpalos informacion që ai ka ose mund të ketë dijeni se
është i rremë.
Neni 11
Konfidencialiteti
1. Zyrtari përgjegjës dhe çdo person tjetër i cili pranon apo përpunon raportime në interes
publik gjatë kryerjes së detyrës zyrtare duhet të ruajë në çdo kohë në mënyrë konfidenciale
informacionin e lidhur me sinjalizimin, duke mos e përhapur ose transmetuar tek persona të
tretë brenda ose jashtë institucionit, si dhe të mos e përdorin për qëllime të tjera, përveç me
pëlqimin me shkrim të sinjalizuesit ose për përmbushjen e një detyrimi ligjor që lidhet me:
1.1. hetimin efektiv të shkeljeve ligjore;
1.2. parandalimin e rrezikut serioz për sigurinë e shtetit, shëndetin publik, sigurinë
publike ose mjedisin;
1.3. parandalimin e krimit ose ndjekjen penale;
1.4. domosdoshmërinë e zbulimit në interes publik ose kur një gjë e tillë kërkohet me
ligj.
2. Zyrtari përgjegjës dhe personat tjerë nuk duhet të njoftojnë personin e përmendur në
sinjalizim, përveç nëse kërkohet domosdoshmërisht me ligj.
3. Zyrtari përgjegjës duhet të marrë pëlqimin me shkrim të sinjalizuesit në rast se i kërkohet
të japë të dhëna që mund të zbulojnë identitetin e sinjalizuesit tek një autoritet kompetent për
veprime që nuk mund të ndërmerren pa e zbuluar identitetin e sinjalizuesit.
4. Në rastet kur kërkohet me ligj të zbulohet identiteti i sinjalizuesit, zyrtari përgjegjës njofton
sinjalizuesin për këtë fakt para si t’ia zbulojë identitetin.
Neni 12
Mbrojtja e të dhënave personale të sinjalizuesit
1. Të dhënat personale të sinjalizuesit dhe të personave të tjerë të përfshirë në sinjalizim
përpunohen vetëm për qëllime të këtij ligji.
2. Zyrtari përgjegjës dhe çdo person tjetër që merr të dhëna personale sipas këtij ligji duhet t’i
përpunojë ato në pajtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Nëse gjatë trajtimit të informacionit të parashtruar nga sinjalizuesi, haset në të dhëna
personale që nuk janë relevante për rastin që është duke u trajtuar, zyrtari përgjegjës apo
autoriteti kompetent nuk mund t’i përpunojë më tutje të dhënat e tilla dhe duhet ti arsyetojë ato.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
24
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
KAPITULLI III
LLOJET DHE PROCEDURA E SINJALIZIMIT
Neni 13
Llojet e sinjalizimit
1. Sinjalizimi mund të jetë i brendshëm, i jashtëm dhe publik.
2. Raportimi i informacionit te punëdhënësi konsiderohet si sinjalizim i brendshëm.
3. Raportimi i informacionit tek autoriteti kompetent konsiderohet si sinjalizim i jashtëm.
4. Shpalosja e informacionit në media, tek organizatat joqeveritare, përmes internetit, në një
mbledhje publike, ose në ndonjë mënyrë tjetër që e bën informacionin publik konsiderohet si
sinjalizim publik.
Neni 14
Forma dhe përmbajtja e sinjalizimit
1. Sinjalizuesi e paraqet informacionin te zyrtari përgjegjës.
2. Informata duhet të jetë e kuptueshme dhe duhet të përmbajë të dhënat e personit kundër të
cilit paraqitet sinjalizimi si dhe faktet të cilat i disponon sinjalizuesi.
3. Sinjalizimi mund të paraqitet:
3.1. me shkrim;
3.2. me postë apo e-mail; dhe
3.3. gojarisht.
4. Kur informata paraqitet gojarisht, zyrtari përgjegjës e përpilon informatën me shkrim dhe të
njëjtën e nënshkruajnë sinjalizuesi dhe zyrtari përgjegjës.
Neni 15
Pranimi dhe evidentimi i sinjalizimit
1. Zyrtari përgjegjës evidenton sinjalizimin e pranuar dhe krijon një regjistër, i cili duhet të
përmbajë:
1.1. datën e pranimit;
1.2.emrin dhe mbiemrin e sinjalizuesit;
1.3.të dhënat e kontaktit të sinjalizuesit;
1.4. institucionin e sinjalizuesit, dhe

1.5. përmbajtjen e shkurtër të informatës.
2.Sinjalizuesit i jepet dëshmi për sinjalizimin e parashtruar dhe lista e çdo dokumenti të
parashtruar bashkë me të.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
25
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
Neni 16
Sinjalizimi i brendshëm
1. Procedura e brendshme e hetimit administrativ të sinjalizimit iniciohet nga momenti i raportimit
të informacionit të sinjalizuar.
2. Punëdhënësi e njofton sinjalizuesin për pranimin ose refuzimin e sinjalizimit brenda
pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të sinjalizimit.
3. Procedura e hetimit administrativ të sinjalizimit përfundon sa më shpejt që është e mundur,
por në çdo rast, jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë nga momenti i raportimit të informacionit të
sinjalizuar, përveç se kur nga rrethanat e rastit kërkohet shtyrja e afatit, e cila nuk mund të jetë
më e gjatë se dyzetepesë (45) ditë.
4. Në fazën e hetimit administrativ, zyrtari përgjegjës shqyrton dhe vlerëson pretendimet e
ngritura nga sinjalizuesi.
5. Gjatë fazës së hetimit administrativ, zyrtari përgjegjës mund të kërkojë informacion shtesë
dhe dokumente relevante, të urdhërojë inspektime ose të marrë deklaratë nga personat në
dijeni për çështjen, si dhe të konsultohet me ekspertë të fushës përkatëse.
6. Në hetimin administrativ mund të marrë pjesë sinjalizuesi, personi i tretë për të cilin besohet
se ka dijeni për rrethanat e sinjalizuara apo posedon dokumentacion relevant.
7. Çdo pale pjesëmarrëse në hetimin administrativ i garantohet një proces i rregullt në pajtim
me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, dhe pala:
7.1. mund të japë deklaratë me shkrim;
7.2. të paraqesë prova ose opinione;
7.3. mund të konsultohet me dosjen e hetimit;
7.4. ka të drejtë të dëgjohet në lidhje me pretendimet e tij.
8. Punëdhënësi duhet të vendosë në dispozicion të hetimit të dhënat, dokumentacionin dhe
provat e zotëruara prej tij.
9. Nëse në përfundim të procesit të hetimit administrativ të sinjalizimit nga punëdhënësi, rezulton
se veprimi ose praktika e dyshuar e sinjalizuar përbën ose mund të përbëjë një shkelje ligjore
sipas ligjit, punëdhënësi vë në dijeni organin kompetent.
10. Punëdhënësi merr masa të menjëhershme, të çastit dhe për aq sa është e mundur, për
të parandaluar ose penguar vazhdimin e pasojave të dëmshme nga veprimi ose praktika e
dyshuar e sinjalizuar.
11. Përveç nëse nuk parashihet ndryshe në këtë ligj, zbatohen dispozitat e legjislacionit për
procedurën e përgjithshme administrative.
Neni 17
Obligimet e punëdhënësit
1. Punëdhënësi publik i cili ka më shumë se pesëmbëdhjetë (15) të punësuar, dhe punëdhënësi
privat, i cili ka më shumë se pesëdhjetë (50) të punësuar janë të obliguar të caktojnë zyrtarin
përgjegjës.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
26
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
2. Punëdhënësi është i obliguar të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me sinjalizimin,
përfshirë mbrojtjen e dokumentacionit dhe provave lidhur me sinjalizimin nga zhdukja, fshehja,
ndryshimi, falsifikimi dhe veprime të tjera, të cilat synojnë dëmtimin ose asgjësimin e tyre.
3. Punëdhënësi është i obliguar të mbrojë sinjalizuesin nga çdo veprim i dëmshëm dhe të
ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ndërprerë veprimin e dëmshëm si dhe të largojë
çdo pasojë të një veprimi të dëmshëm.
4. Përjashtimisht sinjalizuesi mund t’i drejtohet drejtpërdrejtë drejtuesit të punëdhënësit, në
rastet kur:
4.1. punëdhënësi nuk ka zyrtar përgjegjës;
4.2. punëdhënësi nuk ka përcaktuar dhe publikuar procedura të brendshme për
pranimin dhe trajtimin e sinjalizimeve;
4.3. sinjalizuesi ka dyshime të arsyeshme se zyrtari përgjegjës është ose mund të
përfshihet në praktikën e dyshuar të sinjalizimit;
4.4. sinjalizuesi ka dyshime të arsyeshme se zyrtari përgjegjës për shkak të çfarëdo
marrëdhënie ose shoqërie me një person që është ose mund të jetë i përfshirë në
çështjen e pretenduar në sinjalizim, nuk është personi i përshtatshëm për t’u informuar
me sinjalizimin;
4.5. sinjalizuesi ka dyshime të arsyeshme se procedurat e brendshme të sinjalizimit
nuk janë efektive.
5. Qeveria, sipas propozimit të Ministrisë së Drejtësisë, me akt nënligjor përcakton procedurën
për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit.
6. Subjektet private përcaktojnë procedurën për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit
me akt të brendshëm në pajtim me këtë ligj.
Neni 18
Sinjalizimi i jashtëm
1. Sinjalizuesi mund të bëjë sinjalizim të jashtëm pasi ka kryer sinjalizimin e brendshëm apo
drejtpërdrejtë sinjalizim të jashtëm, në rastet kur:
1.1. sinjalizimi ka të bëjë me drejtuesin e punëdhënësit;
1.2. sinjalizimi ka karakter urgjent që ndërlidhet me një rrezik të rëndë dhe të
menjëhershëm ose dëme të pakthyeshme;
1.3. ka dyshime të arsyeshme se mund të ndërmerren veprime të dëmshme ndaj
sinjalizuesit, provat mund të fshihen ose asgjësohen nëse ky do të kryente sinjalizim
të brendshëm;
1.4. kur sinjalizuesi ka dyshime të arsyeshme se procedurat e brendshme të sinjalizimit
nuk janë efektive.
2. Procedura për sinjalizim të jashtëm për sektorin publik iniciohet me raportimin e informacionit
tek Agjencia kundër Korrupsionit. Agjencia kundër Korrupsionit zbaton procedurën e paraparë
me nenin 16 të këtij ligji.
3. Agjencia kundër Korrupsionit shqyrton rastet e sinjalizimit që bien në fushëveprimin e vet.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
27
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
4. Nëse Agjencia kundër Korrupsionit nuk ka kompetencë për të vepruar, e përcjellë pa vonesë
informatën tek autoriteti kompetent, si dhe e informon sinjalizuesin për një veprim të tillë.
5. Në rastet kur sinjalizuesi nuk pranon t’i zbulohet identiteti, dhe Agjencia kundër Korrupsionit
nuk ka kompetencë për ta trajtuar informatën, para se ta përcjellë informatën tek autoriteti tjetër
kompetent, ajo kërkon miratimin e sinjalizuesit, përveç nëse është paraparë ndryshe me ligj.
6. Me kërkesë të sinjalizuesit, autoriteti kompetent i jep atij informata për statusin e procedurës
dhe të gjitha veprimet e ndërmarra dhe i mundëson atij që të ketë qasje në shkresat e lëndës
dhe të marrë pjesë në veprime gjatë procedurës në pajtim me ligj.
7. Autoriteti kompetent e njofton sinjalizuesin për rezultatin e procedurës pas përfundimit të saj.
8. Autoritetet kompetente për sinjalizimin e jashtëm zbatojnë afatet e përcaktuara në nenin 16
të këtij ligji.
Neni 19
Sinjalizimi i jashtëm në sektorin privat
Në lidhje me sinjalizimin në sektorin privat tek rregullatorët sipas fushave të përgjegjësisë
zbatohet përshtatshmërisht procedura e paraparë në nenin 16 të këtij ligji.
Neni 20
Sinjalizimi publik
1. Përveç rasteve të sinjalizimit të brendshëm dhe të jashtëm, sinjalizuesi mund të bëjë edhe
sinjalizim publik, në rastet kur:
1.1. në kohën kur sinjalizuesi që bën shpalosjen, me arsye beson se ai do t’i nënshtrohet
ndëshkimit nëse bën raportim të brendshëm apo të jashtëm;
1.2. sinjalizuesi me arsye beson se ka gjasa që dëshmitë në lidhje me veprimet e
dëmshme përkatëse do të fshihen ose do të shkatërrohen nëse sinjalizuesi bën raportim
në mënyrën e përcaktuar në nenin 16 dhe 18 të këtij ligji.
1.3. në rast të kërcënimit të menjëhershëm për jetën, shëndetin publik, sigurinë,
mjedisin, apo kur shkaktohen dëme në shkallë të gjerë apo të pariparueshme;
1.4. autoritetet përgjegjëse nga neni 16 dhe 18 të këtij ligji nuk kanë ndërmarrë veprimet
përkatëse në lidhje me sinjalizimin brenda afatit prej gjashtë (6) muaj nga momenti i
raportimit të informacionit të sinjalizuar.
2. Sinjalizuesi i cili shpalos informacionin tek publiku në pajtim me këtë ligj, është i obliguar të
respektojë parimin e prezumimit të pafajësisë të personit të akuzuar, të drejtën për mbrojtjen e
të dhënave personale, si dhe të mos pengojë zhvillimin e procedurave gjyqësore.
Neni 21
Sinjalizimi lidhur me sigurinë kombëtare, mbrojtjen, inteligjencën dhe marrëdhëniet
ndërkombëtare
1. Kur sinjalizimi i brendshëm apo jashtëm sipas këtij ligji ka të bëjë me informacionin e
klasifikuar, sigurinë kombëtare, mbrojtjen, inteligjencën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare,
sinjalizuesi ia paraqet organit kompetent në këto fusha.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
28
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
2. Brenda gjashtë (6) muajve institucionet përgjegjëse sipas paragrafit 1 të këtij neni, duhet të
përcaktojnë rregulla dhe procedura për pranimin dhe trajtimin e llojeve të sinjalizimeve. Nëse
nuk përcaktohen rregullat dhe procedurat, aplikohen rregullat e përgjithshme në përputhje me
këtë ligj.
Neni 22
Mbrojtja nga veprimet e dëmshme
1. Sinjalizuesi mbrohet nga çdo veprim i dëmshëm i marrë ndaj tij nga punëdhënësi për shkak
të sinjalizmit në pajtim me dispozitat e këtij ligji, duke përfshirë por pa u kufizuar në:
1.1. shkarkimin nga puna;
1.2. pezullimin nga puna ose të një ose më shumë detyrave;
1.3. transferimin brenda ose jashtë institucionit publik ose subjektit privat pa pëlqimin
e tij;
1.4. uljen në pozitë;
1.5. zvogëlimin e pagesës;
1.6. humbjen e statusit dhe privilegjeve;
1.7. mosngritjen në pozitë;
1.8. heqjen e të drejtës për të marrë pjesë në trajnime;
1.9. vlerësime negative në marrëdhënien e punës;
1.10. anulimin e një licence ose leje;
1.11. përfundimin e një kontrate për mallra apo shërbime;
1.12. veprime të tjera të dëmshme në lidhje me marrëdhënien e punës.
2. Çdo veprim i dëmshëm ndaj sinjalizuesit është i pavlefshmëm.
3. Sinjalizuesi në cilësinë e të punësuarit, i cili u është nënshtruar veprimeve të dëmshme në
vendin e punës, ka të drejtë që t’i drejtohet gjykatës kompetente.
Neni 23
Dëmshpërblimi në rast të veprimeve të dëmshme
Çdo person i cili mund të ketë pësuar veprim të dëmshëm si pasojë e sinjalizimit, ka të drejtë të
kërkoj në gjykatën kompetente shpërblim për dëmin e pësuar nga veprimi i dëmshëm në pajtim
me legjislacionin në fuqi.
KAPITULLI IV
PROCEDURA GJYQËSORE
Neni 24
Mbrojtja gjyqësore
1. Sinjalizuesi dhe personi i lidhur me sinjalizuesin i cili ka pësuar nga veprimet e dëmshme në
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
29
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
lidhje me sinjalizimin, ka të drejtë në mbrojtje gjyqësore, pa qenë i detyruar të shterojë mjetet
juridike të brendshme në procedurë administrative.
2. Padia kundër veprimit të dëmshëm i paraqitet gjykatës në afat prej gjashtë (6) muajsh nga dita
kur sinjalizuesi është vënë në dijeni por jo më vonë se tri (3) vite nga dita kur është ndërmarrë
veprimi i dëmshëm.
2.1. për rastet që kanë të bëjnë me shërbyes civilë, padia dorëzohet në Departamentin
për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
2.2. për rastet që kanë të bëjnë me kategori të tjera të të punësuarve, padia dorëzohet në
Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore, ku ndodhet selia e punëdhënësit
apo ku sinjalizuesi e ka vendbanimin.
3. Krahas padisë nga paragrafi 2 i këtij neni, sinjalizuesi mund të bëjë edhe kërkesë për
kompensim të dëmit.
4. Në rastet kur gjykata kompetente vërteton se sinjalizuesi në kontekst të marrëdhënies së
punës ka pësuar nga veprime të dëmshme për shkak të sinjalizimit, vendos, sipas rastit, që ta
kthejë në vendin e tij të punës, t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar dhe të urdhërojë institucionin
publik apo subjektin privat të ndërmarrë veprime të caktuara.
5. Të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me sinjalizimin, trajtohen me prioritet nga Gjykata.
Neni 25
Barra e provës
Në të gjitha rastet kur sinjalizuesi ose personi i lidhur me sinjalizuesin konsideron se ka pësuar
nga veprime të dëmshme për shkak të sinjalizimit, punëdhënësi e ka barrën e provës të provojë
se veprimi i dëmshëm nuk ka lidhje shkakore me sinjalizimin.
Neni 26
Sigurimi i kërkesëpadisë dhe masa e sigurimit
1. Sinjalizuesi dhe personi i lidhur me sinjalizuesin, mund të paraqesë propozim për caktimin e
masës së sigurimit të kërkesëpadisë dhe masës së sigurimit në gjykatën kompetente.
2. Në lidhje me masën e sigurimit të kërkesëpadisë dhe masën e sigurimit zbatohen
përshtatshmërish dispozitat e ligjit për procedurën kontestimore dhe të ligjit për konfliktet
administrative.
3. Sinjalizuesi lirohet nga detyrimi për deponimin e garancisë në gjykatë për shkak të paraqitjes
së propozimit sipas paragrafit 1 të këtij neni.
Neni 27
Dispozitat kundërvajtëse
1. Gjykata kompetente shqipton gjobë prej pesëqind (500) euro deri në njëzetmijë (20.000)
euro për institucionin publik apo subjektin privat si dhe autoritetin kompetent përkatës, në rast
se:
1.1. nuk mbron sinjalizuesin nga ndonjë veprim i dëmshëm ose nuk ndërmerr të gjitha
masat e nevojshme për ndërprerjen e veprimit të dëmshëm, si dhe eliminimin e çdo
pasoje të veprimit të dëmshëm, brenda kompetencave të veta;
1.2. nuk njofton me shkrim të gjithë të punësuarit, lidhur me të drejtat që parashihen
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
30
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
me këtë ligj;
1.3. nuk cakton zyrtarin përgjegjës;
1.4. nuk ndërmerr veprime pas raportimit të informacionit brenda afatit të përcaktuar
me këtë ligj;
1.5. nuk informon sinjalizuesit për rezultatin e procedurës, brenda afatit të përcaktuar;
1.6. nuk informon sinjalizuesit, sipas kërkesës së tij, lidhur me ecurinë dhe veprimet e
ndërmarra në procedurë, ose nuk i mundëson sinjalizuesit që të ketë qasje në shkresat
e lëndës dhe që të marrë pjesë në veprimet e ndërmarra gjatë procedurës së sinjalizimit.
1.7. në rast se pengon sinjalizimin, siç përcaktohet me neni 6 të këtij ligj;
1.8. në rast se vepron në kundërshtim me nenin 11 të këtij ligji.
2. Zyrtari përgjegjës i institucionit publik, subjektit privat si dhe i autoritetit kompetent përkatës
dënohet me gjobë prej treqind (300) euro deri në dymijë (2.000) euro në rastet kur është
përgjegjës sipas nënparagrafëve 1.1, 1.2 dhe 1.4 deri në 1.6 të paragrafit 1 të këtij neni.
3. Kërkesa për fillimin e procedurës së kundërvajtjes paraqitet në Gjykatën kompetente nga
Agjencia kundër Korrupsionit për sektorin publik dhe Inspektorati i Punës për sektorin privat.
4. Nëse brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve institucionet përgjegjëse nuk ndërmarrin asnjë veprim
apo refuzojnë të veprojnë atëherë sinjalizuesi mund të iniciojë vetë procedurën.
5. Nëse personi përgjegjës është recidivistë, ndaj tij mund të shqiptohet sanksioni kundërvajtës
me gjobë deri në shumën e dyfishuar të paraparë me këtë nen.
KAPITULLI V
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 28
Vetëdijesimi i të punësuarëve
1. Punëdhënësi është i obliguar t’iu sigurojë të punësuarëve udhëzime me shkrim lidhur me
procedurat për sinjalizimin.
2. Udhëzimet nga paragrafi 1 i këtij neni si dhe çdo informacion tjetër i dobishëm lidhur me
sinjalizimin publikohen dhe përditësohen rregullisht dhe shpërndahen përshtatshmërisht në
mjediset e punëdhënësit dhe në faqe të internetit kur është e mundur teknikisht.
Neni 29
Raporti vjetor
1. Institucionet publike, subjektet private si dhe rregullatorët sipas fushës në të cilën bëhet
sinjalizimi, përgatisin raport vjetor lidhur me sinjalizimin për vitin paraprak deri më 31 dhjetor.
2. Raporti vjetor nga paragrafi 1 i këtij neni i paraqitet Agjencisë kundër Korrupsionit më së voni
deri me 31 janar të vitit vijues.
3. Agjencia kundër Korrupsionit përgatit dhe publikon raport vjetor të përgjithshëm lidhur me
sinjalizimin për vitin paraprak deri më 31 mars të vitit vijues.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 18 DHJETOR 2018, PRISHTINË
31
LIGJI Nr. 06/L -085 PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE
4. Raporti vjetor nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni përmban:
4.1. numrin e raportimeve dhe shpalosjeve në interes publik;
4.2. veprimet e ndërrmara në lidhje me ato raportime apo shpalosje.
Neni 30
Aktet nënligjore
1. Aktet nënligjore për zbatim të këtij ligji, do të nxirren brenda gjashtë (6) muajve prej ditës së
hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Në afat prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, punëdhënësit sipas këtij
ligj caktojnë zyrtarët përgjegjës për sinjalizim dhe e njoftojnë AKK-në për sektorin publik,
përkatësisht Inspektoratin e Punës për sektorin privat.
3. Agjencia kundër Korrupsionit dhe Inspektorati i Punës, obligohen të fillojnë procedurat
sipas ligjit për kundërvajtje ndaj punëdhënësve dhe zyrtarëve përgjegjës të cilët nuk i kane
përmbushur obligimet sipas këtij ligji, jo më vone se gjashtë (6) muaj.
Neni 31
Shfuqizimi
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji Nr. 04/L-043 për mbrojtjen e informatorëve.
Neni 32
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës, ndërsa dispozitat që i referohen sektorit privat fillojnë të zbatohen një (1) vit pas hyrjes
në fuqi të këtij ligji.
Ligji Nr. 06/L-085
23 nëntor 2018
Shpallur me dekretin Nr. DL-062-2018, datë 13.12.2018 nga Presidenti i Republikës së
Kosovës Hashim Thaçi