RREGULLORE (K.PR) 110-230121 PËR RENDIN E BRENDSHËM NË PARKUN E GËRMISË

1






Republika e Kosovës
Republika Kosova – Republic of Kosovo

Komuna e Prishtinës
Opština Priština –Municipality of Prishtina






Në bazë të dispozitave të nenit 12, paragrafi 12.2, pika c, të nenit 17, pika p dhe nenit 40,
paragrafi 40.2, pika a të Ligjit nr. 03/L – 040, për vetëqeverisje lokale, të nenit 13 të Ligjit
nr. 03/L – 233, për mbrojtjen e natyrës dhe të nenit 34, paragrafi 34.1, pika c të Statutit të
Komunës së Prishtinës, 01. nr. 110 – 391, të dt. 25.2.2010, Kuvendi i Komunës së
Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur më 29.09.2014, miratoi këtë

RR E G U LL O R E
PËR
RENDIN E BRENDSHËM NË PARKUN E GËRMISË

I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1.
Në bazë të kësaj rregulloreje përcaktohen kriteret për mbrojtjen, përparimin,
promovimin dhe shfrytëzimin e Parkut të Gërmisë (në tekstin e mëtejmë: Parku i
Gërmisë), caktohen masat dhe gjobat kundërvajtëse për mos respektim të dispozitave
të kësaj rregulloreje.

Neni 2.
Punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe punonjësit e tjerë të NPL
“Hortikultura” SH.A. nga Prishtina, që merren me udhëheqjen e Parkut të Gërmisë (në
tekstin e mëtejm: Drejtoria dhe Ndërmarrja), pronarët dhe shfrytëzuesit e ligjshëm të
paluajtshmërive në Parkun e Gërmisë, personat fizikë dhe juridikë, të cilët brenda
Parkut të Gërmisë kryejnë veprimtari të biznesit, si dhe vizitorët e Parkut të Gërmisë,
janë të obliguar që të iu përmbahen dispozitave të kësaj rregulloreje dhe akteve të cilat
nxirren në pajtim me dispozitat e ligjit që rregullon çështjen e mbrojtjes së natyrës.

Neni 3.
Pronarët dhe shfrytëzuesit e paluajtshmërive dhe ushtruesit e veprimtarive të biznesit
në Parkun e Gërmisë, janë të obliguar që të lejojnë zyrtarët e Drejtorisë, Ndërmarrjes
dhe organeve të tjera të administratës së Komunës të kryejnë aktivitetet e shërbimit
publik, me qëllim të mbrojtjes së natyrës, mundësimit të vizitave me qëllim të
hulumtimeve shkencore dhe profesionale, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të kushteve të
përcaktuara për mbrojtjen e natyrës.
2



II. RENDI I BRENDSHËM NË PARKUN E GËRMISË

1. MBROJTJA

Neni 4.
1. Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohen të gjitha veprimtaritë, të cilat mund të
shkaktojnë ndryshime ose dëmtime të pjesës së mbrojtur të natyrës, veprime të cilat do
të ndryshonin pamjen natyrore dhe dëmtojnë vlerat e peizazhit të Parkut të Gërmisë.
2. Përjashtim mund të ketë kur me lejen e Drejtorisë, e cila jepet në bazë të kushteve të
mbrojtjes, lejohet ndërtimi ose rindërtimi i objekteve, të cilat shërbejnë për mbrojtje,
mirëmbajtje dhe promovimin e Parkut të Gërmisë, e që nuk e ndryshojnë pamjen
natyrore dhe nuk i dëmtojnë vlerat e peizazhit, sipas Planit hapësinor për Parkun e
Gërmisë.
3. Dispozitat nga paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni, zbatohen edhe për ndërtimin dhe
vendosjen e objekteve të përkohshme.

Neni 5.
1. Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohen të gjitha aktivitetet hidromelioruse, të cilat
ndryshojnë sistemin natyror të ujërave, ose ndryshojnë rrjedhat ujore në Parkun e
Gërmisë.
2. Përjashtim mund të ketë nëse në bazë të studimit shkencor dhe sipas kushteve për
mbrojtjen e natyrës, të cilat i përcakton Drejtoria, veprimet hidromelioruse lejohen nëse
shërbejnë për ruajtjen e sistemit natyror të ujërave në Parkun e Gërmisë.

Neni 6.
1. Ndalohet nxjerrja e zhavorrit, lëndëve minerale, si dhe çdo eksploatim tjetër i
resurseve natyrore ose ndryshimi i peisazhit.
2. Perjashtim për ndalesën e cekur në paragrafin 1 të këtij neni, mund të ketë në rast se,
me leje të vecantë të Drejtorisë, lejohet nxjerrja e zhavorrit, lëndëve minerale, si dhe çdo
eksploatim tjetër i resurseve natyrore ose ndryshimi i peisaishit.

Neni 7.
1.Ndalohet çdo ndotje e ajrit, tokës dhe ujit, e cila bëhet përmes:

1.1. hedhjes së mbeturinave industriale, amvisërisë dhe të tjera;
1.2. hedhjes së materialit inert - ndërtimor nga konstruktimi dhe demolimi;
1.3. derdhjes së lëngjeve dhe përdorimit të mjeteve kimike, me të cilat mund të
rrezikohet bota bimore dhe shtazore.

2. Vizitorët e Parkut të Gërmisë janë të obliguar që të gjitha mbeturinat t’i hedhin në
vendet e parapara dhe të shënuara për atë qëllim.
3. Drejtoria është e obliguar që të sigurojë dhe shënojë vendet për hedhjen e
mbeturinave, sipas akteve nënligjore dhe kësaj rregulloreje.

3



1.1. Mbrojtja e botës bimore

Neni 8.
1. Ndalohet futja dhe mbëltimi i llojeve bimore të huaja (alohtone), hibrideve dhe
klonimeve në Parkun e Gërmisë.
2. Përjashtim nga ndalesa e cekur në paragrafin 1 të këtij neni, mund të ketë në rast se,
me leje të vecantë të Drejtorisë, lejohet futja dhe mbëltimi i llojeve bimore të huaja
(alohtone), hibrideve dhe klonimeve në Parkun e Gërmisë.

Neni 9.
1. Në territorin e Parkut Gërmia lejohet kositja e barit në vendet e caktuara.
2. Ndërmarrja organizon kositjen e barit në rrugë, me qëllim të mbrojtjes kundër zjarrit
dhe mirëmbajtjes së livadheve sipas planit vjetor të punës.

Neni 10.
Në territorin e hapur të Parkut të Gërmisë ndalohet djegia e barit dhe barojave.

Neni 11.
1. Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohet prerja e drurëve dhe ripyllëzimi.
2. Përjashtim mund të ketë në rast se, në bazë të programit për mbrojtjen dhe ruajtjen e
pyjeve dhe lejes së Drejtorisë, lejohet prerja sanitare, prerja me karakter kultivues, punët
kultivuese dhe ripyllëzimi, nëse shërben për ruajtjen e bashkësive pyjore në Parkun e
Gërmisë.
3. Në lejen e Drejtorisë nga paragrafi 2 i këtij neni, përcaktohen edhe kushtet e posaçme
për ushtrimin e veprimtarisë:

3.1. nuk lejohet të punohet në zonat me rrezikshmëri të lartë;
3.2. punetorët duhet të jenë të trajnuar dhe kompetent për shfrytëzimin e paisjeve;
3.3. punëtorët të jenë të veshur me rroba të përshtatshme dhe të sigurta;
3.4. punëtorët të kenë paisje për ndihmën e parë;
3.5. ndalohet përdorimi i makinerisë së rëndë;
3.6. ndalohet shfrytëzimi i drurëve në afërsi 50 m nga rrjedha e ujit;
3.7. ndalohet lëvizja e automjeteve bartëse jashtë rrugëve pa leje të veçantë;
3.8. ndalohet prerja, thyerja ose dëmtimi i drurëve;
3.9. ndalohet dëmtimi i mjedisit, shkatërrimi i florës dhe rezikimi apo shqetësimi i
faunës.

Neni 12.
Prerjet sanitare, krasitjet dhe punët e tjera të mirëmbajtjes pyjore, kryhen në kohën e
përcaktuar me Programin e mbrojtjes, ruajtjes dhe mirëmbajtjes së pyjeve.

1.2. Mbrojtja e botës shtazore

Neni 13.
4



1. Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohet ndjekja, shqetësimi, kapja, lëndimi dhe
vrasja e botës shtazore.
2. Perjashtim mund të ketë në rast se Drejtoria jep leje me qëllim të studimeve
shkencore, atehërë ato mund të kapen, nëse kjo i shërben ruajtjes së llojeve të shtazëve
të Parkut të Gërmisë, me qëllim të hulumtimeve shkencore, zbatimit të masave sanitare,
si dhe vendosjes së baraspeshës natyrore.

Neni 14.
Ndalohet futja dhe lëshimi i llojeve të huaja shtazore (alohtone), hibride ose të klonuara
në territorin e Parkut të Gërmisë.

Neni 15.
1. Ndalohet fluturimi i fluturakeve nën lartësine 400 m, përveç rasteve që kanë për
qëllim hulumtimet shkencore, filmimet ose përcjelljen e botës shtazore.
2. Fluturimi nën lartësinë 400 m lejohet me lejen e Drejtorisë, për qëllime zyrtare, për
fikjen e zjarreve, si dhe rastet e emergjencave për shpëtimin e jetës dhe pasurisë së
njerëzve.

Neni 16.
Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohet kullotja dhe lëvizja e bagëtisë.

Neni 17.
Në Parkun e Gërmisë spërkatja me mjete kimike ose në forma të tjera, me qëllim të
zhdukjes masive të insekteve, është e kufizuar.

Neni 18.
1. Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohet grumbullimi i bimëve, kërpudhave dhe
pjesëve të tyre, si dhe mbledhja e bimëve mjekësore.
2. Përjashtim mund të ketë atëherë kur jepet leja e Drejtorisë, me qëllim të studimeve
shkencore, e cila lëshohet në bazë të kushteve të veçanta të mbrojtjes së natyrës dhe
mund të lejohet grumbullimi i bimëve, kërpudhave dhe pjesëve të tyre, si dhe mbledhja
e bimëve mjekësore.

2. GJUETIA

Neni 19.
1. Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohet çdo lloj gjuetie dhe aktivitetet e gjuetisë.
2. Përreth kufirit të Parkut të Gërmisë, deri në 500 m, nuk lejohet ndërtimi ose vendosja
e objekteve për ekonomizim me shtazët e gjuetisë dhe kryerjen e aktiviteteve të gjuetisë.

Neni 20.
1. Ndalohet bartja dhe shfrytëzimi i armëve të zjarrit, si dhe mjeteve të tjera të
përshtatshme për gjueti (harku dhe shigjeta, kurthe, rrjeta etj.).

5



2. Armët e shkurtra të zjarrit mund t’i bartin vetëm personat e autorizuar zyrtarë në
pajtim me ligjin dhe këtë rregullore.

3. HULUMTIMET

Neni 21.
1. Parku i Gërmisë, si territor me vlera të llojllojshme natyrore dhe shkencore, mund të
destinohet për hulumtime shkencore.
2. Të gjjitha hulumtimet shkencore në territorin e Parkut të Gërmisë, pas zbatimit të
recesionit për propozimin e hulumtimit shkencor, duhet të kenë pëlqimin e Drejtorisë.
3. Hulumtimet shkencore, të cilat kanë për qëllim njohjen më të mirë të ekosistemeve
ose kanë karakter monitorues, kanë përparësi në marrjen e pëlqimit.
4. Për hulumtim të llojeve të mbrojtura të bimëve dhe shtazëve, duhet të merret leje nga
Drejtoria.

4. VIZITORËT

Neni 22.
1. Parku i Gërmisë, si territor me vlera të theksuara estetike, turistike dhe rekreative, i
dedikohet qytetarëve.
2. Qytetarët mund të hyjnë në Parkun e Gërmisë përmes hyrjeve të parapara për këtë
qëllim.

Neni 23.
1.Hyrja, përveç me automjete në Parkun e Gërmisë është pa pagesë.
2. Lartësinë e pagesës për hyrje në Parkun e Gërmisë me automjete e përcakton Këshilli
i Drejtorëve, me propozimin e Drejtorisë.
3. Me vendim të veçantë të Drejtorisë, nga pagesa e hyrjes me automjet në parkun e
Gërmisë, lirohen kategori të caktuara.
4. Gjatë kohës së qëndrimit në territorin e Parkut të Gërmisë, qytetari është i obliguar ta
ruaj biletën e hyrjes me automjet.
5. Mjetet e inkasuara nga hyrja e automjeteve ne Parkun e Gërmisë, barten ne buxhetin e
Komunës së Prishtinës.

Neni 24.
1. Brenda kufijve të Parkut të Gërmisë, lejohet lëvizja e vizitorëve vetëm në zonat dhe
shtigjet të cilat janë të shenjëzuara dhe të destinuara për vizitorë.
2. Shtigjet e këmbësorëve dhe vendet të cilat mund të vizitohen, i përcakton Drejtoria.
3. Drejtoria është e obliguar që shtigjet e këmbësorëve dhe vendet të cilat mund të
vizitohen të shenjëzohen në mënyrë të duhur.

Neni 25.
Lëvizjet e vizitorëve jashtë zonës dhe shtigjeve nga neni 24. paragraf 1 dhe 2 të kësaj
rregulloreje, lejohet vetëm në përcjelljen e punëtorit të autorizuar nga Drejtoria.
6



Neni 26.
1. Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohet lvizja e lirë e qenëve.
2. Qentë duhet të mbahen të lidhur me zinxhirë, maskë mbrojtëse dhe në hapësirë të
kufizuar.

5. TRANSPORTI I UDHËTARËVE, QARKULLIMI DHE PARKIMI

Neni 27.
1. Transportin e vizitorëve në Parkun e Gërmisë e organizon Drejtoria.
2. Përjashtim mund të ketë nëse Drejtoria ia beson transportin e vizitorëve nga paragrafi
1 i këtij neni, personit juridik ose fizik, sipas formës së përcaktuar.
3. Drejtoria jep leje për kryerjen e veprimtarisë nga paragrafi 2 i këtij neni.

Neni 28.
1. Shpejtësia e lëvizjes së mjeteve motorike në rrugët e Parkut të Gërmisë, është e
kufizuar:

1.1. për traktorët, makinat punuese dhe kultivatorët, deri në 20 km/h;
1.2. për automjete transportuese të mallrave dhe udhëtarëve, deri në 30 km/h.

2. Kufizimet nga paragrafi 1. i këtij neni, nuk vlejnë për qarkullimin e automjeteve me
sinjalizim, në raste emergjente, si:

2.1. automjetet e policisë;
2.2. automjetet emergjente;
2.3. automjetet e zjarrfikjes;
2.4. automjetet tjera për çështje të ngjajshme.

Neni 29.
1. Parkimi i automjeteve në Parkun e Gërmisë lejohet vetëm në vendet e parapara dhe të
shenjëzuara.
2.Vendet në parkim i përcakton Drejtoria.
3. Drejtoria është e obliguar që vendet për parkim t’i shenjëzojë në mënyrë të duhur.

5.1. Qëndrimi dhe bujtja e vizitorëve ( mysafirëve)

Neni 30.
1. Qëndrimi dhe bujtja e vizitorëve (mysafirëve) në territorin e Parkut të Gërmisë,
lejohet vetëm në vendet e parapara dhe të shenjëzuara.
2. Drejtoria bën përcaktimin e vendeve për qëndrim dhe bujtje.

Neni 31.
1. Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohet kampingu, gjegjësisht llogorimi, perveç në
vendet e rregulluara për atë qëllim.
7



2. Përjashtim mund të ketë nëse ajo bëhet me lejen e Drejtorisë ku lejohet kampingu,
gjegjësisht llogorimi në raste të veçanta, p.sh. shërbimi i malorëve, shërbimi i shpëtimit,
hulumtimit e ngjashëm.

Neni 32.
Ndalohet ndezja e zjarrit dhe përdorimi i mjeteve të tjera të zjarit, përveç vendeve të
cilat janë të parapara për atë destinim .

5.2. Larja

Neni 33.
1. Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohet larja e njerëzve, kafshëve, automjeteve dhe
të ngjashme.
2. Larja e njerëzve në pishinën e Germisë rregullohet me aktet e brendshme të NPL
“Sport-Marketing” SH.A., Prishtinë.

5.3. Rekreacioni

Neni 34.
1. Parku i Gërmisë si territor me vlerë të theksuar rekreative, është i dedikuar për
aktivitete rekreative.
2. Aktivitetet rekreative lejohen vetëm në vendet e parapara dhe të shenjëzuara
paraprakisht.
3. Drejtoria, me pëlqimin e Këshillit të Drejtorëve, i përcakton llojet e aktiviteteve
rekreative.
4. Drejtoria është e obliguar të sigurojë që vendet e parapara për rekracion të jenë
shenjuar në mënyrë të duhur.
5. Organizimin e veprimtarive rekreative, Drejtoria mund t’ua besojë personave të tjerë
fizikë dhe juridikë

6. LAVERTARIA DHE BLEGTORIA

Neni 35.
Në territorin e Parkut të Gërmisë ndalohet krijimi i sipërfaqeve të reja bujqësore,
ndërtimi dhe themelimi i fermave për mbajtjen e kafshëve shtëpiake dhe të egra, si dhe
veprimtarive të tjera bujqësore dhe blegtorale.

7. USHTRIMI I VEPRIMTARIVE

Neni 36.
1. Në Parkun e Gërmisë lejohen veprimtaritë, të cilat nuk e dëmtojnë botën bimore, me
të cilat nuk shfrytëzohen të mirat e natyrës, në kushtet të cilat i prëcakton Drejtoria e
Ekonomisë dhe e Zhvillimit.

8



2. Personat fizikë dhe juridikë të cilët ushtrojnë veprimtaritë biznesore në Parkun e
Gërmisë, janë të obliguar të veprojnë në harmoni me ligjin, aktet nënligjore dhe këtë
rregullore.
3. Për ushtrimin e veprimtarive në territorin e Parkut të Gërmisë, nevojitet leja e
Drejtorisë.
4. Për lëshimin e lejes paguhet kompensim, lartësia e të cilit përcaktohet me Rregulloren
për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale.

Neni 37.
1. Pronarëve, shfrytëzuesve, ushtruesve të veprimtarive biznesore për arritjen e tyre
deri te paluajtëshmëria në Parkun e Gërmisë, Drejtoria iu jep lejen për lëvizje pa
pengesë.
2. Për levizje në pjesen tjeter të territorit të Parkut të Gërmisë, pronarët dhe bartësit e të
drejtave në paluajtëshmëri janë të obliguar të marrin nga Drejtoria leje të vecantë.
3. Me lejen nga paragrafi 2 i këtij neni, përcaktohen vendet dhe territoret në të cilat nuk
u lejohet lëvizja e banorëve, pronarëve dhe bartësve të të drejtave në palujtëshmëri në
Parkun e Gërmisë.

Neni 38.
Personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë nevojë të përherëshme për qarkullim në rrugët
brenda Parkut të Gërmisë në të cilat qarkullimi është i kufizuar, për këtë qarkullim
duhet të kenë lejen e Drejtorisë.

Neni 39.
1. Në territorin e Parkut të Gërmisë nuk lejohen incizime dhe fotografime për qëllime
komerciale pa lejen e Drejtorisë.
2. Për marrjen e lejes paguhet kompensimi, lartësinë e të cilit e përcakton Drejtoria.

Neni 40.
Marrëdhëniet e ndërsjella në mes personave fizikë, juridikë dhe Drejtorisë,
përcaktohen me kontratë, sipas kushteve të parapara me Ligjin në fuqi për marrëdhënie
detyrimore.

8. MBROJTJA KUNDËR ZJARRIT

Neni 41.
1.Me qëllim të marrjes së masave për parandalimin e zjarreve në territorin e Parkut të
Gërmisë, Drejtoria siguron:

1.1.Shërbimin e përhershëm për vëzhgim dhe lajmërim nga të punësuarit e Drejtorisë;
1.2.Kalueshmërinë e përhershme të rrugëve dhe shtigjeve nëpër pyje dhe tokë pyjore;
1.3.Gatishmërinë e paisjeve për shuarjen e zjarrit dhe avancimit teknik të përhershëm të
tyre;

9



1.4.Ndalimin e ndezjes së zjarrit jashtë vendeve të cilat janë veçanërisht të përcaktuara
dhe të shenjuara për atë qëllim.

2. Masat për mbrojtjen kundër zjarrit në Parkun e Gërmisë i zbatojnë të punësuarit e
Drejtorisë, në bazë të aktit të veçantë dhe programit operativ.
3. Masat për mbrojtjen kundër zjarrit në territorin në Parkun e Gërmisë, janë të detyruar
t’i zbatojnë të gjithë personat fizikë dhe juridikë.

9. SHENJAT BRENDA PARKUT TË GËRMISË

Neni 42.
1. Shenjat në territorin e Parkut të Gërmisë vendosen sipas kësaj rregulloreje dhe
elaboratit për shenjat, të cilin e përcakton Drejtoria me akt të veçantë.
2. Tabelat informuese shkruhen në gjuhët zyrtare në përdorim në Kosovë.
3. Tabelat informuese mund të shkruhen edhe në ndonjë gjuhë të huaj, për të cilën
vendos Drejtoria.

Neni 43.
Kufijtë e Parkut të Gërmisë shënohen me tabela:
1.1 Tabela vendoset në hyrje të rrugëve në Parkun e Gërmisë, ku rrugët e përbëjnë
kufirin e asaj pjese të mbrojtur të natyrës dhe në hyrje tjera të Parkut të Gërmisë.
1.2 Në pjesët pyjore dhe të tjera, kufiri shënjohet me shenja të zakonshme pyjore në
trungjet, muret apo në ndonjë formë tjetër të përshtatshme.

III. MBIKËQYRJA DHE MASAT ADMINISTRATIVE

1. Mbikëqyrja administrative

Neni 44.
Mbikëqyrjen administrative për zbatimin e dispozitave të kësaj rregulloreje dhe
dispozitave të nxjerra në bazë të tij, e bën Drejtoria.

2. Mbikëqyrja e drejtpërdrejtë në Parkun e Gërmisë

Neni 45.
1. Mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë në Parkun e Gërmisë e kryejnë mbikëqyrësit e caktuar
nga drejtoria dhe ndërmarrja të cilat menaxhojnë me Parkun e Gërmisë.
2. Mbikëqyrës mund të emërohet personi i cili ka së paku përgatitjen e mesme
profesionale, një (1) vit përvojë pune në profesion dhe e ka të dhënë provimin
profesional.
3. Mbikëqyrësi identitetin e vet e legjitimon me kartelën identifikuese.
4. Mbikëqyrësi gjatë kohës së kryerjes së detyrës, mban uniformën zyrtare, shenjën e
mbrojtjes së natyrës dhe shenjën e drejtorisë e cila menaxhon zonën.

10



5. Mënyra e lëshimit të kartelës identifikuese, si dhe dukja e uniformës, përcaktohen me
akt nënligjor.

Neni 46.
1. Nëse mbikëqyrësi gjatë zbatimit të mbikëqyrjes në zonën e mbrojtur, has personin
duke kryer veprime për të cilat është përcaktuar kundërvajtja sipas dispozitave të kësaj
rregulloreje, ka të drejtë dhe është i obliguar që nga ai:

1.1. të kërkojë letërnjoftimin ose ndonjë dokument tjetër identifikues të personit;
1.2. të kontrollojë valixhen, mjetin transportues;
1.3. të kufizojë përkohësisht lëvizjet në territorin e caktuar;
1.4. të lëshojë urdhëresë për kundërvajtje ndaj të pandehurit për të paguar gjobën,
dënimin në para, dëmin ose shpenzimet e shkaktuara nga kryerësi i kundërvajtjes;
1.5. të konfiskojë përkohësisht, të merr pjesën e botës së gjallë ose jo të gjallë të fituar në
mënyrë jo ligjore që i takon zonës së mbrojtur, si dhe mjetet me të cilat është kryer
përvetësimi i kundërligjshëm;
1.6. të kërkojë rikthimin e gjendjes si ka qenë më herët, përkatësisht të urdhërojë
marrjen e masave për pengimin dhe mënjanimin e pasojave të shkaktuara;
1.7. të shqiptojë masën administrative;
1.8. të parashtrojë fletëparaqitje për kundërvajtje ose për vepër penale.

2. Sipas fletëparaqitjes nga nënparagrafi 1.4. i këtij neni, mund të shqiptohet dënimi për
kundërvajtje në lartësinë më të ulët për atë kundërvajtje, ose të urdhërojë masën
mbrojtëse, kurse gjoba nga nënparagrafi 1.5. i këtij neni, paguhet në lartësi prej tridhjetë
(30) € për personat fizikë, kurse për personat juridikë pesëqind (500) €.
3. Mjetet e paguara nga nënparagrafi 1.5. i këtij neni, janë të hyra të buxhetit të
Komunës.
4. Mbikëqyrësi në raste të caktuara, kryen edhe punët e rojtarit të natyrës.

Neni 47.
1. Mbrojtjen e drejtpërdrejtë dhe punët rreth ruajtjes dhe promovimit të Parkut të
Gërmisë, e kryejnë rojtaret e natyrës, e veçanërisht:

1.1. Planifikimin, organizimin dhe kryerjen e shëtitjeve për qëllime mësimore në zonën
e mbrojtur;
1.2. Edukimin mjedisor të vizitorëve për zonën e mbrojtur dhe komunitetit lokal;
1.3. Kujdesin për sigurinë e vizitorëve dhe ndërmarrjen e masave për shpëtim;
1.4. Vëzhgimin dhe përcjelljen e gjendjes së llojeve të bimëve, shtazëve dhe vlerave të
tjera në zonën e mbrojtur;
1.5. Bashkëpunimin me udhëheqësit e projekteve hulumtuese dhe projekteve të tjera të
lejuara në zonën e mbrojtur;
1.6. Bashkëpunimin me pronarët dhe përdoruesit e ligjshëm të patundshmërive në
zonat e mbrojtura, me qëllim të mbrojtjes së natyrës;
1.7. Mbikëqyrjen e kryerjes së veprimtarive dhe punëve të lejuara në zonën e mbrojtur;
11



1.8. Kujdesin për mirëmbajtjen e infrastrukturës në objektet të cilat gjenden në zonën e
mbrojtur;
1.9. Kryerjen e punëve të mbikëqyrësit, në bazë të autorizimit të veçantë.

2. Rojtarët e natyrës janë punëtorë të drejtorisë e cila administron me Parkun e Gërmisë.
3. Mënyra dhe kushtet për kryerjen e punëve të rojtarëve të natyrës, caktohen me akt
nënligjor.

3. Mbikëqyrja inspektuese

Neni 48.
1. Mbikëqyrjen inspektuese për zbatimin e kësaj rregulloreje dhe dispozitave të nxjerra
në bazë të saj, e kryen inspektori i mbrojtjes së natyrës, në kuadër të Sektorit të
inspeksionit për mjedis të Drejtorisë së Inspekcionit.
2. Përmbajtja, forma dhe mënyra e dhënies së kartelës dhe shenjës zyrtare, përcaktohen
me akt nënligjor.

Neni 49.
Lidhur me zbatimin e mbikëqyrjes së vlerave të përgjithshme mbrojtëse të natyrës dhe
në pjesët tjera të natyrës, të parapara sipas kësaj rregulloreje, inspektori mbikëqyr:

1.1. gjendjen e cilësisë së natyrës;
1.2. shfrytëzimin dhe përdorimin e vlerave të mbrojtura të natyrës dhe pjesëve të tjera të
natyrës;
1.3. zbatimin e masave dhe kushteve të mbrojtjes së natyrës, si dhe akteve të tjera të
nxjerra në bazë të kësaj rregulloreje;
1.4. zbatimin e kushteve për kompensim;
1.5. zbatimin e planeve të menaxhimit me të mirat e natyrës në pjesët që kanë të bëjnë
me masat dhe kushtet e mbrojtjes së natyrës;
1.6. zbatimin e planit për menaxhim dhe programin e mbrojtjes, ruajtjes, shfrytëzimit
dhe përparimit të vlerës së mbrojtur të natyrës;
1.7. veprimet të cilat mund të shkaktojnë ndryshime dhe dëmtime në vlerat e mbrojtura
të natyrës ose në pjesën tjetër të natyrës;
1.8. zbatimin e drejtpërdrejtë të mbrojtjes, ruajtjes, shfrytëzimit dhe përparimit të
vlerave të mbrojtura të natyrës;
1.9. zbatimin e masave për mbrojtjen e llojeve të bimëve, shtazëve, si dhe vlerave të tjera
të mbrojtura të natyrës;
1.10. eksportimin, importimin dhe kalimin transit të bimëve dhe shtazëve, nëse ato janë
të kufizuara ose të ndaluara me këtë rregullore;
1.11. informimin e publikut për gjendjen e natyrës;
1.12. zbatimin e kushteve dhe masave të tjera të përcaktuara me këtë rregullore për
mbrojtjen e larmisë biologjike dhe peisazhore.


12




IV. DISPOZITAT NDËSHKIMORE

Neni 50.
1. Personi juridik do të gjobitet për kundërvajtje me gjobë prej pesëqind (500) deri në
njëmijë (1.000) €, nëse:

1.1. nuk zbaton masat e mbrojtjes së natyrës të përcaktuara me këtë rregullore, derisa
vlera e natyrës është nën mbrojtjen paraprake (neni 4, paragrafi 2 i kësaj rregulloreje);
1.2. nuk lejon vizitën dhe shikimin e natyrës (neni 22 i kësaj rregulloreje);
1.3. nuk lajmëron zbulimin e objektit speleologjik ose pjesëve të tij në afatin e përcaktuar
(neni 21 i kësaj rregulloreje);
1.4. kryen hulumtime pa pëlqimin e Drejtorisë (neni 21, paragrafi 4 i kësaj rregulloreje);
1.5. nuk vepron në pajtim me planin e menaxhimit të Parkut të Gërmisë (neni 12 i kësaj
Rregulloreje)
2. Personi fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik do të gjobitet për kundërvajtje
nga paragrafi 1 i këtij neni, me gjobë prej njëqind (100) deri në pesqind (500) €.

Neni 51.
Personi juridik do të gjobitet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëdhjet (50) deri në
njëqind (100) €, nëse:

1.1. dëmton dhe/ose shkatërron shenjën dhe/ose tabelën informuese (neni 42 i kësaj
rregulloreje);
1.2. ndez zjarr jashtë vendbanimit dhe /ose vendeve që për ketë qëllim janë të shënuara
dhe të caktuara (neni 41, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 i kësaj rregulloreje);
1.3. incizon ose fotografon për qëllime komerciale pa lejen e Drejtorisë, përkatësisht
organit të administratës ose organit kompetent të Komunës (neni 39, paragrafi 1 i kësaj
rregulloreje);
1.4. fluturon me mjete fluturuese pa lejen e drejtorisë përkatësisht, organit të
administratës ose organit kompetent të Komunës (neni 15, paragrafi 2 i kësaj
rregulloreje);
1.5. vendos pllakën informative, pano reklamuese ose të tjera, pa lejen e Drejtorisë (neni
42, paragrafi 2 i kësaj rregulloreje).

Neni 52.
Personi fizik do të gjobitet për kundërvajtje me gjobë, prej tridhjetë (30) €, nëse:

1.1. hyrja në Parkun e Gërmisë bëhet pa biletë, kur ajo është e obliguar (neni 23,
paragrafi 2 i kësaj rregulloreje).
1.2. hedh mbeturina jashtë vendit që është paraparë dhe shënuar për atë qëllim (neni 7,
paragrafi 2 i kësaj rregulloreje);
1.3. lahet jashtë vendeve, të cilat i ka përcaktuar (neni 33 i kësaj rregulloreje).

13




V. DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 53.
1. Drejtori i Drejtorisë do t’i nxjerrë vendimet e parapara me këtë rregullore, në afat prej
60 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje.
2. Drejtoria, në afat prej 90 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të kësaj rregullore, do të
kryejë shenjëzimet e parapara në territorin e Parkut të Gërmisë, sipas kësaj rregulloreje.

Neni 54.
Kjo rregullore hyn në fuqi tetë (8) ditë pas publikimit të saj në tabelën e shpalljeve dhe
në ueb – faqe të Komunës.

KUVENDI I KOMUNËS SË PRISHTINËS
01. nr. 110 - 230121, më 03.10.2014


KRYESUESI I KUVENDIT
Halim Halimi, jur. i dipl.