LIGJI NR. 06/L-059 PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 19 / 13 NËNTOR 2018, PRISHTINË
21
LIGJI Nr. 06/L-059 PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ
LIGJI Nr. 06/L-059
PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ
KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Me këtë Ligj përcaktohet statusi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe
obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin,
restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij.
2. Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz ka rëndësi ontologjike, antropologjike,
historike, kulturore e qytetare për Skënderajn, Drenicën, Kosovën dhe tërë Kombin Shqiptar.
Neni 2
Përkufizimet
1. Termat e përdorur në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Zona e veçantë me interes shtetëror dhe kombëtar - Sipërfaqja e përcaktuar si
zonë e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për qëllim të këtij ligji;
1.2. Zonë e veçantë - Zonë e identifikuar në Planin Hapësinor të Kosovës dhe Hartën
Zonale të Kosovës që ka veçori specifike që kërkon një regjim të posaçëm organizativ,
të përdorimit dhe mbrojtjes të zhvilluar nga Ministria përmes Planit Hapësinor për zona
të veçanta;
1.3. Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz - Hapësira e zonës së veçantë
me interes shtetëror dhe kombëtar, ashtu siç është e definuar me dispozitat e këtij Ligji;
1.4. Shpronësim - Marrja me kompensim real të pronave dhe ndërtesave private
të cilat gjenden në hapësirën e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe
kalimi i tyre në pronësi të shtetit konform dispozitave të Ligjit në fuqi për shpronësim
në Kosovë;
1.5. Administrim - Menaxhim, mbrojtje, ruajtje dhe promovim të Kompleksit Memorial
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 19 / 13 NËNTOR 2018, PRISHTINË
22
LIGJI Nr. 06/L-059 PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ
“Adem Jashari” në Prekaz në përputhje me ligjet përkatëse dhe aktet nënligjore në fuqi;
1.6. Agjencia - Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, e
themeluar me Ligj;
1.7. Menaxhim - Aktivitetet e koordinuara për të udhëhequr, administruar dhe
mirëmbajtur Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz;
1.8. Financim - Mjetet e destinuara për financimin e projektit të Kompleksit memorial
“Adem Jashari” në Prekaz, shpronësimin e pronave dhe mirëmbajtjen e Kompleksit
Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përputhje me ligjet përkatëse, të ndara nga
buxheti i Republikës së Kosovës;
1.9. Manifestimet - Organizimi me rastin e shënimit të datave të rëndësishme
kombëtare dhe shtetërore, të cilat në përputhje me këtë ligj, mbahen në hapësirat e
Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz;
1.10. UÇK - Ushtria Çlirimtare e Kosovës;
1.11. FSK - Forca e Sigurisë së Kosovës;
1.12. Garda ceremoniale - njësi e veçantë në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës
(FSK).
KAPITULLI II
SHPALLJA E KOMPLEKSIT MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ ZONË E
VEÇANTË ME INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
Neni 3
Shpallja e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz zonë e veçantë me interes
shtetëror dhe kombëtar
1. Duke marrë parasysh rolin dhe rëndësinë e veçantë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
(UÇK), kontributin e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe të familjes së tij për lirinë dhe
pavarësinë e Kosovës, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në fshatin Prekaz, Komuna e
Skenderajt, shpallet “Zonë e veçantë me interes shtetëror dhe kombëtar.
2. Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe zona e tij, e përcaktuar sipas këtij ligji
dhe Ligjit për Trashëgimi Kulturore, ka status të mbrojtjes së përhershme.
Neni 4
Hapësira e zonës së veçantë
1. Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz përfshinë hapësirën e varrezave të
dëshmorëve të lagjes Jashari, objektet nga të cilat është bërë rezistenca e armatosur, shtëpitë
dhe objektet përcjellëse të kësaj familjeje, Lagjen Jasharaj, Lagjen nr.3 të qytetit të Skenderajt,
zonën e ish fabrikës së municionit, një pjesë të Prekazit të Epërm; gjithsej katërqindepesëdhjetë
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 19 / 13 NËNTOR 2018, PRISHTINË
23
LIGJI Nr. 06/L-059 PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ
hektarë (450 ha) sipas planit ideor për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz”, të
hartuar nga grupi i ekspertëve, e në përputhje me sipërfaqen e përcaktuar me ligjet në fuqi.
2. Hapësira nga paragrafi 1. i këtij neni dhe sipërfaqja e plotë që përfshin Kompleksin Memorial
“Adem Jashari” në Prekaz, përcaktohet sipas Ligjit për Planifikimin Hapësinor dhe Ligjit përkatës
që rregullon aspektet e trashëgimisë kulturore dhe historike.
KAPITULLI III
PROJEKTI PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL ”ADEM JASHARI” NË PREKAZ
Neni 5
Projekti për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
1. Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, do të realizohet sipas Projektit, i cili
përzgjidhet në bazë të shpalljes së hapur dhe publike. Projekti duhet që, të shprehë frymën
e përcaktuar me paragrafin 1. të nenit 3 të këtij ligji dhe të përmbajë: pjesën e varrezave,
konservimin e Kullave të rezistencës dhe bunkerit, objektin e informacionit, amfiteatrin veror
bashkë me objekte përcjellëse të tij, muzeun, shtatoren e Adem Jasharit, obeliskun, objektin për
Gardën ceremoniale të FSK-së, vend parkingun, parkun e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”
në Prekaz, zhvendosjen e disa shtëpive të lagjes Jashari përfshi edhe shtëpitë e familjes Jashari
dhe objekte tjera të nevojshme.
2. Përzgjedhjen e projektit për implementim konform këtij ligji, e bën Komiteti Ndërministror i cili
themelohet me vendim të Qeverisë.
3. Komiteti nga paragrafi 2. i këtij neni përbëhet nga: Zyra e Kryeministrit kryesues i Komitetit,
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria
e Infrastrukturës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale,
Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Muzeu i Kosovës, Instituti
i Historisë, Instituti Albanologjik, Komuna e Skenderajt, Përfaqësuesi i Familjes Jashari,
Përfaqësuesi i Shoqatës së Arkitektëve dhe Përfaqësuesi i OVL të UÇK-së.
4. Me qëllim të përmbushjes së rolit të vet, të përcaktuar sipas paragrafit 2. të këtij neni, Komiteti
Ndërministror mund të angazhojë edhe ekspertë të fushave të tjera vendorë apo ndërkombëtarë
në cilësinë e këshilltarëve të jashtëm.
5. Me propozimin e Komitetit Ndërministror, Qeveria vendos për kriteret, kushtet për shpalljen
e konkursit si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së projektit. Pas miratimit të tyre nga
Qeveria, Komiteti Ndërministror obligohet për zbatimin e tyre.
6. Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, është autoritet për lidhjen
e Kontratës me Kompaninë/Zyrën fituese dhe në bashkëpunim me Institucionet e Republikës
së Kosovës, specifikon në mënyrë të veçantë kushtet dhe kriteret e saj, si dhe afatet kohore
për finalizimin e saj, në pajtim me kriteret, kushtet shpalljen e konkursit si dhe procedurat e
aplikimit të përzgjedhjes së projektit të propozuara nga Komiteti Ndërministror dhe të miratuara
nga Qeveria.
7. Komiteti Ndërministror i themeluar në pajtim me këtë nen, do të përfundojë mandatin e tij me
përfundimin e implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai do t’i dorëzohet Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës në pajtim
me mandatin e tij ligjor.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 19 / 13 NËNTOR 2018, PRISHTINË
24
LIGJI Nr. 06/L-059 PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ
Neni 6
Realizimi i projektit për ndërtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
1. Komiteti Ndërministror nga neni 5 i këtij ligji është kompetent për përzgjedhjen e Komisionit
të ekspertëve i cili përbëhet prej së paku tre (3) ekspertëve dhe i cili do ta bëjë përzgjedhjen e
operatorit për realizimin e projektit si dhe kompanisë së specializuar për mbikëqyrje të realizimit
të punimeve nga ana e operatorit të përzgjedhur, në pajtim me kriteret, kushtet për shpalljen e
konkursit si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së projektit të propozuara nga Komiteti
Ndërministror dhe të miratuara nga Qeveria.
2. Komisioni i përcaktuar me paragrafin 1. të këtij neni do ta bëjë pranimin përfundimtar teknik
të realizimit të punimeve.
Neni 7
Shpronësimi i paluajtshmërive me qëllim të ndërtimit të Kompleksit Memorial “Adem
Jashari” në Prekaz
1. Me qellim të ndërtimit dhe funksionalitetit të plotë të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz,
do të bëhet shpronësimi i të gjitha pronave dhe objekteve ndërtimore, të cilat gjenden në hapësirën e
përcaktuar me paragrafin 1. të nenit 4 të këtij ligji dhe që nevojiten për realizimin e këtij projekti.
2. Shpronësimi do të bëhet konform dispozitave të Ligjit në fuqi për shpronësimin.
3. Autoritetet kompetente, në bashkëpunim me përfaqësuesit e familjeve Jasharaj në Prekaz,
do të përcaktojnë në veçanti, mënyrën dhe kushtet për zhvendosjen e shtëpive dhe objekteve
të tjera duke siguruar që e njëjta të bëhet, sipas legjislacionit në fuqi dhe në përputhje me Planin
Hapësinor për Zonën e Veçantë.
KAPITULLI IV
MANIFESTIMET BRENDA HAPËSIRAVE TË KOMPLEKSIT MEMORIAL “ADEM JASHARI”
NË PREKAZ
Neni 8
Organizimi i manifestimeve shtetërore
1. Në hapësirën e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga ana e institucioneve
të Republikës së Kosovës, mund të organizohen tubime dhe aktivitete përkujtimore, shënimi i
datave shtetërore, historike, e të tjera me rëndësi kombëtare.
2. Të gjitha Manifestimet, të cilat lidhen me datat e shënuara shtetërore dhe historike të
Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të sajë, në hapësirat e Kompleksit Memorial “Adem
Jashari” në Prekaz, organizohen nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Neni 9
Manifestimi ”Epopeja e UÇK-së”
1. Manifestimi ”Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” do të organizohet për çdo vit, në
datat: 5, 6 dhe 7 mars.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 19 / 13 NËNTOR 2018, PRISHTINË
25
LIGJI Nr. 06/L-059 PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ
2. Qeveria e Republikës së Kosovës, cakton këshillin organizativ, në përbërje të të cilit do
të jenë edhe Komandanti i FSK-së dhe Drejtori i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve
memorialë të Kosovës.
3. Këshilli do të jetë përgjegjës për mënyrën dhe format e organizimit të këtij Manifestimi.
Neni 10
Vizitat në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
Me propozim të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Qeveria
miraton aktin nënligjor për rregullat dhe mënyrën e sjelljes së vizitorëve në hapësirat e
Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Neni 11
Aktivitetet e ndaluara në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
1. Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz ndalohet çdo aktivitet me karakter politik
apo aktivitet tjetër që është në kundërshtim me qëllimin e këtij ligji.
2. Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës është përgjegjëse për
sigurimin dhe mbrojtjen e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga organizimet
apo manifestimet, në kundërshtim me paragrafin 1. të këtij neni.
KAPITULLI V
GARDA CERMEMONIALE
Neni 12
Garda ceremoniale
1. Pjesëtaret e Gardës Ceremoniale të FSK-së do të vendosen në mënyrë permanente në
objektin e veçantë të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe do të shërbejnë si
“Roje Nderi”.
2. Angazhimi ceremonial i pjesëtareve të kësaj njësie do të bëhet në rastet e manifestimeve
shtetërore dhe manifestimeve të tjera të përcaktuara me rregullat protokollare të shtetit.
KAPITULLI VI
MBIKQYRJA, PËRKUJDESI DHE MIRËMBAJTJA
Neni 13
Autoriteti kompetent
1. Mbikëqyrja, përkujdesja si dhe mirëmbajtja e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz,
bëhet nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, në përputhje me
Ligjin.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 19 / 13 NËNTOR 2018, PRISHTINË
26
LIGJI Nr. 06/L-059 PËR KOMPLEKSIN MEMORIAL “ADEM JASHARI” NË PREKAZ
2. Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës në përputhje me ligjin nxjerr
planin për menaxhimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
3. Ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i Kompleksit Memorial ”Adem Jashari” në Prekaz bëhet në
përputhje me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
KAPITULLI VII
FINANCIMI DHE MBESHTETJA FINANCIARE
Neni 14
Financimi
1. Mjetet e nevojshme për zbatimin e këtij ligji do të ndahen nga buxheti i Republikës së Kosovës
dhe donacionet e ndryshme.
2. Mjetet e mbledhura në formë donacioni apo mënyra tjera për Kompleksin Memorial ”Adem
Jashari” në Prekaz, derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës, të cilat më pastaj trajtohen
sipas legjislacionit në fuqi.
KAPITULLI VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 15
Aktet nënligjore

Aktet nënligjore të parapara me këtë ligj, propozohen nga Agjencia për Menaxhimin e
Komplekseve Memoriale të Kosovës dhe miratohen nga Qeveria në afat prej tre (3) muaj nga
dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 16
Dispozitat shfuqizuese
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji nr. 2004/39 për Shpalljen e Kompleksit Përkujtimor
“Adem Jashari” në Prekaz me interes të veçantë kombëtar.
Neni 17
Hyrja në fuqi
Ky Ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës
së Kosovës.
Ligji Nr. 06/L-059
18 tetor 2018
Shpallur me dekretin Nr. DL-051-2018, datë 06.11.2018 nga Presidenti i Republikës së
Kosovës Hashim Thaçi