LIGJI NR. 06/L-011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
53
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
LIGJI Nr. 06/L -011
PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT
PUBLIK
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT
PUBLIK
KAPITULLI I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është forcimi i integritetit të sektorit publik dhe garantimi i kryerjes së detyrave
publike në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente në shërbim të interesit publik
nëpërmjet identifikimit, parandalimit, menaxhimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesave të
zyrtarëve.
Neni 2
Fushëveprimi
Dispozitat e këtij ligji përcaktojnë parimet, rregullat dhe procedurat lidhur me sjelljet e lejuara
dhe të ndaluara të zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës publike si dhe masat e parapara për
shkeljen e dispozitave të përcaktuara në këtë ligj. Ky ligj rregullon gjithashtu procedurat për
detyrimet e raportimit, masat për parandalimin, identifikimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e
rasteve të konfliktit të interesit publik dhe private të zyrtarit gjatë dhe pas ushtrimit të detyrës
publike si dhe detyrat e përgjegjësitë e autoriteteve përgjegjëse.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1.Interes publik – interesi material ose jomaterial i ligjshëm dhe i drejtë në dobi të
qytetarëve.
1.2 Interes privat i personit zyrtar – nënkupton çfarëdo përparësie për personin
zyrtar, familjen e tij, të afërmit, miqtë dhe personat apo organizatat me të cilat ai ka
pasur apo ka marrëdhënie afariste.
1.3. Zyrtar i lartë – nënkupton zytarët e lartë publikë të përcaktuar sipas Ligjit përkatës
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
54
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
për deklarimin, kontrollin dhe prejardhjen e pasurisë.
1.4. Person zyrtar – nënkupton çdo person tjetër të zgjedhur ose të emëruar në një
organ shtetëror si edhe personat zyrtarë të përcaktuar sipas Kodit Penal të Republikës
së Kosovës që ushtrojnë detyra publike dhe që nuk përfshihen në nën-paragrafin 1.3.
të këtij neni.
1.5. Zyrtar - nënkupton çdo zyrtar të lartë dhe çdo person zyrtar sipas nën-paragrafëve
1.3. dhe 1.4. të këtij neni.
1.6. Person i afërm me zyrtarin – bashkëshorti ose personi që bashkëjeton, të afërmit
në vijë të drejtë të gjakut pa kufizime, të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallën e
katërt, adoptuesi, i adoptuari, i afërmi në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë si dhe
çdo person fizik apo juridik i cili ka pasur ose ka një lidhje të përbashkët interesi privat
pasuror ose jopasuror me zyrtarin. Për qëllime të këtij ligji, personi juridik konsiderohet
si person i afërm, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
1.7. Person i besuar – personi fizik ose juridik që ushtron në mënyrë të pavarur të drejtat
e administrimit te ndërmarrjes apo të drejta të tjera të përcaktuara me marrëveshje për
aksionet ose pjesët në kapital të zotëruara në mënyrë pasive nga zyrtari i lartë. Personi
i besuar nuk mund të jetë bashkëshorti, fëmijët, një zyrtar apo person tjetër me lidhje
varësie, qoftë edhe të tërthortë, për shkak të funksionit publik me zyrtarin në fjalë dhe
një ndërmarrje ose organizatë jofitimprurëse ku zyrtari zotëron pjesë në kapital ose
aksione apo ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloji.
1.8. Zotërimi aktiv i aksioneve ose pjesëve në kapital – ushtrimi i plotë i të gjitha të
drejtave që burojnë nga pronësia mbi aksionet ose pjesët në kapital.
1.9. Zotërimi pasiv i aksioneve ose i pjesëve në kapital – gjendja në të cilën pronari
ruan të drejtën e përfitimit të fryteve të pronësisë, por nuk mund të ushtrojë vetë asnjë
veprim tjetër mbi këtë pronë. Të gjitha veprimet e tjera si administrimi apo menaxhimi
dhe drejtimi i ndërmarrjes kryhen nga personi i besuar nga pronari në emër të vet por
për llogari të zyrtarit të lartë mbi bazën e një marrëveshje të lidhur ndërmjet tyre.
1.10. Përfitim i padrejtë – çdo pasuri dhe përfitim i padrejtë material ose jomaterial.
1.11. Dhuratë – e përcaktuar sipas Ligjit përkatës për deklarimin, kontrollin dhe
prejardhjen e pasurisë.
1.12. Vendimmarrje – çasti i fundit i procesit vendimmarrës gjatë të cilit vendoset
përmbajtja përfundimtare e aktit apo kontratës si dhe ato çaste paraprake të
vendimmarrjes të cilat janë thelbësore dhe përcaktuese në të cilat pjesëmarrja, ndikimi
dhe qëndrimi i zyrtarit përcaktojnë përmbajtjen përfundimtare të aktit apo kontratës si
dhe çdo veprim i zyrtarit në ushtrimin e funksionit publik.
1.13. Institucion – përfshin institucionet publike të nivelit qendror dhe lokal, ndërmarrjet
e nivelit qendror dhe lokal në të cilat ekziston pjesëmarrje e kapitalit shtetëror ose
vendor dhe institucionet e tjera të themeluara me ligj.
2. Fjalët e një gjinie përfshinë edhe gjininë tjetër.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
55
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
Neni 4
Subjektet
Përveç kur parashihet shprehimisht ndryshe me këtë ligj, subjekte të këtij ligji janë zyrtarët
e përcaktuar sipas paragrafit 1., nën-paragrafit 1.5. të nenit 3 të këtij ligji. Personat e afërm
me zyrtarët dhe personat e besuar janë subjekte të këtij ligji sipas përcaktimeve në dispozitat
përkatëse të tij.
Neni 5
Parimet e veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit
1. Zyrtari ushtron funksionin e tij në pajtim me ligjin dhe kodin përkatës të mirësjelljes.
2. Zyrtari duhet ta kryejë punën e tij me ndershmëri, ndërgjegje, paanshmëri, të ruajë autoritetin
e zyrtarit dhe institucionit dhe me punën e tij të forcojë besimin e qytetarëve në institucione.
3. Zyrtari, gjatë ushtrimit të funksionit publik, duhet të veprojë në mbrojtje të interesit publik dhe
nuk ka të drejtë që interesin e tij privat ta vë para interesit publik.
4. Zyrtari gjatë ushtrimit të funksionit të tij duhet të veprojë me transparencë duke respektuar të
drejtën e organeve përfaqësuese dhe të drejtën e qytetarëve që të informohen për veprimet e
zyrtarit si personalitet publik.
5. Zyrtari përgjigjet personalisht për veprimet e tij gjatë ushtrimit të funksionit në të cilin është
emëruar apo zgjedhur nga institucioni apo qytetarët.
6. Zyrtarit nuk i lejohet të kryejë një veprim të kundërligjshëm apo të mos kryejë një veprim të
ligjshëm, gjatë ushtrimit të funksionit të tij, me qëllim të marrjes së një përfitimi të padrejtë për
vete ose një person apo subjekt tjetër.
7. Zyrtari për punën që kryen në ushtrimin e funksionit nuk ka të drejtë të pranojë apo kërkojë
shpërblim tjetër si dhe ofrimin ose premtimin e shpërblimit përveç kompensimit që i lejohet në
bazë të dispozitave ligjore në fuqi.
8. Zyrtari duhet të shmang konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm apo
në dukje.
9. Zyrtari nuk mund të përdorë pozitën apo funksionin e vet për t’i avancuar interesat e veta
personale apo të personave të afërm.
KAPITULLI II
KONFLIKTI I INTERESIT
Neni 6
Konflikti i interesit
Konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të
ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
56
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
Neni 7
Identifikimi i konfliktit të interesit dhe burimi i informatave
1. Pavarësisht çdo detyrimi tjetër ligjor, çdo person që ka njohuri ose dyshim të arsyeshëm
për konflikt interesi të ndonjë zyrtari duhet ta lajmërojë institucionin punëdhënës të zyrtarit ose
Agjencinë kundër Korrupsionit (në tekstin e mëtejmë Agjencia).
2. Palët e prekura nga veprimet e zyrtarit apo cilido person që ka njohuri dhe interesa të ligjshme
duhet të ofrojnë informata të cilat i kanë në dispozicion lidhur me rastin.
3. Personi që ofron informata të bazuara për rastet e konfliktit të interesit gëzon mbrojtje në
pajtim me ligjin
Neni 8
Detyrimi për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit
1. Me marrjen e detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, zyrtari ka për detyrë të parandalojë dhe të
zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave
të tij publike dhe private.
2. Në rast se zyrtari ka dyshime apo konstaton se konflikti i interesit ka lindur ose mund të lindë,
ai duhet të këshillohet dhe të informojë sa më parë udhëheqësin e drejtpërdrejtë apo organin
udhëheqës. Gjatë kësaj kohe, zyrtari duhet të pezullojë të gjitha veprimet që ndërlidhen me këtë
çështje, deri në vendimin përkatës në lidhje me rastin.
3. Çdo udhëheqës dhe institucion udhëheqës duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për
të parandaluar dhe zgjidhur rastet e konfliktit të interesit.
4. Në rast se udhëheqësi apo institucioni udhëheqës nuk është i bindur për ekzistimin e konfliktit
të interesit apo dyshon se edhe vetë ka ose mund të ketë konflikt të interesit, atëherë i drejtohet
Agjencisë për marrje të vendimit për rastin.
5. Zyrtarët udhëheqës të institucioneve, që nuk kanë udhëheqës të drejtpërdrejtë për situatën e
përshkruar në paragrafin 3. të këtij neni i drejtohen Agjencisë.
6. Zyrtari apo institucioni i ndërmarrin veprimet e parapara në paragrafët 1. deri në 5. të këtij
neni brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh.
7. Agjencia ndërmerr veprimet e duhura dhe informon sa më parë subjektet e përmendura më
lart por jo më vonë se afati i përcaktuar në nenin 22, paragrafi 3. të këtij ligji.
Neni 9
Veprimet e ndaluara për zyrtarin
1. Gjatë ushtrimit të funksionit publik zyrtarit i ndalohen këto veprime:
1.1. të kërkojë apo pranojë dhuratë apo përfitim tjetër të padrejtë për vete apo personin
tjetër, ose ofertë apo premtim për dhuratë, në mënyrë që zyrtari të veprojë ose të mos
veprojë në kryerjen e detyrës së tij publike;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
57
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
1.2. të kërkojë, përvetësojë, pranojë shpërblime, dhurata, përfitime apo shërbime të
padrejta për vete ose për tjetrin si kompensim për përcaktimin e tij në vendimmarrje;
1.3. të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit të padrejtë
për vete apo të çdo personi tjetër fizik dhe juridik;
1.4. të premtojë, ofrojë ose japë dhuratë apo ndonjë përfitim tjetër të padrejtë në këmbim
të ndonjë dhurate apo përfitimi të padrejtë real ose të premtuar;
1.5.të ndikojë në kontraktimin, dhënien e punëve apo furnizimeve publike për përfitime
të padrejta për vete apo të çdo personi tjetër fizik dhe juridik;
1.6. të shfrytëzojë informatat e besueshme që i ka në dispozicion apo të marra në
mirëbesim në ushtrimin e funksionit për përfitime të padrejta për vete apo të çdo personi
tjetër fizik dhe juridik, të bashkaksionarëve apo personave në lidhje të mëhershme
afariste në pesë (5) vitet e fundit;
1.7. të ndikojë në vendimmarrje të organeve legjislative, gjyqësore apo ekzekutive
duke shfrytëzuar pozitën e zyrtarit me qëllim të përfitimit të padrejtë për vete apo të
çdo personi tjetër fizik dhe juridik, të bashkaksionarëve apo personave në lidhje të
mëhershme afariste në pesë (5) vitet e fundit;
1.8. të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten interesit personal
të tij apo të çdo personi tjetër fizik dhe juridik, të bashkaksionarëve apo personave në
lidhje të mëhershme afariste në pesë (5) vitet e fundit;
1.9. të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten apo do të
favorizonin interesin privat të ndonjë personi tjetër në dëm të interesit publik;
1.10. të fitojë për vete, personat e afërm dhe të besuar çdo përfitim të padrejtë ekzistues
ose të ardhshëm, dhuratë, pjesë në kapital, aksione dhe pasuri nga ndërmarrjet publike
me pjesë në kapital ose në aksione të një institucioni ku ai është përfaqësues, përfshirë
përfitime të padrejta të drejtpërdrejta ose të tërthorta nga furnizues apo klientë të këtyre
ndërmarrjeve;
1.11. të fitojë për vete, personat e afërm dhe të besuar çdo përfitim të padrejtë ekzistues
ose të ardhshëm, dhuratë, pjesë në kapital, aksione dhe pasuri nga personat juridikë
privatë që përfitojnë kontrata publike, kreditim ose fonde të tjera publike, privatizim të
pronës publike, lehtësi nga detyrimet doganore ose tatimore ose që ushtrojnë veprimtari
në zona të lira në rastet kur është përfshirë gjatë ushtrimit të funksionit dhe ka ndikuar
drejtpërdrejt ose tërthorazi në fitimin e këtyre të drejtave në dobi të tyre;
1.12. të ndërmarrë veprime me efekte ndëshkuese apo të bëhet pengesë për fitimin
e të drejtave të ligjshme të zyrtarëve apo subjekteve që ofrojnë informata për raste të
konfliktit të interesit të zyrtarit, personave të lidhur me të ose personave të besuar për
këtë shkak.
1.13. të përdorë ose të lejojë që të përdoren pasuritë zyrtare të institucionit punëdhënës,
përfshirë dokumentet zyrtare, për ndonjë qëllim tjetër që nuk përputhet me ushtrimin e
detyrës publike.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
58
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
Neni 10
Ushtrimi i punëve të tjera nga zyrtari
1. Zyrtari i zgjedhur si përfaqësues i partisë politike ruan të drejtën e ushtrimit të funksionit në
parti politike nëse me ligj të veçantë nuk është paraparë ndryshe.
2. Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari mund të ushtrojë punë nga lëmi i
shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarisë humanitare, nëse nuk parashihet ndryshe
me ligje të tjera.
3. Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari mund të realizojë fitime në bazë të drejtave
të autorit, patentave, pronësisë intelektuale dhe industriale dhe të drejtave të ngjashme, përveç
nëse përcaktohet ndryshe me ligj.
Neni 11
Punët e ndaluara për zyrtarin
1. Zyrtarit i ndalohet që të kryejë punë të tjera nëse:
1.1. mund të keqpërdorë informacionin zyrtar për interesa private;
1.2. punët e tilla mund të ndikojnë në paanshmërinë e ushtrimit të detyrës publike dhe
cenojnë respektimin e parimeve të konkurrencës së lirë;
1.3. angazhime të tilla mund të dëmtojnë reputacionin e institucionit;
1.4. angazhimi ka të bëjë me zgjedhjen, emërimin apo caktimin në institucione vartëse
të institucionit punëdhënës, me përjashtim kur një angazhim i tillë është paraparë me
ligj të veçantë.
Neni 12
Kufizimi i zyrtarit të lartë në ushtrimin e veprimtarive të tjera krahas ushtrimit të
funksionit publik
1. Zyrtari i lartë nuk mund të ushtrojë veprimtari profesionale të avokatisë, noterisë, përmbaruesit
privat, administratorit të falimentimit, ekspertit të licencuar, konsulentit ose agjentit të personave
juridikë si dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër.
2. Në kuptim të këtij neni, veprimtari profesionale nënkuptojnë veprimtaritë për të cilat kërkohet
licencim sipas ligjit në fuqi.
Neni 13
Papajtueshmëria me ushtrimin e funksionit publik
1. Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi
menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për
shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin
14 të këtij ligji, subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak
të funksionit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
59
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
2. Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në
pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të
tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e
anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë,
përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të
lidhura me të.
3. Personat e përmendur në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, si dhe ndërmarrja në të cilën
zyrtari i lartë ka pronësi apo pjesë të pronësisë, e drejtuar nga personi i besuar apo i afërm, nuk
kanë të drejtë të lidhin kontratë ose të përfitojnë ndihmë nga institucionet qendrore ose lokale,
në të cilat zyrtari i lartë ushtron detyra publike.
4. Nëse zyrtari i lartë bie në kundërshtim me paragrafin 3. të këtij neni, atëherë Agjencia duhet
të kërkojë nga organi kompetent anulimin e kontratës me ndërmarrjen apo kthimin e çfarëdo
përfitimi të padrejtë të ndërmarrjes tek institucioni në të cilin zyrtari i lartë ushtron funksion
publik.
Neni 14
Anëtarësia në organizata joqeveritare
1. Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të
organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare
dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e
shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to.
2. Organizata joqeveritare sipas paragrafit 1. të këtij neni nuk ka të drejtë të lidhë kontratë ose
të përfitojë fonde nga institucioni ku ushtron detyrën zyrtari që është anëtar i organit drejtues
në këtë organizatë.
Neni 15
Transferimi i të drejtave në drejtimin e ndërmarrjes
1.Zyrtari i lartë nuk mund të ushtrojë në mënyrë aktive të drejtën e administrimit dhe drejtimit në
një ndërmarrje, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.
2. Zyrtari i lartë, pronari i aksioneve, gjegjësisht pjesës së kapitalit në një ndërmarrje, gjatë
ushtrimit të funksionit publik, duhet t’i transferojë të drejtat e administrimit ose menaxhimit, apo
drejtimit tё ndërmarrjes tek ndonjë person i besuar.
3. Zyrtari i lartë, është i obliguar që në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga zgjedhja, vendosja ose
emërimi në detyrën publike, të bëjë transferimin e të drejtave në udhëheqjen e ndërmarrjes në
personin e besuar kurse brenda afatit prej pesë (5) ditësh nga data e transferimit të këtyre të
drejtave ta njoftojë me shkrim Agjencinë mbi personin e besuar dhe evidencën e transferimit të
të drejtave të menaxhimit.
4. Personi i besuar sipas paragrafit 2. të këtij neni do të veprojë në drejtim të realizimit të
drejtave të zyrtarit të lartë dhe të drejtave nga kapitali në emër të tij por për llogari të zyrtarit të
lartë.
5. Nëse personi i besuar apo i afërm krijon marrëdhënie afariste me institucionet e qeverisjes
qendrore, lokale, ndërmarrjet publike apo me ndërmarrjet private ku kapitali i pronës publike
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
60
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
ka më shumë se pesë përqind (5)% të kapitalit apo aksioneve, ai është i detyruar që të njoftojë
zyrtarin e lartë dhe institucionin e tij punëdhënës lidhur me marrëdhëniet e tilla afariste.
6. Gjatë kohës kur të drejtat për administrim dhe drejtim të ndërmarrjes i janë transferuar personit
të besuar, zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të përfaqësojë biznesin, të deklarohet për biznesin,
të japë informata, udhëzime, urdhëresa apo të ushtrojë ndikim në ndonjë mënyrë tjetër, të
qëndrojë në lidhje me personin e besuar ashtu që të ketë ndikim në realizimin e të drejtave dhe
përmbushjen e detyrave që dalin nga administrimi dhe drejtimi i ndërmarrjeve të tilla.
7. Zyrtari i lartë ka të drejtë të informohet për ecuritë dhe gjendjen në ndërmarrjen ku ka pronësi,
ose pjesë të pronësisë. Palët, në çdo rast, ruajnë të drejtën e zgjidhjes së marrëveshjes.
8. Zyrtari i lartë ka të drejtë të rikthejë të drejtat në administrimin apo menaxhimin e ndërmarrjes
nga personi i besuar, kur sipas këtij ligji kushtet që diktuan këtë veprim nuk ekzistojnë më.
Neni 16
Tentimi dhe ndikimi në vullnetin e zyrtarit
1. Nëse ekziston tentimi i ndikimit në vullnetin e tij, zyrtari duhet ta lajmërojë me shkrim dhe
të konsultohet me udhëheqësin apo institucionin udhëheqës të organit që e ka zgjedhur apo
emëruar në mënyrë që të shmang çdo ndikim në vullnetin e tij.
2. Nëse ndaj zyrtarit gjatë dhe lidhur me ushtrimin e funksionit publik ushtrohet ndikim i
drejtpërdrejtë apo i tërthortë, haptazi apo në mënyrë anonime për të votuar apo për të marrë
vendim konkret, zyrtari e njofton me shkrim institucionin që e ka zgjedhur apo emëruar si
dhe Agjencinë e cila pas shqyrtimit do të vendosë nëse ekziston një bazë e arsyeshme që të
lajmërohen organet e ndjekjes.
3. Në rast tentimi apo ushtrimi të ndikimit për ta ndryshuar vullnetin e tij, zyrtari duhet:
3.1. të refuzojë ofertën;
3.2. të përpiqet të identifikojë ofertuesin nëse oferta është anonime dhe shkaqet ose
interesat e mundshme;
3.3. nëse është fjala për dhuratë e cila për shkak të rrethanave nuk mund të kthehet,
zyrtari duhet menjëherë ta njoftojë me shkrim dhe ta dorëzojë dhuratën te udhëheqësi
mundësisht sa më shpejt dhe jo më vonë se pesë (5) ditë;
3.4. të tregojë dëshmitarët e ndodhisë nëse kjo është e mundur.
4. Nëse konstatohet se votimi dhe vendimi është marrë në kundërshtim me paragrafin 3. të këtij
neni ai shpallet i pavlefshëm nga institucioni përkatës.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
61
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
KAPITULLI III
DEKLARIMI I INTERESAVE PRIVATE
Neni 17
Deklarimi rast për rast i interesave private të zyrtarit
1. Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim,
detyrohet që të bëjë vetëdeklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij
privat ose të personave të afërm me të lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që
mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje.
2. Deklarimi rast për rast i interesave private bëhet çdo herë nga zyrtari, kur kjo kërkohet nga
udhëheqësi ose nga institucioni udhëheqës apo mbikëqyrës. Deklarimi, si rregull, duhet kërkuar
dhe bërë paraprakisht. Kur kjo nuk është e mundur ose kur nuk ka ndodhur, deklarimi duhet të
kërkohet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur por jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga
data e kërkesës ose e konstatimit të konfliktit të interesit.
3. Vetëdeklarimi ose deklarimi me kërkesë si rregull bëhet me shkrim, kur zyrtari përfshihet në
një vendimmarrje për ndonjë çështje të caktuar.
4. Për çdo rast të shfaqjes së një konflikti rast për rast të interesit, institucioni punëdhënës
regjistron identitetin e zyrtarit, interesat private të tij, shkak për një konflikt interesi dhe konfliktin
apo papajtueshmërinë e konstatuar, palët e interesuara, burimin e informatave, si dhe vendimet
e marra për parandalimin, trajtimin dhe zgjidhjen e tyre.
5. Deklaratat për interesat private dhe të gjitha dokumentet që i shoqërojnë konsiderohen
dokumente zyrtare.
KAPITULLI IV
KUFIZIMET PAS USHTRIMIT TË DETYRËS PUBLIKE
Neni 18
Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike
1. Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë:
1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit
të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në
kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse
të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin
publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të
funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo
sanksionimin e aktivitetit të tyre;
1.2. të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë
personi të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një
periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik;
1.3. të përfaqësojë, ndihmojë ose këshillojë ndonjë person fizik ose juridik, drejtpërdrejt
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
62
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, në një konflikt ose marrëdhënie
biznesi me institucionin, për detyrën që ai ka kryer ose që është në vazhdimësi të saj
për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik; dhe
1.4. të përdorë informacionin e privilegjuar ose konfidencial të siguruar gjatë ushtrimit
të funksionit publik për qëllime e punësime të tjera në të ardhmen për interesin privat
të vet ose të një personi të afërm apo të besuar për një periudhë deri në dy (2) vjet pas
përfundimit të funksionit publik.
2. Institucioni në të cilën zyrtari i lartë ka ushtruar funksion publik nuk mund të bëjë biznes deri
në një vit nga mbarimi i funksionit publik me subjektin në të cilin ish-zyrtari, personi i afërm me
të apo personi i besuar kanë një pjesëmarrje prej jo më pak se pesë përqind (5%) në të drejtat
e themeluesve, menaxhimin apo kapitalin, si me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet
pjesëmarrjes së personave të tjerë juridikë.
3. Institucioni në të cilin zyrtari i lartë ka ushtruar funksion publik duhet, sa më parë por jo më
vonë se tridhjetë (30) ditë, të informojë Agjencinë për ndonjë nga rrethanat e përmendura në
paragrafin 1. të këtij neni.
KAPITULLI V
MBIKËQYRJA
Neni 19
Masat për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesave
1. Në ushtrimin e funksionit publik, zyrtari sipas rastit dhe rrethanave:
1.1. transferon interesin privat dhe të drejtat në drejtimin e ndërmarrjes sipas
përcaktimeve të nenit 15 të këtij ligji;
1.2. merr masa për vetëpërjashtimin ose përjashtimin paraprak nga procesi i
vendimmarrjes, diskutimit dhe votimit të çështjes në konflikt me përjashtim të rasteve
të përcaktuar shprehimisht me ligj;
1.3. jep dorëheqjen nga detyrat, funksionet ose veprimtaritë që janë në konflikt ose të
papajtueshme me funksionin e tij publik;
1.4. dorëhiqet nga funksioni publik.
2. Çdo udhëheqës i zyrtarit ose institucion udhëheqës merr masat e nevojshme, të
përshkallëzuara dhe proporcionale për të shmangur paraprakisht dhe në çdo rast konfliktin real
ose të mundshëm të interesave për shkak të zgjedhjes, emërimit apo caktimit të detyrave ose
përgjegjësive të caktuara të zyrtarit. Këto masa përfshijnë por nuk kufizohen:
2.1. kufizimin e informatave të caktuara për zyrtarin ose shmangien e detyrave
dhe përgjegjësive që përbëjnë shkak në shfaqjen e konfliktit të interesit ose të
papajtueshmërive;
2.2. përjashtimin e zyrtarit nga pjesëmarrja në vendimmarrje;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
63
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
2.3. rishikimin ose ndryshimin e detyrave dhe kompetencave të zyrtarit ose transferimin
në një detyrë tjetër që mënjanon konfliktin e interesave, për aq sa nuk parashihet
ndryshe me ligj;
2.4. shmangien e emërimit ose të zgjedhjes së zyrtarit në funksione në të cilat ekzistojnë
ose mund të lindin konflikte të interesave;
2.5. revokimin ose anulimin e një akti të marrë në kushtet e konfliktit të interesave.
3. Pavarësisht masave bazë të mësipërme dhe çdo mase tjetër të paraparë me ligj, zyrtari ose
udhëheqësi i tij sipas hierarkisë nuk përjashtohen nga përgjegjësia kur masat e marra nuk japin
efekt në parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit ose papajtueshmërive sipas këtij ligji.
4. Udhëheqësi ose institucioni udhëheqës njoftojnë Agjencinë për masat e marra për
parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit ose papajtueshmërive sipas këtij ligji.
Neni 20
Autoritetet përgjegjëse
1. Agjencia është autoriteti qendror përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij
ligji.
2. Autoritetet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji në institucionet janë:
2.1.udhëheqësit e drejtpërdrejtë të zyrtarëve, sipas hierarkisë, brenda një institucioni;
2.2.institucionet dhe autoritetet udhëheqëse sipas ligjit.
3. Institucionet në kuadër të akteve të tyre të brendshme, parashohin dhe zbatojnë rregulla të
veçanta për parandalimin e konfliktit të interesit, varësisht fushëveprimit të institucionit përkatës.
4. Institucioni punëdhënës:
4.1. mbledh dhe pranon nga burime të ligjshme informata për interesat privatë të
një zyrtari, përfshirë të dhënat publike ose private, informatat e ofruara nga media
dhe ankesat e qytetarëve sipas ligjit përkatës për mbrojtjen e informatorëve dhe çdo
dispozitë tjetër ligjore në fuqi;
4.2. verifikon besueshmërinë e burimeve dhe informatave për të vërtetuar konfliktin e
interesit;
4.3. vë në dijeni zyrtarin për informatat e siguruara për të dhe që përbëjnë shkak për
konflikt të interesit dhe i jep mundësi të provojë të kundërtën nëse kjo kërkohet nga
zyrtari;
4.4. njofton me shkrim raportuesin brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh për
shqyrtimin e mëtejmë të informatës.
5. Punëdhënësi i zyrtarit kryen regjistrimin e interesave privatë të zyrtarit, ndërmerr masat e
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
64
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
duhura për zgjidhjen e konfliktit të interesit dhe raporton tek Agjencia brenda afatit kohor të
përcaktuar nga ajo.
6. Autoritetet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji në institucione i dorëzojnë Agjencisë çdo vit për
vitin pararendës, por jo më vonë se data 31 janar, një raport për veprimtarinë e kryer në zbatim
të këtij ligji, përfshirë rastet e konfliktit të interesave, mënyrat e ndjekura për parandalimin ose
trajtimin e tyre, rezultatet e arritura, si dhe statusin e trajtimit të tyre.
Neni 21
Detyrat dhe kompetencat e Agjencisë
1. Agjencia kryen detyra dhe ka këto përgjegjësi:
1.1. ndihmon në përgatitjen dhe përmirësimin e politikave dhe të mekanizmave të
parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave si dhe monitoron zbatimin e tyre;
1.2. ofron ndihmë profesionale dhe teknike për këshillimin dhe mbështetjen e nismave
ligjore dhe nënligjore, të cilat duhet të ndërmerren nga institucionet, për parandalimin
e konfliktit të interesave;
1.3. ofron rekomandime për Kuvendin e Republikës së Kosovës për vlerësimin e
projektligjeve që kanë të bëjnë me çështjen e konfliktit të interesave, kur kjo kërkohet
nga ky institucion;
1.4. kryen hetim administrativ në përputhje me procedurën administrative dhe jep
rekomandime për forcimin e kapaciteteve për administrimin e konfliktit të interesave në
institucione;
1.5. ofron këshillim për zyrtarët të lartë të veçantë, udhëheqësve, institucioneve
udhëheqëse, me kërkesën e tyre, për raste të caktuara të shfaqjes së konfliktit të
interesave, përfshirë këshillime të veçanta për personat zyrtarë sipas këtij ligji pasi
janë shteruar mjetet e brendshme në institucionet punëdhënëse dhe kur gjykohet e
domosdoshme përfshirja e Agjencisë;
1.6. mban regjistrin për rastet e konfliktit të interesit dhe masat përkatëse të ndërmarra
nga Agjencia dhe mbledh informatat e raportuara nga institucionet për regjistrat përkatës
të deklarimit, trajtimit dhe zgjidhjes së rasteve të shfaqjes së konfliktit të interesave;
1.7. ofron opinione dhe ndërmerr të gjitha masat e tjera ligjore me qëllim të parandalimit
të konfliktit të interesit dhe të korrupsionit në tërësi;
1.8. inicion veprimet ligjore në institucionet kompetente, me qëllim shpalljen e
pavlefshmërisë dhe rregullimin e pasojave që rrjedhin prej saj për aktet dhe kontratat
administrative të nxjerra në kushtet e konfliktit të interesave, me kërkesën e palëve të
interesuara ose me nismën e saj;
1.9. ushtron çdo kompetencë tjetër, të dhënë në këtë ligj.
2. Në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj, Agjencia shprehet me vendime, rekomandime
dhe opinione.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
65
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
3. Agjencia ka të drejtë të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në çdo fazë të aktiviteteve
të prokurimit publik. Me rastin e marrjes së vendimeve që kanë të bëjnë me përbërjen e
komisioneve vlerësuese dhe mbikëqyrëse për procedura të prokurimit publik, udhëheqësi i
institucionit ose i autorizuari i tij e njofton Agjencinë me shkrim, për anëtarët e atij komisioni dhe
çdo ndryshim të mundshëm. Në rastet e konfliktit të interesave sipas përcaktimeve në këtë ligj
dhe në legjislacionin për prokurimin publik, Agjencia vepron në përputhje me këtë ligj. Në rast
të parregullsive të tjera të mundshme, Agjencia nxjerr një opinion, ua dërgon atë autoriteteve
përkatëse dhe e publikon.
4. Për verifikimin dhe hetimin administrativ të konfliktit të interesit dhe papajtueshmërive,
Agjencia ka të drejtë të shfrytëzojë informatat e nevojshme në të gjithë institucionet dhe
në personat juridikë publikë e privatë, të cilët detyrohen të venë në dispozicion dhe/ose të
sigurojnë qasje në informatat e kërkuara apo burimet e tyre në favor të Agjencisë, jo më vonë
se pesëmbëdhjetë (15) ditë.
Neni 22
Procedura administrative e Agjencisë për rastet e konfliktit te interesit
1. Procedura në Agjenci fillon:
1.1. sipas detyrës zyrtare;
1.2. me kërkesën e zyrtarit të lartë;
1.3. me kërkesën e personit zyrtar dhe pas aprovimit nga institucioni punëdhënës;
1.4.me kërkesën e institucionit;
1.5. në bazë të lajmërimit të ndonjë personi tjetër apo lajmërimit anonim.
2. Inicimi i procedurës për konflikt të interesit në Agjenci nuk mund të fillojë në qoftë se kanë
kaluar dy (2) vite nga data e kryrjes së veprimit, përveç kur parashihet ndryshe me ligj.
3. Agjencia njofton raportuesin brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh për shqyrtimin e
mëtejmë të informatës.
4. Në rast të dyshimit të bazuar për ekzistimin e konfliktit të interesit, Agjencia inicion menjëherë
procedurën për vërtetimin e ekzistencës së konfliktit të interesit dhe pasojat e tij.
5. Agjencia e informon zyrtarin e lartë dhe personin zyrtar në rastet e përcaktuara sipas nenit
21, paragrafi 1., nën-paragrafi 1.5. të këtij ligji për fillimin e procedurës dhe, me kërkesën e tij,
e njofton me faktet që posedon Agjencia.
6.Procedura e Agjencisë është konfidenciale. Agjencia i bën të njohura vetëm rezultatet
përfundimtare të procedurës së zhvilluar.
7. Nëse pas zgjedhjes, emërimit, ose konfirmimit te mandatit, zyrtari vazhdon të kryejë një
aktivitet apo funksion që ky ligj e përcakton si të papajtueshëm me funksionin e ri, Agjencia e
paralajmëron zyrtarin dhe institucionin punëdhënës që brenda afatit prej shtatë (7) ditësh të
ndërpresë aktivitetin apo të heqë dorë nga funksioni.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
66
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
8. Në rast se zyrtari vazhdon të kryejë aktivitete apo funksione të papajtueshme sipas këtij ligji,
pavarësisht nga paralajmërimi i Agjencisë, atëherë Agjencia i kërkon institucionit punëdhënës
që të fillojë procedurën për shkarkimin e zyrtarit.
9. Institucioni ku zyrtari vazhdon të kryejë një aktivitet ose funksion të papajtueshëm me këtë
ligj, duhet të fillojë procedurën për shkarkimin nga funksioni sipas kërkesës së Agjencisë.
10. Kur deputeti i Kuvendit ushtron aktivitet të papajtueshëm me këtë ligj, Agjencia e njofton
kryetarin e kuvendit, dhe kërkon fillimin e procedurave ligjore ndaj tij.
11. Organet kompetente njoftojnë Agjencinë brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga marrja e
njoftimit për veprimet e ndërmarra prej tyre.
12. Të gjitha vendimet që i nxjerr Agjencia lidhur me konfliktin e interesit në ushtrimin e funksionit
publik dhe shkeljen e dispozitave të këtij ligji, përfshirë veprimet e ndaluara ose të kufizuara në
ushtrimin e funksionit publik, ushtrimin e veprimtarive të tjera, papajtueshmëritë në ushtrimin
e funksionit publik, duhet të respektohen nga zyrtarët dhe institucionet përgjegjëse. Ato bëhen
publike në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë.
13. Agjencia i kërkon rishqyrtimin, revokimin dhe/ose shfuqizimin e aktit të nxjerrë në konflikt
të interesit organit që e ka nxjerrë atë. Që nga momenti kur Agjencia kërkon rishqyrtimin e
vendimit, çdo veprim për zbatimin e tij pezullohet deri në momentin kur organi vendos për
vlefshmërinë e vendimit.
14. Agjencia i kërkon organit administrativ të deklarohet brenda tridhjetë (30) ditësh nga marrja
e njoftimit, për masën e dëmit të shkaktuar nga marrja e vendimit në konflikt interesi.
15. Vendimet e Agjencisë në lidhje me konfliktin e interesit janë përfundimtare në procedurë
administrative.
16. Për të gjitha rastet e iniciuara të konfliktit të interesit përmes autoriteteve përgjegjëse,
Agjencia vendos në një afat brenda dyzet e pesë (45) ditësh. Për rastet tjera vlejnë afatet e
përcaktuara me ligjin për Agjencinë Kundër Korrupsionit..
17. Brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Agjencia nxjerr rregullore për
përcaktimin e formularëve për deklarimin dhe regjistrimin e konfliktit të interesit.
KAPITULLI VI
SANKSIONET
Neni 23
Sanksionet
1. Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj e që nuk përbën vepër penale sipas Kodit
Penal të Republikës së Kosovës, paraqet kundërvajtje dhe dënohet me gjobë si më poshtë:
1.1. për shkelje të dispozitave të parapara në nenin 12, nenin 13, paragrafin 1, 2 dhe 3,
nenin 14, nenin 15, paragrafët 1, 2, 3 dhe 6, nenin 17, paragrafi 2, nenin 18, paragrafi
1, dhe nenin 19, paragrafi 1, zyrtari ose personi i afërm me të dënohet me gjobë nga
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
67
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
njëmijë (1,000) Euro deri në dymijë (2,000) Euro dhe me dyfishin e tyre në rast përsëritje
të shkeljes së vërtetuar;
1.2. për shkelje të dispozitave të nenit 9, paragrafi 1, nën-paragrafët 1.4, 1.6, 1.7, 1.8,
1.9, 1.11, 1.12, 1.13 dhe 1.14, nenit 13, paragrafi 3, nenit 15, paragrafi 4 dhe 5 dhe
nenit 18, paragrafi 1, nën-paragrafët 1.2, 1.3 dhe 1.4 të këtij ligji, personi i besuar
dënohet me gjobë nga njëmijë (1,000) Euro deri në dymijë (2,000) Euro;
1.3. për shkelje të dispozitave të parapara në nenin 8, paragrafët 3, 4 dhe 5, nenin 16,
paragrafi 4, nenin 18, paragrafi 2, nenin 19, paragrafi 2, nenin 20, paragrafi 6, nenin 21,
paragrafi 3 dhe nenin 22, paragrafi 9, zyrtari përgjegjës i institucionit dënohet me gjobë
nga njëmijë (1,000) Euro deri në dymijë (2,000) Euro;
1.4. për shkelje të dispozitave të nenit 13, paragrafi 1 dhe 3, nenit 15, paragrafi 5, nenit
18, paragrafi 1, nën-paragrafët 1.1, 1.2 dhe 1.3 dhe nenit 21, paragrafi 4 të këtij ligji,
personi juridik privat dënohet me gjobë nga njëmijë (1,000) Euro deri në pesëmbëdhjetë
mijë (15,000) Euro;
1.5. kur nuk jepen pa arsye të dhënat e kërkuara nga Agjencia, sipas paragrafit 4 të nenit
21 të këtij ligji, personat përgjegjës të institucioneve dhe personave juridikë publikë dhe
privatë dënohen me gjobë nga pesëqind (500) Euro deri në njëmijë e pesëqind (1,500)
Euro;
1.6. për shkelje të dispozitave të nenit 8, paragrafët 1 dhe 2, nenit 9, nenit 10, paragrafi
4, nenit 11, nenit 16, paragrafët 1, 2 dhe 3, nën-paragrafët 3.1, 3.2 dhe 3.3 dhe nenit
17, paragrafët 1 dhe 4 të këtij ligji, zyrtari ose personi i afërm me të dënohet me gjobë
nga gjashtëqind (600) Euro deri në njëmijë e pesqind (1,500) Euro.
2. Për shkelje të detyrimeve të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, gjykata mund të shqiptojë
ndaj zyrtarit apo drejtuesit të institucionit, përveç dënimit me gjobë, edhe masën mbrojtëse të
ndalimit të ushtrimit të funksionit publik me kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj deri në dy (2) vjet.
3. Për veprat kundërvajtëse, Agjencia dhe çdo institucion punëdhënës inicion procedurën
kundërvajtëse në pajtim me ligjin.
Neni 24
Përgjegjësitë e tjera ligjore dhe pasojat mbi aktet
1. Çdo shkelje e dispozitave të këtij ligji do të konsiderohet edhe si shkelje disiplinore,
pavarësisht përgjegjësive eventuale penale. Shkeljet disiplinore trajtohen në pajtim me rregullat
që i rregullojnë marrëdhëniet e punës dhe statusin e zyrtarëve. Institucionet/organizatat që i
kanë iniciuar procedurat disiplinore sipas këtij ligji duhet ta njoftojnë Agjencinë për inicimin dhe
rezultatin e atyre procedurave.
2. Dispozitat e këtij ligji nuk përjashtojnë përgjegjësinë disiplinore dhe penale të zyrtarit sipas
legjislacionit në fuqi.
3. Agjencia, çdo zyrtar, udhëheqës i zyrtarit dhe çdo institucion ushtrojnë kallëzim penal në
prokurorinë e shtetit kompetente ndaj zyrtarit i cili shkel detyrimet e parapara me këtë ligj, e që
përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 27 PRILL 2018, PRISHTINË
68
LIGJI Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
4. Për inicimin e procedurës përkatëse, Agjencia, zyrtari dhe udhëheqësi i zyrtarit e njoftojnë
udhëheqësin e institucionit në të cilin zyrtari punon apo ka punuar.
5. Agjencia inicion procedurën administrative për revokimin ose shfuqizimin e akteve nga ana e
institucionit që i ka lëshuar ato në konflikt interesi.
6. Agjencia inicion procedurën administrative dhe/ose gjyqësore për anulimin e akteve dhe për
obligimin e zyrtarit përgjegjës për shlyerjen e pasojave materiale dhe financiare të akteve të
marra në kushtet e konfliktit të interesit.
KAPITULLI VII
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 25
Shfuqizimi
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji nr. 04/L-051 për parandalimin e konfliktit të
interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Neni 26
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 06/L -011
30 mars 2018
Shpallur me dekretin Nr. DL-020-2018, datë 20.04.2018 nga Presidenti i Republikës së
Kosovës Hashim Thaçi