GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
17
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
LIGJI Nr. 06/L-049
PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është rregullimi i fushës së inovacionit shkencor, transferit të dijes dhe
teknologjisë në Republikën e Kosovës.
Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këto kuptime:
1.1. Inovacioni shkencor- zbulimet apo shpikjet shkencore, të cilat shpien deri te një
prodhim i ri, proces i ri apo teknologji e re, me karakteristika unikate, të krijuara, duke u
bazuar në të arriturat individuale apo ekipore e shkencore;
1.2. Transferi i dijes dhe teknologjisë - bartja e së drejtës dhe pronësisë, ose të
drejtën për të përdorur një pjesë apo tërësinë e një teknologjie, ose të një ideje nga pala
që ka të drejtën për ta transferuar këtë lloj të dijes dhe teknologjisë;
1.3. Sistemi kombëtar i inovacionit shkencor- nënkupton një sërë organizatash,
institucionesh dhe marrëdhëniesh të tyre që kanë për qëllim gjenerimin, përhapjen dhe
zbatimin e veprimtarisë shkencore dhe kërkimore dhe përmirësimeve teknologjike në
Republikën e Kosovës;
1.4. Aktiviteti i inovacionit shkencor- nënkupton aktivitetet që ndërmerren me qëllim
të inovacionit shkencor të produkteve, teknologjive, proceseve dhe shërbimeve;
1.5. Inovacioni - veprimtari që ndërmerret me qëllim të krijimit të prodhimeve, teknologjive,
proceseve dhe shërbimeve apo dijeve të reja, duke i zëvendësuar apo avancuar të vjetrat,
me qëllim të përparimit të përgjithshëm shoqëror për nevojat e tregut;
1.6. Produkti inovativ - aplikim i një produkti të ri ose të përmirësuar në mënyrë të
konsiderueshme, por që nuk është një ndryshim i natyrës estetike ose vetëm shitje e
produkteve të shpikura, prodhuara ose zhvilluara nga një person fizik ose juridik;
1.7. Procesi i inovacionit shkencor- nënkupton zbatimin e një metode të re ose
të përmirësuar ndjeshëm të prodhimit, shpërndarjes, ruajtjes dhe transportit, duke
përfshirë ndryshime të rëndësishme në teknikë, pajisje apo softuer, por jo vetëm
ndryshime organizative dhe menaxheriale;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
18
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
1.8. Inovacioni shkencor i teknologjisë- nënkupton aplikimin e teknologjisë së re ose
të përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme;
1.9. Inovacioni shkencor organizativ - nënkupton zbatimin e ndryshimeve të reja ose
të rëndësishme në strukturën apo metodat e menaxhimit, me qëllim të përmirësimit të
zbatimit të njohurive, cilësinë e produkteve apo shërbimeve, ose rritjen e efikasitetit të
proceseve të biznesit në entitetin ligjor përkatës ose hyrjen në tregje të reja;
1.10. Inovacioni shkencor i marketingut- nënkupton aplikimin e metodave të reja
të marketingut, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme në hartimin e produktit,
paketimin, shpërndarjen dhe promovimin e produktit të tillë dhe pagesën e tij;
1.11. Inovacioni shkencor i shërbimit - do të thotë aplikimi i një shërbimi të ri ose të
përmirësuar ndjeshëm;
1.12. Subjekti i aktivitetit të inovacionit shkencor - nënkupton një person juridik ose
një person fizik që kryen veprimtarinë e inovacionit shkencor ose shpërndan njohuri
dhe teknologji të reja, në mënyrë origjinale ose sistematike, duke zbatuar rezultatet
shkencore në një proces teknologjik origjinal dhe bashkëkohor me qëllim të inovacioneve
shkencore, zhvillimit të prototipeve, produkteve, proceseve dhe shërbimeve të reja ose
përmirësimin e atyre ekzistuese në një zonë të caktuar dhe të regjistruar në regjistrin
qendror;
1.13. Njësia që ofron mbështetje infrastrukturore për aktivitetin e inovacionit
shkencor - nënkupton një person juridik që siguron mbështetje infrastrukturore dhe
rrjetëzim midis organizatave shkencore dhe kërkimore, organizatave të inovacionit
shkencor dhe subjekteve ekonomike të regjistruara në regjistrin qendror të Republikës
së Kosovës;
1.14. Inovator shkencor- nënkupton një person fizik i cili ka kontribuar me aktivitetin
e tij të inovacionit shkencor në krijimin e produkteve, teknologjive, proceseve dhe
shërbimeve të reja ose të përmirësuara dukshëm;
1.15. Projekti i inovacionit shkencor- nënkupton një dokument që propozon metoda
të zbatimit të programeve të veprimtarisë së inovacionit shkencor, duke rezultuar
në krijimin e produkteve, teknologjive, proceseve dhe shërbimeve të reja ose të
përmirësuara dukshëm;
1.16. Infrastruktura e inovacionit shkencor - nënkupton mjedisin e formuar në sferën
e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, pajisjeve teknike dhe teknologjike,
infrastrukturës fizike (hapësinor, transport, internet dhe intranet) si infrastrukturë e
njohurive (burime të institucioneve shkencore dhe kërkimore dhe burime të tjera
arsimore dhe të konsultimit), duke qenë një forcë shtytëse që synon ristrukturimin e
sektorit të biznesit dhe rrjetëzimin e subjekteve të aktivitetit të inovacionit shkencor nga
sektori akademik dhe sektori ekonomik;
1.17. Ndërmarrja tregtare e sapokrijuar mikro - ndërmarrje e vogël dhe e mesme
“do të thotë një kompani e themeluar nga një ose më shumë persona fizikë dhe / ose
persona juridikë”, nga themelimi i të cilave deri në momentin e aplikimit për financim
nga buxheti, nuk ka kaluar një periudhë prej më shumë se gjashtë vjetësh;
1.18. Ndërmarrja e sapokrijuar tregtare spin-off - do të thotë një kompani tregtare e
themeluar nga një ose më shumë persona fizikë të cilët janë të punësuar / angazhuar
ose studentë të një institucioni të arsimit të lartë, përkatësisht veprimtari shkencore
dhe kërkimore / ose subjektet juridike të themeluara nga organizatat që kryejnë
veprimtari shkencore dhe kërkimore dhe / ose nga subjektet ekonomike, me qëllim të
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
19
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
shfrytëzimit komercial të inovacionit shkencor, të transferuara në kompaninë tregtare
të sapoformuar;
1.19. Grante të bashkë-financuara- do të thotë një grant me të cilin përfituesi duhet
të marrë pjesë me fondet e veta në shumën prej së paku pesëmbëdhjetë (15%) të
investimit total;
1.20. Investimi i kapitalit - do të thotë një investim në një kompani tregtare me një
detyrim të kufizuar dhe një pronar i vetëm, me anë të të cilit një pjesë ekzistuese e
pronësisë është blerë nga një kompani që kryen një aktivitet inovativ në përputhje me
këtë ligj apo sipërmarrje prej të cilave një pjesë e re në kompani është e fituar;
1.21. Investimi mezaninë (i ndërmjetëm)- nënkupton një sipërmarrje me karakteristika
të investimit të kapitalit dhe financimit të kredisë të një shoqërie tregtare me përgjegjësi
të kufizuar dhe një pronar i vetëm që kryen veprimtari inovative në pajtim me këtë ligj;
1.22. Fondi i investimeve mezanine (të ndërmjetme) dhe të barazisë - do të thotë
një pronë e veçantë pa kapacitetin e një personi juridik, i themeluar për të mbështetur
aktivitetin e inovacionit shkencor duke mbledhur fondet e investitorëve, me qëllim të
zbatimit të instrumentit të kapitalit dhe të investimeve të ndërmjetme;
1.23. Të hyrat (honoraret) nga komercializimi i inovacioneve shkencore - nënkupton
të ardhurat nga zbatimi i inovacioneve shkencore, të cilat janë financuar nga Fondi për
Inovacione shkencore dhe Zhvillim Teknologjik dhe në përputhje me marrëveshjen e
financimit;
1.24. Përshpejtuesit (akseleratorët) inovativ shkencor- janë mekanizma inovativ
për financimin e nisjeve (startim) të fuqishme në sektorin e teknologjisë. Këto programe
përdorin një proces selektiv të aplikimit për të synuar nisje të shkallëzuar, me vlerë
të lartë dhe me rritje të lartë. Përshpejtuesit u ndihmojnë sipërmarrësve të tregtojnë
ndonjëherë idetë e pazhvilluara të biznesit, duke ndihmuar startapët të dalin në publik,
të fitojnë ose të marrin fonde shtesë në një periudhë të shkurtër kohe.
Neni 3
Inovacioni shkencor
Zbulimet apo shpikjet shkencore të cilat shpien deri të një prodhim i ri, proces i ri apo teknologji
e re me karakteristika unikate, të krijuara, duke u bazuar në të arriturat individuale apo ekipore
e shkencore.
Neni 4
Bartësit e inovacionit shkencor
1. Bartësit e inovacionit shkencor janë:
1.1. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës;
1.2. universitetet dhe institucionet tjera të arsimit të lartë;
1.3. institutet kërkimore-shkencore;
1.4. qendrat e inovacionit shkencor;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
20
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
1.5. kompanitë dhe ndërmarrjet;
1.6. personat fizikë dhe juridikë vendorë dhe të huaj;
1.7. institucionet e arsimit parauniversitar.
2. Sektori publik dhe privat trajtohen në mënyrë të barabartë në fushën e inovacionit shkencor
sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 5
Përgjegjësitë e MASHT-it dhe ministrive të linjës
1. MASHT-i dhe ministritë e linjës janë përgjegjëse për motivimin dhe nxitjen e zhvillimit të
veprimtarisë inovative.
2. MASHT-i dhe ministritë e linjës janë përgjegjëse për hartimin e politikave dhe strategjive
relevante, që organizojnë, planifikojnë dhe nxisin zhvillimin e inovacionit shkencor si dhe
koordinimin e palëve të interesit.
3. Për realizimin e përgjegjësive, MASHT-i bashkëpunon me ministritë e linjës me qëllim:
3.1. të nxitjes së zhvillimit të kapaciteteve të përgjithshme të Kosovës në fushën e
inovacioneve shkencore;
3.2. të bashkëpunimit me institucionet dhe individët, me qëllim të qasjes më të
organizuar në veprimtarinë innovative shkencore;
3.3. të grumbullimit dhe ofrimit të informatave për institucionet përgjegjëse mbi
veprimtarinë inovative shkencore në vend;
3.4. të raportimit në Qeveri, lidhur me të arriturat dhe problemet në këtë fushë, së paku
një herë në vit.
4. Qeveria me akt nënligjor përcakton detyrat specifike për secilën ministri në fushën e
inovacionit shkencor.
Neni 6
Këshilli i inovacionit shkencor
1. MASHT-i në bashkëpunim me ministritë e linjës themelojnë Këshillin e Inovacionit shkencor
për përcjelljen e zhvillimit dhe zbatimit komercial të inovacioneve shkencore.
2. Këshilli përbëhet nga shtatë (7) anëtarë me rezultate të dëshmuara ndërkombëtare në
shkencë, inovacion shkencor dhe biznes. Anëtarët e Këshillit propozohen nga:
2.1. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë;
2.2. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
21
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
2.3. Ministria e Zhvillimit Ekonomik;
2.4. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë;
2.5. Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (nga diaspora);
2.6. Oda Ekonomike e Kosovës;
2.7. organizatat që merren me zhvillim, hulumtim dhe inovacion.
3. Detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit:
3.1. përgatit analiza dhe plane profesionale, lidhur me veprimtarinë inovative shkencore;
3.2. përzgjedh praktikat e mira ndërkombëtare dhe vendore dhe ia propozon Qeverisë
që t’i aplikojë.
4. Veprimtaria e Këshillit administrohet dhe koordinohet nga departamenti i Shkencës dhe
Teknologjisë në MASHT.
5. Organizimi, veprimtaria dhe përbërja e detajuar e Këshillit rregullohet me akt të veçantë
nënligjor.
6. Përveç Këshillit të Inovacionit shkencor, ministritë e linjës krijojnë mekanizma të tjerë, me
qëllim të nxitjes, zhvillimit dhe menaxhimit të veprimtarisë inovative, në Republikën e Kosovës.
Neni 7
Regjistri i institucioneve inovative shkencore
1. MASHT-i dhe ministritë e linjës mbajnë regjistrin e institucioneve publike dhe private si dhe
të personave fizikë që merren me veprimtari inovative.
2. MTI-ja dhe MKRS-ja, përmes organeve kompetente mbajnë regjistrin e pronësisë industriale
dhe intelektuale.
3. Kushtet për regjistrimin e institucioneve apo inovacioneve shkencore/patentave, përcaktohen
me akt nënligjor të propozuar nga ministritë e linjës dhe të miratuar nga Qeveria.
Neni 8
Institucionet e tjera për inovacion shkencor
1. Institucione të tjera publike ose private që merren me veprimtarinë e inovacionit shkencor
janë:
1.1. institucionet zhvillimore prodhuese;
1.2. institucionet hulumtuese kërkimore;
1.3. institucionet e inovacionit shkencor.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
22
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
2. Institucionet zhvillimore prodhuese krijojnë inovacione shkencore, aplikojnë teknologji të reja,
bëjnë promovimin dhe plasmanin e prodhimeve, shërbimeve dhe teknologjive të krijuara nga
puna e vet inovative shkencore dhe zhvillimore.
3. Institucionet hulumtuese-kërkimore merren me hulumtime zhvillimore dhe aplikative, krijojnë
inovacione shkencore dhe bëjnë shpërndarjen e dijeve e të teknologjive të reja, në prodhimtarinë
ose shërbimet e tyre dhe të të tjerëve.
4. Institucionet e inovacionit shkencor merren me veprimtari, në të cilën, në mënyrë origjinale
dhe sistematike aplikohen rezultatet shkencore ose proceset moderne teknologjike, me qëllim
të krijimit të inovacioneve shkencore, zhvillimit të prototipave, prodhimeve të reja dhe proceseve
ose shërbimeve. Këto institucione njëkohësisht kryejnë transferin e dijes dhe teknologjisë te
subjektet tjera ekonomike.
5. Kushtet për licencimin dhe regjistrimin e institucioneve përcaktohen me akt nënligjor të
nxjerrë nga MASHT.
Neni 9
Institucionet mbështetëse për inovacion shkencor
1. Institucionet mbështetëse për ofrimin e ndihmës infrastrukturore në fushën e inovacionit
shkencor janë:
1.1. inkubatori afarist-teknologjik;
1.2. parku shkencor-teknologjik;
1.3. akseleratorët (përshpejtuesit) e inovacionit shkencor;
Neni 10
Inkubatori afarist-teknologjik
1. Inkubatori afarist – teknologjik është institucion afarist i krijuar me qëllim të vënies në
dispozicion të hapësirës punuese, ofrimit të shërbimeve administrative, teknike dhe të tjera,
ndërmarrjeve të sapokrijuara apo institucioneve që kryejnë veprimtari të inovacionit shkencor
në vitin e parë të themelimit të tyre.
2. Licencimi, regjistrimi dhe funksionimi i inkubatorit afarist-teknologjik rregullohet me akt
nënligjor të nxjerr nga MASHT.
Neni 11
Parku shkencor-teknologjik
1. Parku shkencor-teknologjik u ofron shërbime profesionale dhe infrastrukturore universiteteve,
instituteve kërkimoro-shkencore dhe institucioneve të tjera që merren me inovacione shkencore
dhe që i takojnë një fushe të caktuar të shkencës.
2. Shërbimet e parkut kanë për qëllim krijimin e lidhjeve në mes të institucioneve kërkimoro-
shkencore për aplikimin e teknologjive, krijimin e prodhimeve dhe shërbimeve të reja, si dhe
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
23
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
plasimin e tyre në treg.
3. Të gjitha institucionet që përdorin këto shërbime apo janë të lidhur me parkun shkencoro-
teknologjik gëzojnë statusin e anëtarit të parkut shkencoro-teknologjik.
4. Ky status u mundëson anëtarëve të parkut shfrytëzimin e kushteve hapësinore dhe
infrastrukturore, kushteve të punës dhe shërbimeve të tjera, me qëllim të ngritjes së nivelit dhe
të cilësisë së punës kërkimoro-shkencore, zhvillimore, inovative dhe prodhuese.
5. Ofrimi i shërbimeve dhe shfrytëzimi i tyre, rregullohet me marrëveshje ndërmjet palëve.
6. Të drejtat dhe obligimet e anëtarëve të parkut shkencor-teknologjik rregullohen me kontratë.
Neni 12
Ndërmarrjet me statusin e parkut shkencor-teknologjik
1. Park shkencor-teknologjik mund të regjistrohet edhe ndërmarrja e cila i përmbush këto
kushte:
1.1. me statut e ka të përcaktuar fushën shkencore, kërkimore-zhvillimore dhe
prodhuese, në të cilën anëtarët e parkut e kryejnë fushëveprimin;
1.2. në përbërjen e saj duhet të jenë së paku tre(3) partnerë, të cilët i kanë të ngjashme
ose të njëjta programet e tyre kërkimore-zhvillimore, inovative shkencore dhe prodhuese;
1.3. duhet të jenë në marrëdhënie të plotë të punës, staf me eksperiencë dhe ekspertizë,
në fushën e veprimtarisë themelore të parkut;
1.4. ka në dispozicion hapësirë të mjaftueshme për veprimtarinë përkatëse;
1.5. ka pajisje për realizimin e planit dhe projekteve të nevojshme nga fushëveprimi i
vet, si dhe pajisje për komunikim me internet;
1.6. ka bazë të të dhënave dhe fond të caktuar të literaturës shkencore dhe profesionale
të fushës përkatëse.
2. Kushtet e licencimit dhe regjistrimit në regjistër, i rregullon MASHT-i me akt nënligjor.
Neni 13
Transferi i dijes dhe teknologjisë
1. Transferi i dijes dhe teknologjisë nënkupton bartjen e të drejtës së pronësisë ose të drejtën
për të përdorur një pjesë apo tërësinë e një teknologjie, ose të një ideje nga pala që e ka të
drejtën për ta transferuar këtë lloj të dijes dhe teknologjisë
2. Transferi i dijes dhe teknologjisë zhvillohet në mes të institucioneve apo personave fizikë dhe
juridikë brenda vendit;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
24
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
3. Transferi i dijes dhe teknologjisë nënkupton edhe sjelljen e dijeve dhe teknologjive të reja nga
jashtë apo dërgimin e dijeve dhe teknologjive jashtë vendit.
Neni 14
Kompetencat e MASHT-it dhe ministrive të linjës
1. MASHT në bashkëpunim me MTI e kanë autoritetin për të përcaktuar mënyrën e administrimit,
kushtet e transferit, mbrojtjen dhe njohjen e një dije ose teknologjie të caktuar.
2. Departamenti ose qendra përkatëse e MASHT-it e administron fushën e transferit të dijes
dhe teknologjisë në bazë të këtij ligji, ligjeve të tjera dhe akteve nënligjore që e rregullojnë këtë
fushë.
3. Transferin e dijes dhe teknologjisë mund ta bëjnë:
3.1. ASHAK-u;
3.2. universitetet;
3.3. institutet kërkimore shkencore;
3.4. kompanitë dhe ndërmarrjet;
3.5. personat juridikë dhe fizikë që merren me transferin e teknologjisë.
4. Transferi i dijes dhe teknologjisë nuk mund të bëhet pa lejen paraprake të MASHT-it.
5. Licencimin e institucioneve publike dhe private për kryerjen e transferit të dijes dhe
teknologjisë, e bën MASHT-i.
6. Kushtet dhe kriteret e licencimit përcaktohen me akt nënligjor.
Neni 15
Format e teknologjisë të lejueshme për transferim
1. Format e teknologjisë që mund të transferohen pjesërisht ose tërësisht janë:
1.1. dija teknike për kryerjen e proceseve teknologjike;
1.2. informacioni teknik për teknologjitë e caktuara, i cili mund të transferohet në
formën e planeve teknologjike, proceseve teknologjike, zgjidhjeve teknike, formulave,
specifikimeve teknike, vizatimeve, hartave teknike, programeve kompjuterike dhe
dosjeve informatike;
1.3. zgjidhjet për optimizimin e prodhimit dhe për avancimin e teknologjisë.
Neni 16
E drejta për transferin e teknologjisë
1. Pronari i një teknologjie ose poseduesi i dijes së caktuar ka të drejtën për ta transferuar të
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
25
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
drejtën e përdorimit të teknologjisë që e posedon.
2. Çdo palë që ka lejen e pronarit të një teknologjie, ose lejen e autorit të dijes së caktuar, për
transfer duhet ta ketë të drejtën e përdorimit sipas legjislacionit në fuqi për të drejtën e autorit
dhe të drejtat e përafërta.
3. Çdo palë që posedon dije ose teknologji, të cilës i ka kaluar afati i mbrojtjes mund ta
transferojë atë.
Neni 17
Teknologjitë, transferimi i të cilave inkurajohet
1. Teknologjitë, transferimi i të cilave inkurajohet, janë teknologjitë e larta dhe progresive, të cilat
plotësojnë kërkesat e mëposhtme:
1.1. krijojnë produkte të reja, të cilat janë shumë konkurruese;
1.2. krijojnë industri të re ose shërbime të reja, apo avancon industritë dhe shërbimet
ekzistuese;
1.3. kursejnë energjinë apo lëndët e para;
1.4. përdorin burime të reja energjetike ose energji të ripërtërishme;
1.5. mbrojnë shëndetin e njerëzve;
1.6. parandalojnë ose luftojnë fatkeqësitë natyrore apo epidemitë;
1.7. mbrojnë ambientin.
2. Inkurajohet transferi i dijeve dhe teknologjive, që mundësojnë zhvillimin dhe avancimin e
produkteve vendore e artizanale.
Neni 18
Teknologjitë, transferimi i të cilave kufizohet
1. Kufizohet transferimi i një teknologjie që nuk është në përputhje me:
1.1. mbrojtjen e interesit kombëtar;
1.2. mbrojtjen e shëndetit të njerëzve;
1.3. mbrojtjen e vlerave kulturore kombëtare;
1.4. mbrojtjen e florës dhe faunës, të burimeve natyrore apo mjedisit;
1.5. kufizohet edhe transferi i atyre teknologjive, që dalin si obligim nga zbatimi i një
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
26
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
dispozite apo të një traktati ndërkombëtar, të cilin Republika e Kosovës e ka ratifikuar;
1.6. kufizohet, gjithashtu, edhe transferi i teknologjive dhe dijeve që nuk lejohen me
akte tjera normative vendore.
Neni 19
Teknologjitë, transferimi i të cilave është i ndaluar
1. Ndalohet transferi i këtyre dijeve ose teknologjive:
1.1. teknologjia, e cila nuk arrin të plotësojë kërkesat e parashikuara nga ligjet për siguri
në punë, higjienën në punë, mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mbrojtjen e burimeve
natyrore të mjedisit;
1.2. teknologjia, e cila krijon produkte që i shkaktojnë dëm zhvillimit socio-ekonomik
dhe ka ndikim negativ në mbrojtjen e sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës;
1.3. teknologjia, e cila ndalohet me ndonjë dispozitë të ndonjë traktati ndërkombëtar, të
cilin Republika e Kosovës e ka nënshkruar ose është anëtare;
1.4. teknologjia, që figuron në listën e sekreteve shtetërore, përveç nëse ligji parashikon
ndryshe.
Neni 20
Format e transferit të teknologjisë
1. Transferi i dijes dhe teknologjisë lejohet të zbatohet nëpërmjet formave të mëposhtme:
1.1. me një kontratë të pavarur të transferit;
1.2. si pjesë e projekteve ose e kontratave, në formën e projekteve investuese,
kontratë franchising (përdorimi i modeleve të suksesshme të dikujt tjetër), kontratë mbi
transferimin e të drejtave të pronësisë industriale, kontratë për blerjen dhe shitjen e
makinerive apo të pajisjeve, në të cilën transferimi i një teknologjie është i bashkëngjitur;
1.3. format tjera të transferimit të teknologjisë përcaktohen me akt nënligjor;
1.4. aktivitetet e ndaluara gjatë transferimit të teknologjisë rregullohen me akt nënligjor.
Neni 21
Financimi
1. Mjetet për inovacion shkencor dhe transfer të dijes dhe teknologjisë sigurohen nga:
1.1. Buxheti i Republikës së Kosovës;
1.2. donacionet;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 26 NËNTOR 2018, PRISHTINË
27
LIGJI Nr. 06/L-049 PËR INOVACION SHKENCOR DHE TRANSFER TË DIJES DHE TEKNOLOGJISË
1.3. fondi investiv i inovacionit shkencor;
1.4. investitorët engjuj dhe shoqatat e investitorëve engjuj;
1.5. mekanizmat për kapital sipërmarrës (venture capital);
1.6. institucionet, ndërmarrjet dhe organizatat që merren me inovacion shkencor dhe
transfer të dijes dhe teknologjisë;
1.7. programet e BE-së dhe burimet tjera;
2. Kushtet për regjistrimin e mekanizmave të parapara në nën-paragrafët 1.3..; 1.4.; 1.5. dhe
1.6. të këtij neni rregullohen sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 22
Nxjerrja e akteve nënligjore
Qeveria dhe Ministria brenda gjashtë (6) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerrin aktet
nënligjore të parapara me këtë ligj.
Neni 23
Dispozitat shfuqizuese
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen të gjitha dispozitat që janë në kundërshtim me këtë
ligj.
Neni 24
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 06/L-049
02 nëntor 2018
Shpallur me dekretin Nr. DL-055-2018, datë 21.11.2018 nga Presidenti i Republikës së
Kosovës Hashim Thaçi