LIGJI NR. 02/L-31 PËR LIRINË FETARE NË KOSOVË

GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË
KOSOVË / PRISHTINË :VITI II / NR. 11 / 01 PRILL 2007
Ligji Nr. 02/L-31

PËR LIRINË FETARE NË KOSOVË

Kuvendi i Kosovës,

Në mbështetje të Kreut 3.1, 3.2, 5.7 dhe 9.1.26 (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të
Përkohshme në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr 2001/09 datë 15 maj 2001), si dhe në
standardet për të drejtat dhe liritë e njeriut të rregulluara me deklarata dhe konventa
ndërkombëtare dhe rajonale, nën kompetencën e Këshillit të Evropës;

Duke u nisur nga fakti se liria e besimit është një prej të drejtave themelore të njeriut, dhe një prej
parimeve dhe standardeve të pranuara ndërkombëtarisht mbi lirinë e të shprehurit, vetëdijes dhe
përcaktimit fetar;

Duke e siguruar të drejtën e secilit, pa u diskriminuar në çfarëdo baze dhe me barazi të plotë para
ligjit, për lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit, pavarësisht nga bindja fetare apo vetëdija;

Duke u nisur nga tradita e jetës së përbashkët fetare në Kosovë;

Të vetëdijshëm për trashëgiminë tonë dhe vlerat tradicionale të tolerancës, jetës së përbashkët,
dhe karakterit multikonfesional në Kosovë;

Duke u përpjekur të përkufizohen dispozita juridike unike të cilat do t’u siguronin bashkësive
fetare të drejta dhe detyrime të barabarta, pa kurrfarë diskriminimi;

Duke e çmuar të rëndësishëm përparimin e mëtejmë të mirëkuptimit të ndërsjellë, të tolerancës dhe të
respektimit të së drejtës për lirinë e shprehjes, ndërgjegjes dhe besimit fetarë,

Miraton:

LIGJIN PER LIRINË FETARE NË KOSOVË
Neni 1
Liria Fetare

1.1. Çdo njëri ka të drejtë të gëzojë lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit fetarë. Kjo e drejtë
përfshinë lirinë për të pasur ose për të mos pasur fe, për të mbajtur apo për të ndërruar fenë ose
besimin, dhe lirinë për të manifestuar fenë ose besimin, qoftë si individ ose në bashkësi me të
tjerët, publikisht ose privatisht, përmes adhurimit, predikimit, praktikimit dhe ceremonive.

1.2. E drejta për lirinë fetare dhe të besimit përfshinë, mes tjerash, edhe liritë në vijim:

a. Lirinë e adhurimit ose tubimit në lidhje me një fe ose besim, dhe krijimin dhe mirëmbajtjen e
vendeve për këto qëllime;

b. Lirinë për të themeluar dhe qeverisur institucione humanitare dhe bamirëse;

c. Lirinë për të prodhuar, siguruar dhe për të përdorur, gjësende dhe materiale të nevojshme
për kryerjen e riteve ose zakoneve të fesë ose besimit;

d. Lirinë e shkrimit, nxjerrjes dhe shpërndarjes së publikimeve relevante në këto lëmi;

e. Lirinë për mësim të një feje apo besimi në vendet e destinuara për këto qëllime;

f. Lirinë për të kërkuar dhe pranuar kontribute financiare dhe kontribute të tjera vullnetare nga
individët dhe institucionet;

g. Lirinë për t’u aftësuar, emëruar, zgjedhur ose caktuar pasardhës, sipas kushteve dhe
standardeve të religjionit ose besimit përkatës;

h. Lirinë e respektimit të ditëve të pushimit dhe festimit të festave dhe ceremonive sipas normave
fetare të fesë ose besimit përkatës;

i. Lirinë e krijimit dhe ruajtjes së komunikimit me individë dhe bashkësi për çështjet e fesë dhe
besimit në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

1.3 Liria për të manifestuar fenë ose besimin duhet t’iu nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve që
janë të parashkruara me ligj dhe janë të domosdoshme në shoqërinë demokratike në interes të
sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit dhe moralit, dhe për mbrojtjen e të
drejtave dhe lirive themelore të të tjerëve.


Neni 2
Mbrojtja nga Diskriminimi

2.1. Askush nuk duhet të jetë i diskriminuar ose i privilegjuar në çfarëdo mënyre në bazë të
besimit fetarë, përkatësisë ose jopërkatësisë së një Bashkësie fetare, ose për kryerjen e
ceremonive dhe ritualeve fetare.

2.2 Askush nuk duhet të pengohet ose të detyrohet të marrë pjesë në ceremonitë fetare, ose në
forma të tjera të manifestimit të besimit fetar.



Neni 3
Barazia Fetare

Të gjithë personat, pavarësisht nga besimi ose bindja e tyre, pavarësisht nga përkatësia në
ndonjë bashkësi fetare ose pjesëmarrja në ndonjë ceremoni fetare janë të barabartë para ligjit
dhe gëzojnë të drejta të njejta në jetën civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Të gjithë
personat juridik dhe fizik gëzojnë mbrojtje të njejtë para ligjit.


Neni 4
Mbrojtja me Kodin Penal

4.1. E drejta për të manifestuar fenë ose besimin nuk mund të abuzohet nëpërmjet nxitjes, ngacmimit,
ose provokimit të jo tolerancës ose urrejtjes nacionale, fetare ose racore, duke kërcënuar të
drejtën për të jetuar, të drejtën për shëndet fizik dhe mendor, të drejtat për fëmijë ose të drejtën
për të respektuar integritetin privat dhe familjarë.

4.2. Sulmi ndaj çfarëdo zyrtari fetar, shkatërrimi ose dëmtimi i ndonjë vendi ose objekti fetarë, ose
prone tjetër e ndonjë Bashkësie fetare, ashtu si edhe ndonjë akt ose aktivitet që ka për qëllim të
shkaktojë, nxis, ose provokojë urrejtje fetare, është i ndëshkueshëm në bazë të Kodit të
Përkohshëm Penal të Kosovës.


Neni 5
Neutraliteti fetar

5.1. Nuk do të ketë asnjë fe zyrtare.

5.2. Bashkësitë fetare janë të ndara nga autoritetet publike.

5.3. Të gjitha autoritetet publike duhet të kenë parasysh tolerancën dhe respektin e ndërsjellë
ndërmjet feve.

5.4. Të gjitha besimeve dhe bashkësive të tyre në Kosovë duke përfshirë Bashkësinë Islame të
Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Bashkësinë e Besimit Hebrej, dhe Kishën
Evangjeliste, do t’u ofrohet çdo lloj mbrojtjeje dhe mundësi për të gëzuar të drejtat dhe liritë e
parashikuar me këtë Ligj.


5.5. Duke pasur parasysh kontributin specifik dhe identitetin e tyre në shoqëri, autoritetet publike
duhet të mbajnë dialog të hapur, të rregullt dhe transparent me shoqatat fetare, Bashkësitë fetare
për çështjet me interes të përbashkët.


Neni 6
Liria e bashkimit fetar

6.1. Liria e bashkimit për qëllime fetare është e garantuar në bazë të ligjit në fuqi të Kosovës.

6.2. Ndalohet formimi i një shoqate fetare e cila për nga emri ose statuti sugjeron që është zyrtarisht
e lidhur ose e njohur nga një Bashkësi fetare, por që nuk e ka pëlqimin e së njëjtës.


Neni 7
Vetë përcaktimi dhe vetë rregullimi

7.1. Bashkësitë Fetare janë të lira që të përcaktojnë identitetin e tyre fetar.

7.2. Bashkësitë Fetare e rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur organizimin e tyre të
brendshëm.

7.3. Bashkësitë fetare lirisht mund të themelojnë dhe komunikojnë me individë dhe komunitete në
nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ashtu si edhe të formojnë shoqata me bashkësitë dhe grupe të
tjera fetare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në pajtim me ligjin në fuqi.


Neni 8
Vendet e Kultit

8.1. Ndërtesat dhe objektet që u takojnë bashkësive fetare, që janë të dedikuara për kryerjen e
ceremonive fetare konsiderohen të pacenueshme për sa i përket ndërhyrjes së autoriteteve
qeveritare, përveç nëse ndonjë urdhër gjyqësor është lëshuar si pasojë e aktiviteteve ilegale ose
në rast të rrezikut të afërm për jetën ose shëndetin.

8.2. Qasja e lirë nga ana e pelegrinëve, mysafirëve dhe personave të cilët jetojnë përherë ose
përkohësisht në institucionet ose objektet fetare duhet garantuar. Ky detyrim merret parasysh gjatë
zbatimit të dispozitave që kanë të bëjnë me çështjet e qëndrimit dhe udhëtimit.

8.3. Mundësia që bashkësitë fetare të kufizojnë qasjen në vendet e tyre, në kuadër të kornizës për
vetë administrim, është e garantuar sipas standardeve ndërkombëtare.



Neni 9
Arsimimi Fetar

9.1. Bashkësitë fetare kanë të drejtë të themelojnë institucione arsimore për nevojat e tyre në
pajtim me ligjin në fuqi.

9.2. Ligji për Arsimin e Lartë rregullon çështjen e studimeve teologjike në universitete.

9.3. Shkollat e udhëhequra nga bashkësitë fetare qeverisën në bazë të aplikimit neutral të ligjit
përkatës sikurse shkollat tjera private.

9.4. Çdo njëri ka të drejtë të zgjedhë ose të mos e zgjedh arsimin fetar sipas bindjeve dhe besimit
personal. Prindërit ose kujdestarët e tjerë ligjorë janë të thirrur t’i përcaktojnë udhëzimet fetare
dhe etike për fëmijët e tyre sipas bindjeve ose besimeve të tyre.

9.5. Arsimi fetar dhe edukimi i të miturve nuk guxon të dëmtojë zhvillimin ose shëndetin e tyre
fizik ose mendor.


Neni 10
Liria për Informim

10.1. Bashkësitë fetare, dhe institucionet e tyre kanë të drejtë, në kuadër të Kushtetutës dhe ligjit,
që të publikojnë informata duke përdorur të gjitha format e mediave.

10.2. Bashkësitë fetare detyrohen që qartë të shënojnë emrin e plotë të tyre në çfarëdo botimi,
reviste dhe materiale të tjera fetare, si edhe në korrespondenca dhe shpallje publike të
aktiviteteve të tyre.

10.3. Bashkësitë fetare gëzojnë qasje të barabartë në mediat publike.




Neni 11
Këshillimet Fetare


11.1. Me qëllim të realizimit të lirive fetare, autoritetet publike duhet të marrin masa që të
garantojnë disponueshmërinë për këshillime fetare në spitale, në vendet për paraburgim ose
burgje, si dhe në institute për kujdesje sociale.

11.2. Shërbyesit fetarë janë të liruar nga detyrimi për të dëshmuar në procedura para autoriteteve
publike dhe gjykatave në lidhje me çfarëdo fakti ose rrethanash që ata kanë mësuar gjatë
kryerjes së këshillimit të tyre fetarë.


Neni 12
Çështjet Financiare

12.1. Çështjet që kanë të bëjnë me detyrimet, tatimet dhe pagesat doganore, në lidhje me
Bashkësitë fetare, qeverisen në bazë të ligjit në fuqi.

12.2. Institucionet e Bashkësive fetare lirohen nga tatimi ose kontributet e tjera të përgjithshme,
për rastet si vijon:

a. vendet e kultit, pronat e tjera ose pjesët e pronës së Bashkësive fetare që kanë si qëllim të
tyre të drejtpërdrejtë realizimin e bindjeve ose besimeve fetare, përfshirë qëllimet bamirëse
dhe për mirëqenie;

b. aktivitetet që kanë si qëllim të posaçëm dhe të drejtpërdrejtë të tyre realizimin e bindjeve ose
besimeve fetare, përfshirë qëllimet bamirëse dhe për mirëqenie; dhe

c. seminaret ose organizime të tjera për trajnimin e shërbyesve ose mësimdhënësve fetarë të
arsimit fetar.

12.3. Bashkësitë fetare mbajnë të drejtën e pronësisë, posedimit, dhe gëzimit të institucioneve të
tyre, donacioneve, objekteve të shenjta, dhe të fondeve që dedikohen për adhurim, mësim, dhe
mirëqenie.

12.4. Bashkësitë fetare mund të pranojnë financim përmes të hyrave nga pronat e tyre, nga
trashëgimia dhe dhuratat, nga kontributet bamirëse dhe të tjera vullnetare, si dhe nga kryerja e
aktiviteteve të tjera të pajtim me ligjin në fuqi.


Neni 13
Përfitimet Sociale

13.1. Shërbyesit fetarë të bashkësive fetare i realizojnë të drejtat nga sigurimi pensional dhe
sigurimi shëndetësor dhe të drejtat e tjera në bazë ligjit në fuqi.

13.2. Bashkësitë fetare, për realizimin e punëve të tyre fetare, mund të hyjnë në marrëdhënie
juridike dhe të lidhin kontratë për punë me personel fetarë dhe me punëtorë të tjerë. Personeli
fetar dhe punëtorët e tjerë, me të cilët bashkësia fetare ka lidhur kontratë për punë, i realizojnë të
drejtat nga marrëdhënia e punës dhe në bazë të punës së kryer, sikurse edhe të punësuarit e
tjerë.

13.3. Vijuesit e rregullt të shkollave fetare dhe të fakulteteve fetare për përgatitjen e personelit
fetar i realizojnë të drejtat për mbrojtje shëndetësore, shtesat për fëmijë, sigurimin pensional dhe
invalidor, të drejtat për asistencë sociale dhe të drejtat në trafik publik nën kushtet dhe në
mënyrën e njëjtë siç i realizojnë vijuesit e shkollave dhe fakulteteve publike.



Neni 14

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi
Special i Sekretarit të Përgjithshëm.




24.08.2006
UNMIK/REG/ 2006/48