GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
35
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
LIGJI Nr. 06/L -048
PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj përcakton funksionet, kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Pavarur
Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Këshilli) si dhe kriteret dhe
procedurat për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit.
Neni 2
Fushëveprimi
Fushëveprimi i këtij ligji përfshinë Këshillin dhe të gjitha institucionet e administratës publike që
kanë të punësuar nëpunës civil.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës - nënkupton
institucionin e pavarur kushtetues që siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që
rregullojnë shërbimin civil;
1.2. Nëpunës civil - nënkupton nëpunësin civil sipas përkufizimit në Ligjin për Shërbimin
Civil;
1.3. Nëpunës civil i nivelit të lartë drejtues - nënkupton nëpunësit civil të nivelit të
lartë drejtues sipas përkufizimit në Ligjin për Shërbimin Civil;
1.4. Nëpunës civil i nivelit drejtues - nënkupton nëpunësit civil të nivelit drejtues
sipas përkufizimit në Ligjin për Shërbimin Civil;
1.5. Përfundim i rregulltë i mandatit - nënkupton përfundimin e mandatit të anëtarit të
Këshillit pas skadimit të afatit ligjor të emërimit;
1.6. Ankues - nënkupton nëpunësin civil apo kandidatin për pranim në shërbimin civil i
cili është i pakënaqur me vendimin e organit të punësimit;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
36
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
1.7. Personi përgjegjës për zbatimin e Vendimit të Këshillit - nënkupton zyrtarin e
nivelit të lartë drejtues ose zyrtarin/zyrtarët përgjegjës të organit të punësimit që e ka
marrë vendimin e parë ndaj palës apo që është obliguar nga Këshilli për zbatimin e
Vendimit;
1.8. Seancë profesionale - nënkupton seancën e organizuar nga Këshilli për diskutimin
dhe shqyrtimin e çështjeve profesionale, zbrazëtirave ligjore dhe vështirësive në
zbatimin e legjislacionit.
Neni 4
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës
1. Këshilli është institucion i pavarur kushtetues që siguron respektimin e rregullave dhe
parimeve që rregullojnë shërbimin civil.
2. Këshilli për punën e tij i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës, së paku njëherë në vit,
dhe sa herë që i kërkohet nga Kuvendi.
Neni 5
Selia dhe simbolet
1. Selia e Këshillit është në Prishtinë.
2. Këshilli i zhvillon seancat në selinë e tij, por përjashtimisht me vendimin e tij mund të zhvilloj
seanca edhe në vendet tjera të Republikës së Kosovës.
3. Këshilli ka simbolin dhe vulën e vet të cilat përcaktohen me akt nënligjor.
Neni 6
Funksionet e Këshillit
1. Për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil,
Këshilli ka këto funksione themelore:
1.1. shqyrton dhe merr vendime për ankesat e nëpunësve civil dhe kandidatëve për
pranim në shërbimin civil;
1.2. mbikëqyrë procedurën e përzgjedhjes dhe vendos nëse emërimet e nëpunësve
civil të nivelit të lartë drejtues dhe të nivelit drejtues, janë zhvilluar në pajtim me rregullat
dhe parimet e legjislacionit për shërbimin civil;
1.3. monitoron institucionet e administratës publike që kanë të punësuar nëpunës civil,
lidhur me zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civilë.
Neni 7
Kompetencat e Këshillit
1. Me qëllim të ushtrimit të funksioneve, Këshilli ka të drejtë të:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
37
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
1.1. vizitojë çdo institucion që ka të punësuar nëpunës civil;
1.2. ketë qasje dhe të kontrollojë dosjet dhe çdo dokument lidhur me zbatimin e
rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil;
1.3. intervistojë çdo nëpunës civil, i cili mund të ketë informata që kanë rëndësi të
drejtpërdrejtë për ushtrimin e funksioneve të Këshillit;
1.4. kërkon dhe merr nga institucionet çdo informacion të nevojshëm për kryerjen e
detyrave të tij;
1.5. organizon seanca profesionale, dhe
1.6. nxjerr vendime, udhëzime, qëndrime dhe rekomandime.
2. Këshilli paraprakisht e njofton zyrtarin kryesor administrativ të organit përkatës të punësimit,
për çfarëdo vizite apo kërkesë për informata lidhur me zbatimin e legjislacionit për shërbimin
civil.
Neni 8
Përbërja e Këshillit
1. Këshilli përbëhet prej shtatë (7) anëtarëve që emërohen nga Kuvendi i Republikës së
Kosovës.
2. Përbërja e Këshillit pasqyron karakterin shumetnik dhe gjinor të Kosovës. Së paku dy (2)
anëtarë emërohen nga komunitetet joshqiptare, dhe së paku dy (2) anëtarë duhet të jenë të
gjinisë femërore.
Neni 9
Kriteret për emërimin e anëtarit të Këshillit
1. Kandidati që aplikon për t’u emëruar anëtar i Këshillit duhet të ketë kualifikimet dhe të
plotësojë kriteret në vijim:
1.1. të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;
1.2. të ketë diplomë të fakultetit juridik të vlefshme sipas ligjit në fuqi;
1.3. të ketë së paku dhjetë (10) vite përvojë pune profesionale, prej të cilave së paku
pesë (5) vite përvojë pune në shërbimin civil;
1.4. të ketë të kryer provimin e jurisprudencës;
1.5. të jetë njohës mirë i legjislacionit në fuqi;
1.6. të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale
me dashje;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
38
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
1.7. ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil me vendim
përfundimtar.
Neni 10
Procedura për emërimin e anëtarëve të Këshillit
1. Kryetari i Këshillit e njofton me shkrim Kryetarin e Kuvendit, së paku nëntëdhjetë (90) ditë
para përfundimit të rregullt të mandatit të anëtarit të Këshillit, si dhe në afat prej shtatë (7) ditësh
për çdo rast tjetër të përfundimit apo ndërprerjes së mandatit të anëtarit të Këshillit.
2. Kuvendi i Kosovës në pajtim me Rregulloren e Kuvendit, publikon shpalljen publike për
aplikim për anëtar të Këshillit, së paku gjashtëdhjetë (60) ditë para përfundimit të rregullt të
mandatit të anëtarit të Këshillit.
3. Për rastet e tjera të përfundimit apo të ndërprerjes të mandatit të anëtarit të Këshillit, Kuvendi
do të publikoj shpalljen publike për aplikim për anëtar të Këshillit, brenda afatit prej pesëmbdhjetë
(15) ditësh nga dita e pranimit të njoftimit nga Kryetari i Këshillit.
4. Për zhvillimin e procedurave për emërimin e anëtarëve të Këshillit, Kuvendi i Kosovës
themelon një Komision ad–hoc, i cili ka kompetenca si në vijim:
4.1. shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve;
4.2. përgatitjen e listës së shkurtër të kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret e
përcaktuara ligjore;
4.3. intervistimin dhe vlerësimin e kandidatëve, si dhe
4.4. përgatitjen e rekomandimit për kandidatët e suksesshëm.
5. Brenda periudhës kohore prej njëzetenjë (21) ditësh pas mbylljes së shpalljes publike,
Komisioni ad-hoc, përfundon procedurën e përzgjedhjes dhe i rekomandon Kuvendit të Kosovës
dy (2) kandidatë të cilët janë vlerësuar me më së shumti pikë, për çdo vend të lirë të punës
në Këshill.
6. Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit
që janë të pranishëm dhe që votojnë, zgjedh njërin nga kandidatët e rekomanduar për çdo vend
të lirë të punës në Këshill.
7. Me qëllim të ruajtjes së funksionimit të institucionit, në rast të përfundimit të mandatit të
rregullt dhe pamundësisë së emërimit të anëtarit të Këshillit për shkak të rrethanave të
jashtëzakonshme, anëtari i Këshillit do të vazhdoj të ushtroj funksionin e tij deri në zgjedhjen e
anëtarit të ri të Këshillit.
Neni 11
Mandati i anëtarëve të Këshillit
1. Anëtarët e Këshillit emërohen për mandat shtatë (7) vjeçar, pa mundësi të rizgjedhjes për
mandat tjetër.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
39
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
2. Anëtari i Këshillit nuk ka të drejtë që gjatë mandatit të tij të ushtrojë ndonjë funksion tjetër
shtetëror, të jetë anëtar i partisë politike apo të marr pjesë në aktivitete politike.
3. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit lidhur me vendimmarrjen në kuadër të funksioneve kushtetuese
dhe ligjore të Këshillit, gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi.
Neni 12
Detyrat e anëtarëve të Këshillit
1. Anëtarët e Këshillit kanë për detyrë që të ushtrojnë funksionin e anëtarit në mënyrë të
paanshme dhe të vendosin në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin.
2. Anëtarët e Këshillit kanë për detyrë të ruajnë autoritetin dhe imazhin e Këshillit.
3. Secili anëtar ka për detyrë të marr pjesë në punën dhe procesin e vendimmarrjes së Këshillit,
si dhe të kryej punët e tjera të caktuara me ligj, me rregulloren e punës dhe aktet tjera nënligjore
të Këshillit.
Neni 13
Kryetari i Këshillit
1. Kryetari i Këshillit zgjidhet me shumicë të votave nga radhët e anëtarëve të Këshillit, me
mandat dy (2) vjeçar, dhe me mundësi rizgjedhjeje.
2. Kryetari i Këshillit udhëheq, përfaqëson, dhe përgjigjet për veprimtarinë e Këshillit.
3. Kryetari i Këshillit jep autorizime për kryerjen e detyrave, cakton komisione, thërret dhe
drejton mbledhjet dhe seancat profesionale të Këshillit, dhe nënshkruan vendimet dhe aktet
tjera të Këshillit.
Neni 14
Përfundimi i mandatit të anëtarit të Këshillit
1. Mandati i anëtarit të Këshillit përfundon kur:
1.1. humb shtetësinë e Kosovës;
1.2. përfundon mandatin e rregullt;
1.3. humb zotësinë e plotë për të vepruar;
1.4. bëhet i paaftë për arsye shëndetësore për të kryer detyrat e tij, vërtetuar nga një
komision kompetent mjekësor;
1.5. dënohet për vepër penale e cila është e dënueshme mbi gjashtë (6) muaj burg;
1.6. arrin moshën e pensionimit;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
40
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
1.7. jep dorëheqje.
Neni 15
Ndërprerja e mandatit të anëtarit të Këshillit
1. Kuvendi i Kosovës me shumicë të votave mund të shkarkojë anëtarin e Këshillit për shkak të
arsyeve në vijim:
1.1. për shkelje të dispozitave të këtij ligji;
1.2. kur kryen veprimtari, që krijon konflikt të interesit dhe përkundër paralajmërimit nga
organi kompetent nuk e eliminon konfliktin e interesit sipas ligjit përkatës;
1.3. në rastet e kryerjes së detyrave në papajtueshmëri me funksionin e tij;
1.4. mungon pa arsye në punë mbi pesë (5) ditë për arsyet që nuk parashihen me ligj.
2. Propozimin për shkarkim të anëtarit të Këshillit, kanë të drejtë ta bëjnë:
2.1. shumica e anëtarëve të Këshillit;
2.2. Komisioni përkatës i Kuvendit për administratë publike.
Neni 16
Shqyrtimi i ankesave
1. Nëpunësi civil, apo kandidati për pranim në shërbimin civil i cili është i pakënaqur me vendimin
e organit të punësimit, ka të drejtë të parashtrojë ankesë në Këshill, lidhur me pretendimin
për shkeljen e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil të Republikës së
Kosovës.
2. Nëpunësi civil apo kandidati për pranim në shërbimin civil ka të drejtë që të parashtrojë
ankesë në Këshill në mënyrë elektronike në pajtim me legjislacionin përkatës për komunikimin
elektronik si dhe rregullat e përcaktuara me rregulloren përkatëse për parashtrimin e ankesave
në Këshill.
3. Në emër të Këshillit, ankesat i shqyrton dhe i vendos Kolegji i përbërë nga tre (3) anëtarë, i
cili përcaktohet me vendim të Këshillit.
4. Para parashtrimit të ankesës në Këshill, nëpunësi civil apo kandidati i cili pretendon se është
dëmtuar, duhet t’i ketë shteruar procedurat e brendshme të ankesave brenda organit përkatës
të punësimit, nëse me ligj të veçantë nuk është përcaktuar ndryshe.
5. Këshilli duhet tu jap të drejtë palëve në procedurë që të paraqesin me shkrim
provat dhe faktet e tyre lidhur me rastin. Në rast të kontestit lidhur me faktet materiale, të dy
palëve u jepet mundësia që së bashku të merren në pyetje nga Këshilli, me qëllim të paraqitjes
së provave dhe dëshmive përkatëse.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
41
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
6. Anëtari i Këshillit i cili ka mbikëqyrë procedurën e përzgjedhjes për emërimet e nëpunësve
civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të nivelit drejtues, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në
procedurën e shqyrtimit të ankesës lidhur me të njëjtën procedurë.
Neni 17
Afati i vendimmarrjes në Këshill
1. Këshilli brenda afatit prej dyzetë e pesë (45) ditësh nga dita e pranimit të ankesës, nxjerr
vendim duke e arsyetuar bazën ligjore dhe faktike të vendimmarrjes.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, në rastet kur natyra e lëndës është specifike,
Kryetari i Këshillit ka të drejtë të shtyjë afatin e vendimmarrjes edhe për dhjetë (10) ditë pune.
3. Organi i punësimit është i obliguar që brenda afatit prej pesë (5) ditësh pune, nga dita e
pranimit të kërkesës për përgjigje në ankesë, të kthejë përgjigje dhe të ofrojë të gjitha dëshmitë
që i kërkon Këshilli.
Neni 18
Mënyrat e vendosjes për ankesat
1. Kolegji i Këshillit që shqyrton ankesat, vendos në këtë mënyrë:
1.1. lënien në fuqi të aktit administrativ dhe refuzimin e ankesës;
1.2. shfuqizimin ose anulimin e aktit administrativ dhe aprovimin e ankesës;
1.3. ndryshimin e aktit administrativ duke aprovuar pjesërisht ankesën;
1.4. detyrimin e organit administrativ kompetent për të nxjerrë aktin administrativ kur pa
të drejtë është refuzuar nxjerrja e tij;
1.5. përfundimin e procedimit administrativ;
1.6. kthimin në rishqyrtim;
1.7. hedhjen poshtë të ankesës;
1.8. shpalljen jo kompetent;
1.9. pezullimin e procedurës.
2. Kolegjet e Këshillit që shqyrtojnë ankesat, bazuar në paragrafin 1 nënparagrafin 1.3 të këtij
neni, kanë të drejtë të ndryshojnë masën disiplinore në rastet kur vërtetohet se nëpunësi civil e
ka kryer shkeljen, mirëpo organi i punësimit nuk i ka shqiptuar masën disiplinore në proporcion
me shkeljen e kryer.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
42
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
Neni 19
Procedura e mbikëqyrjes së përzgjedhjes së nëpunësve civil
të nivelit të lartë drejtues dhe të nivelit drejtues
1. Këshilli mbikëqyrë të gjitha procedurat e përzgjedhjes së nëpunësve civil të nivelit të lartë
drejtues dhe të nivelit drejtues.
2. Institucioni i administratës publike që fillon procedurën e përzgjedhjes së nëpunësve civil
sipas paragrafit 1 të këtij neni, është i obliguar që brenda pesë (5) ditësh nga momenti i publikimit
të shpalljes së konkursit, të njoftojë me shkrim Këshillin.
3. Këshillin e përfaqëson së paku një (1) anëtar, i cili ka për obligim të mbikëqyrë dhe vlerësojë
nëse procedura e përzgjedhjes është bërë në pajtim me rregullat dhe parimet e legjislacionit
për shërbimin civil.
4. Anëtari i Këshillit është i obliguar që të paraqet raportin e procesit mbikëqyrës në mbledhjen
e Këshillit dhe të jep sqarimet eventuale për të gjitha çështjet e ngritura nga Këshilli.
5. Këshilli pas shqyrtimit të raportit, nxjerr vendim dhe vendos që:
5.1. të aprovojë procedurën e përzgjedhjes, kur konstaton që është zhvilluar në pajtim
me rregullat dhe parimet e legjislacionit për shërbimin civil;
5.2. të anulojë procedurën e përzgjedhjes, kur konstaton që është zhvilluar në
kundërshtim me rregullat dhe parimet e legjislacionit për shërbimin civil.
6. Këshilli është i obliguar që të nxjerr vendim për procedurën e përzgjedhjes së nëpunësve civil
të nivelit të lartë drejtues dhe të nivelit drejtues, brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita
e pranimit të dosjes komplete nga organi i punësimit.
7. Nëse zhvillimi i procedurës për përzgjedhjen e nëpunësve civil të nivelit të lartë drejtues
dhe të nivelit drejtues, bëhet pa njoftim të Këshillit për pjesëmarrje në mbikëqyrje, procedura
konsiderohet e pavlefshme dhe Këshilli sipas detyrës zyrtare nxjerr vendim për anulimin e
procedurës.
8. Vendimi i Këshillit për procedurën e përzgjedhjes së nëpunësve civil të nivelit të lartë drejtues
dhe të nivelit drejtues, është vendim përfundimtar në procedurë administrative dhe kundër
këtij vendimi palët në procedurë kanë të drejtë të iniciojnë konflikt administrativ, në pajtim me
dispozitat e ligjit për konfliktin administrativ.
Neni 20
Monitorimi i institucioneve të administratës publike lidhur me zbatimin e rregullave
dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil
1. Këshilli, me qëllim të vlerësimit të zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit për
shërbimin civil, ka të drejtë që për çdo vit të monitorojë institucionet e administratës publike që
kanë të punësuar nëpunës civil.
2. Funksionin e monitorimit, Këshilli e ushtron përmes monitorimit të rregullt që realizohet sipas
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
43
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
planit vjetor të monitorimit, dhe përmes monitorimit të jashtëzakonshëm që realizohet në raste
të veçanta që ndërlidhen me shkelje të rënda të legjislacionit për shërbimin civil.
3. Anëtari i Këshillit është i obliguar që të paraqet raportin me të gjetura dhe rekomandime në
mbledhjen e Këshillit dhe të jep sqarime për të gjitha çështjet e ngritura nga Këshilli.
4. Këshilli, pas shqyrtimit të raportit nxjerr vendim, të cilin së bashku me raportin ia dërgon
institucionit përkatës.
5. Institucioni përkatës i administratës publike është i obliguar për zbatimin e rekomandimeve
të Këshillit, brenda afatit të përcaktuar me vendimin e Këshillit.
Neni 21
Vendimi i Këshillit
1. Vendimi i Këshillit është vendim administrativ i formës së prerë dhe zbatohet nga zyrtari i
nivelit të lartë drejtues ose personi përgjegjës i institucionit që e ka marrë vendimin e parë ndaj
palës.
2. Zbatimi i vendimit duhet të bëhet brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e
pranimit të vendimit të Këshillit.
3. Moszbatimi i vendimit të Këshillit nga personi përgjegjës i institucionit, paraqet shkelje të
rëndë të detyrave të punës.
Neni 22
Inicimi i konfliktit administrativ
1. Kundër vendimit të Këshillit, pala e pakënaqur e cila pretendon se vendimi i Këshillit nuk
është i ligjshëm mund të iniciojë konflikt administrativ në gjykatën kompetente, brenda afatit të
përcaktuar me dispozitat e ligjit për konfliktin administrativ.
2. Inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit të Këshillit.
Neni 23
Procedura në rast të moszbatimit të vendimit të Këshillit
1. Nëse personi përgjegjës i institucionit nuk e zbaton vendimin e Këshillit brenda afatit të
paraparë me nenin 21 të këtij ligji, Kryetari i Këshillit në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga
dita kur ka kaluar afati për zbatim, në të gjitha rastet duhet të njoftojë me shkrim Kryetarin e
Kuvendit, Komisionin përkatës për administratë publike dhe eprorin e drejtpërdrejtë të personit
përgjegjës për zbatim.
2. Në rastet kur personi përgjegjës për zbatim të vendimit të Këshillit është në kuadër të degës
së ekzekutivit, për moszbatim të vendimit duhet të njoftohet me shkrim edhe Kryeministri i
Republikës së Kosovës.
3. Në rastet kur personi përgjegjës për zbatim të vendimit të Këshillit është Kryetari i Komunës,
për moszbatim të vendimit duhet të njoftohet me shkrim Ministri përkatës i pushtetit lokal dhe
Kryeministri i Republikës së Kosovës.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
44
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
4. Njoftimi nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni konsiderohet kërkesë për fillimin e procedurës
disiplinore kundër personit përgjegjës për zbatim, e cila procedurë zhvillohet në pajtim me
dispozitat e parapara me legjislacionin në fuqi.
5. Kryeministri ose eprori përgjegjës është i obliguar për fillimin e procedurës disiplinore ndaj
personit përgjegjës për zbatim, brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të
njoftimit nga Kryetari i Këshillit.
6. Në rast se nuk ndërmerren veprimet sipas paragrafit 5 të këtij neni, Kryetari i Këshillit e
njofton me shkrim Kryetarin e Kuvendit dhe Komisionin përkatës për administratë publike.
Kryetari i Kuvendit, kërkon me shkrim nga Kryeministri apo eprori përgjegjës i institucionit, që të
ndërmerren të gjitha veprimet për zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Këshillit dhe marrjen
e masave ndaj personit përgjegjës në pajtim me dispozitat e parapara me legjislacionin në fuqi.
7. Brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e kalimit të afatit për zbatim të vendimit të
Këshillit, pala mund të fillojë procedurën e përmbarimit të vendimit të Këshillit në gjykatën
kompetente, në pajtim me dispozitat e ligjit për procedurën përmbarimore.
Neni 24
Sanksionet administrative për moszbatimin e vendimit të Këshillit
1. Në rast të moszbatimit të vendimit të Këshillit sipas nenit 21 të këtij ligji, Kryetari i Këshillit
nxjerr vendim për ndalimin e 50 % të pagës mujore për personin përgjegjës, deri në zbatimin e
vendimit të Këshillit.
2. Vendimi sipas paragrafit 1 të këtij neni, i dërgohet për zbatim zyrtarit kryesor administrativ
të Ministrisë përkatëse për menaxhimin e listës së pagave, i cili është i obliguar që në afat prej
pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të vendimit të zbatojë vendimin dhe të njoftojë
me shkrim Këshillin për zbatimin e vendimit.
3. Kundër vendimit për ndalimin e 50 % të pagës mujore, pala e pakënaqur ka të drejtë të
inicimit të konfliktit administrativ në gjykatën kompetente për çështje administrative, në pajtim
me dispozitat e ligjit për konfliktin administrativ.
4. Inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit të Këshillit.
5. Në rast të moszbatimit të vendimit të Kryetarit të Këshillit për ndalimin e 50% të pagës
mujore, Këshilli brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e kalimit të afatit për zbatim mund
të fillojë procedurën e përmbarimit të vendimit në gjykatën kompetente, në pajtim me dispozitat
e ligjit për procedurën përmbarimore.
Neni 25
Bashkëpunimi me institucionet e administratës publike
1. Këshilli bashkëpunon me institucionet e administratës publike për të kryer funksionet e tij në
përputhje me këtë ligj.
2. Institucionet e administratës publike që kanë të punësuar nëpunës civil, si dhe çdo funksionar
publik ose nëpunës civil, që ka kompetenca në administrimin e shërbimit civil, apo ka informacion
në këtë fushë, janë të obliguar të bashkëpunojnë me Këshillin.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
45
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
3. Në rastet kur organi i punësimit apo personi përgjegjës nuk bashkëpunon, Këshilli i raporton
për këtë mosbashkëpunim Kuvendit, i cili njoftimin ia përcjell Kryeministrit ose eprorit të
drejtpërdrejtë të personit përgjegjës.
Neni 26
Sekretaria e Këshillit
1. Në kuadër të Këshillit funksionon sekretaria, e cila ndihmon Këshillin në realizimin e detyrave
dhe përgjegjësive të Këshillit. Sekretaria udhëhiqet nga sekretari i përgjithshëm, i cili i përgjigjet
drejtpërdrejtë Kryetarit të Këshillit.
2. Sekretari i përgjithshëm dhe të gjithë nëpunësit e sekretarisë e kanë statusin e nëpunësit
civil, dhe trajtohen sipas ligjit për shërbimin civil.
3. Në kuadër të Sekretarisë funksionon njësia për mbështetje profesionale, e cila përbëhet
nga stafi profesional të cilët mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë punën profesionale të
anëtarëve të Këshillit.
4. Sekretari i përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet me shumicën e votave të anëtarëve të
Këshillit në pajtim me këtë ligj, dispozitat e legjislacionit për shërbimin civil për pozitat e nivelit të
lartë drejtues, dhe në pajtim me procedurat e përcaktuara në Rregulloren e Punës së Këshillit.
5. Mandati i sekretarit të përgjithshëm është i njëjtë me mandatin e nëpunësve civil të nivelit të
lartë drejtues, i përcaktuar me legjislacionin e shërbimit civil.
Neni 27
Financimi i Këshillit
1. Këshilli financohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Këshilli ka vijën e vetë buxhetore e
cila i garanton pavarësinë e tij.
2. Këshilli përgatit propozim buxhetin vjetor në pjatueshmëri me Ligjin për Menaxhimin e
Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
3. Në rast të shtimit të funksioneve dhe kompetencave të Këshillit, me këtë ligj apo me ligje të
tjera, kjo përcillet edhe me burime shtesë përkatëse dhe adekuate financiare dhe njerëzore.
4. Këshilli mund të marrë kontribute nga donatorët dhe ato nuk duhet të ndikojnë në pavarësinë
e Këshillit.
5. Për kontributet e pranuara nga donatorët, Këshilli e njofton Kuvendin.
6. Niveli i pagës së kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit caktohet në pajtim me ligjin për pagat e
funksionarëve të lartë publik.
7. Këshilli menaxhon në mënyrë të pavarur me buxhetin e tij dhe i nënshtrohet auditimit në
pajtim me ligjin.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
46
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
Neni 28
Raporti vjetor i Këshillit
1. Këshilli i paraqet raport vjetor Kuvendit të Kosovës për vitin paraprak, më së largu deri me
31 mars të vitit vijues.
2. Një kopje të raportit vjetor, Këshilli ia përcjellë edhe Kryeministrit.
3. Kuvendi i Kosovës shqyrton raportin vjetor të Këshillit në seancë plenare. Nëse Kuvendi e
vlerëson të nevojshme, mund të ftojë Kryetarin e Këshillit për raportim në seancë plenare.
4. Raporti vjetor i Këshillit, pas miratimit nga Kuvendi botohet në Gazetën Zyrtare të Republikës
së Kosovës.
5. Raporti vjetor përfshin të dhënat për kryerjen e funksioneve kushtetuese dhe ligjore të
Këshillit, si institucion i pavarur kushtetues për mbikëqyrjen e respektimit të rregullave dhe
parimeve të legjislacionit të shërbimit civil, dhe rekomandimet për institucionet e administratës
publike.
6. Institucionet e administratës publike janë të obliguara që të zbatojnë rekomandimet e Këshillit
të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
Neni 29
Publikimi i vendimeve
Vendimet e Këshillit publikohen në web faqen e Këshillit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Neni 30
Aktet nënligjore
1. Për zbatimin e këtij ligji, Këshilli miraton aktet nënligjore si në vijim:
1.1. Rregulloren e punës së Këshillit;
1.2. Kodin e etikës;
1.3. Rregulloren për procedurën e shqyrtimit dhe vendosjes së ankesave të
parashtruara në Këshill;
1.4. Rregulloren për procedurën e monitorimit të institucioneve të administratës
publike lidhur me zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin
civil;
1.5. Rregulloren për procedurën e mbikëqyrjes së përzgjedhjes së nëpunësve civil të
nivelit të lartë drejtues dhe të nivelit drejtues; dhe
1.6. Rregulloren për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës në Këshill.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 10 GUSHT 2018, PRISHTINË
47
LIGJI Nr. 06/L -048 PËR KËSHILLIN E PAVARUR MBIKËQYRËS PËR SHËRBIMIN CIVIL TË KOSOVËS
2. Këshilli ka të drejtë të nxjerr edhe akte tjera nënligjore për kryerjen e funksioneve dhe
kompetencave të Këshillit.
3. Aktet nënligjore sipas paragrafit 1 të këtij neni, miratohen brenda afatit prej 3 muajve pas
hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 31
Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare
Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji Nr. 03/L-192 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës
për Shërbimin Civil të Kosovës.
Neni 32
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 06/L -048
23 korrik 2018
Shpallur me dekretin Nr. DL-028-2018, datë 08.08.2018 nga Presidenti i Republikës së
Kosovës Hashim Thaçi